Nga Bardhyl Berberi
-Historia e panjohur e pesë vëllezërve Darova, muzikantëve virtuozë që çmëndën turistët e huaj në Pogradec, Durrës, Elbasan etj., të cilët provuan burgjet e diktaturës dhe gjetën qetësi vetëm në Krujë, prej sekretarit të parë të Komitetit të Partisë, Tahir Minxhozi! –
Memorie.al / Kush është familja Darova! Janë pesë djemtë e intelektualit të shquar Nevrus Darova. Për gati 40 vjet në profesionin e nderuar të mësuesit që nga Gjirokastra në Korçë e Pogradec, ai mësoi dhe edukoi breza të tërë nxënësish, por mjerisht, për shkak të kalvarit të stërmundimshëm të familjes së tij, nuk gëzoi asnjë ditë pension…! Shkak bëhet njëri djalë i tij, Dylberi, i cili që në moshën 15-vjeçare gjatë Luftës, inkuadrohet me rininë e “Ballit Kombëtar”. Edhe pse Muhameti, vëllai i madh i familjes Darova del partizan në Brigadën e XX-të Sulmuese dhe lufton me armë në dorë deri në çlirimin e vendit, kjo nuk luajti asnjë rol në evitimin e kalvarit të mundimshëm të burgjeve, internimeve e persekutimeve të familjes së artistëve.
Dylberit 15-vjeçar, në vitin 1946, i bëhet një gjyq në Kinema “Morava” në Korçë, ku dënohet me 101 vjet burg. Në vitet ’50-’60-të të shekullit të kaluar, orkestra e Pogradecit, me 5 vëllezërit Darova, bëhet me famë dhe e kërkuar në të gjithë vendin, bile dhe jashtë tij. Një koncert në Shkodër i pagëzon muzikantët Darova si “Bitëllsat e Pogradecit”, ndërkohë që koncerte të shumta në Elbasan, Durrës, Tiranë etj., që ngrenë në këmbë rininë e vendit, u shton famën, por dhe përgatit një kalvar tjetër të rëndë për ta.
Fama e një orkestre me emër në qytetin e Pogradecit, e njohur ndryshe në opinionin e gjerë si “Bitëllsat e Pogradecit”, e përbërë nga 5 vëllezërit Darova dhe familjarë të tyre, jo vetëm që nuk do të “zbuste” njollën e persekutimit nga lidhja e djalit të vogël 15-vjeçar me “Ballin Kombëtar”, në Luftën e Dytë Botërore, por do të kujtonte udhëheqjen komuniste të kohës, për të urdhëruar ndëshkimin e më tejshëm të tyre me dekada të tjera burgimi e internimi.
Në një vizitë që bënë në qytetin buzë liqenit kryeministrat çek dhe bullgar, të mahnitur nga klasi i orkestrës “Darova” në mjediset e turizmit të qytetit, në fund i drejtohen kryeministrit shqiptar Mehmet Shehu, duke i thënë: “Në Shqipërinë e vogël gjetëm një orkestër të madhe. Ke një orkestër internacionale, koleg!”. “Hë, ju jeni ata të Starovës?!”- u drejtohet me kërcënim muzikantëve, Mehmet Shehu.
Kaq u desh. Nis ferri për artistët Darova. 15-vjeçarin e dënuar me 101 vjet burg, Mehmeti i’a ul në 25 vjet. Sapo kishte mbaruar Lufta. Ishte viti 1946 e, në kinemanë “Morava” të Korçës, në bankën e të akuzuarve, ngjitet një i ri 15-vjeçar. Është Dylber Darova, më i vogli i Darovajve. Akuzohet se gjatë Luftës është bashkuar me rininë e “Ballit Kombëtar”, në kampin kundërshtar të partizanëve. Dënohet me 101 vjet burg.
Edhe pse Muhamet Darova, vëllai i madh i të atit kishte qenë partizan në Luftë, masa e dënimit për 15-vjeçarin qe e rëndë, ndërsa për familjen nisin internimet, vuajtjet e më pas edhe burgime. I rikthyer këto ditë në Pogradec, pas 37 vjetësh, Muhamet Darova, mbi të 80-at, rikujton ata ditë të vështira të 6 dekadave më parë.
Kishte vetëm pak kohë që Dylberi ishte dërguar në burgun famëkeq, kur në këtë kamp shkon për vizitë Mehmet Shehu. Mes të dënuarve, Shehut i bie në sy një djalë i vogël, trup imët dhe e pyet: “Po ti, mor djalë, sa vjet je dënuar”? “101 vjet”- i përgjigjet Dylberi, Mehmet Shehut. “Pse kaq shumë”?! – pyet kryeministri. “E dinë ata që më kanë dënuar”!- i kthen përgjigje 15-vjeçari, duke e parë drejt në sy Mehmet Shehun.
Mehmet Shehu, urdhëron ulje të dënimit për 15-vjeçarin; nga 101 vjet, në 25 vjet burg. Sapo mbaron 10 vjet burg, e lirojnë dhe Dylberi, në vitin 1956, vjen në Pogradec. Vjen në Pogradec pranë familjes. Martohet dhe lind tre fëmijë, ndërkohë që për shkak të biografisë, caktohet të punojë në Hotolisht të Librazhdit, në një lokal buzë rrugës, si bufetier. Dylberi bën një lutje të vijë në Pogradec, të kujdeset për fëmijët se, i kishte të vegjël. E sjellin në Pogradec. Por përkohësisht…!
Dënimi tjetër me 20 vjet burg, për agjitacion e propagandë
Ishin vitet ’70-të, në kulmin e miqësisë me Kinën. Dylberi gjen në tavolinën e tij në bibliotekë, ku shkonte shpesh, disa revista kineze. “Këto revista kineze m’i hiq, se nuk i shoh dot me sy”, – i thotë ai punonjësit të bibliotekës. Aty e dëgjon rastësisht një mësues matematike që kishte qenë edhe bashkëpunëtor i Sigurimit të Shtetit dhe e spiunon.
Dylberi, rivihet përsëri në pranga dhe rinis jetën e qelisë. Del përsëri para trupit gjykues. E dënojnë edhe me 10 vjet të tjera burgim. Këtë radhë dënimi është për “agjitacion dhe propagandë kundër vijës së partisë e pushtetit popullor”. Këtë radhë, “selia” e vuajtjes së dënimit për muzikantin Darova, nuk është burgu i Burrelit, por ai i Spaçit të Mirditës. E bën kohën e burgimit ditë më ditë në këtë ferr.
Ditën që do të dilte nga burgu i Spaçit, sapo e përcjellin shokët e tek ndahet me ta, në afërsi të daljes së korridorit të qelive, pa prangat në duar, i afrohet një gardian dhe i thotë: “Të kërkojnë pak në zyrën e drejtorit të burgut për të firmosur diçka”! Përballet me një të papritur të dhimbshme. Sapo futet në zyrën e drejtorit, pa se, përveç titullarit, aty ishin dhe dy policë që kishin pranga të gatshme në duar.
Teksa dy policët i rivënë përsëri prangat në duar Dylber Darovës, drejtori, i ngritur në këmbë, i thotë: “Do të bësh edhe 10 vjet të tjera dënim, se ke bërë agjitacion dhe propagandë në burg”! Këtë radhë dënimi ishte pa gjyq. Kështu Dylberi kreu në këtë burg edhe 10 vjet të tjera dënim, duke mbushur plot 30 vjet burg. Teksa tregon këtë moment të rëndë për vëllanë e familjen e tyre, i moshuari Muhamet Darova, risjell bisedën e çastit që pati me të vëllanë për këtë moment.
“E pyeta vëllanë, si e përballove shtesën tjetër prej 10 vjetësh burg, kur ishe përgatitur për të dalë nga ai ferr”, – pohon Muhameti. Ndërsa fjalët e të vëllait ishin: “Nuk më bëri përshtypje, isha i përgatitur për gjithçka prej tyre, ndonëse nuk e prisja që në momentin e kalimit të pragut të ferrit të Spaçit, të më rivinin prangat e sapo hequra e, të më dënonin edhe me 10 vjet të tjera burgim”!
Por për muzikantin që u fut në burg në moshën 15 vjeç e doli andej i thinjur pas 30 vjetësh, në moshën 45 vjeç, edhe vitet e mëvonshme, përfshirë ato të fillimit të demokracisë në vend, nuk qenë të mbara. Atë, – siç tregon mes lotëve Muhameti, e ndoqi fati tragjik. Dylberi, me vizë në xhep për të shkuar tek tre fëmijët e tij në Kanada së bashku me bashkëshorten, vdes papritur, duke i’u shuar jeta pa parë asnjë ditë të bardhë…!
Rikthimi i përmallshëm pas 37 vjetësh!
Sapo makina del sipër, në Qafën e Thanës e shfaqet pamja e kaltër liqenit si në një ekran filmi, Muhameti, zhytet i tëri në një meditim të thellë me syrin pranë xhamit të makinës. “Kam mall e brengë për qytetin tim të lindjes, vij këtu pas 37 vjetësh”, -pohon ai. Sapo mbërrin në qendër të qytetit, drejtohet me një hap të shpejtë drejt Turizmit të vjetër, vështron lulishten, te vendi ku ishte dikur podiumi i orkestrës me famë në vitet ‘50 – 60-të, orkestër që tronditi jo vetëm Pogradecin, por të gjithë Shqipërinë.
Me syrin e malluar ai vështron vendin ku ka qenë salla e vjetër e shfaqeve, por ajo mungon, është prishur. Qyteti në këto 37 vjet, që ai ka munguar, ka ndryshuar shumë gjithçka dhe si në një retrospektive, i vijnë para syve të gjitha. Muhamet Darova është vëllai i madh, i pesë vëllezërve Darova. Edhe pse i ka kaluar të tetëdhjetat dhe ka vite që nuk duket në skenë dhe as në ekran, imazhi i tij na vjen në kujtesë si një formë dashurie për mjeshtrin e madh të fizarmonikës që ngriti atë orkestër të madhe.
Dikur Pogradeci mburrej me liqenin me koranin e famshëm, por edhe me orkestrën e madhe të vëllezërve Darova që, i kaloi kufijtë e Shqipërisë. “Jeta jonë është një kalvar i mundimshëm çnjerëzor, burgje, internime e ndëshkime, por muzikën nuk e vunë në pranga, ajo na lidh e na mban të pandarë me njerëzit, qytetin”, – vazhdon tregimin i moshuari Darova.
Drama e një familje artistësh
Drama e 5 vëllezërve Darova, djem të një familje të njohur intelektuale dhe të një mësuesi të nderuar si Nevruz Darova, të cilët Lufta Nacionalçlirimtare i renditi në dy kampe të ndryshme, menjëherë pas çlirimit të vendit, i nënshtrohen një persekutimi të egër, me vite të gjata burgimi e internime të njëpasnjëshme.
Fama, si muzikantë të talentuar, si krijues të orkestrës që bëri emër në Shqipëri e më gjerë, ku Darova-jt cilësoheshin si “Bitëllsat” e Pogradecit, i kujton Mehmet Shehut prejardhjen e tyre dhe urdhëron shtimin e kalvarit të persekutimit. Pas ’90-ës, i rikthyer në Pogradec pas viteve të gjata mungesë, tashmë në moshën e pleqërisë, Muhameti, vazhdon të tregojë episodet e një drame të dhimbshme që kaloi familja e tyre në diktaturë. Ishte një nga dramat më të dhimbshme, dramë, e cila ka lënë gjurmë të pariparueshme në jetën e Darovajve.
Peripecitë e një jete të vështirë
Pas dënimit të Ylberit me burg, familja Darova zhvendoset nga banesa ku ishte, në një kasolle me baltë në lagjen “Kulleiri” të Korçës. Vëllai i madh i familjes, Muhameti, shpërngulet për në Durrës, ku merr më pas edhe pjesëtarë të tjerë të familjes Darova; babanë, nënën, motrën e tyre të vetme, Lavdien, si dhe vëllezërit Agimin, Mentarin dhe Ilirjanin, më të voglin. Duke qenë orkestrantë cilësore, të tre vëllezërit punojnë te lokali “Vollga”, me shumë emër në atë kohë në Durrës.
“Ishim si në mrekulli. Kanë qenë tre vitet më të bukura të jetës sonë, ku ne arritëm majat e filloi të rritet reputacioni i orkestrës sonë”, – kujton Muhameti. Kështu, Muhameti që ishte drejtues i grupit, i binte fizarmonikës, Agimi në kitarë, Mentari në xhaz dhe Ilirjani në kontrabas.
Por krejt papritur një ditë lajmërohen, se duhet të largohen, jo vetëm nga “Vollga”, por edhe nga qyteti i Durrësit, si persona te padëshiruar. Ishte një shefe kuadri nga Korça, kujton ai që i ishte qepur “me gurë në trastë”, familjes Darova.
Largohen për në Kavajë në një lokal të thjeshtë, si tip mejhane. Por vetëm 2 javë, se shefja e kuadrit nga Korça kishte dërguar relacion që; të përziheshin edhe nga Kavaja. “Mbetëm me plaçka në kurriz, pa të ardhura për bukën e gojës, e ashtu si nomadët, shkuam, në Elbasan”, -tregon ai . Fillojnë punë në një lokal në qendër të pazarit. Lokali po frekuentohej dhe muzika pëlqehej shumë.
Në kohën kur krijohet turizmi i vjetër i Elbasanit, orkestra e vëllezërve Darova, kaloi në sallën kryesore të turizmit. Ata vazhduan gati 5 vjet punë në turizëm, duke thyer një tabu. Filluan të kërcejnë çiftet elbasanase në sallë. Por këtë traditë, kujton i moshuari Darova, e nisi së pari një skuadër basketbolli nga Shkodra, që kishte ardhur për të zhvilluar ndeshje në Elbasan. Shkodranët u ngritën në vallëzim dhe kjo bëri që të ngrihen edhe çifte elbasanase.
“Vjen në Elbasan Drejtori i Përgjithshëm i Turizmit të Republikës, na thërret e na thotë, se duhet të shkoni në verë në Pogradec dhe në dimër në Elbasan”,- shton më tej muzikanti i moshuar. Pogradeci ishte qytet turistik dhe kishte shumë te huaj si specialistë çekë dhe rusë që punonin në gjeologji dhe miniera. Në Pogradec orkestra filloi shpejt të bëhet e dashur për të gjithë. Ndër frekuentuesit e parë e të rregullt, çdo natë, ishin të huajt e shumtë që ishin në Pogradec.
Dëgjonin me endje virtuozitetin e vëllezërve Darova, të cilët ekzekutonin mjeshtërisht edhe shumë pjesë të huaja nga më të njohurat. Pas dy vjetësh pune në Turizëm, me krijimin e Estradës Profesioniste të qytetit, vëllezërit Darova, kalojnë edhe në orkestrën e estradës edhe në orkestrën e turizmit.
“Në sajë të vëllezërve Darova, estrada profesioniste e Pogradecit, arrin majat dhe bëhet një nga estradat më të mira të vendit – tregon Muhameti – se atë kohë, në orkestër bashkëngjitet edhe një klarinetist i talentuar, Jashar Nazifi dhe këngëtarja Elvira Daco. Klarinetisti u harmonizua plotësisht me vëllezërit Darova.
Madje Mentar Darova, përveç që i binte xhazit, luante në skeçe me një humor të jashtëzakonshëm, duke i dhënë estradës një kolor tjetër. Në vitet ’60-të, estrada me vëllezërit Darova arrin kulme të papara. Në një nga turnetë, në 20 dite shfaqje që dha në Tiranë në sallën e Teatrit Popullor, nuk gjeje dot biletë për të parë shfaqjen.
Shkodra u vuri emrin “Bitëllsat e Pogradecit”!
Sukseset e njëpasnjëshme të orkestrës së Pogradecit në të gjitha rrethet e vendit, një muzikë që dilte disi nga ‘hulliri’ i kohës, pëlqehej e kërkohej masivisht nga rinia. Por vetë kjo muzike, e veçanërisht njolla biografike e prodhuesve e interpretuesve të saj, bënë që udhëheqja e kohës, të ishte dyfish vigjilente për të frenuar “muzikën e shfaqjet e huaja”, si dhe për të dënuar muzikantët e talentuar Darova.
Muhameti, por dhe shumë bashkëkohës, kujtojnë se në një nga turnetë e gjata të estradës së Pogradecit nëpër Shqipëri, pikërisht koncertet në Shkodër, do t’i pagëzonin këto artistë të talentuar, si: “Bitëllsat e Pogradecit”.
“Ishte një vlerësim i spektatorëve për ne, ishte një emër i pa zyrtarizuar, të cilin e dëgjonim kudo që shkonim, bënim gjithçka për muzikën e për të kënaqur dëgjuesit tanë, ndonëse e dinim se “dara” e ndëshkimit nga shteti i kohës, po na torturonte keq e më keq”, – kujton sot artisti i moshuar.
Dënimi i dytë nga Mehmet Shehu, i vëllezërve Darova
“Krahas vendasve, shtetasve te huaj që punonin në Pogradec, – kujton muzikanti 81-vjeçar, – fama e orkestrës kishte bërë që nga Tirana, të udhëtonin shpesh drejt qytetit bri liqenit, edhe përfaqësi të shumta diplomatike të akredituara asokohe në Shqipëri, apo dhe delegacione që vizitonin vendin tonë. Në një vizitë të shkurtër në Shqipëri, – kujton Muhameti, – vijnë e qëndrojnë disa ditë në Pogradec e ndjekin orkestrën, edhe kryeministri çek e ai bullgar, të cilët shoqëroheshin nga Mehmet Shehu, kryeministër i asaj kohe”.
Dy kryeministrat miq, pas një koncerti të gjatë e me duartrokitje të shumta, afrohen e përgëzojnë orkestrantët Darova, për kënaqësinë që u falën. Aty, kryeministri çek i thotë Mehmet Shehut: “Në Shqipërinë e vogël gjetëm një orkestër të madhe”! Ndërsa kryeministri bullgar i asaj kohe, në sy e prezencë të Mehmet Shehut, pasi u jep dorën muzikantëve, duke na përshëndetur, i thotë Muhametit: “Ke një orkestër të madhe internacionale, koleg”! Dhe në këto çaste, vazhdon tregimin ai, Mehmeti më thotë mua, duke tundur kokën: “Ju jeni ata të Starovës (bejlerët)”?!
“Jo, jemi nga Pogradeci”, – i përgjigjet vëllai i madh Muhameti. Nuk kaloi as një javë, – vazhdon tregimin muzikanti i moshuar, – kur filloi “tërmeti”. Kopi Kyçyku, që shërbente si përkthyes i delegacioneve, i kishte rrëfyer Mehmet Shehut se; vëllezërit Darova, ju përkisnin fisit të bejlerëve të Starovës. Urdhri i Partisë çohet menjëherë në vend; të katër vëllezërit, dërgohen në prodhim “në gjirin e klasës punëtore”.
Muhameti, shkon në zyrë te Kryetari i Komitetit, Avni Verçuni dhe i kërkon të largohet nga Pogradeci. Niset në Ministrinë e Arsimit dhe Kulturës, të takojë ministrin Thoma Deliana, të cilin e njihte që kur kishte qenë në Elbasan, sekretar i parë i Komitetit të Partisë së këtij rrethi. Ai tregon se, Deliana e pret mirë, por i thotë se: në Pogradec nuk mund t’ju kthej, por shko në Rrëshen, drejtues muzike. Aty, shkoi!
Vëllai i madh, Muhameti
“Pas dy vjetësh, transferohem në Laç, aty e marr me vete edhe gruan”, – shton ai. Me tekst të Gjok Becit, Muhameti, kompozon një këngë për vinçieren që, bëhet këngë shumë popullore dhe transmetohej në Radio-Tirana çdo ditë. Pas dy vjetësh pune ne Laç, papritur e thërret ish – sekretari i Parë i Komitetit të Partisë së rrethit të Krujës, Tahir Minxhozi, i cili e emëron si shef muzike në Shtëpinë e Kulturës në Krujë. Më pas Muhameti tërheq edhe vëllanë tjetër, kitaristin Agim Darova.
“Ndërkohë që unë, – thotë Mentari – ika sa më larg në Gjirokastër, vëllai tjetër, i vogli, Ilirjani, internohet në Tepelenë. Ndërkohë që nga Pogradeci, – kujton Muhameti – vinin çdo ditë letra nga Komiteti i Partisë, ku thuhej se: “Ne i hoqëm dhe ju i mbani në orkestër ata të deklasuar”?!
“Por duhet thënë se edhe atëherë, kishte njerëz të mirë si Tahir Minxhozi, në atë kohë Sekretari i Parë i Komitetit të Partisë, pasi ne qëndruam në Krujë më qetë, si të deklasuar që ishim, ku ruajmë respektin më të madh për Krujën e banorët e saj, që në një farë mënyre, na lehtësuan disi nga goditjet e diktaturës dhe lufta e pamëshirshme e klasave në vitet e egra të diktaturës”, – përfundon dëshminë e tij, muzikanti i njohur 81-vjeçar, vëllai i madh Darova.
Është një kalvar i stërmundimshëm i “Bitëllsave të Pogradecit”, ku me gjithë shkëlqimin e talentin e tyre të jashtëzakonshëm, vuajtën krahas burgimeve, internimeve, edhe rrënimin e tyre shpirtëror nga diktatura komuniste. Memorie.al