Nga Shkëlqim Abazi
Pjesa e tridhjetetetë
S P A Ç I
Varri i të gjallëve
Tiranë, 2018
(Kujtime të miat dhe të të tjerëve)
Memorie.al / Tash në pleqëri, ndjej detyrim të rrëfej të vërtetën time, ashtu siç e jetova. Të flas për burrat modestë, që s’u mburrën ndonjëherë me bëmat e tyre dhe për të tjerët që regjimi u mbylli gojën e, i groposi në skërkat pa emra. Në asnjë rast s’marr përsipër, të uzurpoj monopolin e së vërtetës apo, të pretendoj dafinat për një ngjarje, ku qeshë i pranishëm rastësor, ndonëse u rreka me shpirt të ndihja sadopak miqtë e mi, që më shmangën me takt dhe me dashamirësi: “Byrazer, hap sytë… mos u përzje… se edhe dy muaj e pak të kanë mbetur”! Merak që m’u qep si hajmali, nga mëngjesi i datës 21, 22 dhe 23, maj 1974, madje më ndoqi edhe muajt në vijim, gjersa më liruan. Sidoqoftë, gjithë ç’pashë dhe dëgjova ato tri ditë, s’do doja t’i merrja në varr.
“O Zot, sa pare janë harxhuar për këtë vathë-burg? Sa kilometër tela gjembaçë, sa lëndë ndërtimi, sa fuqi punëtore, sa ton ushqime, sa metër linear cohë për veshmbathje, sa lekë për paga, etj., etj., për të na ngujuar brenda gjeratores socialiste! Eh, lufta klasore”?!
Pak metër mbi rrugë, galeritë hapeshin si gojëshqyer. Më sipër në një rrafsh tjetër, vrima edhe më të zeza dhe në rrafshin e tretë, një grykë e vetme të përpinte si sy ciklopi. Sa hante syri, shihje vetëm rrëpira dhe pragje shkëmbor-ranorë, të dalë mbi rrëzoma. Zajet përskuqnin përfund shtratit të përroit që zbriste nga malet e Kalimashit dhe vetë ai përdridhej pas bërrylit që shihnim përditë, gjarpëronte nëpër ngushticë dhe zhytej grykave duke humbur në terr si Akeronti në humbellat e Hadit.
Pamjen e fshihte rrumbullakësia e kodrave, bash në kufirin fundor që shihej me sy të lire, ku mbaronin “zotërimet” tona, më tej konturet shkriheshin dhe shikimi përvidhej mbi kreshtat që vendasit i shënjonin, si sinorin mes Mirditës dhe Kukësit. Sa shkelëm tarracën e gërryer në shkëmb, u përballëm me ca karabina gunga si zhguall breshke, mbase të epura nga era, që qethte faqen shkëmbore, morëm racionin e karbitit në barakën dhoga nxirë, ku të qelbte duhma e vezës së prishur.
U çudita, pasi krejt territori sipër, sterronte në kontrast me anturazhin që skuqte; rruga sterrë, si t’i kishin shtruar shtresë bloze; gurët rano-abraziv nxinin, si t’u kishin ndehur një tis të zi; në shkurre bënin majë gjethe të zeza, kurse mbi çatinë e ofiçinës, nxinte eterniti i rrudhosur si pergamenë e zezë.
Kur bëmë tërma, drejt galerisë së vetme si sy ciklopi, sterrë e më sterrë nxinte ndryshku i vagonëve, të zeza shinat, bishtat e aleteve sterronin si dru abanozi, edhe vija e ujit që rridhte për skaj tunelit shkërbente, si Akerontit kur rrjedh i zi nga mbretëria e Hadit. Teshat, kurmet dhe fytyrat e të dënuarve që u këmbyem, ishin skrromë. Gjithçka nxinte në këtë ferr tokësor! Ky cep rruzullimi, ndillte zi! Telepatia s’më kishte mashtruar.
Zezonë më ndërmendi zymtinë e ëndrrave me demonët e Hadit, me Cerberin dhëmbë-skërmitur, me Zeusin rrufe-sterrë, me diellin rreze-nxirë, me vranësirën e korbave, me rrufetë gjuhë harpiesh, me shiun acid, me… dhe mishi m’u ngjeth.
“Në hirin tënd, o Zot”, iu fala të Madhit.
Në vrimën e piritit
Hodhëm veglat në kazan, mbi to ca trungje për armim dhe u nisëm. ndiqnim të heshtur pas vagonit, në një krah unë, në tjetrin Osmani, kur kcipnim pjatinat kthenim djathtas apo majtas, sipas rastit, gjersa ngecëm në ballin e skajit fundor të galerisë. Çuditërisht më hyri i ftohti në palcë, temperatura u ul, kurse aroma e acidit sulfurik më çau hundët dhe më përloti sytë. Preka rrethin e nëntë! Nën dritën e përtymur, Tomçja seç gërmonte një saraçineskë, që s’po donte të hapej.
“Ej dreq, këto gazra të shpifura, na shkurtuan ymrin! Po e paguajmë shtrenjtë ditën e pushimit”! – shfreu dhe e mbyti një kollë e thatë.
“Thua shyqyr që na lanë, se na doli shpirti”! – iu kundërvu Osmani.
“E ke gabim or mik, gjatë njëzet e katër orëshit, gazi shumëfishohet dhe e thithin mushkëritë tona”, – mbrojti idenë e tij Tomçja.
“Për sot e paske ruajtur erudicionin mjedisor”! – bëri shaka Osmani. – “Apo kërkon ta tutësh kët mikun, që na nderoi në festën e çdoditshme”! – mbase desh të krijonte mjedis më mikpritës.
Zorra e shtrirë mbi material shfryu dhe plasi me tërsëllëmë grimcat e imëta, sa në ballin shkëmbor, në faqet e kazanin dhe prej andej i riktheu spruco mbi ne. Rryma pulverize, e shndërroi Osmanin në zezak, ndërsa Tomçja sterronte, sa për vete s’e imagjinoja dot ç’ngjyrë do kem marrë.
Më nisën shtërzimet, një athëtimë më përcëlloi fytin dhe më ngau lemza. Sapo Osmani pikasi ndryshim në çehre, më ftoi:
“Eja dalim sa të pastrohet fronti, sepse e ke sefte dhe do kesh probleme përshtatje me aromën”.
“Ndihem mirë”! – e kundërshtova.
“Si të dëshirosh, sot s’paska shumë material”! – gërreu me presën e lopatës kurrizin e shinave.
“Boll se na gërrice zorrët, or burrë”! – u ankua Tomçja.
“Do qas vagonin, se është pak larg, kush e ngre gjithë këtë peshë me krahë”!
Lopata u fut lehtë në pirgun e imët, kur bëra ta ngrija gati më mori pesha dhe më plasi mbi kapicë. Ej djall, si më rrodhën mendsh kalkulimet e Ismet Boletinit: “S’na ushqen dërzhava kot me dietë speciale, or mik” – na këshillonte. – “Për të ngarkuar një vagon pirit, duhen mbushur afër dyqind lopata, plus minuset, varen në ndërgjegjen e secilit apo, në cilësitë fiziko- kimike të mineralit, sa më i pasur e më i imët, më i rëndë dhe e kundërta. Pra, një lopatë pirit, peshon nga tetëmbëdhjetë, në njëzet e pesë kilogramë, kurse bakër, nga dhjetë, deri në pesëmbëdhjetë. Për të qenë konkret, duhet të supozojmë një mesatare të artë, që i bije njëzet kilogramë pirit për lopatë dhe dymbëdhjetë bakër.
Përfundimisht, një vagon ka afër 3.600 kg. pirit dhe 2.400 kg. bakër. Shumëzoji me shtatë vagonë. për dy vagonistë në turn, del 600-700 lopata për çdo të burgosur, të zhvendosë një barrë prej 12.600 kilogramësh pirit, ose 8.400 bakër. E përkthyer në vit kalendarik. prej 340 ditë pune, përjashto ndonjë të diel pushim, ndonjë raport apo. ndonjë ndëshkim njëjavor, rezulton një peshë prej 4.284.000 kilogramë pirit në vit. ose 2.856.000 kg. bakër për secilin.
Këtë shumëzojeni me mesataren dhjetë vjet për person dhe nxirreni vetë përfundimin. Siç shihet mekanizmi-njeri, e ngre këtë barrë me lopatë, e hedh në kazan, e shtynë vagonin shtatë herë për gati një kilometër, e derdh në trimozhë dhe mandej, kthehet sërish shtatë herë bosh, shtoji edhe peshën e vagonit e të trupave për armim, plus samarin-peliçe, që mbart secili mbi shpinë dhe nxirrni konkluzionin.
Ju lutem shumë, gjeni dot një kafshë më ekonomike, që mund të konkurrojë shtazën njeri, në rendiment për njësi shpenzimi ditor, mujor dhe vjetor? Llogariteni leverdinë e shtetit për të shumuar numrin e të dënuarve dhe t’i mbarështojë pakëz më mirë se çdo kafshë tjetër me plëndës”?!
Ndonëse s’e merrnim seriozisht Ismetin, nga që bënte gazmore me kalkulime logaritmesh dhe llogjet e tij i konsideronim sarkazëm ndaj regjimit, për shkak të urrejtjes, në fakt teoria qëndronte.
Pra kjo m’u ndërmend, kur desh ngjesha turinjtë mbi pirg. E lashë lopatën të derdhej dhe bëra të drejtoj shtatin, por një therje thike, më shpoi në mes. Shtrëngova dhëmbët dhe mbyta ulërimën, kur e zhyta për së dyti, u kujdesa të mos e mbushja plot dhe para se ta ngrija, e mbështeta me terezi mbi kofshë, por bishti u ep, si t’i kishe varur një kondrapeshë, nga rëndesa sa s’më mbeti në dorë.
I humbur në eksperimentin ala-Ismet, s’u kujdesa të maskoja lojën moçente, për mos të tërhequr vëmendjen e shokëve, por ata ndoqën lëvizjen e lopatës nga poshtë, në lartësinë e kazanit. Kur e ktheva dhe e zhyta sërishmi, ajo u mbush më tepër, edhe pesha u rrit disa kilogramë, njëherësh u shtuan dhimbjet e mesit. Sidoqoftë, e arrita kazanin me sforco.
“Çudi, paskan qenë tepër të sakta, llogaritjet e Ismetit”!
Kur e materializova në praktikë, e pranova pa mëdyshje matematikën politike të mikut tim.
“Po punoke me poza byrazer, mos po loz ndonjë film, me stakonovistë”? – më cyti Tomçja.
“Sa të ambientohet me peshën, do hyj në brazed”! – shpotiti edhe Osmani.
“Ç’biçim dheu qenka ky, peshon lopata, si ta kesh mbushur me plumb”! – shpreha habinë.
“Jo tamam plumb, por sulfat hekuri”! – qeshi Osmani dhe përmendi formulën kimike.
“I dashur, s’na duhet formula, po norma! Të qërojmë materialin, të hapim birat, të kapim ciklin, që t’iu shpëtojmë telave të Pjetër Kokës! E more vesh”? – ia ndërpreu vrullin didaktik Tomçja.
“E mora”!
“Po ti”? – m’u kthye mua.
“Edhe unë e mora”?
“Epo mirë, nëma qyrekun të nxehem se më hyri cerma”!
Ma rrëmbeu pa pëlqimin tim dhe nisi të hidhte në kazan, në krahun tjetër Osmani dhe vagoni u mbush për dhjetë minuta.
“O-ha biro, në brazdë! – i vuri shpatullat, por s’po e luante dot. U tërhuzëm edhe ne vagonistët si pendë qesh, po në dallim prej tyre, që tërheqin kularin, u shtriqëm me supe shtrënguar pas buzës së kazanit, fiksuam thundrat dhe shtymë me forcë.
“O-ha biro, në brazed”! – përsëdyti Tomçja dhe shkërbeu hostenin me bishtin e lopatës.
Fillimisht rrotat u zvargën vajtueshëm, gjersa fituan xhirot, mandej morën vrull dhe nisën trokun e njohur. Por ndryshe nga zona e pare dhe e tretë, këtu ishte më shtruar, sepse edhe pesha e vagonit e kalonte dyfish ngarkesën e mineralit të bakrit, si pasojë jehona dilte më e butë dhe lëvizja më e shpejtë.
Këtu përvoja vlente më shumë se kudo, sepse edhe rreziku; përfundoje në kanalet anësorë, ishte ku e ku më i lartë, po edhe shumë më i mundimshëm, për ta rivënë mbi binarë. Gjatë rrugës na ranë mbi krye dhe shpinë, mijëra pika dhe rrëke, sa s’dije nga të ruheshe me parë, ndërsa vijat anësore gurgullonin nga sasia e prurjeve, aq sa afër daljes, shndërrua në rrymë e furishme.
Pikat vlonin e më dhanë kruajtje në qafë dhe bezdi në lëkurë, kur e pikasi Osmani e, nisi shpotitë:
“Ba-ba-ba, ç’peliçe e bukur! Pas një jave do bëhet lara-lara, si mushama kamuflazhi, pas një muaji zhele dordoleci, për të trembur sorrat dhe pas dy, do përfundojë pece që të pastrojë çizmet kapter Pjetri”!
“Ne u bëmë vetë dordolecë dhe po trembim njëri tjetrin”! – pa iu referova teshave që s’kishin ku t’i kapnin qentë, shënjova surratet e nxirë për ibret.
“Bloza pasqyron sukseset e socializmit or mik, pas kësaj pamje, struket ndërgjegjja e kombit”! – ai ishte inteligjent, e kapi aludimin, në tërë dimensionin shpotitës.
Përgjatë rrugës, ndoqa këshillat e tij, kur urdhëroi të zbrisja dhe vetë u hodha i pari, u vara nga shasia dhe futa hurin në momentin e duhur. Kësisoj e komanduam vagonin pa ndonjë incident në pjatina dhe në shinat e brejtura nga acidi sulfurik, por më e keqja na priste, bash te trimozha, materiali i imët i pirtit dhe i tejngopur me ujë, nuk shqitej nga fundi i kazanit. Shkarkimi ishte proces i mundimshëm, pesha e vagonit dhe e mineralit, rrezikonte të të tërhiqte në greminën e trimozhës; një pakujdesi dhe përfundoje me ndonjë dorë apo këmbë të këputur apo, me eshtra të thyera. Kish ndodhur që kazani të rikthehej vrullshëm në pozicionin fillestar dhe të shkaktonte trauma.
Rrugës më instruktoi mjaftueshëm, te trimozha u tregova në lartësinë e detyrës; e përmbysa dhe i futa levën kazanit që s’u rikthye në shtrat, teksa ai gërreu mineralin, me një lopatë bishtprerë. Kur përfunduam procesin u lodha dhe u ndjeva i telikosur. Pasojat e piritit kërkonin një kohë prej dhjetë minutash nën diell më dha marramendje; duket koha e pastër me riktheu pështjellimet. U ula ndanë shinave e sepse gati u shemba përtokë.
“Je sëmurë”? pyeti Osmani.
“Se ç’kam një përzierje stomaku”! – ia ktheva.
“Qoftë e shkuar, do të kalojë”!
Dhimbje e tmerrshme, brenda na preu cerma! – kur fshiva ballin, cepi i xhaketës u bë si paçavure.
“Kur të nxehet moti, fronti do jetë edhe më i ftohtë dhe anasjelltas”! – nisi shpjegimin ai.
“Të paktën s’do ndjejmë dimër”! – ia ktheva me të qeshur.
“Më keq ende, do plevitosemi, brenda do punojmë me benevrekë, jashtë do veshim peliçe”!
Nga cepi i xhaketës hodha sytë mbi fytyrën e tij. Tash qe kish hequr kapën dhe kruante kokën e qethur, bënte kontrast me çehren sterrë.
“Surratin tim po sheh me aq vëmendje”? – ai t’i blinte mendimet edhe në qelëzat e fshehta të trurit.
“Jo! – ia ktheva”, por realisht mendoja atë që hamendësoi ai.
“Eh or vëlla, pa më prurë këtu, isha bardhosh nga fytyra, zemërbutë dhe shpirtdëlirë, tani ma rropën kokën, surratin ma nxinë, zemrën ma egërsuan, shpirtin ma sterruan”!
“Besoj se ke mbetur i bardhë si bora e Korabit”! – ia ktheva.
“Në çdo bjeshkë, kristalet janë të bardhë, këtu edhe bora flakëron e zezë! Jemi skllevërit e bardhë të kohëve sterrë, or mik”!
“Nisemi”?
“Qetësohu edhe pak”!
“O pllanin o xhanit”, puna në rang të parë”! – shkërbeva policin e devotshëm.
“Kemi kohë, edhe dy tri vagona kanë mbetur”! – u ul edhe ai mbi trung. Një histori si qindra të ngjashme
“Sa vjet t’u bënë”?
M’u bë se folën, po andrallat ma trallisën mendimin.
“Të pyeta, sa vjet burg t’u bënë”? – përsëriti.
“Ah-ah, një jetë”!
“Si the, bre”?
“Sa kam lindur”!
“Pse në burg, paske lindur ti”?!
“Gjithë brezi ynë, lindi në burg”! – ia ktheva i papërqendruar.
“Ç’thua, vetë kam lindur në Dibër”!
“Ç’rëndësi ka në Dibër apo në Berat, komunistët e shndërruan Shqipërinë në burg të madh, e rrethuan me tela gjembaçë, me klone, me ushtarë dhe me qenë kufiri”.
“Ah-ah, ke të drejtë nga ky këndvështrim, po të pyeta sa për muhabet, – pastaj: – Kur e sheh nga ky prizëm problemin, të kuptoj, sepse edhe unë besoja dikur, se isha nënshtetasi më i privilegjuar i shtetit, më të lumtur në botë, por realiteti do më zhgënjente”.
“Lum ti, e paske gëzuar fëmijërinë, apo e ke fjalën për ëndrra”!
“Për realitetin virtual të moshës”.
“Si e konsideron realitetin e njëmendët”?
“E ke fjalën për të tashmen, apo të shkuarën”?
“Realiteti është një”.
“S’ka ku vete më zi”! – heshti, uli kryet mbi gjoks, mbylli sytë dhe u mbush me frymë: – “Me ç’duket, paske kaluar fëmijëri të vështirë”!
“Më ibret s’bëhet, sikur kam lindur në burg”!
“Si kështu”?!
“Po ja, në internim më zi se në burg! Në vend të mamisë, më ndenji te koka polici, në vend të pelenave, më mblodhën me lëpushka dhe në vend të sapunit, më shkumuan me bajga lope”!
“Ç’po llafos, je në kaplloqe, apo ke shkarë”? – u habit Osmani.
“Linda në kasolle, e kupton? Në një grazhd polli ‘Molla’, në tjetrin ime më.
“Ah-ah”!
“Kështu ‘Molla’ lëpiu viçin, më lëpiu edhe mua. – Romantizëm i pastër, apo jo?
“Realitet i hidhur or mik, i prekshëm nga vetë realiteti”!
“Po më pas”?
“Ç të të them? Fëmijëria rrodhi rrokopujë, sa s’më shqiten nga kujtesa mjerimi, tmerri, uria, lebetia, zbathur, zhveshur, pa lodra, pa miq, pa bukë’ i survejuar që në vezë, me frikën e ligjit dhe policit. Pastaj shkolla pe një trastë retre krahaqafë dhe libra të zhubravitur, fletore të shqyera, gysma gomash e gjysma kalemash, pena kallami të çarë…”!
“Ore, keq kemi qenë edhe ne, po jo në këtë derexhe”!
“S’di ç’të them, rrëfeva për veten”! Heshtje…!
“Tani, po të kthehem ty”, – e ndërpreva, për të kaluar në rolin e pyetësit, unë ndjehesha komod.
“S’kam ndonjë gjë të jashtëzakonshme për të kallëzuar. Kemi qenë derë e madhe dhe jetonin disa kurora bashkë, sipas zakonit në anët tona. Kishim shtëpi, toka, bagëti dhe na mbanin bukë dhanë. Te ne hynin e dilnin miq e dashamirë, nga e gjithë krahina, i prisnim dhe i përcillnim pa dallim, me bujarinë karakteristike të zonës. Pra si derë e madhe, edhe miqësinë e kishim të zgjeruar, ndaj u bëmë strehë për tërë luftëtarët e krahinës, pa i ndarë në parti. Vinin Kaloshët, Agollët, nga gjithë dyert e mëdha, po më shpesh paria komuniste, Haxhi Lleshi, Haki Stërmilli, Ndrehët, Xhunglinët e të tjerë dhe propagandonin idetë nëpër fshatra. Te fisi ynë u shtruan këmbëkryq, sepse gjetën jatakë dhe veshë që i dëgjuan.
Edhe mbas lufte na vizituan sërish pushtetarët, që kishin ngrënë e pirë në shtëpinë tonë. Me thënë të drejtën, na u gjendën me fara drithërash, ca raca të zgjedhura kafshës, me arsimimin dhe ndonjë punë në shtet. Mbase e bënin për motive politike, atëbotë prindërit tanë s’i njihnin hiletë e komunistëve dhe ndihmën e ofruar, e konsideronin shlyerje detyrimi. Ishin pa shkollë, o vëlla”!
“Atëkohë e hëngrën edhe të shkolluarit, jo më fshatarët”! – e mbështeta
“Bash kjo ndodhi vitet e para, sepse sapo filloi kolektivizimi, i nxorën kthetrat. Fisin tonë e piketuan të parin, sepse na konsideronin të tyret, na shtetëzuan gjënë e vënë me mund e djersë dhe këtu nisi tersllëku, se gjer atëkohë, të vrisnin për Enverin dhe për Partinë Komuniste, në shtëpinë tonë.
Po prapë ishim më të privilegjuarit sepse na dhanë shkolla, na lejuan të shpërnguleshim në qytete, ama pjesa e familjes që mbeti në fshat, u ndje e pakënaqur, qejf-mbetja u përnda në fis dhe na përçau. Kush siguroi privilegje dhe mëtoi t’i ruante, i këshilluan gojë-kyçjen, pjesës qe vuante për bukë.
“Gjer ku zgjati kjo lojë”? – pyeta për ta nxitur.
Gjersa vajti thika në eshtër dhe u ndamë dysh përfundimisht. Unë dhe djali i mixhës, që jemi këtu, i përkasim pjesës së pakënaqur të asaj familjeje të madhe. Nga tjetra, mbase do dëgjosh për Avdinj, që do bëjnë karrierë, por të garantoj, i përkasin copës së thyer, që s’do bashkëngjitet kurrë, po edhe në u ngjittë, s’do funksionojë ndonjëherë; do t’i ngjasë qenies së përçudnuar, gjysma njeri, gjysma gjarpër, ku gjarpri do helmoje pjesën që mëkon njeriu dhe pasojat do jenë fatale, do hidhërojnë organizmin, gjer në asgjësim”.
“Përse e thërrasin ‘Student’, atë kushëririn tënd, madje pjesa dërrmuese, s’ia dinë emrin”?
“Është titull ngaqë e arrestuan në universitet. Madje atje mësoi shumë nga këto që të rrëfeva, sepse më parë, s’më kishin shkuar ndërmend. Para se të shkonte ai në fakultet, unë isha profan. Atje ai pikasi ndarjen e thellë klasore dhe na tregoi për diferencimin që iu bënin intelektualëve, për dhimbjen, skamjen, mjerimin, ambicien, urrejtjen, injorancën që po e shpinte kombin drejt degradimit, me pak fjalë zbuloi misteret dhe u zhgënjye nga lufta klasore, ndonëse s’na preku direkt, ama indirekt s’mund t’i shpëtonte askush.
E frustoi hipokrizia dhe cinizmi shtetëror, poshtërsia dhe ligësia e të Mëdhenjve, që iu kishim besuar fatin dhe që kacafyteshin e hanin egërsisht njëri-tjetrin, gjoja në emër të parimeve. Bënë hasha të afërmin, mikun, shokun, por s’grindeshin në fakt për interesa që gjoja predikonin, po për pushtet personal.
Atje ai zbuloi ekzistencën e një botë ndryshe, më të mirë dhe më të begatë, ku gjindja jetonin të lirë dhe gjithkush mund të vetë-zgjidhte, të ushtronte profesionin që dëshironte, mund të pasurohej e, t’i gëzohej mirëqenies, që siguronte me mund e djersë të ndershme, pa iu nënshtruar propagandës ideologjike, pa kokëçarje politike, pa u tutur për të nesërmet e pasigurta.
U kthjellua dhe e ndau mendjen të tentonte botën që e joshi. Në këto ujëra biseduam bashkë dhe ikëm. Për fat të keq, s’i dinim marrëveshjet e fshehta të Sigurimit me U.D.B.-në dhe tash po vuajmë atë padije”, – përfundoi ai tregimin për “Studentin”.
“Ky hall i ka rënë mbi krye krejt popullit”! – provova t’i lehtësoja barrën shpirtërore.
“Fillimisht loja e fatit më dërrmoi, pasi u njoha me këta burra zamani, ndihem më i çlirët”.
“Po i penduar”?
“Absolutisht! Përkundrazi, jam fatlum që m’u dha rasti të jetoj mes këtyre mendjeve të ndritura, për të cilët do flasë një ditë historia”!
“Bravo Osman”!
Shtatë hilet dhe “pakti” me djallin
Kur u kthyem në front, Tomçen s’e gjetëm.
“Po këtë e përpiu dheu”! – shtanga i habitur.
“Ehu, dheu na ka përpirë të gjithëve, po Tomçja ka bërë pakt me nëntokën”!
“Ç’pakt”?
“Paktin me djallin”!
“Mos ka ndonjë gjë që s’e ditkam”? – pyeta i plagosur.
“Jo, s’bëhet fjalë për atë që të shkoi mendja! Kur përmenda paktin, s’kisha parasysh të ligën, por pak a shumë, një tip marrëveshje mefistofeliane”.
“Ah-ah”?
“Tomçen e kemi deli burrë, po ka lënë nënën uloke dhe nusen të re, ndaj i është futur punës, të përfitojë ndonjë ditë-zbritje dhe të zërë ndonjë kokërr leku, t’iu gjendet ekonomikisht”.
“Të kuptova”! – u lehtësova.
Kur përmendi paktin, s’di pse dyshova dhe kujtova mos bëhej fjalë për ndonjë akord të fshehtë. Ku do jetë futur, xhanëm?! Memorie.al
Vijon numrin e ardhshëm
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016