Memorie.al/ Shkrimtari Sokrat Shyti është i “panjohuri i madh” që prej disa vitesh ka shfaqur majën e ajsbergut të krijimtarisë së tij letrare. E them këtë duke u nisur nga ajo sasi e pakët e librave të tij të botuar në këto vitet e fundit dhe kryesisht romanit voluminoz “Nata fantazmë” (Tiranë 2014). Romanet: “PËRTEJ MISTERIT”, “MES TUNDIMIT DHE VORBULLËS”, “GËRRYERJET E MAKTHIT”, “HIJA E TURPIT DHE E VDEKJES”, “KOLONELI KRYEDHJAK”, “SHPRESAT E NËMURA”, “PËSHTJELLIMET E FATIT” I, II, “MBIJETESA NË KASOLLEN E LOPËS”, si dhe vepra të tjera, të gjitha romane, me nga 350 – 550 faqe, janë në dorëshkrime që presin të botohen. Ëndrrat dhe vrulli i parë i romancierit të ri, që kthehej nga studimet jashtë shtetit plot energji e dashuri për artin dhe letërsinë, u prenë që herët nga tehu i egër i diktaturës komuniste.
Kush është Sokrat Shyti?
I kthyer nga studimet në Universitetin Shtetëror të Moskës, fill pas ndërprerjes së marrëdhënieve shqiptaro-sovjete në vitin 1960, Sokrat Shyti, punon në Radio “Diapazon” (që aso kohe gjendej në rrugën e Kavajës), në një redaksi me miqtë e tij gazetarë – Vangjel Lezho dhe Fadil Kokomani – që të dy, mandej, të arrestuar, e më vonë, të pushkatuar nga regjimi komunist. Përveç radios, Sokrati 21 vjeçar, nëse e përfytyrojmë, ka asokohe interesa pasionante letrare. Shkruan romanin e parë “Madam doktoresha” dhe është në prag të botimit, por… ajme! Fill pas arrestimit të miqve, si për ta mbushur kupën, një vëlla i tij piktor, arratiset jashtë shtetit.
Sokratin e arrestojnë në shtator 1963, ndërsa në nëntor të atij viti, e internojnë familjarisht, (me nënën dhe motrën e vogël), në një vend midis Ardenicës dhe Kolonjës së Lushnjës. Për 27 vjet rresht, familja banon në një kasolle lopësh me kallama, pa dritare, ndërsa Sokrati u nënshtrohet punëve të detyruara. Përgjatë 27 viteve, ai është i shtrënguar ligjërisht të paraqitet tre herë në ditë, tek i plotfuqishmi i zonës. Nuk ka të drejtë të lëvizë nga vendi i internimit, është i privuar nga çdo lloj dokumenti, etj. Në këto kushte, mes një kasolleje lopësh, ai lindi dhe rriti fëmijët. Pikërisht nga mbi këtë ngjarje, apo më saktë një histori tejet e gjatë persekutimi, është bazuar ai për të shkruar librin “Mbijetesa në kasollen e lopës”!
Agron Tufa
PJESË NGA LIBRI, “MBIJETESA NË KASOLLEN E LOPËS”
– “Ti, more çun, paske aftësi të veçantë për deshifrimin e shkrimeve enigmatike. Po të mos kishte lajthitur nga mendja yt vëlla, duke kryer veprën kriminale të arratisjes përtej kufirit, dhe dikush të na thoshte se vëllai i vogël i piktorit të kufirit ka zotësi të rralla si deshifrues, sot do punoje në sektorin tonë. Por ky film u dogj. Tani erdhi çasti t’u vëmë flakën gjithë dorëshkrimeve të tua!… Duhet të na falënderosh, në veçanti mua, për marrjen e këtij vendimi, si përjashtim nga rregulli i përgjithshëm, pasi dihet që dorëshkrimet arkivohen për t’i përdorur hetuesit, sa herë përmendet emri i dikujt. Për ty personalisht, djegia e dorëshkrimeve, ndoshta edhe mund të shkaktojë keqardhje e dhimbje.
Pasi për të shkruar qindra faqe, ke shtrydhur trurin e ke harxhuar energji. Por ama në gjendjen ku ndodhesh duhet të pranosh dhe anën tjetër: me këtë veprim ne po të çlirojmë nga brejtjet e ankthit të përhershëm, të cilat me siguri i shfaqen cilitdo në ëndërr nga frika mos e bëjnë kaun me viç! Ndërsa pas djegies, e fle mendjen një herë e mirë, sepse fshihet pjesa jote e dokumentuar më e dyshimtë, e cila në fakt s’të nevojitet më atje ku do shkoni, pasi aty do të bjerë bretku, për të nxjerrë bukën e gojës dhe s’do kesh nge të kujtohesh për shkrimet e dikurshme.
Me djegien e dorëshkrimeve, bashkë me letërkëmbimin në gjuhën ruse me atë indianin, merr fund e kaluara jote studentore. Ja që kësisoj na qenka ndërtuar kjo botë: gdhije pipirickë e ngryse patëllxhan….”! – theksoi mjaft i kënaqur me zgërdhirje mburracake, që u tregua kaq i zoti, duke e mbyllur ligjëratën e tij me vargun e “Epopesë së Ballit Kombëtar”.
Pas këtyre fjalëve urdhëroi vartësin të shkarkonte qeskën e zezë mbi pllakat e ftohta të oborrit, i lehtësuar që shpëtoi nga sfilitja e sforcimit, për të lexuar diçka të padeshifrueshme, duke patur parasysh, se iu desh të harxhojë mjaft përpjekje e mund tërë natën, gjersa arriti më në fund ta bindë Krye-hetuesin, të jap miratimin për asgjësimin me djegie.
Në të kundërt, nëse kjo s’ndodhte dhe krye-shefi do këmbëngulte të deshifroheshin me çdo kusht dorëshkrimet e gazetarit të Radiodifuzionit, atëherë ky do ta kishte pisk. Mbeteshin dy rrugë: Ose do lajthiste nga mendja! Ose do shkarkohej nga puna si i paaftë. (Për të nuk kishte fare rëndësi, ç’gjë e yshti shefin të pranojë këtë vendim të jashtëzakonshëm, duke e ditur që ky s’i fuste në refene vartësit, e jo pastaj të bënte përjashtim nga rregullorja e formës së prerë!
Hamendja i thoshte se duhet të jetë konsultuar me dikë të rangut të tij, ndoshta me vetë drejtorin e Përgjithshëm të Radiodifuzionit, duke i treguar disa fletë me shkrimin e imët të palexueshëm. Dhe Drejtori ka ndikuar në marrjen e këtij vendimi, pas dëgjimit të përshtypjes së mirë për djalin e talentuar, të cilit iu ndërpre rruga e suksesshme nga marrëzia e vëllait të papërgjegjshëm!).
Atë çast, kur gjuhët e flakës filluan të përthithin si kuçedër me tre koka fletët e dorëshkrimeve të tre viteve të fundit, mua m’u përpëlit shpirti e më theri zemra! Sepse m’u duk sikur zjarri satanik, po digjte bashkë me krijimet e mia dhe parashikimin entuziast të mikut tim indian, se: “pas disa vjetësh, ti do behësh një shkrimtar i shquar”!
Ndaj pyeta veten: ‘si do vepronte miku im, Guno, po të shihte me sytë e tij këtë maskaradë inkuizicioni, në dekadën e gjashtë të shekullit të njëzet, me ç’kënaqësi barbare inkuizitorët e kuq, dënojnë me djegie ëndrrën e një shkrimtari të ri dhe sa të lumtur ndjehen, që po më syrgjynosin në bokërima e s’kërka, duke më zhveshur nga të gjitha të drejtat qytetare’?
– “Ja dhe kjo punë e sikletshme mbaroi”!… – tha inkuizitori drejtues, kur gjuhët e flakës u fashitën dhe pirgu me fletët e dorëshkrimeve, u shndërrua në një kapicë me hi. – “A nuk të duket shumë e habitshme, që zgjidhjet e vështira në disa raste kryhen me kaq lehtësi, sa te vjen inat që harxhojmë kaq shumë energji, thuajse do shembim një shkëmb graniti”?!… – shtoi ai duke u shtriqur. – “Jetojmë në një botë të e çuditshme, ku brenda një minute, kthehet ne hi puna e disa viteve, një çështje mjaft e ndërlikuar, e cila po të mbetet pezull, ha kokë njeriu”!…
– “Mund të më thoni kur do jepet vendimi”? – guxova ta pyes, njësoj sikur ti thosha: “Kaq mizor qenke?! Edhe tani, që ma shqeve dhe po ha pjesë nga shpirti im, si skifteri mëlçinë e Prometeut, nuk je ngopur”?! – “Kote harxhove frymën”!.. u tall inkuizitori. – Sepse përgjigjen e saktë të kësaj pyetje, e dinë vetëm shefat e mëdhenj të shtetit. Ne jemi vetëm çirakët e urdhrave të tyre. Ndërsa ti ke detyrë të mbash gojën mbyllur e të mos takohesh me asnjë, si ç’të porositi koloneli tek Selvia. Oficerët e rangut tonë, ndjekin zbatimin e çdo vendimi dhe urdhri e, u kujtonte vartësve e të ndëshkuarve porositë e shefave.
Për shembull: unë të urdhëroj ty, ti thuash nënës të mos dërdëllis me fqinjët. Përndryshe do ta rëndojë me shumë peshën e dënimit…! E ndërkaq të paralajmëroj: mos më bëj numra cirku”! – më kërcënoi me ton të ashpër. – “Besoj e merr vesh ku e kam llafin. Duhet të mbash gjithnjë parasysh paralajmërimin e kolonelit, tek ‘Selvia’: hijet tona të ndjekin prapa. Ti nuk je kalama, sa të mos e kuptosh që, në çdo qendër pune gjenden njerëzit tanë, me detyra të posaçme, të cilët na i sjellin fare të ngrohta informacionet. U tregove fare naiv dhe i trashë, që vate në Lidhjen e Shkrimtareve.
Duket që akoma nuk e paske kuptuar, se këtej e tutje, s’je më qytetar si të tjerët? Ja ku ta them unë, që ta fiksosh përgjithnjë: të gjithë të njohurit e djeshëm, me të cilët shkëmbeje mendime e pije kafe, sot të shmangen. Jo pse nuk të duan apo të urrejnë, por s’i lejon lufta e klasave, të ruajnë marrëdhëniet e mëparshme me ty. Ndaj duhet ta fiksosh në kokë këtej e tutje, nofkën i deklasuar!
Ma do mëndja që si gazetar, duhet ta dish kuptimin e këtij përcaktimi. Megjithatë nuk më bëhet fare vonë, ta përsëris, pasi në fund të fundit, e kam për detyrë. Fiksoje një here e përgjithnjë: të deklasuarit janë kategoria më përbuzur dhe me e përçmuar e shoqërisë tonë socialiste! Por sigurisht, nuk i futim të gjithë në një thes. Sepse disa prej tyre, përgjithësisht janë të pafajshëm, domethënë s’kanë kryer vepra penale kundër shtetit, si puna jote.
Megjithatë, rrota e ligjit ua ka zënë ters bishtin. Ndaj si të tillë, vetvetiu futeni në grupin e të përçmuarve, dhe do t’i mbani mbi kurrizin tuaj kusuret dhe pasojat e rënda të pjesëtarit të familjes, që i mori koka erë, u ngjiti damkën e tmerrshme, e cila nuk hiqet kurrë! Tani që u sqaruam plotësisht, dhe detyrën e ngarkuar për asgjësimin e dorëshkrimeve e kryem në praninë tënde, të jap leje dhe urdhër, të shkosh drejt në shtëpi. Kjo do të thotë: mos bqj dredha gjatë rrugës”!…
Kur dola nga porta e prapme e Ministrisë së Brendshme, më dukej vetja qenie krejtësisht i zhvlerësuar, i zhveshur nga të gjitha të drejtat e qytetarisë, e zbrazur, pa tharm jetësor, ndaj si e tillë, do lihet në të ardhmen në harresë të plotë! Sepse ende pa u dhënë vendimi, nisën peripecitë e ndëshkimit: m’u hoq e drejta të takoj të njohurit, përfshirë vëllanë e madh, që punon këtu fare pranë, në Teatrin Popullor, dhjetë hapa nga ngrehina hijerëndë e Ministrisë së Brendshme, për ta pyetur si vepruan dhe u sollën ndaj tij, e çfarë kanë ndërmend!…
“Sigurisht, duhet ta kenë pezulluar përkohësisht nga puna, deri në marrjen e një vendimi të plotë përfundimtar. Patjetër kanë ndryshuar programin, duke hequr afishimet e shfaqjeve javore e mujore, që të mos figurojë mbiemri ynë”, – mendova me vete, duke u larguar nga ngrehina e Teatrit Popullor, për të mos rënë në sy të aktorëve, pasi me shumicën kisha njohje të afërta, të drejtpërdrejta, ngaqë vinin shpesh në Radiodifuzion, për të interpretuar role të ndryshme të dramatizimeve, rubrikave dhe emisioneve artistike.
Tre vëllezërit Shyti njiheshin nga gjithë trupa artistike e Teatrit Popullor, pasi ne i përkisnim fushës së artit dhe letrave. Pikërisht për këtë arsye, arratisja e beftë e piktorit, u shoqërua me habi e keqardhje. U shfaqën hamendësime të ndryshme, që u vërtiten rreth pyetjes: “çfarë e nxiti dhe ç’gjë e detyroi t’i futet këtij veprimi të papërgjegjshëm e mjaft të rrezikshëm, kur i dinte hollësisht deri në detaje, masat e rrepta drastike, që ndërmerren kundër pjesëtarëve të familjes?!… Kaq egoist dhe i pashpirt të jete treguar?! Si ka mundësi të mos e ketë penguar pendesa e veprimit kundër njerëzve të shtëpisë”?!…
Për të mos rënë në sy të kalimtarëve të njohur, (të cilët janë të shumtë, për shkak të natyrës së profesionit të gazetarit), kalova nëpër rrugica e rrugë dytësore, si e vetmja mënyrë të shmangia takimin me ndonjë koleg a kolege të Radiodifuzionit, të cilët me siguri presin me kureshtje vendimin e Komisionit Qeveritar të Internim-Dëbimeve, në ç’vend do na syrgjynosin dhe për sa kohë?!
Pa zbardhur drita e 5 tetorit 1961, u dëgjuan trokëllima të forta në derën e kthinës tonë dhe nëna e trembur u ngrit e llahtarisur ta hapte. Ajo u mat t’i pyeste, përse kjo dyndje në pikë të mëngjesit, por urdhri kërcënues ia ngeci fjalën në grykë:
– “Për pesë minuta mblidhni rraqet, ato që keni futur nëpër boçe, ushqimet e blera, shkoni në banjë, se do bëni rrugë të gjatë”!
Menjëherë pas këtij urdhri, erdhën tre djem shtatlarte, të cilët morën me rrëmbim plaçkat dhe orenditë e, me shpejtësi zbritën shkallët drejt kamionit “Ifa”, që priste përpara hyrjes. Zotëronte qetësi dhe heshtje e thellë. Fqinjët qenë porositur nga kryetari i Frontit, të mos dilnin për t’u përshëndetur me të internuarit dhe të mos ndiznin dritat elektrike në apartamentet e tyre, pasi ky veprim, shihet nga organet shtetërore si shenjë solidariteti me të deklasuarit apo, si protestë e heshtur kundër vendimit të Qeverisë!
“Në qoftë se dikush guxon ta thyejë këtë urdhër të rrepte, do ketë pasoja të tmerrshme ndëshkuese: më e pakta pushim nga puna dhe përjashtim nga Partia”” – kishte deklaruar kryetari i Frontit.
Unë me motrën u ngjitëm në karroceri, kurse nëna zuri vend në kabinën e shoferit, i cili do kryente dhe rolin e shoqëruesit.
– “Atje të presin operativi i zonës dhe i plotfuqishmi”, – dëgjova zërin e drejtuesit të operacionit, që po i jepte udhëzimet e fundit shoferit shoqërues. – “Shkresat përcjellëse kanë mbërritur me kohë në Degën e Brendshme të rrethit. Detyra jote mbaron kur të dorëzosh të internuarit në vendin e caktuar. Urdhër i prerë: të mos ndalosh asnjë sekondë rrugës, edhe në rast se shfaqen kërkesa të ngutshme për nevoja personale. Duhet të kesh parasysh: pavarësisht nga fshehtësia e kryerjes së këtij largimi, befasitë ndodhin. Prandaj vigjilencë revolucionare”!
– “Si urdhëron, shoku shef! Jam i regjur me kësi udhëtimesh. Sapo të mbërrij në vendin e caktuar, do t’ju njoftoj me radio”.
– “Nisu”! – urdhëroi drejtuesi.
Motori i “Ifës” volli nga barku i serbatorit shtëllunga tymi dhe doli në xhadenë kryesore. Unë me motrën u mbështollëm me batanije dhe u shtrimë mbi dyshekë, për t’u mbrojtur nga athëtima e acartë e tetorit. Po shkonim drejt Golgothesë: na priste një jetë e skëterrshme, të cilën as nuk e njihnim e, as nuk e përfytyronim dot”!…
Drita agimore ra mbi fytyrat tona, kur kamioni kaloi kishën mbi kodrën e fshatit Golem, disa kilometra larg qytetit Lushnje. Mua më ngërtheu një emocion tmerrësisht i ankthshëm, i paprovuar me parë: ishte e llahtarshme të kaloje në qytetin e lindjes, me nofkën përçmuese, i deklasuar, pa asnjë të drejtë qytetarie në vendin tënd! Zëri i brendshëm i sedrës së lënduar, më pëshpëriti me zë drithërues, se banorët e qytetit, pa tjetër janë lajmëruar në ç’orë do kalojë kamioni me të internuar përmes xhadesë kryesore, ndaj të gjithë duhet t’i kenë ngjeshur fytyrat pas xhamave të dritareve, me shikim të dhimbshëm, pasi këta ende nuk besojnë, nëse me të vërtetë i ka ndodhur kjo gjemë e tmerrshme njërës nga familjet e nderuara të këtij qyteti!…
Për të mos e torturuar veten me këtë ndjesi, mbulova kokën me batanije, që kureshtarët të mos na shohin, ndonëse kalimtarët e radhëve të qumështit, patjetër duhet ta kenë vënë re nënën tonë në kabinën e shoferit dhe e kanë kuptuar se me ketë kamion, po kryhet syrgjynosja e familjes tonë. Tek kryqëzimi, në dalje të qytetit, zgjata kokën të shihja ç’drejtim do ndiqte makina. Kur mori kthesën djathtas, m’u krijua përshtypja se do na çonin në Savër. Por kamioni vijoi më tej ecjen me shpejtësi: kaloi Pushimin e Shoferit, Lumthin, Rrapezën, madje dhe Kolonjën. Pastaj mori kthesën rrëze kodrës së Ardenicës.
Befas frenoi, sepse një i panjohur, (dy metro i gjatë, me hunde të bëshme, si çomange, veshur me xhaketë ushtarake të uniformës angleze, mbathur në këmbë çizme të zeza llastiku përmbi pantallona), i bëri shenjë shoferit të ndalonte. Ky i tregoi një shkresë shoferit, që vërtetonte se ishte ngarkuar me detyrën e udhërrëfyesit dhe u ngjit mbi shkallare. Pas dy minutash, prapa kthesës, kamioni la xhadenë dhe u fut në një rrugë të baltosur fshati. Motori filloi të uturije nga sforcimi i të përpjetës rrëshqitëse, dhe me shumë vështirësi, kaloi pjesën ku rrezikonte të ngecte, (falë diferencialit të dytë, që u vihet kamionëve ushtarakë, të cilët udhëtojnë në rruge luftarake dhe tërheqin topa të kalibrave të ndryshëm). Vetëm kur mbërriti tek një sop i thatë, ndaloi.
– “Bah ç’rrugë e mallkuar!… – shau shoferi duke pështyrë. – Edhe pak te kishte vazhduar e përpjeta e baltosur, nga sforcimi rrezik te thyhej kamio!… Shyqyr ia dolëm mbanë pa dëmtime! Përndryshe do kisha telashe me pasoja të rënda!… – shtoi ai duke psherëtirë. – Sepse kur ndodhin defekte për kësi raste, nuk ta zgjatin shumë shefat, por të çojnë drejt në gjyqin ushtarak dhe që andej, të rrasin në qeli”!… – iu ankua udhërrëfyesit hundë çomange.
Pranë kamionit u qas një burrë me shtat mesatar, fytyrë vrazhdë, i cili u prezantua si operativi i zonës, duke treguar dokumentin përkatës. Shoferi e këqyri me shumë vëmendje dëshminë zyrtare. Dhe pasi hodhi një vështrim të dytë, mbi portretin e të panjohurit, për ta krahasuar me fotografinë, nxori një bllok të madh, e i tha operativit të firmoste marrjen në dorëzim të tre të internuarve, sipas udhëzimit nga shefi i tij.
– “Me kaq mbaron detyra ime…” – shtoi shoferi shoqërues, duke psherëtirë i lehtësuar. Mbeti i habitur, kur pa karrocerinë e boshatisur të kamionit, por sidomos e shtangu pamja e pazakontë, sepse ende s’po e kuptonte, ç’dreq vendi ishte ky, nuk përqasej as me kamp internimi e, as me një strehë banimi?!… Mua ma tejçoi terë trupin një rrëqethje e fuqishme si rrymë elektrike, kur vërejta portretin e tjetërsuar të nënës, sepse qe plakur tmerrësisht gjatë rrugëtimit të gjatë, sikur brejtjet dhe makthi gjatë këtyre orëve, qenë dyndur mbi indet e trupit të saj me shpejtësi të skëterrshme!
Kjo gjendje kaq e ankthshme, bëhej më e dukshme në sfondin e zi të veshjes, nga shamia e kokës deri tek këpucët! (Që kur isha fëmije 8 vjeç, nëna u nxiros nga koka tek këmbët, pas vdekjes së vëllait të dytë, në prag të lulëzimit rinor! Më pas na ndoqën fatkeqësi të tjera, po kaq të dhimbshme: ndërroi jetë gjatë operacionit motra e dytë! Dhe në fundin e vitit të dytë të gjimnazit, dha shpirt babai!…)
Ndoshta për shkak të rëndesës së makthit, në këtë çast pamja e saj mjerane, me shkaktoi gulç në kraharor dhe m’u duk sikur kalova simptomat e para infarktit. As vetë nuk e di kujt ia drejtova pyetjen, apo më doli vetvetiu nga revolta e brendshme: pse s’kishin sosur dhimbjet për këtë grua të vuajtur, që rriti dhe edukoi një tufë me fëmijë pa u ankuar, u rropat pas të shoqit, babait tonë të nderuar, duke e ndihmuar me të gjitha format e mundshme?!…
Dhe tani, sikur të mos mjaftonin brejtjet e vazhduara të jetës së mundimshme, endjet nga njëra strehë në tjetrën, (sidomos torturat e vdekjeve mizore të djalit div, vajzës si yll, dhe bashkëshortit të sfilitur nga astma bronkiale, në moshë të re), u shfaq krejt befas stuhia llahtar, e skëterrshme, të cilën do ta përjetonte bashkë me dy fëmijët e saj, në ferrin komunist, për një kohë të pacaktuar….!
Ndonëse kisha shkuar shpesh me shërbime nëpër fshatra të ndryshme të Shqipërisë, për të shkruajtur reportazhe mbi “jetën e lumtur kolektive, në kooperativa bujqësore”, në asnjë vend nuk më kishte rastisur të shihja kaq afër një kasolle lope. Prandaj mbeta i llahtarisur dhe i shtangur, kur operativi fytyrëvrazhdë, m’u drejtua duke më thënë:
– “Kjo do jetë streha juaj e banimit, këtej e tutje”!
E ashtuquajtur strehë, e caktuar enkas për ne, s’ishte gjë tjetër veçse vazhdimi i kasolles së lopës, ose zgjatimi i kthinës përballë saj, që ndahej me një “korridor” me thupra, një hapësirë pa derë e dritare, me truall e pa tavan! Pra, fqinja jonë më e afërt, ishte lopa e zotit të kasolles, e udhërrëfyesit me çizme llastiku dhe xhaketë ushtarake të uniformës angleze, që mbante në kokë një kapele të vjetër austriake, mbetur nga Lufta e Parë Botërore!
“Pa asnjë mëdyshje, ky fshatar duhet të jetë spiun i besuar i Degës së Brendshme të rrethit, i caktuar të raportojë tek operativi i zonës, ndoshta dhe drejtpërdrejt tek njëri nga shefat e mëdhenj”, – mendova unë. – Kujt i ka shkuar të parit ndërmend ky strehim kaq torturues dhe fyes: dikujt në ministri apo ndonjë keqbërësi të tmerrshëm këtu, i yshtur nga ligësia e skëterrshme, që ne të banojmë nën një çati me kasollen e lopës, të kemi fqinjë të përhershme një kafshë, për të na e bërë të qartë se kështu do katandiseni, ndaj kështu do t’ju trajtojmë”!
Edhe pse nga pamja e jashtme dhe e brendshme, s’përqaset me banesat e fshatareve, prapë do përdoret si e tillë, përderisa shefat tanë vendosën t’ju sjellin këtu, domethënë e quajnë si të përshtatshme për një familje të deklasuar. Fundja këtë dënim, nuk e keni nga shteti. Memorie.al
Vijon numrin e ardhshëm
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016