Nga Prof. Neritan Ceka
Memorie.al / Në pranverën e vitit 1924, Luixhi Maria Ugolini, shkeli për herë të parë në Shqipëri, në një udhëtim që do ta çonte së pari në veri, në Shkodër, për të zbritur më pas drejt Jugut, deri në Sarandë e Butrint. Rezultat i kërkimeve të realizuara gjatë atij udhëtimi, ishte vëllimi i parë ‘Albania Antica’, i shkruar në frymën e udhëtarëve-arkeologë, të fillimit të shekullit të XX-të, si Karl Paç (Patsch) e Kamilo Prashniker (Camilo Praschiker), me një ndërthurje tërheqëse të përshkrimit të monumenteve të lashtësisë, me përtypjet nga skenat ekzotike të realitetit bashkëkohor shqiptar. Në këtë udhëtim, Ugolini la mënjanë qendrat e mëdha urbane antike, Apolloninë dhe Dyrrahun, të cilat i ishin dhënë në koncension misionit arkeologjik francez, të drejtuar nga Leon Rei (Leon Rey), dhe u përqendrua në qendrat prehistorike e mesjetare, në zonën e Shkodrës, apo ato antike në Shqipërinë e Jugut.
Koleksionet e Kuvendeve të Jezuitëve dhe Françeskanëve, tërhoqën vëmendjen e Ugolinit gjatë vizitës së tij në Shkodër, dhe ai na ka lënë të vetmin katalog të objekteve arkeologjike të atyre koleksioneve, me një saktësi përshkrimi dhe interpretimi, që dëshmon një profesionist të mirëfilltë. Ai është, gjithashtu, i pari që tërhoqi vëmendjen mbi tumat e shumta që gjendeshin në luginën e lumit Kir dhe në Zadrimë, si edhe botoi materialet e zbuluara nga gërmimet diletante të fretërve katolikë.
Kontributi më i shquar i Ugolinit, në udhëtimin e tij verior, ishte një studim i mirëfilltë mbi nekropolin e Komanit. Katalogu i objekteve arkeologjike me prejardhje nga ai nekropol, ruan edhe sot vlerën e tij shkencore. Në të përfshihen së pari, materialet e gjashtë varreve, të cilat kishin qenë gërmuar në mënyrë klandestine dhe i ishin shitur Museo Nazionale di Roma, nga një emigrant shqiptar. Ugolini, jo vetëm që i botoi ato materiale, por ndërhyri që ato të ktheheshin përsëri në Shqipëri, për t’u ekspozuar në Muzeun Historik Kombëtar të Tiranës.
Katalogu trajton, gjithashtu, materialet e ruajtura në dy kolegjet katolike të Shkodrës, si edhe disa objekte të tjera me prejardhje nga Komani, duke përfshirë, tri unaza me mbishkrime misterioze. Analiza e Ugolinit, shquhet për një metodë diferencuese, sipas të cilës ai dallon grupe objektesh me filiacione të ndryshme tipologjike dhe kronologjike, por që datohen nga objektet më të vona, të lidhura me periudhën e kristianizmit të hershëm. Ai është arkeologu i parë, që ka vënë re fillimet e kristianizmit të ilirëve, të shprehura nëpërmjet objekteve të veçanta në varrezën e Komanit.
Po aq novator, është edhe koncepti i Ugolinit në përcaktimin e kulturës së nekropolit të Komanit, si një facies e veçantë në qytetërimin vendës, duke e parë atë në lidhje të drejtpërdrejta, me periudhën prehistorike ilire, por edhe në vazhdimësi me kulturën bashkëkohore të shqiptarëve, veçanërisht për mënyrën e varrimit, në arka prej pllakash guri dhe për stolitë e malësorëve shqiptarë. Në analizën e tij, Ugolini krijoi bazat e një trajtimi rigoroz shkencor, të kulturës së Komanit.
Natyrisht, ai nuk mundi të kalonte përtej mundësive të kohës së tij, si në rastin e komentit, mbi unazat me mbishkrime, kur iu afrua shumë datimit pas shek. V-të (para Krishtit), por nuk zbërtheu dot përmbajtjen e tyre. Vazhdimi i udhëtimit të Ugolinit, përbënte një kapërcim, për sa i përket distancës gjeografike, por edhe kronologjisë së monumenteve e objekteve, të përshkruara prej tij. Gjiri i Vlorës, përfaqëson pikën e dytë të interesit të tij arkeologjik, që është kalimtar, për sa i përket monumenteve, por i thelluar në trajtimin e objekteve.
Koleksioni i pasur i familjes Vlora, përbën objektin e një katalogu tjetër të hartuar nga Ugolini, i cili mbetet edhe i vetmi dokumentacion, për një numër të madh objektesh me vlera të veçanta, që u zhdukën më pas. Këtu bën pjesë, në radhë të parë, “Vajza e Vlorës”, tek e cila ai identifikon një punë të një mjeshtri vendës, të realizuar me gurin gëlqeror të Kaninës. Gjithashtu, Ugolini është i pari, që përcakton tek ajo skulpture, formën e një kostumi lokal ilir. Botimi i materialeve të tjera arkeologjike, me prejardhje nga qendra e sotme e qytetit të Vlorës, mbeten ende dëshmitë e vetme, për praninë e një vendbanimi pararomak në Aulona.
Në vazhdim të udhëtimit të tij drejt jugut, Ugolini ndali më gjatë në Foinike, i tërhequr nga përmasat e jashtëzakonshme të fortifikimeve të kryeqytetit të Epirit republikan, të cilat kishin mbetur jashtë vëmendjes së arkeologëve, që nga koha e identifikimit nga Uilliam Martin Lik (W.M.Leake). Analiza tipologjike e mureve rrethuese të Foinikes, dëshmon edhe njëherë për përgatitjen e gjithanshme të Ugolinit, si arkeolog. Ai sqaroi përfundimisht dallimin e mureve të konsideruara pellazgjike, për kohën dhe të lidhura me periudhat prehistorike, nga muret megalitike të Foinikes, duke i konsideruar si të njëkohshme me muret poligonale të së njëjtës qendër.
Edhe datimi i periudhës së parë të ndërtimit të mureve të Foinikes, në shekullin e V-të (para Krishtit), nuk është larg të vërtetës, megjithëse në atë kohë, kronologjia e fortifikimeve nuk ishte saktësuar, jo vetëm për Shqipërinë, por përgjithësisht për botën antike.
Sidoqoftë, përshkrimi i Ugolinit për Foniken, nuk përfshin teatrin e identifikuar nga Uilliam Martin Lik, i cili do të mbetej çuditërisht përsëri, jashtë vëmendjes gjatë kërkimeve të tij më të vonshme, në këtë qendër. Kjo ishte një vizitë e rëndësishme për Ugolinin, e ngarkuar me emocione, që më pas do të ndikonin në vendimin e tij, për të filluar gërmimet arkeologjike në Fonike. Pjesa më jugore e Shqipërisë, duke se e tërhoqi vëmendjen e Ugolinit edhe për disa zbulime të tjera të rëndësishme, ku mund të shënojmë murin e Demës dhe Metoqin. Sidoqoftë, për një arsye jo shumë të rëndësishme, ai do të kalonte shkarazi, atë që do të ishte ëndrra e tij e së ardhmes, Butrinti.
Përfundimet e rreshtuara në fund të librit, përfaqësojnë një përpjekje novatore për kohën, si në analizën krahasuese të materialit arkeologjik, ashtu edhe për vendosjen në kontekstin historik, të burimeve të shkruara antike. Në trajtimin e materialit historik, Ugolini ka vendosur disa piketa, të cilat qëndrojnë edhe sot të palëvizshme. I tillë është rasti, i datimit të disa sëpatave prej bronzi, të tipit dalmato-shqiptar dhe shkodran, në periudhën e vonë të bronzit dhe atë të hershme të hekurit, si dhe të lidhjeve të tyre tipologjike, në trevën danubiane dhe të Rusisë Jugore.
Për periudhën antike, Ugolini paraqiti në një mënyrë më dinamike, raportet midis kolonive greke dhe botës ilire, ku …”qyteti grek, dallohej qartë nga qytetet e tjera dhe nga territoret ilire, në mes të të cilave gjendej”. Kështu, në mënyrë telegrafike, u vendos për herë të parë, një dallim midis qytetit tipik kolonial grek të Apollonisë dhe qyteteve të prapatokës ilire, të cilat, megjithatë, Ugolini nuk i shkëputi nga konteksti kulturoro-helen.
Ugolini është i pari, që i trajtoi në një hapësirë të gjerë kohore, marrëdhëniet kulturore midis dy brigjeve të Adriatikut, duke sjellë argumente të reja, për një ndikim të Magna Grecias, në territoret ilire, si edhe për një migracion të mundshëm të ilirëve, në territorin e Puljes. Apendikset që përmbyllin librin, dëshmojnë për një arkeolog me përgatitje të plotë klasike, që trajton me të njëjtën kompetencë, edhe monedhat antike, mbishkrimet greke e latine.
Udhëtimi i parë i Ugolinit në Shqipëri, ndryshe nga udhëtimet e kolegëve të tij paraardhës, lajmëroi jo vetëm shfaqjen e një personaliteti të jashtëzakonshëm, në fushën e arkeologjisë shqiptare, por edhe fillimin e një stili të ri kërkimesh, që do të karakterizohej nga energjia dhe intensiteti i veçantë.
Pavarësisht nga konotacionet politike që shoqëruan veprimtarinë e Ugolinit në vitet e më pasme, kultura shqiptare trashëgoi prej arkeologut të shquar Italian, qendrën e mrekullueshme arkeologjike të Butrintit, si edhe një kolanë të vyer të botimit të rezultateve të gërmimeve, për të cilin SHQIPËRIA, rajoni që gjendet pothuaj në mesin e rrugës, së dy qendrave të qytetërimeve të mëdha të antikitetit, Athinës dhe Romës, të cilat duke ndriçuar me dritën e tyre botën e lashtë, kishin hedhur disi, fasha drite, mbi terrinat e parahistorisë vendore;
“Shqipëria, e cila, megjithëse e ndarë prej tokës italike nga Adriatiku, është lidhur ngushtësisht me legjendat mijëvjeçare që rrëfejnë eksodin e njerëzve, nga njëri breg në tjetrin; Shqipëria, seli dikur e fisnikëve Illirica gens, prej shumë kohësh, tërhiqte vëmendjen time si studiues i lashtësisë dhe në të njëjtën kohë, nxiste tek unë, dëshirën për të shkuar ta shihja nga afër.
Dëshiroja të zbuloja gjithçka që ruhej prej së kaluarës së saj klasike, por edhe prej asaj më të hershme; doja të njihja nënshtresën arkeologjike, për të cilën pak ose aspak dihej dhe pak dihet ende sot e kësaj dite, sado që aty-këtu, kazma e disa arkeologëve gjermanë dhe francezë, është përpjekur të zhveshë, apo më mire, vetëm të hapë mantelin mortor, që mbulon lashtësinë shqiptare. E dija që ky popull mbetej edhe sot e kësaj dite, ruajtës i zakoneve, dokeve dhe traditave të aq të lashta, sa për të gjurmuar zanafillat e tyre, lipset të zbritet në qytetërimin homerik e, deri në epokën parahistorike.
Më në fund, dëshira ime për njohje dhe kërkim, gjente ngushëllim në mendimin se; Italisë, i takon merita dhe mburrja që i kishte dhënë shtysë të fortë studiuesve, të cilët, me qëllime shkencore të ndryshme nga i imi, kishin përshkuar Shqipërinë dhe kishin nxjerrë rezultate të mëdha, në sajë të aftësive të tyre dhe ngulmimit në kapërcimin e vështirësive të eksplorimit.
Arkeologjia kishte pasur edhe ajo kërkimtarët e saj të pasionuar. Do të kujtoj Roberto Paribenin dhe Biaxho Paçen, të cilët shumë vite më parë kishin kryer udhëtime në Shqipëri. Gjurmimet e tyre të frytshme kishin qenë të kufizuar në disa vende të veçanta, prandaj ishte mirë të shtrihej dhe të thellohej fusha e kërkimeve arkeologjike, dhe unë me dëshirë e mora përsipër këtë detyre duke bashkuar të gjitha forcat e mia modeste në një hov të madh e të domosdoshëm.
Në pranverën e vitit 1924, duke u nisur nga Brindisi, përshkova ngushticën e Otrantos dhe mbërrita në Durrës. Që këtej shkuam drejt veriut dhe më pas zbritëm në pjesën jugore të Shqipërisë. Kur shqyrtoja dhe përgatisja këtë udhëtim, kisha ndërmend të zhvilloja një program kërkimi dhe studimi të mirëpërcaktuar, por më pas, kur arrita në vend dhe fillova gjurmimet e mia, u detyrova të hiqja dorë prej planit të paravendosur e, t’i përshtatesha rrethanave vendore që tregonin përparësi.
Jo rralle rastiste të ndeshesha me monumente të kërkuara jo enkas, por që e meritonin të shënoheshin, si dhe në të kundërt, nuk arrija të zbuloja të dëshiroja të shihja, pasi do të lipseshin kërkime të gjata dhe në të shumtën e herëve edhe sprova gërmimi. Prandaj në Veriun e Shqipërisë u mora kryesisht me pjesën parahistorike, mbi të gjitha për të zbuluar ndonjë gjurmë të qytetërimit që zotërohej nga populli ilir. Për Shqipërinë Qendrore e mendova pak të volitshme të merresha me të, pasi kjo përbën rajonin e vetëm shqiptar që është përshkuar mjaft nga arkeologët.
Gjatë luftës evropiane, austriakët bënë gërmime në Pojan, pra në qendrën e Apollonisë së lashtë dhe kryen ndonjë studim në treva të tjera. Ndërkohë, francezët patën filluar gërmimet në Apolloni. Prandaj, duke shkuar në vende të këtij rajoni, nuk do të bëja tjetër veçse t’i hidhja një vështrim të shpejtë asaj që arkeologët e lartpërmendur kishin parë dhe studiuar. Ky është shkaku që në përshkrimin e tanishëm jam vetëm shënime të shkurtra për këto vende, duke paraqitur bibliografinë arkeologjike të tyre.
Më në fund, kur vizitova territorin jugor, i cili qe edhe më i kolonizuar nga grekët dhe i përmirësuar nga romakët, me përparësi përqendrova vëmendjen në shumë monumente të këtij qytetërimi. Shpesh ato ishin me mjaft interes. Në këtë mënyrë, përshkova pjesën më të madhe të Shqipërisë. Duke dëshiruar të shihja, atë që është më e rëndësishmja nga ana arkeologjike, kam parapëlqyer të vizitoj shumë vende dhe një numër të madh monumentesh, në vend që të shihja pak prej tyre, e të ndalesha gjatë në to.
Gjatë radhitjes së shënimeve të udhëtimit, e kam menduar të volitshme të përshkruaj të gjitha vendet që kam parë, përfshirë edhe ato ku kam qëndruar jo fort gjatë dhe ku përfundimet e kërkimit, kanë qenë të pakta. Besoj se këto shënime, do të jenë të dobishme një ditë, të cilën uroj të jetë mjaft e afërt si për shqiptarët, ashtu edhe për shkencën arkeologjike, kur të fillojnë kërkimet sistematike të antikiteteve shqiptare. Atëherë ato do të shërbejnë si gurë të vegjël udhëzues, që do t’i tregojnë studiuesve, se ku mund të kërkohen qytetërimet dhe ku ato kanë lënë gjurmët e tyre. Memorie.al