Agim Tuk Jakova
Pjesa e dytë
Alibia e Ministrisë së Brendshme për vdekjen e Tukut!
Memorie.al/ Nga fundi i vitit 1956, deri në prishjen me Moskën, karrigia e Enver Hoxhës, lëkundej në ajër. Në të gjitha vendet komuniste, udhëheqësit stalinistë, ishin ndërruar dhe dënuar. Përveç përpjekjes për të gjetur një degë ku të kapej, në mungesë të saj, Enveri, njëkohësisht me më shumë preokupim, mendonte për një rënie sa më të butë nga karrigia. Ai preferonte më mirë një zëvendësues nga nomenklatura, të besuar, se sa një zëvendësues oponent të goditur nga ai. Nga kontributi dhe popullariteti, kandidatë mund të ishin Mehmet Shehu dhe Tuk Jakova. Në raport me Moskën, Mehmeti, ishte më i preferuar. Fakti që Mehmeti kishte studiuar në Moskë dhe ishte prezent në Legatën Ruse, ndërsa Tuku aspak, flet bindshëm. Në linjën shtetërore, Mehmeti ishte i pakonkurrueshëm nga Tuku dhe nga askush. Mehmeti dhe Tuku respektonin kontributin, trimërinë dhe sakrificat e tyre në luftë. Ambiciet për protagonizëm dhe karakteret e tyre, ishin diametralisht të kundërta.
Pas kësaj ndodhie, nuk u ngarkua me përgjegjësi asnjë nga mjekësia, përkundrazi në linjën e Ministrisë së Brendshme “që nuk kishte përgjegjësi në këtë ndodhi, që alarmuan spitalin, për ta shpëtuar”, pati. Kuptohet, për alibi. Kush ka jetuar në atë sistem, nuk mund të ç`vlerësojë, nivelin e mbrojtjes së vendit, potencialin ushtarak bashkëkohor të kohës, arsim-kulturën, mjekësinë me përkushtimin, cilësinë dhe saktësinë. Pagëzimi i shkakut të vdekjes “peritonit akut”, është alibi. ‘Peritonit akut’ do të thotë, vdekje e shpejtë mbas plasjes së apendicitit, ndofta deri tri ditë mbas plasjes. Kjo ka vazhdimësi në shfaqjen e saj edhe mbas operacionit, kryesisht temperaturë, dhimbje, të vjella. Këto Tukut i filluan pak kohë mbas kthimit nga dhoma e vdekjes. Ekspertiza nuk i gjen këto në kartelë. Këtë e thotë ekspertiza. Këto po të ishin në kartelë, e favorizojnë alibinë, pra u interesonte të ishin, po nuk janë! Mos vallë kanë qenë shkruar gjëra që nuk favorizojnë alibinë dhe janë zhdukur? Kujt i intereson zhdukja e tyre?
Që këto të mos jenë shkruar apo më keq te jenë zhdukur, ka përgjegjësi rregullorja administruese e spitalit. Spitalit ky boshllëk nuk i interesonte. Fakti që nuk pati masa ndëshkuese për stafin spitalor, ka një domethënie. Tuku mori sigurinë mjekësore për të dalë nga spitali. Ky vendim mbante në vetvete eksperiencë dhe përgjegjësi profesionale, gjithashtu mbante siguri dhe garanci për jetën. Tuku lëvizte në këmbë dhe papritur, ‘në qiell të hapur bie rrufeja mbi të’ duke i shkaktuar vdekjen?! Kjo alibi bie. Këtë alibi e rrëzon dhe fakti që në ekspertizë për shkakun e vdekjes, nuk ka analizë për ndodhi të helmit kimik në stomakun e të vdekurit, ose në ndonjë organ tjetër! Po autopsia pse u bë, për guidë mjekësore, për të zbuluar dhe saktësuar shkakun e vdekjes, apo për alibi besimi?! Kaq serioze mundohet të paraqitet autopsia, sa është gjetur dhe analizuar funksioni i gjëndrës së thymos-it që gjendet në gushë.
Një copë pambuk e lyer në stomakun e tij dhe më pas analiza toksike, do ta justifikonin plotësisht autopsinë. Për stafin mjekësor të spitalit, ai dhe patologjia e tij ishin të njohura. Kush donte të justifikonte tablonë e besimit me akte plotësuese?… Tërësia e alibive, që devijojnë rrugën drejt së vërtetës, njihet në kodin e zbuluesve. Ata, për nxjerrjen e së vërtetës, ndjekin dhe analizojnë drejtimin e kundërt. Ky raport mjekësor është bërë një muaj mbas varrosjes së viktimës, në zyra të paditura, duke u mbështetur, siç thuhet, në kartelën personale të viktimës. Raporti është firmosur nga mjekë me emër të mjekësisë së kohës, pa parë dhe ditur gjë për javën e fundit të jetës së viktimës. Po kjo, për alibi besimi? Edhe në të kundërtën të njëjtën gjë do firmosnin. Raporti ka edhe një domethënie: – “Hajeni këtë supë, ne nuk kemi kujt t’i japim llogari. Po nuk e hëngrët dhe folët, përballeni me pasojat”.
Amanetet që i’a la Tuku shokut të dhomës në spitalin e burgut!
Tuku vdiq pranë Nikollë Zagorianit. Para se të vdiste, i la amanet Nikollës: – Nëse del gjallë, kurdo qoftë, t’u thuash Mitës (gruas) dhe Franos, (vëllait) si vdiqa unë. Nikolla e kreu këtë amanet dhe jo vetëm. Ai në burg ua tregoi këtë ndodhi disa shokëve të besuar dhe të nderuar, sigurisht të krahinës, që më pas e treguan në familjet e nderuara të tyre. Tre prej tyre ishin: Nikolin Pavaci, Vas Gavoçi dhe Shan Pjetri. Regjimi makabër bëri një përjashtim. Lejoi familjen e internuar dhe nënën e tij, të shihnin kufomën në morgun e spitalit. Varrimin e bëri regjimi në mungesë të familjes. Por mbas 40 ditëve i tregoi varrin familjes. Kjo nuk ka ndodhur në tërë historinë e regjimit. Ky rast, qe gjest fisnik i regjimit makabër, apo alibi besimi?!
Veç kësaj Partia “kërkon llogari”. “Si ka mundësi të vdesë njeriu nga apendiciti në mes të Tiranës, reaksioni do flasë keq”, thotë partia, (nënkuptohet Enveri), duke i rënë me grusht tryezës, në mbledhje, ku i’u dha lajmi. “Aktrim profesionist” i një “vrasësi profesionist”. Menjëherë mekanizmi i partisë vihet në lëvizje, për të parë sa profesionalisht është kryer krimi. Akti duhej qepur mirë dhe plotësisht. Partia kërkon raport zyrtar nga Ministria e Brendshme, si dhe pse. Po pse nga Ministria e Brendshme dhe jo nga ajo e Shëndetësisë, se viktima ishte i burgosur? Ky krim po të qe kryer nga Shëndetësia, do t`i kërkohej raport direkt Ministrisë së Shëndetësisë, plus pasojat. Jo! Kështu nuk kemi “qepje profesionale”. Qepja kërkon transferimin e bëmës në territorin e spitalit. Prandaj, burimi i krimit, (Partia) i thotë hallkës së krimit, “raportin kërkoja ti spitalit, lëri bombën në prehër dhe më nxirr mua të pastër”.
Tre mjekët që kryen akt-ekspertizën e vdekjes
Në ekspertizën mjekësore për shkakun e vdekjes përpiluar nga tre mjekë kompetentë dhe me emër: (Xhavit Gjata, Fejzi Hoxha dhe Petro Cani) bazuar në kartelën personale të Tukut, thuhet tekstualisht: – “Në kartelë nuk shënohet mbi ushqimin e dhënë, mbi dekursin e temperaturës, mbi sasinë e urinës së eliminuar, të vjellat dhe të fiktin në nevojtore”. Këta tre mjekë, sa qe Tuku në spital, nuk ia panë fytyrën. Sigurisht dhe rrjedhimisht ekspertiza është bërë një muaj mbas varrimit, duke u bazuar në kartelën personale të Tukut, në të dhënat e autopsisë dhe të dhënat e përfolura nga dëshmitë, në përpjekje për të qepur dhe mbuluar krimin. Z. Filat Muço (zyrtar i lartë i Sigurimit të Shtetit) kur i komunikoi Mitës (gruas së Tukut) vdekjen e Tukut, tha tekstualisht: – “Ne vajtëm në spital dhe takuam mjekët. Na thanë se Tuku pasnesër duhet të lërë spitalin. Ne takuam dhe Tukun, ishte vital dhe me humorin karakteristik. Përkeqësimi erdhi papritur. Të jesh e përgatitur se armiku do flasi, por të jesh e bindur, se u bë e pa mundura. Kaq e kishte”.
Komisioni ekspert në ekspertizë thotë: – “Operacioni është bërë saktë, (operimi u bë nga dr. Qiriako Lezho) kura ka qenë e saktë, është bërë penicilinë, streptomicinë, kamfora, kafeinë etj. por nuk ka qenë e plotë”. Ja pra që qenka shënuar në kartelë ajo që ka ndodhur. Pse mungojnë të dhënat për temperaturën dhe të vjellat? Mund të kishte dy standarde në këtë rast? Absolutisht jo! Bindshëm nuk ka patur as temperaturë as të vjella, prandaj nuk janë shënuar. Ky komision me sa duket nuk është informuar, se Tuku kishte marrë mendimin e stafit mbikëqyrës, që shpejt do linte spitalin. Ai i mbijetoi “peritonitit akut”. Për pesë ditë mbas operacionit, u përmirësua gradualisht dhe normalisht. Ky komision mbi të dhënat e sa thuhet më sipër bën një përshkrim imagjinar dhe shkencor se ç`duhet bërë dhe çfarë nuk është bërë apo shkruar në rastin e një peritoniti akut me vazhdimësi pas operacionit dhe me pamundësi mbijetese. Ky përshkrim nuk përputhet me faktet.
Dëshmia e mjekut të Enverit pas viteve ’90-të
Të kenë qenë injorantë profesional mjekë që kuruan Tukun dhe dhanë aprovimin për të dalë nga spitali? Kuptohet ato që pretendon ekspertiza, që nuk janë shkruajtur në kartelë, i përkasin kohës nga momenti i të fiktit në nevojtore, deri sa vdiq. Edhe pse nuk janë shkruajtur në kartelë nuk mund të themi se ato shërbime nuk janë bërë, por kuptohet se në ato momente angazhimi intensive dhe plot tension, nuk kishte nge dikush të shkruante në kartelë, aq më tepër mbas vdekjes! Fakti që në përpjekjen për ta shpëtuar, në stafin e shpëtimit kishte veç kirurg dhe specialitete të tjera, tregon për angazhimin serioz të spitalit dhe vërteton thënien e z. Filat Muço. Mbas përmbysjes së sistemit, shtypi e trajtoi këtë ndodhi. Dr. Fejzi Hoxha (anëtar i komisionit të ekspertizës), thirri vëllain e Tukut (Kolën) dhe i tha: – “Nuk kishin nevojë ta helmonin, mjaftonte një operacion falso për ta eliminuar”. Sipas doktorit deri sa autopsia e nxori të saktë operacionin, për ta eliminuar Tukun, nuk kishte mundësi tjetër. Sa naiv!
Struktura që kryente eliminime kishte betim, garanci dhe status për sekretin. Për rastin kjo nuk mund të bëhej me një thënie në vesh, sepse pas kësaj mjeku aplikues duhej të eliminohej menjëherë, për të ruajtur sekretin. Sa keq, doktori nuk dinte se hëna vrasëse e pushtetit ka mbrapa pjesën e pa- dukshme mbuluar me mistere. Fakti që Tukun e vonuan shumë për ta çuar në spital, tregon qëllimin shfarosës. Rreth tre ditë mbas vdekjes së Tukut në spital vijnë dy oficerë madhorë të Sigurimit të Shtetit nga Ministria e Brendshme dhe marrin në pyetje z. Nikollë Zagorjani. Donin të dinin në se kishte z. Nikollë ndonjë lidhje fisnore me Tukun. Sigurisht ata donin të mësonin në se z. Nikollë kuptoi helmimin dhe a kishte garanci të mbante këtë sekret, ndryshe duhej eliminuar. Sigurisht donin edhe ta trembnin. Pak kohë më parë del në dritë një xhevahir i ri.
Çfarë thuhet në dosjen e Tuk Jakovës që ka Ministria e Brendshme?
Në dosjen e Tukut në arkivin e Ministrisë së Brendshme gjenden të dhëna për ecurinë patologjike të Tukut në spital pas operacionit, kryesisht të dhëna mbi temperaturën dhe të vjellat për katër ditët e fundit. Nuk dihet sa kohë mbas përpilimit të ekspertizës janë shkruajtur. Me siguri nuk janë shkruajtur në praninë e tre mjekëve të lartë përmendur. Si dhe pse të ketë ndodhur kjo?! Ekspertiza thotë se nuk ka gjetur të dhëna në kartelë për të vjellat, temperaturën dhe të fiktin në nevojtore. Kjo ekspertizë mban datën 26.IX.1959, pra është bërë një muaj mbas vdekjes së Tukut. Deri atëhere nuk kishte të dhëna në kartelë. Kush ta ketë bërë këtë falsifikim? Institucioni human (spitali) apo falanga e krimit (Ministria e Brendshme), për të justifikuar krimin! Kartela spitalore e Tukut indirekt akuzon: Nuk përputhet realiteti në kartelë me diagnozën. Kjo nuk është pëlqyer nga falanga e krimit. “Patjetër kartela duhet ndryshuar”, konstaton falanga në analizën për qepjen e aktit. “Nuk ka rëndësi kartela e spitalit, dokument është kartela e Arkivit”, thotë falanga. Përveç domethënies kryesore (justifikimit të krimit), kjo tregon moralin dhe nivelin e ulët intelektual të falangës së krimit. Duket se kanë qenë të sigurt se do ishin të përjetshëm.
Dëshmia e oficerit të Sigurimit për vëllanë e Tukut
Koha rrodhi më pas me domethënie të tjera. Ne zyrën e vëllait te Tukut, Filipit, në N.I.SH. Tulla të Durrësit, hyn një oficer me uniformë Sigurimi. Pasi mbylli derën dhe mbështeti shpatullat në të, i drejtohet Filipit: – “Ju jeni vëllai i Tuk Jakovës”? Si mori aprovimin e Filipit, kërkoi besën e tij, për çfarë do të thoshte.: – “Ti e kupton që mua më ikën koka dhe më shkatërrohet familja. Jam mirditor e nuk mundem pa ta thënë. Vdekja e Tukut është, (bëri një shenjë me dorë, që të mbyllte gojën) kuptoje vet”. U largua duke mbyllur derën nga pas. Ky njeri me vlera, do ketë qenë oficeri që ruante te dritarja. Këtë ndodhi, kunata e Tukut, Dhora Leka, e ngriti në gjyqin e Kadri Hazbiut, duke kërkuar, pse e eliminuan fizikisht Tukun, kur ai qe dënuar 20 vjet?! Në vitin 1963, vëllai i vogël i Tukut (Filipi) ndodhej i internuar politik në kampin e Zvërnecit. Aty pati një sëmundje me njëfarë risku. Duhej ndërhyrje kirurgjikale. Kirurgu i Ministrisë së Brendshme, Llambi Ziçishti, nuk pranoi ta operonte Filipin personalisht, për shkakun, se nuk donte të ngarkohej me përgjegjësi në rast të një fataliteti të mundshëm të përsëritur në këtë familje. Përse të druhej Llambi? Tukun nuk e operoi ai.
Filipin e operoi një kirurg më pak profesionist se Llambi. Filipi nuk vdiq nga operacioni, se nuk qe në listë për eliminim. Po për Llambin, ku ta dinte i shkreti. Në se merr pjesë në një akt makabër politik, je një dokument i gjallë. Në shumë raste je një arkiv e gjallë dhe në kodin e shërbimeve sekrete asgjësohesh fizikisht, për të zhdukur gjurmët. Është e njohur se, qoftë për mbulim gjurme, qoftë kur zbulohen gjurmët, je i dënuar me vdekje nga kodi i heshtur i pashkruar i shërbimeve sekrete. Kush e di këtë shmanget. Për të mos i rënë në qafë Llambit, nuk dihet: – Dinte apo jo, apo e kuptoi Llambi për helmin në konjakun, që piu Tuku? Sidoqoftë, shmangia, nga operimi i Filipit, në rastin më të mirë, ka kuptuar dhe ka heshtur, ose ka qenë pjesëmarrës. Kemi një farë paralelizmi midis Stalinit dhe Enverit. Stalini pati një ministër të Brendshëm, Berian, që kryente eliminimet politike, ndërsa Beria kishte doktor Levinskin, doktori i Ministrisë së Brendshme, që mundësonte eliminimin fizik dhe mbulonte shkencërisht shkakun e vdekjes. Ky mekanizëm u dënua me vdekje nga pasardhësi, Hrushovi. Stalini vdiq papritur, ndryshe para vdekjes, do t’i kishte zhdukur me dorën e tij arkivën e gjallë inkuizitore që i shërbeu. Përfundimi do qe i njëjtë, dikush do t’i eliminonte fizikisht.
Tentativa për t’a eliminuar pas ’90-ës, njeriun që Tuku i la amanetet!
Enveri pati disa ministra të Brendshëm, nga Koçi Xoxe deri te Feçor Shehu. Arkivë gjigante! Enverit nuk ju drodh dora. Gjatë rrugës deri para vdekjes, i zhduku të gjithë, bashkë me doktorin, Llambin. Po Llambin pse? Llambi në fund qe ministër Shëndetësie, përfaqësues i duarve të pastra, që asnjëherë nuk ka pikë takimi me eliminimet politike. Sigurisht aktiviteti në Ministrinë e Brendshme, ka qenë komprometues. Enveri e kaloi mësuesin dhe idhullin “Stalin”. Arriti ta eliminojë me gjallje mekanizmin makabër politik që i shërbeu me aq devotshmëri dhe besim. Ekstremisht mosmirënjohës dhe egoist! Në vitin e parë të përmbysjes, 1992, u tentua të asgjësohej dëshmitari okular i kësaj ndodhie, z. Nikoll Zagorjani. Kishte dekonspiruar krimin mafioz të Sigurimit. Për këtë duhej ndëshkuar dhe Sigurimi tentoi ta eliminonte Nikollën. Falë ndërhyrjes dhe marrjes në mbrojtje prej mikut të tij me emër në Shkodër, (Brahim Isufi) Nikolla shpëtoi. Nikolla e realizoi amanetin e Tukut. Lajmëroi redaksinë e gazetës “Republika”, se kërkonte të takonte gruan e Tukut, (Mitën) dhe vëllain e Tukut, (Franon).
Dëshmitë e Bedri Spahiut dhe rojës personale të Enverit!
Të dy këta shkuan në shtëpinë e Nikollës në Velipojë, ku u takuan me Nikollën dhe u informuan. Tentativa për eliminimin e z. Nikollë, ndoshta nuk ka lidhje me të qenit dëshmitar okular në aktin makabër të Sigurimit karshi Tukut. Fakti, që akti makabër karshi Tukut qe i fshehtë, që Nikolla, ky njeri i shenjtë, nuk kishte asnjë arsye shoqërore për t`u eliminuar, që dikush dinte që Nikolla qe dokument i gjallë, që burimi i dekonspirimit për eliminim të Nikollës vinte nga momentet e agonisë së skutave të errëta, që të gjitha këto kanë një pikë të përbashkët,”fshehtësinë”, dyshimi bie mbi ish Sigurimin e Shtetit dhe është i justifikueshëm.
Sipas dëshmisë gojore nga kolegu dhe bashkëvuajtësi z. Bedri Spahiu, si dhe dëshmisë indirekte të z. Kadri Bregu (roja personale dhe intime e Enver Hoxhës), në fillim të vitit 1959, Tukut për disa kohë i bënë provokime. E çonin në vendet ku e kishin torturuar dhe keqtrajtuar gjatë hetimit. Cila qe karta e momentit e Enverit, ç`u bisedua me të dhe ç`i propozuan, këtë fatkeqësisht nuk e mësoi as miku i tij z. Bedri. Pakënaqësitë e krijuara, keqtrajtimi dhe qëndrimi me z. Bedri, e kishin transformuar Tukun në kundërshtar radikal. Tuku nuk u tremb, as u thye. Ai e refuzoi me përçmim, përbuzje dhe urrejtje propozimin dhe metodën. Indinjatën për këtë e ka shprehur gjatë me mikun e Tij intim, z. Bedri, duke e konsideruar si një poshtërim që iu bë dinjitetit dhe moralit të tij. Z. Kadri Bregu (në grup) ka asistuar deri në fund në këtë ndërhyrje. Sigurisht qëndrimi i Tukut ka acaruar ambicien e Enverit dhe kjo ka shërbyer si një arsye më tepër për hakmarrje. Rasti i artë për këtë hakmarrje Enverit i erdhi. Javën që Tuku kaloi në spital, z. Kadri e ka mbikëqyrur deri sa mbylli sytë. Teknologjia atëherë nuk mundësonte, atë që i mundësoi më vonë, të shihte në ekran si hetoheshin, gjykoheshin dhe ekzekutoheshin viktimat e tij. I dërguari intim i tij, i raportonte imtësisht deri në fund procesin, përveç ç`i raportohej zyrtarisht. Sadizëm monstruoz i këtij diktatori ekstremisht kriminel!
Shteti duhet të bëjë analizat e eshtrave, për të provuar helmimin
Kjo ngjarje ka ndodhur 62-vjet më parë. Tani mbas 30 vjet përmbysjeje ai sistem, teorikisht nuk duhet të ketë më rrënjë. Bashkë me shumë ndodhi të tjera, për të dalë ligjërisht e vërteta, kërkohet kryesisht një vullnet politik dhe përgjegjësi shtetërore. Ndofta Avokati i Popullit mund të vërë në lëvizje mekanizmin e drejtësisë, për t`i zbardhur ligjërisht dhe publikuar bëmat e panumërta, djallëzore, monstruoz dhe çnjerëzore enveriste. Është përgjegjësi ligjore, historike, morale, estetike dhe politike për shtetin dhe brezat e politikanëve që rrjedhin pas përmbysjes, zbardhja e inkuizicionit enverist dhe dënimi moral i tij. E vërteta ka vlerën maksimale kur përqindja e subjektivizmit brenda saj është zero. Kjo pastërti ndodh vetëm kur e vërteta zbardhet në kohën e duhur. Vonesa e komprometon të vërtetën, vonesa i lë përgjegjësinë politikës, sepse koha gradualisht asgjëson arkivin e gjallë, njerëzit me dëshmitë e jetuara. Ky, me apo pa dashje, është një shërbim me shumë vlera, që i bëhet Enverit. Inkuizicioni enverist ka vepruar me ligje të pashkruara dhe bëma mafioze. Për fat të keq shteti dhe politika nuk po çojnë ujë në mullirin e së vërtetës, duke e katandisur të vërtetën, si askund në botë, në një pezhishkë pluhuri që koha ia rrit dimensionet. /Memorie.al
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016