Nga Uvil Zajmi
Memorie.al / Cilat janë skuadrat e mëdha, ato që kanë shkruar historinë, protagoniste të kampionateve kombëtare në futbollin shqiptar, nga rikthimi i tij në vitet pas lufte, deri në 1990? Nga e para “Dinamo” e Jarecit, pastaj “Partizani” i Spahiut, “17 Nëntori” i Lym Allës, “Vllaznia” e Xhod Shaqirit, dominim i “Dinamos” me treshen e famshme, “Partizani” i Bejkush Birçes dhe “17 Nëntori” i Kolës, Mingës e Muçës. Pa harruar “Besën” me “tika-takën”, “Shkëndijën” e Konçit, “Flamurtarin” e jashtëzakonshëm në përballjet europiane, apo “Labinotin” me titullin e harruar? Secila me lojën, fizionominë, traditën, shkollën, trofetë e fituar. Një rikthim në edicione, formacione nga 1946 deri në 1990: klubet, futbollistët, trajnerët, skemat, strategjitë. Janë vite kur luhej pa të huaj, as presidentë, pa sponsorë e fanella të personalizuara, pa kontrata stratosferike, pa pagesa e transferime të bujshme. Ndeshje të paharruara, rezultate surprizë për mundësitë, kushtet, rrethanat, diktaturën.
Nga vitet e para pas lufte kur nis e ri luhet normalisht me Vllazninë kampione dhe Partizanin e sapoformuar që ndajnë titujt, te sfidat, miqësoret e kohës ndaj Spartakut të Moskës, Zvezdës e Partizanit të Beogradit, Levskit të Sofjes. Me përfaqësuesen kampione të Ballkanit, e suksesshme edhe në disa takime miqësore, ato ballkanike e të Europës Qëndrore. Veçanërisht barazimi 0-0 me Hungarinë.
VITI 1950, “DINAMO” E GJINALIT DHE JARECIT, E MADHE QË NË START
Skuadra e parë dominuese që kur u shfaq, ishte “Dinamo” e sapokrijuar. Një befasi e madhe, fituese e 6 titujve kampionë, në 7 edicione, nga të cilat 5 radhazi bashkë me 4 Kupa të Shqipërisë. Triumfuese e dyfishtë kampionat-kupë, që në debutim në sezonin 1950, pas fitoreve 1-0 (Kavaja), barazimit 2-2 (Boriçi, Gjinali, Parpani, Bonati) në kampionat dhe 2-1 (Bakalli, Jareci, Parapani) në finalen e kupës, të tria ndaj “Partizanit”.
Me emra të njohur, lojtarë të ish-skuadrave të tjera, “Vllaznia”, “Partizani” dhe menjëherë në elitë. Me uniformën e njohur bardhë ose blu e, me shkronjë “D” në krahun e majtë, pa rivalë, në një periudhë disavjeçare në panoramën futbollistike kombëtare, pesë vite e padiskutueshme në rivalitetin e madh të kohës me “Partizanin”, dy skuadra ushtarake, përfaqësuese të Ministrisë së Brendshme e të Mbrojtjes.
Një histori e nisur dhe e pandarë me Zihni Gjinalin, shpesh lojtar-trajner, një emër i madh, por mbi të gjithë me Skënder Jarecin, njeriun simbol për Klubin-Sportiv. I tillë ishte nga dita e parë e krijimit si lojtar dhe më vonë si trajner. Filozofia e tij, ajo që ai krijoi kur luajti, loja akademike, me fantazi, një klasike që u ruajt në dhjetëvjeçarë, për t’u përcjellë deri në shekullin aktual.
“Dinamo”, 1950-1956 përbëhej nga: Qemal Vogli, Xhevdet Shaqiri, Boriçi, Sherko, Murati, Sabri Peqini, Kavaja, Bakalli, Pal Mirashi, Skender Jareci, Zihni Gjinali, Bule Vathi, Teliti, Cungu, Dashi, Bet Vila, Roza Haxhiu, Skënder Begeja, Tafmizi, Sheshi, Thermia, Xhani, Metani, Engjëlli, Fiqiriu, Aurel Verria, Gjyli, Daci, Qoshja, Shyq Rreli, Stavri Lubonja, Beliu, Alluni. I paharruar takimi “Dinamo”-“Dozha Ujpeshtit”, më 10 korrik 1955, barazimi i madh 1-1.
1956, PARTIZANI I SPAHIUT, RESMES E PANOS
Kjo është skuadra që u rishfaq e fortë, sunduese menjëherë pas dominimit dinamovit, duke u konfirmuar gati për një dekadë si protagoniste në Shqipëri e jashtë saj. Gjithçka pas finales së parë, 26 qershor 1957 në “Qemal Stafa”, pasi e kanë mbyllur kampionatin me pikë të barabarta, “Partizani”-“Dinamo” do të ndeshen për titullin, e para e një përballjeje të tillë dhe 3-1 për të kuqtë (Skënder Jareci, Gani Merja, Kolec Kraja, Roza Haxhiu).
Këtu nis epoka e “Partizanit” të pandalshëm, një grup solid, fitues ndaj të gjithëve. 6 tituj kampionë (vetëm një herë “Dinamo” 1960), katër Kupa të Shqipërisë. Triumfues në finalen e dytë, sërish ndaj “Dinamos”: korrik 1961, 0-0 ndeshja e parë dhe 1-0 (Pano) pas 122 minutave e dyta. Finalist në turnetë e njohur të ushtrive të vendeve socialiste, Lajpcig 1958 dhe në Hanoi 1963, të dyja me humbje 0- 1. Skuadra e parë shqiptare pjesëmarrëse në Kupën Ballkanike me klube, sezoni 1961 (1 fitore 2-0 ndaj Levskit (Kraja, Jashari), 2 humbje dhe 1 barazim). Më pas debutimi në Kupën e Kampioneve, me tri pjesëmarrje radhazi e tri rezultate spektakolare për kohën në “Qemal Stafa”: “1-0 (Kraja) ndaj “Norçepingut”, 1-0 (Pano) ndaj “Spartak Plodvivit”. dhe 0-0 me Këlnin.
“Partizani” 1957-1964, ka qenë edhe baza e ekipit përfaqësues. Lojtarët: Sul Maliqati, Topi, Mikel Janku, Deliallisi, Besim Fagu, Miço Papadhopulli, Baçi, Gani Merja, Kolec Kraja, Miço Ndini, Roza Haxhiu, Refik Resmja, Skënder Dedja, Lin Shllaku, Çaushi, Karanxha, Nuri Bylyku, Qemal Vogli, Robert Jashari, V. File, F. Vogli, Niko Bespalla, Tomorr Shehu, Ilijaz Dingu, Mitrushi, Pavllo Bukoviku, Sotir Seferaj, Kërcini, Z. Shehu, Panajot Pano, Osman Mema, Teli, Fatmir Frashëri, Vasil Konomi, Luigj Bytyçi, Gogoni, Teodor Vaso, Mexhit Haxhiu, Foto Andoni, Sinjari, Zaho. Trajnerë, dy strategë: Rexhep Spahiu dhe Loro Boriçi.
Është “Partizani” i dy ikonave: Refik Resmja simbol, shënuesi, kapiteni dhe Panajot Pano legjenda, idhulli, lojtari më popullor, si dhe vetë “Partizani”, skuadra me më shumë tifozë në Shqipëri. 1964 është fundi i ciklit, i papërsëritshëm për historinë e klubit.
1964, “TIRONA” E LYM ALLËS
Është skuadra që ndryshoi historinë e futbollit kombëtar, kur u shfaq jo vetëm protagoniste, por edhe triumfuese, spektakolare. Sinjali i parë u dha kur fitoi Kupën e Republikës në prill të vitit 1963, me dy finalet dramatike me “Besën”. Shpërthimi do të vinte dy vite më vonë, në sezonin 1964-1965, kur u shpall kampione për herë të parë, duke thyer hegjemoninë njëzetvjeçare “Partizani”-“Dinamo”. Filozofi e re loje, me futbollistë të talentuar, virtuozë, grup, lojë kolektive, e drejtuar nga Myslym Alla, dikur trajner i “Partizanit”, por tashmë në stolin tiranas, strategu i vërtetë i saj nga krijimi, afrimi i atij brezi të mrekullueshëm, drejtimi dhe suksesi.
Gjashtë sezone dominuese me futboll të bukur, ego, shpirt të lartë gare, tifozërinë e zjarrtë të tribunës A, gola, përmbysje rezultatesh, me katër tituj të fituar dhe një të mohuar nga përjashtimi padrejtësisht prej kampionatit 1966-1967, pas “Partizani”-“17 Nëntori” 1-2, tri javë para fundit me tiranasit thuajse me titullin të siguruar. E paharruar finalja 2-1 ndaj “Partizanit” për titullin kampion në 1966.
Përfaqësimi i jashtëzakonshëm në Kupën e Kampioneve, me tri rezultate pozitive në “Qemal Stafa: 1965, 0-0 me “Kilmarnokun” më 1969, 1-1 (Xhuxh Kazanxhi) me “Standart-Liezhin” dhe 1970, 2-2 (Xhuxh Kazanxhi, Medin Zhega) me “Ajaksin” e Johan Krujfit. Me Skënder Halilin “liberon” modern, ndër të parët në këtë rol; Frashërin mbrojtësin e djathtë me daljet në sulm; Ali Memën shpirtin e skuadrës; Bukovikun, Kazanxhi, Bytyçin në mesfushë; dy anësorët e shpejtë, Xhaçka nga e djathta, Ishka nga e majta dhe me Hykën qëndërsulmues, realizues.
“17 Nëntori”, apo “Tirona” e Lym Allës kështu kujtohet edhe sot, me: Tafaj, Elini, Bathorja, Hatibi, Konomi, Kazanaxhi, Ishka, Frashëri, Halili, Kasmi, Bylyku, A. Mema, Bytyçi, Xhaçka, Gjoka, Bukoviku, Hyka, Saraçi, Konomi, O. Mema, Verria, Dhales, A. Çela, P. Nurishmi, D. Hatibi, L. Shala. Pa harruar debutimin në Kupën Ballkanike, sezoni 1964-1966, veçanërisht me fitoren 2-0 (Frashëri, Xhaçka) ndaj Beshiktashit të Stambollit.
1972, VLLAZNIA SHAQIRIANE E ZHEGËS, RRAGAMIT, BIZIT
Në këtë vit do të nisë cikli i një skuadre gjeniale, e para që tronditi futbollin shqiptar, i sunduar kryesisht nga klubet kryeqytetase. Një Kupë Republike në 1965 dhe një përfaqësim dinjitoz si debutuese në Kupën Ballkanike (1967), 4 -0 ndaj “Beroes” të Bullgarisë (Selami Dani, Ali Mema, Zan Rragami, Gjergji; 1-0 ndaj “Gençelerbirligi” (Dani); 2-1 me “Farul C”. dhe vendi i dytë në grup, skuadra shkodrane do të shfaqet prepotente në fillim të viteve ’70-të, me kulmin në edicionin 1971-1972, fituese e dyfishtë kupe dhe kampionat, i pari klub jo tiranas që merr njëherazi dy trofetë kombëtarë. 40 pikë të grumbulluara, duke lënë pas “17 Nëntorin” me 37, “Dinamon” me 36 dhe vetëm një humbje 1-2 me “Partizanin” në 28 javë.
Por, jo vetëm në atë sezon: Vllaznia do të jetë protagoniste, duke marrë edhe dy tituj të tjerë: në 1974, 1978, si dhe një Kupë Republike. Me to edhe ndeshja spektakolare, fitorja historike 2-0 (Medin Zhega, Shyqri Ballgjni) ndaj “Austrisë” Voenës. në Kupën e Kampioneve në 1978. Por cilët ishin lojtarët, ata që krijuan atë formacion mitik? Gjithçka do të marrë udhë kur në Shkodër janë rikthyer Paulin Ndoja, Ismet Hoxha, Selami Dani, me ta edhe tre yjet:
Zan Rragami organizator, Din Zhega shënues, Sabah Bizi lider, udhëheqës skuadre, i kudondodhur, të tre titullarë, kampionë të mëdhenj edhe në Kombëtare. Me Lekajn, Lek Koçobashin, Mendu Dedjen, Pukën, Rakiqin, të rinjtë Çanga, Basha, Suat Duraj, Plumbini, Qeraj, Astrit Hafizi, Millan Vaso etj., emra të shquar, talente, produkt i shkollës vendëse. Klas i lartë në mesfushë që garantonte ekuilibër, lojë plot fantazi, harmonike në sulm, një formacion që drejtohet nga Xhod Shaqiri, një tjetër simbol i qytetit, klubit. Një periudhë e artë për klubin, me Vllazninë, një ndër skuadrat e mëdha edhe për historinë tonë.
1972, SHKËNDIJA, NJË “AJAKS” I FUTBOLLIT SHQIPTAR
Ndonëse nuk ka qenë ndër formacionet e mëdha, por e veçantë për kohën, periudhën kur u shfaq e atë që demonstroi. Sezoni 1972-1973, për herë të parë një skuadër e Shkollës së Mjeshtërisë Sportive, do të luajë në Kategorinë e Parë. Pa traditë, as histori, as emra të shquar, pa mbështetje, jo klub i mirëfilltë, por me nxënës, studentë të një shkolle të këtij profili, e hapur pak vite më parë në Shqipëri. Dhe menjëherë në elitë, madje surpriza e saj. Djem të rinj, pasion i madh, shumë të talentuar dhe që drejtohen nga një mjeshtër, profesori i trajningut, Zyber Konçi, ish-trajner i “Dinamos” dhe Kombëtares. Lojë e shpejtë, përgatitje e lartë fizike, spektakël, gola, duke i befasuar të gjithë edhe gjigantët e traditës ndër të cilët “Partizani”, “viktima” e parë shkëndijase pas humbjes 1-2 në “Qemal Stafa”.
Një “Ajaks” për futbollin në Shqipëri. Me daljet në sulm të mbrojtësve Kurti e Spiro Curri, Petit Gjoni në qendër, me Milto Gurmën apo siç njihej ndryshe; “Bekenbauerin” në mesfushë, talentin Vasillaq Zëri, organizator e filtrues, Agron Sulaj në sulm realizues i mbështetur nga Agim Bulku e Mustafa Fagu me lojën e shpejtë, improvizuese në krahë. Një shkëlqim që zgjati vetëm tre vjet, deri kur grupi i parë i “Shkëndijës” u largua, me ta edhe trajneri Konçi.
Përfaqësim dinjitoz në Kupën Ballkanike, në të parin e të fundit konkurrim në këtë trofe: viti 1972, 2-1 me “Kavallën” (Fagu, Bulku) dhe 1-1 me “Vardarin: e Shkupit (Zëri). Pjesa më e madhe edhe e ekipit kombëtar Shpresa, përbëhej nga ky grup. “Shkëndija” në ato vite ishte një formacion që solli zhvillim, stil, mentalitet të ri e modern loje, krejt ndryshe dhe që i argëtoi të gjithë, duke lënë gjurmë edhe pse nuk fitoi asnjë trofe. Disa nga lojtarët e atij brezi: Arjan Hoxha, Vladimir Ajazi, Kurti, Petrit Gjoni, Hushi, Milto Gurma, Spiro Curri, Ballco, Agim Bulku, Dashnor Bajaziti, Astrit Hafizi, Agron Sulaj, Mustafa Fagu etj.
1973, “BESA”, “TIKA-TAKA”, NJË BARCELONË E KOHËS
Kështu do ta përcaktonim skuadrën kavajase të fillim viteve ’70-të, kur “tiki-taka” dhe “offside” artificial ishte tipari kryesor i lojës, rezultateve dhe paraqitjes së “Besës” në Shqipëri dhe jashtë saj. Madje, duke u kualifikuar në turin e parë të Kupës së Kupave, në sezonin 1972-1973 me danezët e “Framad”, një rezultat i jashtëzakonshëm për historinë, klubin. Ishte Muhamet (Bet) Vila, njeriu që e njihte mirë filozofinë, mentalitetin, mundësitë, forcën e futbollit kavajas të krijuar nga trajnerët Skënder Dedja e Zihni Gjinali.
Lojë e shtruar me pasime, duke vënë në vështirësi të gjitha skuadrat, veçanërisht me “offside” artificial, skuadra e parë dhe e vetme që e aplikonte me sukses një taktikë befasuese, moderne për kohën. Finaliste në Kupën e Shqipërisë në 1972, në dy takimet dramatike me “Vllazninë”, një skuadër jo e madhe, por modeste, që meriton vlerësim dhe një vend në ciklin tonë.
“Besa” e “cicmicit” të paharruar nga Haki Arkaxhiu, Tole Feshti, Azem Mullaliu, Osman Kapedani, Naim Hushi, Shyqri Qerolli, Besnik Dyla, Bujar Pagria, Z. Kashami, Nimet Merhori, Naim Allaj, Muharrem Karriqi. Xhemil Bishtaja (Bajaziti), te trajneri legjendar Bet Vila. 1971, debutim dhe finaliste në Kupën Ballkanike: “Besa”-“Panionios” 1-1 (NImet Merhori) dhe 1-3 (Xhemil Bishtaja). Një takim historik që regjistron edhe ndeshjen e parë me një klub grek pas lufte.
1973, “DINAMO” SPEKTAKOLARE E ZËRIT–PËRNASKËS-BALLGJINIT
Një skuadër e madhe jo vetëm për ciklin tonë, por edhe për futbollin shqiptar. “Dinamo” e treshes fenomenale Zëri–Përnaska-Ballgjini, që edhe sot vazhdon kështu të vlerësohet. Pa asnjë trofe, nga i fundit 1960, pastaj ai në 1967 “i dhuruar” në tavolinë si dhe një Kupë Republike në 1971, “Dinamo” e pasvitit 1973 deri në fund të asaj dekade do të kthehet tejet protagoniste.
E krijuar nga strategu Skënder Jareci, bazuar në filozofinë e tij duke ndërthurur lojën klasike të traditës, filtrimet në mesfushë të Iljaz Çeços dhe Gani Xhafës, spostimet në krahë të Torez Çirakut, i pari “allë tornante” moderne, me veprimet individuale të treshes virtuoze: Vasillaq Zëri i ardhur nga “Shkëndija”, ndër lojtarët më të talentuar që ka prodhuar futbolli kombëtar, me një teknikë të lartë individuale, fantazi, driblues, shënues; Përnaska, produkt i shkollës dinamovite, zbulim i Jarecit, goleador i shquar, 6 herë radhazi goleadori më i mirë.
Gola me të gjitha mënyrat, njohës i zonës, portës, kurajoz, ka ndëshkuar çdo skuadër; Shyq Ballgjini i ardhur nga “Lokomotiva”, shpërthyes krahu, i fuqishëm, i pandalshëm nga kundërshtarët. 5 tituj kampionë dhe dy kupa: 1972- 1973 (14 skuadra), 16 fitore, vetëm një humbje, 41 pikë (34 “Partizani” i dyti), 38 – 11 golat nga të cilët 17 janë të Përnaskës; 1974-1975 në krye për 26 javë, 44 pikë (“Vllaznia” 39 pikë) me 58 gola të realizuar ndër të cilët: Ilir Përnaska 19, Vasillaq Zëri 13, Shyq Ballgjni 11, Iljaz Çeço 5. Për të vijuar kampionë edhe në 1976, ‘77, ’80-të, me trajnerët Dume, Sabri Peqini, Saimir Dauti që pasuan Skënder Jarecin.
“Dinamo” e atyre sezoneve është: Jani Rama, Ahmet Ahmedani, Frederik Gjinali, Rifat Ibërshimi, Faruk Sejdini, Gani Xhafa, Iljaz Çeço, Ilir Përnaska, Hume Kodra, Torez Çiraku, Hoxha, E. Astrit Hafizi, Kujtim Çoçoli, Çutra, Haxhi Mergjyshi, Dhrima, Shapllo, Xhoxhi Puka, Vasillaq Zëri, Petrit Gjoni, Zenuni, Muhedin Targaj dhe Andrea Marko. Nuk patën fat të luanin në ndeshje ndërkombëtare, pas vetëpezullimit të futbollit shqiptar në ato vite. Spektakolare, e paparashikueshme, e frikshme për çdo ekip, veçanërisht në sfidat derbi, rivalitet e shumë befasi!
1978, “PARTIZANI” I BEJKUSH BIRÇES
Sezoni 1978-1979, në skenë do të shfaqet “Partizani” i Bejkush Birçes. Skuadër robuste, e suksesshme në Shqipëri, rivalizuese edhe në sferën ndërkombëtare. Janë disa vite me të kuqtë protagonistë: kampionë në vitin 1979, 1981, fitues të Kupës në 1980. Më pas tri konkurrimet europiane: 1-0 në Tiranë ndaj “Sëlltikut” (Skoci) me golin fantastik të Agim Muratit, për të ardhur te dy sfidat e tjera dramë në “Qemal Stafa” kur kualifikimi ishte më pranë se kurrë: 0-0 me “Malmon” (Suedi) në Kupën e Kupave (0-1 në Suedi), kur Ferit Rragami humbet një 11-metërsh të shpresës së madhe.
Lojë spektakolare dhe 1-0 (gol i Haxhi Ballgjnit) me “Austrinë” e Vjenës, Kupa e Kampioneve (1-3 e para). Skuadër e krijuar me futbollistë fizikisht të përgatitur, me lojë tipike, jo shumë spektakël, më tepër fizike, presion, psikologji e njohur karakteristike e traditës, klubit duke shfrytëzuar eksperiencën e Berishës, Jankut, Muratit, alternuar me talentet: portierin Perlat Musta, Artur Lekbellon, Sul Starovën, Kristaq Eksarkon, durrsakun Haxhi Ballgjini, Kastriot Hysin, Meçen, Gjinin, Ferit Rragamin, London, Ilir Lamen, Hasan Likën, Arjan Ahmetajn, Skënder Brecën, Hadon, Priftin, Mustafa Fagun, Bushatin, Genc Tomorin, Mançen, Cikon.
Me Birçen në stol, një emër, një garanci që pas përvojës së parë te “Partizani” në 1972, asaj në Kuçovë me “Naftëtarin”, i rikthyer te “demat”, krijoi, drejtoi skuadrën ndër më të fortat e Klubit, me ndihmës Panajot Panon.
1982, “17 NËNTORI” FENOMENAL I KOLËS, MINGËS, MUÇËS
Pas “17 Nëntorit” legjendar të Lym Allës, ai i dhjetëvjeçarit ‘80-’90-të do të jetë i dyti në historinë e klubit, edhe ky imponues me 4 tituj kampionë dhe tri kupa të fituara, por dhe katër kualifikimet e mëdha europiane, tre në Kupën e Kampioneve: 1982 e para historike për një klub shqiptar në këtë trofe, 17 Nëntori-Linfild 1-0 (Kola) dhe 1-2 (Minga); 1988-1989, 17 NëntoriHamrun S. 1-2 (Stoja) dhe 2-0 (Hodja, Josa); 1989-1990, 17 Nëntori-Sliema U. 0-1 dhe 5-0 (Kola 2, Bardhi, Hodja, Riza).
Pa harruar atë në Kupën e Kupave 1986-1987, me dy fitoret ndaj Dinamos B. 1-0 (Kola) dhe 2-1 (Shkëlqim Muça, Mirel Josa). Është periudha e një rivaliteti të madh ndërmjet skuadrave të kryeqytetit me “Vllazninë”, “Flamurtarin”, “Labinotin” edhe ato të suksesshme, fituese.
Skuadra drejtohet nga Enver Shehu e më pas Shyq Rreli, me tre “qershitë mbi torte” që nuk njohin skema, taktika e kundërshtarë: talenti Çim Muça në mesfushë dhe binjakët “vrasësi” Gust Kola e gjiganti Ben Minga në sulm, titullarë edhe në Kombëtare në rezultatet e bujshme: 2-2 (Bedri Omuri, Gust Kola) në Poloni; 1-2 (Muça) me Spanjën dhe 2-0 (Mirel Josa, Ben Minga) ndaj Belgjikës. Një pjesë e tyre edhe me ekipin Shpresa, kur pas barazimit 1-1 (Josa) në Trier, eliminojnë moshatarët e Gjermanisë. E paharruar edhe fitorja 7-3 në derbin me “Partizanin”.
Nga Bujar Sharra, Durim Mersini, Roga, Dinella, te Lush Sengla, Tit Dibra, Mond Gëzdari, Tit Metani, Nine Naçi, Millan Baçi, më pas Armadhi, Ben Vila, Besim Vladi, Arjan Bimo, Bedri Omuri, Nard Liti, Demneri, Sul Mema, Ben Minga, Gust Kola, Mirel Josa, Tit Ramadani, Stoja, Ner Hodja, Çim Muça, Tur Lekbello, Arjan Bimo, Bylyku, Daja, Alimehmeti, Kepi, Sako, Riza, SAinan Bardhi janë futbollistët e asaj skuadre të madhe, e tillë edhe për ne.
1984, “LABINOTI” KAMPION, NJË TITULL I HARRUAR
Në dominimin “17-nëntoras” të viteve ‘80– ’90-të, ndër skuadrat që mundën të “rrëmbenin” nga një trofe si “Dinamo”, “Vllaznia”, “Partizani”, është edhe “Labinoti” i Elbasanit. Sezoni 1983- 1984, do të regjistrojë një surprizë të madhe: “Labinoti” kampion që bashkë me “Vllazninë” është skuadra e dytë jo kryeqytetase, e cila merr një trofe të tillë kombëtar. I pari dhe i fundit për klubin deri në 1990. Një skuadër e fortë, me lojtarë të tillë, të gjithë të shkollës me traditë elbasanase, trajnerëve pasionantë të saj. Një titull plotësisht i merituar në kulmin e rivalitetit të atyre viteve.
Nga portieri Gogunja, me 1037 minuta pa pësuar gol, rekord jo vetëm shqiptar për kohën, mbrojtësit Delia, Arapi, Ferdinand Lleshin si qendërmbrojtës, Rama, Kaloti, Shegani; mesfushorët nga Asllani, Mustafaraj, Tafani, Popa, Staceni, Vrapi te Gjuraj; sulmuesit nga R. Agalliu, Luniku, Bega, Branica te Mitrollari, një makinë goli. Mjaft prej tyre edhe në ekipin Shpresa dhe në Kombëtare. Një skuadër me djem te rinj, 23 vjeç mosha mesatare, lojtarë cilësorë, lojë në grup, agresiv.
Dhe në stol me legjendarët Frederik Jorgaqi, Dashamir Stringa dhe K. Bishqemi. Vetëm një vit triumf, në çastin, momentin e duhur. Pastaj eliminim pa zhurmë në Kupën e Kampioneve me “Lyngby” (Dan) 0-3/0-3, harresë disavjeçare për t’u rikthyer protagonist në shekullin e ri me emrin Futbol-Klub Elbasani, kampion në 2005-2006.
1988, “FLAMURTARI” QË TRONDISTE EUROPËN
I tillë u krijua, u përfaqësua e u shfaq “Flamurtari” i fundvitit ’80-të, duke rivalizuar me sukses deri në ekstrem klubet kryeqytetase, me to edhe “Vllazninë”, interpretuese e një futbolli sa praktik, aq modern, rezultativ, protagoniste në finale, ndeshje dramatike, sfida të mëdha, të luajtura jo vetëm përballë tifozërisë pasionante vendëse, por kudo deri në Beograd e Barcelonë.
Një skuadër unike për çfarë solli, transmetoi e dhuroi, ndonëse në arkiv ka vetëm dy Kupa të Shqipërisë (1985/1988) si dhe një titull kampion në 1991. Por mbi gjithçka, kualifikimet spektakolare, të bujshme në trofetë kontinentalë: nga Partizani i Beogradit, kjo përtej historisë 2-0/1-2 (Iljadhi, Sokol Kushta) te “Vismut” 2-0 (Rrapo Taho, Vasil Ruci).
Lojë moderne, energjike, tipike e karakterit vlonjat, futbollistë virtuozë, aspak inferiorë edhe përballë gjigantëve të kohës, si ndaj “Barcelonës”: 1-1 në Vlorë e 0-0 në Katalonjë dhe pas një viti 1-0 (Kushta) në “Flamurtari” dhe 1-4 në “Camp Nou”. Nga mbrojtja, Petro Ruci, Kreshnik Çipi, Rrapo Taho, Iljadhi, te motorët e mesfushës Gjondeda, Fred Zijai, Fred Ferko dhe në sulm me treshen që garanton gola: Vasil Ruci, Sokol Kushta, Bubeqi.
Heronjtë vlonjatë të atij ekipi legjendar janë: Arapi, Birçe, Tur Lekbello, Petro Ruci, Kreshnik Çipi, Rrapo Taho, Iljadhi, Fred Ferko, Zijai, Memushi, Ziu, Gjondeda, V. Ruci, Daullja, Kushta, Bubeqi, Lushaj, Dema, Lameborshi, Muka, Ciruna, Lutaj, Vito, Vasillaq Ziu, Sadedini, V. Paço. Trajner: Leonidha Curri, ish-lojtar i shkollës “shkëndijase: të viteve ’70-të, njeriu që drejtoi skuadrën në ato vite, edhe ai pjesë e pandarë, plot zgjuarsi, meritë e atij grupi fenomenal. Një kapitull, faqe edhe për ciklin tonë, “Skuadrat e mëdha”. / Memorie.al