Nga Ahmet Bushati
Pjesa e shtatëmbëdhjetë
Memorie.al / Pas ndryshimit të flamurit në 1944 me shtimin e yllit komunist, Shkodra u transformua në një qendër rezistence kundër regjimit, duke paguar një çmim të lirë për traditën e saj të lirisë. Në prill të 1945, studentët e liceut, tashmë të ndjerë të tradhtuar nga premtimet e luftës, u mblodhën për të kundërshtuar terrorin e ri që burgoste dhe vriste njerëz të pafajshëm. Komunizmi e shndërroi Kosovën në një provincë të Jugosllavisë, ndërsa Shkodrën e dënoi për “fajin” e saj historik – qëndrimin e saj kundër pushtuesve. “Lëvizja e Postribës” u bë mjet për të shtypur çdo kundërshtim, duke e çuar qytetin në një spirale vuajtjesh të papara: burgje, ekzekutime dhe shkatërrim i familjeve. Studentët e liceut, bashkë me qytetarë, u bënë simbol të rezistencës, ndërsa disa “të rinj komunistë” u shndërruan në vegla të Sigurimit të Shtetit, duke shkaktuar përjashtime nga shkollat dhe burgosje e internime.
Katër herë, Shkodra u ngrit në kryengritje të armatosura, por historia i harroi këto beteja. Libri shkruhet për të kujtuar të burgosurit e panumërt, të torturuarit dhe të vrarët, si dhe prindët që vuajtën në heshtje. Është një paralajmërim kundër diktaturës dhe një kërkesë që brezat e ardhshëm të mos harrojnë sakrificat e bëra për lirinë.
Në Gjurmët e një ditari
Shkodra në vitet e para nën komunizëm
Itinerari i Ramadanit atë natë kishte kalue nëpër livadhe të Shkodrës, ku ai ishte ndalue për të lirue njenën dorë që vazhdonte ta kishte me zinxhirë, – si i lidhun që kishte qenë me njenin prej djelmëve të axhës së tij – gja që e pengonte dhe e komprometonte para ma të parit njeri që do të takonte në rrugë. I kishte këputë ata zinxhirë tue i rrahë fort “gur mbi gur”, diku ndër livadhe të Shkodrës, e mbrapa vijue rrugën për në Buzë të Ujit, Kamicë, për te nji mik i besueshëm i shtëpisë së tyne me emnin Caf, ku ai kishte mbërrittë i zbathun e i grisun veshjesh dhe i bamë ujë prej shiut të madh që kishte ra mbi të. Njiherë Ramadanin ajo shtëpi e kishte pritë mjaft mirë, mirëpo mbas pak, ndërsa Ramadani po u nxehte e u tertë para nji zjarri të madh drush, do të shikonte me çudi se si përmbas dritares së vogël të dhomës që binte mbi oborr, të kalojshin si hyjë partizanë me automatikë ndër duar, që mbas pak çastesh, do të futeshin brenda. Nën grykat e automatikëve të tyne, Ramadani ishte ngritë në kambë, e ndërsa po shtrinte duart për t’u lidhë, kishte shique ndër sy të zotë e shtëpisë, tue i folë: “Tashti e kuptova…! Tradhti përsëri”!
Prej aty Ramadanin e kishin sjellë përsëri në atë burg prej të cilit ishte arratisë nji natë ma parë, por jo ma në nji prej ish dhomave të tij sipër, por futë në nji bodrum aty poshtë. Hetuesi kriminel Dul Rrjolli, që Ramadanin e njihte prej kohësh e që njiherë kishte pasë edhe konflikt me të, u ndje i poshtnuem prej tij, kishte rastin që t’u hakmerrte, prandaj këtë herë do ta shtynte me forcë Ramadanin, brenda derës së bodrumit, dhe si roja t’i mbyllte derën, t’i thonte: “Tashti Ramadan Kazazi, po muejte, ik”, dhe Ramadani i ishte përgjegjë aty për aty e me nervozitet: “Prap do t’iku”. Mbas disa ditësh Ramadani, i ndodhun në “Burgun e Togës”, – i quejtun kështu, sepse fillimisht në atë ndërtesë kishte qenë nji togë me ushtarë të Mbrojtjes Popullore – ishte dënue që të qëndronte i lidhun për disa ditë e netë brenda nji W.C.-je të pa derë, të pistë e gjithë lagështinë, e ndodhun në fund të korridorit të katit përdhe.
Kur në orët e vona të nji nate Ramadani kishte vërejt se polici i shërbimit po flinte, kishte mbërrit të zgjidhte duarët, të kalonte fare pranë policit që vazhdonte të flinte me automatik në prehën, të përshkonte me vrap edhe oborrin e madh të burgut e në mënyrën ma akrobatike, të kapërcente edhe murin prej rreth pesë metrash naltësi e përfundimisht të dilte i shpëtuem pa qenë kuptue prej rojeve të vendosuna në çdo cep të atij oborri, që si të thuesh, kontrollojshin edhe mizën.
Porsa Enver Hoxha t’u prishte me Jugosllavi, qershorin 1948-ës, Ramadan Kazazi do t’ishte ndër të parët që të kalonte kufinin, për t’mos pasë kenë edhe ky rast aventura e tij e fundit. Si mbas dëshmive të disa prej bashkatdhetarëve të tij atje në Jugosllavi, edhe kur ai t’u ndodhte në katin e sipërm të nji burgu diku në Mal të Zi, pjesa e mbrapme e të cilit binte drejt e në det, për çudinë e të gjithë të burgosurve atje, si dhe të vetë specialistëve jugosllavë të burgjeve, ai do t’u arratiste në mënyrën ma spektakolare, pikërisht nga ajo anë e mbrapme dhe e pashpresë e atij burgu, e tue përshkue mandej nëpër rrugë e shtigje të panjohun të Jugosllavisë, do të kalonte nji ditë edhe kufirin e saj me Austri, për ta pa veten përfundimisht të shpëtuem e në botën e lirë të Perëndimit.
Vëllau i tij ma i vogël Osmani, nji model i etikës e butësisë, si dhe me pamje në të cilën, si të thuesh, i ndritshin cilësitë e tij ma njerëzore, do të vdiste i vramë në oborrin e Sigurimit Shtetit prej nji polici minoritar me emnin Karrabec, kur s’kishte ma shumë se njëzetekatër vjet moshë. I vetmi ndër Kazaz, që të kishte kalue kufinin e Shqipnisë, qysh para se komunistët t’u futshin ndër qytete, kishte qenë Hasan Kazazi, ish-anëtar i qarkorit të ‘Ballit Kombëtar’ për Shkodrën.
Ndodhej në Itali kur në vitin 1948, kur ai do të merrte vesh se përmbas pushkatimit të Halitit, vdekjes në burg të Rasimit, vetëvrasjeve të Jupit e Saitit, vrasjes në ambientet e Sigurimit të Osmanit e burgosjes së shumë Kazazëve të tjerë, e së fundi edhe pushkatimin e Abdulla agës, – të cilin Kazazët e mbajshin në ato kohë si të parë të tyne- kishte ba që Osman Kazazi, zemërimin i tij t’mos u mbante ma, dhe ai përfundimisht të vendoste për t’u hakmarrë edhe pse në vend të huej. I bindun se çdo punonjës i ambasadës shqiptare në Romë ishte komunist e agjent i Sigurimit Shqiptar, ai kishte mendue të vriste nji nga të personelit të ambasadës atje, mirëpo për fatin e tij të keq, pikërisht ndër ato ditë, me pushkën e sigurueme me shumë vështirësi për të krye vrasjen “simbolike”, të nji çfarëdo komunisti, në zemërim e sipër, do të vriste nji bashkatdhetar të tij, mbasi që ai t’ia kishte denigrua Shkodrën, ndërkohë që ajo ishte e mbushun me burgje dhe e lame në gjak prej komunistëve.
Kur në gjyq Hasanin do ta pyeteshin për motivet që e kishin shtye deri në krim, ai do të përgjigjej: “Kam kenë i detyruem me veprue sipas ligjeve të vendit tim”. Si mbas kërkesës së trupit gjykues italian, Hasani lajmon të shoqen këtu në Shkodër, dhe nji ditë bahet e mundun që libri i madh i “Kanunit të Lekë Dukagjinit”, të pushonte e t’u shfletonte me interes e respekt në tryezën e nji gjykate prestigjioze italiane, e cila nga ana e saj, s’do të ngurronte që shqiptarin Hasan Kazazi, ta shpallte të pafajshëm.
Kështu pra, brenda nji kohe të shkurtë, fisi i madh, bujar e trim i Kazazëve, qe vra e syrgjynosë prej regjimit komunist. Për nga numri i madh që kishin qenë deri pak kohë ma parë, t’u mbushte mendja se ata ishin nisë me pushtue krejt nji lagje të tyne të “Parrucës”, që po e banojshin që prej disa brezash, por që fati, krejt përkundrazi, e solli që jeta e tyne disi t’u ndalte e gati t’u shuente, tue pasë shërbye si nji shembull i rrallë qëndrese e sakrifice në dobi të vendit.
Dedëjakupejt
Dedëjakupejt ishin nji ndër ato shtëpi të mëdha e të shqueme të Shkodrës, qẽ nën çdo pikëpamje do të plotësojshin të gjitha kriteret për t’u marrë si e fisme, tregtare, e shkollueme, si edhe e hierarkisë kishtare. Kemi qenë fëmijë kur prej prindërve tonë të kishim ndigjue të flitej me respekt për këtë shtëpi bujare, për dyqanin e “Dedës së Shan Dedës” te “Dugajtë e Reja”, që i shiste mallnat ma lirë se të tjerët e, që të zotët e tij ndihmojshin të vorfnit vazhdimisht, sidomos ndër raste festash, si edhe vdekjesh e martesash. Shumë prej meshkujve të kësaj shtëpie të mëkambun, qysh kah mesi i shekullit të kaluem, do t’u shkollojshin, tue i pasë sjellë asaj shtëpie edhe prestigj të dukshëm intelektual. Zor t’u gjindte nji tjetër shtëpi që të kishte aq shumë bij të shkolluem si ajo e Dedëjakupejve. Kishte qenë vjeti 1890, kur Leonardi i kësaj shtëpie, kishte kapë majat e hierarkisë kishtare, tue qenë shugurue Ipeshkëv në Vatikan. Mbas tij Nikolla, do të merrte titullin e “Monsinjorit”.
Pjetër Deda, tue ndjekë gjurmët e t’et, Shan Dedës, do t’u shquente për patriotizëm të kulluet e Zogu do ta zgjidhte edhe anëtar të Këshillit të Naltë. Koleci kishte qenë zgjedhë deputet e senator. Nikolla kishte studiua për teologji në Austri, kurse Lini, Gjushi e Deda, kishin krye akademi ushtarake, përkatësisht në Austri, Hungari e Itali. Ma i fundit, Gulielmi, ishte laurue për letërsi në Padova të Italisë. Kështu pra, kur të vinte komunizmi, të kjo shtëpi fisnike, atdhetare, e pasun dhe me kulturë, ai do të gjente nji ndër objektet ma të plotësuem për luftën e vet. Plot dhjetë burra të kësaj shtëpie, do të bijshin viktimë e tij, prej të cilëve gjashtë, përfshi edhe nji femën, t’u vritshin, ose të vdisshin ndër tortura, kurse katër të tjerë, të vuejshin vite të shumtë burgu e interimi, gjithë ky gjenocid i tmerrshëm mbi nji familje të vetme, mbi nji shtëpi, që në mënyrë të mrekullueshme, kishte pasë kombinue atdhe, fe, traditë e emancipim shoqëror.
Keli e Koleci, të arrestuem me akuzën për lidhje me Kryengritjen e Postribës, do të vdisshin prej torturave në Sigurim. Prifti Dom Nikolli e Gjushi, po me akuzën për Postribën, do t’u pushkatojshin, ndërsa Pjetri me të shoqen, Marijen – bijë e familjes Zojzi – do të kryejshin aktin ma të naltë qytetar, tue u vetëvra për t’mos ra të gjallë ndër duer të komunistëve kriminelë e poshtnues. Pesë jetë burrash të humbuna dhe të nji gruaje, janë ma shumë se mundësia për t’i përshkrue me fjalët, notat dhe lot që meriton drama e dhimbshme e kësaj familjeje, shkaktue prej barbarisë ma të egër komuniste.
Askush nuk mund ta dijë ç’të ketë folë në çastet para pushkatimit, prifti Dom Nikollë Deda, ose ç’të kenë thanë Kel e Kolec Deda, para se të nxirrshin frymët e fundit në qelitë e Sigurimit, por si i kishte pasë folë Gjush Deda, ish -bashkëqytetarit e farmacistit Asim Abdurrahmani, me të cilin ai kishte pasë nda fatin e fundit të jetës, na e ban të njohun ish- i burgosuni në nji qeli me ta, shkrimtari Petro Marko, në librin e tij me titull “Intervistë me vetveten” (faqe 471): “Gjush Deda i tha Asimit: mos u ligështo. Mbaju burrë se na bajmë pjesë në kurbanët që Enver Hoxha i therë për perëndinë Tito”, dhe mandej amaneti i lanë prej tyne: “Në dalshi gjallë prej këtu, thoni se vdesim të pa fajshëm”!
Episodi i lavdishëm i Pjetër Dedës me të shoqen, sa i trishtueshëm për nga ekzekutimi, aq i guximshëm e qytetar, deri në heroik, për nga motivi e vendosmënia, shkurtimisht asht ky: Sigurimi e kishte kërkue Pjetër Dedën të shpija, për gjoja nji sqarim. Tue e ditë mirë se ç’donte me thanë thirrja në Sigurim “për nji sqarim”, burrë e grue kishin vendosë për me u arratisë. Do të kalojshin disa ditë pa qenë vërejt prej askujt brenda nji pylli sipër katundit Rragam, ku kishin ngritë edhe nji çadër. Në shoqni të tyne, u ndodhte edhe Gaspri, nji i ri prej Shkodret, që për shumë vjet kishte punue si shegert në dyqanin e tyne e, që në shenj mirënjohjet e respekti, kishte vendosë me nda fatin bashkë me ta. Kur nji ditë të shikojshin se ishin rrethue prej forcave të Sigurimit, Maria, gruaja fisnike e besnike deri në fund e Pjetër Dedës, që dinte qysh ma parë vendimin e palëkundur të të shoqt për vetëvrasje, i ishte lutë atij, që ma parë ta vriste atë e, mandej veten, me qëllim që jetë e vdekë, t’i mbarojshin bashkë përnjiherë.
Pjetër Deda, konsekuent në vendimin e tij, drejtoi pushkën ma së parit kah Maria, e mbasi e pa që ajo ra për dhe, iu kthye Gasprit të tij besnik, e mbasi besoi që edhe ai t’ishte vra, ndonëse, për mrekulli ai do të shpëtonte me disa plagë të marruna në trup, të fundit do të vriste veten. Brenda në çadër, ku ata kishin kalue ditët e arratis së tyne, forcat e Sigurimit do të gjejshin si ushqim, vetëm pak bukë e mare pylli. Ky episod, aq i dhimbshëm e madhështor, disi i heshtun në largësinë e pesëdhjetë vjetëve të shkuem, si dhe në vetminë e nji vendi ndoshta të paemen ku ai qe krye, duhet të ndriste përgjithmonë, si i denjë për do dhimbje e nderim.
Në vazhdim, për këtë familje tregojnë se Lini do të vuante dhjetë vjet burg e dhjetë të tjerë internim, kurse Gulielmi, talentin, humorin si dhe prirjen gazmore për jetën e të cilit, që i a pat njohë nji burg i tanë i Shkodrës, do të vuante burg e internim, tridhjetepesë vjet gjithsej.
Si ish-i burgosun me Lem Dedën, ndonëse jo në nji dhomë burgu me të, besoj se shlyej diçka prej detyrimit tim ndaj tij, që tue përfitue prej këtij rasti, të hedh këtu disa vargje prej nji poezie të Kiplingut me titull; “Tim biri”, të mbetun pjesërisht ende në kujtesën time, me qëllim që lexuesi të mësojë sadopak se si përkthente Lem Deda e, ç’talent kishte ai:
“Me pa punën e tanë nji jete të shueme unji,
E pa ba ver me gojë, me fillu(e) përsëri,
Me humbë në nji lojë të vetë fitimin e sa rreziku,
Pa t’fshame dispjeku, pa t’luejte qerpiku.
Dashnor i përsosun e me sundue dashninë,
Tu(e) qenë i mnimë e mos me mbajtë idhnim,
Megjithëse tuj luftu(e) e mbrojtun me tërbim.
N’qe se din me vërejtë ngadhnjim e humbje në nji mënyrë,
E t’dy mashtruesit me i pritë po me nji fytyrë,
Atherë regjitë, fron, fat e fitore,
Rob ke me i pasun prore,
E ç’vlen ma tepër se mbret e çdo fitim,
Ti ke me genë njeri, o biri im”.
Po me atë rast qenë arrestue vëllaznit Benusi, Zefi e Baltazari, për kulturën e zotësinë e të cilëve si juristë, do të flitshin me respekt të veçantë shumë njerëz që kishin qenë njohë me ta. Baltazari do të binte dy herë në burg e, të vuante plot njëmbëdhjetë vjet, kurse Zefi gjashtë vjet burg e internim. Fatmirësisht nuk do të provonte burg, mikrobiologu i famshëm shqiptar, i njohun si i tillë edhe në botë, Luigji, vëlla i tyne.
Përfitojmë nga rasti të vejmë në dukje se këta ishin pinjoll të Gjergj Benusit, i futun në histori si artiler, farmacist e mjek pranë Vezirit Mustafa Bushati. Do të ishin dhjetë familje Bushatlijsh, që deri në atë kohë e pak mbrapa të kishin me nga nji o ma shumë njerëz të tyne ndër burgje ose të vramë, por ndër ta, si i burgosuni i lidhun me Lëvizjen e Postrribës, do t’ishte Maliq Xhemal Bushati.
Maliq Bushati, bir i patriotit Xhemal Bushati, po u kthente prej Jugosllavisë në prag të kryengritjes së Postrribës, e mbas ma shumë se njizet vjetësh që ishte largue prej Shqipnijet. Atje në Sarajevë, ku ai bashkë me pjestarët e tjerë të familjes kishte ndjekë babën e tij emigrant, kishte mbarue klasat e fundit të fillores e, në vazhdim edhe të mesmen. Në Bolonjë të Italisë, ishte diplomue në Jurisprudencë. Gjatë atyne ditëve të pakta që Maliqi po kalonte në Shkodër, ende pa qenë arrestue, ai do të hiqte ndoshta vërejtjen e disa qytetarëve që e shikojshin me kureshtje, jo porsi fytyrë e papame që ishte, sa ndoshta se mbi krye ai mbante nji kapelë – borselinë – me pupël në të e, nji qen të vogël që asnjiherë s’e hiqte doret.
E akuzuan për takim me Postrribësit kryesorë të kryengritjes, zonë ku i ati dikur kishte pasë influencë, dhe përfundimisht e denuen me pesëmbëdhjetë vjet burg. Dy vjet mbas tij, do t’u arrestonte edhe i vllau, Refiku, që do të vuente pesë vjet burg. Kur me rastin e Kryengritjes së Postrribës, qe arrestue Ejlli, nga familja e respektueme Çoba, vllau i tij Keli, kishte ma shumë se nji vit e gjysëm që ndodhej në burgun e Burrelit.
Familja Çoba, si e vjetër në Shkodër e që nga koha në kohë kishte nxjerrë personalitete të shqueme politike dhe shoqnore, do ta paguente komunizmin me disa prej bijve të fundit të saj, por që na, tue mos u largue nga periudha për të cilën flasim, kthejmë për pak te Gjon Çoba, si babë i Kelit, Ejllit e Filipit, që me kohë kishte qenë deputet e kryetar Parlamenti, që në vitin 1920, edhe regjent.
Si prind me vizion që kishte qenë e për ekzigjencat që kishte pasë, të tre të bijtë e tij, qysh të vegjël, i kishte dërgue në Itali për t’u arsimue, ku ata kishin ndjekë të gjitha ciklet shkollore, që nga fillorja e deri në universitet. Ejlli do t’u lauronte në Jurisprudencë e në Tiranë nji herë të kishte pasë postin e zëvendësministrit e, nji herë tjetër atë të sekretarit të Përgjithshmem të Kryeministrisë. Keli nga ana e tij, ishte laurue në jurisprudencë e diplomaci, tue pasë shërbye mbrapa si diplomat në Beograd, Bari e Paris. Vllau i tyne ma i vogël, Filipi, diplomuem për ekonomi, do të ishte nji prej themeluesve të “Bankës Kombëtare” të Shqipnisë.
Ejlli, që kishte qenë dorëzue më 1946, në bazë të amnistisë së shpallun, do të vuente katërmbëdhjetë vjet burg, kurse Keli, njëzet e, përgjithësisht të dy në atë të Burrelit. Nji tjetër familje që komunizmin ta vuante shumë, do të ishte edhe familja Dani, e njohun në Shkodër me emnin “familja e Dan Hasanit”! Ramadan aga, – siç u thirte në Shkodër – qe arrestue kur të kishte kalue të shtatëdhjetë vjet moshë. Bashkë me të qenë arrestue edhe dy prej katër djelmëve që kishte, Xhevati e Xhelali, kurse dy të tjerët, Hasani e Qemali, fatmirësisht, nuk u ndodhshin në Shqipni. Nga ajo shtëpi e Danajve, ishte arrestue në atë koh edhe Rizaja, vllau ma i vogël i Ramadan agës, që nga fundi i luftës, kishte qenë eksponent i “Lëvizjes Nacionalçlirimtare” të Shkodrës, e mbas çlirimit, kryetar i parë i Komitetit Ekzekutiv.
Në legjislaturën e parë do t’u zgjidhte edhe deputet i Shkodrës, por si gjithnjë, me bindje e shpirt nacionalisti. Emni i tij do të futej në histori, si njeriu i parë që parlamentit komunist të Enver Hoxhës, qysh në mbledhjen e tij të parë, t’i kërkonte me i ba oponencë, tue deklarue se; “Fronti” ishte nji fasadë me ngjyrë ideologjike e se statuti gjithashtu, ishte po me frymë ideologjike.
Në të kaluemen, të dy vëllaznit kishin qenë veprimtarë të Lëvizjes Kombëtare e ma vonë edhe opozitarë të Ahmet Zogut, për të cilën gja, kur ky të vinte në fuqi, Rizaja do të emigronte si të gjithë opozitarët e tjerë. Mbas Kryengritjes së Postrribës, ai do t’u arrestonte si i përfshimë në “Grupin e Deputetëve”, e do t’u pushkatonte kur s’kishte veç nji vit, që në moshën njizet e katërjeçare, i kishte dekë vajza e tij e vetme, Agimja. Vetë Ramadan aga do t’u shquente si nji tip simpatik e interesant, për nji individualitet të theksuem që kishte. Serioz e shumë krenar, i çiltër e me shumë kuraje, Ramadan aga nuk do të ndryshonte anjiherë prej temperamentit të tij, as kur të ishte në burg e as kur të kishte mbushë e kalue të njiqind vjetët jetë.
Në të kaluemen e largët të tij, Ramadan aga kishte qenë në krah të Bajram Currit, me të cilin ishte lidhë edhe si probatin e me krushqi. Ndër ato kohë, në shtëpi të Dan Hasanit, kishin gjetë strehë krenët ma në za të Kosovës, veç vetë Bajram Currit, edhe të tjerë, si Hasan Prishtina, Isa Boletimi etj. Familja e Dan Hasanit, jetonte në nji shtëpi madhështore për kohën, e u dinte prej të gjithëve për jetën e mirë që çonte ajo familje e pasun dhe e emancipueme. Ishte e tillë ajo familje për të cilën qysh atëherë, gatuente nji kuzhinier i paguem e, kur pjesëtarët e saj lëvizshin me auto-veturë, ndërkohë që edhe Viena e Austrisë, ishte ba qyteti i tyne i dytë, përmbas Shkodret. Xhevati e dy vëllaznit që vijshin mbas tij, shkollat e mesme e universitetet, do t’i ndiqshin në qytetet Vienë e Grac, të Austrisë.
Kështu nga kjo shtëpi, veç Rizasë që qe pushkatue, Ramadan aga vetë do të vuente katër-pesë vjet burg, Xhevati-dhetë e, Xhelali herën e parë dy e, në të dytën tetë vjet të tjerë burg.
Nuk asht e tepërt të shtojmë se Ramadan aga, gëzonte respektin e të gjithëve, se kishte qenë vazhdimisht nji nga njerëzit ma prestigjiozë të qytetit: gjithmonë i mbajtun mirë, me në krye fesin e zi e në dorë bastunin e ndritshëm, me gjoksin para e kryet nalt. Ai do të mbyllte të njiqindëpesë vjetët e jetës së tij, tue pasë ruejtë të paprekur gjithçka kishte pasë: karakterin, krenarinë e deri edhe nji timbër zani të trashë, por të qartë e me nota disi nervoze.
Me atë rast do t’u arrestojshin të dy vëllaznit Gurakuqi, Nushi, që thuajse gjithë jetën kishte qenë sekretar bashkije e tjetri, Shuku, që kishte pasë edhe postin e ministrit të Financave e që mbrapa, si opozitar i Zogut, kishte kalue disa vjet në emigracion, për t’u thye në Shqipni pak vite para pushtimit të vendit prej Italisë. Si mbas shumë njerëzve që kishin qenë njohë me ta, të dy ata vëllazën, kishin pasë kenë model i mirësjelljes dhe i korrektesës në detyrë. Memorie.al
Vijon numrin e ardhshëm
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016