Nga Ilir DHIMA
Memorie.al / Dikur, tek realizonim një dokumentar që do të transmetohej nga RTSH më 06.01.1982, me rastin e 100 vjetorit të lindjes së Fan Nolit, një miku im jurist nga Korça, Vladimir Molla, më njoftoi se kishte rënë në gjurmë të një koleksioni privat në atë qytet, ku kishte edhe disa sekuenca filmike, që tregonin Peshkopin, duke hyrë në shtëpinë e vet, në Florida (SHBA). Qe i vetmi dokument autentik me vlerë të paçmuar, që ia rriti popullaritetin dokumentarit tonë.
Ishte përsëri ky mik i mirë që shkundi pluhurin e koleksioneve, duke na dorëzuar një kasetë ku është inçizuar pothuajse e plotë një bisedë e Nolit, me zërin origjinal të tij dhe e përpunuar me shumë kujdes nga ana audiove. Kjo bisedë, siç merret vesh, është bërë gjatë një takimi në Boston (SHBA) me shqiptarë të atjeshëm, 70 vjet më parë. Duke e zbardhur atë jemi munduar t‘i qëndrojmë besnikë gjuhës së përdorur nga Noli, jo e shkruar, me shumë humor dhe mbi të gjitha, me ndjenjë të veçantë atdhetarie.
Biseda e panjohur e Fan Nolit në Boston
Fort i përndershëm Imam, fort i përndershëm Baba, të përndershëm priftërinj, Zonja dhe Zotërinj!
Doktori qëparzi përmendi fyellin e Faikut, ndjesë pastë (është fjala për Faik Konicën-shënimi ynë), edhe fyelli i Faikut më kujton një mesele. Si Faiku, ashtu edhe unë kam patur një dobësi për muzikën, edhe kur vajta në Shqipëri, duke ditur ato hallet e mëdha që kishim të përballnim, mora një fyell pas (qeshje në sallë), që këtu e atje të harrojmë hallet…! “Si venë punët e Shqipërisë! Keq e mos më keq – thotë ai djalë. Cili është shkaku vallë” Eh, shkaku ti e di – tha – kur kryeministri i bie fyellit dhe Shqipëria digjet, bën hesap! (Ilaritet në sallë)…………
Evgjiçkat e Tiranës loznin vallen. U ndodha edhe unë një herë në një nga ato (të qeshura nga humori) ziafete edhe t‘iu thom të vërtetën, unë çuditem me ato vallet e bukura të evgjiçkave të Shqipërisë. E pastaj m‘u kujtua, se s‘janë vetëm evgjiçkat tona, që loznin valle të bukura. Ato vallet spanjolle, për shembull, të cilat janë me famë në tërë botën, kush i lot më bukur?! Evgjiçkat edhe evgjitët e Spanjës. Janë valle spanjolle, jo vallet e evgjiçkave, se ndryshojnë nga vendi në vend.
Po evgjitët s‘kanë ndonjë punë tjatër, të shkretën, edhe rrojnë me muzikën dhe me artin, edhe ato specializohen në atë degë. Kështu që kemi vallet e bukura spanjolle, të lojtura nga evgjitkat e Spanjës dhe evgjitët e Spanjës, vallet e bukura të Shqipërisë, të cilat lohen prej evgjitkave, avazet e bukura që lohen prej evgjitëve të Shqipërisë, avazet e bukura të Hungarisë, prapë evgjitët e Hungarisë, edhe avazet e bukura dhe vallet e Rusisë, të cilat përsëri i lozin evgjitët dhe evgjitkat e Rusisë. Këto të gjitha më kujtuan këto dy vjetët e fundme, që ardhë ca kompanjira të Maqedonisë, Jugosllavisë dhe të Greqisë. Dhe programi i tyre, natyrisht ishin vallet e tyre, të cilat i quajnë kombëtare.
Në ato vallet e grekëve, të maqedonasve dhe të serbëve, 80% ishin valle shqiptare. Ajo është përshtypja ime. Do të ishte një gjë e bukur sikur tanët, shqiptarët tanë, të na dërgonin edhe ata një trupë, e cila të na prezantonte vallet shqiptare, ashtu siç i kemi parë, ashtu siç i kam parë edhe unë vetë, kur na thërriste Ministri i Luftës, edhe ashtu siç i kam parë, kur na thirri Loni Kristo njëherë në një dasmë në Devoll. Ato vallet e devollinjve dhe ato vallet e evgjiçkave të Tiranës, edhe ato vallet që shikonim në fshatin tonë, me të vërtetë janë valle të kllasit të parë dhe mund t‘iu thom se; vetëm të cilët mund t‘iu rrinë pranë shqiptarëve, janë spanjollët dhe rusët.
Shoku ynë, Nik Kreshpani na këndoi një këngë të nënës dhe ajo më kujtoi një mesele të nënës time, ndjesë pastë. Lëvdata e saj ishte kjo: djali im ka vetullat më të trasha në fshat (të qeshura). Nëna, ndjesë pastë, nuk çante kokë fare se ç‘kisha prapa vetullave (hare në sallë). U gëzova shumë që një nga shokët tanë e përmendi doktorin tonë këtu, i cili për fat të keq tani është i sëmurë edhe përmendi fushatën e madhe që bëri për “Albania Riliv”. Unë, i cili, e di se sa zor është që të mbledhësh para nga shqiptarët, jam administrator i doktorit, se me të vërtetë na kapërceu që të gjithëve. Mblodhi pothuaj 150 mijë dollarë ahere dhe më duket bëri një punë, e cila do të mbetet në analet, në kronikën e shqiptarëve të Amerikës.
Tashi mund të vimë në themën e ditës. Shumë nga shqiptarët na qahen me këtë mënyrë: “ore, ç‘kini bërë që lëvdoheni aq shumë”?! Dhe, kur t‘a thonë me këtë mënyrë, natyrisht sikur t‘a presin gjuhën. Se s‘kemi lënë kusur, i kemi bërë që të gjitha pothua, ç‘kishim në program të bënim. Kishim në program që të bënim një Shqipëri indipendente, e bëmë, të mirë a të keqe, e bëmë; nuk mund të presëm nga foshnja që t‘i ketë të gjitha mirësitë.
Foshnjës duhet t‘i ipet kohë të rritet dhe të tregojë së ç‘është. S‘mund t‘i qortosh prindërit dhe t‘u thuash: ç‘kini bërë me këtë foshnjë këtu! Duhet të presësh gjersa të rritet foshnja dhe të tregojë se ç‘lule është. Shqipërinë e kishim në program t‘a bënim, e bëmë, bëmë një Shqipëri indipendente; kishim në programin tonë që të bënim një Kishë Autoqefale të Shqipërisë, e bëmë, të mirë a të ligë, e bëmë, ua lëmë si barrë të tjerëve që t‘i mirësojnë. Po, ne e bëmë!
Tashi, pasi të bëjmë këtë lëvdatë, duhet t‘u heqëm vërejtjen shokëve e t‘u thomi: që këto të gjitha nuk i bëmë nga e mosqenia, nga hiçja. Për shëmbëll, shumë thonë se shqiptarët s‘kanë patur patriotizmë. Gjë më e gabuar se kjo s‘ka. Hap “Bletën Shqiptare” të Efim Mitkos, të botuar më 1878, ku ka mbledhur këngët popullore, të cilat disa nga ato janë nga shekulli XVIII, edhe disa nga ato janë nga shekulli XIX. Do t‘ju thom një nga këto vjershat popullore, që është në “Bletën Shqiptare”, e cila provon katërcipërisht që shqiptarët, kanë patur një patriotizmë të thellë përpara se të nisej ajo që quajmë “Lëvizja Shqiptare Moderne”, të cilën e nisëm që nga koha e Kristoforidhit, që më 1875-n.
Vjersha popullore që do t‘u deklamoj tashi, është shkruar më 1850. Kur u bë Kryengritja e Labërisë në kohën e Tanzimatit, Turqia deshte të impononte Tanzimatin, një Kanun të përgjitshmë për tërë viset e Turqisë. Dhe atëhere, ajo, domethënë që ca të drejta të paka vetëqeverimi që kishin shqiptarët, do t‘i merrte edhe ato Turqia. Dhe kështu vendi do të robërohej fare. Edhe populli u ngrit. Kryetrima të kësaj lëvizjeje, qenë Rrapo Hekali, Hodo Nivica edhe Gjon Leka. Kënga që do t‘ju thom tashi, është kënga e Rrapo Hekalit. Këtë ma kujtonte gjithnjë Faiku që e mbante gjithnjë në gojë dhe gjithnjë e dekllamonte. Dhe pastaj do t‘jua analizonj pak.
“Hajde mor Rrapo Hekali/ kur thërret sa tundet mali/ Hajde mor Rrapo lule/ lum si ti bilbil që zure/ një pasha me shtatë tuje/ Topi bam e ti po tutje/ plumbat të binin mbi supe/ as u trëmbe, as u tute/ Se Hodo Nivica shkoi/ kofshën derrit ia dërmoi/ ngriti flamurin te kroi/ Pse lufton o derëzi/ As për mua, as për ti/ por për gjithë Shqipëri”. Hapni Bletën shqiptare të Eftim Mitkos që t‘a gjeni këtë këngë të shkruar, jo më vonë se 1850.
Ato tri radhët e fundme tregojnë se, cili ishte qëllimi i asaj Kryengritjeje. Ishte për tërë Shqipërinë. Tashi do t‘ju bëj një analizë të paktë këtu që të shikoni, se kjo vjershë, është një kryevepër e vërtetë, të cilën mund t‘a shkruante një nga poetët e parë të botës. Shikoni veç se si e përshkruan Rrapo Hekalin. Në kohën e Rrapo Hekalit s‘kishte telefona. Dhe Rrapo Hekali kur thërriste labërit, që të mblidheshin për të bërë luftë, i vetmi telefon që kishte, ishte zëri i tij.
Dhe shikoni sa bukur e përshkruan: “Hajde mor Rrapo Hekali/ kur thërret sa tundet mali…”! Kur bërtiste: heeej or shokë, Dhe tundej mali i tërë, gjithë labërit e dëgjojnë, Dhe që të gjithë mblidheshin. Tri radhët e pastajme: / lum si ti bilbil që zure/ një pasha me shtatë tuje…! Pashai që zuri, kishte shtatë tuje. Tujet ishin tamam si ato yjtë që mbajnë gjeneralët e Amerikës.
Kemi gjeneral me një yll, gjeneral me dy yje, me tre yje dhe me katër yje. Përmbi katër yje s‘ka gjeneralë. Gjithashtu edhe në Turqi, kishte pashallarë me katër tuje, por jo pashallarë me shtatë tuje (të qeshura). Po, vjershëtori do të thotë se çfarë pashai zuri, ay pasha qe dy herë sa pashallarët e tjerë, domethënë gjeneral më i miri i Turqisë. Edhe e shtypi Rrapo Hekali (duartrokitje).
Shikoni tashi tri radhët që vijnë pas. Çfarë strategji, çfarë taktikë mbajti Rrapo Hekali, që e shtypi këtë gjeneral të dorës së parë të Turqisë: “Topi bam e ti po tutje/ plumbat të binin mbi supe/ as u trëmbe, as u tute…”, domethënë me një trimëri të thjeshtë. Dhe asnjë zanat, asnjë mjeshtëri tjetër. Tashi, ç‘gjë e nxiste, ç‘gjë e shkaktoi këtë hov të pathyer të shqiptarëve? Vjershëtori na e thotë përsëri me tri radhë: “Se Hodo Nivica shkoi/ kofshën derrit ia dërmoi/ ngriti flamurin te kroi…”!
Ay derri, të cilit Hodo Nivica ia theu kofshën ishte turku, flamuri te kroi ishte flamuri i kryengritjes, flamuri i lirisë. Dhe më në fund, qëllimi për të cilin bëhej e tërë kjo luftë, prap përsëri në tri radhë, ta thotë vjershëtori, ustai i madh nuk humbet shumë fjalë, dy tri fjalë mjaftojnë për të: “Pse lufton o derëzi/ As për mua, as për ti/ por për gjithë Shqipëri…”!
Kështu që ne nuk e inventuam, nuk e çpikmë patriotizmën shqiptare, e gjetëm. E vetmja gjë që bëmë është që atë patriotizmë që ekzistonte midis shqiptarëve, u përpoqmë t‘a organizojmë, t‘a kanalizojmë. Vetëm atë gjë bëmë. Tashi, arsyeja për të cilën na vajti puna mbarë ishte, se kishim një popull, me të vërtetë, që e deshte Shqipërinë. Dhe, një popull, i cili, jo vetëm kishte patriotizmë, virtytin e patriotizmës, por kishte edhe disa virtuta të tjera, nga të cilat do të numëronj, vetëm një, të cilën na e kanë thënë që të gjithë të huajt, që kanë vizituar Shqipërinë.
Kur hyri Shqipëria në Lidhjen e Kombeve, përfaqësonjësi i Hindit, i cili rastisi të ishte një muhamedan, Muhamed Aliu u bëri këtë lëvdatë shqiptarëve: Sot, tha, bëmë punën më të bukur që qasëm Shqipërinë në Lidhjen e Kombeve. Sikur të studioni historinë e gjithë kombeve që janë çliruar, nuk do të gjeni asnjë shëmbëlle si këtë që shohëm sot në Shqipëri.
Shqipëria është i vetmi vend, në të cilin tri fe të ndryshme, pasanikët (pasuesit – shënimi ynë), e të cilave kudo gjetkë theren me njëri-jatrin janë bashkuar për të krijuar një shtet indipendent. Ky është i vetmi vend, thotë, në botë në të cilin muhamedanë, orthodoksë dhe katolikë janë lidhur që të gjithë dhe kanë bërë një shtet indipendent.
Dhe ky, nga sa di, thoshte, shtoi: është i vetmi vend, i cili ka një shumicë muhamedane dhe na dërgon këtu si përfaqësonjës, një peshkop orthodoks (duartrokitje të gjata). Shumë nga tanët thonë që Shqipërinë e krijoi një pakicë. Shumë e vërtetë, por kjo është historia e gjithë kombeve të botës. Merrni, për shembull, Hindin, me 400 milionë. Kush e çliroi? Mahatma Gandi. Dhe Mahatma Gandi ç‘thoshte, kur nisi lëvizjen e tij? “E parë e punës, pa armë do t‘a marrëm, pa luftë”.
Edhe e mori, e fitoi lirinë e Hindit pa armë. Edhe me sa veta thoni“ Ay thotë: më mjaftojnë të kem 25 mijë njerëz, të cilët të bëjnë pikërisht ashtu siç u thom, si ushtarë. Edhe me aq faktikisht, se nuk kishte më tepër, edhe me ata e bëri Hindin. Pa luftë, pa shkrehur dyfekë. Dhe atë bëmë edhe ne.
FAN NOLI: KUR PUNOJA NË NJË FABRIKË DËRRASASH
Surprizat e reja të kasetës. Peshkopi tregon me humor detaje për kohën kur nisi jetën në Amerikë, apo kur Konica jetonte me paratë që i jepte xhaxhai: Ishim të pakë këtu, numëroheshim nëpër gishtërinj. Për shembull, kur themeluam këtu “Kombin”. “Kombin” e themeloi Sotir Peci. Dhe u gëzova shumë që dëgjova nga miku ynë Antoni Athanas, që e përmendi Sotir Pecin. Sotir Peci ardhi këtu dhe e nisi gazetën “Kombi” në qershor 1906. Nja dy muaj pastaj i dërgova një fjalë që kisha mbajtur në një mbledhje shqiptare.
Dhe ay e botoi atë fjalë, edhe pastaj në shkrojti një letër që, në qoftë se s‘ke atje ndonjë punë eja këtu që të përpiqemi tok t‘a botojmë këtë gazetë, se më duhet një ndihmës. Unë kisha punë, por një punë, e cila nuk më pëlqente, punë në fabrikë të dërrasave (ilaritet). Kështu që e lashë me gëzim të madh fabrikën e dërrasave dhe ardhçë këtu në Boston, për të bërë një punë, e cila më përshtatej më tepër, sipas qëllimit për të cilin kisha ardhur këtu në Amerikë, për të bërë diç për çështjen kombëtare.
Edhe e para gjë që më ngarkoi Sotir Peci, ndjesë pastë, ishte që të vija kollonive e të mblidhja pajtimet (abonimet për gazetën „ shënimi ynë). Vajta në Mançester, mblodha një pajtim (ilaritet). Pastaj vajta në Hempsheir, atje s‘mblodha asnjë pajtim, se një shqiptar kishte atje dhe ay ishte pajtimtar, e kishte paguar. Pastaj vajta me Tilin tok në Peninkuk. Atje s‘bëmë asnjë, as kishte ndonjë pajtimtar, as bëmë ndonjë të ri.
Hynim në një konak, edhe konakun e gjenim të zbrazur. Hynim në një tjatër konak, prapë të zbrazur. “Ore , po këtu s‘ka shqiptarë”. “Jo ka, po iknë në avlli porsa të dëgjuan ty që afrohesh”! (të qeshura). Pastaj vajta në Bixhifort, atje pata një sukses shumë të madh, mblodha dy pajtime. Pastaj në Uodoastamejn, atje mblodha një pajtim. Edhe më në fund në Rotonbejn një pajtim. Që të gjitha, më duket, u mblodhë nja 24 dollarë, a 25, nga të cilat më tepër se gjysmat shkuan udhës.
S‘ia solla kusurin Sotir Pecit edhe konkludja qe kjo: “Epo bëhet ajo punë kështu” – tha. “Sikur të thashë unë se bëhet! As bëhet, as është për t‘u bërë. Kjo puna jonë s‘ka as nisje, as fund”. Merre çështjen shqiptare, ashtu siç e gjetëm ahere. Asnjë organizatë. Kishte vetëm dy a tre persona, të cilët nxirrnin nga an‘e tyre disa gazeta. Kishim Shahim Kolonjën, që nxirrte “Dritën”, tok me Kristo Luarasin. Edhe tërë puna atje ishte se Kristo Luarasi ishte shumë i zoti, kishte një shtypshkronjë dhe ishte i zoti i punës, good businessman. Jo se e ndihmonin shqiptarët.
Kurse Faiku rronte se kishte një xhaxha të pasur në Pallatin e Sulltan Hamitit. Edhe kështu është shakaja. I gjyshi punonte për Sulltan Hamitin dhe e përkrahte Faikun. Punonte kundër Dovletit, për të krijuar Shqipërinë e lirë. Si pajtohej kjo gjë e çuditshme?! Ai i shkreti s‘kishte djema, kishte vetëm çupa. Kishte tri çupa, djalë s‘kishte. Dhe kishte Faikun si djalë. Faiku, ndjesë pastë, harxhonte më tepër seç kishte dhe çdo muaj i dërgonte bill-in (faturën-shënimi ynë) xhaxhait, xhaxhai menjëherë çekun. Edhe kështu dilte gazeta atje.
Pastaj arritën turqit dhe e vranë xhaxhanë, edhe u mbarua pun‘ e Faikut. Mori fund. Edhe ardhi këtu në Amerikën, që të rrojë me ne. Sidoqoftë, pas atij ardhi Peci. Ardhi Peci, jo se kishte ndonjë përkrahje nga populli. Puna e shqiptarëve ishte kjo. Naum Cerja thoshte një shaka të bukur. Kishim një mbledhje edhe në atë mbledhje foli Faiku, folë dhe të tjerë. Edhe kur mbaroi mbledhja, e pyeti Faiku Naum Cerjën: “Si t‘u duk kjo mbledhja”?
“Kur e the një fjalë, kërr, kërr më rrodhnë lotët” – tha. – “Po përse u mallëngjeve”. – “Po u mallëngjeva, kur the se, me shqiptarë si ju jemi të sigurtë, se puna do na vejë mbarë“. – “Epo s‘është e vërtetë kjo”. – “Jo mor, tha, si e vërtetë, por shqiptarë ti edhe unë ishim, ne të dy. Ata të tjerët ishin sehirxhinj, u hynte nga njëri vesh e u ikte nga tjetri. Andaj, më zunë lotët”.
Mirëpo, bukuria është që, ndonëse e nismë me aq pak veta, puna na vajti mbarë. Përse? Se ata të paktë që e nisnë e kishin zjarrin e shenjtë, thotë frëngu. Edhe arrijnë që atë zjarrë t‘a kenë një pakicë e vogël. Edhe pakica e vogël, në qoftë se kanë një fushë ku të punojnë mbarojnë punë. Dhe fusha ishte, sikundër ju thashë, se shqiptarët ishin patriotë shumë përpara, nuk i bëmë ne patriotë. Ishin, dhe ishin të zotë, dhe ishin trima.
Deshnë vetëm udhëheqje, edhe perëndia u dha ca udhëheqës për rilindjen e tyre, edhe kështu vajti puna mbarë. E nismë Kombin edhe pastajzaj, pas tre vjetç, Sotir Peci shkoi. Këtu, tha, s‘bëhet punë. Unë do të shkoj në Shqipëri. Edhe shkoi për Kongresin e Manastirit ahere dhe pastaj mbeti në Shqipëri. Pastaj vajti në Shkollën “Normale”, siç e dini, edhe më në fund u bë një nga pjestarët e Këshillës së Regjencës.
Por, sidoqoftë, nga “Kombi” lindi “Dielli” (është fjala për gazetat e shqiptarëve të Amerikës, shënimi ynë). Kur shkoi Sotir Peci na la këtu një shtypshkronjë. Ajo shtypshkronjë ishte në 100 Haston Street, në një katua. Kur e gjetëm belanë këtu, na zuri dimri dhe s‘kishim ku të futshim, muarrëm dhe nga nje fanellë tjatër, se palltot kushtonin shumë shtrenjtë edhe kështu e kapërcenim. Dhe Sotir Peci i la të papaguara.
Dhe u mbluadhë disa nga djemët, të cilët i kishin dhënë ato, paratë, atë pagesën e parë, kur i bleu. Edhe thanë: “ç‘do t‘i bëjmë këto”? Ca thanë që t‘i shesëm, ca thanë jo, të mos i shesëm po t‘a vazhdojmë gazetën, të nxjerrim një tjatër gazetë. S‘mund të nxjerrim “Kombin” pa lejen e editorit (botuesit), por mund të nxjerrim një tjatër gazetë. Por që të mundnim t‘a vazhdonim atë, të nxirrnim një tjatër gazetë, duhej një herë t‘i paguanim ato, mashinat, të cilat ishin të papaguara.
Kështu që u mbluadhmë nën kryesinë e Kristo Qirkos, ndjestë pastë, dhe të Misto Millonajit, i cili mblodhi disa nga dardharët, Kristo Qirko mblodhi disa prej korçarëve, disa nga vakëfllinjtë tanë, të cilët s‘është nevoja tashi tua numëronj emrat, Dhima, Dhima Piterson e të tjerë e këta i paguan të gjitha këto dhe na thanë: “Ja ku i kini mashinat edhe nxirrni gazetën”! Dhe kështu nismë “Diellin”, pikërisht me atë metodë, me të cilën e nxirrnim edhe “Kombin” e Pecit.
E rradhisnim unë tok me Thimaqin edhe pastaj e shtypnim në atë katua të mbytur me tym, duke punuar me këmbët (e makinave, shënimi ynë). Ishim djema ahere, shumë trima, shumë të shëndoshë. U nis gazeta me tërë këto varfërira dhe me tërë këto mundime, më 15 të shkurtit 1909. Në nëntor 1915 u bë e përditshme. Kjo gazetë më përpara dilte një herë në javë, pastaj dy herë në javë, tri herë në javë dhe pastaj doli e përditshme, kur ishte redaktor, ndjesë pastë, Kostë Çekrezi, cili midis virtytave të tjera kishte virtytën që ishte një punëtor i rrallë, ndofta punëtori më i madh që ka nxjerrë “Përlindja Shqiptare”.
Tani, duhet të kini përpara sysh një gjë: vërtet “Dielli” përparoi edhe arrihu të bëhet e përditshme, edhe vazhdoi disa vjet e përditshme. U kthye përsëri, u rrallua botimi i “Diellit”, se gjysma, më tepër se gjysma e shqiptarëve më të mirë që kishim këtu u sulë si bagëtia, si kope, edhe u kthyen në Shqipëri, posa që u hap vendi. Edhe ay e sakatosi “Rilindjen Kombëtare” të këtushme. Vanë atje dhe kujtonin se kur të ktheheshin do t‘a gjenin përsëri derën hapur. Kur u mejtuan që të ktheheshin këtu, dera ishte mbyllur, edhe s‘vinin dot.
Por sidoqoftë, me gjithë ato mundime “Dielli” vazhdoi. Po si vazhdoi? Këtë duhet t‘a kini gjithnjë përpara sysh. “Dielli” nuk mund të mbahej vetëm me pajtimet. Po të pyeç mirë, asnjë gazetë në botë nuk përmbahet vetëm me pajtimet, përmbahet me rekllama. Dhe ne rekllama nuk kemi, sepse, natyrisht, se ai publiku që e këndon atë gazetë, është një publik i vogël, shumë i limituar edhe askush nuk rekllamon, pa pritur që të marrë fitime nga ajo rekllamë. Kështu që nuk duhet të dëshpërohemi, kur shikojmë se nga koha në kohë “Dielli” ngec dhe pret ndihmën tonë.
Tashi, ç‘mund t‘ju thom për vazhdimin e “Diellit” E vetmja gjë që mund t‘ju thom, është kjo: kështu siç bëmë këtë mbledhje të bukur sot, që mblidhemi nga të gjitha anët e Amerikës dhe piqemi dhe çmallemi, do të ish mirë të mblidhemi çdo tre vjet, më duket. Kështu edhe t‘a kremtojmë. Sa për atë, rastin, lemë Kryetarin e “Vatrës” t‘i japë emrin, t‘a pagëzojë. Por më duket që çdo tre vjet duhet të mblidhemi këtu dhe t‘a ndihmojmë “Diellin” që të vazhdojë botimin. Pati një tjatër qëllim kjo mbledhje. Neve nuk njihemi më, dhe dalë – ngadalë edhe ky hesapi ynë po shkurtohet, mbyllet. Kështu që është mirë të piqemi çdo dy a tre vjet, se kushedi se kur piqemi prapë.
Një tjatër gjë, të cilën dua t‘ju rakomandonj është kjo: “Dielli” do të vazhdojë vetëm sa kohë vazhdon brezi i vjetër. Kështu që këtë gjë e kemi në dorë ne, brezi i vjetër. Edhe jemi këtu të lidhim fjalën që të gjithë që asnjë prej neshe të mos shkonjë, pranë Perëndisë dua të thom. Asnjë prej nesh të mos shkonjë pa marrë lejen e shokëve (të qeshura gazmore). Dhe po qe se mbajmë këtë rregull që të gjithë jam i sigurtë se do të mblidhemi që të gjithë shëndoshë e mirë këtu, të kremtojmë 100 vjeçarin e “Diellit”, aq djema sa jemi edhe tani (duartrokitje të zjarrta). / Memorie.al