Nga Sokol Paja
– “VATRA” NË DOSJET E SIGURIMIT TË SHTETIT, NË VITET 1960 – ‘70, ME EMRAT DHE PSEUDONIMET E AGJENTËVE E SPIUNEVE QË NDIQNIN E SURVEJONIN MËRGATËN POLITIKE NË SHBA –
Memorie.al / Sigurimi i Shtetit Shqiptar përgjatë diktaturës komuniste në Shqipëri, është përpjekur me çdo kusht që Federatën Panshqiptare të Amerikës “Vatra”, jo vetëm ta kishte nën kontroll por, edhe ti kushtëzonte apo drejtonte veprimtarinë e saj, nëpërmjet spiunëve të rekrutuar në “Vatër” dhe informatorëve afër saj. Sigurimi i Shtetit, ishte një levë shumë e rëndësishme në aparatin shtetëror diktatorial. Nëpërmjet informacioneve që Sigurimi i Shtetit, siguronte në mërgatën shqiptare të Amerikës, përmes spiunëve të rregullt, bashkëpunëtorëve dhe informatorëve, ndërtohej edhe plani i masave që Sigurimi u jepte spiunëve, për të kryer detyrat që u ngarkoheshin për të sulmuar “Vatrën” dhe informuar mbi mërgatën shqiptare të Amerikës.
“Vatra”, në Dosjet e Sigurimit të Shtetit në vitet ‘60-70-të, përbën një aspekt studimor të pa trajtuar më parë dhe sjell risi shkencore, mbi metoda dhe plane masash sekrete, sesi vepronte Sigurimi i Shtetit. Zbardhja e të dhënave që përmban dosja e Sigurimit për “Vatrën”, sjell një dobi shoqërore, pasi nxjerr në pah veprimtarinë e shqiptarëve të mërgatës së Amerikës, kushtet politiko-shoqërore, personalitete, veprimtarë dhe përpjekje konkrete e lëvizje të shqiptarëve të Amerikës.
Në bazë të politikave që ndiqte shteti komunist në Shqipëri, Sigurimi i Shtetit, vepronte dhe përforconte politikën e jashtme të propagandës kundër “armiqve imperialist”. Sigurimi e ndjek “Vatrën”, në çdo veprimtari që në fillim të viteve ‘50-të e, deri në shembjen e komunizmit në Shqipëri.
PËRMBAJTJA E DOSJES SË VATRËS NË VITET ‘60-‘70-TË
Dosja e Federatës Panshqiptare të Amerikës “Vatra”, në Sigurimin e Shtetit në vitet ‘60-‘70-të’ marrë prej Autoritetit për Informimin të Dosjeve të ish-Sigurimit të Shtetit në Shqipëri, përmban 296 fletë, emërtohet me numër 102 dhe titullohet; “Dosja e Objektit ‘Vatra’ – Sekret”. Në këtë dosje, përfshihet me detaje Veprimtaria e Federatës “Vatra”, në vitet që kemi marrë në shqyrtim, veprimtaria e gazetës “Dielli”, përplasjet në Federatën “Vatra” dhe gazetën “Dielli”, historia e detajuar e Federatës “Vatra”, degët e Federatës, organet drejtues e të Federatës, funksionet dhe veprimtarinë me detaje, të çdo organi drejtues e, personi përgjegjës në këto organe drejtuese të “Vatrës”.
Në dosjet paraqitet situata e emigracionit politik dhe ekonomik në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, përplasjet dhe tentativat për bashkim të “Vatrës” dhe të Komitetit “Shqipërisë së Lirë”. Raportet informative përshkruajnë Fan Nolin, si të tërhequr në veprimtaritë e “Vatrës” dhe të lodhur nga sherret e njëpasnjëshme në “Vatër” dhe të pakënaqur me regjimin e Tiranës, dhe se njeriut që Sigurimi i Shtetit ia kishte më shumë frikën, ishte Editori i “Diellit”, Qerim Panariti të cilin Sigurimi e shihte, si; agjent të Departamentit të Shtetit Amerikan.
Dosja nr. 1, në faqen 37, në dokumentin informativ: “Relacion mbi gjendjen e kolonisë shqiptare në Amerikë”, thuhet: “Vatra’ është organizata më e vjetër dhe në kryesi ka agjentë të amerikanëve. Qëndrimi i kësaj organizate dhe gazetës së saj ‘Dielli’ nuk është i mirë. Gazeta ‘Dielli’ zhvillon një propagandë reaksionare kundër Republikës sonë dhe kampit të socializmit”. Prijësi i shqiptarëve myslimanë në Amerikë për kohën që flasim, Imam Vehbi Ismajli, Sigurimi i Shtetit në dosje e klasifikon si agjent të Amerikanëve dhe të Mbretit Zog, ndërsa Dervish Rexhepin e Bektashinjve, e quajnë si agjent të Amerikanëve.
Kundër “Vatrës”, shteti komunist ndërseu një mori spiunësh e bashkëpunëtorësh, si dhe të gjitha levat ndihmëse të institucioneve të shtetit komunist, me qëllim nënshtrimin e “Vatrës”, deri në shkatërrimin përfundimtar të saj. Komunistët në Shqipëri dhe në Misionin e tyre në New York, përdorën presione me të afërm në Shqipëri, për burgosje, përndjekje e tortura e, rrengje nga më të pabesueshmet, u përdorën të riatdhesuarit, apo vizitorët, u nxitën, u sajuan u dirigjuan dhe u frynë konfliktet e mosmarrëveshjet e brendshme në “Vatër”, u ngritën kurthe të sofistikuara, biseda informative, presione nga më të ndryshmet, me qëllim shkatërrimin e “Vatrës” dhe zbehjen e efektit të gazetës së saj “Dielli”.
Informacioni përcillet në Dosjet e Sigurimit, sipas tipologjisë informative të shkëmbimit të informacionit, sipas kategorive: raporte informative, relacione, plane masash, telefonata informative, biseda informative, studime, vendime, lista, letër operative, informata, ekstrakte, telegrame, shënime etj. Gjatë periudhës së regjimit komunist, me dosjen sekrete të “Vatrës”, janë njohur 15 persona, të cilët kanë lënë shënimet përkatëse. Arsyeja e hapjes së dosjes së “Vatrës”, nga Sigurimi i Shtetit, shënohet për veprimtari me zbulimet armike, ndaj pushtetit popullor në Shqipërinë komuniste.
“Vatranët”, editorët e “Diellit” dhe personat me ndikim në emigracionin politik shqiptar në Amerikë, që iu përmendet emri më shumë në dosjen e Sigurimit të Shtetit, janë: Qerim Panariti, Xhon Nase, Kristo Thanasi, Antoni Athanas, Vasil Germenji, Hasan Dosti, Halit Ciko, Petraq Ktona, Athanas Gegaj, Dom Zef Oroshi, Rexhep Krasniqi, Niko Kreshpani, Refat Gurazezi, Agim Karagjozi, Selaudin Velaj, Eduard Liço, Peter Çikozi, Arshi Pipa, Hajdar Tanuzi, Bilal Xhaferri, Ernest Koliqi, Sami Repishti, Dom Ndrevashaj, Dhimitër Trebicka, etj.
KUSH ISHIN SPIUNËT, KODET E TYRE DHE PSEUDONIMET
Sigurimi i Shtetit, kishte depërtuar në “Vatër”, në “Diell”, në çdo organizatë dhe familje shqiptare të emigracionit politik të kohës, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Nga shqyrtimi i dosjes së “Vatrës”, në vitet ‘60-‘70-të, del se Punëtorët Operativë, drejtorët e degës së Zbulimit dhe punonjës shqiptarë të Zbulimit që kanë përpunuar informacionet sekrete të “Vatrës”, kanë qenë:
Jonuz Mersini, Hasan Luçi, Idajet Danaj, Servet Memetko, Ropi Llazi, Kleanth Andoni, Sokrat Çomo, Enver Mileti, Xhezair Hodo, Mustafa Kadiu, Belul Zoto, B. Mehmetaj, M.Hila, J.Proko, N.Cano, Kozma Moja, L. Xhemali, I. Xhanaj, T. Rizo, M. Tusha. Lurse pseudonimet e spiunëve në Dosjen e “Vatrës: “Luani”, “Kalaja”, “Ngjala”, “Lirija”, “Fletori”, “Liqeni”, “Tablloja”, “Linkolni”,“Vullneti”, “Korabi”, “Pellgu”, “Klika”, “Shkumbini”, “Mali”, “Besimi”, “Selita”, “Toqi”, “Shqiponja”, “Malësia”, “Sazani”, “Piktori”.
Burimi informative, sipas kodifikimit: “221”, “315”, “349”, “347”, “82”, “372”, “302”, “368”, “361”, “335”, “500”, “504”, “803”, “805”, “502”, “939”, “501”, “801”, “410”.
PLANI I MASAVE TË SIGURIMIT TË SHTETIT, PËR TË SHKATËRRUAR “VATRËN” E “DIELLIN”
“Vatra”, në të gjitha relacionet, udhëzimet, planet operative për paralizimin e saj, raportet informative, telefonatat informative, etj, etiketohet si; reaksionare, armiqësore, vegël e Departamentit të Shtetit, bashkëpunëtore me FBI-së e CIA-s. Në veprimtarinë agjenturore, Sigurimi kërkonte prej rrjetit të spiunëve dhe institucioneve mbështetëse, që:
Të shtoheshin divergjencat e përçarjet mes ‘vatranëve’, të nxitej pakënaqësia te ‘vatranët’ dhe shqiptarët e Amerikës për bashkëpunimin e “Vatrës” me Vatikanin, demaskim i kurdohershëm i “Diellit” dhe “Vatrës” e drejtuesve të tyre, të përçahej sa më shumë Peshkopata me ‘Vatranët dhe me Vatikanin, nxitje e konflikteve të ashpra e, përplasjeve mes ‘vatranëve’ e komunitetit, të demaskohej në shtypin shqiptar krerët e vatrës dhe veprimtaria e tyre. Dosje objekti “Vatra”, nr.102, de-klasifikuar me vendim nr.12, dt. 17.06.2019, ka numër total fletësh 277 (të digjitalizuari 296 faqe).
Dosja përmban raportime të agjentëve të Misionit Shqiptar në Nju Jork, si dhe Drejtorive përkatëse të Sigurimit të Shtetit, në Ministrinë e Brendshme, emra të rekurtuarish përreth dhe brenda “Vatrës”, Plane operative kundër “Vatrës”, Studime rreth veprimtarisë “armiqësore” të “Vatrës”, dhe masat e Shqipërisë komuniste për ta paralizuar “Vatrën”, Plan Masash Agjenturor-Operativ, për ndjekjen, Zbulimin dhe Parandalimin e Veprimtarisë së organizatës “Vatra” dhe gazetës së saj “Dielli”, raportime e shkëmbime të ndryshme, informacionesh informative.
Në shënjestër të Sigurimit të Shtetit, ishin editorët e “Diellit”, kryetarët e “Vatrës”, anëtarët e kryesisë e degëve të “Vatrës”. Sigurimi Shqiptar, duket se ka investuar shumë në drejtim të paralizimit të “Vatrës”, dhe të krijimit të konflikteve të saj me organizatat e tjera nacionaliste të Diasporës në SHBA-ës. Një front tjetër, ishte injektimi i konflikteve brenda “Vatrës” duke nxitur përplasjen mes grupit të intelektualëve me ‘vatranët’ e tjerë, apo ‘vatranët’ e vjetër me të arratisurit, apo mes ‘vatranëve’ patriotë siç shprehen ofiqarët e Sigurimit dhe agjentëve jugosllavë, brenda “Vatrës”, apo organizatave të tjera.
Sigurimi i Shtetit Shqiptar, porosiste spiunët, bashkëpunëtorët, informatorët dhe njerëzit me interes informative, në masa konkrete që duheshin ndjekur kundër “Vatrës”: “Duke aktivizuar burimet agjenturore dhe miqësore, duke shfrytëzuar të riatdhesuarit e vizitorët dhe materialet legale, të zbulojmë:
A – Qëllimet dhe planet konkrete që Zbulimi Amerikan, ka në drejtim të Organizatës “VATRA”.
B – Kuadrot dhe agjentët e Zbulimit dhe K/Zbulimit Amerikan që punojnë në radhët e Organizatës “VATRA”, format dhe metodat e punës së tyre.
Gjendja e tanishme reale në këtë Organizatë:
A – Të sigurojmë Listat e plota të anëtarësisë së “Vatrës”, të ndarë sipas degëve, organizimin me hollësi, Këshillin Qendror dhe këshillat e degëve,
B – Personat që lëkunden tani, e sidomos ata që largohen prej “Vatrës”, ose ata që hidhen në pasivitet tani, kur në krye të kësaj organizate janë vënë të arratisurit.
C – Marrëdhëniet e organizatës “Vatra”, me organizatave të tjera të emigracionit reaksionar, sidomos me Komitetin “Shqipëria e Lirë”.
Ç – Kontradiktat që ekzistojnë në radhët e Organizatës: Në mes krerëve dhe masës së anëtarëve, në mes degëve të veçanta dhe qendrës, në mes krerëve me njeri-tjetrin, në mes kësaj Organizate dhe organizatave të tjera të emigracionit reaksionar, ose ekonomik dhe në mes të saj dhe Zbulimit Amerikan, dhe të shihet mundësia, si mund të shtohen këto kontradikta.
II- Të punojmë aktivisht për shtimin e kontradiktave brenda “Vatrës”, të nxisim që të largohen nga “Vatra” sa më shumë patriotë, të bëjmë që “Vatra” e tanishme të demaskohet plotësisht, si organizatë në duart e kriminelëve të luftës, e cila punon kundër interesave të Atdheut.
Nëpërmjet miqve ose, duke marrë kontakte direkte me ta, t’i bëhet presion Fan Nolit, që të japë dorëheqjen nga pozita e tanishme si “Kryetar Nderi” i “Vatrës”. T’i bëhet e qartë atij, se në rast se do të vazhdojë në këtë post, do të komprometohet si përkrahës i kriminelëve, të cilët i ka pasur luftuar, dhe ne do të detyrohemi, ta demaskojmë atë vetë (Nolin).
Të demaskojmë me anë të shtypit, radios, dhe miqve që kemi në radhët e shqiptarëve të Amerikës,
Personat e arratisur që kanë hyrë në “Vatër”, tani dhe në radhë të parë Editorin e “Diellit” Athanas Gegaj, për të cilin po grumbullojmë material, se është agjent i zbulimeve të huaja. Po ashtu të demaskojmë edhe ata persona nga radhët e organizatave reaksionare, që tani janë në organet drejtuese të “Vatrës” ose, që shkruajnë artikuj në gazetën “Dielli”.
– Të demaskojmë ata persona reaksionarë nga ‘vatranët’ e vjetër, si; Peter Chikozi, Miko Kokalari, Vahit Çika e, të tjerë, të cilët me tradhtinë e tyre, ua dorëzuan këtë organizatë patriotike kriminelëve të shitur tek të huajt. Në demaskimin e këtyre të kemi parasysh, që sipas situatave, të bëjmë ndonjë diferencim: Në radhë të parë, goditjen kryesore ta bëjmë kundër krerëve të arratisur që janë në “Vatër”, dhe përkrahësve aktivë të tyre. Meqenëse Qerim Panariti, tani është i pakënaqur mund të mos e godasim përkohësisht. ,
Të hedhim në luftë të hapur kundër “Vatrës” së tanishme, ata ‘vatranë’ të vjetër që janë larguar nga kjo organizatë, si dhe ata që do të largohen tani. T’u kushtojmë kujdes të veçantë, personave me rëndësi si ish-kryetarit, Th. P., i cili tani dha dorëheqjen nga “Vatra”. Për këta persona të marrim masa, që të punojë Rezidentura jonë në SHBA-ës dhe gjithashtu të punojmë edhe në qendër, duke gjetur lidhjet e rëndësishme të tyre këtu në Shqipëri, me anën e të cilëve, me letra, të bëhet presion që të aktivizohen kundër kriminelëve, tradhtarë të Atdheut.
Ç – Duke u konsultuar për këtë problem me Ministrinë e Punëve të Brendshme, të vendoset se çfarë do të bëhet me ‘Vatranët’ që do të largohen nga “Vatra”, dhe me degën e Pitsburgut të kësaj Organizate, e cila po qëndron mirë: Do të punohet për krijimin e një “Vatre” të re, apo do të nxiten këta të hyjnë në Organizatën “Shqipëria e Lirë” dhe kjo të forcohet e të luftojë “Vatrën”?
D – Me anë të miqve të shfrytëzohen me kujdes kontradiktat dhe pakënaqësitë e Qerim Panaritit ndaj udhëheqjes, dhe ky të hidhet në luftë kundër “Vatrës” duke zhvilluar aktivitet përçarës.
Për zbatimin e detyrave të mësipërme, pasi të jetë vendosur edhe me Ministrinë e Punëve të Jashtme, t’i dërgohet Rezidenturës në Nju Jork edhe një udhëzim me detyra konkrete, me qëllim që ajo:
1- Të aktivizojë në drejtim të “Vatrës” burimet agjenturore, qofshin edhe në radhët e emigracionit reaksionar.
2 – Të aktivizojmë burimet miqësore dhe t’i shtojë këto, sidomos duke afruar persona të rinj, nga ata ‘vatranë’ që lëkunden, ose ata që japin dorëheqje nga “Vatra”.
3 – Të studiojë 1 ose 2 persona, nga ata që janë në pozita udhëheqëse të “Vatrës” dhe të shihet mundësia për t’i rekrutuar në shërbimin tonë”, përfundon raport-informacioni në faqen 120 të dosjes së “Vatrës”, pranë Sigurimit të Shtetit Komunist Shqiptar”. Memorie.al