Nga Uran Kalakulla
Pjesa e njëzet
Nazizmi dhe komunizmi
Memorie.al / Nazizmi zgjati 12 vjet, ndërsa stalinizmi 2 herë më shumë. Krahas shumë karakteristikave të përbashkëta, në mes tyre ka shumë ndryshime. Hipokrizia dhe demagogjia e stalinizmit, ishte e një natyre më të stërhollë, e cila nuk mbështetej në një program që ishte sheshit barbar, si ai i Hitlerit, por mbi një ideologji socialiste, përparimtare, shkencore e popullore, në sy e punonjësve; një ideologji që ishte si një perde e volitshme dhe komode për të gënjyer klasën punëtore, për të përgjumur mprehtësinë e intelektualëve dhe të rivalëve në luftën për pushtet.
Një nga pasojat e kësaj veçantie të stalinizmit, është ajo që mbarë populli sovjetik, përfaqësuesit e tij më të mirë, të aftë, punëtorë e të ndershëm, pësuan goditjen më të tmerrshme. Së paku 10-15 milionë sovjetikë, humbën jetën në dhomat e torturave të KGB-së, të martirizuar apo të ekzekutuar, si dhe në kampet e gulakëve e të të tjerëve si ata, kampe ku ishte e ndaluar të korrespondoje (në fakt ato ishin prototipe të kampeve naziste të vdekjes); në minierat nëpër akujt e Norilskut dhe të Vorkutes, ku njerëzit vdisnin nga e ftohta, nga uria, nga puna dërrmuese nëpër kantieret e panumërt, në shfrytëzimin e pyjeve, në hapjen e kanaleve dhe gjatë transportimit nëpër vagonë të plumbosur, apo në hambarët e përmbytur të anijeve të vdekjes.
Ne ishim skllevërit e dy këtyre padronëve. Dhe duhej t’i bindeshim plotësisht si brigadierit të burgosur, ashtu edhe teknikut të lirë; si kryetarit të zyrës sonë teknike, ashtu edhe inxhinierit të kantierit apo sektorit. E për pasojë, duhej t’u rrinim gatitu si kuadrove të lartë të Ministrisë së Brendshme, që vinin herë pas here për të parë ecurinë e punimeve, si drejtuesve të ndryshëm të Ministrisë së Ndërtimit e, sidomos të ndërmarrjes së sipërshënuar “21 dhjetori”.
Ishte viti 1963-1964. Kur punonim në atë kamp-burg, kryeinxhinieri i “21 dhjetorit” ishte Thoma Disha, një ish-shoku im i klasës në gjimnazin e Tiranës. Para se të burgosesha e kisha lënë inxhinier kantieri në Kombinat. Dhe ja se ç’na ishte bërë zotëria e tij! Drejtori i asaj ndërmarrjeje me rëndësi ishte Neço Konomi, anëtar i Komitetit Qendror të Partisë. Kryeinxhinieri duhej të ishte ndihmësi a zëvendësi i parë i drejtorit. Kështu, pehlivani Thoma, ia kishte arritur edhe kësaj në fare pak kohë. Këtij njeriu unë i njihja dhëmbë e dhëmballë, si thotë populli.
Ta keshë pasur bashkënxënës për tetë vjet radhazi të gjimnazit, si dreqin nuk e njihja? Thomai ishte nga ata gjimnazistë që vishej shumë mirë, madje edhe me elegancë, e para Luftës ai vinte në shkollë gjithnjë i krekosur: me kostume të reja e të shtrenjta, me këpucë të mira, me këmishë me jakë të kollarisur, me kollare të çdo ngjyre, sipas kostumeve. Ndërsa unë isha ndër më të thjeshtit në veshje.
Nuk ishim afruar shumë me njëri-tjetrin, sepse mua nuk më pëlqente natyra e tij shumë e futur dhe joserioze. Ai bënte sipër shaka banale, të cilat mua nuk më pëlqenin fare. Sidomos femrat i shikonte gjithnjë me syrin e seksit. Nga ana tjetër, si përgjegjës klase, edhe profesorëve u rrinte gatitu e u servilosej, deri në neveri. Në mësime ishte fare mesatar dhe nuk shquhej në asnjë nga lëndët; as në ato shkencore e as në ato humanitare. Ai ishte një nga kopiacët më të shkathët në detyrat e provimet dhe, në sajë të këtij zanati, e kalonte klasën.
Pas çlirimit, kur në gjimnaz nisi me forcë diferencimi klasor dhe rinia komuniste aty mori aq fuqi sa ia mblidhte edhe trupit pedagogjik (përfshi edhe drejtorin e shkollës, që mund të ishte edhe vetë komunist), Thoma Disha, sido që me origjinë borgjeze të qartë dhe për më tepër me të atin emigrant në Amerikë, u bë një nga aktivistët më të shquar të kësaj rinie. Si pelivan që ishte, ai u vinte vërdallë “kapove” të Rinisë Komuniste të gjimnazit, u lëpihej, u servilosej.
Nga ana tjetër, mbante qëndrim të rreptë dhe të ngrysur ndaj shokëve, që nuk ishin anëtarë të Rinisë Komuniste, që ishin të deklasuar dhe rrinin në goshe nga frika e ndonjë persekutimi të hapur. Por ashpërsia e tij shpërthente më me hov, sidomos ndaj gjimnazistëve që ishin përjashtuar edhe nga “Rinia Popullore”, ku bënte pjesë masa më e madhe e shkollës, që nuk ishte pjesëtare e “Rinisë Komuniste”.
Kuptohet që, sidomos në maturë, unë isha një nga të persekutuarit e shokut Thoma, si i përjashtuar nga Rinia e nënshtruar Popullore që donte të thonte kandidat i afërt, për t’u futur në burg e, për të marrë titullin “Armik i popullit”. Më kujtohet fare mirë dimri i vitit 1948. Sapo kishte plasur një krizë e madhe me përpjesëtime ndërkombëtare: “Kriza e Berlinit”. Unë isha maturant dhe rrija në bankë i vetëm, në fund të klasës. Asnjë nga shokët e klasës nuk më fliste. Komunistët nga urrejtja, “Popullorët” nga frika se mos e pësonin si unë.
Ç’kishte ndodhur? Sovjetikët kishin bllokuar shtegun e vetëm që lidhte Gjermaninë Federale, me “Berlinin Perëndimor”, duke ndaluar çdo kalim në të, sidomos nga Perëndimi në Lindje. Atëherë, amerikanët, të ndodhur para faktit të kryer të thyerjes së marrëveshjes së Posdamit, fill pas mbarimit të Luftës së Dytë Botërore, si dhe para një provokimi të hapur sovjetik, krijuan një urë ajrore, mes Gjermanisë Perëndimore dhe Berlinit Perëndimor.
Kështu, ditë e natë, aeroplanë amerikanë e përshkonin atë korridor për të furnizuar zonën perëndimore të ish-kryeqytet gjerman. Por, edhe këtu sovjetikët nuk rrinin rehat. Ata mundoheshin ta pengonin këtë urë me fluturime të aeroplanëve luftarakë sovjetikë, rreth atyre aleatë, duke rrezikuar një përplasje mes tyre, që do të thonte shpallje lufte mes Perëndimit dhe Lindjes, domethënë Lufta III-të Botërore. Tashmë edhe me bomba atomike.
Në një situatë të tillë e gjithë bota ishte fort e shqetësuar dhe njerëzit i kishin bërë veshët pipëz pas lajmeve të radiove dhe gazetave, me ankth në zemër: Por, në Shqipëri, tek antikomunistët, ku hyja tashmë edhe unë haptas, shqetësimi ishte kthyer në një shpresë, të bindur në epërsinë absolute të Perëndimit dhe të shpartallimit njëherë e mirë të kuçedrës së kuqe, kudo ku sundonte ajo, në radhë të parë në vendin tonë fatkeq. Në ato ditë edhe të tërbuarit e Komsomolit shqiptar në gjimnaz, sikur i kishin ulur ca pendët. Domosdo, i pari ishte shoku Thoma Disha, i cili ishte edhe përgjegjësi i klasës, sido që borgjez i kulluar nga origjina e gjendja ekonomike.
Një ditë, në kohën e pushimit mes orëve të mësimit, kur gjithë të tjerët kishin dalë jashtë në oborr a bulevard, për të shpirë këmbët si zakonisht a për të marrë pak ajër të pastër, hapet dera e klasës dhe brenda hyn Thomai. Fill e tek unë:
– “Uran, – më thotë me dashamirësi të shtirë, – mos ke nevojë për gjësendi, ndonjë dispensë a libër dhe të mungon? Ta gjen Thomai ty e ta jep me marifet, që të mos e marrin vesh këta maskarenjtë e tjerë të organizatës”.
Isha duke lexuar një libër të Gorkit në italisht, sepse rusisht nuk dija. Libri m’u duk interesant dhe isha përqendruar fort në të. Titulli i tij ishte: “Shkatërrimi i personalitetit”. Jo pa qëllim kisha marrë aty Gorkin dhe jo një shkrimtar apo dijetar tjetër. E dija që më kontrollonin “shokët” e rinisë kur detyrohesha të dilja prej klase. Lash leximin dhe ia ngula sytë asaj fytyre hipokrite, asaj mësalle me dy faqe dhe i thashë troç:
– “Hej, Thoma Disha, Thoma Disha! E di fort mirë përse m’u afrove! Me siguri ke mbetur gjithë këto ditë me veshin ngjitur tek Radio Londra! Të lutem largohu, se nuk kam fare nevojë, as për ndihmën dhe as për shoqërinë tënde”! Këto fjalët e fundit i thashë me ton, duke i mëshuar mirë zërit. Ai u zverdh në fytyrë, uli kokën dhe këputi qafën me të shpejtë jashtë klasës.
Kriza e Berlinit mbaroi me kthimin në normalitetin e mëparshëm. Klasa jonë mori maturën dhe “shokët komunistë” morën bursa studimi për jashtë shtetit nëpër “Kampin Socialist”. Thomait nuk i dhanë bursë, siç duket ia lexuan kartat se kush ishte. Por ai, si pehlivan që ishte, u aktivizua fort në Komitetin e Rinisë dhe pas një viti, jo vetëm mori bursë, por edhe të veçantë, nga ato me para më shumë e fill e në Budapest, ku kishte vajza fort të bukura, siç ia kishte ënda qejfliut të madh Thoma.
Dhe, me të mbaruar studimet për Inxhinieri Ndërtimi (si kam treguar më parë), e kam parë në kantierin e Kombinatit, ku gjithashtu kishte vajza plot, megjithëse ai nuk linte rehat, as arsimtaret e fshatrave të asaj zone. Dhe tani ishte kryeinxhinieri i “21 dhjetorit”, si punë ndihmës ministri i Ndërtimit; me veturë “Pabieda” në dispozicion, si ministrat e asaj kohe, hiç më pak!
Ai paskësh ardhur disa herë në kantierin e punës sonë dhe kisha dëgjuar se e kishin marrë zët, jo vetëm brigadierët e teknikët e burgosur, por edhe kryetari operativist i zyrës sonë teknike, madje kishin gjetur belanë edhe teknikët e lirë dhe inxhinierët, me të cilët sillej si një tiran i vërtetë, duke sharë e duke kërcënuar, sa, shumëkujt prej tyre, i kishte ardhur shpirti në majë të hundës.
Në një nga ato ditë, kishte ardhur te pallati dhe, duke u ngjitur lart, i kishte rënë në sy dhoma e katit të parë, ku punoja unë. Ishte koha që kishim një gjysmë ore pushim, për të ngrënë mëngjesin. Vinin kazanët dhe ne, si merrnim racionin tonë, shpërndaheshim nëpër objekt, për të ngrënë atë farë ushqimi. Kështu që unë nuk u ndodha në vendin tim të punës.
Duke parë punën time të mirë, zoti kryeinxhinier, kish pyetur se kush e kishte bërë. Dhe brigadieri bashkë me inxhinierin e lirë që e shoqëronin, kishin zënë emrin tim në gojë. Atëherë Thomai ishte çuditur dhe kishte shfaqur dëshirën të më takonte.
Për t’ia plotësuar dëshirën menjëherë, brigadieri, një dallkauk dhe servil i ndyrë (në mos jo edhe spiun), kishte nisur te vendi ku po haja bukë, një punëtor të burgosur për të më thirrur urgjent.
– “Ik e thuaji brigadierit dhe inxhinierit, se kam orarin e pushimit dhe të ngrënies së mëngjesit. Do të shkoj te vendi i punës, kur të mbarojë orari, dëgjove”?
Kur vajta te vendi i punës, më doli përpara zotni Thomai: i veshur elegant, sigurisht më mirë se kur ishte gjimnazist, tashmë i fryrë si gjeli i detit, gjithë kapadaillëk e m’u drejtua:
– “Eee, Uran Kalakulla, si të duket ajo social-demokracia jote? A e sheh se ku përfundove ti bashkë me të”? Një njeri fisnik, qoftë edhe në pozitën e tij, duke qenë tashmë unë në pozitën e skllavit të lidhur me pranga, jo vetëm nuk do të kishte përdorur sarkazmën, por ose do të bënte sikur nuk më njihte, ose shumë-shumë, do të më pyeste për punën.
Të kisha qenë unë në këmbë te tij (qoftë larg!), jo vetëm nuk do ta kisha ngacmuar atë hale, por, përkundrazi, do t’i kisha thënë nja dy falë të mira për punën e bërë me merak dhe origjinalitet. Madje, mund të shtyhesha e ta urdhëroja inxhinierin e objektit, t’i vinte ca lekë më tepër. Por muti, mbetet mut, në çdo kohë e në çdo situatë. Sepse ai është lindur mut e, vetëm mut!
Atëherë mua m’u errën sytë nga inati. M’u kujtua gjithçka që tregova më parë, deri në hollësitë më të vogla. E pra, po flisnim prapë bashkë pas 16 vjetësh, kur tashmë nuk ishim më të rinj si dikur, por në moshë të pjekur. I indinjuar, ia ktheva me zë të lartë, sa dëgjoi gjithkush ishte aty përreth; jo vetëm inxhinieri i lirë, brigadieri im, por edhe kapteri i brigadës ku bëja pjesë dhe kryetari i zyrës teknike, krye-spiuni i kampit:
– “Dëgjo ti, Thoma Disha! Krekosju këtyre që s’të njohin, por jo mua, që të njoh dhëmbë e dhëmballë! Dallkauk dhe servil ke qenë gjithë jetën dhe dallkauk paske mbetur! Ti je prototipi i negativitetit dhe i poshtërsisë, ja çfarë je ti”! Të gjithë të pranishmit u ngurosën nga fjalët e mia. Për ta, ai ishte zoti i atij vendi dhe gjithkush dridhej prej tij. Si guxuakesha unë, t’i flisja ashtu atij kryeinxhinieri të ndërmarrjes?!
Domosdo që ai mistrec, nuk e priste atë përgjigje prej meje. Ndaj, i skuqur si mëlçi në fytyrë, me gojën që i shkumëzonte nga inati, thirri me sa i hante zëri:
– “Kapter! Merre këtë dhe fute në birucë! E të mos punojë më kurrë këtu! Vetëm në gropë të gëlqeres e ka vendin, ky armik i pandreqshëm i popullit! Kështu tha “shefi i madh” dhe thirri makinën, hipi në të dhe e këputi qafën me vrull nga kishte ardhur.
Atëherë, fort të habitur, m’u afrua kapteri, inxhinieri, brigadieri, kryetari i zyrës teknike dhe të burgosurit e tjerë që ndodhen aty dhe panë e dëgjuan gjithçka, duke më pyetur se ku e njihja at dreq. Domosdo që u thashë se kishim qenë nxënës të një gjimnazi dhe kaq. Pastaj, iu drejtova kapterit:
– “A po më çon në birucë, pra, zoti kapter, siç more urdhër nga ai”?
– “Jo! – tha i vendosur kapteri. Unë marr urdhër vetëm nga komandanti, jo nga ai”! Çudi pra, se ai kapter ishte një nga më të egrit e atij kamp-burgu. Madje, disa thoshin se kishte qenë edhe xhandar a karabinier në kohën e Zogut apo të fashizmit, se dukej që ishte ca i thinjur ndër flokë.
Çudia tjetër qe, se edhe kryetari i zyrës teknike, m’u afrua gjithë simpati e vazhdonte të më shikonte i çuditur. Ndërsa inxhinieri i lirë, përgjegjësi i objektit, më tha se ia kisha bërë paq atij qeni (tamam kështu e cilësoi ai), dhe se do më vinte në bordero, çdo ditë.
E bëja apo jo normën, 100 lekë (të vjetra sigurisht), do t’i merrja dhe se do të vazhdoja punën në parket. Kur të vinte ai qeni prapë, do me çonte njeri të më lajmëronte, që të fshihesha e të mos i dilja më para syve. Kurse shokët e burgosur erdhën e dikush më përqafoi, dikush më ra krahëve me dashuri. Memorie.al
Vijon numrin e ardhshëm