Dashnor Kaloçi
Pjesa e dytë
Memorie.al/ publikon disa dokumente arkivore të nxjerra nga institucioni i Autoritetit për Informimin e Dosjeve të ish-Sigurimit të Shtetit, ku ndodhet dosja voluminoze (formulare, hetimore dhe gjyqësore), e Myrteza Bajraktarit me origjinë nga Gostivari, i cili pasi mbaroi shkollën e mesme në qytetin e Tetovës, në vitin 1952. Filloi studimet e larta në Universitetin e Shkupit, në degën e Filozofisë, ku krahas mësimeve ai u punësua edhe si gazetar në gazetën “Flaka e Vllaznimit” që botohej në Shkup, nga ku e largojnë shpejt, pasi botoi një artikull ku dilte hapur kundër shpërnguljes së shqiptarëve të Jugosllavisë, për në Turqi dhe si rezultat, u emërua si mësues në shkollën 7-vjeçare “Shaban Zeneli” të Kumanovës. Arrestimi i Myrtezait nga UDB-ja në vitin 1952, pasi ai bënte pjesë në një organizatë të fshehtë të quajtur, ‘Organizata Nacional-Demokrate Shqiptare’ dhe dënimi i tij me shtatë vite burg politik, të cilat i vuajti në burgun e Nishit dhe të Idrizovës. Arratisja nga Jugosllavia dhe ardhja në Shqipëri, ku pasi qëndroi disa kohë në kampin e internimit në Seman të Fierit, i’u dha e drejta e shkollës së lartë, duke u diplomuar në Universitetin e Tiranës. Në vitin 1971, arrestohet dhe dënohet me shtatë vite burg politik, me akuzën “agjitacion e propagandë”.
Dokumenti me proces-verbalin e marrjes në pyetje të Myrteza Bajkaktarit, nga ana e hetuesit të Ministrisë së Punëve të Brendshme, kapiten Sali Shatri, në ‘Qendrën e Infiltrimit të shtetasve jugosllav’ në Shijak, më 20 korrik 1962
PROCES –VERBAL
Shijak me 23/8/1962
Unë Hetuesi i Ministrisë Punëve të Brendshme, Kapiten Sali Shatri, mora në pyetje thyesin e kufirit shtetasin Jugosllav Myrteza Bajraktari, i cili deponoj:
Pyetja: Na thoni itinerarin që keni ndjekur që nga vendi i nisjes për arratisje?
Përgjigje: Unë qysh në burgun e Idrizovës, kam vendos për t’u arratisur për në Shqipëri, ka qenë viti 1960, më vonë për këtë vendim, kam biseduar në pranverë të vitit 1961, me Hamdi Ajdinin, nga katundi Verbjanë i Mavrovës. Kemi vendos që posa të lirohemi nga burgu që të dy, Hamdiu të më përcjelli për Shqipëri, se e dinte rrugën dhe atëherë e kishte vendos edhe ai, të arratiset me mua në Shqipëri.
Në 20 Janar 1962, unë u lirova nga burgu me kusht, siç kam shpjegue në deklaratën time të mëparshme dhe Hamdiu mbeti në burg. Mbas lirimit tim, unë gjithnjë kam mendue të arratisem. Hamdiu, doli nga burgu me datën 1-2 Maj 1962 dhe neve qysh në burg, kishim bisedue me Hamdiun, se kur të lirohet me datën 5 Maj 1962, të vinte dhe të takohemi në shtëpinë time në Gostivar.
Nga data 10 Qershor 1962 dhe deri me datën 16 Qershor 1962, unë kam ndenjë në Shkup dhe kam bisedue me Adnan Again, të cilit i kam tregue se do arratisem për Shqipëri, pa i tregue datën. I thashë Adnanit, t’i bënte të fala Sheraf Agait dhe t’i thonte se më vjen keq, që nuk u takova për herë të fundit.
Më datën 15 Qershor 1962, sipas një bisede, që kishim bërë më përpara për planin tonë të arratisjes, u takova në Shkup me Bektesh Ismailin, ku biseduam dhe i tregova, se do të nisemi për arratisje të nesërmen, me datën 16 Qershor 1962.
Ishte ora 7.00 e mëngjesit kur u takova me Bekteshin dhe dolëm të shëtisnim në park, duke biseduar se si do të iknim, më vonë shkuam në katundin Nerez, afër Shkupit 3 km.
Arsyeja që shkuam, ishte se Bektashi kishte një kushëri të vetin me emrin Xhemal, ai kishte një revole pa leje dhe neve mendonim të ja vidhnim, por ai nuk ishte në shtëpi dhe plani ynë dështoi. U kthyem përsëri në Shkup me autobus. Dolëm në pazar me ble një valixhe, për rrobat që do të merrnim më vete.
Në datën 16 Qershor 1962 ora 7.00 erdhi Bekteshi dhe së bashku me të, vendosëm që të nisemi nga Shkupi me autobus. Unë të nisem me autobusin e orës 9 ose 9.30, që shkon nga Shkupi në Gostivar. Ndërsa Bektashi, do nisej me autobusin e orës 14.00, që të çon nga Shkupi në Dibër. Kështu u vendos, për arsye që mos të na shohin të dyve së bashku.
Biletat i morëm secili më vete në oraret përkatëse. Në orën 9-9.30 jemi ndarë me Bekteshin në stacionin e autobusit, unë kam marrë biletën 390 dinar, deri në Gostivar dhe u nisa për në Gostivar. Rrugës për në shtëpi, afër një ëmbëltoreje ishte duke më pritur Hamdi Ajdini, me të cilin kishim bisedue më përpara dhe kishim lënë takimin në shtëpinë time, në datën 16 Qershor 1962.
Hamdiu më tha se nuk kishte mundur të bindte familjen e tij, që ky të arratisej për në Shqipni, por më tha se do të të shoqëroj deri në kufi. Në orën 16.00 hipëm në autobus, aty brenda ishte edhe Bekteshi, që ishte nisur nga Shkupi, u bashkuam të tre duke mos folur me njëri tjetrin, unë me Bekteshin u përshëndetëm. Udhëtuam nga Gostivari deri në Mavrovë, aty autobusi u ndal pak, u ndal edhe Zhirovincë.
Në Vitushe zbritëm të gjithë, unë Bekteshi dhe Hamdiu, kaluam urën dhe u futëm në një rrugicë në pyll. Këtu në pyll ndenjëm 30 minuta, më pas ecëm rrugës së makinës dhe më pas u futëm përsëri në pyll, hapëm valixhet dhe ndamë plaçkat dhe valixhen e lamë në pyll, pritëm sa u ngrys. Ecëm deri tek mullini dhe nga aty, shikonim ndërtesat ku banojnë oficerët e ushtrisë dhe banesat e ushtarëve të kufirit.
Më pas kemi ecur rrugëve të pyllit me interval duke pushuar nga pak, mbasi kaluam pyllin, dolëm në do lugina e kodra, nga ku duket Korabi mirë. Aty kemi pa një vijë uji, pimë ujë dhe pushuam pak. Kemi ecur në drejtim të Korabit rreth 2 orë dhe mandej kemi arritë te një vend, prej nga dukesh posta e kufirit Jugosllav e prishur, e ndërtuar në kohën e Kralit.
Përsëri kemi ecur në drejtim të grykës së Korabit. Pasi ecëm gjatë, Hamdiu printe i pari dhe ai pa dritat e Peshkopisë dhe na bëri me shenjë të kalojmë, kur u bashkuam Hamdiun, na tha se tash jemi në territorin e Shqipërisë.
Mbasi dolëm në kufi, Hamdiu na tha se këtu asht territor Shqiptar dhe na përcolli edhe 100 m. në thellësi, na tregoi se nga do shkonim dhe të arrinim në një katund, emrin e të cilit e kam harue. Kështu u përqafuam, ishte ora 1.30 mbas mesnate.
Neve duke zbrit poshtë, na takoi ushtria dhe na mori në dorëzim.
THYESI I KUFIRIT Hetuesi
Myrteza Bajraktari Kapiten Sali Shatri
Dokumenti me proces-verbalin e marrjes në pyetje të Myrteza Bajkaktarit, nga ana e hetuesit të Ministrisë së Punëve të Brendshme, kapiten Sali Shatri, në ‘Qendrën e Infiltrimit të shtetasve jugosllav’ në Shijak, më 24 gusht 1962
PROCES-VERBAL
Shijak më 24.8.1962
Unë hetuesi i Ministrisë së Punëve të Brendshme, Kapiten Sali Shatri mora në pyetje thyesin e kufirit, shtetasin jugosllav Myrteza Bajraktari, i cili deponoi:
Pyetje: Na thoni cilin nga farefisi të njohur nga rrethi shoqëror i juaj, keni ose njihni këtu në Shqipëri, qofshin këta të ardhur prej kohësh ose të ardhur më vonë si emigrantë nga Jugosllavia?!
Përgjigje: Unë nga farefisi im në Shqipëri, kam një kushëri të dytë, të nënës i quajtur Nuri Aruçi, nga katundi Vrapçisht i Gostivarit. Nuriu ka ardhur në Shqipëri në vitin 1944, për shkak se donin t’a pushkatonin, sepse ka qenë tregtar në Gostivar. Se ku ndodhet ai këtu dhe se çfarë pune bën, unë nuk e di.
Në Vrapçisht ai ka gruan dhe një vajzë e ka të martuar në Gostivar. Ajo quhet Shefike dhe është martuar, me një mekanik me mbiemër Hanxhiu. Nuriu ka një vëlla të quajtur Melik Aruçi, që punon si shitës në Vrapçisht.
Nga farefisi im njeri tjetër në Shqipëri, nuk kam. Ndërsa nga miqtë e babës, në Shqipëri kam këta persona:
- Shefqet Tulheku, me origjinë nga Kosova dhe banues në Tiranë. Se me çfarë merret dhe se ku banon, saktësisht unë nuk e di. Ka qenë në shtëpinë tonë në vitin 1943. Unë s’dij asgjë për të. Miq të babës kam shumë në Shqipëri por emrat nuk ja di. Di se ka miq në Krujë, Elbasan dhe Kavajë. Tërë miqësia e babës, ka qenë e lidhur nga “Bektashizmi” nga Teqeja e Tetovës. Nga rrethi im shoqëror në Shqipëri, kam këta njerëz:
- Myzafer Afce nga Gostivari, ardhur në Shqipëri në vitin 1957, me dokumenta të rregullta. Atë e kam pasur shok fëmijërie. Myzaferi, erdhi me gjithë familjen në Shqipëri, se nuk e donte regjimin jugosllav. Unë, në kohën që ka ardhur në Shqipëri Myzaferi, kam qenë në burg. Myzaferi në Jugosllavi, ka qenë patriot dhe nacionalist i flakët.
Ai, ka dhe një vëlla në Shkup të quajtur Telat, që punon në redaksinë “Flaka e Vëllazërimit”. Telati është një njeri dhelpër dhe agjent i UDB-së. Myzaferi, është i martuar, por unë nuk e di nëse ka fëmijë. Myzaferi ka një motër të martuar, me një oficer të ushtrisë shqiptare me gradën kolonel. Emrin e burrit të motrës së tij, unë nuk e di.
Myzaferi ka këtu, vëllain tjetër Mit’hatin të pamartuar dhe ai mban qëndrim shumë të mirë. Myzaferi ka në Shqipëri, një motër të martuar të quajtur Nezafet, nënën e quajtur Sofie, që është rreth 60 vjeç, si dhe gruan e tij, emrin e së cilës unë nuk e di. Këta jetojnë në Tiranë dhe lidhja ime me to, është se unë kam qenë shok i ngushtë i Myzaferit.
- Sami Lameja, nga Shqipëria. I lindur këtu por i zhvendosur, nuk e di se ku. Samiu ka qenë arsimtar në Tetovë dhe Gostivar në vitet ‘40. Siç flitej atje, UDB-ja ka dashur që ta dërgojë në Shqipëri si shtetas shqiptar. Ai nuk ka pranuar, dhe më pas atë e dëbuan nga Jugosllavia. Samiu e kam pasur profesor në Tetovë në shkollën ‘Normale’.
Ai, ka qenë martuar me një mësuese nga Dibra, vëllain e së cilës e kam shok dhe quhet Nehat Belçishta. Gruan e ka marrë me vete këtu dhe kanë një fëmijë. Samiu, jeton në Tiranë dhe është profesor i Pedagogjikes.
- Ahmet Pere, nga Korça. Ka qenë arsimtar në Gostivar, në vitet ‘40. Deri në vitin 1948 kur u burgos, ka qenë simboli i arsimit në Gostivar. Ai u dënua me 18 vjet burg, si përkrahës i Informbyrosë. U lirua në vitet 1956-‘57 dhe menjëherë erdhi në Shqipëri. Gruan e parë e ndau.
Unë kam pasur për disa kohë si grua, kunatën e tij. Vajzën Samiu, e mori me vete dhe ajo quhet Lirie. Me Ahmetin, unë dhe e gjithë familja ime, ka pasur shoqëri. Tani ai ndodhet në Tiranë, por adresën e saktë nuk e di.
- Rexhep Rexha nga Dibra e Madhe. Unë me të jam njohur në vitin 1950 dhe më pas në vitin 1957, kemi pasur miqësi në burgun e Idrizovës. Ai u dënua dy herë, për shkak se kishte mbajtur qëndrim nacionalist, karshi jugosllavëve.
Ka ardhur nga Jugosllavia në Shqipëri, në vitin 1957, kur u lirua nga burgu. Njeri tjetër nga rrethi im shoqëror në Shqipëri, nuk kam. Njoh në Shqipëri dhe këta persona, që kanë ardhur me dokumenta të rregullta nga Jugosllavia.
- Mahmut Dumani, është nga Elbasani. Mahmuti, ka pasur shtetësi shqiptare dhe është riatdhesuar, me gjithë familjen në vitet 1955-‘56. Ai ka shërbyer si arsimtar, në vitet ‘40 në Kërçovë dhe Shkup. Dumani, në vitet 1945-‘46, u arrestua dhe u dënua si pjesëtar, i një grupimi nacionalist shqiptar.
E kam njohur kur u lirua në vitin 1951, por miqësi me të, nuk kam dhe se di se ku banon. Ka pasur qëndrim të mire, se ishte kundërshtar i regjimit jugosllav. Kam dëgjuar që kanë ardhur në Shqipëri, në rrugë legale, por as nuk i njoh dhe as më njohin, këta persona:
- Pjetër Kavaja, 2. Josif Todi, për Josifin, s’jam i sigurt nëse është në Shqipëri, apo se ka shkuar në ndonjë vend tjetër. Ndërsa nga të arratisurit nga Jugosllavia për në Shqipëri, njoh këta persona:
- Alisan Çokun, nga Gostivari. Arratisur nga Jugosllavia në vitin 1949. Arsyeja e arratisjes së tij për në Shqipëri, është se ky ka qenë shoku i Sali Lisit dhe Ahmet Peres. Alisani, ka qenë funksionar i partisë, për qytetin e Gostivarit. Se ku jeton ai tani, unë nuk e di por flitet se është në kampet e përqendrimit.
Besoj se këto lajme të rreme i jep vetë UDB-ja, me qëllim që të mos arratisen shqiptarë të tjerë. Vëllai im ka pasur shoqëri me të. Alisani ka dhe një motër e cila, e vuajti shumë arratisjen e tij, aq sa kur kjo u kthye nga internimi, nga vajzë e re, dukej si plakë e moshës së kaluar.
- Hadi Gashin nga Gostivari. Dhe ky është arratisur me Alisan Çokun në vitin 1949. Familja e tij kishte ndikim në Gostivar. Unë shoqëri me të nuk kam pasur, por kam marrë vesh që gruaja e tij, është rimartuar. Se ku ndodhet tani Hadiu unë, nuk e di. Persona të tjerë, që janë arratisur nga Jugosllavia unë, nuk njoh. Kam dëgjuar që janë arratisur për në Shqipëri dhe këta persona:
- Kapllan Kaloshi nga Mali i Zi. Personalisht unë nuk e njoh. Vetëm një herë e kam pare, kur ishte ushtar në Shkup. Mesa di unë ky ka qenë shkrimtar. Shokët më kanë folur se ky ka qenë i dënuar në burgun e Idrizovës, si kundërshtar i regjimit titist. Shokët si Raif Malaziu, Sheraf Agai, Adnan Agai, etj. thonë se ka mbajtur qëndrim të mirë në burg.
Kam dëgjuar se ky ka një vëlla oficer, në këmbësorinë jugosllave. Kapllani u arratis në vitin 1959, pasi nuk ka mundur të durojë politikën jugosllave. Ai njihet mirë me dhëndrin tim, Mehmetali Hoxhën, por unë gjë tjetër, nuk di për të.
Njerëz të tjerë me emra që janë arratisur për në Shqipëri, nuk njoh. Di se kanë ardhur mjaft por emrat nuk ja u di. Procesverbali mbasi mu lexua, dhe pashë që thëniet e mia janë shkruar drejt, e firmosa atë faqe për faqe pa pasur ndonjë kundërshtim. Memorie.al
Thyesi i kufirit Hetuesi
(Myrteza Bajraktari) Kapiten (Sali Shatri)
Vijon numrin e ardhshëm
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016