Nga Shkëlqim Abazi
Pjesa e gjashtëdhjetegjashtë
S P A Ç I
Varri i të gjallëve
Tiranë, 2018
(Kujtime të miat dhe të të tjerëve)
Memorie.al / Tash në pleqëri, ndjej detyrim të rrëfej të vërtetën time, ashtu siç e jetova. Të flas për burrat modestë, që s’u mburrën ndonjëherë me bëmat e tyre dhe për të tjerët që regjimi u mbylli gojën e, i groposi në skërkat pa emra. Në asnjë rast s’marr përsipër, të uzurpoj monopolin e së vërtetës apo, të pretendoj dafinat për një ngjarje, ku qeshë i pranishëm rastësor, ndonëse u rreka me shpirt të ndihja sadopak miqtë e mi, që më shmangën me takt dhe me dashamirësi: “Byrazer, hap sytë… mos u përzje… se edhe dy muaj e pak të kanë mbetur”! Merak që m’u qep si hajmali, nga mëngjesi i datës 21, 22 dhe 23, maj 1974, madje më ndoqi edhe muajt në vijim, gjersa më liruan. Sidoqoftë, gjithë ç’ pashë dhe dëgjova ato tri ditë, s’do doja t’i merrja në varr.
Nga varri i të gjallëve, në ferrin e kufomave, (Lirimi)
Tashmë në ‘Kampin 303’, pllakosi kobi. Dhimbja për humbjen e shokëve, ndehu velin e përzishëm mbi gjithë fytyrat. Spaçin e dënuan përfundimisht. Paçka se s’i kaluan të shtatëqind burrat në gjyq, tash s’ishte thjesht burgu, ku do kllaposnin armiqtë e deklaruar, por e shndërruan në një tip poligoni, ku do praktikonin plojën që kish sajuar mendja njerëzore, qysh nga zanafilla.
Kësisoj katakombet spaçiane apo “varri i armiqve”, do ta tejkalonin rrethin e nëntë të Ferrit. Trajtimi çnjerëzor dhe mizoritë, do bluanin pa dallim kundërshtarët potencialë të regjimit, antikomunistë dhe demokratë liberalë, ndërsa dhuna dhe terrori, s’do reshtnin me muaj, vite dhe dekada, duke u bërë njëherësh rrasa gjigante, që do ndernin mbi shpresat e së ardhmes qeveritarët, që mëtonin të përndanin frikën dhe panikun në popull, duke e reklamuar si pllakatin e së keqes globale.
Veç katër të ekzekutuarve, me vendim të gjykatës speciale dhe me aprovimin e Kryesisë së Kuvendit Popullor, fotot e të cilëve i ekspozuan në kamp për të kallur terror, tetë të tjerët, i nisën fill në Burrel, pa kontaktuar kënd, madje edhe shtresat e mbulesat, ua paketuan shokët.
Paskëtaj thika preku eshtrën, ndëshkimet u kthyen në ritual. Shumë qyqarë përfunduan me T.B.C., të tjerë humbën në kavernat e minierave apo, dolën me eshtra të thyera, sa s’i hynin në punë as robit, as dreqit, dhe të tjerë ende pësuan trauma të pakthyeshme e populluan pavijonet psikiatrike. Tashmë çdo shkelje dënohej pa mëshirë, mosbindja ndëshkohej me izolim njëmujor, mos kapja e normës, me lidhje pas shtyllave për orë të tëra, në pikë të diellit apo, në acarin spaçian dhe më pas në birucë.
Me gjithë dhunën e egër dhe trajtimin mizor, elementi pozitiv mbizotëronte në Spaç. Spiunët që dolën dëshmitarë në proceset penale, i shihnin me urrejtje, s’i afronte kush dhe i përbuznin të gjithë. Po kjo intransigjentë, s’i përshtatej komandës dhe operativit, as autoriteteve të Drejtorisë së Përgjithshme të Kampeve e Burgjeve, që druheshin mos iu dilte situata sërish jashtë kontrollit.
Ndaj nisën seleksionimin dhe përzgjedhjen. Elementët subversive i degdisën me auto-burgun e parë, në burgun e Burrelit apo në Ballsh dhe sollën të rinj nga burgu i Tiranës, ose nga kampet e tjerë, deri edhe ordinerë, që iu futën nga një nen politik, apo të degraduarit me vakt. Duke larguar qëndistarët, synonin të “përmirësonin” strukturën, që gjithsesi mbeti më solidja e burgjeve politikë.
Pas proceseve gjyqësore, miqtë që i rikthyen të telekosur dhe të dërrmuar nga dhuna më se një mujore në qelitë e Kocit, na rrëfyen për spiunët që iu dolën dëshmitarë, akuzat për gjoja spiunazh apo për terrorizëm, ndaj figurave shtetërore, si dhe për bashkëpunim me agjenturat e huaja. Nëpërmjet këtyre, sajesa fantastike ua rënduan dënimet dhe de-motivuan pjesën tjetër, po as naivët s’e besonin, që nga katakombet spaçiane me tri fish rrethim, ruajtur me ushtarë të armatosur rëndë dhe me qenë kufiri, të mund t’ia dilje të mbaje lidhje me agjenturat kapitalist-revizioniste apo, me Vatikanin! Por aplikuan edhe akuza specifike, për persona të veçantë.
Për shembull; sipas rrëfimit të Tomor Allajbeut, mes tij dhe hetuesve, u zhvillua dialogu më poshtë:
“Na fol për lidhjet me dajën (Abaz Ermenjin)”! – këmbënguli hetuesi.
“S’jemi parë që nga dyzet e pesa, kur unë isha pesë vjeç”! – ia kthen Tomori.
“S’të pyetëm për takimet, por për lidhjet”! – ndërhyri tjetri.
“Do kisha dëshirë të lidhesha. Më ka marrë malli për dajën, po s’të lini ju”! – shpotiti Tomori.
“Trego maskara, ne flasim me kompetenca, sepse kemi të dhëna të sigurta”!
Mbi të lidhurin në karrigen e betonuar, u derdhën hunjtë dhe shkopinjtë e gomës, gjersa i ra zali. E përmendën me disa kova ujë dhe vijuan:
“Na rrëfe ku e keni fshehur radion ndërlidhëse me gur galena”? – insistoi një nga hetuesit.
“Paskeni luajtur mendsh, zotërinj! Unë mbusha vitin hyr e dil nga biruca, ju më kërkokeni radio”!
“Sipas informacioneve, e keni instaluar impiantin pikërisht atje! Ndaj s’del nga birucat! Po s’ke për të dalë i gjallë nga kjo zyrë”! – dhe vijoi dajaku.
“A-ha, instalimin e keni dy metër larg qelive, nën karakollin e rojës dhe poshtë kolibes së qenve”. – bëri gjasme u kujtua Tomori.
“Ore qen bir qeni, u bë surrati yt të na tregoj gropën e halesë”! – dhe valoi kopaçja, derisa e nxorën pothuaj të vdekur.
Në pozicionin që i drejtoi Tomori, pranë nevojtoreve, vërtet kishin instaluar një impiant alarmi, për të dhënë sinjal, nëse ndonjë i ndaluar do tentonte të kaptonte gjerdhet gjembaçë, ndonëse s’kishte ku shkonte, sepse do përfundonte, o në fjetoren e ushtareve, o në kampin ordiner, që gjithsesi ndodhej brenda rrethimit. Pa asnjë fakt, vetëm pse qe shprehur: “S’punoj unë të hajë Nexhmie kurva…!”, pas një muaji hetuesi special, i shtuan edhe 13 vjet të tjerë. Kësisoj u fut për tetë dhe doli pas 22 vitesh!
Kurse rasti i Zef Ashtës ishte më flagrant:
“Duam të mësojmë nga ti o prift, si ja mbërrin të lidhesh me Vatikanin nga burgu?” – hetuesit iu hodhën mbi kokë sa gati e mbytën plakun e gjorë!
“Së pari zotninj, ved s’jam prift, po oficer”! – sqaroi Zefi dhe vijoi: – “Së dyti, asht naivitet me menue se dikush mundet m’u lidh nga burgu me të huajt dhe sidomos me Vatikanin, dhe së treti: vet jam i vjetën dhe s’jam përzi fare me revoltën”.
“Ato dëngla shitua qorrave, jo neve që të njohim dhëmbë e dhëmballë! Për sa iu përket predikimeve fetare, bjeri drejt o ‘Pllumi i paqes’, sepse do dalësh sorrë prej këtu”!
E ngatërruan qysh në kamp. E dëgjuam kërcënimin: “Tash po e shohim se si ke me predikue në qelën e Kocit, o prift”. Ndërsa cilësori “Pllumi i paqes” e bindi përfundimisht, se e kishin marrë bedel, në këmbë të Zef Pllumit, që fatmirësisht disa ditë para revoltës, e transferuan në kampin e Ballshit. Kjo “ngatërresë” e qëllimshme, tregon ashiqare se listat i parapërgatitën në fillesën e revoltës, ku piketuan edhe personat që do atakonin. Kësisoj loja me “Zefët”, i nxori lakuriq projektuesit e plojës.
“Zotërinj, sa për dhambë e dhëmballë, s’kam asnjë në gojë! Edhe qenies oficer, mundeni me e verifiku, mjaft me hap dokumentet dhe keni m’u bind”! – u mbrojt sërishmi Zefi.
“Edhe në qofsh ushtarak, prapë je spiun i S.I.M.-it”! – iu ngërdhesh hetuesi, mbasi shfletoi dosjen. Kjo “ngatërresë”, i kushtoi plakut një muaj tortura, edhe pse gjyqi e shpalli pa faj. Pra akuzat diabolike dhe dënimet drastike për miqtë e mi, ishin paraparë.
Mbas përfundimit të gjyqeve dhe rikthimit të ri dënuarve në kamp, dhuna dhe presioni kapën apogjeun. Përditë do vlonte dajaku, grupi ndëshkimor, punonte me efikasitet maksimal. Shumë fatzinj, përfunduan kot më së koti, në dhomën e torturave, ku i rrihnin deri në humbje ndjenjash, gjaku stërpikte muret, sa ua ktheu ngjyrën nga e bardhë në të kuqe. Në biruca s’kishte më vend, pjesa e tepërt, e kalonin natën pas shtyllave, duke numëruar yjet në firmament.
Koha e “lirë”, u shndërrua në tmerr pafund, secili rronte me frikën e ndëshkimit. S’e dije nga ta prisje të keqen! Xhumba policësh, silleshin lukuni, sa në shesh, në kapanone, në dhoma, në mensë, në nevojtore, gjithkah ku mund të kapnin ndokënd në faj, që t’i punonin qindin dhe mjerë i mjeri, që iu binte në kthetra, do hiqte picirin, sa t’ia tregonte varrit. Nga ana tjetër, duhej t’i bëje sytë katër, t’iu shpëtoje veshëve të ngrehur, të qepje gojën, sepse mund të nxirrje ndonjë xhevahir që e regjistronte spiuni dhe ua çonte ustallarëve të ngrohtë, të dyllosje veshët, kur të provokonin me kast.
Kur futeshim në galera, sikur çliroheshin, ndonëse mbi kokë na kërcënonte mali, të paktën iu shpëtonim xhelatëve dhe hafijeve që s’guxonin të futeshin, për shkak të ndonjë hakmarrjeje. Policët që dolën dëshmitarë u egërsuan, sa ishin kail të na shqyenin me dhëmbë, por kjo aparencë ,ishte vetëm për jashtë, sepse kur iu binte radha të shoqëronin turnet në frontet e punës, ruheshin si djalli nga thimjami. Asnjë syresh, s’guxonte të penetronte në thellësi të minierave, përveçse kur vinin tufë.
Tashmë moti u nxeh dhe dielli digjte si saç. Javën e parë të korrikut, më erdhën sërish në takim, por ende s’e dija datën e saktë të lirimit, që shpresoja të ndodhte dy ditët e fundit të muajit. Kështu ua kumtova familjarëve dhe ata më premtuan, se do të vinin padyshim, edhe nëse do iu duhej të gdhinin një, apo dy net jashtë. Kësisoj, në pritje të datës 29 apo 30, më kaploi mërzia, sa s’po e shtyja dot. Çudi! Tash që po prekja finishin e pesëvjeçarit dhe duhej të isha i qetë, sepse po ia mbërrija ditës fatlume, ndihesha tepër i shqetësuar, minutat, orët dhe ditët, iknin me zor.
Javën e fundit të korrikut, numëroja ditët, orët dhe minutat, por ato u bënë tërkuzë, sa bjerra shpresën se mund t’ia mbërrija lirimit. Në ankthin e pritjes, më kapi pasditja e datës 26, kur sa u ktheva nga puna, më thirri kartelisti, Nasho Theodhoraqi dhe më kumtoi:
“Bëj gati plaçkat, se do lirohesh nesër”!
“S’po më besohej! M’u bë se po luante me durimin tim”.
“O Zot, u katandisa të tallet edhe Nashua”! që s’kisha këmbyer as pesë llafe në pesë vjet! Sipas llogarisë sime dhe të miqve, na rezultonin rreth njëmbëdhjetë-dymbëdhjetë ditë fitimi. Ndaj prisja, nga 29, apo 30 korriku, të më lironin. Këto dy data u kisha komunikuar familjarëve në takimin e fundit dhe prisja që një nga vëllezërit, të më sillte teshat dhe të më shoqëronte në hapat e parë.
“Pa shihi me kujdes, se mos ke gabuar”? – bëra dyshimtari.
Jo bre, jam i saktë në llogari unë! – ma ktheu i pizgosur dhe shtoi: – “Po të gaboja, s’më mbanin një minutë këta! Komanda do ma kish vënë gishtin me vakt, po të më gjente gabime, or mik”!
“Mbase, po mua sikur s’më rezultojnë aq”!
“Duket, s’i ke shtuar dy ditët e këtij muaji! Unë i kam rakorduar me borderotë provizore, që më solli Rroku”! – tundi shkresat që mbante në dorë dhe shtoi: – “Madje edhe Rrokut i takon të lirohet me ty”! Shtanga, s’po iu besoja veshëve!
“Mos u topit mo, po ik bëhu gati, se je për rrugë”! – më ra shpatullave dhe shkoi të gjente Rrokun. I bindur, u ktheva te miqtë dhe u tregova për ç’më thirrën. Ata u kapën gafil, sepse siç thashë, s’e prisnin përshpejtimin dy ditor dhe u vunë në siklet, ngaqë më mungonin teshat e përshtatshme, për atë rast.
“Ç’do veshësh nesër për rrugë”? – pyeti Tomor Balliu dhe u përgjigj po vetë: – “S’kam asgjë thuaj”!
“Paskemi gabuar në llogaritje, o Tomçe, s’i futëm në hesap ditë-fitimet e këtij muaji”!
“Ore, pse s’thuaj shyqyr që erdhi ora, të dalësh nga ky varr, pa të tjerat’do rregullohen”!
Dhe mori për nga sheshi nga u kthye pas pak në shoqërinë e Kujtim Muratit, Ahmet Islamit, Dhimitër Bifshës dhe Shuaip Seitit, i cili m’u hodh në qafë, i mrekulluar nga sihariqi i këndshëm.
“Shyqyr që ia mbërrite ditës, byrazer”! – dhe iu drejtua Tomçes. – “I njoftove të tjerët”?
“Iu çova haber, po s’e prisnin këtë lajm! – u mbush me frymë dhe iu kthye Fiqos e Dervishit: – “Na hapni vendin, se do vijnë miq”!
“Shyqyr që erdhi dita, pa jatakët janë tuajt”! – Fiqua tregoi edhe shtratin e Aliut, që ish turni i dytë.
“Paç fat dhe heqsh këmbët zvarrë për të tjerët, o bir”! – uroi Telha Çakua dhe ndoqi Dervish Sulon, duke më vënë në dispozicionin, pothuaj gjithë hapësirën e katit të parë. Pas dy-tri minutash dhoma u mbush.
Miqtë vinin më përqafonin, më uronin fat, ndonjëri edhe u përlot. Por lotët përligjeshin, sepse gjatë pesë vitesh, ishim familjarizuar si vëllezër dhe shkuar vëllezërve, kishim ndarë të mira e të liga, që nga ditët e lavdishme të Revoltës, gjer te dhuna e pashembullt pas saj.
“Nesër do ta veshim dhëndër këtë kapedanin, do ta rruajmë e do ta kruajmë te hundçi dhe do ta nisim për Berat, me këngë e me valle”! – nisi shpotitë Esat Kala.
“Ore, ky s’ka as brekë e kanatjere, ti thënke do ta niskemi dhëndër”! – ia ktheu Tomçja, me të njëjtën monedhë dhe shtoi: “Hajt ta kallkanosim me kostum burgut, që të duket si mumie”!
“O derman, thuaj shyqyr që ia mbërriti orës, pa të tjerat do t’i navasim”! – e ndërpreu Kujtimi dhe shtoi: – “Unë kam një palë pantallona të sakta, kam edhe…”!
“Unë kam një këmishë…”, – u hodh Shuaip Seiti.
“Unë kam atë”, – njëri, “unë kam këtë”, – tjetri dhe në fund më premtuan një vandak rroba. Por na i ngrinë shakatë në gojë, bilbilat dhe zgurra e Malos.
Ashtu grumbull siç ishim, hipëm në tarracën e dusheve ku Esati vijoi: – “Edhe sot e nesër në mëngjes, je dele o byrazer, nga dreka, në të ndafshin nga tufa, që të bëhesh dhi dhe t’i shpëtosh rreshtit”! – më qasi gojën te veshi dhe pëshpëriti: – “Biro hap sytë, ‘Ferri i kufomave’, është më zi nga ‘Varri i armiqve’! Në ‘Varr’, s’të përçmon kush, e shan Enverin sa herë të teket dhe të kallurit, s’ta vënë veshin, ama në ‘Ferr;, do heshtësh edhe kur të pickon gjarpri, apo të mbyt duhma e kufomave të gjalla”!
Mbas numërimit, ndesha Gëzim Medollin, që pas revoltës e dënuan edhe 23 vjet të tjera.
“Shyqyr që ia mbërrite ditës, or mik”! – më përgëzoi dhe nisëm xhiron krah më krah. Gëzimi ish tharë, sa i kishin dalë eshtrat si kleçka, ca nga torturat, ca nga të pangrënët, atë muaj e gjysmë hetuesi, qe bërë tezgene dhe s’peshonte as dyzet kilogramë. Megjithëse 23 vjeçar, i ngjiste plakut të rreshkur, me mollëzat e futura brenda nofullave dhe hundën si teh thike.
“Vëlla, qysh nesër lipset të ndërrosh zakon”! – ia nisi. – “Në jetën e lire, do të duhet të sillesh ndryshe, sepse mbizotërojnë norma të tjera, kërkesa primare për të mbijetuar, është heshtja. Do hapësh sytë e veshët dhe do qepësh gojën. Natyrisht s’është e lehtë, por s’ka rrugë tjetër. Ti je aq i zgjuar dhe i përgatitur, për ta pikasur rrezikun. Mbase s’do na harrosh lehtë, po neve na mori peropia dhe ti s’duhet të rikthesh sërish në ferrin spaçian.
Vërtet do hasësh vështirësi, për t’u përshtatur me mjedisin, por të këshilloj, hap sytë dhe mos u tundo nga shoqëria, që do ta ketë me hile. E di që trilli letrar do të të nxisë t’i hedhësh në letër ato që bluan në kokë, siç jam i bindur se peripecitë, do të të shtyjnë drejt penës, por duhet të rezervohesh dhe të veprosh brenda lirisë relative, që gëzon individi socialist. Shfrytëzo momentet kur gjendesh vetëm dhe mund të shfresh lirshëm, shkruaj pa ua pohuar kujt, madje as të afërmve, sepse merr më qafë veten dhe me dashje apo pa dashje, edhe ata…”!
Vijoi kësisoj deri sa grija kaploi kodrat. Mandej i dorëzova “pajën e burgut”, trashëgiminë e Emin Shehut, i cili më la amanet, para pesë vitesh: “Kur të vijë dita e lirimit, do t’ia dhurosh më të riut, atij që mendon se përmbush kriteret e përshkruara në letër…”!
Natyrisht përzgjodha trashëgimtar, atë që mendova se i gëzonte cilësitë e paraardhësit, veçse s’ishte më i riu, por më nevojtari dhe një qendrestar i sprovuar. Etiketa “Emin Shehu”, do kalonte në duar të sigurta dhe do mbetej në burgje, gjer në fundvitet tetëdhjetë.
M’u drithërua mishtë! Më mallëngjeu mjerimi, që po lija pas telave gjembaçë, ku qe ngërthyer një pjesë e qenies sime. Në atë murdallëk, po lija vitet më të bukura, ëndrrat e parealizuara, shokët e ekzekutuar dhe pa varre, miqtë që më mbështetën pa pikë interesi! Njëherësh po merrja idealin dhe aspiratën për të nesërmen, bashkë me besimin dhe bekimin e burrave elite, që do më shoqëronte në jetë!
Ca trokëllima nallash,, më nxorën nga përsiatjet. Ktheva kryet dhe pash dy Zefët, t’i drejtoheshin këndit ku gjendesha me dorën shtrirë.
“Ç’po qyr me aq vëmendje, or djalë”? – Zef Ashta më lëmoi supin. –“Ia mbërrite ditës, o bir”? – dy pika loti i shkanë nga sytë e hirtë.
“Fotografoj t’tana honet rrezikzeza të vorrit, lum djali”! – Zef Jushi bëri një rreth, si të konturonte krejt territorin. – “Tash po të lypet dekori, sepse dramat s’kanë vlerë pa të”!
“Shko vishu, se mund të nxjerrin herët”! – vijoi Ashta.
“S’kam ç’të marr”, – ia ktheva. – “Do ta lë katandinë, veç disa relikteve, në i nxjersha dot”!
“Për njato po flas, or burrë! Vajti tetë, qyre po kthehen turni i natës”! – Ashta drejtoi gishtin nga porta ndërlidhëse, ku prisnin punëtorët që kishin lenë punën.
“Lum miku, regjistroje në memorie kët tablo zymtie dhe mos ja pafsh ma bojën! Po kanë me t’u dashtë, sepse ke m’i u hudh në letër një dit”, – vazhdoi të tijën Jushi.
“Eja se vajti vonë”! – thirri Tomçja nga ballkoni i katit të dytë, me zë e shenja.
U shkëputa nga pleqtë. Mbi jatak kishin sëritur një mori teshash, si të kishin hapur një garderobë. Memorie.al
Vijon numrin e ardhshëm
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016