Nga Enver Memishaj – Lepenica
Memorie.al / Tefta Arapi, ish profesoresha ime, në vitin 1993, më foli për udhëtimet që kishte bërë në fshatrat e Kavajës, Rrogozhinës, Beratit, etj., duke kërkuar gjurmët e të vëllait, Vllas Arapit dhe më tregoi edhe një fletore të trashë, ku kishte mbajtur shënime. Ajo më kërkoi mua nëse mund të shkruaja një artikull për Vllas Arapin, a ndofta edhe një libër për të. Në atë kohë kjo ishte si një ndërmarrje e vështirë për mua, prandaj e refuzova, dëshirë ose më mirë ëndërr, që do ta realizonte Fatosi, vëllai saj, me librin “Kush ishte Vllas Arapi”. Pas kaq vitesh, në kujtim të profesores time dhe në vlerësim të veprës së Vllas Arapit po botoj këtë artikull bazuar në dokumente historike, që botohen për herë të parë.
Familja patriotike e Tol Arapit
Tol Arapi është nga një familje e njohur patriotike e Vlorës. Ai kishte lindur në Vlorë në vitin 1881, ku ndoqi shkollën greke dhe më pas emigroi në Stamboll, ku i vdiqën edhe të dy prindërit. Që herët është aktivizuar në lëvizjet patriotike, duke marrë pjesë në çetat kryengritëse të viteve 1911–1912. Në qeverinë e Ismail Qemalit, kreu detyrën e komisarit të policisë dhe ka luftuar kundër rebelëve të Haxhi Qamilit në vitin 1914. Mori pjesë në Luftën e Vlorës në vitin 1920, dhe në përfundim të kësaj lufte, u riemërua komisar policie, ndërsa kur Qazim Kokoshi u zgjodh kryetar bashkie, Tol Arapi do të emërohej komisar, në policinë bashkiake.
Ka propaganduar e luftuar që në Kishën Ortodokse të flitej shqip dhe në vitin 1922, ka marrë pjesë në Kongresin Kishtar në Berat, si delegat i Vlorës, në atë kongres që themeloi Kishën Autoqefale Shqiptare. Gjatë Luftës Antifashiste, (1939-1944), Tol Arapi e ktheu shtëpinë e tij në bazë të rëndësishme të Lëvizjes Antifashiste. Djali i madh Vllasi dhe Liria, vajza, u bënë flamurtarë të rinisë vlonjate. Për këtë arsye, më 8 maj 1942, familja e tij iu nënshtrua një kontrolli e bastisje nga pushtuesi, por më parë familja kishte mundur t’i largonte materialet komprometuese. Më 26 dhjetor 1942, sapo mbërritën në Vlorë mercenarët e Halil Alisë, e arrestuan Tol Arapin dhe dy ditë më pas, më 28 dhjetor 1942 i dogjën shtëpinë dhe atë bashkë me 40 e ca vlonjatë, i internuan në Gërmen të Burrelit.
Më 13 shkurt 1943, vlonjatët e internuar në Burrel, me anën e një telegrami, i kërkojnë Kryesisë së Këshillit të Ministrave lirimin e tyre: “Ne një grup vlonjatësh, gjendemi të internuar në Fushën e Përqendrimit Gërmen – Burrel. Këto ditë disa u liruan. Tash kemi mbetur 24 persona, pleq, plaka, gra e kalamakër, të cilët natë e ditë presim me padurim që ajo zemër mëshirëplotë, që lirojë të parët, ajo zemër të ketë dhimbsuri e mëshirë, edhe për lirimin tonë, që të kthehemi nëpër vatrat tona të djegura, mbasi jemi krejt të pa fajshëm.
Burrel 13.2.43
Tol Arapi, Abas Përpa me t’ëmën, Ali Çela me t’tëmën, Vasil Speci me 5 fëmijë, Ibrahim Bino e fëmija, Sefer Taipi, Isa Çakërri, Shehap Dervishi, Telemak Mitro e Dhimitër Mitro, Mahmut Xhelo, Sotir Papajani e fëmija, Hamit Radhima, Nure Taipi, Llambi Mone”.
Prindërit e Tolit, Stavri dhe Aspasia kishin lindur 13 fëmijë por do të rronin vetëm dy, ndërsa Tol Arapi dhe e shoqja Katina, do të lindnin 9 fëmijë, 5 djem dhe 4 vajza. Është për t’u theksuar se të 9 fëmijët e Tolit rrojtën dhe megjithëse të varfër, kryen arsimin e lartë dhe lanë gjurmë të mira në historinë e qytetit të Vlorës. Vllasi Arapi (1922 –1946), kreu shkollën tregtare në Vlorë. Liri Arapi (1923 – 1991), kreu arsimin e lartë Pedagogjik në Napoli, Itali. Liria u arrestua më 14 qershor 1942, së bashku me Sulltana Çakërrin dhe Xhemil Çakërrin, por me miqtë e xha Tolit, mundi të lirohej më 15 korrik 1942, nga ku doli në mal partizane.
Pirro Arapi (1925 – 2022), kreu arsimin e lartë Pedagogjik në Itali. Fatos Arapi (1930 – 2018), u diplomua në Sofie (Bullgari) ekonomist dhe u bë i famshëm si poet e shkrimtar. Petrit Arapi (1931-1977), ekonomist i lartë. Shqiponja (1932), Bubulina Arapi (1933 – 1976), dhe Tefta Arapi (1935 – 1995) ishin mësuese dhe i fundit Astriti (1937) ishte inxhinier. Tetë prej fëmijëve të Tol Arapit, e gëzuan jetën. Ndryshe ndodhi me djalin e tij të madh, Vllasin, i cili pati një fund tragjik. Tol Arapi vdiq në Vlorë në vitin 1962 dhe u varros në vendin e origjinës, në Zvërnec.
Vllas Arapi ishte ndër komunistët e parë që parashikoi se Partia Komuniste po shndërrohej në një Parti terroriste dhe e braktisi atë. Vllasi i njohur me pseudonimin e luftës “Pelivani” ose “Pelivan Vlora”, lindi në qytetin e Vlorës, më 22 shkurt 1922. Ai ishte një nga të rinjtë komunistë entuziastë, aktivë, i zgjuar, trim dhe i përkushtuar për çdo sakrificë për lirinë dhe atdheun e tij. Në prill 1942 doli ilegal, ndërsa e motra, Liria, do të arrestohej në qershor 1942.
Prefektura e Vlorës më 5.10.1942, në një listë ku figurojnë 32 vetë, të arratisur politik nga Vlora, ndërmjet të cilëve; Mitat Dautaj, Xhemil Çakërri, Mynyr Xhindi, Naun Hondro, Hysni Abazaj, Jonus Mersini, Neki Hoxha nga Gjormi, etj., për Vllas Arapin, shkruan: “Vllas Arapi, i biri Tolit dhe i Katinis, lindur e banues në Vlorë, vjeç 19, student, dënuar nga Gjykata Ushtarake e Tiranës, për propagandë subversive”.
“Më datën 17 janar 1943, qe vra me të shtime revolveri, marshalli Mario Lombardi, komandant i staciononit të Skelës në Vlorë. Autorët komunistë, deshën me një gjest të këtillë deliktuoz, për të hequr nga kjo jetë një nënoficer, i cili kishte kryer shërbime të dukshme në fushatën e policisë politike, aq më tepër, mbasi dinte mirë edhe gjuhën shqipe.
Pas këtij delikti Komanda e Përgjithshme vendosi që të pushkatoheshin katër komunistë, nëse brenda mëngjesit të ditës tjetër, të mos dorëzoheshin autorët e deliktit të kryer. Kështu që, në mesditë të datës 18, katër të burgosur Mitaq Sallata, Astrit Kokoshi, Pavllo Kafia dhe Tole Bitri, qenë pushkatue afër spitalit civil…”!
“Autorët e vrasjes së marshall Lombardi janë identifikuar kriminelët, Sallata Lefter dhe Vllas Arapi, të arratisur”, shkruan Shtabi i Policisë Mbretërore të Vlorës. Në monografinë që Fatos Arapi i kushton Vllasit, nuk e thotë troç, por na lë të kuptojmë, se atentatori marshallit Lombardo, ishte pikërisht vëllai tij, Vllasi. Në shkurt 1943, Vllas Arapi dërgohet në Mallakastër, si përgjegjës partie.
“Ai ishte karakter krejt i ndryshëm nga Mehmet Shehu. Si luftëtar, ai e pranonte luftën, e pranonte ashpërsinë e luftës, por ishte kundër terrorit dhe vrasjeve që mbillte Mehmet Shehu, ngado që shkonte. Nuk e honepsi kurrë as therjen, që iu bë karabinierëve në Mallakstër, as vrasjen e fshatarëve në Divjakë…! Shqetësimi tjetër i Vllasit, janë marrëdhëniet me nacionalistët”. (Fq. 101)
Më 15 gusht 1943, Vllas Arapi do të transferohet në Brigadën e Parë. “Sipas dëshmive ai herë gjendet në batalionin e dytë, herë në të tretin, herë përgjegjës rinie, herë komisar kompanie, por në më të shumtën e kohës, ai është partizan i thjeshtë…! Komandant i batalionit të tretë, emrohet Gjeli Argjiri, i cili, sipas pohimeve të tija, është ai që ka pushkatuar Anastas Lulën…! Caktimi i Vllasit partizan i thjeshtë, në batalionin e tretë…, nuk është veprim i pa menduar i Mehmet Shehut”. (Fq. 119).
Në dimrin e vitit 1944, Brigada e Parë e Mehmet Shehut, marshon në kondita jashtëzakonisht të vështira për të shpëtuar Shtabin e Përgjithshëm që kishte mbetur i rrethuar. Në këto momente të vështira Vllas Arapi i thotë Mehmetit: “Pse duhet të sakrifikohen tre batalione për 12–13 vetë? Ata udhëheqin një ushtri e, s’dalin dot vetë nga rrethimi?…”. (Fq.125).
Terrori që ushtronte Mehmet Shehu ndaj partizanëve, luftën kundër ‘Ballit Kombëtar’ dhe çdo kundërshtari të tij, i thelluan kontradiktat e Vllas Arapit me Mehmet Shehun, i cili tentoi ta eliminonte, por ai mundi t’i shpëtojë pritës së tij dhe u arratis nga Brigada e Parë, më 6 prill 1944.
“Më 6 prill dezertoi nga rreshtat tona, Vllas Arapi (“Pelivani”) nga Vlora, – shkruan Mehmet Shehu, – i cili më datën 12, ka mbajtur një fjalim në Fier, kundër Brigadës sonë dhe kundër Partisë Komuniste. Ky element ka qenë kurdoherë alarmues dhe sidomos kohët e fundit. Në Sulovë kishte dhënë shenja dyshimi. Na shpëtoi nga duart”. (Fq.6,7)
Deklarimet e Vllas Arapit, pasi u arratis nga forcat komuniste
Pasi u arratis nga Brigada e Parë e Mehmet Shehut, Vllasi u bashkua me forcat e “Ballit Kombëtar”. Ai mbajti takime e fjalime ne qytete e Shqipërisë së Mesme, ku denoncoi dhunën dhe terrorin e Partisë Komuniste. Më poshtë deklarimet e tij:
“Nga radhët e Dushanit, në gjirin e atdheut. Dekllarata me rëndësi të Vllash Arapit”
“Rini! Mblidh mendjen, shtrëngo bërrylat e radhët se po të afrohet diktatura më e ndyrë dhe më e përgjakshme që ka parë faqja e dheut, në të cilën nuk do të jemi veçse skllevër dhe një turmë bagëtish”. Në fillim të muajt prill, një i ri 23 vjeçar, i nisur nga Maliqi i Korçës, duke kaluar përmes kaq rreziqesh fill i vetëm, pasi përshkoi një rrugë të gjatë nëpër Opar, Tomorricë, Sulovë, zbret në Berat dhe paraqitet në Komandën e “Ballit Kombëtar”. Ky djalosh që dorëzohet, ishte Vllash Arapi nga Vlora, një prej përgjegjësve kryesorë të Brigadës Partizane të Mehmet Shehut.
Kush është Vllash Arapi?!
– Ky është i mbiquajtur “Pelivani”, të cilin s’ka burrë, i ri dhe grua, besojmë, që të mos e njohë e, që të mos e ketë dëgjuar emrin në Toskëri. Vllash Arapi, qysh dy vjet më parë, ka zhvilluar një aktivitet të madh, në krahinën e Vlorës e të Mallakastrës, për përhapjen e idesë nacionalçlirimtare. Por si shumë të rinj edhe Vllash Arapin, e vrau një ditë ndërgjegjja, dhe ky i hapi sytë më në fund dhe e pa realitetin. Prandaj nga radhët e Dushanit, u hodh në gjirin e Atdheut, i cili i pret bijtë e gabuar, me dhimbje e dashuri.
“Pelivani” dridhet kur kujton lemeritë që ekzistojnë në radhët e Partisë Terroriste. Por megjithëkëtë, nuk mungoi që këto ngjarje, që të ngjethin mishtë, tmerrojnë shpirtin dhe trondisin ndërgjegjen, t’i vërë botërisht në dije të popullit. Në një seri konferencash që mbajti në Fier, Lushnjë e Berat, Vllash Arapi përshkroi me lot në sy “ferrin” që ekziston në Partinë Terroriste.
– Jeta fillon. Vllash Arapi: Në çetat terroriste ishte bërë e padurueshme mungesa e bukës, e veshjeve, municioneve dhe sidomos nga vrasjet e kota që Partia bënte kundër popullit, ballistëve e partizanëve. Ajo Parti qëndron mbi gjak dhe mbahet në këmbë vetëm me anën e terrorit. Për të, vlen më tepër një fishek, se sa një njeri. Parulla “Liri e popullit” që përdor Partia, ka qenë dhe vazhdon të jetë një mashtrim i madh. Për popullin e mjerë, ka vetëm lemeri….!
Një përshkrim i Brigadës në Veri
– Një muaj e gjysëm më parë, Mehmet Shehu mbajti një ligjëratë duke ekzaltuar ushtarët e Brigadës së Parë, me këto fjalë: “Shokë, jemi të ngarkuar të bëjmë një udhëtim të gjatë në Veri të Shqipërisë, udhëtim që ka për mision veprimtarinë më të shkëlqyer të Partisë. Kjo rrugë është e rrezikshme, se do të kalojmë vende të vështira, të mbuluara me borë, në toka armike, ku nuk do të gjejmë bukë e strehë, por neve do t’i kapërcejmë këto, qoftë sikur të hamë edhe kuaj të ngordhur. Nuk mund të vëmë në dije qëllimin e misionit tonë, sepse atëherë të gjithë çetat partizane që janë në Jug, do të pasojnë Brigadën, duke lënë frontin bosh. Për të kryer këtë mision, mjafton Brigada e Parë”. Brigada u nis dhe kaloi në malet më të larta të Shqipërisë së Mesme.
Maj 1944
– Hyri në Martanesh, në Gollobordë, doli në Gur të Bardhë, shkoi në Shëngjergj, në Pezë dhe andej hyri në Sulovë e në Tomorricë. Gjatë këtij udhëtimi, lamë 101 veta të vrarë, të ngrirë nga bora, të zhdukur e mbytur në Shkumbin. Në çdo katund që vamë, na pritën me pushkë dhe reprezaljet tona, kanë qenë të përgjakshme. Vetëm në Martanesh, vramë 25 veta nga populli. Kështu që numri i partizanëve dhe katundarëve të vrarë, arriti pothuaj 200 veta!
Misioni i udhëtimit të Brigadës
– Kur muarmë vesh qëllimin e udhëtimit, u dëshpëruam të gjithë, sepse Brigada shkoi në Dibër, për të marrë Enver Hoxhën dhe Spiro Moisiun, të cilët nuk i gjetëm atje, mbasi kishin ikur më përpara. Të gjithë u tmerruam, kur pamë se për të marrë dy veta nga krerët e partisë në Dibër, u sakrifikua jeta e 200 shqiptarëve! Të gjithë menduan se; në rast se nevojitet shpëtimi ndonjë Dushani ose Mehmet Shehu, për ta shpurë në Tiranë, ose më ndonjë vend tjetër të sigurt, do të duhesh të sakrifikohej jeta e 1000 shqiptarëve.
Flamuri i Skënderbeut, u hodh poshtë
– Kur u kthyem nga udhëtimi i gjatë dhe plot peripecira, në Moglicë të Oparit, u bë atje ceremonia e hedhjes poshtë të Flamurit Kombëtar, i cili u zëvendësua me një tjetër, me drapër e çekan! Tani në beretat e partizanëve, nuk shihet më Flamuri i Shqipërisë, por drapëri e çekani me yllin e kuq, në krye. Në fjalimin që mbajti Mehmet Shehu, në këtë rast, midis të tjerave, tha: “Flamuri i Shqipërisë, nuk ishte gjë tjetër, veçse një rreckë e qelbur, për t’u hedhur poshtë”. Gjithashtu atë ditë u proklamua edhe qeveria proletare. Pothuaj të gjithë të rinjtë, u dëshpëruan thellësisht, për hedhjen e Flamurit Kombëtar poshtë, por e mbajtën veten me zor, nga frika e terrorit.
Shumica e madhe e rinisë është penduar
– Shumica e madhe e të rinjve, që bëjnë pjesë në rreshtat e partisë, janë penduar, mbasi e shohin me sytë e veta greminën në të cilën po e hedh qeveria nacionalçlirimtare, atdheun e mjerë. Shumë prej të rinjve, kanë mundur të largohen dhe të kthehen në vatrat e tyre. Shumë të tjerë duan të largohen, por nuk gjejnë dot rastin. Nacionalizmi shqiptar, duhet të bëjë ç’është e mundur, për t’i ardhur në ndihmë dhe për t’a shpëtuar rininë nga kuçedrat e terrorit, të këlyshëve të Dushanit e Miladinit. Të gjithë të rinjtë që janë kthyer në shtëpitë e veta, mbas thirrjeve dhe kërcënimeve që u bëri partia, u përgjigjën: “Mjaft më”!
Unë largimin tim, nuk e vendosa përnjëherësh, për një arsye, ose për një tjetër, por për shumë arsye. Ishin ngjarje dhe fakte të përditshme, që si pikat e ujit, njëra mbas tjetrës, e mbushën kupën dhe u derdh. Me një vështrim retrospektiv të veprimeve, të luftërave, të krimeve të përditshme, të djegieve e të rrënimeve, ku mësova se e ashtuquajtura nacionalçlirimtare, nuk punonte për çlirimin e atdheut, por për zhdukjen e racës arbënore.
Ikja nga rreshtat e Partisë është shumë e zorshme mbasi rrjeti i kontrollimit dhe i spiunazhit është shumë i fortë. S’ka njeri në radhët e partizanëve që të ketë guximin t’i hapet shokut dhe t’i propozojë largimin, sepse e di me siguri se fjala e tij do të raportohet dhe si shpërblim të menjëhershëm do të hajë plumbin ballit. Populli i Malësive nga ana tjetër, është tepër i mërzitur prej një lufte të tillë, prej shkatërrimeve dhe prej rrëmbimit të bukës e i bagëtive, që bëhen nga ana e çetave partizane.
Brigada shumë, por vetëm me emër!
– Brigadat janë të shumta, por vetëm me emër, pasi janë shpartalluar krejt. Ajo që qëndron më mirë në këmbë, është Brigada e Parë, edhe kjo në sajë të Batalionit të Parë, të formuar prej vlonjatësh e kurveleshas. Brigadë e cila vepron nën grushtin e tmerrshëm, të katilit Mehmet Shehu. Brigada e Parë, ka qenë njësia më e fortë e fuqive partizane, por edhe kjo u prish dhe u demoralizua, nga grushtet e rënda që hëngri në Patos, në krahinën e Vlorës dhe tani në fund, në udhëtimin që bëri në Gegëri, udhëtim i cili i kushtoi rëndë dhe i shkaktoi demoralizimin e partizanëve më të vendosur.
Vlen të shënohet se një grusht tepër të rëndë Brigada e Parë e hëngri nga një fuqi e “Ballit Kombëtar”, te Mali i Bardhë afër Qafës së Dardhës, kur po kthehesh nga udhëtimi. Kjo fuqi e Ballit, që komandohesh nga Muahrrem Kapllani, që siç mora vesh më vonë, përbëhej nga 120 vetë, mundi t’i presë hovin Brigadës, t’i shkaktojë shumë dëme dhe të mos e lërë të kalojë. Pra sot çetat partizane, nuk përbëhen më si më parë, vetëm nga vullnetarë të rregullt, por nga turma të rekrutuara me zor, e me frikë që luftojnë, sepse nga mbrapa, u qëndrojnë komisarët politikë me mitraloza e armë në duar, që kështu e bëjnë të vështirë ikjen.
Shkaqet e luftës kundër “Ballit Kombëtar”
– S’ka asnjë dyshim se luftën kundër “Ballit Kombëtar”, e çeli Nacionalçlirimtarja. Shkaku ka qenë sepse u konstatua se masa më e madhe e popullit, kishte prirje nga nacionalizmi dhe sepse “Balli”, duke u organizuar çdo ditë, do t’i përfshinte të gjitha forcat dhe energjitë e Shqipërisë. Partia Terroriste te “Balli Kombëtar”, shihte armikun më të madh, jo vetëm si fuqi luftarake por, edhe si fuqi morale intelektuale, tepër të shëndoshë. Parulla e të gjithë partizanëve, ishte: “Duhet të bëjmë ç’është e mundur, që t’a eliminojmë ‘Ballin”.
Dushani, Miladini dhe Partia
– Fuqia më e madhe e partisë, janë dy serbët: Dushani dhe Miladini. Roli i Dushanit ishte kryesor, sepse ishte ky që jepte udhëzime për t’i vënë në praktikë. Miladini ishte këshilltar politik dhe mendimtari i kësaj maqine të tmerrshme. Të gjithë krerët shqiptarë me rëndësi të kësaj organizate nuk ishin veçse kukulla, që zbatojnë në mënyrë të verbër urdhrat e serbëve. Këta dridheshin prej Dushanit e Miladinit dhe u bënin atyre shumë kallëzime e hipokrizira për t’i patur në konsideracion dhe për t’i graduar.
Dëshpërimi dhe pasioni i krerëve terroristë
– Dëshpërimi dhe pasioni i krerëve të Partisë Terroriste, ka mbërritur kulmin e tërbimit, kaq sa, shpesh herë thonë; që neve na nevojitet të hyjmë nëpër qytete vetëm dy orë, për t’u dhënë mësimin e fundit reaksionarëve shqiptarë. Merreni me mënd se ç’mynxyrë mund të ngjajë, sikur të realizohet ëndrra e këtyre të çmendurve. Për hakmarrje kundër Polisit dhe Çermenikës, që pengoi marshimin e Brigadës së Parë, në udhëtimin e fundit, Mehmet Shehu është betuar, se do t’i therë të gjithë meshkujt, nga 6, deri në 60 vjeç.
Një thirrje popullit dhe rinisë
– Vllash Arapi, duke përfunduar deklaratat e tij, u drejton këtë thirrje popullit dhe rinisë shqiptare:“Popull Shqiptar! Bashkoju i gjithë si një bllok nën hijen e Flamurit të Kastriotit dhe me besën e burrninë e të parëve që të karakterizon, vërsulu terrorit, se për ndryshe, të presin ditë më të zeza. Duhet ta dish, se sot është në lojë ekzistenca e një race, që ka mundur të shpëtojë gjatë kaq shekujsh invazionesh. “Rini! Mblidh mendjen, shtrëngo bërrylat e radhët se po të afrohet diktatura më e ndyrë dhe më e përgjakshme që ka parë faqja e dheut, në të cilën nuk do të jemi veçse skllevër dhe një turmë bagëtish”.
Maj, 1944 Balli Kombëtar
Vrasja e Vllas Arapit
Pas arratisjes nga Brigada e Parë, Vllas Arapi qëndroi me forcat e “Ballit Kombëtar”, në Shqipërinë e Mesme, duke propaganduar kundër terrorit dhe luftës civile të Partisë Komuniste. Pas çlirimit, në vitin 1945, ai do të bashkohej me grupet antikomuniste, që i bënë qëndresë regjimit komunist. Për këtë arsye, familja e Tol Arapit, nuk shpëtoi as nga persekutimi i komunistëve, të cilët me të ardhur në fuqi, në vitin 1945; “e mbajtën tre muaj në burg, atë edhe vjehrrën e tij, plakë”.
“Një ditë në rrugë, Kadri Hazbiu takoi nënën e Vllasit, tek e cila gjatë Luftës kishte ngrenë bukë disa herë. Ai e përshëndeti atë dhe i dha një pusullë ku shkruhej: “Xha Toli, i thoni Vllasit të dorëzohet dhe të pres me gëzim dënimin, që do t’i japë Partia”. Por xha Toli nuk u dorëzua dhe nuk i besoi ish -shokët komunistë të Vllasit. Në letrën e fundit, ai i shkruante të birit: “Plumbin e fundit vetes. Nuk dua të të shoh në duart e këtyre. Më paç uratën. Toli”
Gazeta “Flamuri”, botim i “Ballit Kombëtar” në emigracion, në vitin 1950, shkruante: “Në Shqipërinë e mesme…, çetat e Vlash Arapit me shokë, i banë të pa sigurta rrugët dhe atakuan sa herë me sukses e trimëri, qendra e fuqi komuniste”. (Fq. 185)
Këta burra patriot si Vllas Arapi, që e kundërshtuan me armë diktaturën komuniste, u përndoqën me terror. Në saje të përndjekjes, Vllas Arapi është vrarë, natën duke u gdhirë 6 qershor 1946. Ai u vra me tradhti, nga agjentë të Sigurimit të Shtetit, të infiltruar në grupet e rezistencës antikomuniste. “Vllasin e sollën të vrarë me qerre, nga fshati Domës. Unë e pash Vllasin të vrarë në morg, i zhveshur, me shtatë plagë në trup.
Fytyrën komplet të rregullt dhe trupin shumë të lidhur. E kam parë vetë dhembin e florinjtë në gojën e tij. Fshatarët thoshin se; është trim mbi trimat. Për ta varrosur e mori policia. Pasi është vrarë Vllasi, është dorëzuar fshatari që ka qenë me të. Atë e mori Babë Myslimi në mbrojtje”, ka deklaruar zv/kryetar i Degës Brendshme të Kavajës. Familja e Tol Arapit, u vesh me të zeza edhe Liria, e motra, që ishte partizane dhe komuniste, u vesh me të zeza.
Nuk e dinim se do të dilte kështu…!
Ata që u munduan të eliminonin Vllas Arapin, lanë me lëkurën e tyre, një pjesë farë të vogël të krimeve që kishin kryer: Mehmet Shehu, në dhjetor të vitit 1981, vriste veten, në vilën e tij të sapo ndërtuar. Kadri Hazbiu, sipas tregimeve, kur e shpinin ta pushkatonin, në të vërtetë kishte vdekur shumë kohë më parë, nga torturat në hetuesi. Gjeneral Gjeli Argjiri, mbërthyer prej një krize të rëndë nervore, po në ato kohëra, hidhej nga ballkoni i shtëpisë, duke thirrur: “Nuk e dinim se do të dilte kështu…”!
P Ë R F U N D I M
Sa herë që lexojmë ose shkruajmë, për atë sistem çnjerëzor të diktaturës komuniste, më vjen ndër mend ajo shprehja profetike e Luigj Gurakuqit, që pati fatin të mos i shihte shqiptarët, se si vriteshin mes njëri-tjetrit, gjatë viteve të fundit të Luftës së Dytë Botërore, i cili do të shkruante që në vitin 1919: “Duhet ta dini ju shqiptarë, se anmiqtë e atdhesë e të kombit tënë punojnë, siç kanë punuem gjithmonë…për me na qitun para botës…jo si një komb që meriton jetën e vet më vete, por si disa fise, qi s’kanë pasun kurrë bashkim njani me tjetrin, si njerëz të egjër e të padisiplinë qi, po të lihen më vete, kishin me ngranë shoqi-shoqin për së gjalli…”! Memorie.al
Marrë nga gazetadielli.com