Dashnor Kaloçi
Pjesa e tridhjetë e katër
Memorie.al publikon një dosje arkivore voluminoze të nxjerrë nga institucioni i Autoritetit për Informimin e Dosjeve të ish-Sigurimit të Shtetit, ku ndodhen me qindra dokumente me siglën “Tepër sekret” që i përket ish-të dënuarit politik, Xhavit Qesja, me origjinë nga qyteti i Krujës, familja e të cilit gjatë periudhës së pushtimit të vendit, 1939-1944, u lidh ngushtë me Lëvizjen Antifashiste, duke qenë një ndër bazat kryesore të saj dhe vuri në dispozicion të gjithë pasurinë që kishte, pasi Xhaviti ishte një ndër anëtarët e parë të Partisë Komuniste Shqiptare për rrethin e Krujës, duke drejtuar batalionin partizan Krujë-Ishëm dhe Brigadën e 22 Sulmuese. Karriera politike e Xhavit Qeses pas mbarimit të Luftës, ku ai u emërua dhe shërbeu në detyra të larta në Ushtrinë Shqiptare, aparatin e Komitetit Qendror të PPSh-së, e disa rrethe të vendit, nga ku u dërgua me studime në Bashkimin Sovjetik, ku qëndroi deri në vitin 1957, kur ai u njoftua që të kthehej urgjent në Shqipëri, pasi kishte shprehur hapur pikëpamjet e tij pro vijës politike që po ndiqte udhëheqësi kryesor i Kremlinit, Nikita Hrushov, për dënimin e kultit të Stalinit. Biseda e Enver Hoxhës me Xhavit Qesen në zyrën e tij në Komitetin Qendror, ku ai e kritikoi ashpër për pikëpamjet e gabuara që ai kishte shfaqur gjatë periudhës së studimeve në Moskë, duke i bërë thirrje që të reflektonte dhe të bënte autokritikë, por Xhaviti e refuzoi sugjerimin e sekretarit të parë të Partisë së Punës së Shqipërisë, gjë e cila u bë shkak që ai të mos lejohej të shkonte më në Bashkimin Sovjetik për të përfunduar studimet, por të dërgohej me punë si nënkryetar i Komitetit Ekzekutiv të Elbasanit, nga ku një vit më vonë, do të përjashtohej nga radhët e Partisë, e do të internohej në Ishullin e Zvërnecit, ku regjimi komunist mbante të izoluar disa nga ish-kuadrot e lartë partiakë dhe shtetërorë, të cilët i kishte dënuar për pikëpamjet e tyre antiparti. Kalvari dhe persekucioni i gjatë i Xhavit Qeses nga viti 1957 deri në 1990-ën, ku ai kaloi plot 32 vite në burgje dhe internime, duke qenë një nga të rrallët e dënuar të burgut të Burrelit që bëri greva të gjata urie në shenjë proteste për trajtimin dhe qëndrimin e egër që po mbante regjimi komunist i Enver Hoxhës ndaj tij. Dosja e plotë formulare, hetimore dhe gjyqësore në ngarkim të Xhavit Qeses, e cila publikohet për herë të parë nga Memorie.al, ku ndodhen dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit që pasqyrojnë ndjekjen dhe përgjimet ndaj tij, raportet e bashkëpunëtorëve të Sigurimit me pseudonimet e tyre, korrespodenca me letrat që ai u dërgonte instancave të larta partiake dhe shtetërore, si dhe udhëheqësve më të lartë të PPSh-së, deri në vitin 1991 që u lirua nga burgu!
Dokumenti sekret me relacionin e Degës së Punëve të Brendshme të Burrelit, lidhur me përgjimin e bisedave të bëra në burgun e atij qyteti nga të dënuarit: Xhavit Qesja, Dilaver Radëshi, Vaskë Gjino, Todi Lubonja, Bardhyl Belishova, Lipe Nashi, etj.
DEGA E PUNËVE TË BRENDSHME SEKRET
Nr…. Grupi i Dytë
Burrel, më 29.10.1976
RELACION PËRMBLEDHËS
Për muzikën tonë popullore, Todi shprehet: “Nuk lejohet në asnjë mënyrë, vetëm revolucionare sovjetike”, Bardhyli e mbështet: “Po sovjetike, janë kënduar në kohën e Leninit dhe Stalinit”.
Tod i përgjigjet: “Vetëm ato, bile është (Ai) i shqetësuar se kanë filluar qafëleshët edhe në Bashkimin Sovjetik”. Vaska në mënyrë ironike thotë: “A është i shqetësuar shumë”?! Bardhyli e mbështet. Pastaj Vaska pasi po dëgjon një këngë labçe thotë: “Po këto janë ulërima ore, janë ulërima fare, këta kanë mbetur që në kohën kur ulëritshin aman nëm…”!
Bardhyli me ironi i thotë: “Po muzikë, po çfarë është ky kështu… Si është e mundur që njeriu që ka qenë të siguronte mbrojtjen e atdheut, të urrejë kaq shumë muzikën popullore? Vëllai është e çuditshme”?! Vaska përfundon mendimin, gjithashtu me ironi: “Po dëgjo, dëgjo, mos se me këtë rrymë të japin edhe 5 vjet të… se është agjitacion dhe propagandë…”!
Midis të dënuarve të mësipërm më datën 13.X.1976 dhe 26.X.1976 në mënyrë të përmbledhur zhvillohen këto biseda:
- Në lidhje me teknikën dhe faktorin njëri:
Bisedën e hap Dilaveri: “Po kush është vendimtare. Prodhimi apo njeriu? Njeriu! Po njeriu ka dhe raketë”. Todi e mbështet: “Njeriu ka në dorë shpatën dhe raketën”. Dhe Dilaveri zhvillon më tej mendimet e tija: “Po kush është vendimtare sot në botë. Po e ka shkruar Marksi dhe Engëlsi në ‘Anti- Dyring’, se si lufton ai, shpata dhe revolveri. Se Marksi nuk thotë njeriu, por mjetet e prodhimit vlejnë si bazë…! Mos harro se edhe mua ashtu më lindi ideja. Njeriu po: nëse është i armatosur dhe se hap gojën më gjatë…”!
Ndërsa për okupimin e Shqipërisë nga okupatorët e huaj, Bardhyli thotë: “Edhe në Shqipëri unë jam mëse i bindur se Italia ka pasur humbje se sa ka marrë”. Vaska e mbështet: “Po, po çfarë ka marrë, se nuk mori gjë ajo”! Ndërsa Lipja i kundërshton, duke thënë se ka marrë dhe jo nuk ka marrë.
Mendimin e Bardhylit e mbështet edhe Todi. Ndërsa Vaska thotë: “… sa të jetë sistemi kapitalist në botë… Marksi thoshte se ka luftë, por vepra e 20 nuk ka luftë fare”!
Bardhyli i përgjigjet: “Po nuk ka nxjerrë dhe atë tjetrin ai edhe komunistët mund të ndërtojnë vendet e tyre”. Dilaveri e mbështet: “… po si e ka thënë Trocki, që Socializmin mund t’a ndërtojë çdo njeri… po nuk dihet një herë se pse po luftojmë, në fushë bile edhe gjak po derdhet. Po merremi me politikë hë…?!”
Vaska me ironi i përgjigjet: “Me politikë sapo i q… nënën. Politikë e mire”! Dhe vazhdon më tej, për gjoja linçimet që i janë bërë. “Më thanë se do të therim fëmijët dhe të gjithë ato që ke… jo vetëm gruan dhe fëmijët, por me soj dhe sorollop…”.
Ndërsa Todi, për këtë i thotë: “Ai hetuesi më tha: ‘koka, do të shikojmë, do të mbetet mbi supet…! Po do të pranosh këtë se do të varim’. ‘Po më varni, unë këtë s’e kam bërë”! Dilaveri ndërron bisedë: “Erdhi kongresi tani”!
Todi i përgjigjet: “Me siguri komplot do të thonë… e di se si t’a bëjnë lakun e litarit këta avash- avash, ajo e injeksioneve është para litarit dhe e dyta dhe e treta, pastaj do të pranosh. Se unë kam mohuar disa gjëra që ishin të vërteta dhe jo gjërat që nuk ishin të vërteta… Po, po i tërbove fare, po kam qenë gjak ftohtë fare, i tërbova…”!
Në lidhje me ngjarjet në Kinë, këtë të dënuar komentojnë:
(Informacioni i T.O., dt.26.X.1976)
Todi: “Mua më bën përshtypje ajo, që nuk dhanë ato personalitetet e tjera siç doli në miting bashkë me (Kryetarin e Ri). Me kaq shpejtësi ky bëri diferencimin, me zgjedh ato shokët e vetë? Po të mos zgjedhi ato shokët e vetë ky, ka përgjegjësi”.
Bardhyli i përgjigjet: “… Se ky tani shumë shpejt, me një herë në të përshëndetur dhe të dalë në krye, me rresht të madh duket.
Todi vazhdon: “… makar të kishin vënë atë Van Hun Venin… se e nxorën N/Kryetar në kongres…! Po ky ka dalë me puç more…”!
Bardhyli vazhdon më tej: “Po ky si duket ka dalë në rolin kryesor në shtypjen e Ten Siao Pinit…! Duhet të ketë lojtar edhe një rol në heqjen e Lin Biaos”.
KRYETARI I DEGËS P. TË BRENDSHME
Flamur Sinoimeri Kryetari Degës, Bekim Budo
Kopje 2
Ekstrakt i nxjerrë nga raporti i B.p. “Butrinti”, datë 18.3.1981, në ngarkim të të dënuarve Fadil Paçrami, Gjergj Titani, Xhavit Qesja dhe Todi Lubonja
Për Ushtrinë Popullore:
Në një rast, Gjergj Titan i frymëzuar nga bashkëbiseduesi i përditshëm, F. Paçrami dhe T. Lubonja, në prani të Rr. Parllakut e K. Ngjelës, sipas dy personave të fundit, e pruri fjalën për Ushtrinë Popullore: “Tha se ajo i ka kushtuar (si çmim), dhe i kushton rëndë popullit tonë.
Aq më tepër, në kushtet e tanishme, kur në qoftë se ndjekim zhvillimin e teknikës, armatimit, të vendeve të tjera, pa ndihmën e jashtme, as që mund të arrihet pisja e saj. Se çfarë e kush na rrezikon, kjo ka qenë dhe mbetet enigmatike…!
Ndodh kështu se Ushtria Popullore nuk ka patur kurrë dhe nuk ka drejtim. Niveli kulturor dhe tekniko-profesional i kuadrove ka qenë i cekët dhe i tillë është. Dikur, si teoricieni nr. 1 e mbanin Vaskë Gjinon. Se çfarë gdhëje është, e shikoni vetë, tej e kemi përpara çdo ditë.
Nisur nga ky që merrej si yll, gjykoni për të tjerët. Pastaj kaloi duke bërë konsideratat e karakteristikat e Grupit të B. Ballukut etj….! Të tillë njerëz mendjemëdhenj, si Halim Ramohito me shokë, kishin drejtimin e Ushtrisë Popullore!
Rrahman Parllaku, i’u kundërpërgjigj: “Partia e Punës Shqipërisë, jua ka dhënë me kohë përgjigjen zërave të tillë. Tanimë dhe fëmijët e dinë që mbajtja e Ushtrive, kudo në botë, bëhet me sakrifica. Sa i takon rreziqeve, që kushtëzojnë mbajtjen e saj tek neve, këtë nuk e shikojmë qartë, nuk duan të dëgjojnë të shurdhrit dhe janë ata që i binin gjoksit se Ushtrinë Popullore e kemi të fortë, se karrocat tonë është e pathyeshme”, etj. Përmbajtja e së cilës, është heqje dorë nga vigjilenca, nga gatishmëria luftarake etj., në bazën e të cilave qëndrojnë konceptet liberale e kapitaliste.
Ushtria Popullore ka pasur dhe ka pasur dhe ka të garantuar drejtimin shkencor në personin e PPSH-së. Ajo nuk ka kursyer dhe as nuk kursen, as për t’u armatosur, as për kualifikimin e kuadrove. Nga hiçi, të gjithë i bëri me shkollë dhe akademi, disa dhe nga dy-tre, si Beqir Balluku e grupi i tij, u dënuan jo për cektësi, (kjo nuk përjashtohet), por në radhë të parë, për koncepte e besnikëri.
Këto janë kryesoret. Edhe Vaskë Gjino, pa mënd nuk ka qenë. Sa kohë që ky e gjithë ne, i vumë ato në shërbim të vijës së Partisë, ajo na respektoi dhe nderoi, Kur provoi se neve, në vartësinë e saj, e gabimet, qemë larguar nga vija e saj, me të drejtë na dënoi, duke i vënë secilit atë që i takon…”.
Gjergj Titani, i nervozuar, i thotë Rrahmanit: “Ti e ata që kishit në krye të Ushtrisë Popullore dhe kuadrit e saja, i ke pas njohur nga maja e çatisë…”! “Po, i thotë Rrahmani, kjo është mëse e vërtetë. Unë Ushtrinë Popullore dhe kuadrot e saj, jam përpjekur t’i njoh. Në këtë proces, pranoi që edhe të jem zhgënjyer. Ti për shembull, të kam pas njohur nga maja e çatisë, e tani e kuptoj që kam pas gabuar, duke të përkrahur e ndihmuar, pa i pas merituar…”.
“Treshja Gjergj Titani, Todi Lubonja dhe Fadil Paçrami, nuk lenë njeri pa marrë nëpër gojë, pa i bërë karakteristikat dhe pa i dhënë çmime”, thotë Rrahman Parllaku. Tema të preferuara të këtyre janë thashethemet. Në fillim Todi dhe më pas dy të tjerët, çfarë nuk thanë për Zv/ministrin (Mihallaqin). Donin të më bindnin se është ambasador i organeve të Sigurimit të Shtetit. Më pas i kam dëgjuar me neveri të marrin nëpër gojë, gra e vajza….!
Kur i thashë Fadilit, se në këtë drejtim kam pas menduar se është më serioz, e…………….i dogji dhe u mbrojt me ato, se duke qenë sekretar i Komitetit të Partisë së rrethit të Tiranës, rasti e funksioni e kishte sjellë të mendonte shumë gjëra.
Sidoqoftë, i thashë, as funksioni, as rasti nuk janë kryesore, por karakteri. Të gjithë jemi marrë me punë partie, po atë se kemi shfrytëzuar për t’u future në institucionet që dëgjoj nga ju dhe s’i kemi leju vetes të drejtën që të marrim nëpër gojë, gra, vajza dhe familje!
Në një rast, Todi Lubonja, pasi kishte lexuar nekrologjinë e Rakip Hoxhës, tha: “….Kemi qenë në një kohë në Korçë. Kam pas shkuar mirë me to, kishim edhe marrëdhënie familjare. Mirëpo, pas dëbimit tim, dyshoj se do të ma ketë future. E them këtë, sepse kam parë që udhëheqësi i Partisë, diku shkruan, sikur unë kam zhvilluar veprimtari armiqësore edhe kur isha në Korçë. Mendoj se në këtë zbulim, do të ketë dhënë kontributin e tij, edhe Rakipi, si Kryetar Dege që ishte!
Rrahmani, midis të tjerave i thotë: Më vjen shumë keq që ti dënimin, e kërkon sikur ta futi ky apo ai, sepse ty të dënoi një plenum i tërë dhe me unanimet. Më pas çështjen tuaj, e dënuan njëri pas tjetrit, disa plenume, gjithë partia dhe Kongresi. Në veprimtarinë tuaj, u lidhën edhe ato të grupeve të tjera. Pra s’është një çështje e një mendimi, as një veprimtari e izoluar. Dhe se di se si ka ndodhur me Rakipin, por edhe në rast se ka folur dhe ka shkruar kundër veprimtarisë tënde, ka bërë shumë mirë, ka bërë detyrën si komunist e si kuadro”.
Ata s’bëjnë teatër, vetëm biseda në të cilat qëllimi kryesor është denigrimi i kuadrove të Partisë, organeve të saj, Ushtrisë Popullore, pushtetit e çdo gjëje dhe vetëlavdërimi midis tyre, regjisor, është Todi Lubonja, altoparlant, Gjergj Titani.
Ky është aq i poshtër, agresiv, sa nuk di se në disa raste mezi jam vetëpërmbajtur, s’e kam provuar rrahjen. S’ke ç’i bën bashkë ekzistencës së detyruar me plehra të tillë. Në një rast, Todi i thotë Kiços: “Se unë flas në mënyrë të kulturuar’, ja prita. Ti flet në në gjuhën e të pakulturuarit”. Todi urren në gjithçka, organet e diktaturës, sidomos të Sigurimit, kuadrot dhe deri njerëzit e dënuar që mbajnë qëndrim autokritik. Këtu s’ka marrëdhënie me disa të dënuar. Urren, e sidomos ka frikë nga ai.
“Xhavit Qesja, duke biseduar në një rast me të”, thotë Kiço, midis të tjerave, m’u shpreh në këtë mënyrë: “Më patën akuzuar si anti-sovjetik, kundërshtova se nuk është e vërtetë…! Çështja për të cilën jam dënuar, është një çështje personale. Në gjyq, s’kam pranuar asgjë. I kam shkruar vetëm udhëheqësit të partisë….”. Me një farë krekosje më pas vijoi: “Edhe udhëheqësit të Partisë i kam shkruar, mos e dini veten për gjel! Jam bërë e do bëhen kongrese Partie dhe s’ka dyshim që ato do ta shikojnë më pas, për ngjarje dhe njerëz. Këtu e kësaj, nuk i shpëton as këtë udhëheqësi”.
“Butrinti”
Raport-informacioni i Punëtorit Operativ, Vehap Kuka, me të dhënat e bashkëpunëtorit të Sigurimit me pseudonimin “I penduari”, lidhur me bisedat që bënin të të dënuarit: Xhavit Qesja, Maqo Çomo, Dilaver Radëshi, Vaskë Gjino, Gjergj Titani, Fadil Paçrami, Rrahman Parllaku, Kiço Ngjela, Todi Lubonja, Bardhyl Belishova, Lipe Nashi, etj., në burgun e Burrelit
Marrë nga P.Op. V. Kuka
Dhënë nga B.p. “I penduari”
Më 15.6.1981 Sekret
R A P O R T
Burimi njofton se gjendja e sotme e sidomos nga ngjarjet në Kosovë, lidhur me gjithë situatën e kohëve të fundit, shihet ky qëndrim i përgjithshëm te ne:
Në përgjithësi, grupimi: Maqo-Bardhyl, Gjergji, Todi e Fadili, që kanë një shkuarje të mirë ndërmjet njeri-tjetrit dhe që bisedojnë edhe fshehtazi me njëri-tjetrin, janë larguar çfarëdo bisede që është bërë për artikujt e rëndësishëm, që ka pasur shtypi ynë.
Por ai e shfaq gjatë gjithë këtyre ditëve, Todi është përpjekur me anë të Gjergjit, që si në çdo rast, të marri masa që të hapi biseda për sportin, për të tërhequr vëmendjen, se gjoja këta,. Nuk bisedojnë për asgjë tjetër. Kurse në të vërtetë, në këtë kohë shihet e shfaqet e theksuar thellimi i ndarjes në grupet e ndryshme.
Si shikohet konkretisht kjo: Ka rifilluar që të miqësohet përsëri Xhaviti me Maqon, Bardhylin, duke filluar të flasin me njëri-tjetrin dhe të bëjnë muhabete të vogla. Maqua më shumë, interesohet të afrohet dhe Xhaviti u flet këtyre, Maqos dhe Bardhylit, megjithëse ai me të gjithë ka folur dhe ka deklaruar: “Se unë me ata, as në varr nuk puqem! Sepse ata presin, që t’ju vijë “Zimi” e t’i marrë nga Jakubovski e Kulikovi dhe se unë akoma, që nuk jam anti-parti, po të vij Liri Belishova në krye, do deklaroj dhe do bëhem anti-parti”.
Fadili dhe Todi, jo vetëm nga ana tjetër, jo vetëm që e kanë shtuar miqësinë me Maqon dhe Bardhylin, edhe Gjergjin, por Fadili nuk rri pa shprehur edhe urrejtje, në çdo rast dhe për çdo bisedë dhe sa më e thjeshtë të jetë, shkoi kundër Agronit, Lipes e Hazbiut, e në ndonjë rast edhe për Kiçon e Rrahmanin”.
Tipike është dhe rasti kur një ditë, bëri llafe Vaska me Fadilin, në korridor, sepse Fadili foli në përgjithësi për……….dhe Vaska i foli rëndë, duke e sharë Fadilin, Maqua, që të mos i prishet muhabeti, menjëherë kapi Vaskën në orën e ajrimit në oborr dhe i fliste duke i thënë, se ti Vaskë, nuk bëre mirë që i fole aq rëndë Fadilit, se është shok i mirë dhe nuk kishte gjë me ty.
Vaska, siç dëgjohej nga Kiçua e burimi, nuk ja pranonte këto këshilla Maqos, në këto raste kur po i dëgjonte. Burimi i tha shi se ç’bën Maqua me Vaskën, ai e qorton për llafet që bëri me Fadilin. Kiçua i tha burimit, Maqua ashtu bën, se ai thotë se nuk duhet të merremi, sepse një dorë na ka goditur.
Në orën e ajrimit në oborr, burimi i tha Kiços: “Interesant si nuk flasin këta asnjëri për gjithë këto ngjarje të rëndësishme, e sidomos për këto të Kosovës”?! Kiçua ju përgjigj burimit: “Në vendin e gatimit ku vijnë Todi, Fadili, Gjergji, Maqua dhe Bardhyli, këta në përgjithësi nuk flasin, veçse kur ne hapim me Rrahmanin, për artikujt rreth ngjarjeve në Kosovë, Gjergji dhe Todi, duke thënë ndonjë fjalë të përgjithshme, se artikulli mirë jua bëri, jugosllavët, gabim dhe tani u futën thellë në Kosovë, ose për atë që ndodhi në ambasadën tonë në Tiranë, këto janë metoda të vjetra dhe të njohura”.
Gjithashtu Kiçua i tha burimit, se Rrahmani i kishte thënë Kiços, se kur kishte bërë një bisedë me Vaskën për ngjarjet në Kosovë, Vaska i kishte thënë Rrahmanit, se jugosllavët u futën thellë në këto qëndrime dhe tani s’dalin dot, por kur i thashë, thotë Rrahmani, për ato që kanë dorë edhe sovjetikët, Vaska nuk foli fare dhe ky i thotë Rrahmani, Kiços, më bëri shumë përshtypje.
Në një rast tjetër, Maqua, në mensë ku ishte Gjini, Vaska e Nevruzi, dhe pa dëgjuar fare bisedën, tha dhe iku: “Ja, këtu do jemi që të gjithë, do vijmë tek këto që thotë Gjini”. Këtu është fjala se i thonë Gjinit, se ti flet gjithmonë kundra imperializmit, po pse nuk përmend edhe social-imperializmin?!
Më datën 13.6, burimi u shoqërua me Vaskën në oborr në orën e ajrimit dhe Vaska i tha atij: “Se situata është shumë e acaruar, janë mprehur shumë të dy palët, shumë tanke kanë përqendruar sovjetikët në Gjermani se edhe kjo e Kosovës nuk është e shkëputur nga e gjitha kjo situatë”. Në përgjithësi shprehte një frikë dhe shqetësim të madh.
“I PENDUARI”
Sqarim: Maqo, Bardhyli, Gjergji, Todi, Fadili, Vaska e Gjini, janë të dënuar antiparti dhe ndiqen nga ana jonë në përpunim aktiv 2/A, si të tillë. Xhaviti është i dënuar antiparti, kemi të dhëna në ngarkim të tij në fashikull.
Vlersimi: Raporti paraqet interes operativ, pasi në të del një farë grupimi i elementit të dënuar antiparti që vuan dënimin në Repartin 321 dhe urrejtja që ka ky element dhe shpresat që kanë ata në zhvillimin e situatës.
Detyrë: B.p. ju dha detyrë që të zhvillojë përsëri bisedë me këtë element dhe gjatë tyre të s’kjarojë: Çfarë qëllimi dhe organizimi ka grupimi i Maqos, mënyrën e lidhjes së tyre, nëse kanë lidhje me të dënuarit antiparti në krahët e burgut dhe si i realizojnë. Të na informosh për komentet që do të ketë lidhur me ngjarjet në Kosovë dhe në botë.
Masa operative: Raporti t’i kalohet udhëheqjes së Degës për studim, pasi të merren vërejtjet dhe udhëzimet, të shtypet në 8 kopje, 7 prej të tyre të vendosen në dosjet formulare të objekteve dhe njëra të vendoset në fashikullin e përgjithshme të informatave për Xhavitin.
Raporti të shfrytëzohet për informacion edhe për buletinin e parullave armiqësore të muajit. /Memorie.al
Punëtori Operativ
Vehap Kuka
Vijon numrin e ardhshëm
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016