Nga Dashnor Kaloçi
Pjesa e gjashtë
Memorie.al / Që nga fundi i nëntorit të vitit 1944 kur erdhi zyrtarisht në pushtet, e deri sa vdiq në vitin 1985, diktatori komunist Enver Hoxha, duke dashur që t’i ngjante idhullit të tij, Josif Visaranoviç Stalinit dhe duke ndjekur “rrugën” e tij, hera herës ndërmerrte spastrime në udhëheqjen e lartë të PPSH-së, gjë të cilën praktikisht e kishte filluar që nga viti 1941, me Anastas Lulën e Sadik Premten, e vazhdoi me Koci Xoxen (dhe grupin e tij) në vitin 1948-’49 dhe e mbaroi në vitin 1981-’82, me të ashtuquajturin “Grupi armiqësor i Mehmet Shehut e Kadri Hazbiut”. Në këtë interval kohor prej më se katër dekadash, siç dihet tashmë, ai eliminoi pothuaj të gjithë themeluesit e Partisë Komuniste Shqiptare, anëtarët e Byrosë Politike të Komitetit Qendror të PPSh-së dhe drejtuesit kryesorë të ashtuquajturës “Lufta Antifashiste Nacionalçlirimtare”, aq sa nga viti 1960 e, deri në shembjen e regjimit komunist në 1990-ën, vetëm Pilo Peristeri kishte shpëtuar nga burgu apo internimi, duke iu gëzuar privilegjeve si kandidat i përjetshëm i Byrosë Politike dhe funksionit të drejtorit të Kombinatit të Autotraktorëve “Enver Hoxha”!
Por, ndryshe sa kishte bërë deri në fillimin e viteve ’70-të, ku “shpata” e Enver Hoxhës kishte rënë kryesisht mbi udhëheqjen e lartë të PKSH-së, (Koci Xoxe, Kristo Themelko, Sotir Vullkanim Ramadan Çitaku, Tuk Jakova, Bedri Spahiu, Liri Gega, Gjin Marku, Koço Tashko, Liri Belishova, etj.), të cilët ai i kishte akuzuar për “devijatorë të vijës së Partisë” dhe i kishte dënuar si “tradhtar dhe armiq të popullit”, në mesin e viteve ’70-të, diktatori Enver Hoxha filloi goditjen edhe ndaj disa anëtarëve të Byrosë Politike, që mbanin edhe poste ministrore, si Abdyl Këllezi e Koço Theodhosi, duke i akuzuar ata edhe si “sabotatorë” të Ekonomisë Socialiste”!
Dhe ashtu siç kishte bërë me Beqir Ballukun, Petrit Dumen e Hito Çakon, (të cilët u dënuan me vdekje dhe u pushkatuan), ku për të vërtetuar “veprimtarinë e tyre armiqësore”, Enver Hoxha dënoi me burgje dhe internime edhe një grup të madh oficerësh madhorë, edhe me të ashtuquajturin “Grupi sabotator i Ekonomisë”, ku përveç Këllezit dhe Theodhosit, bënin pjesë edhe dy ministrat Kiço Ngjela e Vasil Kati, u akuzuan dhe u dënuan edhe disa funksionarë të lartë të sektorit të Tregtisë, drejtorë e specialist të njohur, siç ishin Andrea Manço, Ahmet Jegeni, Bardhyl Frashëri etj., si dhe të sektorit të Naftës, si; drejtues, inxhinierë e specialist të njohur, si; Filip Nashi, Beqir Alija, Koço Plaku, Milto Gjikopulli, Protoko Murati, Dhimitër Stefa, Jani Konomi, Nuredin Skrapari, etj.
Siç do të shohim edhe në dokumentet në fjalë, procesin hetimor ndaj ndaj të ashtuquajturit “Grupi armiqësor e sabotator i Ekonomisë”, që kishte realizuar Ministria e Brendshme dhe Sigurimi i Shtetit, me akuza të montuara dhe dëshmi të rreme apo të marra nën torturë, etj., e vazhdoi edhe Gjykata e Lartë e Republikës Popullore të Shqipërisë me në krye Aranit Çelën, duke i “kanalizuar” akuzat edhe nga ana “juridike”, për të “vërtetuar” ato që kishte thënë Enver Hoxha në Plenumet e Komitetit Qendror të PPSH-së, ndaj Abdyl Këllezit, Koço Theodhosit, Kiço Ngjelës, Vasil Katit etj.
Sa më sipër për të gjithë këta, pas viteve ’90-të, është folur dhe shkruar shumë, si nga pjesëtarë të atyre “grupeve”, familjarë të tyre, etj., etj., Memorie.al ka siguruar dokumentet arkivore të Gjykatës së Lartë të Republikës Popullore të Shqipërisë të asaj kohe dhe ish-Presidiumit të Kuvendit Popullor, ku është marrë në shqyrtim “Grupi armiqësor i Ekonomisë”, “Tregtia” dhe “Nafta”, të cilat shohin dritën e botimit për herë të parë, dokumente të cilat po i publikojmë në disa numra, bashkë me fotot e faksimilet përkatëse.
Në pjesën e parë dhe të dytë të këtij cikli shkrimesh, po publikojmë dokumentet ku bëhet fjalë për ish-drejtorit të Makinaimportit, Andrea Manço me origjinë nga fshati Boboshticë e Korçës,, vëllai i të cilit Todo Manço, për vite me radhë kishte shërbyer si kryeinxhinier dhe drejtor i minierës së kromit të Bulqizës, e gjithashtu për disa legjislatura me radhë edhe deputet i Kuvendit Popullor, i cili kur u nda nga jeta më 6 nëntor 1974, iu bë një ceremoni madhështore mortore, me homazhe në qendër të kryeqytetit, ku përveç Enver Hoxhës, mori pjesë e gjithë udhëheqja e lartë e PPSH-së, me në krye kryeministrin Mehmet Shehu. Ndërsa Todo Manços, (“Hero i Punës Socialiste”) do t’i bëheshin gjithë këto nderime, vëllai i tij, Andrea, afro dy vjet më pas, do të torturohej në qelitë e Sigurimit të Shtetit dhe do të dënohej me vdekje, me pushkatim, si “armik i popullit” dhe “agjent i agjenturave të huaja”, e varri i tij, ende nuk është gjetur!
VENDIMI I GJYKATËS SË LARTË TË KRYESUAR NGA ARANIT ÇELA, DËRGUAR PRESIDIUMIT TË KUVENDIT POPULLOR, PËR DËNIMIN E “GRUPIT ARMIQËSOR” NË SEKTORIN E NAFTËS, ME NË KRYE FILIP NASHI, BEQIR ALIJA, KOÇO PLAKU, MILTO GJIKOPULLI, ETJ.
RELACION
REPUBLIKA POPULLORE E SHQIPËRISË Tiranë më 21.6.1976
GJYKATA E LARTË
Nr.381
Presidiumit të Kuvendit Popullor
Tiranë
REPUBLIKA POPULLORE E SHQIPËRISË
GJYKATA R LARTE
Nr.12. Regj. Themeltarë
Nr.13 i vendimit
VENDIM
NE EMËR TE POPULLIT
Gjykata e Lartë e Republikës Popullore të Shqipërisë, e përbërë prej:
Kryetares së seancës: Eleni Selenica Z. Kryetare Gjykatës Lartë
Nd. Gjyqtar së seancës: Mitat Goskova
Nd. Gjyqtar së seancës: Fehmi Legreta
T’asistuar prej sekretarit Sadik Mema, me pjesëmarrjen e Prokurorit Sotiraq Samara ZV. Prokuror’i Përgjithshëm, nga data 11-17.6.1976 mori në shqyrtim në seancë gjyqësore me dyer të mbyllura, çështjen penale Nr.12 që ju përket të pandehurve:
- FILIP NASHI: I biri i Apostolit dhe i Aretisë, i datëlindjes 1923, lindur në katundin Sheper të Rrethit Gjirokastër, banues në Fier, me origjinë shoqërore fshatar i varfër, me gjendje shoqërore nëpunës, ish drejtor i DPN-së, me arsim të lartë, i martuar, ka 5 fëmijë, i përjashtuar nga Partia si armik e sabotator, i pa dënuar më parë, mban 7 dekorata, medaljet e Kujtimit, Trimërisë, Çlirimit, Urdhrin e Trimërisë, dy Urdhra Pune Klasi i dytë, dhe Urdhrin e Flamurit Klasi dytë, i arrestuar me datën 25 Mars 1975.
- BEQIR ALIJA: i biri i Aliut dhe i Merjemes, i datëlindjes 1927, lindur në Shkodër, banues në Fier, me origjinë shoqërore tregtar i mesëm, me gjendje shoqërore nëpunës, ish-drejtor i Institutit të Naftës, në profesion inxhinier gjeolog, me arsim të lartë, i martuar, ka dy fëmijë, i përjashtuar nga Partia si armik e sabotator, i pa dënuar më parë, mban Urdhrin e Punës Klasi i dytë, i arrestuar me datën 25 Mars 1975.
- KOÇO PLAKU: i biri i Josifit dhe i Kostandinës, i datëlindjes 1929, lindur në katundin Hoçisht të rrethit të Korçës, banues në Fier, me origjinë shoqërore fshatar i pasur, me gjendje shoqërore nëpunës, me detyrë shef’i kabinetit të përgjithshëm pranë Institutit të Naftës Fier, me profesion inxhinier gjeolog, me arsim të lartë, i martuar, ka dy fëmijë, i përjashtuar nga Partia si armik e sabotator, i pa dënuar më parë, mban dy medalje pune dhe Urdhrin e Punës Klasi tretë, i arrestuar më datën 25 Mars. 1975.
- MILTO GJIKOPULLI: i biri i Vasilit dhe i Jorgjisë, i datëlindjes 1938. Lindur në Dhërmi të Vlorës, banues në Fier, me origjinë shoqërore fshatar i varfër, me gjendje shoqërore nëpunës, me profesion inxhinier gjeolog në Institutin e Naftës dhe të Gazit në Fier, me arsim të lartë, i martuar, ka dy fëmijë, i përjashtuar nga Partia si armik e sabotator, i pa dënuar më parë, mban Urdhrin e Punës Klasi i dytë, i arrestuar më datën 25 Mars 1975.
- PROTOKO MURATI: i biri i Avniut dhe i Xhevrijes, i datëlindjes 1929, lindur në katundin Klos të rrethit Fier, banues në Fier, me origjinë shoqërore fshatar i pasur, me gjendje shoqërore nëpunës, në profesion inxhinier gjeolog, me detyrë shef i sektorit të Gjeologjisë në Industrinë e Naftës, me arsim të lartë, i martuar, nuk ka fëmijë, i përjashtuar nga Partia si armik e sabotator, i pa dënuar më parë, mban dy Urdhra Pune Klasi i dytë dhe një Urdhër Pune Klasi i tretë, i arrestuar me datën 25 Mars 1975.
- DHIMITËR STEFA: i biri i Nikollës dhe i Vasillos, i datëlindjes 1934, lindur në katundin Graxhdan të rrethit të Sarandës, banues në Fier me origjinë shoqërore fshatar i varfër, në gjendje shoqërore nëpunës, me profesion inxhinier gjeolog, ish përgjegjës i brezit të Kurveleshit me kombësi minoritare Greke, me shtetësi Shqiptare, me arsim të lartë, i, martuar, nuk ka fëmijë, i pa organizuar, i pa dënuar më parë, mban dy medalje Pune, i arrestuar me datën 27 Prill 1975.
- JANI KONOMI: i biri i Agustinit dhe i Elenit, i datëlindjes 1934, lindur në katundin Krongji të Rrethit të Sarandës, banues në Fier, me origjinë shoqërore fshatar i varfër, me gjendje shoqërore nëpunës, me profesion inxhinier i nxjerrjes së naftës, me detyrë ish drejtor i Nxjerrjes së Naftës pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Naftës, me arsim të lartë, i martuar, ka një fëmijë, i përjashtuar nga Partia si armik e sabotator, i pa dënuar më parë, mban dy urdhra Pune Klasi i tretë dhe një medalje pune, i arrestuar me datën 17 Prill 1975.
- NUREDIN SKRAPARI: i biri i Mentorit dhe i Xhevrijes, i datëlindjes 1943, lindur në £shatin Bubullimë të rrethit të Lushnjes, banues ne Qytetin Stalin, me origjinë shoqërore fshatar i pasur, i cilësuar kulak, me gjendje shoqërore nëpunës, me detyrë inxhinier gjeolog, me arsim të lartë, i pa martuar, i pa organizuar, pa dekorata, i dënuar në vitin 1974, me 20 vjet heqje të lirisë, për krimin e agjitacionit e propagandës kundër pushtetit popullor, sipas nenit 73/1 i K.P, i arrestuar me datën 28 Mars 1975.
Në bashkëpunim me njeri tjetrin dhe me komplotistët, puçistët, e tradhtarët Baqir Balluku, Abdyl Këllezi, Koço Theodhosi, Piro Gusho e Kiço Ngjela, kanë kryer krimin e sabotimit në Industrinë e Naftës dhe të Gazit, duke i shkaktuar ekonomisë popullore një dëm 891.866.800 lekë, krim ky i parashikuar nga neni 72, në kombinim, me nenin 12 të Kodit Penal.
Të pandehurit Filip Nashi, Beqir Alija, Koço Plaku, Protoko Murati, Milto Gjikopulli, Dhimitër Stefa e Jani Konomi, kanë bërë edhe agjitacion e propagandë kundër pushtetit popullor, duke kryer krimin e parashikuar nga neni 73/I në kombinim me nenin 12 të Kodit Penal
Të pandehurit Koço Plaku e Milto Gjikopulli, kanë kryer krimin e tradhtisë ndaj Atdheut në formën e spiunazhit, krim ky i parashikuar nga neni 64 i Kodit Penal.
Të pandehurit Filip Nashi e Beqir Alija kanë kryer edhe krimin e shpërdorimit të pozitës zyrtare duke i shkaktuar ekonomisë popullore një dëm prej 6.329.200 lekë, krim ky i parashikuar nga neni 199/II të Kodit Penal.
Gjykata, pasi dëgjoi apologjia e të pandehurve, pasi shqyrtoi materialet e hetuesisë, provat e mara gjatë zhvillimit të gjykimit, pasi dëgjoi pretencën e Prokurorit, i cili kërkoi që të gjithë të pandehurit të deklarohen fajtorë dhe të dënohen si vijon: / Memorie.al
Vijon numrin e ardhshëm
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016