Nga At Zef Pllumi
PUNA NE MUZE
Memorie.al / Muzeun në Shkodër e kishin vendosë te Sahati i Inglizit. Kështu quhej sepse, thohej se atë e ndërtoi në fillim të shekullit XIX-të nji anglez, që Shkodra e thirrte Lordi Padget. Kompleksi përbahej prej kullës së sahatit, ndërtesës së banimit dhe derës se avllisë (murit rrethues). Dera ishte ajo ma e bukura si arkitekturë: vepër monumentale në stilin arab, krejt gurit të latuem. Pat fatin e keq, se u gjet në rrugë. Partizanët vullnetarë, kishin nji parullë: “Asnjë pengesë, mos të na ndalë”, prandej kaluen çdo pengesë: u sulën kundër saj dhe e rrënuen deri në themel, në vend që ta lejshin aty, si nji monument arkitektural, porsi nji hark triumfi në mes të rrugës, me stilin e bukur arab siç ishte. Me gurët e latuem të saj, shtruen kalldramin.
Objektet e muzeut arkeologjik historik, ishin marrë në koleksjonin e At Shtjefën Gjeçovit (Muzeu i Françeskanve) dhe pjesa tjetër, në koleksjonin e Jezuitve. Due të shenjoj se aty kah fillimi i prillit 1945, Mehmet Shehu, mbasi kishte shkatrrue me zjarm e hekur Kelmendin, i dërgonte At Matí Prendushit, nji letër; teksti i saj pak a shumë ishte ky: “Marr pjesë në dhembjen tuaj, për vdekjen e Imz. Luigj Bumçit, personalitet i lartë i patriotizmit shqiptar.
Këtë letër, po e shoqëroj me një sopatë guri, të cilën e kam gjetur në një shtëpi, ndër malësitë e Tiranës, ku kam banuar gjatë operacioneve luftarake. Meqenëse ata nuk ia dinin vlerën, unë e mora dhe mejtova që pas Çlirimit të Shqipërisë, kjo sopatë do t’ishte objekti i parë i Muzeut që do të ndërtonim. Por mbeta i çuditur kur pashë se ju Muzeun e kishit të formuar, prandaj po jua dërgoj që ta ruani në vendin që ju përket”.
Na atë sopatë guri e patëm vue ne koleksjonin e veglave prej guri të neolitit, së bashku me letrën dhe shenjuem nji plus enigmatik, në karakterin e Mehmet Shehut. Kur fillova punën në Muzeum, kërkova së pari inventarin dhe pashë se mungojshin jo vetëm ajo sopatë, por edhe shumë objekte tjera të Muzeut tonë. Gjush Sheldia, që atëherë ishte drejtor, më tha se pothuej gjysa e objekteve, ishin marre e çue në Tiranë, për me formue nji “Muzé Kombetar”.
Ashtu ishte. Ndoshta ishin marrë ato ma të mirat. Paret e vjetra ishin ndër qese. Muzeu yne ka pasë shumë pare të vjetra, por të pakoleksjonueme, ndërsa ndër Jezuitët At Frachioni e At Valentini e kanë pasë të ekspozuem koleksjonin. Për këtë At Marin Sirdari më pat dhanë dy libra voluminoze për numizmatikën, të cilët un i lexojshem me andje.
Muzeu kishte edhe nji bibljotekë të vogël, por të përshtatshme për arkeologjinë e numizmatikën. Kam studjue ndër këta libra, me ma të madhin vullnet, pa orar, ditën e natën. Kishem fitue qysh herët, shumë njohuni historike e, sidomos të historisë së arteve të bukura. Me nji punë intensive ia dola me paraqitë koleksjonin e parë të numizmatikës në Muzé, aty ku deri atëherë, raftet ishin bosh.
Jo vetëm aq, por mora praktikën që un, edhe kur nuk u shifshin shkrimet, tashma i njifshem mirë, sidomos portretet e Perandorve të Romës, sikur t’ishin fotot e sotshme; natyrisht që përpiqesha për të pa ndryshimet e vogla të detajeve, që mund kishin pasë zekat prodhuese. Drejtori u entuzjazmue shumë dhe, mbasi ndër dokumenta të dorzimeve figuronte se Muzeu i Tiranës, kishte marrë 5000 copë monedha të vjetra të argjenta, më dërgoi me misjon pranë Institutit të Shkencave, që të kërkojshem rikthimin e tyne.
Në fillim aty më pritën me kambë të para, si i thohet, por ma vonë, kur bana njoftsi me arkeologun Hasan Ceka, Aleks Budën, ing. Jovan Adamin dhe drejtoreshën e muzeumit, Naxhije Dume, mbas 10 ditësh, un ktheva në Shkodër me nji koleksjon prej rreth 300 monedhash romane, të radhituna prej arkeologut Hasan Ceka. Ky kje për mue nji sukses i madh.
Gjatë asaj kohe, muzetë lokalë mëvareshin prej Komitetit të Arteve dhe Kulturës. M’u desh të paraqitem aty; kryetar ishte piktori Foto Stamo e, n/kryetar, piktori Abdurrahim Buza. Më priti n/kryetari. I paraqita dokumentin e emnimit tim, si teknik i Muzeu Popullor. Ai u përgëzue me mue, më porositi se duhej ba çdo përpjekje, për me hi në shkencat e arkeologjise e të etnografisë, se përndryshe, koha nuk na pret dhe na atëherë jemi të detyruem me kërkue ndonji ekspert nga ata të Klerit Katolik, që i kanë pasë këto muze.
Ai nuk e dinte se un ishem klerik. Por ma vonë, kur mora pjesë edhe si antar i Komisjonit të Galerisë së Arteve, për me caktue vlerën e pikturave, i rastisi të vijë në Kuvendin Françeskan te Arra e Madhe, ai atëhere më tha me dashamirsi: “Po si nuk më tregove ti atëhere, se je nji prej këtyne qafirave”? Abdurrahimi ishte jo vetëm piktor i talentuem, por edhe nier i mirë babaxhan: kam shkue shpeshherë në studion e tij dhe jepshem pa servilizëm, gjykimet e mia për punime që bante.
N’ato kohë, hyjshem edhe në studiot e piktorve Sadik Kaceli, Ndoc Kodheli, si edhe në shtëpinë e studion e Odise Paskalit, Andrea Manos, etj. Bile i kam pasë thanë njiherë Andreas, se njatë monumentin e Partizanit me grusht përpjetë, po t’ishem un autori, do të kishem me punue nji tjetër, ma të dejë, dhe mandej gjatë natës, pa dijtë kurrkush, kishem me e ndrrue.
Ai qeshi. Sot e shoh se un atëherë, ishem gabim: ai partizan bronzit, duhet të rrij aty për me kujtue terrorin e atëhershëm: mjerisht njerzit kalojnë para tij, pa e vërejtë, sepse prej halleve të veta, nuk kanë sy me pa, e ndoshta nesër edhe pasunia mund ua mbyllin sytë me dhjam e, prapë nuk kanë me e vu re.
Por ma shume se te piktorët, sillesha te Instituti i Historisë dhe Etnografisë.
Në nji dhomë aty përbri etnografit Rrok Zojzi, punojshin për fjalorin rusisht-shqip, Skënder Luarasi e Sejfulla Maleshova. Më thirrën nji ditë. U prezantova kush ishem, por ata e kishin marrë vesht mirë, se un kishem dalë pak kohë përpara nga burgu. Më pyetën për kuptimin e disa fjalve në gegnishten, mandej zhvilluen biseda, pak a shumë të kota, por me shka u fol, m’u largue çdo simpati për Skënder Luarasin.
Ai fliste për para, për fitime, ndërsa un ishem rritë në Kuvendin Françeskan, ku kurrkush nuk mendonte te fitimi e, te leku, por vetëm te shkenca e saktë, te kultura e progresi. Ndërsa Sejfullahu, më bani përshtypje tjetër. Un atëhere e çmojshem deri diku librin e tij të poezive, nën pseudonimin ”Lame Kodra“. At Gjon Sllaku, ma kishte lavdue për bagazhin kultural. Por aq ma tepër e çmova, kur nji ditë në mungesë të Skënderit, punonte vetëm.
-“Desha të pyes një fjalë”, – më tha.
-“Jam gati profesor”.
Nuk e mbaj mend se për ç’fjalë më pyeti: ajo nuk kishte randësi. Ishte vetëm nji shkak, që ai të fliste për gjendjen tonë, kur i tregova se ishem nji dishepull i At Gjon Shllakut, me të cilin kishte bisedue në Arqipeshkvi.
-“Më ka lënë mbresa të shkëlqyera! E ku gjendet ndashti”?
-“Në jetën tjetër, ashtu si të gjithë njerzit e kulturës”, – ia ktheva.
-“Uaa! Po që kur”?!
U çudita. Si ishte e mundun që ai, të mos dinte kurrgja për atë kohë, në të cilën ish kenë antar i Byrosë Politike të Komitetit Qendror?
-“Atë e pushkatuen me shumë tjerë, mbas zgjedhjeve të 2 dhetorit”.
-“E kam njohur: ishte njeri i lartë, me kulturë të gjerë”.
-“Po, por këtu njerzit me kulturë, e kanë punën pisk. Jo këtu, por gjithkund në Lindje”.
-“Shiko, – më tha, – po më vjen keq. Në Bashkimin Sovjetik, nuk është kështu: ky është një komunizëm anadollak, që nuk ka të bëjë me komunizmin. Atje njerzit e kulturës, çmohen dhe mbrohen, edhe po patën gabime, nuk i dënojnë. Këtu… për cilën fjalë gegënisht, të pyeta unë”?
Q’atëherë nuk e pashë ma kurrë. Shumë vjet ma vonë, kur ishem në burg, më ka ra në vesh, se ai ishte gjetë i vdekun në nji kasolle dikund si i internuem, ndër katundet e Fierit.
Gjithashtu gjatë atij viti, më rastisi me u takue në Seksionin e Gjuhësisë, me Aleksandër Xhuvanin e Eqrem Çabejn, sepse kur shkojshem në Tiranë, At Justin Rrota, më jepte ndonji letër për ta. Kur ua dorzojshem, ata më pyesnin për gjendjen e tij shëndetsore.
Nga sjelljet e tyne e pyetjet që më bajshin, e shifshem kjartë se të gjithë e mbajshin vedin të robnuem. Komunizmi ishte nji mekanizëm primitive, që mezi vihej në lëvizje e vetëm nga nji dhunë e madhe.
Gjatë vjetit 1950, që punova në Muzeun e Shkodrës, gjendja ekonomike e Kuvendit erdh tue u përmirsue. Në nji takim që At Marini, pat me kryetarin e Komitetit Ekzekutiv, Qamil Gavoçin e, drejtorin e fermës, na dorzuen rreth 1 ha nga toka e marrun, dhe mbasi na nuk kishim kurrfarë mjeti pune, drejtori i fermës, pati mirsinë e e punoi me traktor; mbolli jonxhë dhe na e dorzoi ne. Kështu mbas nja 6 muejsh, na bamë njifarë kontrate me nji kojshi që kishte lopë dhe siguruem nji lloj langu të bardhë, që e thirrshim tambël (qumshtë); megjithkëta, ishte ma i mirë se uji i gurrës: së paku e nxejshim stomakun për çdo mëngjes e, në çdo mbramje.
Sa për drekë, simbas llogarive që bamë, ma lirë se kurrgja tjetër, kushtonte mishi, mbasi katundarët, të shtrënguem nga tatimet në natyrë që u kishin caktue, i shitshin bagtitë me nji çmim të lirë, e kështu sigurojshim së paku nji supë të mirë. Un, mbasi kishem punue aq shumë, ndër kampet e Bedenit e Maliqit, bleva nji shat e nji bel, e fill mbas dreke punojshem nga 2 orë ditë për ditë, nji kopsht që kishim të rrethuem mbrenda muresh dhe sigurojshim perimet e duhuna, pa pasë nevojë me i ble.
Pothuej javë për javë, shkojshem në Melgushë tek axha im e, kështu në takime me katundarët, më jepshin edhe lëmosha për Meshë. Nji natë, tue u ruejtë që mos të më shofin kush, krisa në derën e nji jerevie, ku banonte Ipeshkvi Imz. Bernardin Shllaku, te nji mbesë e vetja, që i bante sherbim. Nji dhomë e keqe përdhese, tanë lagshtine, e mbushun me gjithfarë rraqesh, ku mezi gjente vend nji krevat. Ishte dimën, në fillim të vitit 1950. Atë e gjeta kah ngrohej, mbi nji mangall me qymyr. Më njifte. U gëzue shumë që i shkova. Fliste me za shumë të ultë, se i kishte hi friga. Nuk delte kurrkund, as nuk i shkonte kush mbrendë.
-“Përsa i perket ordinacjonit tim, – më tha, – as që mund mendohet, se jemi në kohë shumë të turbullta: shpresoj se Zoti, ka me pru nji mot ma të mirë. Në atë kohë, ai nuk kishte kurrfarë mundësie. E pveta nëse celebronte meshën e, m’u përgjegj, se ishte e vetmja liri që i kish mbetë, edhe ajo tinzë. Atëherë i dhashë lëmoshen, për nji muej. Ai u çil në fytyrë.
-“Më ke ba nji nderë shumë të madhe”, – më tha.
-“Mue nuk ke pse ma din për nderë aspak, mbasi nuk janë të miat. E pashë se je i izoluem e kështu, duhet të gjindesh ngushtë me ekonomi”.
-“Deri ku s’ve, – më tha. – Kam pasë harrue se shka asht vorfnia, por tash tri-katër vjet, edhe shejtënt do të ma kishin lakmi. E pra nuk do t’ishte nevoja, por friga e madhe, ka shtypë gjithkënd”.
E kuptova se ku donte me dalë dhe i thashë:
-“Shikjo, Monsinjor, un jam në shërbimin tand, për çdo gja: mos më kurse. Kontrabandë nuk mund baj, por ashtu si e vleftëson Banka e Shtetit, ashtu jam gadi”.
-“Ti e din se nipin që punonte në Banke, ma kanë pushkatue? Si mund të ve ty në rrezik”?!
-“Nuk ka kurrfare rrezikut! Ka dalë urdhnesa”.
-“A e mendon ti – më tha – se janë të sinqertë me urdhnesat? Ata vetëm kurtha ngrehin. Kur të dalësh prej Banke, kanë me t’u vu mbrapa, t’arrestojnë përsëri, deri të kallxojsh se ku i more”.
-“Ma len mue atë punë, se jam regjë për tri vjet”.
Ai thirri mbesën e vet e cila, mbas pesë minutash më pruni 14 copë napoljona, me gjel. Mbas disa ditësh i dorzova në Banke dhe vleftën e tyne, ia ktheva Monsinjorit përsëri, mbas ditësh tjera. Atë natë folëm edhe për mbledhjen e afërme, që do të bante Kleri për Statutin e Kishës.
-“I falem nderës Zotit, – më tha, – që më kanë mënjanue ndër këto bisedime e, kanë kerkue Pater Marinin e Dom Ernestin: me komunistat nuk bisedohet”.
Bisedimet ndërmjet Klerit e Qeverisë, zhvilloheshin në Kryeministri, në zyrë të Tuk Jakovës. Pala qeveritare ishte Tuku dhe dy jurista të caktuem për këtë punë, dhe nga ana e Kishës, At Marini e Dom Ernesti. Të dyja palët, thojshin se shumica e Klerit, do t’i mbështeste. Krye tre muejsh, bahej nga nji mbledhje e Klerit, pa dalë në atë konkluzjon që donte qeveria. Secilën herë juristat e Kleri, shkëmbejshin variante të reja.
Megjithkëta, në popullsinë katolike këto mbledhje patën nji efekt të madh. Populli filloi me ardhe ma shumë ndër kishë dhe, megjithëse i vorfën, me e ndihmue materjalisht, me ni besim ma të fortë. Qindresa e Klerit në atë kohe, që nji e treta e tij ishte pushkatue ose, dekë ndër tortura dhe nji e treta tjetër, vuente burgjeve e kampeve të shfarosjes, i bani nji përshtypje të madhe gjithkujë.
Puna ime ne Muze, më bani me u njoftë me shumë njerëz nga të gjitha shtresat e profesjonet. Kontrata me Muzeun, ishte gjithmonë tremujore, mbasi për nji emnim fiks, pengonte shefi i kuadrit. Atëherë nuk u interesova kurrë, se ç’ishte ky shefi i kuadrit: e kam marrë vesht ma vonë, kur nuk kishem ma interesim për te. As un, nuk dojshem ta përsëris kontratën ma gjatë se nji vit, mbasi shpresojshem se, me aprovimin e Statutit, do t’ia mbërrijshim me u ordinue meshtar e, me marrë detyrë në ndonji famulli.
Gjatë kësaj kohe, nji shoq imi mendonte që të shkojshem në arsim dhe kishte folë me autoritetet përkatse, për me vazhdue studimet për histori. Ai erdh e më tha, që të paraqitshem formalisht nji lutje, e cila do te pranohej. I thashë se nuk jam në gjendje ta kryej detyrën e arsimtarit, sepse mundem me rrejtë prej hallit e, nevojet nji ose dy herë, por për mue do t’ishte tortura ma e madhe, me ndejë tue folë tanë jetën, kundra së vërtetës, kundra asaj që dij e, kundra mendimit tim.
Nji mik tjetër, erdh e ndej gjatë e gjatë me mue e, më parashtroi që t’u largojshem nga Kuvendi e jeta klerikale, sepse do të vinte dita, që me dekë rrugash tue lypë nji copë bukë: e dij me siguri, më tha, se vetëm këtë ka planifikue partia për ju. As atë nuk e ndigjova.
Ishte njaty kah nandori i vjetit 1950 e, po më vjen Jonuz Dini, atëherë ish-drejtor i Shoqatës Shqipni-Bashkimi Sovjetik. Me dashamirsinë ma të madhe, më pruni dy ftesa që të merrshem pjesë në nji mbramje, që organizohej në kinemanë e qytetit, në prag të festave të nandorit. Ia refuzova, mbasi kurrë në jetën time, nuk jam kenë dishirtar për pjesmarrje ndër këto manifestime. Por ai ngulmoi aq shumë, sa e lidhi deri me prishjen e miqësisë. Megjithëse kishem dy ftesa, shkova vetëm.
Zakonisht këto mbramje të jashtzakonshme, kanë nji program të zakonshëm. E hapi kori me nji kangë të stilit ushtarak. Mbas saj duel e foli nji ushtarak. Edhe në rast se nuk ishte ushtarak i vërtetë, ishte i veshun e i mbërthyem në kapotën ushtarake. Foli me oratori ushtarake, për strategun e madh gjenial, Gjeneralisimin Stalin.
Të gjithë rrihnin duerët pa pushim, me forcë e me temp: Stalin! Stalin! Fjalimi vazhdoi i gjatë e i pavështrim: përmendej pesë herë Stalini e, nji herë Enveri, jo, kurrnji tjetër prej burrave shqiptarë. Populli i ftuem aty, të gjithë servilë ose, të çmendun, gërthitshin: Stalin! Stalin! Stalin! Enver!
Un ishem i vetëm, në atë lozhë të vetme, që nuk rrahshem shuplakët. Nuk kishem si të merrshem pjesë, në atë servilizëm publik. Nuk ma lejonte ndërgjegjja, as dinjiteti. Por lozha ime ishte qandrore, që shihej prej gjithë atyne autoriteteve e, servilave. Le të bahet çka të bahet, nuk do të marr pjesë në këtë manifestim të turpshëm. Fillova të dyshoj, mos ishte nji kurthë, nji provokim. Nuk kishem dyshim në dashamirsinë e Jonuz Dinit, por kush mund ishte mbas tij, që kish ngrehë këtë kurthë? Më dukej se të gjithë sytë e sallës, ishin ngulun tek un. Ishem si ai mini, që ka hy vetë ndër ato kurtha e gjana, ku ai mund lëvizi i gjallë, por s’ka nga del. Pritshem se kur po mbaron e, të zhdukem në errsinë, në kjoftë se më lanë. Mjerisht, mbasi mbaroi, u këndue nji kangë tjeter, mandej fill nji tjetër. Po të njajtat fjalë, pa vështrim, të bezdisëshme, torturuese njisoj sikur korrenti i elektrikut, ndër veshë. Për mue kje nji torturë e madhe: kishem mbetë shtang. E thojshem me vedi: po sikur të vijnë me më kapë, këtu në lozhë?
Tash po shtirem si i marrë, si nji njeri që nuk ndigjon. Jo, i thashë vedit: as kjo nuk asht e ndershme, të shtiresh si i marrë, d.m.th., mos me kenë burrë që me qindrue. Të thom të vërtetën, e ndjeva vedin, ma ngushtë se kurrë. Un, vetëm un ndër ata, e dijshem shka don me thanë me hy në burg, me hy në tortura të pambarueme. Të gjitha i pranova në mendjen time, por jo kurrë me rrahë shuplakë, për dy kriminelet ma të mdhaj të njerzimit; Neroni, u binte deri në gju.
Kur Jonuz Dini, duel me falnderue publikun, lashë lozhën dhe u gjeta ndër ma të parët, te dera: pritshem me ankth hapjen e saj. Kur dola në rrugë, mora frymë lirisht. Por mbas pak minutash, n’atë terrinë, siellshem kryet mbrapa, për me pa nëse po më ndjek kush. Mbërrijta në Kuvend të Arrës së Madhe. Të gjithë kishin ra me fjetë. Mbylla derën mirë, me shul.
N’e nesre, nuk e hapa derën deri në mesditë. Ishem i mësuem me u çue herët dhe u zgjova, por nuk dojshem kurrnji takim, me njerzit. Vuna çilsin mbrenda dhe e mbylla për gjithkend. E si ta kaloj kohën? Mora librin e Heine-s, që më pëlqente aq shumë: ”Gjermania – nji prrallë dimni“, në përkthim italisht. E ngushllova vedin, tue thanë: “Kur asht puna për keq, gjithë bota asht njisoj“. Në muzé, nuk dola ma me punue. Memorie.al
Vijon numrin e ardhshëm