Nga Shkëlqim Abazi
Pjesa e pesëdhjetë
S P A Ç I
Varri i të gjallëve
Tiranë, 2018
(Kujtime të miat dhe të të tjerëve)
Memorie.al / Tash në pleqëri, ndjej detyrim të rrëfej të vërtetën time, ashtu siç e jetova. Të flas për burrat modestë, që s’u mburrën ndonjëherë me bëmat e tyre dhe për të tjerët që regjimi u mbylli gojën e, i groposi në skërkat pa emra. Në asnjë rast s’marr përsipër, të uzurpoj monopolin e së vërtetës apo, të pretendoj dafinat për një ngjarje, ku qeshë i pranishëm rastësor, ndonëse u rreka me shpirt të ndihja sadopak miqtë e mi, që më shmangën me takt dhe me dashamirësi: “Byrazer, hap sytë… mos u përzje… se edhe dy muaj e pak të kanë mbetur”! Merak që m’u qep si hajmali, nga mëngjesi i datës 21, 22 dhe 23, maj 1974, madje më ndoqi edhe muajt në vijim, gjersa më liruan. Sidoqoftë, gjithë ç’ pashë dhe dëgjova ato tri ditë, s’do doja t’i merrja në varr.
“Është gjallë”!
“Gjallë! Gjallë”! – përsëritën të tjerët.
“O Zot, ndodhi e pa ndodhura; po i zhvatim kufomat nga duart ‘Polifemit’”!
“Shpejto, burra, në infermieri”! Rilindi shpresa.
Katër burra më plandosën mbi një mushama të fiksuar mbi dy bishta lopate dhe rendën teposhtë kodrës, ndjekur nga dhjetëra që i ndërronin rrugës. Në të rrëpirën e “Kalvarit”, ndan udhës ku eshperonin makinat që transportonin mineral, ushtari kish klithur nga karakolli:
“Prapa ktheu! Ndal, se do qëlloj”!
Por unë, apo alter-egoja që vigjilonte mbi tabutin prej mushamaje, iu qemë përgjigjur njëherësh: “Qëlloni dhe vrisni të vdekurin”!
Shokët s’ua vunë veshin kërcënimeve të ushtarit, as alter-egos sime, por sfiduan shtetin që heshti, apo pengoi me urdhrat konfuze, kur kish detyrim mbrojtjen e jetëve.
“Ka dek, hej burr’! – ish shprehur Preng Rrapi, kur trupi fshihej nën mal. – “Lëne të dekmin q’atje ku a dhe bani normën”! – iu referua urdhrit të komandantit.
Po miqtë e mi kokëfortë s’u dhanë:
“Nuk ia lemë peng Polifemit”!
“Vazhdoni burra, mbase don zo… fati a i gjallë”! – i inkurajoi ai që s’e prisnin; “Mark gjiganti”, kapteri i Repartit 303, Spaç, Mirditë!
Pra edhe mes tyre kish njerëz me shpirt, paçka se të rrallë. Diferencimi brenda llojit, i nxiti shokët që s’e përfillën faktin, nëse isha gjallë apo vdekur, sepse ende shpresonin. Sa më e mjerueshme jeta, aq më tepër dhemb! Teksa mjerimi zgjon vetëdijet e nemitura, fatkeqësia i orienton mendjet e hallakatura, të rritin frymën e bashkëpunimit ballë dhunës shtetërore.
Ndonëse shteti insistoi të braktisnin kërkimin, bashkëvuajtësit shtuan vet mohimin, sepse mëtonin jetën. Mes gulçimit, dhimbjes dhe djersëve që iu shkonin çurkë, s’i reshtën përpjekjet. Misteri i të nesërmes, farkëton solidaritetin e sotëm! Gjithkund ndesh shpirtra të qashtër, një i tillë u gjend edhe mes policëve, ani pse neve, na barazonin me lëkurët e zdralura.
“Vazhdoni burra, mbase don zo… fati, a i gjallë”! kish përsëdytur “Mark gjiganti”. Miqtë besuan te jeta dhe shpresa s’i zhgënjeu!
Të paktën u përpoqën të plotësonin dëshirën e fundit të çdo vdekatari, ta shtrinin mbi jatakun me kashtë, që ta përcillnin kufomën me dinjitet. Sepse çdo meit, e meriton shërbesën, ndaj e lënë të shtanget në shtratin ku ka nxjerrë xhan, para se ta çojnë në morg. Për t’u ndjerë të qetë para ndërgjegjes dhe Zotit, mësynë derën të më shtrinin mbi jatak para se të më përcillnin “sipër” për të vijuar “tualetin” policët; domethënë të më thyenin në fund sharrën e kurrizit, të më kllaposnin në një mikroarkivol dhe të më groposnin pranë fatzinjve të tjerë.
Do isha harruar me vakt! Do i kisha larë hesapet me këtë botë vreri, por… Zoti e kish parathënë ndryshe të ardhmen! Kthim nga përtej-jeta. Por,…s’di kush e kish njoftuar vdekjen time.
Mbase lajmi kish kaluar nga punëtorët te gjashtë qindëshit; mbase e kumtuan kukuvajkat nga maja e çative me kartëma, që klithnin sa herë ndodhnin fatkeqësi; mbase vrundujt që rrihnin vrullshëm këtë xhep te harruar nga bota, ia kishin përcjellë lugut të Spaçit; mbase kishin llapur policët të tensionuar, nga shërbimi jashtë orarit?!
Pavarësisht burimit pas derës komunikuese mes dy kampeve; prisnin miqtë e vjetër. Prisnin gjashtë-qindëshit, duke thithur llullat në cepin e fjetores; priste edhe Malo tellalli, që nuk ulëriti zë-çjerrë, ngaqë druhej mos i prishte rehatinë e munguar të vdekurit; macka spiune rrinte sus grimpuar pas katër-masë, me sytë rrudhur dhe veshët bigë, si t’i kish zënë pritë ndonjë miushi; madje atë paradite, si rrallëherë, edhe “Marroku” kish braktisur fushën e shahut, duke i lënë përballë “kundërshtarët” imagjinarë, bile s’kish llapur marrëzira, edhe pse s’e vriste fare për garametet e kësaj jallane!
Priste me çantën e ndihmës së shpejtë, Van Xhuvani, që më qepi lëkurën e rrjepur nga kërbaçi i Preng Rrapit, ditën kur shkela në kampin e nemur. Sakaq priste tufa e Zefëve dhe luteshin sipas prirjeve, prifti i drejtohej Zotit, oficeri shante regjimin, punëtori mallkonte mjerimin, bujku nëmte dheun, ndërsa poeti luste Orfeun. Mbase me ta priste edhe fantazma e birucave të Shkodrës, që kish profecuar: “Mbahu Çim djali, ke me lan shtatë lëkurë në burgje, ba me i dal mbanë, në e paç atëfat”!
Në mos e kapja numrin këtë herë, s’do t’ia mbërrija kurrë! Mbase priste edhe… Shën Pjetri, me mjekrën biblike dhe skeptrin në dorë, për të më drejtuar në kopshtet e Edenit, apo në humbëtirat e Skëterrës. Prisnin gjithashtu edhe lukunia policore, që krrokëronin:
“Larg prej njitu, or tëj”!
“Ik prej aqje se, asha idealin e Partëjs…”!
“I d’num, ta po t’shtin ushtari, a zonë e ndalueme q’aty”!
Po edhe ushtari, iu mbante iso që sipër karakollit:
“Ndal! Prapa ktheu, se do të qëllojë”!
Por si s’ia vari kush, nuk shtiu, sepse s’mund të vritet sërishmi i vrari! Po edhe “rruga e mundimeve”, e kish pikënisjen mbi njollën e parrit, brenda vijës së “ndalim-qarkullimit”, ku zinte fill “Kalvari” i rrahur nga mjeranët e shkrehur si kufoma, veshur me zhele, sa s’kishte ku t’i kapte qeni.
Por secili iu përshtat skenarit, që iu kish servirur i Madhi Tiranës dhe bënë adetin: policët ulërinë, ushtarët kërcënuan, qentë skërmitën dhëmbët, kurse të burgosurit heshtën. Thirrjet pafund i lodhën të gjithë, sidomos policët që s’donin t’i zgjasnin ende, ndaj këmbëngulën të më shpinin sipër:
“Fundja i dekmi me të dekmit, or tëj”! – ish shprehur një syresh.
“Sun hupim kohë me kërma, or shoq, janë tuj na prit, gra e cullë në shpëj”! – ia kish pritur një tjetër.
Për të shkurtuar procedurën, justifikuan veprimet dhe insistuan të më shpinin në morg, por shokët ngulën këmbë të më çonin në fjetore apo, tek e fundit në infermieri, ku të konfirmonte vdekjen mjeku.
“Terma, të d’num, q’atje t’i baj autopsinë Kosovrasti”! – kish tentuar edhe një herë Preng Rrapi.
Këtë rutinë, mjeku e përmbyllte në zyrat e komandës, apo në morgun e improvizuar, po pranë zyrave, por shpesh s’e linin t’i afrohej fare kufomës së xhallavitur, si ta kishin shqyer qentë, veç sa plotësonte skedën e vdekjes dhe rendiste shkaqet që i servinin. Në fund firmoste, para se t’ia përcillte mjekut ushtarak.
Ndodhte që për arsye nga më të banalet, akti mbyllej, pasi fatziun ta kishin groposur në ndonjë hendek, për pasojë as ushtaraku s’e këqyrte kufomën, kështu kur vinte radha të mbyllnin procesin formal, akti ish shndërruar në sarkazëm:
“Firmos, s’u ba kiameti, një anmik ma pak”, e këshillonin eprorët dhe mjeku siglonte kuturu, pa e brejtur ndërgjegjja, për fatet njerëzore.
“Iku ora, or tëj”! – qe ankuar një polic, te porta hyrëse-dalëse.
“Sa shkoi, o Ndrec”! – e pyeti tjetri.
“Tash ka kapërcye dymbëdhjetë sahati”!
“Paska shkue vonë, qe besa”! – shfreu ai që ish qarë.
“Nalt, se na xuni darka”! – urdhëroi Preng Rrapi zelltar.
“Zotni, neve na duhet jeta, jo ora”! – kish ndërhyrë Esat Kala.
“Or tëj, ju keni prangat, na kena orën”! – dhe Prenga i kish rënë me gishtin tregues, xhamit të një sahati roskop, lidhur me rrip letre.
“E gëzofshi, ora juaj ka mbetur…, ne kemi kohën në favor”! – ia pati Esati.
“Hekrat e n’birucë, or tëj”!
Mes këtyre debateve, Vani kish klithur:
“Gjallë! Shpejt te doktori”!
“Lart, bre”! – kish insistuar i inatosur kapter Prenga.
“Është i gjallë, o zotni”!
“Njitu urdhnoj veta, or tëj”! – e ndërpreu polici kapadai.
“S’jepet jeta me urdhra, zoti polic! Të thashë është i gjallë”!
“Ç’na bane me kjesh, ky ka mbaru me vakt, or tëj”! – dhe Prenga kish shpërthyer në gaz satanik.
“Për mua është ende i gjallë dhe pike”! – kish insistuar Vani i fyer.
“Urra-a-a, gjallë, jetë-ë”! – kish shpërthyer në ovacione “Marroku”.
“Mjau-u”! – ia kish pritur macia nga mbiçatija.
“Gjallë, ‘re-e-ee”! – kish klithur Malo tellalli, si marinarët e stërlodhur të Kolombit, kur pikasën bregun lindor e patën thirrur: “tokë-ëë”.
Mbase ky tellall-automat, përlotej përnjëmend për herë të parë në karrierë?!
“Gjallë-ë-ë, tokë-ë-ë!” kish ushtuar gryka e Spaçit dhe jehona qe përndarë shpatit, kish depërtuar zgavrave të galerave, gjer në veshët e “Polifemit”.
“Oh-oh-h”! kish rënkuar përbindëshi, kish shkundur malin, duke vërtitur mbi abis mijëra tonë shkëmb, rërë dhe acid, tashmë pa dëm njerëzor. Kjo tronditje sizmike shkundi grupin, që rrëmbyen vigun dhe iu sulën infermierisë. “Te mjeku”, – kish urdhëruar Vani dhe çau në krye. Infermieri i burgut ferr, u shndërrua në lajmëtar i jetës!
Dobësia theu ashpërsinë policore, jeta triumfoi, sfidoi burgun dhe trandi shtetin!
Në “mbretërinë” e Muhamet Kosovrastit
Nga kthetrat e “Polifemit”, në shëronjëtoren më të përhumbur të rruzullit, që Muhamet Kosovrasti, e quante: “klinika ime”! Në “mbretërinë” e tij, s’ekzistonin urdhra, komandë, polic, po vetëm doktori, që e kish shpallur vdekjen non grata, luftonte me të dhe ndihej i lumturuar kur triumfonte; kur ndonjëherë humbte, zhytej në dëshpërim, tërhiqej me librat, rifreskonte mendimet, rigjeneronte forcat, injoronte humbjen dhe gatitej për betejat e ardhshme.
Hartonte plane duke konsultuar vetveten, jepte urdhra dhe i zbatonte vetë, iu përgjigjej po vetë, hipotezave që shtronte. Në “klinikën e tij”, zotëronte e bardha; fytyra e bardhë, duart të bardha, bluza e bardhë. Teksa shumëkush e shihte të zezë figurën e doktorit, brenda atyre mureve, llapëtinte bardhësia.
Doktori me personalitet kontrovers dhe karakter tejet të deformuar e të dyshimtë, ishte sa servil, i përvuajtur dhe i nënshtruar me autoritetet, aq i paafrueshëm, cinik dhe prepotent, me pothuaj pjesën më të madhe të bashkëvuajtësve. Me të mund të këmbeheshe njëzet herë në ditë dhe ai s’denjonte të kthente mirë-mëngjesin, apo mirë-mbrëmja, i dridhej dora për një ditë raport, edhe kur e meritoje.
Tipi i dyzuar, me paraqitje krudele, tjetërsohej sa kaptonte pragun e “klinikës së tij” dhe vishte bluzën e bardhë. Ciniku shpirt-zi, shndërrohej si në një vizion optik, në dishepull i Hipokratit, në mizantrop antropofil dhe çudibërës, mangësitë e individit me cene, mbeteshin tej derës.
Ndoshta mjedisi ringjallte mjekun! Atje ai ndihej mbret, princ, këngëtar, poet, me një fjalë, shërues organesh dhe trupi. S’e shpjegoj dot atë metamorfozë, sapo shkëndijonin reflekset e instrumenteve medikalë dhe ndjente aromën e medikamenteve, Muhameti bëhej Kosovrast, shëronjës i talentuar dhe i pakrahasueshëm me shumëkënd, në profesionin e vet.
Këto cilësi s’i shquaje dot, pa qenë pacient në ambientin steril, sepse ai tip i vështirë, qarkohej nga një mori thashethemesh të kobshme. Falë kujdesit dhe aftësive profesionale, qeshë një ndër pacientët që shpëtova, pa pasoja serioze. Me dashje pa dashje, gjatë mutilitetit këmbeja ndonjë opinion, lidhur me shëndetin, por kur këto shternin, (dhe i shterte me kast, duke provokuar tema jashtë sferës), bindeshe se ai zotëronte dije, edhe përtej fushës mjekësore.
Kur komunikoje me të e, pikasje se interesat intelektuale zgjateshin tej profesionit dhe dispononte nivel të kënaqshëm njohurish, mbi të rejat e fundit. Ai diskutonte në nivele sipërore për artin, letërsinë, kulturën, por sa kaptonte në temat e politikës, stepej menjëherë dhe merrte një çehre limoni, sytë i lëvrinin si ketri, të thuash se kish instaluar në to sensorë telepatikë.
Në sy i lexohej tmerri. Mos i druhej linçimit apo i peshonte në ndërgjegje llogaria e pashlyer, me personalitetin e vet? Mbase i tutej frikës nga panjohura dhe hetonte zbrazëtinë, madje tej saj, boshllëkun? Vetë i hapte temat dhe stepej sakaq, as unë as infermieri, s’i kaluam caqet e profesionales. Pra, s’besoja të isha unë shkaku, Vani jo se jo, atëherë pse tutej?! Veç Zoti, mund ta zhbironte atë mister!
Kish disa vite në burg dhe e njihte përbërjen. Gjithaq njihte edhe rrethin e miqve që frekuentoja, individët me të cilët shoqërohesha, profesionet, shkollimin, dashamirësinë për kulturën, letrat, artet, por edhe pikëpamjet puritane mbi formacionet shoqërore, mbi edukatën familjare, mbi artin, mbi fenë, mbi politikën; e dinte që s’para e toleronin sjelljen me ekuivoke, ua njihte bindjet antikomuniste dhe papajtueshmërinë me dogmat ateiste marksiste-leniniste që propagandonin majtistët; njëherësh e dinte se pjesa dërrmuese, s’e honepsnin dhe s’iu pëlqente ai tip i dyzuar, siç dinte se askush s’më pengonin, të ruaja relata korrekte me të dhe të tjerë.
Një mëndje ma thoshte se nëpërmjet meje synonte të rivendoste urat e kontaktit me miqtë e mi. Gjithsesi s’u thellova në këto hamendësime, ngaqë e konsideroja veten pacient kalimtar, që te ai shihja mjekun që po më shërbente për t’u rikuperuar. Pas kësaj, rrugët do ndaheshim dhe do ndesheshim si të huaj. Ndaj e quajta normal njëfarë mirëkuptimi dhe besimin e ndërsjellë mjek-pacient, që përpos progresit shëndetësor, s’arriti të kthehej në miqësi, ngaqë pakkush ia mbërriti.
Dy javë në infermieri dhe dy që pasuan kurimin, pikasa se e tejkalova pacientin e rëndomtë. Kur fitova një farë terreni, studiova imtësisht tipin e ndrydhur brenda mureve të “klinikës së tij” dhe provokoja ndonjë temë jashtë fushës. Atëbotë njoha individin me interesa tej mjekësisë, me ide të ekuilibruara dhe një anti-komunizëm diskret, që strukej në një shpirt fraxhil. Nxora konkluzionin se: “Ky tip frikacaku, është i pashpresë dhe i terrorizuar gjer në asht”!
Madje edhe një psikolog i vëmendshëm si Esat Kala, e perifrazoi kështu: “Mbase në thelb s’është negativ, por fobia me bazë mentale, i ka kallur sindromën e dhelprës”! Edhe dy javë mbasi dola nga “klinika e tij”, kisha vështirësi në s’ecje, shkoja për mjekim me ndihmën e miqve. Një nga këto ditë, më shoqëroi Tomor Allajbeu, që sapo kish mbyllur ndëshkimin e radhës.
Theksoi se Tomori ishte ndër të veçantët, që s’e honepste fare doktorin. Nëse të tjerët vetëm e përbuznin, ai e urrente. Mirëpo kur i treguan për aksidentin që më ndodhi dhe për sakrificën e mjekut, atëbotë sikur luajti paksa nga pozita “armiqësore” dhe iu qe betuar bashkëvuajtësve, se do ta falënderonte në “klinikën e tij”, sapo ta nxirrnin nga biruca.
Dhe kështu bëri. Po s’mund ta përshkruaj habinë e mjekut, kur i shtriu dorën “kundërshtarit” më intransigjent, iu pre goja dhe ngeli me dorën në hava. Pale kur dëgjoi nga buzët e atij që s’shpresonte se do t’i fliste ndonjëherë, një lumë falënderimesh, u prek thellë, sa dy pika lot iu varën majë qerpikëve, morën teposhtë mollëzat dhe iu qepën mbi buzë.
Ai i lëpiu në heshtje, mbaroi me mua dhe iu kthye Tomorit:
“S’më dukesh mirë”!
Të konstatoje këtë s’ishte nevoja të ishe mjek, sepse Tomorin e dënonin dhe ri dënonin prej kohësh.
“Pas kaq muajsh birucë, është krejt normale”! – ia ktheu indiferent miku im.
“Ore, je që je, pa zhvishu të të bëj një kontroll”! – gati e luti mjeku.
Çuditërisht Tomori u zhvesh dhe u shtri mbi shtrat, ku nisi të mbushte e të zbrazte mushkëritë, të kollej e të mbante frymën sipas urdhrit të mjekut. Pas ndonjë një çerek ore, Kosovrasti hoqi stetoskopin dhe diç nisi të shkruante mbi syprinën e komodinës.
“Ëh doktor”? – s’m’u prit mua.
“Je në gjendje alarmante, Tomor! Për mendimin tim duhet të shtrohesh urgjent në infermieri dhe më pas të shohim mundësinë, për mjekim më të specializuar…”!
Do vazhdonte edhe më, por e ndërpreu Tomori:
“Po pastaj”?!
“Mbase mund të të nisim në sanatoriumin e burgut!
“Seriozisht e ke”! – pyeti i habituri Tomori.
“Pa diskutim”!
“Po të lane”!
“Jam unë zot këtu”! – u mburr mjeku.
“Kush të pyet ty, or qyq”? – i qau hallin miku im.
“Si mjek mund të bëj diçka”! – mbrojti autoritetin ai dhe vazhdoi te shkruante.
“Ç’po shkruan ashtu”? – u interesua Tomori.
“Një kurë antibiotikësh”!
“E ke kot i dashur doktor, pas dy ditësh do jem prapë në hotelin pa qira”!
“Pse je kaq i sigurt”?!
“Sepse më janë betuar, të mos më nxjerrin gjallë apo, të më neutralizojnë fizikisht”! Fugoi pa pritur reagimin e mjekut, te pragu m’u kthye:
“Kur të mbarosh, të pres te kuzhina private”! – dhe mori teposhtën.
Mjeku shtangu me stilografin në dorë dhe sytë fiksuar mbi derë, kur rifitoi vetëdijen, i hodhi sytë Vanit, pastaj mua:
“Ç’rob është ky or burrë, mbushi vitin hyr e dil në birucë”! – foli pa iu drejtuar kujt.
“E zuri, do ta heq”! – ia ktheva, sepse ai ton kërkonte përgjigje.
“Mesa di unë, e ke nga ana dhe jeni shumë miq…”?
Seç kërkoi në sirtar, por e mbylli pa marrë gjë dhe m’u shkreh:
“I flisni, si e ka zënë ai, do mbarojë me mushkëritë copa-copa nga tuberkulozi, ose do luajë mendsh”!
“I kemi folur, por s’i mbeti tjetër”!
“Të punojë, or burrë”!
“S’bëhet llaf për punë, i kërkojnë ca shtojca, që s’janë në karakterin e tij”! – e mbrojta unë.
“Nuk shtyhet burgu në birucë, or mik”! – ofshau mjeku.
“Nuk shtyhet vërtet”! – e mbështeta. – “Po kur s’të lënë shteg”?
“S’di ç’të të them, në këtë fushë, aftësitë e mia shterojnë”! Teksa Vani po zgjidhte fashat e fundit, ai shpërtheu:
“Ai qoftë! Unë s’i duroj dot birucat, s’e ha dot galerinë, s’e honeps punën fizike, ajrin me smog e lagështi, jam alergjik ndaj acidit, piritit dhe papastërtive”!
Mbërriti momenti që nxorën kokë fobitë. Vani kish kapur me pinca fashat e përgjakura e të strëngura, për t’i flakur në koshin ndanë derës.
“Ama këto i duron”! – e cyta unë.
“Janë pjesë e profesionit”! – ma ktheu indiferent dhe vazhdoi të fuste gazrat e pasterizuara në mish. Në takimin e radhës, im atë më solli një kavanoz mjaltë, ia çova në shenjë mirënjohje, ai e pranoi pa naze, duke u justifikuar:
“Kam investuar gjithë energjitë mendore dhe fizike në këtë profesion. Ti je ekzemplari më tipik, për ta vërtetuar! Dhe më takon ta shfrytëzoj apo jo”? – shënjoi plagët e mia dhe shtoi:
“Duam t’i mbijetojmë burgut, or mik, ndaj pranoj ndonjë kompromis, bëj ndonjë lëshim, marr edhe ndonjë ryshfet të vogël”!
Shfrytëzova momentin dhe e pyeta për inferioritetin ndaj autoriteteve, si dhe indiferencën që nxiste antipatinë e urrejtjen e bashkëvuajtësve.
“Ke të drejtë, ndoshta s’e kanë gabim as të tjerët, por vihuni në pozitat e mia dhe këqyrini fenomenet në këndvështrimin tim! Ç’kujton ti, pse s’di unë, të sillem si të tjerët? Di që ç’ke me të! Por…”!
Heshti, mbase s’po gjente dot fjalët e përshtatshme apo desh t’i dredhonte përgjegjësisë: “E mendoni ju, sa do humbja me kryeneçësi”!? – shtroi pyetjen dhe iu përgjigj: – “Jo, sigurisht”! Memorie.al
Vijon numrin e ardhshëm
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016