Nga Albert Mayzie
Memorie.al / Një aventurë 60-ditëshe nëpër Shqipëri mund ta bënte vetëm një aventurier i madh, një kameraman i zoti, një sportist i kajakut, që në idenë “brilante” të tij, për të udhëtuar katër kontinente, nuk mund të linte pa futur edhe Shqipërinë. Albert Mayzie, i fundmi i udhëtarëve francezë që vizituan Shqipërinë, i shoqëruar nga gruaja dhe nëntë fëmijët e tij, mbërriti për të parën herë në Shqipërinë e vitit 1964. Qëndroi për gati një muaj. U strehua në hotele të ndryshme të Shqipërisë, pa vende të ndryshme turistike, duke filluar nga Shkodra, Kruja, Tirana, Elbasani, Durrësi, Berati, Korça, Vlora, Saranda etj., dhe shkroi për to.
Në një libër-kujtim, ku gjatë dy muajve të kaluar në vendin tonë, pothuaj gjysmë shekulli më parë, Albert Mayzie na ka lënë një përshkrim të këndshëm të aventurës së tij, por edhe një imazh të saktë dhe të sinqertë të Shqipërisë së asaj kohe. Ka shumë pjesë të kësaj tabloje që na lëndojnë me rikujtimin e tyre, ashtu siç ka gjëra që na ngjallin një lloj nostalgjie.
Ky është pra, motivi që përshkon librin në përshtypjet e autorit. E ka titulluar thjesht “Aventura në Shqipëri 1964” dhe më pas rendit çdo lëvizje, çdo detaj. Për herë të parë ky libër vjen edhe në shqip nga shtëpia botuese “Migjeni”. I biri, i nënti i fëmijëve, Alen Mayzie, ndodhej në Tiranë gjatë promovimit.
Pasazhe nga libri “Aventura në Shqipëri 1964”
Sigurisht që jo dhe gjatë tërë shtjellimit të këtij rrëfimi të çiltër, prej një miku të sinqertë të vendit tuaj, ju do të ndjeni të nxjerrin kryet të gjitha kritikat që unë dua të jenë konstruktive. Është e pamundur të mos kesh ndjerë njëfarë marramendje, pasi të kesh hequr qafe 200 vjet shtypje të pushtimit të huaj.
Liria, kjo fjalë e shtrenjtë e francezëve, nuk ka mundur të arrinte në një vend të vuajtur për një kohë të gjatë në skllavëri veçse me një lloj krenarie shumë të ligjshme. Por nëse krenaria e të qenit francez është zbutur te mua nga vizitat që kam bërë në më se pesëdhjetë vende të huaja, e kam ndjerë veten të shkrirë me Shqipërinë në dashurinë e përbashkët për vendin e lindjes, dashuria e vetme që mund të sjellë më vonë dashurinë për vendet e huaja.
Uroj pra që lexuesit e mi të mund të përfitojnë atë zemërmadhësi që na ka dhënë njohja e pesë kontinenteve dhe nëse ndonjëherë kjo vepër do të jetë nën sytë e shqiptarëve, le të munden edhe ata të lexojnë aty, përmes thumbave të mi të vegjël, këshillat e një gjyshi plak poterexhi, por i mbushur me qëllime të mira”, shprehet ai.
Gjashtëdhjetë ditë xhiro nëpër Shqipëri, vëzhgime, bisedime, reflektime të ndryshme që lejojnë që nga këto faqe të para t’ju jap një mendim që të merremi vesh mirë, më detyron vetëm mua, domethënë një qenie njerëzore që në thelb mund të gabojë, së pari makina kineze është jashtë mase e kufizuar në Shqipëri. Me përjashtim të këshilltarëve ushtarakë, pranova (ose mungesa e tyre), i shpëton syrit të turistëve.
Unë hamendësoj se ne kemi takuar pjesën më të madhe të këshilltarëve civilë, meqenëse kudo ata ishin strehuar në hotelin më të mirë të qytetit, pra, në po të njëjtin hotel si dhe ne. Nuk mund të numëroj më shumë se dy ose treqind të ndarë në të pesëmbëdhjetë qytetet kryesore.
Atyre, gjithmonë iu është caktuar një dhomë ngrënie e veçantë dhe vetëm në Korçë ne qemë pranuar në të njëjtën sallë të ngrënies, ku ishin edhe ata, ata ishin gjithsej katër. Në Korçë disa prej tyre ndihmonin për të formuar zanatçinjtë shqiptarë me teknikën e endjes kineze; të tjerë në Shkodër, dukej se ishin specialistë të bujqësisë, ndoshta për ujitjen e tokave.
Prania e produkteve të ardhura nga Kina është më pak e kufizuar: qumësht i kondensuar, letër higjienike, çaj, ombrella, kamionë, llamba elektrike, vazo dhe poçe të pashije etj… kështu, pra, një përzierje kurioze mallrash të dobishëm, sidomos kamionët dhe qumështi i kondensuar dhe mallra të tjerë krejt të padobishëm, si vazo, ombrella, çaj.
Ky mall i fundit ka një konsumim jashtë mase të pakët, kafeja (turke) është pija kombëtare më e parapëlqyer. Por sidomos, Kina përpiqet të zëvendësojë BRSS-në (Bashkimin e Republikave Socialiste Sovjetike).
Në instalimin e disa uzinave: filaturë, uzina të produkteve kimike dhe të përpunimit të drurit etj., që do t’i bëjnë shërbime të mëdha vendit. Por t’i lëmë pra të qetë Enver Hoxhën dhe Mao Ce Dunin të rrinë këmbë-shtruar pranë njëri-tjetrit në muret dhe në vitrinat e librarive, kjo s’ka lidhje me ne.
I urojmë Shqipërisë të gjejë rrugën e saj dhe le të mos përfytyrojmë një rrezik të verdhë te portat tona. Kjo do të thotë të shkosh një shekull pas, duke rigjeneruar mendësinë e gjyshërve tanë dhe vetëm Zoti e di se ku e çoi kjo botën nga 1870 më 1939.
Nga kjo xhiro e parë në qytetin e Shkodrës, ne kishim formuar një mendim se vendi “më i prapambetur i Evropës”, sipas librave të gjeografisë shkollore franceze, ishte e qartë se kishte realizuar përparime shumë të mëdha.
Nëse i mbetej akoma shumë për të bërë, a nuk do të ishte kjo vetëm për të arritur fqinjët e saj? Ne do të na duhej të prisnim për të kaluar nga një surprizë në tjetrën nga njëri kontrast në tjetrin.
Në të vërtetë kur u kthyem nga kjo shëtitje e mbrëmjes shumë moderne, unë pashë të kalonin nën dritaret e mia grupe malësorësh me kostume stërgjyshore, pastaj vura re dy karroca të tmerrshme të arnuara me copa spangosh dhe që kishin ngarkuar pasagjerët. Jo larg nga ai vend, një kamion që kishte ngecur nga ndonjë avari, bllokonte një rrugë të gjerë pothuajse të shkretë.
Në kullën e sahatit vigjilonte (bëj pyetjen pse?) një ushtarak i armatosur dhe punëtore të reja të bukura rrobaqepësie me veshje të hapura vere, duke u mbajtur nga gishti i vogël, kalonin prapa statujës së Stalinit. Ne kishim aty një përmbledhje të shkurtër shumë tërheqëse të të gjithë Shqipërisë, të vjetër dhe të re, të tendosur dhe të shtendosur, ku ne tani do të depërtonim në thellësi për ta njohur më mirë nga dita në ditë.
Të gjitha muzeumet shqiptare i ngjajnë njëri-tjetrit. Ato nisen nga parimi se popullsia e pranishme duhet të mësohet m’u në vend, që shkollari, qytetari ose fshatari i krahinës së Shkodrës ose të Gjirokastrës, duhet të gjejë vendin ku është një muze që të kontribuojë për edukimin e tij.
Qeveria qendrore pra i ka bërë dhuratë çdo kryevendi krahinor një pajisje tip: sëpata parahistorike, monedha greke, romake, bizantine, dokumente të pushtimin osman, të qëndresës së popullit shqiptar kundër shtypjes turke.
Kur mungojnë dokumentet origjinale janë vendosur kopjet e tyre. Kjo kohë e fundit, që u përmend më lart, ishte e zotëruar nga bëmat e heroit kombëtar Skënderbeut, për të cilin do të flasim gjatë një vizite në Krujë.
Rruga për në Krujë, nuk ishte aspak e mirë për të arritur deri në lartësinë e kështjellës në 605 metra, por makinat tona e ngjitën në mënyrë të rehatshme, pas një ndalese të vogël, ku ne admiruam shumë furra të gëlqeres.
Një arterie e madhe me shumë pluhur shkonte përgjatë kënetës shumë të madhe, që po e thajnë dhe që paraprin Durrësin. Ne nuk i hymë asaj rruge dhe ndoqëm një tablo joshëse publicitare që një bukuroshe moderne shqiptare, shpaloste një pjesë të bukurive të saj, pra ndoqëm rrugën përgjatë plazheve më moderne të Shqipërisë.
Izoluar nga rruga me plantacione të mëdha plepash gjendej, buzë plazhit, një qytet i tërë me vila e hotele, shtëpi pushimi, gjëja më e çmuar e të cilit ishte hoteli i madh “Adriatik”, ku ishte parashikuar qëndrimi ynë. Ne kërkuam ashensorin, por konstatuam se këto mekanizma borgjeze, nuk ekzistonin. Na u desh të ngrinim lart gjithçka me duart tona.
Sipas një përzgjedhjeje të hollë ne ishim në katin e fundit prej nga, duhet ta themi, pamja ishte e shkëlqyeshme mbi plazhin shumë të madh prej rëre të kuqe. Sapo shkuam në apartamentet tona, një dhomë luksi me WC, dush dhe tualet, unë konstatova të metat e këtij luksi në dukje. Hoteli i ndërtuar në kohën e regjimit të vjetër, pa dyshim nuk kishte parë rezerva pjesësh këmbimi, në të mirë të tij.
Duke ardhur njëri-pas tjetrit, fëmijët që kishin një apartament tamam si ai i yni, filluan të na ankoheshin. WC shpalosin pa pushim këngën vajtuese të rezervuarit që kullonte ujërat: sa për dushet, ata ishin kthyer tani në pishina të vërteta, në të cilat mund të llapashiteshe deri te nyja e këmbës.
Por të gjitha këto ishin gjëra të dorës së dytë…ajo që do të na shkaktonte zhgënjimin më të madh, ishte mungesa e plotë e çdo ideje në lidhje me shërbimin që u duhet bërë klientëve në hotel, që së jashtmi ishte i barabartë me hotelet më të bukura perëndimore.
Në vaktin e darkës mbasi na u desh të prisnim po aq sa edhe në Bashkimin Sovjetik, gjë që nuk është një fjalë goje, një krah pune i veshur sipas normave, por që nuk zotëronte asnjë nga cilësitë e vërteta të hotelerisë moderne, na hodhi në tryezë një vakt të vakët dhe jo të bollshëm, që na bëri të kujtojmë me keqardhje shërbimet e linit të mirë dhe kuzhinën bujare të Shkodrës. / Memorie.al
Përkthye: Nestor Nepravishta