Dashnor Kaloçi
Memorie.al publikon disa dokumente arkivore të nxjerra nga një dosje e fillimit të viteve ’50-të, ku Ministri i Punëve të Brendshme, gjeneral-leitnant Mehmet Shehu i dërgon Enver Hoxhës, për miratim, disa relacione dhe raporte lidhur me vendimet e marra nga gjykatat, për dënimet me vdekje të disa të akuzuarve për krime të ndryshme, kryesisht të karakterit politik dhe në të shumtën e rasteve, Enveri ka miratuar dënimet me vdekje duke shkruar: “Të pushkatohen”, ‘të ekzekutohen”, “dakord me propozimin për dënimin me vdekje” etj. Po kështu, ka nënshkruar edhe vetë ministri i Brendshëm, Mehmet Shehu. Dhe vetëm në dy raste, Enver Hoxha ka shkruar: “Mendoj t’i falet jeta” apo “Ta shohë edhe njëherë presidiumi”. Dhe “për të qenë në rregull” me vijën e Partisë, në të gjitha dokumentet në fjalë, shefi i kabinetit të Enver Hoxhës, Haxhi Kroj, ka shënuar: “U njoftua dhe shoku Gogo Nushi”, i cili asokohe mbante detyrën e sekretarit të Komitetit Qendror të PPSH-së, që mbulonte organet e diktaturës së proletariatit. Një gjë tjetër që shihet nga këto dokumente, është fakti se në disa prej tyre, Haxhi Kroj ka shkruar: “Sipas porosisë së shokut Mehmet, të ruhet vetëm në arkiv, pasi veprimet janë kryer”. Gjë e cila do të thotë se personat ishin ekzekutuar, përpara se ato shkresa të mbërrinin në kabinetin e Enverit. Disa nga këto dokumente, po i botojmë në këtë shkrim, duke u munduar që të japim sadopak një panoramë se si ka funksionuar ai regjim ndër vite.
LETRA E SHEFIT TË KABINETIT TË ENVERIT PËR GOGO NUSHIN
Shoku Gogo, Mbrëmë shoku Komandant më porositi t’ju njoftoj sa më poshtë: Të dënohen me vdekje: 1. Martin Kol Ndreu nga katundi Mëhill i Pukës, sepse për hakmarrje personale, së bashku me vëllanë e tij, Gjelosh Ndreu, kanë vrarë plakun 70-vjeçar Kol Nikën nga katundi Kaçinar i rrethit të Shkodrës. 2. Avdulla Sheme Zoto nga katundi Milec i rrethit të Kolonjës dhe Tahir Mehmet Kalo nga katundi Milec i Kolonjës, sepse të dy të fundit kanë rënë në lidhje me diversantët të ardhur nga Greqia, janë rekrutuar prej tyre, kanë ngritur grupe në Milec, Lubonjë e Korçë dhe i kanë drejtuar vetë. Ata kanë dhënë informata me shkrim me karakter politik, ushtarak dhe ekonomik, janë shpërblyer me flori dhe janë pajisur me armë nga diversantët dhe prisnin t’u vinte edhe një radio transmetuese. Sipas udhëzimeve të diversantëve, kanë menduar të vrasin njerëz të Partisë e të pushtetit dhe ishin gati po të diktoheshin, të arratiseshin. Me porosi të Sekretarit të Përgjithshëm të P.P.SH.
(Haxhi Kroi) Tiranë më 10.4.1953
……………………………………………………………………………………………………………………
REPUBLIKA POPULLORE E SHQIPËRISË
V.F.L.P.
MINISTRIA E PUNËVE TË BRENDSHME
DREJTORIA E POLICISË POPULLORE
“DEGA E HETUESISË” nr.
Oh.___ T.S. Tiranë më 27.4.1953.
SEKRETARIT TË PËRGJITHSHËM TË P.P. SHQIPËRISË
SHOKUT (ENVER HOXHA)
Gjykata e Lartë me vendimin e saj nr.275 datë 3.3.1953, ligjëroi vendimin me vdekje (ekzekutim në litar) Nr. 101. Datë 20/2/1953 të Gjykatës Popullore të rrethit të Tiranës, të dhënë për të pandehurin: Beqir Mancakun, i biri i Mustafait dhe i Gjylqanes, D.L. 1912, lindur dhe banues në Tiranë, me profesion nëpunës pranë N.I.SH. Liqerna, me arsim fillor, me origjinë shtresë e mesme qytetare, pa parti, pa dekorata, i martuar me tre fëmijë me shtetësi dhe kombësi shqiptar, i besimit mysliman, shërbimin ushtarak e ka kryer, i padënuar, porse ka qenë i arratisur në vjetin 1944, për krime të kryera gjatë luftës NÇL dhe i dorëzuar në vjetin 1949, si mbas amnistisë së Presidiumit të Kuvendit Popullor. I sipër shënuari u dënua me vdekje (ekzekutim në litar) për këto arsye: Se duke qenë si peshues i N.I.SH., Liqerna, kur fshatarët dorëzonin ullinjtë shtetit, i pandehuri u shënonte në listat e dorëzimit sasira më të mëdha ullinjsh, se sa në realitet ata dorëzonin, duke u shlyer pa të drejtë atyre, detyrimin e ullinjve ndaj shtetit dhe së fundi ata në bazë të listave të dorëzimit të ullinjve, tërhiqnin të hollat, të cilat i përvetësonin dhe i ndanin së bashku, si kundër është rasti i fshatarëve Sefer Qershori, Hasan Arrës, Zyber Arrës dhe Ramiz Picalli, të cilët janë dënuar bashkë me këtë nga 7 deri në 13 vjet. Sasia e ullinjve të përvetësuar prej të pandehurit Beqir, janë 106 Kv. Që vlerësohen në 656.800 lekë. Nga këto, shumë janë përvetësuar vetëm prej të pandehurit, lekë 442.000 ndërsa pjesa tjetër është e përvetësuar prej tij dhe të pandehurve të tjerë. Krimi i kryer prej të lartë përmendurit rëndon ekonominë shtetërore, përveç kësaj dhe e kaluara e tij si i arratisur, që ka qëndruar për 5 vjet tregon se është armik i betuar i Pushtetit Popullor dhe i rrezikshëm për shoqërinë, prandaj për këto arsye, i dënuari me vdekje Beqir Mancaku, të ekzekutohet me litar konform vendimit të Gjykatës.
MINISTRI I PUNËVE TË BRENDSHME
GJENERAL-LEITNANT
(Mehmet Shehu)
……………………………………………………………………………………………………………
REPUBLIKA POPULLORE E SHQIPERISE
V.F. L.P.
MINISTRIA E P. BRENDSHME
TIRANE
Landa:
SEKRETARIT TE PËRGJITHSHME I P.P. SHQIPERISE
SHOKUT ENVER HOXHA TIRANE
Ju njoftojmë se Gjykata e Nalt me vendim Nr. 4 datë 29.I. 1953, ligjëroi vendimin e Gjykatës Ushtarake të Shkodrës, nr. 271 datë 26.12.952 të Vesel Koçi Camaj, i biri i Koçit dhe i Lulës, vjeç 21, i lindun dhe banues në katundin Vuksan-Lekaj të Podgoricës – Jugosllavi, me profesion bujk dhe gjysëm mekanik, i martuar me një fëmijë, autodidakt, fshatar i mesëm, pa parti, i dënuar në Jugosllavi me 30 muaj burg, arrestuar më datën 30.6.952, dënuar më vdekje me pushkatim se: I pandehuri në vitin 1949, dërgohet në vendin tonë nga UDB-ja, nën maskën e emigrantin politik dhe si i tillë, ai ka mbledh informata me karakter ushtarak, politik etj., dhe mandej takohet me xhaxhanë e tij agjent i UDB -së, i dërguar dhe ky nën maskën e emigrantit dhe që të dy së bashku, bisedojnë rreth punës armiqësore dhe vendosin të arratisen në Jugosllavi, mbasi sipas mendimit të tyre, e kishin kryer misionin e ngarkuar nga UDB-ja. Me ndërmjetësinë e Marie Kolës, banuese në Tiranë, takohen me një person të panjohur nga Fieri dhe mbasi armatosen me një revolver prej tij, arratisen në Jugosllavi. I pandehuri mbasi arrin në Jugosllavi, takohet me një agjent të UDB-së dhe mbasi i jep informatat e mbledhura, flet edhe para një mikrofoni, duke shpifur kundra Republikës Popullore të Shqipërisë. Ashtu siç e mësonin padronët e tij titistë, shpifje të cilat botohen edhe në gazetën titiste “Pobjeda”. Veprimtaria e të pandehurit nuk mbaron me kaq, si gjatë kohës që qëndron në Jugosllavi, ngarkohet nga UDB-ja me detyrë që të vëzhgonte lëvizjet e patriotëve jugosllavë dhe t’ia raportonte asaj, detyrë të cilën e kreu. Mbasi kryen të gjitha këto detyra, dërgohet përsëri në Shqipëri për qëllime spiunazhi dhe udhëzohet nga UDB-ja, që të paraqitet sikur ikur nga Jugosllavia, gjoja për t’i shpëtuar persekutimit të saj. Por nuk mundi që t’ia arrijë dot qëllimit, mbasi porsa hyri në tokën tonë, u arrestua nga organet e Sigurimit të Shtetit. I pandehuri besnik deri në fund ndaj UDB-së, duke qenë i mbyllur në burg, u thotë të burgosurve se s’kanë ça më bëjnë pa fakte, do të më lirojnë, ose do të më shpien në kamp, por sido që të bëhet, përsëri do të iki dhe në fakt prish dorezën e burgut, shpërthen tavanin dhe ikën nga burgu, por përsëri kapet. Për fajin e kryer dhe rrezikshmërinë e theksueshme shoqërore, jemi të mendimit që të ekzekutohet konform vendimit të gjykatës.
MINISTRI I P. MBRENDESHME
GJENERAL-LEITNANT
MEHMET SHEHU
Dakord me propozimin.
Enver (firma)
U njoftue dha shoku Gogo Nushi. Më 12.3.1953
…………………………………………………………………………………………
REPUBLIKA POPULLORE E SHQIPERISE
V.F.L. P.
MINISTRIA E P. TE BRENDSHME
Drejtoria e Sig. të Shtetit Nr……….. Të Res.
SEKRETARIT TE PËRGJITHSHME TE P.P. SHQIPERISE
SHOKUT ENVER HOXHA TIRANE
Gjykata Speciale e Ministrisë së P. të Brendshme me vendimin e saj nr… dt. 2.2.1953, dënoi me vdekje me pushkatim: Gani Posa, i biri i Ibrahimit dhe i Nazes, lindur në katundin Gërmenj të Durrësit më 1928, fshatar i varfër, polic popullor me shërbim në Degën e P. Brendshme të Tiranës, shtetësi dhe kombësi shqiptare. I dënuar se: Duke qenë i ngarkuar me ruajtjen e disa diversantëve, bie në marrëveshje me njërin prej tyre, rekrutohet prej tij dhe në mbrëmjen e datës 28 tetor 1952, të dy bashkë, duke qenë i armatosur, dalin nga Dega e Punëve të Brendshme të Tiranës dhe arratisen duke tentuar të kalojnë në Jugosllavi, por të ndjekur nga forcat tona, në datën 2.XI.1952. Diversanti vritet, ndërsa ky kapet i gjallë. Për tradhtinë që bëri, jemi të mendimit të ekzekutohet sipas vendimit të gjykatës.
Të ekzekutohet, Enver (firma)
U njoftua shoku Gogo Nushi
…………………………………………………………………………………………………
MINISTRI I PUNËVE TË BRENDSHME
GJENERAL-LEITNAT
MEHMET SHEHU
REPUBLIKA POPULLORE E SHQIPERISE
V.F. L. P.
MINISTRIA E P. TE BRENDSHME
Tiranë më 1953
Nr…. Prot.
SEKRETARIT TE PËRGJITHSHME TE P.P. SHQIPERISE
SHOKUT ENVER HOXHA TIRANE
Ju njoftojmë se Gjykata e Lartë me vendimin e saj nr. 3 datë V.I.1953, ligjëroi vendimin me vdekje nr. 166, datë 13.12.1952 të dhënë nga Gjykata Popullore e rrethit Berat për të pandehurit:
- Jasin Myrto, i biri i Sulejmanit dhe i Anifes, vjeç 22, punëtor, lindur në katundin Sqepur të Çamërisë (Greqi) dhe banues në Berat, me arsim dy klasë fillore, i martuar me një fëmijë, i dënuar me dy muaj burgim për dëshmi të rreme, pa parti, origjina shoqërore fshatar i mesëm, shtetas grek, i rreshtuar më datën 11 korrik 1952.
- Mehmet Madhi, i biri i Nexhipit dhe i Sherifes, vjeç 29, bujk, lindur në Drashovicë dhe banues në Berat, pa arsim, pa parti, i padënuar, ka kryer shërbimin ushtarak, me origjinë shoqërore fshatar i varfër, i pamartuar, shtetas shqiptar, i arrestuar më datën 11 korrik 1952.
- Mersin Toska, i biri i Asllanit dhe i Hysnies, vjeç 38, lindur në katundin Luardhe banues në Berat, rojtar, me arsim fillor, i dënuar si armik i popullit, pa parti, origjina shoqërore fshatar i mesëm, i martuar, me dy fëmijë, shtetas shqiptar, i arrestuar më datën 6.X.1952. Të lartpërmendurit u dënuan me vdekje, për këto arsye: Duke filluar nga viti 1946 deri në vitin 1951, në formë grupi të organizuar dhe të armatosur, kanë kryer vjedhje bereqeti, bagëti, stofna, beze të holla e tjera në rrethin e Beratit, sidomos në dëm të katundarëve të Orizaj, Vetërnik, Lapardha, Morav, Dëshnik, depo të grumbullimit shtetëror, fabrika shtetërore, fabrika mielli me ujë të ftohët dhe në Perondi, Bashk. Koop. Treg. Berat, Koopetartivë Sh.Blerje. Perondi, Ndërmarrja Asfaltimi Rruga e të tjera. Kanë mbajtur armë pa leje, kanë ushtruar tregtinë e arit dhe Jasin Myrto, ka shpuar me thikë Hajdar Kilen, kur këtij i kanë vjedhur dyqanin. Dëmi që i kanë shkaktuar sektorit shtetëror me vjedhjet e sipërme, është 500.019 lekë, sektori kooperativist 451.250 lekë, dmth., pasuri socialiste gjithsej 1.017.269 lekë, përveç sektorit privat, që edhe këto vjedhje arrijnë në shumë të konsiderueshme. Megjithëse vjedhjet e mësipërme, kanë dëmtuar rëndë pasurinë socialiste dhe private, por duke marrë parasysh se Jasin Myrto dhe Mehmet Madhi, janë të rinj nga mosha, i pari 27 vjet dhe i dyti 29 vjeç, jemi të mendimit që t’u falet jeta, ndërsa të ekzekutohet konform vendimit të gjykatës vetëm Mersin Toska.
MINISTRI I PUNËVE TË BRENDSHME
GJENERAL-LEITNAT
MEHMET SHEHU
Të ekzekutohen të tre – M.Sh (firma e Mehmet Shehut) Sipas porosisë së shokut Mehmet, të ruhen vetëm në arkiv, pasi veprimet janë kryer. 2.2.1953./Memorie.al
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016