Dashnor Kaloçi
Pjesa e tridhjetë e katër
Memorie.al publikon disa dokumente arkivore të nxjerra nga Arkivi Qendror i Shtetit në Tiranë (fondi i ish-Komitetit Qendror të PPSh-së), të cilat i përkasin vitit 1982, ku ndodhet një dosje me relacione, raporte, udhëzime, informacione, proces-verbale mbledhjesh të Byrosë Politike, Sekretariatit të Komitetit Qendror, etj., lidhur me “veprimtarinë armiqësore” të anëtarit të Byrosë Politike dhe ministrit të Mbrojtjes Popullore, Kadri Hazbiu, (që për tre dekada me radhë kishte mbajtur postin e ministrit të Punëve të Brendshme), si dhe disa prej bashkëpunëtorëve të tij më të ngushtë, si: Feçor Shehu, Mihallaq Ziçishti, Llambi Peçini, Zoi Themeli, etj., të cilët u akuzuan nga Enver Hoxha, si “bashkëpunëtorët kryesorë të poliagjentit Mehmet Shehu”. Në dosjen në fjalë, ndodhet edhe një dokument me autokritikën e Kadri Hazbiut, e cila mban datën 27 shtator 1982, dërguar Enver Hoxhës dhe Byrosë Politike të Komitetit Qendror të PPSh-së, lidhur me “punën e tij të dobët, në krye të Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe mungesën e vigjilencës, për mos zbulimin e grupeve armiqësore, të cilat të gjitha i kishte zbuluar partia dhe shoku Enver”. Për më shumë rreth kësaj, na njeh dokumenti prej 24 faqesh, me autokritikën e ish-ministrit të Punëve të Brendshme, Kadri Hazbiu, (ku në çdo faqe të saj, Enver Hoxha, ka vënë shënime me shkrimin e tij), e cila bëhet për herë të parë publike nga Memorie.al
Dokumenti me proces-verbalin e mbledhjes së Byrosë Politike të Komitetit Qendror të PPSh-së, i mbajtur më 8 tetor 1982, ku u muarr në analizë “veprimtaria armiqësore” e Kadri Hazbiut
PARTIA E PUNËS SË SHQIPËRISË TEPËR SEKRET
KOMITETI QENDROR
PROCES-VERBAL
I MBLEDHJES SË BYROSË POLITIKE TË KOMITETIT QENDROR TË PPSH MË 8 TETOR 1982
Rendi i ditës:
- Diskutim mbi fjalët e rënda të shokut Kadri Hazbiu
- Miratimi i raportit mbi transportin për në plenum
Në mbledhje janë të pranishëm të gjithë anëtarët e Byrosë Politike.
ZHVILLIMI I MBLEDHJES
Mbledhjen e hapi dhe e drejtoi, sekretari i parë i Komitetit Qendror të PPSh-së, shoku Enver Hoxha.
Diskutim mbi fajet e rënda të shokut Kadri Hazbiu.
SHOKU LLAMBI GEGPRIFTI: Ju këtë normë elementare, e dini vetë mirë nuk e keni vënë në jetë, dhe kjo është bërë me qëllim dhe jo pa ndërgjegje siç thoni ju. Ta lënë këtë periudhë, dhe të hidhemi në vitin 1973 e këtej. Si e shpjegoni ju, qëndrimin tuaj heshtës në mbledhjen e Byrosë Politike, kur diskutonim projekt-vendimet për emërimet e kuadrove të rëndësishëm me funksione në ushtri dhe në Ministrinë e Mbrojtjes Popullore që, siç mësuam në materialet që na u vunë në dispozicion në Komitetin Qendror, mjaft prej tyre kanë qenë bashkëpunëtorë të lidhur me agjenturën sovjetike deri në vitin 1960?!
Si mund të miratonte Byroja Politike në funksione të rëndësishme, të ushtrisë, këta persona?! Kurrë, nuk do ta miratonte Byroja Politike Kristaq Qarrin, Drejtor të Drejtorisë Operative të Ministrisë së Mbrojtjes Popullore, nëse do ta dinte që ky, gjatë periudhës së studimeve në Bashkimin Sovjetik, ka mbajtur lidhje të rregullta si bashkëpunëtor me organet e Sigurimit vendas. Byroja Politike, e miratoi këtë person si dhe mjaft të tjerë si M.T. dhe SH.M. etj., sepse ju Kadri, mbajtët një qëndrim heshtës.
Përse ju që i njihnit mirë këta persona, nuk ja bëtë të ditur lidhjet e këtyre kuadrove Byrosë Politike?! Këtë e dini vetë ju?! Për mendimin tim kjo, përbën në vetvete një gabim të pafalshëm për ju. Ju, thatë këtu se nuk mund të mbani mënd gjithë agjenturën. Ne, e pranojmë këtë që thoni megjithëse këtu bëhet fjalë për kuadro të rëndësishëm të ushtrisë. Kur ju, i dërguat shokut Hysni listën e tyre, si nuk u kujtuat t’i thoshit Byrosë Politike që ata të hiqeshin?!
Kristaq Qarri, filloi punën si Drejtor i Drejtorisë Operative në Ministrinë e Mbrojtjes Popullore dhe punoi në këtë funksion për disa vjet dhe u njoh në detaje me planin operativ të mbrojtjes së vendit, i cili përbën një nga sekretet më të mëdha shtetërore. Më vonë kur doli në skenë lista e këtyre bashkëpunëtorëve, dhe kjo nuk e kuptojmë si doli, Kristaq Qarri u shkarkua nga ky funksion në Byronë Politike me motivacionin “se është i sëmurë dhe nuk është në gjendje të përballojë vëllimin e punës që ka kjo drejtori” dhe ai, u caktua përsëri si Shef i Shtabit të Grupimit të Elbasanit, kësaj njësie të madhe të ushtrisë sonë e cila, ka detyra tepër specifike për mbrojtjen e atdheut tonë.
Kur ai u shkarkua Byrosë Politike, nuk ju bë i njohur fakti që Kristaq Qarri, ka qenë bashkëpunëtor i sovjetikëve megjithëse ai, zuri një tjetër post shumë të rëndësishëm. Akoma më flagrant është emërimi i M.T. i cili po nga Byroja Politike, u emërua Komandant i Akademisë Ushtarake që mbante emrin e kryebanditit famëkeq, Mehmet Shehu. Për këtë siç del nga korrespondenca e shokut Hysni, me armikun Mehmet Shehu, para emërimit të tij shoku Kadri, kishte të dhëna se ai mbante lidhje akoma me agjenturën sovjetike dhe se ua kishte dërguar atyre, materialin e zi të Beqir Ballukut.
Si dhe përse ju Kadri, nuk e vutë në dijeni Byronë Politike për këto fakte të rëndësishme?! Dhe këtu është fjala pas shpartallimit të grupit puçist të Beqir Ballukut. Këtë ne, nuk e kemi të qartë dhe kjo është krejtësisht e errët, prandaj po ju kërkojmë sqarime të cilat ju s’po na i jepni këtu. Përse ju shoku Kadri, kësaj çështjeje të rëndësishme i shmangeni dhe nuk e përmendni fare në autokritikë, megjithëse materialet ashtu si dhe ne, i keni lexuar?! A nuk e ndjeni ju se për këto emërime të bëra nga Byroja Politike, keni një përgjegjësi të lartë?!
Ju thoni se: “marrëdhëniet zyrtare të Ministrisë sonë të Brendshme me vendet e tjera, kanë qenë në tërësinë e tyre pa marrëveshje të shkruara, dhe pa kufij të përcaktuar mirë, dhe në tërësi kanë qenë të njëanshme”. Pra, ju donit të kishit dokumente të shkruara për këto marrëveshje e, kufij të përcaktuar mirë. Këtë pretendim kishit ju nga Partia dhe nga Komiteti Qendror. Por të paktën, çështjen që çdo marrëveshje, me vendet e huaja në çdo aspekt që të vendosen ato, kanë si bazë të vetme vijën politike e ideologjike të Partisë dhe besoj që këtë ju e dini mjaft mirë.
Ju si komunist dhe aq më tepër si anëtar i Byrosë Politike nuk ka se si të mos e njihnit vijën politike të Partisë sonë, qëndrimin e saj të vendosur marksist-leninist ndaj udhëheqjes revizioniste sovjetike e cila, hipi menjëherë në fuqi pas vdekjes së Stalinit dhe me të cilën Partia jonë nuk ka qenë dakord asnjëherë. Shokut Enver dhe Partisë sonë, u janë dashur të hapin zjarr e të bëjnë një luftë për jetë a vdekje me këta armiq të betuar të socializmit. Dhe kjo luftë e lavdishme dhe shpëtimtare për vendin tonë, pasqyrohet mjaft mirë në dokumentet e Partisë dhe në veprat e shokut Enver.
Kjo luftë, ka filluar që në vitin 1953. Kur i lexon këto vepra nuk ke se si të mos indinjohesh me qëndrimin që keni mbajtur ju Kadri ndaj organeve të Sigurimit sovjetik dhe vendeve të tjera ish socialiste. Çfarë dokumenti tjetër të shkruar kërkonit ju, para atij dokumenti të madh që keni pasur ju dhe të tjerët që është platforma politike dhe ideologjike marksiste leniniste e Partisë sonë?! Nuk të mjaftonte ty kjo platformë, për të ndërtuar marrëdhëniet zyrtare ndërmjet Ministrisë sonë të Brendshme, dhe asaj homologe sovjetike ashtu si edhe me Sigurimet e vendeve të tjera ish socialiste?!
Përse nuk e bëtë ju këtë dhe nga kush prisnin që ta bënte?! Është pikërisht kjo platformë politike e ideologjike e Partisë sonë që shpartalloi dhe shkallmoi nga rrënjët kursin e revizionistëve hrushovianë, që përbën në vetvete atë potencial të madh e të fuqishëm ideologjik, para të cilit janë shpartalluar e do shpartallohen gjithë planet dhe komplotet e armiqve tanë, të brendshëm e të jashtëm. Përse ju nuk u mbështetët në këtë platformë për të ndërtuar marrëveshjet e Ministrisë sonë të Brendshme me atë sovjetike?!
Veprën “Tablo Sinoptike mbi veprimtarinë armiqësore të armikut Mehmet Shehu”, të shokut Enver gjithë komunistët e studiuan me një vëmendje të veçantë, e miratuan njëzëri, dhe me indinjatë të thellë, dënuan të gjithë armiqtë me në krye agjentin Mehmet Shehu. Byroja Politike dhe shoku Enver, disa herë kanë kritikuar armikun Mehmet Shehu për shkelje flagrante të normave të Partisë dhe për dhënie të informatave sekrete KGB-së pa dijeninë e Partisë. Kjo kritikë, i është bërë këtij armiku kur ishte ministër i Punëve të Brendshme, para vitit 1953, kur dhe ti ishe zëvendësministër i tij.
Se çfarë konkluzionesh dhe mësimesh ke nxjerrë ti nga kjo kritikë, tashmë del qartë. Ju edhe më pas, në vitin 1954 kur u bëtë ministër, keni vazhduar të thelloni gabimet dhe fajet për të cilat u kritikuat ashpër nga Byroja Politike. Pra daullja, kur thotë populli, paska rënë në vesh të shurdhër. Kjo ju ngarkon juve, shoku Kadri me një përgjegjësi shumë të rëndë. Ju thoni, se më ndihmoi shoku Enver me “Tablonë Sinoptike për veprimtarinë agjenturore të armikut Mehmet Shehu”, por në fakt ju nuk e keni shfrytëzuar fare këtë vepër të shokut Enver, për tu thelluar në autokritikën tuaj dhe për të analizuar fajet dhe gabimet që keni bërë.
Dhe këtë e bëni jo se jeni i paaftë të përfitoni prej saj, por më tepër për faktin se ju nuk doni t’i thoni Partisë të vërtetën për gabimet tuaja, por mundoheni që ti fshihni ato. Ju arrini deri atje, sa të thoni që shoku Enver ju paska porositur aty nga viti 1960 që, këshilltarëve sovjetikë, t’ju mbyllni rubinetin. Ne, e kemi vështirë të kuptojmë që si mundet që shoku Enver t’ju ketë thënë që deri në këtë kohë t’jua lini të hapur rubinetin sovjetikëve?! Këtë, se beson njeri. Kjo është një përpjekje dhe shpifje nga ana jote për të mbuluar përgjegjësinë që keni para Partisë. “Përfundimisht mendoj, – siç thoni ju, – se marrëdhëniet me vendet e tjera nuk u trajtuan mbi baza barazie, se në këtë mënyrë janë dëmtuar interesat tona, dhe janë rrezikuar sekretet në Ministrinë e Punëve të Brendshme”.
Konkluzioni është i drejtë. Por përgjegjësia nuk del fare, mbi ndërtimin jo të drejtë të këtyre marrëdhënieve. Përgjegjësia për ekspozimin e këtyre sekreteve të Ministrisë së Brendshme, para KGB-së dhe zbulimeve të tjera të Demokracive Popullore bie mbi ju. Ndërsa familjaritetin tënd të sëmurë, me armiqtë Mehmet Shehu, Feçor Shehu, Llambi Peçini, Gani Kodra, etj., ne e kuptojmë mirë por ju, këtë familjaritet në autokritikë, nuk e përmendni fare. Në qeveri ju, keni qenë gjithmonë ministri më i privilegjuar i armikut Mehmet Shehu.
Fjala jote, ishte ligj në qeveri dhe ti, i qaje hallet armikut Mehmet Shehu duke thënë: “Ç’të bëjë i shkreti Mehmet, ai është mjaft i shqetësuar, i lodhur, dhe i merakosur”. Ndërsa ai, ka luajtur vazhdimisht teatër me ne, duke na lënë përshtypjen se ishte një njeri i merakosur e i shqetësuar për mbarëvajtjen e punëve. Më kujtohet se në takimin që bëri shoku Enver me udhëheqjet e dy dikastereve, të MMP-së dhe të MPB-së, kur komunikoi emërimin tënd si Ministër i Mbrojtjes Popullore, midis të tjerave ju dha edhe juve një këshillë që në detyrën e re, të mos linit përshtypjen se në ushtri po shkonit si një njeri i Sigurimit të Shtetit.
Mesa kuptova unë fjala këtu, është për metodën e punës suaj në këtë dikaster. Sesa e keni mbajtur ju këtë fjalë atë mund të na e thoni ju, por unë besoj se edhe këtë gjë ju nuk e keni respektuar. Nuk mbaj mënd ndonjë rast që kur na thërrisje në zyrën tënde dhe na gozhdoje çdo ditë për probleme të ndryshme, flisje gjithmonë në telefon me armikun Feçor Shehu. Kjo në fakt, na bënte përshtypje të gjithëve. Ti në ministri, merreshe me probleme sekondare të parëndësishme dhe përdorje po ato forma pune që praktikoje dhe në Ministrinë e Brendshme. Ju, edhe në Ministrinë e Mbrojtjes Popullore, nuk mbanit qëndrim të njëjtë dhe objektiv me kuadrot madje dhe midis zëvendësministrave bënit shumë dallime.
Për shembull, binte në sy të të gjithëve që në mjaft raste, për të mos thënë në të gjitha që keni mbështetur Veli Llakajn, ndaj çdo kritike kur ato i bëheshin nga shokët. Se pse e bënit ju këtë, atë e dini ju. Lidhur me gabimin e bërë në Pezë, them se edhe ajo nuk është diçka e rastit, por krejtësisht shprehje e një mendjemadhësie dhe e një nënvlerësimi të tepruar për shokun. Shfaqje të mendjemadhësisë, ju keni dhënë në mjaft mbledhje të qeverisë. “Mos e nxirr gjuhën jashtë dhëmbëve”, i ke thënë njëherë shokut Nedin Hoxha.
“Ulu, po këmbët e tua do të lodhen”, më ke thënë mua në mbledhjen e Kolegjiumit të Ministrisë së Mbrojtjes Popullore, ku nga ndërhyrjet e shpeshta dhe të padrejta që më bëje, unë u ula se e pashë të kotë të diskutoja me ty. Dhe këtu ishte fjala se unë gjatë diskutimit, ngrita disa çështje për Shefin e Shtabit të Përgjithshëm. Lidhur me hetuesinë e puçistëve, ju theksoni se “paskeni punuar ditë e natë, për hetimin e tyre duke shkuar edhe vetë në hetuesi”. Këtë thënie ne, e kemi vështirë që ta besojmë tani që kemi në dorë fakte të reja.
Po ta pranojmë për një moment se ju, paskeni punuar ditë e natë me këta armiq atëherë shtrojmë pyetjen: “Kush e mban përgjegjësinë kryesore për krijimin e rrethit vicioz, brenda të cilit janë mbajtur vetëm ata persona armiq që i kanë interesuar armiqve Mehmet Shehu e Feçor Shehu?! Si është e mundur që gjuha e tyre të kufizohej duke thënë: “Ç’doni më nga ne, jua kemi dhënë të gjitha dhe me kaq neve na pritet koka”. Kjo, na duket e habitshme.
Që të gjithë puçistët dhe sabotatorët në hetuesi, kanë përdorur të njëjtat shprehje?! Logjika thotë se kur armiku arrin të thotë “dhe kaq sa ju kemi dhënë janë mjaft, për të na prerë kokën”, kjo do të thotë se ai mban rezerva dhe se ka të tjera për të treguar.
Prandaj ne kemi të drejtë t’ju kërkojmë llogari që përse ju, nuk keni ngulur këmbë që ata të zbërtheheshin plotësisht që të nxirrnin të gjitha çka fshihnin, dhe pastaj t’ju pritej koka?! Megjithatë shtroj pyetjet: Nuk thanë ata, diçka më tepër se sa ato që di sot Partia?! Nuk folën ata për persona të tjerë dhe që sot qëndrojnë në funksione të ndryshme të ushtrisë dhe që u fshehën nga MPB-ja?! Memorie.al
Vijon numrin e ardhshëm
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016