Nga Dashnor Kaloçi
Pjesa e shtatë
Memorie.al / Që nga fundi i nëntorit të vitit 1944 kur erdhi zyrtarisht në pushtet, e deri sa vdiq në vitin 1985, diktatori komunist Enver Hoxha, duke dashur që t’i ngjante idhullit të tij, Josif Visaranoviç Stalinit dhe duke ndjekur “rrugën” e tij, hera herës ndërmerrte spastrime në udhëheqjen e lartë të PPSH-së, gjë të cilën praktikisht e kishte filluar që nga viti 1941, me Anastas Lulën e Sadik Premten, e vazhdoi me Koci Xoxen (dhe grupin e tij) në vitin 1948-’49 dhe e mbaroi në vitin 1981-’82, me të ashtuquajturin “Grupi armiqësor i Mehmet Shehut e Kadri Hazbiut”. Në këtë interval kohor prej më se katër dekadash, siç dihet tashmë, ai eliminoi pothuaj të gjithë themeluesit e Partisë Komuniste Shqiptare, anëtarët e Byrosë Politike të Komitetit Qendror të PPSh-së dhe drejtuesit kryesorë të ashtuquajturës “Lufta Antifashiste Nacionalçlirimtare”, aq sa nga viti 1960 e, deri në shembjen e regjimit komunist në 1990-ën, vetëm Pilo Peristeri kishte shpëtuar nga burgu apo internimi, duke iu gëzuar privilegjeve si kandidat i përjetshëm i Byrosë Politike dhe funksionit të drejtorit të Kombinatit të Autotraktorëve “Enver Hoxha”!
Por, ndryshe sa kishte bërë deri në fillimin e viteve ’70-të, ku “shpata” e Enver Hoxhës kishte rënë kryesisht mbi udhëheqjen e lartë të PKSH-së, (Koci Xoxe, Kristo Themelko, Sotir Vullkanim Ramadan Çitaku, Tuk Jakova, Bedri Spahiu, Liri Gega, Gjin Marku, Koço Tashko, Liri Belishova, etj.), të cilët ai i kishte akuzuar për “devijatorë të vijës së Partisë” dhe i kishte dënuar si “tradhtar dhe armiq të popullit”, në mesin e viteve ’70-të, diktatori Enver Hoxha filloi goditjen edhe ndaj disa anëtarëve të Byrosë Politike, që mbanin edhe poste ministrore, si Abdyl Këllezi e Koço Theodhosi, duke i akuzuar ata edhe si “sabotatorë” të Ekonomisë Socialiste”!
Dhe ashtu siç kishte bërë me Beqir Ballukun, Petrit Dumen e Hito Çakon, (të cilët u dënuan me vdekje dhe u pushkatuan), ku për të vërtetuar “veprimtarinë e tyre armiqësore”, Enver Hoxha dënoi me burgje dhe internime edhe një grup të madh oficerësh madhorë, edhe me të ashtuquajturin “Grupi sabotator i Ekonomisë”, ku përveç Këllezit dhe Theodhosit, bënin pjesë edhe dy ministrat Kiço Ngjela e Vasil Kati, u akuzuan dhe u dënuan edhe disa funksionarë të lartë të sektorit të Tregtisë, drejtorë e specialist të njohur, siç ishin Andrea Manço, Ahmet Jegeni, Bardhyl Frashëri etj., si dhe të sektorit të Naftës, si; drejtues, inxhinierë e specialist të njohur, si; Filip Nashi, Beqir Alija, Koço Plaku, Milto Gjikopulli, Protoko Murati, Dhimitër Stefa, Jani Konomi, Nuredin Skrapari, etj.
Siç do të shohim edhe në dokumentet në fjalë, procesin hetimor ndaj ndaj të ashtuquajturit “Grupi armiqësor e sabotator i Ekonomisë”, që kishte realizuar Ministria e Brendshme dhe Sigurimi i Shtetit, me akuza të montuara dhe dëshmi të rreme apo të marra nën torturë, etj., e vazhdoi edhe Gjykata e Lartë e Republikës Popullore të Shqipërisë me në krye Aranit Çelën, duke i “kanalizuar” akuzat edhe nga ana “juridike”, për të “vërtetuar” ato që kishte thënë Enver Hoxha në Plenumet e Komitetit Qendror të PPSH-së, ndaj Abdyl Këllezit, Koço Theodhosit, Kiço Ngjelës, Vasil Katit etj.
Sa më sipër për të gjithë këta, pas viteve ’90-të, është folur dhe shkruar shumë, si nga pjesëtarë të atyre “grupeve”, familjarë të tyre, etj., etj., Memorie.al ka siguruar dokumentet arkivore të Gjykatës së Lartë të Republikës Popullore të Shqipërisë të asaj kohe dhe ish-Presidiumit të Kuvendit Popullor, ku është marrë në shqyrtim “Grupi armiqësor i Ekonomisë”, “Tregtia” dhe “Nafta”, të cilat shohin dritën e botimit për herë të parë, dokumente të cilat po i publikojmë në disa numra, bashkë me fotot e faksimilet përkatëse.
Në pjesën e parë dhe të dytë të këtij cikli shkrimesh, po publikojmë dokumentet ku bëhet fjalë për ish-drejtorit të Makinaimportit, Andrea Manço me origjinë nga fshati Boboshticë e Korçës,, vëllai i të cilit Todo Manço, për vite me radhë kishte shërbyer si kryeinxhinier dhe drejtor i minierës së kromit të Bulqizës, e gjithashtu për disa legjislatura me radhë edhe deputet i Kuvendit Popullor, i cili kur u nda nga jeta më 6 nëntor 1974, iu bë një ceremoni madhështore mortore, me homazhe në qendër të kryeqytetit, ku përveç Enver Hoxhës, mori pjesë e gjithë udhëheqja e lartë e PPSH-së, me në krye kryeministrin Mehmet Shehu. Ndërsa Todo Manços, (“Hero i Punës Socialiste”) do t’i bëheshin gjithë këto nderime, vëllai i tij, Andrea, afro dy vjet më pas, do të torturohej në qelitë e Sigurimit të Shtetit dhe do të dënohej me vdekje, me pushkatim, si “armik i popullit” dhe “agjent i agjenturave të huaja”, e varri i tij, ende nuk është gjetur!
VENDIMI I GJYKATËS SË LARTË TË KRYESUAR NGA ARANIT ÇELA, DËRGUAR PRESIDIUMIT TË KUVENDIT POPULLOR, PËR DËNIMIN E “GRUPIT ARMIQËSOR” NË SEKTORIN E NAFTËS, ME NË KRYE FILIP NASHI, BEQIR ALIJA, KOÇO PLAKU, MILTO GJIKOPULLI, ETJ.
RELACION
REPUBLIKA POPULLORE E SHQIPËRISË Tiranë më 21.6.1976
GJYKATA E LARTË
Nr.381
Presidiumit të Kuvendit Popullor
Tiranë
REPUBLIKA POPULLORE E SHQIPËRISË
GJYKATA R LARTE
Nr.12. Regj. Themeltarë
Nr.13 i vendimit
VENDIM
NE EMËR TE POPULLIT
Gjykata e Lartë e Republikës Popullore të Shqipërisë, e përbërë prej:
Kryetares së seancës: Eleni Selenica, Z. Kryetare Gjykatës Lartë
Nd. Gjyqtar së seancës: Mit’hat Goskova
Nd. Gjyqtar së seancës: Fehmi Legreta
T’asistuar prej sekretarit Sadik Mema, me pjesëmarrjen e Prokurorit Sotiraq Samara ZV. Prokuror’i Përgjithshëm, nga data 11-17.6.1976 mori në shqyrtim në seancë gjyqësore me dyer të mbyllura, çështjen penale Nr.12 që ju përket të pandehurve:
- I pandehuri Filip Nashi, në bazë të neneve 72, 73/1 në kombinim me nenin 12, 199/II e 48 të K.P. 25 vjet heqje të lirisë, konfiskimin e pasurisë të luajtshme dhe të paluajtshme, humbjen e së drejtës elektorale për 5 vjet kohë, heqjen e dekoratave dhe të titujve që mban, heqjen e të drejtës pensionit për 5 vjet kohë dhe me zhdamimin e dëmit të shkaktuar prej tijë.
- I pandehuri Beqir Alija, në bazë të nenit 72, 73/1, në kombinim me nenin 12, 199/II e 48 të K.P, me 25 vjet heqje të lirisë, konfiskimin e pasurisë të luajtshme dhe të paluajtshme, humbjen e së drejtës elektorale për 5 vjet kohë, heqjen e dekoratave dhe të titujve që mban, heqjen e të drejtës pensionit për 5 vjet kohe dhe me zhdamimin e dëmit të shkaktuar prej tijë.
- I pandehuri Koço Plaku, në bazë të neneve 72,73/1, në kombinim me nenin 12, 64 e 48 të K.P., me Vdekje pushkatim, konfiskimin e pasurisë të luajtshme dhe të paluajtshme, humbjen e së drejtës elektorale për 5 vjet kohë, heqjen e dekoratave dhe titujve që mban, heqjen e të drejtës pensionit për 5 vjet kohë, dhe me zhdamimin e dëmit të shkaktuar prej tij.
- I pandehuri Milto Gjikopulli, në bazë të neneve 72, 73/1, në kombinim me nenin 12 të K.P. 64 e 48 të K.P., me Vdekje, pushkatim, konfiskimin e pasurisë të luajtshme dhe të paluajtshme, humbjen e së drejtës elektorale për 5 vjet kohë, heqjen e dekoratave dhe titujve që mban, heqjen e të drejtës pensionit për 5 vjet kohë dhe me zhdamimin e dëmit të shkaktuar prej tij.
- I pandehuri Protoko Murati, në bazë të neneve 72, 73/1, në kombinim me nenin 12 të K.P., me 23 vjet heqje të lirisë, konfiskimin e pasurisë të luajtshme dhe të paluajtshme, humbjen e së drejtës elektorale për 5 vjet kohë, heqjen e dekoratave dhe të titujve që mban, heqjen e të drejtës pensionit për 5 vjet kohë dhe me zhdamimin e dëmit të shkaktuar prej tij.
- I pandehuri Dhimitër Stefa, në bazë të neneve 72,73/1, në kombinim me nenin 12 të K.P. 48 të K.P., me 22 vjet heqje të lirisë, konfiskimin e pasurisë të luajtshme dhe të paluajtshme, humbjen e së drejtës elektorale për 5 vjet kohë, heqjen e dekoratave dhe të titujve që mban, heqjen e të drejtës pensionit për 5 vjet kohë dhe me zhdamimin e dëmit të shkaktuar prej tij.
- I pandehuri Jani Konomi, në bazë të neneve 72, 73/1, në kombinim me nenin 12 të K.P. e 48 të K.P. me 23 vjet heqje të lirisë, konfiskimin e pasurisë të luajtshme dhe të paluajtshme, humbjen e së drejtës elektorale për 5 vjet kohë, heqjen e dekoratave dhe titujve që mban, heqjen e të drejtës pensionit për 5 vjet kohë dhe me zhdamimin e dëmit të shkaktuar prej tij.
- I pandehuri Nuredin Skrapari, në bazë të nenit 72 në kombinim me nenin 12 të K.P. e 49 të K.P. me 20 vjet heqje të lirisë, konfiskimin e pasurisë të luajtshme dhe të paluajtshme, me humbjen e së drejtës elektorale për 5 vjet kohë, heqjen e dekoratave dhe titujve që mban, heqjen ë të drejtës pensionit për 5 vjet kohë dhe me zhdamimin e dëmit të shkaktuar prej tij.
Pasi dëgjoi mbrojtjen dhe fjalën e fundit të të pandehurve Filip Nashi, Beqir Alija, Milto Gjikopulli, Protoko Murati, Dhimitër Stefa, Jano Konomi e Nuredin Skrapari, të cilët kërkuan mëshirë dhe mbrojtjen e fjalën e fundit, të të pandehurit Koço Plaku, i cili nuk kërkoi mëshirë, por të dënohet me rreptësinë më të madhe dhe nuk pranoi që të jetë spiun;
VEREN
Procesi Gjyqësor vërtetoi se grupi armik në industrinë e Naftës dhe të Gazit, i kryesuar nga Filip Nashi dhe me bashkëpunëtorët e tij Beqir Alija, Koço Plaku, Protoko Murati, Milto Gjikopulli, Dhimitër Stefa, Jani Konomi e Nuredin Skrapari, duke qenë prej kohësh në pozita armiqësore, duke i ëndërruar e punuar për përmbysjen e pushtetit popullor dhe për të qenë të përshtatshëm për atë regjim që dëshironin, por që kurrë nuk do të ia arrinin, sikurse nuk ja arritën e, nuk ja kanë arritur gjithë armiqtë e tradhtarët, kanë sabotuar rëndë ekonominë tonë popullore, në një nga sektorët e saj më të rëndësishëm siç ishte Nafta e Gazi, lëndë kryesore e parë për industrinë, për mbrojtjen dhe për gjithë ekonominë.
Gjykimi i çështjes duke vërtetuar plotësisht të dhënat hetimore nxori në pah, se ky grup armik e sabotator, ka sabotuar tërësisht zbatimin e Vendimit të Byrosë Politike të Komitetit Qendror të Partisë për Naftën, Nr.154 datë 10.11.1967, ka sabotuar zbatimin e Vendimeve të Kongresit të 6-të të Partisë, konkluzionet e Byrosë Politike të Komitetit Qendror të Partisë, për industrinë e Naftës dhe Gazit të vitit 1970, si dhe vendimin e Këshillit të Ministrave Nr.38 datë 5-6 Mars 1970, nxjerrë posaçërisht për problemet e Naftës dhe Gazit.
Industrinë e Naftës dhe të Gazit në vendin tonë, por shkak të rëndësisë të madhe të saj për mbrojtjen e lirisë e pavarësisë së vendit dhe për zhvillimin e ndërtimin e bazës materialo-teknike të socializmit edhe më parë e kanë goditur e sabotuar si revizionistët jugosllave, armiqtë e brendshëm Tuk Jakova e Panajot Plaku, ashtu dhe në vitet pesëdhjetë, revizionistët sovjetikë.
Provat e administruara vërtetuan se grupi sabotator i kryesuar nga Filip Nashi dhe me bashkëpunëtorë Beqir Alinë, Koço Plakun, Protoko Muratin, Milto Gjikopullin, Dhimitër Stefin, Jani Konomin e Nuredin Skraparin, duke njohur strategjinë e Partisë sonë për naftën, për ta bërë atë një armë në duart e shtetit të diktaturës së proletariatit, për ndërtimin e socializmit dhe për mbrojtjen e tij nga rreziqet që i turren nga rrethimi i egër imperialisto-revizionist, goditën pikërisht këtë strategji me qëllim që të dobësonin ekonominë e vendit, fuqinë mbrojtëse të Atdheut tonë socialist, për të patur mandej rrugë të lirë për veprimtarinë e tyre të mëtejshme armiqësore.
Vetë të pandehurit me gojën e tyre pohuan se duke sabotuar; “kanë patur për qëllim të dobësojnë ekonominë, të diskreditojnë detyrat e Kongresit të VI-të për Naftën; të dobësojnë fuqinë mbrojtëse të vendit dhe pushtetin popullor”… duke shpresuar, siç deklaroi i pandehuri Filip Nashi; “në ndryshimin e situatës dhe si revizionistë, të ishin të përshtatshëm edhe për situatën e ardhshme.
Mbështetur në faktet e shumta në veprimet konkrete të grupit armik e sabotator në Naftë, në atë ç’ka vetë pjesëmarrësit e tij pohuan, del qartë se veprimtaria e tyre sabotuese, ishte vazhdim i veprimtarisë së mëparshme armiqësore e sabotuese, të kryer në industrinë e Naftës dhe Gazit dhe sidomos vazhdim i drejtpërdrejtë i punës armiqësorë e sabotuese të kryer në këtë sektor të rëndësishëm, nga revizionistët hrushovianë.
Gjithashtu nga provat e administruara u vërtetua plotësisht, se veprimtaria armiqësore e grupit sabotator të Naftës, është e lidhur ngushtë dhe e nxitur direkt nga elementët udhëheqës armiq që kishin zënë vend në Komisionin e Planit të Shtetit dhe në Ministrinë e Industrisë e Minierave dhe përbën një nga hallkat e komplotit të madh, që ka patur për synim përmbysjen e pushtetit popullor dhe të socializmit në vendin tonë.
Kështu kjo veprimtari armiqësore-sabotuese, siç vërtetuan të dhënat e procesit hetimor dhe atij gjyqësor, është e lidhur ngushtë me veprimtarinë armiqësore dhe antiparti të zhvilluar në vendin tonë gjatë viteve të fundit në fushën e ideologjike, në veprimtarinë armiqësore, komplotistë e puçistë në ushtri, të kryesuar nga Beqir Balluku, Petrit Dume e Hito Çako.
Fakti që të pandehurit Filip Nashi e Beqir Alija, duke shkelur në mënyrë flagrante e në paramendim vijën e Partisë dhe orientimet e saj e të Qeverisë, në drejtim të disiplinimit dhe administrimit të literaturës së huaj, kanë porositur e kanë lejuar të hynë në sistemin e Naftës, libra e revista me përmbajtje armiqësore borgjezo-revizioniste, në disa prej të cilave flitet haptazi kundër Partisë Punës Shqipërisë dhe Republikës Popullore të Shqipërisë, të cilët janë lëndë për përdorim të lirë!
Fakti që këta të pandehur dhe të tjerët si; Koço Plaku, Milto Gjikopulli e Protoko Mrati, kanë përkthyer e komentuar artikuj të revizionistëve të ndryshëm dhe kanë shkruar e botuar artikuj të tyre me përmbajtje armiqësore tregon por atë që veprimtaria e tyre për të çoroditur mendjen e naftëtarëve dhe sidomos të specialistëve, për t’i larguar ata nga ideologjia marksiste-leniniste e klasës punëtore, është vazhdimi i veprimtarisë armiqësore e antiparti të zhvilluar në fushën e artit e të kulturës.
Gjithashtu: fakti që Beqir Balluku në takimet e shpeshta me armikun Piro Gusho dhe me të pandehurin Pilip Nashi, ishte interesuar për “zhvillimin e industrisë së Naftës”, ka dhënë porosi, d.m.th., ka kërkuar sabotimin e saj, duke u shprehur për “hapjen e rubinetave të duzave”, për “marrjen e prodhimit gjatë vitit, pa menduar për perspektivën, se për atë mendojnë brezat e ardhshëm”, se;
“Lipen e kishin në shtabin e tyre”, se “Lipja duhej të mbështetej tek Beqir Alija” etj., dhe se, siç pohoi vetë i pandehuri Filip Nashi, ai ka zbatuar porositë e dhëna, d.m.th. ka sabotuar, tregon bindësisht lidhjen e ngushtë të veprimtarisë sabotuese në Naftë, të kryer nga grupi sabotator të kryesuar nga Filip Nashi dhe me bashkëpunëtorët Boqir Alija, Milto Gjikopullin, Koço Plakun, Protoko Muratin, Dhimitër Stefën, Jani Konomin e Nuredin Skraparin, në veprimtarinë komplotiste të puçistive në ushtri. / Memorie.al
Vijon numrin e ardhshëm
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016