Nga Gjergj Titani
Pjesa e shtatë
Memorie.al / Për herë të parë, kemi mundur të sigurojmë rrëfimin e dëshmitarit të shumë ngjarjeve historike. Bashkëbisedimi me Pandi Kriston, personalitet i lartë i Partisë Komuniste të Shqipërisë dhe shtetit shqiptar, u zhvillua në Tiranë, në shtëpinë e dhëndërrit të tij, Robert Vullkani, ku ishte i detyruar të banonte, kur u lirua nga internimi, pasi shteti demokratik shqiptar, nuk i dha kurrë shtëpi. Regjimi, për të cilin luftoi, e vuri në shënjestër, për ta likuiduar Pandi Kriston, duke e radhitur atë në grupin e Koçi Xoxes, dënuar për “veprimtari armiqësore”. Për 42 vjet me radhë, do të endej burgjeve të diktaturës komuniste dhe internimeve të njëpasnjëshme, deri kur u rrëzua përgjithmonë komunizmi, në fillimin e viteve ´90-të. Intervista është realizuar në vitet 1992 – 1993 dhe me kalimin e viteve, është plotësuar, sipas kujtimeve dhe arkivit familjar të vajzës së Pandit, Asamble Kristo (Vullkani), motrës, veterane e Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare, dhëndrit të tij, Robert Vullkani dhe kujtimeve të bashkëkohësve të shumtë. Ja rrëfimi i Pandi Kristos.
Zoti Pandi, çfarë ndodhi pas punimeve të Plenumit të Dytë, që ishte i fundit pas aktiviteteve që u zhvilluan në Berat?
Pas këtyre aktiviteteve shumë të rëndësishme, u përgatitëm për të hyrë në Tiranë me një ceremoni festive të natyrshme e të ligjshme. Pak përpara kishim dërguar në kryeqytet, Nesti Kerenxhin, për të siguruar parrezikshmërinë dhe qetësinë e hyrjes së Qeverisë atje. Po ashtu, Abdyl Këllezin, si të plotfuqishëm për organizimin e vendosjes së zyrtarëve të rinj, që po vinin në Tiranën e çliruar në hotele, konvikte, kazerma, vila, shtëpi banimi, kuzhina, mensa. Furnizimin me produkte e ushqime, të cilat mungonin në atë kohë, mund ta përballonte vetëm një njeri i shkathët dhe aktiv si Abdyli. Liri Belishova, një tjetër e dërguar, do të merrej me organizimin e rinisë, gruas, propagandës, shtypshkrimeve, parullave e të tjera. Që të tre këta shokë, bënë një punë kolosale, për sistemimin dhe akomodimin e Qeverisë së Re.
Le të kujtojmë se, qeveria që kishte dalë nga një luftë e armatosur, nuk kishte në dispozicion asgjë, as zyra, as orendi, as mjete shtypshkrimi, as buxhet, thesar, a asgjë tjetër, veç vullnetit dhe gatishmërisë për të drejtuar e udhëhequr Shqipërinë e porsa çliruar. Ato ditë, përveç detyrave partiake dhe funksioneve të tjera, u emërova Sekretar Politik i Komitetit të Partisë së Qarkut Tiranë-Durrës. Zëvendësi im, për fushën e organizimit, ishte shoku im i mirë, Gogo Nushi. Ndërsa, shef i agjitacionit e propagandës i këtij komiteti, ishte Xhavit Qesja. Instruktore për gruan, ishte komunistja e vjetër, me origjinë nga Najdenët e Dibrës, shoqja jonë Meribani, e cila më pas u bë dhe gruaja e Xhavit Qeses. Dua të theksoj se, Xhaviti, në të shumtën e rasteve të mbledhjeve të Byrosë, apo sekretariatit të Komitetit Qendror të PKSH-së, ishte pjesëmarrës dhe me përpikëri, kaligrafi si rrallëkush, mbante protokollet dhe dokumentet kryesorë. Instruktor për rininë ishte Pirro Dodbiba.
Mbaj mend që, kishim edhe dy-tre punonjës të tjerë dhe kaq. Mund të them me bindje se ato ditë, ne nuk na mundonte burokracia e tepruar. Komitetet e partisë dhe ministritë, përbëheshin nga grupe të vogla operative punonjësish entuziastë, që vinin nga Lufta, nga njësitë partizane, apo komitetet e qyteteve, qarqeve. Në këtë komitet, që ishte në fakt më i madhi dhe më i rëndësishmi në vend, kishim punë gjatë 24 orëve dhe mbaj mend që më shumë punonim në terren, duke marrë kontakte direkte me ato pak ndërmarrje, private, apo shtetërore, që ishin në atë kohë. Detyra më emergjente, ishte pastrimi i qytetit, që ende kishte gjurmët e luftës nëpër rrugë. E them me kënaqësi se, grupi operativ i përbërë nga Abdyli, Nesti dhe Liria, kishin bërë një punë kolosale për mobilizimin e qytetarëve dhe partizanëve të njësive që ndodheshin të dislokuara në kryeqytet, të cilët kishin bërë gati gjithçka.
Madje, Mehmet Shehu dhe Shtabi Operativ, që drejtoi çlirimin e Tiranës, pregatiti paradën e parë të forcave fitimtare përpara Qeverisë së Re, popullit të kryeqytetit dhe përfaqësuesve të aleatëve që ishin akredituar tashmë pranë Komandës së Përgjithshme. Më vonë, u emërova kryetar i Komisionit të Kontrollit të Shtetit, që u vendos me zyra në shtëpinë trekatëshe të Kacelëve, që ekziston edhe sot në qendër të Tiranës. Zëvendëskryetar i KKSH-së ishte, Demush Thaçi, ndërsa bashkëpunëtorë, ishin Spiro Gjoka, Naum Stralla, e të tjerë, të cilët ndihmuan në ato ditë të vështira me të gjitha fuqitë e tyre intelektuale dhe profesionale. Naum Stralla, ish-anëtar i vjetër i Grupit Komunist të Korçës dhe më pas i PKSH-së, nëpërmjet një firme private italiane farmaceutike, ka mundësuar importin e një sasie të madhe medikamentesh, që na u deshën në luftë.
Me kujdesin dhe aftësitë e Strallës, jemi furnizuar thuajse rregullisht dhe pa telashe, me anën e një rrjeti të organizuar mirë të farmacive të ndryshme, që pa ngurrim, përcillnin në mal të gjitha kërkesat tona. Ky shërbim, falë punës dhe përkushtimit të Naumit, funksionoi gjatë gjithë kohës së Luftës pa pengesa…! Më kujtohet se, më mungonte krejtësisht praktika e drejtimit të një dikasteri kaq të rëndësishëm, por me ndihmën e bashkëpunëtorëve të mi, Gogo Nushi, Xhavit Qese, Meriban Najdeni, Demush Thaçi, Naum Stralla, e të tjerëve, munda ta përballoj me sukses këtë detyrë të vështirë. Nuk mund të lë pa përmendur se, kur isha ministër pa Portofol, Enver Hoxha, më kishte lënë të drejtën e firmës dhe të vulës. Gjithashtu, vura re se shumë vendime, apo urdhëra ekzekutivë, me përgjegjësi të madhe, ai hezitonte t’i firmoste vetë.
Kështu që, krijova bindjen se këtë praktikë pune, Enveri, e bënte për të larguar përgjegjësinë nga vetja, në mënyrë që më pas nëse ky apo ai problem dilte i pasuksesshëm, të kishte të drejtën ta kontestonte atë. Më ka bërë përshtypje se, Enveri, nuk punonte më në zyrë, por në një ambient që e përgatiti enkas në shtëpi. Madje edhe mbledhjet e Byrosë Politike, i bënim po në shtëpinë e tij. Këtu, zënë fill pretendimet e mëvonshme, paranojake të tij, se gjoja në këtë kohë “grupi i Koçi Xoxes”, e kishte izoluar. Pyes me sinqeritet se, nga kush ishte izoluar Enveri?!
Këto pretendime, jo vetëm nuk qëndrojnë, por janë shpikjet e trurit të tij të sëmurë, sepse Koçi me Enverin, fillimisht hanin bashkë, e për të dyja familjet gatuante i njëjti kuzhinier. Në këtë kohë, edhe unë drekoja më shumë në shtëpinë e tij, se në familjen time, që e kisha sjellë nga Korça. Nuk duhet harruar që me Enverin, banonim në të njëjtin oborr. Po ashtu, edhe Koçi me Nakon, rregullisht kështu vepronin. Enveri, këto pretendime, i ngre pa baza, sepse ai nuk ishte i izoluar nga ndokush, por i vetizoluar në kullën e tij.
Si u sistemuat në shtëpinë tuaj në Tiranën e Re, kur ishit fqinjë me Enverin dhe Koçin
Megjithëse, kjo nuk ka ndonjë rëndësi të veçantë, mund të them se, fillimisht banoja me familjen time, në një oborr me Enver Hoxhën dhe Koçi Xoxen. Marrëdhëniet tona ishin shumë të mira. Venim e vinim lirisht te njëri-tjetri, pa ndroje dhe pa ceremonira të veçanta. Pikërisht në këtë kohë, Enveri, nuk e di se për çfarë arsye, filloi të mos dilte në zyrë dhe siç e thashë pak më lart, ai u vet izolua. Ishte ndjenja e frikës, apo e kujdesit të tepruar, këtë nuk mund ta them me siguri. Ai dhe Nexhmija, ende nuk kishin fëmijë. Unë dhe Dhora, gruaja ime, kishim një gëzim të madh, sepse na kishte lindur vajzë, të cilën Enveri shumë shpesh e përkëdhelte, e merrte në duar, dhe i gëzohej.
Ditën e tretë të lindjes së saj, sipas zakonit ortodoks, pregatitej enkas një bukë vale, me gjalpë e me sheqer. Ky rit quhet “të tretat”. Po atë ditë, vihet edhe emri i të porsalindurës. Sigurisht, ne nuk do të shkonim as në kishë as diku gjetkë, për të celebruar këtë ceremoni, por rasti u gjend. Mbaj mend se, atë ditë po zhvillonim punimet e Asamblesë Kushtetuese. Unë, Enveri dhe Koçi, u kthyem në shtëpinë time të uronim gjyshen e vajzës, nënën e gruas sime, që e thërrisnim Mitera, sepse ime më, ishte vrarë në demonstratën e 9 shtatorit 1943.
Gjithashtu, do të uronim gruan time, Dhora, motrën time, Vangjeli dhe vëllanë Kosta, që ishin anëtarët e familjes sime dhe banonin me mua. Me këtë rast, Koçi Xoxe, ja shpjegoi Enverit ç’ishte “bukë vala” e të porsalindurës dhe “të tretat”. Në çast Enveri tha: “Vajzën do ta quajmë Asamble, pikërisht sot me rastin e mbledhjes së parë të Asamblesë Kushtetuese. Kështu u vendos. Vajzën time e pagëzoi Enveri. Ajo e mban edhe sot e kësaj dite këtë emër. Falë tragjedive, që ndodhën me mua më pas, nuk patëm fatin e mirë të gëzonim edhe në fëmijë të tjerë, ndaj ky pagëzim i çuditshëm i Enverit na ndoqi pas gjithë jetën. Më kujtohet se vjehrra ime, atë ditë dhe më vonë, u pikëllua së tepërmi, sepse atë emër që i vuri Enveri, nuk mundi ta pranonte kurrë.
M’u kujtua edhe një rast tjetër, që ka të bëjë me marrëdhëniet e mia me shokët e udhëheqjes. Në verën e vitit 1941, u fejova me Dhora Nedellin, e cila më vonë u bë gruaja ime. Atëherë nuk ishte kohë fejesash e martesash, ndaj dhe u martuam menjëherë pas çlirimit. Në fundin e vitit 1944, celebruam martesën. Po atë ditë, celebruan martesën e tyre edhe Hysni Kapo me Vito Kondin. Me këtë rast, të dy palët ishim dëshmitarë për celebrimin e martesave. Kështu, e thjeshtë, pa ceremonira, ishte dasma e atëhershme. Menjëherë pas këtij akti, u largova nga hotel “Dajti”, ku ishte sistemuar pjesa më e madhe e udhëheqjes, mora familjen dhe u vendosa në shtëpinë që përmenda pak më lart.
A vinin të tjerë vizitorë, shokë të udhëheqjes, në shtëpinë tuaj, të Enverit, apo Koçit
Sigurisht që vinin. Dyert e shtëpive tona, ishin të hapura për të gjithë. Kishim katër-pesë vjet që rropateshim si ilegalë nëpër bazat e luftës, qelive të policisë e burgjeve, gërxheve të luftës në mal. Për një kohë, nuk na bëhej t´i hiqnim nga trupi uniformat partizane, por u mësuam me kostume civile, pantallona të hekurosura, kravatat, këmishët e kollarisura, madje filluam të mbajmë edhe kapele borsalino. Një nga vizitorët e shpeshtë, i mirëpritur dhe shumë simpatik te ne, apo edhe tek Enveri, ishte profesor Sejfulla Maleshova. Ky fakt, i kishte rënë në sy edhe Nexhmije Hoxhës, ndaj një ditë ajo pa ngurruar më tha: “Dëgjo shoku Pandi, Sejfullai është beqar dhe ne kemi menduar se do të ishte mirë që ta martonim me Sanon, motrën e Enverit. Ç´mendim ke ti? A mund t’i thuash këtë Sejfullait”?
Sigurisht mua më ra qielli në kokë, sepse së pari, nuk isha mësuar të merresha me të tilla punë. Më habiti guximi i Nexhmijes. Për më tepër, isha dhe jam edhe sot në pleqëri njeri shumë serioz, i mbyllur nga natyra dhe fjalëpakë. Unë jam njeri i zymtë, por kurrsesi i vrazhdë. Nuk e kuptoj, përse Nexhmija ma ngarkoi mua transmetimin e këtij mesazhi, te Sejfullai. Gjithsesi, Sejfullai na kishte thënë se motra e Enverit, i vinte shpesh në xhepin e vogël të xhaketës, nga një trëndafil të kuq. “E shkreta, mendon të m’i hedhë kthetrat mua, beqarit të staxhionuar”, thoshte Sejfullai dhe qeshte me të madhe. Kisha porosi madhore, tashmë nga Nexhmija. Bëra ç’bëra, ia transmetova Sejfullait kërkesën e saj. “Dhelpra plakë” tha ai dhe shtoi: “Dëgjo Pandi, unë s’kam mbetur për lëmoshat e Enverit. Krushqi me të nuk bëj kurrë”.
Në këtë rast, e kuptova mirë se nuk e simpatizonte aspak Enver Hoxhën. Mendoj, se kjo bisedë nuk ka më nevojë për komente dhe kërkoj falje, që përmenda njerëz që nuk kanë lidhje me çështjet tona.
A keni dijeni për ekzekutimin e Bahri Omarit, kunatit të Enver Hoxhës? Si nuk mundi ky i fundit, ta shpëtojë atë nga dënimi me vdekje?
Bahri Omarit, megjithëse kishte qenë ministër i Punëve të Jashtme në kohën e okupacionit, edhe mund të mos i jepej dënimi kapital, sepse kishte dhënë një kontribut me vlera, për strehimin e vazhdueshëm dhe të sigurt që i kishte bërë Enverit dhe familjes së tij, gjatë Luftës. Por, rrethana të çuditshme dhe komplekse të Enverit, bënë që Bariu, të dënohej me pushkatim. Rasti e solli që të di, edhe rrethanat në të cilat u ekzekutua ky njeri. Ishte koha e zhvillimit të Gjyqit Special të kriminelëve të luftës. Koçi Xoxe, ishte kryetar i këtij gjyqi shumë të rëndësishëm, i cili nuk po zhvillohej vetëm me dëshirën, apo vendimin e Qeverisë së re Shqiptare.
Sigurisht, që nuk kisha të bëja fare me gjyqet, jo se nuk do të merrja pjesë po të më caktonte Byroja Politike, por kështu rrodhën ngjarjet. Mbaj mend se një ditë prej ditësh, kur zhvillohej Gjyqi Special, më ka thënë Koçi Xoxe, se Farija, motra e Enverit, i kishte shkuar në shtëpi dhe i ishte lutur që t’i falnim jetën Bahriut, burrit të saj. Enveri për çudi, në kundërshtim me udhëzimet e posaçme që i kishte dhënë Koçit për pushkatimin e Bahri Omarit, i kishte thënë të motrës: “Shiko Farije, këtë punë e ka në dorë vetëm Koçi”. Farija, me fjalët e Enverit, u nis me një frymë te Koçi, të cilit i transmetoi ato që i kishte thënë i vëllai. Koçi, sigurisht u habit me këtë manovër dhelpërake të Enver Hoxhës, por me sinqeritetin e tij karakteristik, nuk ngurroi t’i thotë: “Dëgjo Farije, yt vëlla s’të ka thënë të vërtetën. Këtë punë e ka në dorë vetëm ai”.
Pas kësaj bisede, Koçi, vjen te unë dhe ma tregoi hallin e madh të Farijes, e cila kishte të drejtë. Atëherë ngrihemi të dy dhe shkojmë në shtëpinë e Enverit dhe ndërmjetësuam për hallin e së motrës. Ai na tha: “Zbutje të luftës së klasave nuk ka. Edhe ai, Bahriu, pra, të pushkatohet si gjithë të tjerët”. Me këtë rast të veçantë, pashë edhe njëherë fytyrën e vërtetë të Enverit. Kaq mund të them për këtë çështje që bëri bujë në atë kohë dhe u diskutua shumë edhe më pas.
Mund të na tregoni se si u përplasët me ambasadorin sovjetik, pak përpara se një delegacion që do të kryesohej prej jush do të nisej për në Moskë?
Ndoshta mund të duket e çuditshme, por ndërkohë që shokët kishin qenë disa herë jashtë shtetit, unë nuk munda të shkoj në asnjë delegacion. Madje, nuk kam patur kurrë asnjë kontakt me jugosllavët, Titon, apo me dikë tjetër. Edhe një vizitë në Bashkimin Sovjetik, me një delegacion të madh, ku kisha atributin e kryetarit të tij, nuk u realizua, pasi ndodhi një keqkuptim që edhe sot e kësaj dite, më ka mbetur në mendje. Pak përpara se të niseshim, shkova në Ambasadën Sovjetike për të koordinuar planet e udhëtimit në BRSS, me Gagarinovin, sekretarin e ambasadës. Kur po dilja nga selia e rezidencës së tyre, ky i fundit, më pyeti: Nuk do ta takosh ambasadorin Çuvakin?
Ju përgjigja, pa ndonjë keqdashje, se nuk ishte nevoja, pasi gjithçka kisha e ezauruar me të. Me sa duket, ky veprim nuk u pëlqeu sovjetikëve, ndaj kishin propozuar largimin tim nga delegacioni. Këtë ma komunikoi Enveri, i cili më tha se, në Moskë do të shkonte Nako Spiru. Pra, me këtë rast, ndofta dhe me ndonjë raportim tjetër pas shpine, të punonjësve të Ambasadës Sovjetike në Tiranë, ç’ka në atë kohë ishin veprime shumë të rëndomta, u futa në listat e antisovjetikëve! Edhe pse isha komunist i vjetër dhe Bashkimin Sovjetik, e kam dashur dhe e kam pasur ëndërr vizitën atje, përsëri më llogaritën si kundërshtar.
Një nga çështjet më të diskutueshme është edhe zhdukja pa lënë gjurmë e Raqi Qirinxhiut. A vazhduan kërkimet për këtë dëshmor të ndritur të LANÇ-it, kur ju erdhët në pushtet, madje në funksione shumë të rëndësishme?
Po. Është ashtu siç thoni ju. Zhdukja pa lënë gjurmë e shokut tonë, intendentit të talentuar të Qarkut të Korçës, profesorit të mrekullueshëm të Liceut francez të Korçës, me kulturë të gjerë, të marrë në Universitetin e Sorbonës, ishte një nga ngjarjet më tronditëse të kohës së Operacionit armik të Dimrit. Raqi, së bashku me një grup partizanësh të intendencës së tij, marshonin diku nga fundi i kolonës kryesore të trupave. Mbas tyre, marshonte batalioni i parë i komanduar nga Zija Kambo, i cili ishte caktuar nga komanda e brigadës, Nexhip Vinçani dhe Pëllumb Dishnica, si reparti i prapavijës që mbyllte kolonën e gjatë të trupave të Brigadës së IV Sulmuese.
Kur forcat partizane kaluan Qafën e Beçit dhe hynë në Skrapar, konkretisht në Gjergjovë dhe Kapinovë, Raqi Qirinxhi, nuk u gjend më. Ky fakt u bë edhe më shqetësues, sepse ai kishte me vete një shumë të madhe monedhash floriri, të cilat do të përdoreshin për formimin e brigadave të tjera partizane. U kërkua me insistim nga njerëz dhe skuadra të ndryshme partizane, gjatë gjithë dimrit dhe pranverës së vitit 1944, por nuk u arrit të zbulohej asgjë. Kërkimet vazhduan me mënyra nga më të ndryshmet, për gjetjen qoftë edhe të trupit të tij. Mund të deklaroj sot, në vitet e pleqërisë sime se, Koçi Xoxe, ka shpenzuar shuma të konsiderueshme të hollash dhe energjish për dy-tre vjet rresht. Ai ka dërguar ekspedita sekrete në rajonin e zhdukjes së Raqit dhe përreth tij, por përsëri nuk u arrit të zbulohej asgjë.
Madje, mund t’u them se, organizoi edhe një mini agjenturë, për të hetuar çështjen që ne na kishte habitur të gjithëve. Përsëri mundimi rezultoi i dështuar. Them se të gjitha thashethemet, rreth çështjes së Raqi Qirinxhiut, janë të pavërteta. Konkluzioni përfundimtar për të, është se, dimri i ashpër dhe tej mase i ftohtë, lodhja, rruga e vështirë me thepisje që përfundonin në përrenj, mund të jetë dhe shkaku i humbjes, i zhdukjes së shokut tonë të shtrenjtë Raqi Qirinxhi. Kësisoj, trupin e tij, e të kafshëve të ngarkuara me flori, i kanë ngrënë ujqërit e uritur, të cilët atë vit, ishin dendësuar shumë. Por, nuk përjashtohet mundësia që me kohë, i ka rrëmbyer lumi, i cili ndodhej poshtë rrugëkalimit të partizanëve.
Sipas kronologjisë së ngjarjeve, i ka ardhur koha Plenumit të VIII-të të Komitetit Qendror të PKSH-së. Çfarë ju kujtohet nga punimet e këtij Plenumi?
Para se të flas për Plenumin e VIII-të, dua të them se, ishte zhvilluar plenumi i prillit të vitit 1946, i cili nuk ka ndonjë gjë të jashtëzakonshme për të shuar kureshtjen e lexuesve. Tetë muaj më vonë, prej datës 12-20 dhjetor të vitit 1946, zhvilloi punimet Plenumi i jashtëzakonshëm i Komitetit Qendror të PKSH-së, i cili shqyrtoi kryesisht Konventën Ekonomike, midis Shqipërisë dhe Jugosllavisë. Pas një vit e gjysëm, nga 26 shkurti deri në 8 mars 1948, zhvilloi punimet Plenumi i tetë i KQ të PKSH-së, të cilin Enver Hoxha dhe të tjerë, ndonëse nuk kishin asnjë kontestim për vendimet, rezolucionin dhe dokumentet e tij, pas Plenumit të 11-të, e quajtën “Plenumi i zi” dhe, pikërisht këtu, filloi kthesa fatale, për uzurpimin e PKSH-së. Nënkuptohet, as Enveri, as dikush tjetër, nuk kishin forcën të bënin një kthesë të tillë të jashtëzakonshme, në gjirin e PKSH-së, pa atë që ndodhi midis Partisë Komuniste të Jugosllavisë dhe Partisë Komuniste të Bashkimit Sovjetik, pra midis Stalinit dhe Titos, dhe pa një regjizurë madhore ndërkombëtare, të inspiruar personalisht nga Stalini dhe shtabi i tij, që drejtonte këtë betejë të madhe.
Rendi i ditës i Plenumit të VIII-të, ishte kryesisht analiza mbi zhvillimin e situatës së brendshme në parti dhe “Mbi gabimet në vijën ekonomike të partisë”, “Analiza e situatës së brendshme dhe të jashtme të vendit”, “Plani i shtetit për vitin 1948”, “Çështje organizative dhe propozimet të Byrosë për pranimin e anëtarëve të rinj të Komitetit Qendror të PKSH-së dhe Byrosë Politike, me synim forcimin e Komitetit Qendror”. Diskutimet për këto çështje, vazhduan të zjarrta, sepse ndërkohë, Nako Spiru, ishte cilësuar fraksionist dhe tradhtar. U kritikuan dhe u përjashtuan nga Komiteti Qendror, Fadil Paçrami, Liri Belishova, Mehmet Shehu, e ndonjë tjetër. Në diskutime të ashpra, u dënuan këta shokë, si deviatorë dhe mbështetën diskutimin e Enver Hoxhës, Koçi Xoxes dhe anëtarëve të tjerë të Byrosë.
Koçi Xoxe, Haki Toska, Enver Hoxha, Gogo Nushi, Kiço Ngjela, Rrahman Përllaku, Nesti Kerenxhi, Naxhije Dume, Kristo Themelko, Koço Titka, Hysni Kapo, Manunsh Myftiu, Petro Papi, si dhe Ramiz Alia, Sotir Kamberi, e të tjerë, morën pjesë gjerësisht në diskutime. Dhe u shprehën në një mendje për vendimet e plenumit. Dua të theksoj se, nuk po marr përsipër analistin, por tashmë që kanë kaluar kaq kohë e këta plenume, kanë mbetur tej në histori, duhen analizuar e vlerësuar nga historiografët e paanshëm, sidomos sociologjik i Akademisë së Shkencave dhe Instituti i Historisë, sepse tashmë këto probleme, nuk i takojnë dhe nuk i merr përsipër t’i zgjidhë asnjë parti politike shqiptare.
Madje, njëri prej këtyre simpoziumeve, të jetë ndërkombëtar, ku të thirren studiues dhe historianë nga vendet që kanë pasur interesa të kohës me PKSH-në dhe qeverinë komuniste. Në vitet e ardhshme, mendoj se duhen organizuar dy-tre sesione shkencore në datat e përvjetorëve të Plenumit të Dytë të Beratit, Plenumit të Tetë, e Kongresit të Parë të PKSH-së, ku të analizohen thellë gabimet, apo shtrembërimet që janë lejuar…! Memorie.al
Vijon numrin e ardhshëm
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016