Nga Uvil Zajmi
Memorie.al / Gjithmonë në krye të ekipit, nga dhomat e zhveshjes, drejt mesfushës, takimi me arbritrat e kundërshtarin, pastaj hedhja e shortit…! Bëhet fjalë për skuadrën ndër më të mëdhatë e të famshme të futbollit shqiptar, “17 Nëntorin” e Tiranës. Një formacion modest në atë fillim, por që do të shpërthente e ndezur një rivalitet krejtësisht ndryshe në kampionatet kombëtare. Në veçanti sfidat derbi, të jashtëzakonshme, duke thyer mitin shumëvjeçar “Partizani” – “Dinamo”. E lidhur me tifozerinë, spektakolare, tejet demokratike, me një lojë, filozofi e mentalitet i ri, që transmetoi në vitet 1960 – ‘70 -të. Historia e panjohur e Nuri Bylykut, legjendës bardheblu, që u përcoll sot për në banesën e fundit…!
Edhe Bylyku zbulim i Demnerit
Zakonisht kështu ka ndodhur për shumë sportistë, kur një rastësi, apo dikush bëhet shkak për të nisur një karrierë pa e ditur e menduar vazhdimin e fundin e saj. Viti 1954, kur është 17-vjeç, aktivizohet me skuadrën e futbollit të Ndërmarrjes Mekanike ku punon, që luan në Kategorinë e Dytë. I mirënjohuri Xhavit Demneri, e spikat, e merr me të rinjtë dhe menjëherë kampion dhe Bylyku është golashënues. Trajnerët Bik Jakova dhe Enver Rada, e duan te “Puna” e Tiranës, por mjeshtri i zbulimeve të talenteve e merr te “Spartaku” që përfaqëson Ndërmarrjen e Artizanatit, të cilën e drejton ai vetë. Në ato fillime, Bylyku luan në sulm, por mesfusha ka qenë a frekuentuar ku edhe shkëlqeu. I saktë në lëvizje, vendosej mirë në fushë dhe fanatik në zbatimin e detyrave që jepte trajneri. Janë vitet kur në skenë, shfaqen futbollistë si S. Vathi, F. Radheshi, T. Toto, F. Vishka, I. Llanga, R. Kraja, I. Borova, S. Ohri, K. Buza, N. Bylyku, V. File, S. Guze, N. Brahja, P. File, Vishka, M. Kosturi, T. Tafmizi, Sh. Beja, Z. Shehu, P. Dede, E. Demneri, A. Ruco, R. Jashari, F. Vorpsi, H. Duçollari. Dhe “Spartaku” kampion, kalon në Kategorinë e Parë të sezonin 1957-1958.
Ndeshja e e parë, e pëlqen edhe Lukshinov
Viti 1956, Nuri Bykun e kanë mobilizuar të kryejë shërbimin e detyruar ushtarak në Shkollën e Marinës në Durrës. Janë vitet kur zhvilloheshin ndeshje të forta, midis marinarëve të Shkollës dhe marinarëve të huaj, që zbarkonin me anije transporti në Durrës. Janë takimet që luhen në fushën e Currilave dhe që ndiqen nga shumë spektatorë. Pas një përballjeje që është mbyllur 7-0, me gola të shënuara nga Bylyku, Adem Karapici, asokohe trajner i “Punës” së Durrësit, kërkon ta marrë në skuadrën e tij. Por, dikush e ka njoftuar Shefin e Shtatmadhorisë në Ministrinë e Mbrojtjes, gjeneral-leijtant, Petrit Dumen, (i cili edhe pse nuk e kishte parë ndeshjen), interesohet, duke urdhëruar transferimin e marinarit Bylyku. te “Partizani”. E para me fanellën e kuq, një miqësore ndaj “Besës”, së Kavajës në “Qemal Stafa”, pasi ka zëvendësuar Simon Dedën, të sëmurë me grip. E sheh Petrit Dume, e pëlqen, zbret në fushë dhe i thotë: “Do bëhesh lojtar i mirë, do qëndrosh me “Partizani”-n. Dhe menjëherë në ndeshjet e para në kampionat: Me 10 dhe 13 mars të vitit 1957, debuton në “Partizan” – “Spartaku” i Moskës, që u mbyll me rezultatin 0-0. “Në këtë sezon “Partizani” u shpall kampion dhe unë isha rezerva e parë për sulmin pasi, luaja me të dyja këmbët. Skuadra drejtohej nga Xhep Spahiu dhe kishte në përbëhej lojtarë kalibri, nga Sul Maliqati, Shefqet Topi, Fatbardh Deliallisi, Besim Fagu, Miço Papadhopulli, Tafil Baçi, Gani Merja, Kolec Kraja, Miço Ndini, Roza Haxhiu Refik Resmja, Simon Deda, Lin Shllaku, Çaushi, Karanxha, Vogli, Robert Jashari”, kujtonte Bylyku.
Është koha kur në Shqipëri ndodhet trajneri sovjetik Leonid Lukshinov, që ndihmon kombëtaren dhe “Partizanin” për Spartakiadën e Lajpcigut. Ai kishte luajtur me Zenitin e Leningradit, ndiqte ndeshjet, dhe e pëlqente Bylykun. “Në një takim ndërkombëtar “Partizani” – “Admiral Tejec”, në “Qemal Stafa”, ishte ai që e nxiste Xhep Spahiun, duke i thënë “mallodoi çellovek”, “mollodoj çellovek” (fut të rinjtë), që unë u aktivizova në pjesën e dytë në vend të Krajës”, kujtonte Nuriu.
E kërkon Partizani, firma e munguar që e “ndëshkoi”!
“Por duke e patur të vështirë të aktivizohem me ekipin e parë të Partizanit, i kërkova trajnerit, të më kalonte te “rezervat” apo “Shpresat” e “Partziani”-t, edhe për faktin se, fitorja shpërblej me 300 lekë. Isha i porsafejuar dhe ajo shumë ishte ndihmë e madhe, një rrogë. Bert Jasharin e kaluan me ekipin e parë, unë te rezervat, kapiten i tyre, me Nimet Canin dhe dhe Sokol Morinën, u shpallëm kampion”, kujtonte Nuriu. Partizani dëshiron ta mbajë por: “Unë nuk mund të qëndroj, nuk jam futbollist për “Partizani”-n, jam punëtor” – i përgjigjet Bylyku ofertës së gjeneralëve të Ministrisë së Mbrojtjes.
“Sllave LLambi që stërviste grupin, njeri i thjeshtë, shok i tim vëllai, tre ditë përpara se skuadra të nisej për në Lajpcig, më thirri mua dhe Bert Jasharin te Shtëpia e Oficerëve, dhe në një letër në dorë, më thotë; firmos pak këtë se, me t’u kthyer nga Lajpcigu, do shkojmë në Bullgari për një ndeshje”. E marr, por kur shoh e lexoj: “Jam dakord të rri kapter me “Partizanin”. Ai ndoshta nuk e dinte, por i them: “Sllave, ky dokument është federimi, e keni bërë gabim, ndërkohë që Berti e firmosi pa e parë. Jo unë nuk jam për kapter, do kthehem në uzinë, dhe nuk e firmosa. Këto shkuan të gjithë në Lajpcig, unë jo, pasi nuk firmosa me Partizanin”, kujtonte Bylyku makinacionet që tentuan të bënin ushtarakët që drejtonin Sport-Klub “Partizani”-n, të cilët e donin medoemos në ekipin e kuq.
Drejt Lajpcigut, e zbresin nga avioni
Ndodhet në pistën e fushës së aviacionit në Laprakë, bashkë me të gjithë, po përgatitet që pas Ismet Bellovës dhe Njazi Lleshit, të ngjisë shkallët avionit, kur një motoçikletë ushtarak me shefin e klubit, ka ndalur në krye të tyre. “Ku shkon ti, ti”, më tha? ‘Aty ku po shkojnë të gjithë’, iu përgjigja. “Jo, jo,- m’u kthye, ti jo”. “Me lujt me Tiranën, ti të nxjerr sytë”, ma ktheu ai gjithë inat. Ndërkaq, zbriti nga avioni Gani Merja dhe ndërhyri Sllavja: “Çfarë po bëni me këtë?!” “Ka urdhëruar gjenerali dhe në vend të tij do shkojë një tjetër sportist që ka arritur rezultate të mira në qitje”, tha ushtaraku.
Zbrita nga shkallët, më dolën lot prej syve dhe me çantën në krah, hipur në një motoçikletë, më dërguan në Shtëpinë e Oficerëve”, ku më priste Tefik Hamzaraj, i cili më veshi me rroba të reja ushtari e, më dërgoi në repartin, pranë “Hotel Ministrit”, ku ishim grumbulluar gjatë stërvitjeve për Lajpcig, për të kryer edhe një vit shërbim ushtarak. Shefi i Shtabit të Repartit, Met Aga, më thotë se; ke dhjetë ditë leje, ndërkohë i thuaj Tasit (im vëlla punonte në Ministrinë e Mbrojtjes), të sqarojë te Beqir Balluku, problemin tënd. Ashtu u veprua, u ç’mobilizova dhe shkova te Tirana, ëndrra ime e dikurshme”, kujtonte Nuriu atë moment, që në shenjë hakmarrje, funksionarët e Ministrisë së Mbrojtjes Popullore, e zbritën nga avioni, duke mos e lejuar të shkonte me ekipin në turneun e Laipcigut në Gjermaninë Lindore.
Te Tirana me Allën, të shënosh nga inati dhe “Norçebylyk-gol”!
Fund tetori 1958, Tirana sapo është kthyer nga një turne të zhvilluar në Bashkimin Sovjetik. “Me vëllain, shkuam dhe pritëm e takuam Lym Allën. Unë isha simpatizant pas Tiranës por, idhulli im, ishte Cuf Pelingu, kapiteni i skuadrës në vitin 1954, shumë patriot në lojë, si ai doja të isha, një ‘bozhik’ siç e thërrisnin tifozët tiranas. ‘Eja në stërvitje’, më tha Lymi. Trajnerët i ndiqnin kampionatet e ndryshme, merrnin informacion dhe për mua, Bik Jakova, që më kishte pare. i kishte thënë që; ky mund të bëhet futbollist. Dola në stërvitje te fusha e Xhafajve, ose e “Punës”, ku ka qenë “Shqipëria e Re”. Ndonëse me kushte jo të mira, ajo ka qenë e rëndësishme për atë kohë”, kujtonte Bylyku. Ndërkohë vjen takimi që regjistron një detaj të veçantë, për të cilin Nuriu kujtonte: “I ri dhe nga gjaknxehtësia, sapo isha liruar nga shërbimi ushtarak, në ndeshjen e parë, në një miqësore në “Qemal Stafa”, ku dolëm 2-2 me “Partizani”-n, unë realizova një gol, një ‘gol inati’ e kam konsideruar”. Por, ndaj rivalëve të përhershëm, ai ruan edhe një kujtim tjetër, një moment që vetë ai e kujtonte me nostalgji: “Ka qenë një ndeshje e zhvilluar në Stadiumin “Dinamo”, midis “Partizanit” dhe “17 Nëntorit”. “Partizani”, sapo kishte luajtur me norvegjezët e “Norçepingut” në Kupën e Kampionëve. Kam realizuar një gol nga porta në drejtim të kodrave të qytetit, që edhe sot them të rrallë, jo të natyrës time, aq sa edhe Zihni Gjinali, më ka përgëzuar. Ndeshja u mbyll 1-0 për ne dhe tifozët e “17 Nëntorit” që bërtisnin “Norçebylyk, Norçebylyk-gol”, kujtonte Nuriu.
Kapiten në pesë edicione dhe ndarja nga titulli i mohuar!
Nga Enver Shehu, Tafil Baçi, Fatmir Frashëri, këto kanë qenë shirit-mbajtësit në skuadër para tij. Viti 1962, Tafil Baçi, tashmë në mbyllje të karrierës, ja kalon stafetën Fatmir Frashërit, por në pak kohë ai largohet te “Partizani”, për të kryer shërbimin ushtarak. “Atëherë Lym Alla, vendosi që shiritin e kapitenit ta mbaja unë, kjo edhe nga dëshira e futbollistëve dhe sportdashësve të shumë që na ndiqnin edhe në stërvitje. Dhe po Frashërit, ja kam dorëzuar kur ai u kthye dhe unë e lashë” – kujtonte Bylyku.
Nga dita që e ka marrë Tirana, e deri në kampionatin e vitit 1966-‘67, ku luan fazën e parë, ndërsa në të dytën, qëndron në stol, janë zhvilluar pesë edicione. Është në moshën 30-vjeçare, ka ardhur koha dhe ka menduar se duhet të ndahet me futbollin, duke zgjedhur mbylljen e edicionit, me një tjetër titull të fituar. Në vend të tij, luan Osman Mema, më i ri dhe tejet energjik. Është sezoni që lidhet me përjashtimin e “17 Nëntorit”, nga kampionati tre javë para përfundimit, duke i mohuar titullin kampion kur komandonte me diferencë pikësh. Gjithçka pas takimit “17 Nëntori” – “Partizani” 2-1, e njohur me incidentin në korridoret e “Qemal Stafës”, dhe vendimin absurd të FSHF-së për përjashtimin e të dyja skuadrave, dhe titullin e mori “Dinamo”!
Nuk ka luajtur, pasi ka qëndruar në stol, por e ka parë dhe e tregon mirë atë histori. “17 Nëntorin e dënuan pa asnjë motiv. Një zënkë në korridor ka qenë ajo midis Osman Memës me Agim Dizdarin, që dikur kishin fjetur bashkë te klubi i “Partizanit”. Unë isha mbrapa dhe e pashë çfarë ndodhi. Në jetën time, për herë të parë kam pare policë në korridor, ndonëse ne kishim një sinjal: ‘Bëni kujdes, se duan shkak për t’ju përjashtuar’. Nga futbolli i luajtur, u shkëputa, por nuk më lejuan të largohem, më futën në grupin e trajnerëve”, kujtonte Bylyku.
Te “17 Nëntori”, krijimi i skuadrës epokale
“Puna”, “Tirana”, dhe “17 Nëntori”, emër që e mori përfundimisht në fund vitet ‘50-të, ka në përbërje futbollistë, si: Enver Shehu, Enver Rada, Dik Struga, Osman Reçi, Met Metani, Naim Balla, Gani Çaushi, Tafil Baçi, Bedri Stermasi, Rrel Verria, Tomorr Gjoka, G. Saraçi, Vaso Konomi, madje dhe Panajot Pano, produkt i këtij klubi ka qenë. Me rikthimin, pasi kanë kryer shërbimin ushtarak nga klubet “Partizani” e “Dinamo”, të disa futbollistëve cilësorë, me potencial të madh, si: Fatmir Frashëri, Ben Bukoviku, Osman Mema, Luigj Bytyçi, Skënder Halili, Josif Kazanxhi, titullarë edhe me kombëtaren, kjo skuadër, do të ndryshojnë fizionominë, duke krijuar një stil modern loje. Viti 1959, është i lidhur me largimin e Panos për te “Partizani” dhe: “Mendoni çfarë “17 Nëntori” do të ishte edhe me Panon në ato vite”, – shprehej Bylyku. Ndërkohë trajneri Myslym Alla, ka afruar edhe lojtarë të talentuar, si: Çlirim Hysi, Skënder Hyka, Bahri Ishka, Ali Mema, Perikli Dhales, Niko Xhaçka, Gëzim Kasmi, Rexhep Bathorja, Ilir Elini, Bujar Tafaj, Arben Çela, Durim Habibi, Petrit Nurishmi, etj., që i japin energji të reja, vrull, entuziazëm shpresë dhe dëshirë për të fituar, formacionit, tifozerisë kryeqytetase. Nis kështu pa zhurmë cikli i madh epokal i “17 Nëntorit” të viteve 1960 -‘70-të, të cilin askush nuk e kishte menduar, një skuadër me tjetër filozofi e psikologji, shpërthyese në lojë, ambicie, argëtuese, që dominonte në ndeshje, kudo ku luante, ajo është një dekadë me sfida të paharruara dhe me protagonist absolut, “17 Nëntorin”. Një dhjetëvjeçar në të cilin, skuadra do fitonte katër tituj kampionë dhe një të mohuar padrejtësisht, atë të vitin 1967.
Në Kavajë, vjen i pari trofe historik
Pasi ka eliminuar “Vllazninë” dhe në gjysmëfinale “Partizani”-n me dy takimet e paharruara të zhvilluara në marsin e 1963-it 1-0/1-0, në finale, “17 Nëntori” do të luajnë ndaj “Besës” triumfuese, ndaj “Apolonisë” së Fierit e “Skënderbeut” të Korçës. 2-3 sfida e parë për kavajasit që, luhet në fushën e Qytetit të Nxënësve (shënues, Dhimitër Dimroçi ‘6, Vaso Ikonomi 35’; Ali Mema 55’ penallti, Tomorr Gjoka 61’; S. Lilamani ‘78), në të cilën “17 Nëntori” aktivizon: Il Metani (Beliu), Saraçi, Ikonomi, Gëzim Kasmi (Baboçi), Aali Mema, Nuri Bylyku, Aurrel Vërria, Pavllo Bukoviku, Çlirim Hysi, Bahri Ishka, Tomorr Gjoka dhe trajner Myslym Alla. Pas një jave, 0- 1 në Kavajë (shënues Bahri Ishka, 12’) për tiranasit. Pastaj penalltitë e famshme të pritura nga Ali Mema dhe Bukoviku që nuk gabon nga disku i bardhë: me shifrat 5-3, “17 Nëntori” i asaj dite me, Metanin (Beliu), N. Bylykun, P. Bukovikun, Ç. Hysin, V. Ikonomin, G. Saraçin, B. Ishkën, A. Vërrian T. Gjokën, A. Memën, G. Kasmin me trajner M. Allën, fiton kupën e parë të Republikës (pas çlirimit), që do të merrej nga kapiten i skuadrës, Nuri Bylyku. Ka qenë 7 prill 1963, ky është trofeu i parë, për të ardhur një sezon më vonë, 1964-‘65, që i dha 17 “Nëntorit”, titullin historik, atë të kampionit, i fituar në ndeshjen e fundit në Stadiumin “Dinamo” ndaj “Flamurtari”-t të Vlorës, me një gol shënuar me kokë nga Ali Mema.
Skuadra kampione është: Bylyku, Elini, Bytyçi, Halili, Kasmi, Frashëri, Bukoviku, A. Mema, S. Hyka, Ishka dhe Xhaçka me trajner Lym Allën. Suksesi do të përsëritet edhe pas një viti, 1965-‘66, por kupa do të jepet pas një epilogu krejt ndryshe, pas ndeshje spektakolare. Duke qenë se “Partizani” e “17 Nëntori” e mbyllin kampionatin me pikë të barabarta, sipas rregullores, do të luajnë takimin final: Në një stadium të mbushur në “Qemal Stafa”, formacioni tiranas ka triumfuar 2-1, ku kanë shënuar Kazanxhi, Ishka dhe Jashari. Dhe për Bylykun kapiten, ky është trofeu i tretë radhazi, që lartësohet nga duart e tij.
Në Kupën Ballkanike, të tjera “beteja”!
Duke qenë se pjesëmarrjet në takime ndërkombëtare me klube janë të pakta për kohën, në sezonin 1964, “17 Nëntori”-n e kanë caktuar të luajë në Kupën Ballkanike, shumë e preferuar në atë periudhë për futbollistët. “Kanë qenë ndeshje heroike” – kujtonte Nuriu, duke vazhduar: “Në Varna, ndaj “Çerno Mores”, Skënder Halilin e dëmtuan në kokë. As ndihma mjekësore e Todi Jankut, i marrë si masazhator, nuk mundi ta ndalë gjakun dhe nga minuta e katërt, ai ka luajtur me kokë të çarë. Në pushim i ra të fikët dhe rezultatin 1-0 për to e ka marrë vesh kur u nisëm për në Turqi. Sikur të mos mjaftonte dëmtimi tij, kur arbitri nxori nga loja Osman Memën, që e zëvendësoi atë në fillim të pjesës së dytë. Pastaj në Stamboll, 1-0 për “17 Nëntorin” me një gol të shkëlqyer të Bukovikut në pjesën e parë, dhe në fund barazim 1-1, pas një gabimi të portretit tonë, një ndeshje betejë, kur tifozët vendas, të acaruar, i thyen xhamat e autobuzit pas takimit. Pastaj: “Rapid” i Vjenës – “17 Nëntori” 3-1, gol i Bukovikut, “17 Nëndori” – “Beshiktash” 2-0 (Frashëri, Xhaçka) dhe “17 Nëntori” – “Rapid” 1-2, Ishka gol. “17 Nëntori”, renditet në vendin e tretë, me 4 pikë, pas “Rapidit” me 10, “Çerno Mores” me 8, dhe e fundit “Beshiktash” që e mbyll me 2 pikë.
Në kthim, kemi ndaluar në Sofje, se Lym Alla donte të shihte ndeshjen “Levski” – “CSKA”, pasi atje kishte studiuar. Na futën në stadium ku ndoqëm takimin. Kujtoj shoferin e autobuzit, ishte Skënder Ndroqi, drejtues të Klubit, Bujar Hoxha dhe Lame Konomin”, kujtonte Bylyku. Ndërsa në Rumani, ndonëse kanë humbur, Gëzim Saraçi e Bahri Ishka, kanë zhvilluar ndeshje të jashtëzakonshme – tregonte Nuriu. “Tifozët na kanë shoqëruar deri në hotel”. “Plaskaçin” e vërtetë e pamë sot këtu – na thonin, për Skënder Halilin, duke e krahasuar mbrojtësin e shqiptar me atë çek, të botërorit të vitit 1954”, tregonte Bylyku.
Një foto që anulloi ndeshjen!
“Ka qenë një ndeshje “17 Nëntori” – “Labinoti”, e fund sezonit 1959, që u arbitrua nga Sami Kotherja, e cila mbaroi pa asnjë pretendim nga të dyja palët, por një ndër fotografitë e publikuara nga Enver Shabani, në gazetën “Sporti Popullor” të së martës, me pamje nga kjo ndeshje, në njërën prej tyre, portieri Metani, kishte grushtuar topin në korne, ndërsa kapelja e tij ishte brenda vijës fatale. Hija e kapeles u përdor nga komisari i fushës në raportin zyrtar dhe Kryesia e FSHF-së, e anuloi takimin, i fituar normalisht 2-1 nga “17 Nëntori”, duke qenë shumë pranë fitimit të titullit kampion. Por, në përfundim të sezonit, “17 Nëntori”, përfundoi në vendin e dytë pas Partizanit, vetëm nga takimi me “Labinotin”, – kujtonte Bylyku.
Ato që nuk i harron….!
“Një “Partizani” – “17 Nëntori” (1-0), në qershorin e ‘67-ës, ditën kur u shemb stadiumi. Kujtoj golin e shënuar nga Qolje, të cilin nuk e pashë më, dhe kur bashkë me Lin Shllakun, i kemi kërkuar arbitrit, ta ndalojmë lojën se, ndoshta ka të dëmtuar, pa e kuptuar saktësisht çfarë kishte ndodhur. E djelë, në stadiumin “Qemal Stafa”, “17 Nëntori” – “Dinamo” 3-0. Tre gola të Xhaçkës ndaj Dinellës, që sapo kishte ardhur te “Dinamo”. Pak ditë më pare, ishte arrestuar Skënder Halili dhe ajo është ndeshja e parë që Perikli Dhales, luante me “17 Nëntorin”, në vend të tij”, kujtonte Nuriu, i cili në atë kohë ishte drejtues në Klub dhe pas një inventari, e kanë thirrur, duke i kërkuar në mënyrë provokuese, se; ka humbur Vepra e 8-të e Shokut Enver. “Atë e kishte marrë dhe po e lexonte një punonjëse e Klubit”- kujtonte Bylyku.
“Në Algjeri, 14 ditë udhëtim për një ndeshje…”!
Kështu e komentonte dhe e kujtonte atë turne. Dhjetor i vitit 1968, “17 Nëntori” niset për në Algjeri, për një turne miqësor, duke i rikthyer revanshin atij zhvilluar në Tiranë pak kohë më parë me Shpresën e Shqipërisë, 1-1 (gol i Mexhit Haxhiut). Ashtu si në Skoci, skuadra ka marrë vetëm portierin Mikel Janku, si përforcim, i preferuar nga futbollistë e tifozë të Klubit tiranas dhe si shoqërues, ka qenë Kiço Karaguni. Nisja me avion Tiranë- Athinë-Tunis dhe Algjer. Pastaj kthimi, Algjer- Zvicër- Berlin- Budapest-Tiranë. 14 ditë rrugëve të Europës, vetëm për një miqësore. Por si u zhvillua ajo? “E luajtur në Oran, qytet bregdetar, ka qenë një ‘90-të minutësh me një dominim total të “17 Nëntorit”, me dy gola të Pavllo Bukovikut e Bahri Ishkës, aq sa tifozët bërtisnin në frëngjisht “fois encore, fois encore” (edhe një tjetër, dhe një edhe një tjetër). Aty erdhi ambasadori shqiptar, Musin Kroi dhe na tha: Atë që keni bërë ju si “17 Nëntor”, në 90-të minuta, nuk e kam bërë unë si ambasador në katër vite këtu”, kujtonte Bylyku.
Përjetimi i paharruar, pas arrestimit të Halilit!
Nuk e ndan atë pjesë të historisë, që lidhet me jetën sportive të tij, ngjarjen dhe aktin brutal, kur e kanë arrestuar Skënder Halilin. “Qëndronim në dhomën Nr. 2 të Hotel “Durrësi”-t, në qendër të Tiranës, kur fillon Bulevardi drejt Maternitetit. Aty grumbulloheshim gjithmonë në ato vite, ndërsa për t’u ushqyer, shkonim te Restorant “Parku Rinia”, apo te menca e Klubit, ish-fusha e “Tenis- Nallbanit”. Skënder Halili qëndronte i veshur me një tutë të kuqe që, ja kishte dhënë Gani Merja, daja i tij, dhe çdo mëngjes, dilte në ballkon duke përshëndetur njerëzit që kalonin e shkonin në punë. Atë ditë, unë po lexoja një informacion që më kishte ardhur nga shkolla “Fan Noli”, ku punoja. Ka qenë ora 6 e 15 minuta e mëngjesit, kur para hotelit ndalon një “GAZ”, e Skënderin njoftojnë të zbresë dhe ashtu befasishëm, e marrin me vete. Të gjithë po flinin, unë i hutuar, njoftova Lym Allën, i cili qëndronte në shtëpi, jo në hotel. Fillimisht unë shkova te Sabri Pilkati Nënkryetari i Komitetit Ekzekutiv të rrethit të Tiranës, pastaj me Lymin në Federatë (me zyrat ku është sot shtëpia e Toptanit, te shëtitorja), ku takuam Ulo Hadërin, kryetarin e saj, Zyber Konçin dhe Vasil Prirtin. Lymi ishte i nxirë në fytyrë nga dëshpërimi, pasi ishim vetëm tre ditë para ndeshjes së parë për Kupën e Kampioneve.
“Nuk do të shkoni në Norvegji” – na thanë,- se është arrestuar Skendër Halili”. “Na jepni një tjetër futbollist”, iu kthye Lymi. Ndërsa në mesditë, në stërvitje erdhi Lame Konomi dhe na njoftoi zyrtarisht se; nuk do të luhej ndaj norvegjezëve të F C Valerenga” – kujtonte Bylyku.
Ka qenë shtator i vitit 1966. Me “Kilmarnok”, një përballje me futbollin skocez. Në të parin përfaqësim të “17 Nëntorit” në Kupën e Kampioneve, atë të edicionit 1965-’66, i ka takuar të luajë me një klub Perëndimor, të një futbolli me traditë, si ai skocez. Turi i parë, “17 Nëntori” – “Kilmarnok”, dhe 0-0 në “Qemal Stafa”, një rezultat surprizë. Pastaj ndeshja e kthimit. Në Tiranë, ekipi skocez nga informacioni i gabuar, kishte ardhur me ushqime me vete. Në darkën e zhvilluar në Hotel “Kruja” (në plazh – Durrës), Presidenti Klubit, njëkohësisht edhe i Whyskit, u shpreh se; aq i kënaqur e ka ndjerë veten në Shqipëri, ju do e shihni atje. Dhe ndeshja e kthimit. Në aeroportin e Londrës i ka pritur dhe me një tren special paguar prej tij, Londër-Gllazgou, katër orë udhëtim, dhe pasi kanë mbërritur, janë sistemuar në Hotel “Marine”, më të mirin, ndërtuar një vit më parë, me stil karakteristik vendas, të cilin ekipet kombëtare e prenotonin para një viti. Para hotelit parakalonin automjete e firmave të njohura, ndërkohë që një sfilatë mode për qentë, ishte organizuar aty. “Kilmarnoku ishte një qytete 36 km. larg Gllazgout, i vogël me 40 mijë banorë, me një stadium me tribuna tipike britanike. Takimi u zhvillua në mbrëmje, rreth orës 20.00.
“Ka qenë një ndeshje ku topi ka dalë 2 apo 3 herë nga fusha. Tifozët pas portës nuk ndalonin duke inkurajuar skuadrën. Ne kemi luajtur me një uniformë me fanella deveje te bardha, të cilat na i bleu si dhuratë, presidenti i Klubit. Rezultati u zgjidh në minutën e ‘76-të, nga një goditje faulli, rreth 16 metra. 1-0, u mbyllën ‘90-të minutat, gjatë të cilave, Mikel Janku, ka qenë i jashtëzakonshëm, sidomos në pjesën e parë. E kujtoj atë ndeshje, se po të barazonin, do të zhvillohej takimi i tretë në Madrid, madje në fund të takimit, Bukoviku shënoi me kokë, por arbitri e anuloi golin, duke e konsideruar faull ndërhyrjen e tij, por që them se nuk ishte e tillë, pasi Beni, ja hoqi pastër topin nga duart portierit. Por edhe një për një fakt tjetër: Udhëtimi ka qenë i rrallë, nga Tirana në Budapest, ku aty qëndruam katër ditë. Pastaj në Bruksel dhe Londër. Kthimi Londër-Berlin, ku ndaluam në një kamping, me disa ushqime bajate. Shoqërues kanë qenë Koço Lako, Loro Boriçi, si përfaqësues të FSHF-së. Shtypi skocez, i bëri jehonë ndeshjes, duke i cilësuar: ‘Shqiponjat e bardha të “17 Nëntorit” të Tiranës, të cilat Kilmarnoku nuk do t’i mposhte as për 24-orë futboll”, kujtonte Bylyku.
Futbollisti dhe kapiteni i dy gjeneratave
Nuri Bylyku, ka qenë protagonist i dy gjeneratave të Klubit “17 Nëntori”, nga viti 1959 deri më 1967-ën. Në të parën si futbollist, në tjetrën edhe si kapiten. E filloi me Enver Shehun, Enver Radën, Sadik Strugën, Osman Reçin, Met Metanin, Naim Ballën Gani Çaushin, Tafail Baçin, Bedri Stermasin, Aurrel Verrinë, Tomorr Gjokën e Panon e madh, për ta mbyllur me Fatmir Frashërin, vëllezërit Mema, Osman dhe Ali, Skënder Hykën, Bujar Tafajn, Josif Kazanxhiun, Ben Bukovikun, Bixh Bytyçin, Bahri Ishkën, Niko Xhaçkën, Skënder Halilin, Gëzim Kasmin, Ilir Elinin, Rexhep Bathoren dhe trajnerët Myslym Alla e Enver Shehu.
“Tirana të bënte futbollist “
“Kolektiviteti, fryma e mirëkuptimit, shpirti i ndeshjes ishin disa nga ato që i bashkonte futbollistët me njëri tjetrin, por edhe me trajnerin e drejtues. Pa harruar tifozët e pandarë kudo, në shi dimër dhe verë. Të pa zëvendësueshëm kanë qenë. Ata ishin oksigjeni i ekipit brenda e jashtë Tiranës”, shprehej Bylyku. Në sfidat derbi, e famshme edhe ajo kundër Panos. Pas dominimit absolut “Partizani” – “Dinamo”, ardhjen e daljen në skenë të një formacioni të ri, lind njëkohësisht dhe një ndër sfidat derby, me një histori të papërsëritshme, si ajo “Partizani” – “17 Nëntori”. Një përballje e të gjitha ngjyrave, sa sportive, aq politike, brenda e jashtë fushës, sa të tensionuara, aq spektakolare, agresive, me finale të jashtëzakonshme për titull, gjithmonë të shoqëruara me një interesim e tifozeri si ato tipike britanike në tribunat A dhe B me thirrjet “Tirona, Tirona”, pas çdo vendim të arbitrave të konsideruara padrejtësisht.
“Unë pata fatin që të luaj takimet derby në kulmin e tyre duke qenë kapiten i “17 Nëntorit”. Pas viteve ‘60-të “Dinamo” ka humbur pak terren, ndërsa ai ndaj “Partizani”-t me lojtarë potencialë për kohën, ishte më shumë se “zjarr” me rivalitet deri në ditën e fundit të kampionatit” – kujtonte Nuriu. Por, edhe ai Pano-Bylyku, një derby brenda derbyt ka qenë. “Me Panon u njoha, kur shkova te Tirana e Lym Allës në vitin 1958. Pastaj përballë, kur ai ishte në kulmin e shkëlqimit, por luante me “Partizani”-n. Për disa sezone ,dueli midis meje dhe tij u kthye si një pjesë e rëndësishme e kësaj ndeshjeje. Pano nuk duhej nënvleftësuar në asnjë moment dhe unë e dija mirë, e njihja potencialin, psikologjinë dhe aftësitë e tij. Por, edhe atmosferën, si e prisnin spektatorët. I krijoja vështirësi pasi edhe karakteristikat e mija ishin të tilla, nuk e lija të luante me topin sepse, aty fillonte rrezikshmëria e tij, i qëndroja pranë, ai nuk e duronte lojën nga afër një për një, nervozohej. E ngacmoja sistematikisht, shpesh edhe jo korrekt. Ndaj Panos duhet të përdorje të gjitha “mënyrat” për ta ndalur.
Edhe tek tifozët u krijua mendimi që; Pano nuk e ka të lehtë me Bylykun. Duhet të kryeja veprime të zgjuara, të isha gjakftohtë, të mos shfaqje shenja nervozizmi. Myslym Alla ka qenë tejet i rëndësishëm, me orientimet, këshillat që më jepte para dhe në pushim. Që në fillim, ka qenë ide e tij që unë të luaja kundër Panos, pasi na njihte mirë të dyve. Sidoqoftë ai duel, nuk ka qenë asnjëherë i acaruara, por sinqertë. Pano, ndonëse kundërshtarët i ndërhynin rëndë, ai kurrë nuk ankohej të arbitri, cilësi e rrallë e futbollistëve të mëdhenj”, kujtonte Bylyku për atë kohë, kur ai mbulonte Panon e famshëm.
Kur Lym Alla injoronte Komitetin e Partisë!
“Merita absolute, për krijimin, ndërtimin dhe suksesi që pati “17 Nëntori” është vetëm e tij, sigurisht me aftësinë për të afruar, krijuar atë grup lojtarësh, me një filozofi dhe mënyrë loje spektakolare, argëtuese dhe triumfuese. Një psikolog, në fushë, stërvitje e jashtë saj ka qenë. Ne e dinim kush ishte Lym Alla e në formacion të fuste me meritë dhe jo me Komitet Partie, të cilin e injoronte” – kujtonte Bylyku. “Dhe për këtë ka qenë i prerë, askush, drejtues Klubi, Komiteti, Federatë, apo Partie nuk guxonte t’i sugjeronte, cilin lojtar të aktivizonte. Shumë profesionist, me një mentalitet perëndimor, dhe modern për kohën, njihte rëndësinë e takimit, vlerat e kundërshtarit, futbollistin kryesor dhe si ta mbulosh atë në aspektin fizik e teknik. E vendoste mirë skuadrën në fushë, dhe kishte besim. Para ndeshjes, pak fliste, dhe kishte psikologjinë e tij, që me lojtarët komunikonte edhe me vështrime të thella, shpesh për të mos e dramatizuar e tensionuar situatën. Kurrë t’i jepte përgjegjësi futbollistëve dhe si një profesionist i vërtetë i stolit, ndeshjen e kishte taktikisht në kokë, dhe prej ditësh e dinte se do të luante. Në pushim të lojës, Alla, gjente detaje, për të ndryshuar atmosferën, kur ishim në vështirësi”- shprehej Bylyku për trajnerin e famshëm, Lym Alla.
Pastaj ai shtonte: “Shumë imponues, ndaj lojtarëve, arbitrave por edhe kundërshtarëve dhe këtë e shfaqte sapo zbrisnin në stadium, gjatë ndeshjes dhe në fund te saj. Nuk bënte kompromis për asgjë, kishte parimet e tij, dhe tek unë kishte besim absolut, pasi e dinte që unë ja transmetoja të gjithëve, sapo loja fillonte. Më thërriste para loje dhe nga dritaret e dhomave të zhveshjes, më thoshte: Bylyk, e shikon atë publik? Ai do të ofendojë, do të bërtasë, pasi do të fitojë. Nëse ke kurajo, dil në fushë, nëse jo qëndro këtu. Nuk dua të luaj me dhjetë futbollistë”.
Trajner me Shpresat, Spartakiada dhe “shkarkimi”…!
Në vitin 1967-të, Bylyku shkëputet me futbollin, si lojtar aktiv, por Lym Alla me Ver Shehun, e caktojnë të stërvisë e drejtojë ekipin e Shpresave të Klubit Tirana, kur lojtarë të mirë për mos humbur formën sportive, luanin me këtë skuadër. Pastaj si drejtues në Klubin Sportiv, përgatit dokumentacionin me karakteristikat që nevojiteshin çdo futbollist të “17 Nëntorit”, që do të nisej për në Belgjikë, në ndeshjen kundër “Standart Liezhit”. Largohet nga Klubi për të vijuar shumë vite më vonë, si pedagog në shkollën “Fan Noli” dhe Teknologjike, ku si nxënës do të kishte emra të njohur, si: Agim e Arben Fagun, Leonard Tasen, Dash Shehin, Mir Petrelën, Tomorr Shehun, Makbule Çeçon, S. Mara, deri te Ilir Meta, ish-Presidentin e Republikës. Në Klubin e Tiranës, do të rikthehet më 1982-in, në vend të Muharrem Sinoymerit. “Do jesh në krye të Klubit” më thonë. U angazhova dhe e fituam Spartakiadën e 6-të në Lojrat me Dorë. Jam larguar nga Klubi në tetor të ‘88-tës, i mërzitur, i lodhur nga veprimet pas krahëve, egoizmi, por edhe nga sëmundja kronike e zemrës”- përfundonte rrëfimin e tij, Nyri Bylyku.
Fanella surprizë e ardhur nga Skocia!
Ky është një detaj, shumë i rëndësishëm, dhe që jep një mesazh të madh mirënjohjeje. Me rastin e përvjetorit të takimit “Kilmarnok” – “17 Nëntori”, i zhvilluar 50-të vite më parë, nga klubi skocez, ka ardhur një fanellë për Nuri Bylykun. “Ishte një surprizë, kur ma sollën, madje ishte ‘konfidenciale’, sepse kështu shkruhej. Për të kujtuar atë përballje, në Skoci kishin organizuar një ceremoni simbolike, që fatkeqësisht ftesa e tyre nuk e di se si dhe ku pati përfunduar këtu tek ne. Sidoqoftë, duke iu referuar asaj ndeshjeje si e para për atë klub në Kupën e Kampioneve, po kështu edhe për “17 Nëntorin”, është zhvilluar një festë, ku kanë marrë pjesë drejtues, futbollistë të asaj kohe. Nga ne nuk ka qenë askush. Ndërkohë, ata kishin përgatitur një fanellë simbolike me emrin tim, si kapiten dhe ma dërguan. Ne atje kemi luajtur me fanella të bardha, që na i dhuruan ata, presidenti i tyre, por të kujdesshëm, sollën atë tradicionalen. Një veprim dhe kujtim shumë emocionues”- shprehej Nuriu.
Trashëgimia në tre “brezat” e familjes Bylyku
Dy tituj kampionë dhe një Kupë Republike, të fituar me një “17 Nëntor” legjendar, me lojë e rezultate befasuese, duke qenë kapiten e tij. “Kam luajtur 14 vite radhazi, që nga mosha 17-të deri 30 vjeç”, tregonte Nuriu. Një familje sportive, nga Shqyriu, vëllai i madh, futbollist i shquar i viteve ‘50-të, i njohur me emrin Tasi. “Ai ka qenë nxitës për të vazhduar trashëgimin sportiv të familjes. lidhjen me klubin e Tiranës. Ai ka qenë një prind, kujdestar shpirtëror edhe për karrierën time sportive”, tregonte Nuriu.
Pastaj djali i tij, Artan Bylyku, që trashëgoi pasionin, duke veshur fanellën bardheblu të një dinastie me tre gjenerata. Nuri Bylykun, kur e takonim para pak kohësh, të befasonte për gjithçka. Shumë i mbajtur dhe vitet nuk ja tregonin moshën. Aktiv, energjik, ai kujtonte çdo detaj, dhe kishte një memorie brilante për t’ja pasur zili edhe më të rinjtë. Dhe kjo është një pjesë e vogël e historisë sportive të tij, por jo vetëm.
Kur rrëfente, nga pasioni që kishte për sportin, nuk dinte të ndalej, pasi të tilla i kishte ngjarjet, që e kishin shoqëruar në karrierë, nga të cilat ne shkëputëm fare pak, duke zgjedhur ato me të rëndësishmet, sigurisht ato më emocionueset, për t’i bërë publike sot, kur ai u përcoll për në banesën e fundit, pasi iu bënë të gjitha nderimet e homazhet, aty te holli i Stadiumit “Dinamo”, i cili ka qenë edhe shtëpia e tij e dytë për dekada me radhë. Memorie.al
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016