Nga Vasil Qesari
Memorie.al/ Përmbysja e ngrehinës së madhe totalitare në Shqipëri do të linte pas, jo vetëm ndryshimin e sistemit, shoqëruar me plot shpresa, mirazhe e klithma lumturie por, fatkeqësisht, edhe mjaft plagë, drama, viktima, pluhur, ml lefe e zhgënjime nga më të ndryshmet. Dhjetë vjet e më tepër pas asaj ngjarje, e cila tronditi thellë shoqërinë, duke përmbysur tërësisht shumë kode, rregulla e koncepte të mëparshme, njerëzit vazhdojnë endé t’i bëjnë vetes pyetje të tilla, si: Ç’kish ndodhur në të vërtetë në shoqërinë shqiptare, gjatë 50 vjetëve të fundit të diktaturës? Si qe e mundur që sistemi arriti të deformonte gjithçka? Përse njerëzit e kishin pranuar atë? Cila qe logjika totalitare e transformimit të shoqërisë e individit? Si qenë konceptuar e funksiononin strukturat e mekanizmave totalitare: propaganda, policia sekrete dhe ushtrimi i ideologjisë së terrorit? Si ndodhi që ndër mbarë vendet komuniste të Lindjes europiane, Shqipëria të cilësohej përjashtim apo rast i veçantë? Pse Enver Hoxha i qëndroi verbërisht, fanatikisht e gjer në fund besnik Stalinit, duke e kthyer vendin në një burg ku dhuna, frika e spastrimet vazhduan gjer në fund të viteve ’80-të? Pse vendi u izolua çmendurisht, duke i mbyllur njerëzit mes bunkerësh e telash me gjemba? Përse, pra, ndodhën gjithë fenomenet e mësipërme…?! Libri ‘Post-scriptum për diktaturën’, s’pretendon t’u japë përgjigje definitive pyetjeve të mësipërme, apo kompleksitetit të arsyeve që sollën e mbajtën në fuqi pushtetin totalitar në Shqipëri. As edhe të jetë një afresk i plotë, i thellë e i gjithanshëm i jetës e vuajtjeve që përjetuan njerëzit gjatë atij sistemi. Autori i tij, ndofta, ka meritën që bashkë me shikimin retrospektiv të periudhës totalitare si dhe zellin e një analisti të pasionuar, është përpjekur të kthejë edhe një herë kokën mbrapa, për të dhenë jo vetëm kujtimet e opinionet e tij personale, por dhe për t’i u rikthyer dhe një herë vizionit të asaj epoke me filozofinë e thjeshtë të ruajtjes së Memories e mbështetjes së Apelit për të mos harruar kurrë maksimën e njohur, se…kadavrës vazhdojnë t’i rriten thonjtë e flokët edhe pas vdekjes! Dhjetë vjet e më shumë pas përmbysjes së madhe, libri në fjalë ka vlera aktuale e shpresojmë të vlerësohet nga lexuesi sepse, siç shprehet edhe një studiues shqiptar…e keqja më e madhe që mund t’i ndodhë një populli, vjen atëherë kur ai nuk arrin të bëjë analizën e së kaluarës së vet. Një popull amnezik është i detyruar të jetë vazhdimisht neuropatik e të përsërisë përvojat e tij të dhembshme…!
PAKËZ DRITE NE TERRIN E ZI
Vitet e vazhdimësisë sollën dhe më tepër rrënim e varfëri. Regjimi, s’arrinte t’i përballonte vështirësitë në rritje si dhe katastrofën e plotë, të një ekonomie të mbështetur tërësisht në forcat e veta. Mbas më tepër se 4 dekadash vuajtje, izolimi e sakrificash të panumërta, jo vetëm populli në përgjithësi por edhe vetë anëtarët e Partisë e militantët e saj, nisën të mos besonin më në ndërtimin e një shoqërie të begatë e cila qe trumbetuar në vite nga propaganda zyrtare, si parajsë tokësore.
Ndërkohë, në planin politik, agonia e regjimit e cila kish nisur qysh para vdekjes së diktatorit e që zgjati gjer në vitin 1990, gradualisht po shoqërohej me për foljen e një farë rivaliteti midis partizanëve të vendosur të vazhdimësisë e atyre të ndryshimeve. Këta të dytët, thuhej se qenë të gatshëm të pranonin zbutje e reforma, si në ligjet e ngurta të ekonomisë së centralizuar ashtu edhe në politikë. Të atij mendimi qenë, në përgjithësi, dhe shumë intelektualë, me apo pa funksione shtetërore e partiake.
(Ndërkohë që, shumica dërmuese e funksionarëve të lartë që bënin pjesë në gjakun e ri të nomenklaturës si edhe kuadro të lindur pas Luftës, kishin aq lakmi për pushtet e privilegje, sa që për realizimin e tyre qenë gati të bënin gjithçka, përfshirë edhe tradhtinë ndaj vetë Partisë).
Sipas fjalëve që qarkullonin, thuhej se udhëheqja e lartë, dalëngadalë, po ndahej në dy grupe me ide e vizione të ndryshme rreth realitetit e së ardhmes së vendit. Njëri, i cili qe më i madh e më i fuqishëm, ishte mbështetës i Nexhmije Hoxhës e mbronte me fanatizëm vazhdimësinë staliniste të vijës së Enverit. Tjetri i cili mendohej të qe më i pakët në numër, flitej se mbështeste tentativat për ndryshime të Ramiz Alisë.
Të vërteta a të pavërteta, fakti qe se tre vjet pas vdekjes së diktatorit, nisën të duken edhe shenjat e para të një farë liberalizmi të shumëpritur. Njerëzit u duk se morën frymë pakëz më lirisht. U krijua përshtypja se, papritur, në terrin e jetës u shfaq një rreze e vogël drite. Fushatat, mitingjet, fjalimet e nismat e Partisë e Frontit Demokratik kundër armiqve e shfaqjeve të huaja, u benë gjithmonë e më të rralla, gjersa, pothuajse u shuan fare. Në atë kuadër, edhe atmosfera e konspiracionit rreth ekranit të vogël, i cili për kish qenë e vetmja antidot kundër infeksionit totalitar, u bë gjithmonë e më inegzistente.
…Gjuetia ndaj antenave për ndjekjen e stacioneve të huaja televizive u la në harresë. Mbi çati, kulme shtëpish e pallatesh, nisën të duken gjithmonë e më tepër antena nga më të ndryshmet të ndërtuara artizanalisht. Antena vertikale, horizontale, të kryqëzuara, me dy, katër apo gjashtë vibratorë e dhjetëra elementë. Bashkë me to nisi edhe një “garë” e vërtetë për arritjen e rezultateve sa më të mira në kapjen e sinjaleve.
Revistat e pakta për radio – elektronikën që mezi arrinin të hynin nga jashtë, kërkoheshin me “qiri” nga amatorë të ndryshëm, të cilët nuk ishin teknikë apo inxhinierë por… marangozë, mjekë, arsimtarë apo edhe…berberë e kamerierë. Të gjithë mundoheshin të gjenin në to skema të ndryshme për ndërtimin e antenave, amplifikatorëve e, mbi të gjitha, për sajimin e të famshmëve “kanaçe”, me anë të cilave mund të ndiqeshin edhe filmat erotikë që transmetoheshin në bandën UHF…!
Kësisoj, televizioni i huaj qe shndërruar në një sëmundje, një obsesion, fiksim a psikozë masive. Natyrisht, gjithë kjo kish shpjegimin e vet. “Molla e ndalueme”, ajo që regjimi kish ndaluar prej shumë vitesh, ish e lakmueshme dhe kushdo mundohej ta “kafshonte” sa më parë. Izolimi i gjatë e absurd, lufta e rreptë kundër çdo kontakti e influence nga kulturës “borgjezo – revizioniste”, në vend që t’i bënte njerëzit indiferentë e përbuzës ndaj çdo gjëje të huaj, (ashtu siç kish uruar e punuar vazhdimisht propaganda e Partisë), në fakt kish bërë efekt të kundërt e qe kthyer në një “bumerang” të vërtetë…!
Dukej qartë se regjimi, s’e ndjente më veten të fuqishëm si më parë. Me apo pa dashje, lufta e egër ideologjike, përballë alarmit të katastrofës ekonomike kaloi në plan të dytë e pothuajse u harrua. Ndërkohë, dukej se edhe ingranazhet e propagandës qenë ndryshkur e konsumuar së tepërmi e bile, herë pas here, ngecnin në vend. Mekanizmi i saj i dikurshëm, i vajosur me zell e kujdes; gjithmonë perfekt, preciz e me ritmin e një sahati zviceraian, dukej se s’kish më efektin e mëparshëm të trembjes, kërcënimit dhe frikës.
Pamjet nga ekranet e televizionit italian, jugosllav e grek, krahas frymëzimit për liri, për ditë e më tepër sillnin dhe ëndrrën e konsumizmit, mirazhet për një jetë tjetër. Tashmë, valët televizive s’mund të ndaleshin më e, spikerët e televizioneve të huaj, s’mund të dënoheshin për agjitacion e propagandë.
Dimensioni magjik i televizionit bënte punën e vet. Populli e, veçanërisht brezi i ri, aspironin për një jetë më të mirë. Pikërisht, prej imazheve të tij, njerëzit shihnin se në vende të ndryshme të Lindjes po ndodhnin ndryshime. Por, në Shqipëri, asgjë s’lëvizte. Asgjë s’ndryshonte. Përkundrazi. Realiteti bëhej gjithmonë e më i vështirë. Radhët në dyqane zgjateshin edhe më tepër. Ndërkohë që, tundimi ndaj reklamave televizive me pamje që paraqesin ushqime të bollshme, veshmbathje, artikuj elektro-shtëpiakë, detersivë, shampo, kremra e chewing – gume, bëhet gjithmonë e më i madh.
Në rrethana të tilla, dukej se regjimi u shtrëngua të bëjë disa lëshime. Por, zbutja e tij i bëri njerëzit edhe më të guximshëm e praktikë. Në jetën e përditshme filloi një farë liberalizimi, ndërkohë që, nëpër qytete të rinjtë nisën të ndjekin haptas modën e huaj. Pak nga pak, në vend filluan të hyjnë pajisje, mallra e veshmbathje nga perëndimi.
Kjo, arrihej jo vetëm nga daljet më të shpeshta jashtë e pakove të ardhura nga vendet e huaja (tashmë, embargoja për marrjen e tyre qe hequr), por edhe nëpërmjet kontrabandës së floririt që bënin shoferët e eksportit. (Ata nxirrnin jashtë sasi të konsiderueshme monedhash, me të cilat pastaj blinin televizorë, magnetofon, bizhuteri, orë dore, këpucë, veshje të ndryshme etj.)
Shumë të rinj, me një mijë marifete, arrinin të plotësonin ëndrrën e madhe të jetës: të blinin një palë pantallonave blu – xhins. (Paçka se ato mund të gjendeshin vetëm me mik e kostonin sa tri rroga mujore së bashku). Ndërsa, nuset e vajzat, në qytete a në fshatra, nisën të mbanin gjithmonë e më shumë unaza, byzylykë e varëse të lyera me flori, të cilat dhe pse bliheshin fare lirë në tregjet e Turqisë, Malit të Zi a Maqedonisë, në Shqipëri shiteshin nenë dorë e pothuajse njëqind fish.
Dëshira, për t’u veshur ndryshe, qe deri diku e mundshme edhe për ata që s’kishin Mundësia. Qindra vajza e djem, ca prej të cilëve rrobaqepës e shumica amatorë, i kthyen anekset e kuzhinave në atelie private, ku prisnin e qepnin fustane, pantallona, funde e bluza të modës, me modele të marrë nga veshjet e artistëve të spektakleve televizive apo katalogët e huaj që hynin ilegalisht në Shqipëri. Ndërkohë, jo vetëm nëpër rrugët e Tiranës por edhe në ato të shumë qyteteve të tjera, nisën të qarkullojnë motoçikleta të shumta private.
(Gjer atëherë, ato ishin tepër të rralla e pronë shtetërore. Pak motorë privatë, të markave Moto – Guzzi e Gilera, prodhime të viteve ’30 e të mbetura qysh nga koha e pushtimit italian, konsideroheshin luks e trashëgoheshin nga njëri brez tek tjetri).
Por, tashmë, numri i tyre rritej dita-ditës. Kjo ndodhte, qoftë për arsyen e daljes së një urdhërese të brendshme e cila, më së fundi lejonte zhdoganimin e tyre ( ku paguheshin shuma marramendëse), por dhe për faktin se, shumë nga fëmijët e familjarët e anëtarëve të Byrosë Politike, ministrave, ambasadorëve e funksionarëve të tjerë të lartë partiakë e shtetërorë, mbas studimeve, specializimeve apo vizitave mjekësore jashtë vendit, qe bërë traditë të sillnin me vete, krahas të tjerave, edhe nga një motoçikletë .
Por, ajo që i bëri njerëzit të mos u besonin syve e të shkaktonte rendë radhët e militantëve të Partisë qenë, fillimisht, lejimi i thyerjes së floririt në Bankat e Shtetit, marrja e paréve të dërguara nga të arratisurit prej familjet të tyre e, më pas, çelja e dyqaneve të dollarit. Të hapur për herë të parë në Sarandë e Gjirokastër, këta të fundit, u shtrinë më pas edhe në shumë qytete të tjera.
Në Vlorë, dyqani i dollarit u instalua në katin e parë të një pallati 7 katësh, (përbri markatos). Ai qe gjithmonë plot, brenda e jashtë. Për ditë, turma njerëzish shtyheshin para vitrinave, duke parë me kërshëri e ngazëllim, artikuj e sende të cilat i kish ëndërruar për vite me radhë. Ato qenë, në pjesën më të madhe pajisje, (televizorë, lavatriçe, frigoriferë etj.), të cilat shumica i kish parë vetëm nëpër shtëpitë e një kategorie të caktuar njerëzish.
Por, ja, kish ardhur koha të ndodhnin çudira…! Tashmë, në dyqanet e dollarit, ata që arrinin të siguronin kartëmonedhat e gjelbërta amerikane (me portretin e George Washington-it e flamurin e shtetit më të urryer nga regjimi), mund të blinin fare kollaj, televizorë, magnetofona, makina larëse, frigoriferë, fshesa me korrent e kaloriferë elektrikë. Por, ama, tashmë, të privilegjuar nuk qenë më ata të dikurshmit. Ata që kishin funksione e poste. Ata që kishin luftuar për idealet e Partisë.
Po! Ai privilegj ishte vetëm për ata që kishin dollarë. Pra, rrjedhimisht, ata të cilët kishin njerëz jashtë, në emigracion ekonomik e të arratisur. Ky qe, vërtet, një skandal! Mjaft veteranë e militantë të flaktë, nisën të shkruanin lart, letra plot ankesa:
Ç’po ndodhte kështu ?! Shteti po përkrahte e po merrte në mbrojtje armiqtë? Jo…! Lejimi i dyqaneve të tilla që një skandal. Pa dyshim, aty lart në Tiranë, peshku kish nisur të merrte erë nga koka…! Ah, po të qe gjallë Enveri, ato gjëra as që mund të çoheshin ndër mend, e jo më të ndodhnin…!
Dhe në marrëdhëniet me jashtë ndodhën fenomene që më parë as mund të mendoheshin. Mbas vitit 1985 e frymës paqësore të librit të Enverit ‘Dy popuj miq’, me vendin fqinj, Greqinë, shkëmbimet nisën të bëhen gjithmonë e më të shpeshta. Fillimisht, akullin e kish çarë këngëtarja e njohur Marinela, e pas saj kishin vijuar jo vetëm turne me këngëtarë por dhe shkëmbime vizitash zyrtare, pjesëmarrje në panaire tregtare, shkëmbime artistike e në fusha të tjera.
Po në atë kuadër, për herë të parë pas Lufte, me porosi nga lart, u toleruan edhe kërkesat e disa qindra e qindra emigrantëve shqiptarë me banim në Greqi. (Të ndarë së gjalli prej njerëzve të tyre qysh prej 50 vjetësh, ata prej kohësh kërkonin më kot të pajiseshin me viza-hyrje, për të vizituar familjet e vendin e tyre). Por, natyrisht, dyert s’u hapën me të dy kanatat e vizat nuk u dhanë si të mundej. Fillimisht, për t’i kënaqur të gjithë si edhe për ta pasur situatën nenë kontroll, Sigurimi sugjeroi një zgjidhje origjinale. Lejimin e vizitave të organizuara në grupe turistikë. Pra, të seleksionuar, të kontrolluar e të survejuar, e vetëm në dy rrethe: Gjirokastër e Sarandë.
Lefter K. nga Vlora tregon: Dy djem të xhaxhait me banim në Athinë, më dërguan një telegram të papritur, me të cilin më njoftonin se, mbas tri ditësh do të ndodheshin në Sarandë me një grup “turistik”. Lajmi na mbushi plot emocione. Unë e dija që kisha kushërinj në Greqi, (babai im kish vdekur plot maraz, nga që s’mundi të takohej me vëllain e tij në Athinë, me të cilin qe ndarë qysh në vegjëli), por ata i kisha parë vetëm në fotografi.
Nejse. Shkova në Sarandë e u paraqita në hotelin turistik “Butrinti”. Holli dhe bari i tij qenë mbushur plot me të huaj e shqiptarë. Pjesa më e madhe e turmës qenë plaka të veshura krejt në të zeza, ashtu siç vishen plakat tona në bregdet. Ngado shihje pamje shumë prekëse. Njerëzit përqafoheshin, qanin plot ngashërime, bënin fotografi, shkëmbenin dhurata e përsëri derdhnin lot…!
…Në atë mjedis prekës e dramatik, vetëm ca “tipa” me fytyra të ftohta e të vërejtura, nuk lëviznin asnjë muskul në fytyrë. Në fakt, ata s’ndodheshin aty për të takuar ndokënd. Jo…! Misioni i tyre qe krejt tjetër. Të vëzhgonin e të hetonin gjithçka përreth e, pastaj, të përpilonin raportet përkatëse: Cili qe identiteti i personave që kishin ardhur për t’u takuar të “huajt”? Nga vinin? Ç’biografi kishin? Ç’jepnin e merrnin mes tyre…?!
Mbas dite vonë, bashkë me dy djemtë e xhaxhait, dolëm nga holli i hotelit në lulishte, jashtë në oborr. Dita “turistike” po mbaronte. Para se të ndaheshim, një nga kushërinjtë, më pyeti enkas: Si jetoni këtu…? E kuptova mirë se ku e kish fjalën. U vura në siklet. Si t’i përgjigjesha? Pashë rreth e qark me dyshim e frikë e, mbasi u sigurova se rrotull nuk kish njeri, morra guximin e i thashë: Jeta jonë këtu ka qenë dhe është një ferr dhe, gjithë familja jonë, ka hequr të zitë e ullirit…! Memorie.al
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016