Nga Eugen SHEHU
Memorie.al / Për qindra e mijëra shqiptarë që dualën të mundur të vrarë e prerë prej fashizmit, në “fitoren“ e nëndorit të vitit 1944, u duk se pat lindur dita e madhe. Ata mbushnin rrugët dhe trotuaret e qyteteve, duke përqafuar e përshëndetur nacionalçlirimtarët, duke u dedikuar pikërisht atyre luftën çlirimtare. Por kjo fitore do të ishte tejet e hidhur, ndofta si ajo e Pirros, mijëra vjet më parë, e cila pat çuar në tragjedi. Paralele me këtë entuziazëm, i cili nuk zgjati më shumë se muaji nëndor 1944, u nder mbi viset shqiptare reja e zezë e diktaturës së kuqe. Ka qenë sigurisht një fat i mbrapshtë i shqiptarëve, fitorja e bujshme e bollshevizmit sllav, fitore e cila do t’u jepte të drejtë “fitimtarëve“ që të ndanin gjahun e majm. Famëkeqja mbledhje e Jaltës (ashtu si famëkeqi traktat i Shën Stefanit apo ai i Londrës), e ngarkoi Stalinin të luante rolin mbizotërues në rrjedhat e popujve ballkanik, me ç’rast Shqipëria detyrimisht do të hidhte “vallen”, sipas melodive, ruse të ardhura nga stepat e Uraleve.
Klika e Tiranës, asaj kohe jetonte “muajin e mjaltit” me Titon dhe niste përpjekjet për të shtypur me zjarr dhe hekur çdo revoltë popullore, kinse ato organizoheshin prej “ballistëve dhe reaksionarëve“. E vërteta është se me luftë kundër “reaksionit“ komunistët e Tiranës, të mësuar në shkollën e Dushanëve e Miladinëve, nisën të terrorizojnë, vrasin dhe djegin krejt ato shtëpi në Veriun e Shqipërisë, të cilët nuk patën përkrahur Lëvizjen Nacionalçlirimtare.
Ky revansh i tipit bolshevik, nuk ka qenë aspak rastësor, siç janë munduar ta paraqesin më vonë lapsaxhinjtë komunistë, por një veprim i qartë politik i planifikuar dhe i ideuar në zyrat e Tiranës dhe Beogradit. Në krye të këtij veprimi luftarak aventuror dhe makabër, klika e Tiranës vendosi Mehmet Shehun, i cili edhe gjatë viteve 1942-1944, ishte dalluar në strukturimin e veprave të tilla kriminale.
Në krye të këtij operacioni, në funksionin komandantit të njësisë më të madhe të formacioneve partizane dhe gradën e gjeneral-kolonelit, Mehmet Shehu i mbushi radhët e nacionalçlirimtarëve me djem të rinj nga Jugu i Shqipërisë, i armatosi ata deri në dhëmbë, duke propaganduar se do të luftohej dhëmb për dhëmbë, me bandat e “reaksionit“. Në fakt, urdhrat që ai i pat lëshuar, nuk kishin të bënin aspak me “reaksionin” por me vetë popullin i cili po binte tashmë nga shiu në breshër. Në një prej këtyre urdhrave zbulohet qartë terrorizmi i klikës komuniste të Tiranës, në gjoja aksionin për grumbullimin e armëve. U kërkohej me çdo kusht arma shqiptarëve të trevave veriore të cilët, e patën nder ta kishin atë të varur në mure të kullës, ’prej kohëve të Skenderbeut.
Goditej në këtë mënyrë, ballazi, dinjiteti aq shumë i vyer i shqiptarit. Ja ç’thotë më konkretisht urdhri i Mehmet Shehut, këtij bolsheviku të vendosur për luftë vëllavrasëse, dërguar komandantëve të brigadave nacionalçlirimtare, që vepronin në veri të Shqipërisë: “Nëse ndonjëri e fsheh armën, apo në vend të dy armëve, dorëzon vetëm njërën, ndaj këtyre të merren masa më ekstreme, duke i pushkatuar edhe pa gjyq. Reaksionarët që kapen me armë ose pa armë, të pushkatohen menjëherë pa gjyq.
Dezertorët në radhët e Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare të paralajmërohen, që të kthehen nëpër formacionet që kanë qenë, duke iu dhënë një afat të shkurtër. Më pas, të ziren dhe të pushkatohen në vend pa gjyq. Reaksioni pa përjashtim të asgjësohet fizikisht. Populli të mobilizohet me detyrim“. (Arkivi Qendror i Ministrisë Mbrojtjes-Tiranë. Fondi i Korparmatës së Tretë, Viti 1945, Dosja 10, fleta 19).
Pas këtij urdhri dhe të tjerave me radhë, shqiptarët e këtyre trevave të veriut, e kuptuan se nuk kishin të bënin me vëllezërit e tyre të një gjaku, por me një kope ujqish që veç gjak kërkonin. Kësisoj, revoltat do të shpërthenin njëra pas tjetrës dhe ku më pak e ku më shumë, ato do të tregonin se populli martir, do të luftonte kundër komunizmit ashtu siç pat luftuar pak më parë, kundër fashizmit. Kjo ishte dhe mbeti kurdoherë në logjikën e ftohtë të shqiptarëve të cilët, patën ëndërruar që kur luftonin me Skënderbeun, të ishin në anën e popujve të Evropës së qytetëruar të Perëndimit.
Në nëndorin e vitit 1944, revoltat filluan në Mat dhe Mirditë. Kjo ngase nacionalçlirimtarët, në përpjekjet për të vendosur pushtetin e tyre nëpërmjet këshillave popullore, pushkatuan pa gjyq qindra nacionalistë, apo simpatizantë të Monarkisë. Valë-valë, këto revolta shkuan deri në Shkodër e Peshkopi, të udhëhequra tanimë prej burrave të shquar të atyre trevave. Malësia e Shkodrës, kish dhënë prej kohe kushtrimin dhe çetat e guerilëve nacionalistë, po mbusheshin plot djem e burra që nuk donin të dëgjonin as emrin e komunizmit. Tamara, ka qenë vendi i parë i revoltave antikomuniste. Më pas disa beteja u ndezën në Vukël, për të ardhur në malësitë e Kelmendit.
Këtu duhet thënë se kelmendasit patën rregulluar fort bukur pozicionet luftarake, për t’u ndeshur me “nacionalçlirimtarët“ e Mehmet Shehut. Ata i bënë thirrje t’i udhëhiqte trimi Prek Cali i cili, pat luftuar vite me radhë kundra hordhive serbe, mandej ish plagosur dy herë në luftë me ta. “Prek Cali ka shkuar aty me një grusht trimash të vet dhe ka parë pozicionet. Por është menduar thellë burri, duke pirë duhan me çibuk. S’e ka dashur askurrë këtë luftë, vëlla me vëlla për hir të ideve“.
Për më tej, dy tri herë ai ishte thirrur nga komunistët të cilët i patën premtuar boll grada e hierarki ushtarake, nëse do të vihej në shërbim të nacionalçlirimtarëve. Por Prek Cali se ka pranuar këtë ofertë. Ai pat shkuar në kullë të tij e, tash që e thirrën malësorët e Kelmendit, nuk mund të rrinte. Por bashkëluftëtarëve të vet, u ka thënë; “Na do t’i biem komunistëve, nëse ata vijnë me flamur të Rusisë“.
Mehmet Shehu, duke dashur të bënte sa ma shumë malësorë për vete, dha urdhër të mos marshohej me flamurin me yll, ngase e dinte karakterin e kelmendasve. Ai mundi të fuste një brigadë nacionalçlirimtare deri në pyjet e thella të Kelmendit, ngase atdhetari Preng Cali pat urdhëruar, që të mos hapej zjarr kundra vëllezërve të një gjaku.
Sigurisht që Mehmet Shehu e ka kuptuar këtë besë shqiptari dhe e fton kreshnikun Prek Cali, në shtabin partizan në Rrafsh të Hotit. Mes tyre dhe malësorit trim e bujar, shpërthejnë replikat. Kur Shehu e sheh se e ka të kotë bisedën, përfundon me fjalët: “E Preng Cali, të pat ardhur dita të mbyllësh historinë tënde me shkronja ari, po të ishe bërë me ne. Pse e bëre kështu”?! Zotni, ju përgjigj Preng Cali, faji bie mbi ju, se ju u bëtë aleat me armikun shekullor tonin, serbin“.(Gazeta “Rilindja Demokratike“, 7-IX-1995).
Prej atij momenti, Prek Cali nuk hoqi pushkën nga dora. Tashmë çeta e tij arrinte deri në 300 malësor të armatosur, të vendosur deri në fund të luftojnë kundër komunizmit. Prek Cali bashkëpunon me Muharrem Bajaraktarin, Mark Gjonmarkën, Mark Lukën, Kol Gjon Bajaraktarin dhe Gjok Marashin. Ai do të jetë jo vetëm organizator i aftë por, edhe trim i rrallë. Në disa luftime sporadike, ndaj nacionalçlirimtarëve, zinte për vete pozicionin më të rrezikshëm, duke qenë shumë afër vdekjes. Por plumbi nuk e kapte. Ka qenë kjo arsyeja që shtabi i Lartë i Ushtrisë Nacionalçlirimtare, prej kohësh pat vënë rreth 200-300 partizanë, që ndiqnin veprimet e Prek Calit.
Por ngase njihte mirë terrenin, Preka u pat shpëtuar goditjeve. Për më tej, vetë Enver Hoxha (i yshtur nga Beogradi sigurisht) me dorën e vet firmos një urdhër, ku pos të tjerave thotë: “Të goditen në mënyrë të menjëhershme dhe të asgjësohen plotësisht forcat e Preng Calit, çdo rezistencë e popullit të Vermoshit dhe zonave për rreth tij, duhet t’i përgjigjemi me gjithë forcat tona“. (Arkivi Qendror i Ushtrisë – Tiranë. Fondi i Komandës së Përgjithshme, Dosja Nr.1, fl.13, dt. 18-1-1945)
Pushkatimi i disa muaj më pas i Prek Calit prej komunistëve, nuk zbehu revoltën popullore antikomuniste të trevave të veriut shqiptar, për të ardhur tek Postriba martire. E vërteta është se kryengritja antikomuniste e Postribës (4-5 kilometra në verilindje të qytetit të Shkodrës), pati një inicim prej intelektualëve nacionalistë të këtij qyteti. Burime të arkivave i bëjnë me dije se atdhetarët; Jup Kazazi, Riza Dani, Muzafer Pipa, Gjergj Vata, Paulin Pali, ç’prej kohe ishin organizuar për t’u paraprirë revoltave popullore antikomuniste. Për më tej, shumë prej këtyre nacionalistëve, patën përgatitur edhe platformën konkrete për veprimtarinë antikomuniste.
Ani-pse në vitet 1945, në Shkodër e rrethina, mësyjnë mijëra nacionalçlirimtarë, popullsia martire e Veriut shqiptar, nuk e uli kokën të pajtohej me trillet e fatit. Mbi njëzetë çeta të armatosura të grupeve antikomuniste shqiptare, vepronin në fillim të vitit 1946, dhe në luftë kundra tyre ishin vënë gati 8 mijë nacionalçlirimtarë. Ka qenë shumë e njohur fakti se me ndihmën e Koçi Xoxes (thuhet agjent jugosllav), në pikat kyçe të Sigurimit të Shtetit Shqiptar të asaj kohe, vepronin legalisht këshilltarët e Ministrisë së Punëve të Brendshme të Jugosllavisë së asaj kohe. Këta, ndonëse kanë vepruar në mënyrë tejet të fshehtë, sigurisht që kanë qenë nxitësit kryesorë, të dhunës ndaj veriut shqiptar, i cili pat qenë kurdoherë në gjendje lufte me Serbinë.
Në fillim të korrikut të vitit 1946, disa atdhetarë shkodran, duke parë se komunizmi nuk mund të goditej vetëm me parulla e takime të fshehta, aq më tepër, të zhgënjyer edhe prej qëndrimet të ftohtë të anglo-amerikanëve, vendosën të organizojnë kryengritje të armatosur kundër komunizmit. E vërteta është se takimi i këtyre nacionalistëve, u bë në mënyrë tejet të fshehtë, në shtëpinë e Cin Serreqit. Por nisma ishte e atdhetarit të shquar shkodran Riza Dani. Ky burrë i mençur e trim, asaj kohe ishte zgjedhur deputet i Shkodrës. Por shpejt u zhgënjye nga parlamenti shqiptar, kur pa se në atë tempull të shenjtë të besimit, askush nuk mendonte për të mirën e popullit, por përkundrazi për ideologjinë sllave të cilat çdo ditë e më shumë, binin padrejtësisht mbi kurriz të popullit.
Riza Dani kish mbajtur disa fjalime të ashpra në parlamentin shqiptar të mbushur deng me bolshevikë. Askush se kish dëgjuar atë, përkundrazi kishin filluar ta shihnin si reaksionar që “mbron interesat e borgjezisë shqiptare“. Në shtëpinë e Cin Serreqit, në tubimin e dhjetëra burrave, Riza Dani bëri thirrje për kryengritje në Shkodër, me ç’rast revolta mund të përfshinte krejt veriun dhe më tej,krejt Shqipërinë. Përveç intelektualëve nacionalist, në këtë tubim merrnin pjesë edhe disa priftërinj katolikë, të vendosur në bindjet e tyre antikomuniste. Ata ishin plotësisht të një mendjeje me planin e kryengritësve. U vendos pikërisht aty, në mënyrë unanime që data e kryengritjes, të ishte pikërisht 16 shtatori.
Sigurisht vera e vitit 1946, nuk mund të ishte aq e bukur për popullin e Shkodrës me krejt rrethinat. Në qendër të qytetit, aty ku dikur ndodhej Selia e Kuvendit Franceskan, Mehmet Shehu vendosi burgun dhe hetuesinë së bashku. Mandej kur dhomat e mëdha të Selisë u mbushën plot me të burgosur, prej forcave të Sigurimit të Shtetit u muarën edhe disa reparte ushtarake. Shkodra jetonte çdo natë me ankthin se kujt do t’i trokisnin në portë për ta arrestuar, e më pas shumë prej tyre nuk ktheheshin më kurrë në vatrat e tyre. Në fund të korrikut 1946, Komanda e Qarkut të Shkodrës, kërkoi mobilizimin e djemve të rrethinave të Shkodrës, me ç’rast ata do të shkonin të kryenin shërbimin duke ndërtuar rrugë apo tharë këneta.
Përballë kësaj gjendjeje, organizatorët e kryengritjes, Jup Kazazi, Riza Dani, Rasim Gjyrezi, Abdulla Kazazi, Gjon Serreqi, etj., menduan të shpejtojnë përgatitjen. ngase ata djem do t’u duheshin për të mbushur radhët e kryengritësve antikomunistë. Për këtë, në vendin e quajtur Kodër – Boks, në Postribë, organizohet një tjetër tubim.
“Në pasditen e 8 shtatorit 1946, në Kodër-Boks, pranë fushës së vjetër të aeroplanëve, te kratuli i Bajram Rexhepit, krerët e Postribës, Osman Haxhia, Abaz Sulejmani, Zyber Cafi, Kasëm Rakipi nga Boksi, Jemin Zyberi, Selim Raci, Dervish Nuzi dhe Ismail Duli nga Dragoci, Abdulla Zeiti, Jakup Dani, Muho Fetahi nga Kullaj, Myrto Dani, Ali Brahimi, Metush Halili, Ram Fari nga Drishti, Muho Dyli, Sul Osja nga Muselimi, Haxhi Tahiri dhe Idriz Tahiri nga Vorfa e Rrapshi, si edhe 150 kryengritës të tjerë, u mblodhën dhe pas një kuvendi të gjatë të drejtuar nga bajraktari Osman Haxhia, vendosën që sulmi të bëhej të nesërmen në agim të 9 shtatorit, me pjesëmarrjen e gjithë burrave të krahinës“.(Uran Butka – “Rilindja”, faqe 135).
Sigurisht, më parë se të organizojë këtë tubim, bajraktari Osman Haxhia, ka biseduar gjatë me Jup Kazasin i cili jetonte ilegal dhe ka marrë prej tij fjalën që të sulmojë në po atë ditë, në anën e kundërt të qytetit. për të hutuar sa më shumë nacionalçlirimtarët. Po kështu, ishte biseduar edhe me krerët e tjerë të guerilëve, si Pjetër Luli nga Hoti dhe Tish Pashku nga Rragami i Gurit të Zi. Të nëntë fshatrat e Gurit të Zi, i udhëhiqte trimi Martin Sheldia.
Agu i 9 shtatorit 1946, i gjeti luftëtarët antikomunistë në përgatitjet e fundit. Qëllimi i tyre i parë ishte që me sulm të fuqishëm, të goditeshin forcat qeveritare pranë kazermave ushtarake e, më pas të sulmohej burgu i qytetit, ku ndodheshin djemtë më të mirë të Shkodrës, në duart e kriminelëve komunistë. Në këtë mënyrë, forcat kryengritëse u ndanë në dy grupe, për të shfrytëzuar befasinë si element i rëndësishëm i betejave të tilla. Në orën 2 të mëngjesit të kësaj date, pushkët e antikomunistëve shqiptarë, shtinë bataret e para kundër forcave të regjimit komunist. Në të vërtetë, akti i madh i kësaj revolte, mund të ketë qenë i pari, në krejt Evropën Lindore komuniste. Mesazhi i dhënë ishte i qartë, shqiptarët nuk donin komunizmin, ata do ta luftonin ate deri në sakrificën më sublime të tyre.
Përgjigjja e komandës ushtarake nacionalçlirimtare, ka qenë e menjëhershme. Duke para ndjerë rrezikun, ata mundën për pak kohë, të bllokojnë të gjitha udhëkryqet që të çonin në brendësi të qytetit të Shkodrës dhe përforconin me mjete të rënda, burgun e qytetit. Krejt forcat e ashtuquajtura të Divizionit të Mbrojtjes së Popullit, të armatosur deri në dhëmbë, u lëshuan mbi formacionet e guerilëve antikomunistë, madje me britma e të sharra të gjithfarshme. Në ndihmë të tyre, shkuan edhe forcat e shërbimeve sekrete shqiptare, të cilat prej muajsh terrorizonin Shkodrën. Në momentet e para të betejës, forcat antikomuniste arritën të depërtojnë pothuaj në largësinë 1- 1.5 kilometra nga qyteti i Shkodrës. Ata të stërvitur në sa e sa beteja kundër serbëve, malazezëve, mundën të përparojnë edhe pse toka shqiptare po mbulohej nga gjaku i bijve të saj.
Ndër burrat trima, që detyruan tërheqjen dhe fshehjen në bodrume shtëpish të nacionalçlirimtarëve, vlen të përmenden: Haxhi Tahiri, Idriz Tahiri, Tom Gjini, Zyber Hyseni, Gjeto Zyberi, Jakup Dani, Ymer Beqiri, Abdulla Seiti, Pjetër Luli, Smaijl Duli, Brahim Aliaj, Selim Rraci, etj. Duke vikatur e shtënë kundër forcave të regjimit, në fakt këta burra shtinin kundër vet komunizmit Bolshevik, për të cilin ishin betuar se nuk do ta futnin kurrë në vatrat e tyre. Kur luftimet kishin dy orë që patën filluar, atëherë në drejtim të Shkodrës, u nisën urgjentisht forca të tjera qeveritare, të cilat ndodheshin jo shumë larg qytetit. Ata pos të tjerave mundën të bllokojnë Urën në Zall të Kirit, duke penguar kështu ardhjen e guerilëve të tjerë nga Guri i Zi. Madje kur panë se në drejtim të urës po afroheshin formacione nacionaliste, ata derdhën mbi ta zjarr e hekur, duke vënë në shërbim edhe grykat e armëve të artilerisë.
Zënia e urës në Zall të Kirit, nga forcat komuniste, do të ligështonte së tepërmi prijësat e guerilëve antikomunist të krahut tjetër, ngase u gjendën tashmë mes zjarrit të fuqishëm. Por ata burra e patën dhënë besën njëherë dhe nuk do të mund të ktheheshin më mbrapa. Edhe pse ishin fare pranë qytetit,edhe pse forcat qeveritare shtinin nga bodrumet dhe dritaret e këtyre shtëpive,guerilët shqiptarë nuk shtinë asnjëherë kundër popullsisë së pafajshme e cila jetonte me ankthin e nacionalistëve. Për më tej, kur e panë se po rrethoheshin, këto guerilë nuk rendën të futen në qytet e të fshihen, pasi dihej pastaj se çfarë do të ushtrohej mbi qytetarët e pafajshëm shkodran. Edhe përmes rrebesheve të plumbave, prijësit e guerilëve, udhëheqësit e bajraktarëve, dhanë urdhër për tërheqjen, duke mbetur vetë në pozicionet e para të luftimit.
Historiografia shqiptare, u ka mjaft borxhe këtyre, prijësave që ranë në fushën e nderit pa iu dridhur qerpiku, mandej të lehtësuar, se e patën qëlluar me armë komunizmin ortodoks rus, në atdhe të vetin. Rasim Koksi dhe Murat Haxhia, e panë se ishte e pamundur tërheqja e tyre. Ata u dhanë urdhër bashkëluftëtarëve të tyre të largohen në fshehtësi dhe vetë nuk i lëshuan pozicionet, deri në çastin e fundit. Jup Kazazi, kur shihte se po i rrethoheshin shokët, në krye të 10 burrave, u doli përpara qindra forcave qeveritare dhe vetëm tërheqja e tyre, bëri që të jetojnë edhe disa ditë të tjera. Atdhetari Osman Hyseni plagoset në gjoks dhe plumbat i dalin në shpatull. Kur shokët vrapojnë ta marrin në supe, ai me dashuri i përqafon dhe u tregon se nga duhet të kalojnë.
Më tej, për gjysëm ore, mban të gozhduar 10-12 vetë nga forcat qeveritare. Kur ka mbaruar krejt fishekët, ka ndjerë të hidhet përsipër 3-4 nacionalçlirimtarëve. Këta, për ta terrorizuar popullin, e marrin trupin e Osman Hysenit, ende pa dhënë shpirt e lidhin pas një makine ushtarake dhe e tërheqin zvarrë deri në Postribë. Edhe pse pat dhënë shpirt rrugës, e lënë në qendër të Postribës 3-4 ditë, pa e varrosur. Në një prej telegrameve që komandanti ushtarak i Qarkut të Shkodrës, Musa Daci, i dërgonte atë ditë Tiranës zyrtare, pos të tjerave thuhej; “Më datën e sotme 9.9.1945, në orën 2/15 minuta të mëngjesit disa forca kriminelësh të ardhur nga ana e Shllakut, goditën rojën e regjimentit në kazermat. Një rresht tjetër goditën rojën e regjimentit në rrugën Shkodër – Pukë. Nga ana e jonë, një aspirant i rojës u vra dhe dy vetë të regjimentit janë plagosur. Nga ana e tyre mbetën dy të vrarë…“! (Arkivi i Ministrisë së Rendit – Tiranë, Dosja “Postriba”, fleta 64).
Në mesditën e po kësaj date, duke parë se ishte e pamundur të çahej dora e hekurt e forcave qeveritare, prijësat e guerilës antikomuniste, urdhëruan tërheqjen për në drejtim të fshatrave përreth. Ata u ndoqën disa kilometra prej nacionalçlirimtarëve, me ç’rast dhanë jetën edhe dhjetëra luftëtarë të tjerë. Kështu e ka mbyllur si-parin kjo tragjedi shqiptare, një prej të shumtave në historinë e saj. Kryengritja e antikomuniste Postribës, në shtetin amë, është shtypur me zjarr dhe hekur. Klika komuniste e Tiranës, ndonëse ato ditë, e ka quajtur këtë betejë, një fitore të madhe, e pat kuptuar në vetvete se nuk do të kishte të lehtë të sundonte me komunizmin e saj mashtrues, veriun e Shqipërisë. Menjëherë pas kësaj, mbi popullsinë e pafajshme të Shkodrës dhe rrethinave, nisin terrorin dhe dhuna e pashembullt.
Por kjo dhunë makabre do të fillonte me kryengritësit. Urgjentisht nga Tirana, po atë ditë mbërrin në Shkodër, major Zoi Themeli, i njohur për grushtat e hekurta që u ka pas dhënë “reaksionarëve“ dhe ballistëve, ata që nuk e donin regjimin gjakatar komunist shqiptar. Në krye të qindra forcave të ashtuquajtura speciale, Zoi Themeli, ka bllokuar menjëherë rrugëkalimet e guerilës antikomuniste shqiptare. Të nesërmen, më 10 shtator 1946, në mesditë ata kanë mundur të kapin 12 djem të rinj, që pasi iu mbarua municioni, u dorëzuan të gjallë. Me urdhër të Zoi Themelit, këta djem të rinj e trima, u çuan në Fushë të Shtoit (pranë Qytetit) dhe në mënyrë publike janë pushkatuar pa gjyq, brenda 2 minutave. Pas vrasjes duke hapur një gropë kolektive, i kanë hedhur trupat aty dhe i kanë lënë të pa mbuluara, njëkohësisht duke urdhëruar edhe qytetarët e Shkodrës që askush të mos afrohet pranë tyre.
Përmes gjakut që gurgullonte, ashtu me gjymtyrë të copëtuara, shkonin drejt pavdekësisë; Halil Dauti, Ymer Zeneli, Elez Bajrami, Metush Alia, Muhi Fetahu, Brahim Selimi dhe Qazim Roji. Vetëm pas 48 orëve, shkodranët bujarë kanë shkuar në Fushë të Stojit dhe i kanë varrosur trimat, sipas zakonit të tyre. “Të nesërmen, datë 11 shtator e në vazhdim, për javë e për muaj nuk pushoi terrori në fshatrat e Postribës. Komandanti i operacionit Zoi Themeli, me kartabjanke të krye-xhelatit Enver Hoxha, vendos në çdo fshat të kësaj krahine, nga një qendër hetuesi-torture!“.(Gazeta “Balli i Kombit”, 7 shtator 1995).
Trimin e guerilës shqiptare, Ymer Beqiri, nga fshati Boks, forcat qeveritare e kapin pas një rezistence gati prej dy orësh. Prijësin e lidhin me litar dhe 70 nacionalçlirimtarë e shoqërojnë për në Kodër-Boks. Lehtësisht ata mund ta pushkatonin atë, si i pushkatuan qindra burra të tjerë, por masakra e tyre duhej të ishte sa ma e plotë. Ymer Beqiri, pushkatohet brenda në oborr të xhamisë, me ç’rast Zoi Themeli e kriminelët e tjerë, dhunonin këtë vend të shenjtë, për t’u treguar shqiptarëve se çfarë tmerresh, mund të prisnin nga ortodoksizmi sllav. Pjetër Shan Deda, (ati i të cilin ka pas përfaqësuar Shkodrën në Lidhjen Shqiptare të Prizërenit) ç’prej 9 shtatorit, del në mal. E shoqja Maria, e ka para-ndjerë dramën ndaj një muzg, ajo do të niset vetë në mal, në bazën ku rrinte Pjetri. Ajo ka dashur të sihte pranë tij, edhe në çastin e mbramë.
Në malet e Mazrekut, në një mëngjes të zymtë nëndori të vitit 1946, ata e shohin veten të rrethuar prej qindra forcave komuniste qeveritare. Në krye të çetës së Vogël, Pjetër Shan Deda nis luftën dhe pas disa orësh luftimesh, gjaku i tij, së toku me atë të gruas, Maries, kanë lagur ndershmërisht tokën arbërore. Në vendin e quajtur Zalli i Kirit, në hyrje të qytetit të Shkodrës, janë pushkatuar në ate muaj zie e turpi kombëtar; Cin Serreqi, Kel Çoba, Abdulla Kazazi, Murat Haxhia, Nuh Oroshi, Paulin Pali, Gasper Simoni, Rifat Kopliku, Caf Dragusha e dhjetëra martirë të tjerë. Askush nuk i gjykoi ata, askush nuk i mbrojti, gjyqet sipas Zoi Themelit dhe klikës së Tiranës komuniste, kanë qenë të “tepërt“ për “reaksionarët“. Se çfarë gjendjeje kaosi e terrori, jetonte Shkodra në vjeshtën dhe dimrin e vitit 1945, e mëson pos të tjerave në rrëfimet që ka bërë me ndershmëri, ish shifranti i Komitetit Qendror të PKSH-së.
Lidhur me ngjarjet e Postribës, pos të tjerave ai ka deklaruar se; “Zoi Themeli, Niko Çeta e shumë të tjerë, urdhëroheshin nga komiteti Qendror i Partisë, për pushkatime të qytetarëve të ndryshëm. Kjo më linte të kuptoja se këto urdhra jepeshin nga Partia dhe jo nga gjykatat kompetente…! Ndodhte që të nesërmen që ishte dhënë urdhri për pushkatim, jepej urdhri tjetër që e anulonte të parin, por ndërkaq viktima mund të ishte ekzekutuar. Kjo ka ndodhur shpesh gjatë periudhës që unë punova në këtë detyrë“.(J. Kadesha, rrëfim në gazetën “Rilindja”, më 13 dhjetor 1995).
Lisit të nacionalizmit madhështor, gjatë viteve 1943-1945, ia prenë degët. Tashmë, klika komuniste e Tiranës, godiste fort trungun me sopat për ta shtrirë në tokë atë vigan. Dhe në fakt lisi u end dhe u përkund prej stuhive. Por ai askurrë nuk u rrëzua ngase kish rrënjë të thella në shpirtrat e antikomunistëve shqiptarë. Postriba e vërtetoi plotësisht këtë. Memorie.al