Dashnor Kaloçi
Pjesa e tretë
Memorie.al publikon disa dokumente arkivore të nxjerra nga Arkivi Qëndror i Shtetit në Tiranë (fondi i ish-Komitetit Qëndror të PPSH-së), të cilat i përkasin qershorit të vitit 1973, kur në Tiranë u mbajt Plenumi i IV-ët i Komitetit Qëndror të PPSH-së, ku Enver Hoxha mbajti raportin kryesor me temë “Të thellojmë luftën ideologjike kundër shfaqjeve të huaja dhe qëndrimeve liberale ndaj tyre”. Fjala e panjohur e Enver Hoxhës i cili u mbajt kryesisht vetëm për artin e kulturën dhe u shëndrua në “giotinën” e shkrimtarëve dhe artistëve, pasi aty u “prenë shumë koka” të tyre, duke u shkarkuar fillimisht nga detyrat dhe funksionet që kishin pasur deri në atë kohë, për të përfunduar më pas fshatrave më të largët të Shqipërisë, në miniera dhe në kantiere ndërtimi, si dhe burgjeve e internimeve të regjimit komunist të Enver Hoxhës, si: Fadil Paçrami, Todi Lubonja, Mihallaq Luarasi, Lluk Kaçaj, Sherif Merdani, Minush Jero, Kujtim Spahivogli, Ibrahim Uruçi, Dhimitër Shuteriqi, Edi Luarasi, Zhani Ciko, Leka Bungo, Bujar Kapexhiu, Novruz Yzeiri, Dorjan Nini, Francesk Radi, Justina Aliaj, Vilson Kilica, Hamide Stringa, etj.
“Fenomene të kësaj natyre janë vënë re edhe në muzikën e lehtë, sidomos në atë ritmike, ku ka pasur deformime të vijës së qartë melodike dhe u është hapur rrugë ritmeve të shfrenuara. Kjo u duk sidomos në Festivalin e 11-të të Këngës në Radio-Televizion. I tërë opinioni ynë shoqëror e refuzoi me indinjatë atë muzikë vulgare, ato këngë të përçmuara dhe atë paraqitje snobiste që ky festival na nxori në skenë. Ai me të drejtë e konsideron dhe e dënon atë si një ofendim që i bëhet traditës më të mirë kombëtare, frymës popullore dhe partishmërisë së artit tonë. Shfaqje të tilla të huaja janë dukur edhe në disa piktura, në paraqitjen skenike të ndonjë vepre teatrale e operistike, në kopertinat e librave etj. Shmangie të tilla kanë ndikuar drejtpërsëdrejti si në formën, ashtu edhe në brendinë e letërsisë e të artit tonë. Këto prirje të shtrembra janë në kundërshtim me partishmërinë e letërsisë e të artit, me rolin formues dhe edukues, me karakterin popullor e kombëtar të tyre. Ato vënë një barrierë midis artit dhe popullit, zbehin natyrën demokratike që duhet të ketë arti ynë, prishin shijet e masave punonjëse”.
Kështu u shpreh në mes të tjerash Enver Hoxha në fjalën e tij të mbajtur në Plenumin e IV-ët të Komitetit Qëndror të PPSH-së që u zhvillua në datat 26 dhe 27 qershor të vitit 1973, i cili u mbajt kryesisht vetëm për artin e kulturën dhe u shëndrua në “giotinën” e shkrimtarëve dhe artistëve, pasi aty u “prenë shumë koka” të tyre, duke u shkarkuar fillimisht nga detyrat dhe funksionet që kishin pasur deri në atë kohë, për të përfunduar më pas fshatrave më të largët të Shqipërisë, në miniera dhe në kantiere ndërtimi, si dhe burgjeve e internimeve të regjimit komunist të Enver Hoxhës, si: Fadil Paçrami, Todi Lubonja, Mihallaq Luarasi, Lluk Kaçaj, Sherif Merdani, Minush Jero, Ibrahim Uruçi, Dhimitër Shuteriqi, Edi Luarasi, Zhani Ciko, Leka Bungo, Bujar Kapexhiu, Novruz Yzeiri, Dorjan Nini, Francesk Radi, Justina Aliaj, Vilson Kilica, Hamide Stringa, etj., ku pjesa më e madhe e tyre dolën nga burgu apo u kthyen në Tiranë vetëm pas shëmbjes së regjimit komunist në fillimin e viteve ’90-të.
Për më shumë se çfarë u tha nga Enver Hoxha në Plenumin e IV-ët të Komitetit Qëndror të PPSH-së, na njeh dokumenti arkivor që Memorie.al po e publikon për herë të parë në disa pjesë (me disa shkurtime), dhe shkrimi i mëposhtëm është pjesa e tretë.
Fjala e mbylljes e Enver Hoxhës në Plenumin e IV-ët të Komitetit Qendror të PPSH-së 28 qershor 1973
Në Plenum Fadil Paçramit e Todi Lubonjës iu bënë një sërë pyetjesh, por ata ose u shmangeshin përgjigjeve të sakta, ose, me demagogji, përpiqeshin të justifikonin apo të mohonin veprimtarinë e tyre antiparti.
Duke iu drejtuar atyre, shoku Enver Hoxha tha:
Këto nuk janë vetëm pyetje, por edhe çështje me përmbajtje të thellë ideologjike e politike. Mos i merrni se shokët ju pyesin sikur jeni përpara gjyqit. Jo. Në qoftë se gjërat që ju kërkohen i keni thënë, dhe pa dyshim që i keni thënë, atëherë duhet t’i njihni këto gabime haptas e ndershmërisht. Nuk është çështja për një rast e nuk është puna e një konsulte. Këtu janë me dhjetëra e dhjetëra fakte, ku ju keni nënvleftësuar udhëheqjen e Partisë dhe këto nuk mund të mohohen. Nuk mund të nxirrni gënjeshtarë shokët udhëheqës të Partisë që janë këtu, anëtarë të Komitetit Qendror ose jo, që i kanë dëgjuar këto pohime me veshët e tyre dhe nuk kanë asnjë arsye që t’ju ngarkojnë ju për gjëra që nuk i keni thënë. Por çështja është se ju i keni thënë këto. Pse nuk ka shfaqur mendime të tilla edhe ndonjë shok tjetër? Pse nuk ngrihemi të themi, për shembull, edhe për këtë apo për atë person se nuk ka respekt për udhëheqjen, të cilin ajo e kritikon vazhdimisht?
Nuk themi asnjë fjalë për të tjerët, sepse janë komunistë, shokë partie, luftëtarë e në rrugë të drejtë. Shiko, Fadil, në qoftë se ti i ke shkruar këto gjëra, këtë mbrojtjen tënde, dhe do që t’i vësh në arkiv, të sigurojmë që do të mbeten në arkiv. Por, siç po e shohim, Komitetit Qendror nuk i intereson shumë mbrojtja që po u bën gjërave në këtë formë që ke përgatitur ti, prandaj, në qoftë se në diskutim mund të bësh një shkurtim të këtyre çështjeve dhe të vësh gjëra konkrete, do të jetë më mirë. Kërkesat po të bëhen, në radhë të parë, për çështje politike. Ke besim tek udhëheqja e Partisë ti Fadil? “Kam besim”, thua. Por ne po vërtetojmë këtu, përpara Komitetit Qendror, me sa thonë shokët e shoqet, se të kanë dëgjuar me veshët e tyre, që ti nuk ke qenë dakord me vijën e udhëheqjes për sa i përket çështjes së shkurtimit të oborreve kooperativiste dhe politikës së Partisë me fshatarësinë. Ti, Fadil, thua që nuk ke thënë kështu. Mirëpo ne nuk jemi të bindur për këtë gjë, sepse besojmë më mirë shokët e tjerë që nuk kanë gabuar në vijën politike, sesa të të besojmë ty. Ju keni të drejtë të flisni ashtu si dëshironi, por edhe ne kemi të drejtë të arrijmë në konkluzionet tona.
Tani vijmë te pyetja tjetër që u bë këtu. Kur ju keni qenë në dijeni të vijës dhe këto që bënit kanë qenë kundër vijës, domethënë ju me ndërgjegje shkonit kundër saj. Atëherë ku ishte qëllimi? Ku do të arrinit? Pikërisht këtë kërkojnë të dinë shokët. Po të ishte një gabim i rastit, do të qe tjetër punë. Por ju thoni se vijën e Partisë e keni kuptuar dhe se këto veprime ishin kundër vijës. Atëherë është logjike të mendohet se ju kishit një qëllim. Ju pranoni, gjithashtu, se këto qëndrime ishin antiparti. Atëherë qëllimi ishte i përcaktuar në mendjen tuaj se ku duhej arritur e çfarë duhej prishur.
Pas përgjigjeve të dhëna e diskutimeve të shokëve, në fund të mbledhjes e mori fjalën shoku Enver Hoxha:
Plenumi i Komitetit Qendror, që diskutoi problemet e rëndësishme që u shtruan në këtë sesion, u tregua, si kurdoherë, bile edhe më shumë se herët e tjera, në një nivel të lartë revolucionar dhe me një pjekuri të madhe marksiste-leniniste. Uniteti i çeliktë në udhëheqje pasqyroi në mënyrë të zjarrtë unitetin e çeliktë të Partisë, të mbrujtur e të frymëzuar nga teoria jonë, marksizëm-leninizmi. Të gjitha diskutimet që u bënë në këtë Plenum ishin të bazuara dhe të frymëzuara nga diskutimi i madh e i thellë që u bë në Parti dhe në popull për problemet kapitale që u shtruan nga udhëheqja e Partisë këta muajt e fundit. Këto diskutime ishin një shkollë e madhe, veçanërisht për ne udhëheqjen, dhe si kurdoherë mësuam shumë sa i domosdoshëm, sa edukues, sa i guximshëm dhe frytdhënës është konsultimi i hapët dhe i sinqertë me masat e gjera të Partisë dhe të klasës. Opinioni gjykoi veprimet e Partisë dhe të udhëheqjes së saj dhe rezultatet e këtij konsultimi janë shumë pozitive. Opinioni i shëndoshë na kritikoi të metat dhe gabimet e vërtetuara në punë, na mësoi se si duhet t’i korrigjojmë ato dhe sa më parë.
Tërë Partia dhe udhëheqja e saj u tregua e hapët, e sinqertë, e thjeshtë dhe e dashur me klasën dhe me punonjësit gjatë këtij diskutimi të madh. E gjithë kjo shtoi dashurinë, besimin dhe respektin e popullit ndaj Partisë dhe anasjelltas. Këtë eksperiencë të madhe që fituam në terren, e sollëm këtu, në Plenum, dhe këtu e përpunuam, bëmë përgjithësime dhe këto do t’i çojmë përsëri poshtë, në Parti dhe në punonjësit. Në Sekretariat kemi biseduar edhe për metodën e punës që duhet të zhvillojë Partia për përpunimin e dokumenteve të këtij Plenumi. Duhet të përpiqemi që kjo metodë t’i përshtatet stilit dhe metodës që u përdor këta muajt e fundit, kur u punuan me aq rezultate të mira dokumentet e fundit të Partisë. Shoku Hysni do t’ju flasë veçanërisht mbi këtë çështje. Kuptimi i thellë i këtyre dokumenteve lyp që të përdoret edhe një stil e metodë e atillë, që jo vetëm të luftojë rutinën dhe punën e përciptë, por edhe për faktin se këto probleme u rrahën gjerësisht gjatë tre muajve në Parti dhe në popull dhe mund të konsiderohen si përsëritje e panevojshme. Kurse duhet thelluar shumë në to, që të bëhen për Partinë dhe punonjësit një ushqim ideologjik për ta mbajtur gjallë e për ta çuar më përpara këtë frymë të madhe revolucionare, të cilën duhet të mos e lëmë të shuhet për asnjë moment.
Këto dokumente të Komitetit Qendror duhet të konsiderohen dhe të trajtohen si plotësuese të mëtejshme të dokumenteve të tjera të rëndësishme të Partisë. 2shtë e tepërt të theksoj, për të mos përsëritur, se qëllimi i madh i Partisë është që vendimet e kongreseve, dokumentet e Komitetit Qendror, të Byrosë Politike dhe të Qeverisë të bëhen mish dhe gjak për komunistët, për klasën dhe për gjithë punonjësit, ato duhet të shërbejnë për realizimin me sukses të të gjitha detyrave që na kanë ngarkuar Partia dhe populli. Uniteti marksist-leninist në Komitetin Qendror u manifestua, si kurdoherë, në mënyrë të shkëlqyer. Ky unitet nuk është një mit, por një realitet kolosal me baza të çelikta dhe, në emër të Byrosë Politike, unë nuk kam asgjë për të shtuar, pse raporti i saj u aprovua nga ju njëzëri, me përjashtim të Fadil Paçramit dhe të Todi Lubonjës, që mundet formalisht u treguan pro, por në realitet ata ishin katërcipërisht kundër. Qëndrimi i këtyre të dyve përpara gabimeve dhe fajeve të tyre të rënda dhe përpara Plenumit të Komitetit Qendror ishte revoltues dhe skandaloz.
Do të më lejoni që në këtë fjalën time të mbylljes t’ju them juve, të dashur shokë dhe shoqe, se jam plotësisht dakord me ju për të gjitha çka thatë në mënyrë marksiste-leniniste të dokumentuar plotësisht, kundër punës dhe pikëpamjeve antimarksiste, antiparti dhe antikombëtare të Fadil Paçramit dhe të Todi Lubonjës. Ne, shokët e Byrosë Politike, jemi të gjithë shumë të entuziazmuar nga principialiteti dhe fryma juaj e lartë revolucionare në mbrojtjen e Partisë dhe të vijës së saj, gjë që na ka frymëzuar shumë. Ne ju sigurojmë ju se armiku kurrë nuk do t’i çajë, qoftë edhe një grimë, muret e çelikta të Partisë sonë. Do të më lejoni, gjithashtu, të zhvilloj më tej disa mendime, që thashë në formë të përmbledhur në raport mbi gabimet e Fadilit dhe të Todit. E gjykova të nevojshme që thëniet e mia të mëposhtme për këtë çështje t’i bazoj mbi një autokritikë me shkrim, që, me kërkesën time, Fadili ia ka pasë dërguar Komitetit Qendror. Unë kam parasysh edhe ato çka tha ai aq keq këtu, por ju e patë vetë sa rrenacakë politikë janë që të dy: ç’thonë sot, i mohojnë nesër.
Mbi devijimet antimarksiste dhe antiparti të Fadil Paçramit dhe të Todi Lubonjës
Gjatë gjithë jetës së saj plot luftëra revolucionare Partia jonë ka mbajtur në parim dhe ka zbatuar në praktikë një vijë teorikisht të drejtë, marksiste-leniniste, e ka zbërthyer teorinë drejt, në përputhje me ligjet objektive, me situatat dhe rrethanat e ndryshme shumë herë të koklavitura të vendit tonë. Partia e ka trajtuar dhe edukuar njeriun tonë në frymën e moralit proletar, edukues dhe transformues, si pjesëtar të një shoqërie të re socialiste, ku transformimet zhvillohen në interesin e përbashkët, në interes të pronës socialiste dhe në kundërshtim me botëkuptimet dhe konceptet idealiste, borgjeze, feudale, kapitaliste e klerikale. Partia ka dalë me një bilanc të pasur suksesesh materiale dhe morale nga këto beteja, ka fituar, gjithashtu, një eksperiencë të madhe. Ajo ka mësuar të luftojë për të mirën, për të renë, për përparimtaren, për socializmin, ka mësuar, gjithashtu, të diktojë dhe të luftojë armiqtë e saj të brendshëm dhe të jashtëm, ideologjikë dhe politikë, nën çfarëdo maske që ata janë orvatur të fshihen.
Partia ka qenë dhe është në luftë të vazhdueshme me këta armiq të hapët e të maskuar të saj, të popullit dhe të socializmit dhe kjo është pasqyra e luftës së klasave që zhvillohet me sukses te ne. Një nga meritat e mëdha të Partisë sonë në lëvizjen komuniste botërore qëndron në atë që, si Parti e vogël e një vendi me tradita të theksuara mikroborgjeze, duke i qëndruar besnike në çdo kohë, të mirë dhe me furtuna, ideologjisë marksiste-leniniste, brenda një periudhe kohe të shkurtër prej tri dekadash, nëpërmjet luftës së armatosur, revolucionit popullor dhe ndërtimit të socializmit, ajo mundi ta kalitë vetveten, klasën, masat e gjera të popullit dhe t’u rezistojë me sukses valëve të armiqve të egër që i vërsuleshin njëra pas tjetrës, si valët e detit. Kjo luftë e Partisë nuk është as përrallë, as fantazi, por është realitet, siç ka qenë realitet vala fashiste italiano-hitleriane, vala titiste jugosllave, vala revizioniste sovjetike, siç është aktualisht vala e rrethimit dhe e bllokadës kapitalisto-revizioniste. Në fitoret e Partisë s’ka as misticizëm, as metafizikë, as mrekulli shenjtorësh; kjo është vepra e një populli dhe e një Partie heroike, është deduksioni i pashmangshëm i zbatimit me konsekuencë të teorisë së Marksit, Engelsit, Leninit dhe Stalinit.
Mbrojtja e pastërtisë dhe e drejtësisë marksiste-leniniste të vijës ka qenë preokupacioni kryesor dhe vendimtar i Partisë. Armiqtë e brendshëm të Partisë, të ndihmuar nga ata të jashtmit, kurdoherë kanë synuar që ta goditnin këtë vijë të drejtë, ta shmangnin, qoftë nga e majta, qoftë nga e djathta, dhe të merrnin frenat e drejtimit në duart e tyre për të ndërruar kursin në favor të ideologjisë së tyre antiparti, në favor të padronëve të tyre të jashtëm që lëviznin fijet. Partia, siç e dimë, ka luftuar me guxim, me pjekuri dhe me sukses, si kundër deviatorëve të majtë, ashtu dhe kundër deviatorëve të djathtë. Eksperienca na ka mësuar se këta deviatorë nuk lindin në një ditë, ata formohen, përfitojnë nga lëshimet, nga paqartësia politiko-ideologjike, nga mungesa e vigjilencës, nga rrethanat e brendshme dhe të jashtme. Këta maskohen, ruhen, janë prudentë, prandaj bazat qoftë në Parti, qoftë në popull, i kanë të dobëta, ata i kanë rrënjët mbi ujë, bazë ata kanë të pakënaqurit, të degjeneruarit, karrieristët dhe kontrabandistët që kanë hyrë në radhët e Partisë. Këta deviatorë shpërthejnë në momente që ata i gjykojnë “krize”; atëherë mendojnë të afirmohen si “shpëtimtarët” e situatës. Me fjalë të tjera ata punojnë nën rrogoz dhe presin momentet të godasin. Kjo është karakteristika kryesore e punës së tyre, por ka edhe të atillë po aq të rrezikshëm të cilët, të maskuar me autoritetin e Partisë, veprojnë haptazi duke shtrembëruar vijën.
Të gjithë armiqtë e Partisë dhe të popullit tonë, deviatorë të çdo kallëpi, të lidhur me fije ose jo me armiqtë e jashtëm imperialisto-revizionistë, nuk janë veçse këlyshë të borgjezisë, të gjithë janë të djathtë, pavarësisht se vënë nga ndonjë maskë mëngjarashe. Deviatorët armiq të Partisë, trockistët Aristidh Qendro, Anastas Lula e Sadik Premte, hiqeshin “të majtë”, gjoja pro klasës punëtore dhe kundër fshatarësisë. Po ata në fakt ishin kundër Partisë, kundër vijës së saj të drejtë, kundër Luftës Nacionalçlirimtare, kundër çlirimit të popullit. Ata ishin agjentë, deviatorë të djathtë. Koçi Xoxe dhe Pandi Kristo “me shpirt proletary”, siç e quanin veten, nuk ishin veçse dy tradhtarë, agjentë të klikës së Beogradit, të kësaj rryme tradhtare revizionistësh, nuk ishin veçse armiq të djathtë që atakonin Partinë. Sejfulla Malëshova ishte një armik deviator i djathtë oportunist, që akuzonte Partinë dhe vijën e saj si sektare. Armiku deviator Bedri Spahiu nuk ishte veçse një fashist i maskuar. Revizionistët modernë sovjetikë dhe agjentët e tyre si Liri Belishova, Koço Tashko e të tjerë nuk janë veçse tradhtarë të marksizëm-leninizmit, deviatorë të djathtë. Këta e quajnë Partinë tonë dhe vijën e saj dogmatike e konservatore.
Pra, siç vërejmë nga eksperienca e pasur e Partisë sonë, Anastas Lula e kompani u manifestuan haptazi në momentin më kulminant të historisë së popullit tonë. Sejfulla Malëshova, Koçi Xoxe e kompani dolën në një kthesë vendimtare të historisë së vendit. Edhe Liri Belishova e kompani dolën në kohën e tradhtisë së madhe hrushoviane. Kjo është e para. E dyta, të gjithë këta armiq të djathtë e kanë akuzuar Partinë tonë marksiste-leniniste dhe vijën e saj si sektare, dogmatike. Aktualisht, kapitalisto-revizionistët dhe lakenjtë e tyre, të gjitha partitë marksiste- -leniniste ose njerëzit që nuk u binden urdhrave të tyre dhe i luftojnë me të gjitha forcat, nuk i quajnë vetëm “dogmatike” dhe “staliniste”, por edhe “konservatore”. Ky është termi i vjetër me kuptim të ri që u vihet atyre që nuk duan “të liberalizohen”, “të modernizohen” sipas ideologjisë dhe mënyrës së jetesës kapitalisto-revizioniste, që nuk duan të braktisin marksizëm-leninizmin, por luftojnë me heroizëm për ta mbrojtur dhe për ta zbatuar me konsekuencë atë. Partia jonë e ka pasur kurdoherë parasysh rrezikun e djathtë dhe kurdoherë e ka likuiduar këtë shfaqje të rrezikshme.
Kjo nuk do të thotë se ajo i ka injoruar dhe nuk i ka luftuar shfaqjet mëngjarashe. Të dyja këto shfaqje Partia nuk i ka luftuar, gjithashtu, sipas rastit, duke u mbështetur te njëra për të luftuar tjetrën dhe anasjelltas, pse atëherë vija e saj do të ishte e lëkundshme, e paqëndrueshme dhe jo e drejtë. Ky fenomen nuk është vërtetuar asnjëherë, gjë që provon vendosmërinë e plotë të vijës në teorinë shkencore marksiste-leniniste dhe tregon ekuilibrin e shëndoshë të saj. Marksistë-leninistët nuk duhet të maskojnë kurrë prirjen dhe orientimin e drejtë të vijës së tyre. Gabime mund të vërtetohen në zbatimin e kësaj vije në praktikë, po këto duhet të korrigjohen pa humbur kohë, porsa shi’nen dhe vërtetohen. Kështu ka bërë gjithë jetën Partia jonë. Revizionistët, të djathtët dhe të majtët, e fshehin vijën e tyre antimarksiste, antiparti, antisocialiste, jo vetëm kur veprojnë si kolonë e pestë, por edhe kur arrijnë të marrin fuqinë. Revizionistët sovjetikë dhe të gjithë armiqtë e marksizëm-leninizmit e të Partisë sonë shkojnë në rrugën antimarksiste dhe restaurojnë kapitalizmin.
Ata shkojnë në të djathtë dhe në ekstremin e djathtë dhe jo vetëm ruajnë disa maska të “socializmit”, po tradhtia i bën të forcojnë edhe dozën e parullave demagogjike nga e majta, pse ashtu mendojnë që do t’i besojnë, se “jo vetëm ndërtojnë socializmin”, po shkojnë edhe më tej, “në ndërtimin e ‘komunizmit”. Kur revizionistët jugosllavë tradhtuan marksizëm- -leninizmin dhe ecnin drejt zhdukjes së rolit udhëheqës të Partisë Komuniste të Jugosllavisë dhe po e çonin vendin nga e djathta, drejt restaurimit të kapitalizmit, ne pamë të vepronin me slogane të majta. Partia Komuniste e Jugosllavisë u quajt “Lidhja e Komunistëve të Jugosllavisë” dhe nuk munguan ta lidhnin këtë me emrin e Marksit. Kësaj farë “Lidhjeje” i dhanë funksionet e “kohës së shoqërisë komuniste”, që nuk u deklarua haptazi se po ndërtohej, por po fillonte “me vetadministrimin punëtor” dhe këtë nuk munguan, gjithashtu, ta lidhin me Marksin. Filloi në teori dhe në praktikë “zhdukja e shtetit” dhe këto ishin premisat e “shoqërisë komuniste” titiste. Të gjitha këto parulla e slogane majtiste puqeshin dhe me veprimet djathtista dhe shërbenin për vendosjen e kapitalizmit në Jugosllavi. E njëjta gjë ndodhi me revizionistët në Bashkimin Sovjetik. Atje tashmë është restauruar kapitalizmi, ndërsa nga ana e tyre flitet e propagandohet me të madhe se po “ndërtohet komunizmi”. Si këtu dhe kudo ku revizionistët janë në fuqi, të dy ekstremet antiparti në ideologji, në politikë dhe në veprim, puqen.
Është pra e kuptueshme përse luftohet dhe do të luftohet Partia jonë nga antimarksistët dhe nga gjithë armiqtë e saj të çdo ngjyre. Me Partinë tonë, parti e proletariatit, që mbron diktaturën e proletariatit, ata janë në luftë. Me Partinë tonë, që ndërton dhe mbron socializmin, ata janë në luftë. Me Partinë tonë, parti e proletariatit, që busull të vetëm të pagabueshme ka teorinë marksiste-leniniste, ata janë kundër. Partia jonë është një parti e vërte.tk leniniste që ruan dhe zhvillon në rrugën marksiste-leniniste parimet, normat, moralin proletar, disiplinën proletare leniniste, ajo bëhet fli për kauzën e popullit punonjës, është parti e klasës që ruan pastërtinë e klasës dhe frymëzohet nga klasa, prandaj ata janë kundër saj. Pra Partia jonë po ndërton socializmin me sukses në një front të gjerë pune dhe lufte. Ajo nuk fle mbi dafina, përkundrazi nuk e zë gjumi për të konsoliduar fitoret, për ta çuar popullin në fitore të reja dhe për të shtypur armiqtë e brendshëm dhe të jashtëm që bëjnë çmos të pengojnë marshimin e saj përpara. Kurrë nuk ka qenë gjithçka e shtruar me lule dhe as tani nuk është shtruar gjithçka me lule për Partinë dhe për popullin tonë. Çdo gjë duhet të fitohet, të ndërtohet, të ruhet, të përmirësohet, të shtohet.
Kjo kërkon luftë, përpjekje, punë të palodhur, djersë, ndershmëri, drejtësi, dituri, vigjilencë, edukatë. Partia na mëson çdo orë e çdo ditë të jemi shembull në këto drejtime, ajo na udhëzon, na korrigjon, por edhe na dënon kur mbushim kupën. Po s’u shkulën barërat e këqija, s’ka grurë; po nuk u krasit pema, s’ka fruta; po nuk u spërkat vreshti, s’ka rrush. Durimi dhe pjekuria e madhe e Partisë sonë, zemërgjerësia e saj në besimin e ndreqjes së njerëzve që gabojnë janë shembullore, janë marksiste-leniniste. Shumë keq për ata që këto virtyte të larta të Partisë i marrin për dobësi, që mendojnë se ajo nuk i sheh, dhe ca më keq është për ata që këshillat dhe mësimet e Partisë as që i peshojnë fare, pse u është rritur mendja. Disa njerëz të tillë që bëjnë gabime të pafalshme, si Fadil Paçrami e Todi Lubonja thonë: “Partia të ketë parasysh të kaluarën time”. Po, Partia e ka pasur kurdoherë parasysh këtë gjë, prandaj të ka nderuar, të ka besuar, të ka ngritur, të ka mësuar, të ka këshilluar. Ti, shok, i ke pasur parasysh këto, kur iu fute rrugës tënde të gabuar dhe plot rreziqe për popullin, për Partinë dhe për veten tënde? Jo, ti i harrove dhe nuk hoqe dorë nga kjo rrugë, edhe kur të këshillonte Partia.
Çështja e popullit dhe e Partisë qëndron mbi të gjitha, prandaj kush e dëmton atë, duhet të përgjigjet dhe, sipas rëndësisë së fajit, të marrë dënimin, pse edhe dënimi është një nga format e edukimit. Në këtë Plenum të Komitetit Qendror, ku u diskutuan probleme kaq të rëndësishme, u shtruan po ashtu edhe një sërë çështjesh që kanë të bëjnë me vijën e Partisë, që kanë lidhje me konceptet dhe me pikëpamjet antimarksiste dhe antiparti të Fadil Paçramit dhe të Todi Lubonjës. Të gjithë shokët folën për këto pikëpamje të tyre, e gjithë Partia ka folur dhe i ka kritikuar ashpër këta të dy, kështu siç po bëjmë edhe ne këtu. Autokritikat e tyre ishin kudo shumë të dobëta, të shpëlara, të pakënaqshme për gjithë Partinë. Unë, kur jap këtë konkluzion, nuk kam parasysh vetëm diskutimet e thella dhe të drejta marksiste-leniniste të shokëve të Plenumit të Komitetit Qendror që morën fjalën këtu, nuk kam parasysh vetëm autokritikat e të dy këtyre në organizatat-bazë përkatëse, në aktivet e punonjësve ku ata u paraqitën, por edhe një numër të madh procesverbalesh të ardhura nga baza, ku diskutantët kanë folur në mënyrë të zjarrtë dhe konstruktive për të gjitha këto probleme dhe për veprimtarinë e këtyre dy personave.
Fadili kërkoi të takohej me mua, unë e prita atë dhe e dëgjova dhe për këtë do të flas më poshtë, do të flas për gjithë çështjen e të dyve. Por, siç u konstatua, veprimet e gabuara dhe në kundërshtim me vijën e Partisë nga këta të dy nuk kanë qenë as të rastit, as të pakta, as të panjohura. Ato as nuk janë lënë pa ua dukje, pa i kritikuar, pa i këshilluar nga organizatat-bazë ku bënin pjesë, nga kolektivat ku punonin ose nga ata me të cilët merrnin kontakt, nga shokë e punonjës të veçuar, nga byrotë dhe komitetet e Partisë, nga njerëzit e aparatit të Komitetit Qendror, nga Komiteti Qendror vetë, nga unë personalisht dhe, veçanërisht, shpeshherë nga shokët Hysni, Ramiz e Manush. Por të dy këta nuk janë ndrequr, nuk kanë dashur të ndreqen. Të gjitha shtrembërimet në vijë nga ana e Fadilit dhe e Todit zhvilloheshin në dinamizmin e problemeve e të çështjeve dhe krijonin një sërë anomalish e situatash të vështira, sidomos në lëmin e letërsisë dhe të arteve, pengohej zgjidhja e drejtë e konflikteve nga mendjemadhësia dhe nga një arrogancë e pa frenuar nga ana e tyre, nga metoda antiparti e punës që ata zbatonin. Në fakt, Partia kishte hyrë në luftë me disa deviatorë të djathtë, kundërshtarë të vijës marksiste- -leniniste të saj dhe kryesorët e këtij deviacioni ideologjik ishin Fadil Paçrami dhe Todi Lubonja. /Memorie.al
Vijon në numrin e ardhshëm
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016