Nga Irhan Jubica
Pjesa e dytë
Memorie.al / Pikëpyetje, shumë pikëpyetje? A janë hedhur me të vërtetë në Drin eshtrat e Gjergj Fishtës? A mos kjo histori është më shumë një legjendë, që për shkak të ndjeshmërisë së publikut, rezultoi më funksionale se ajo letrarja e vitit 1963, me protagonistë një gjeneral dhe një prift? A është e mundur që i njëjti dëshmitar, të ketë qenë i pranishëm edhe kur është dhunuar varri, që sipas një varrmihësi, ka qenë rreth dy metër larg pllakës së mbishkruar, edhe kur janë futur eshtrat në thes, edhe kur janë ngarkuar në karro edhe kur karroja ka ecur përgjatë qytetit nëpër një rrugë rreth 3 km. deri në Drin?! Drini qarkon një pjesë të mirë të Shkodrës, ndaj në ç’vend janë hedhur në Drin? Në ç’datë? Në ç’orë? Kush tjetër ishte dëshmitar? Cilët ishin varrmihësit? Po karrocieri? A e dinin varrmihësit se për çfarë po gërmonin? Po karrocieri, a e dinte se çfarë po hidhte në lumë? Kush i urdhëroi të gjithë këta njerëz? Po sikur eshtrat e Fishtës të mos jenë hedhur fare në lumë, por të jenë fshehur diku tjetër?!
Është e qartë se përderisa bëhet fjalë për periudhën nga vitet 1945 e në këtej, pjesa më e madhe e emrave të akuzuar prej Padër Konrrad Gjolajt, kanë vazhduar ta udhëheqin deri në fund luftën kundër fesë, pra edhe mbylljen e kishave e të xhamijave. Ndryshe nga anonimi i dhjetorit 1990, që citon Zef Pllumi, Konrrad Gjolaj, nuk përmend emrin e Bilal Parrucës, një figurë aktive në jetën partiake, shoqërore, madje edhe gazetareske, në Shkodrën e atyre viteve, por shtimi i këtij emri, nuk përjashton mundësinë që dhunuesit e varrit të Fishtës, të jenë disa prej emrave të lartpërmendur.
Edhe konfirmimi apo hedhja poshtë e kësaj hipoteze të mbështetur në fakt, në një taban të qëndrueshëm, i takon gjithashtu të ardhmes, meqenëse së tashmes, dëshmitarët kanë vendosur t’ia mbyllin gojën. Prej kohësh, jo vetëm në “gazetën gojore të Shkodrës”, qarkullon një variant sipas të cilit, dy burra të së njëjtës familje, me të njëjtin mbiemër, kanë kryer zhvarrimin dhe hedhjen e eshtrave në Drin. Por këto dy burra, mbajnë mbiemrin e një prej anëtarëve të Kuvendit të Shqipërisë.
Pushteti i politikës, jo vetëm në Shqipëri, ka mbytur të vërteta dhe njerëz të mëdhenj, ndaj pyetjes se; a janë emrat e të akuzuarve nga kjo “gazetë”, në listën e mësipërme, apo ato emra ruhen, jo vetëm prej politikës, por ndoshta edhe për arsye të reputacionit të besimit, më saktë se askush tjetër, mund t’i përgjigjet dëshmitari i vetëm publik i zhvarrimit, F. Topalli, i cili flet nëpërmjet shkrimit të dikujt tjetër, por pa treguar asnjëherë, se cili paska qenë ai status i tij kaq i fuqishëm, që i ka mundësuar praninë që në momentin e dhunimit të varrit e, deri në hedhjen diku në Drin, të eshtrave të Gjergj Fishtës, ndoshta në njërën nga ditët e para të prillit të largët, 1967?!
Po në këtë qytet, një ish-punëtor, kërkon shpërblim të majmë për të treguar vendin, ku sipas tij, janë fshehur eshtrat e Fishtës, që ai pretendon se nuk janë hedhur në Drin. Se sa të drejtë ka në pretendimin e vet ky njeri, ndoshta nuk ka për t’u mësuar asnjëherë, jo vetëm se që prej 16 vjetësh, ai nuk ka gjetur njeri t’ia blejë të vërtetën e tij, por dhe se ky variant është hedhur në treg, kohë më parë, nga njerëz me kredibilitet të dyshimtë e, me qëllime aspak të qarta.
Kadare, viziton varrin e Fishtës
Në njërën nga ditët e para të prillit të vitit tonë 2007, Ismail Kadare, ka vizituar privatisht Kishën Françeskane në Shkodër. Ndoshta është rastësi që kjo vizitë, bëhet në 40-vjetorin e ndalimit të fesë, kohë që shënon edhe dhunimin e varrit të Gjergj Fishtës, por Kadare, mund të ketë dashur të përkujtojë pikërisht atë ngjarje, me mikun e tij të ri, Zef Pllumi. Drejtuesi i Bibliotekës së mrekullueshme Françeskane, xhakoni Viktor Demaj, nuk e mohon ardhjen e Kadaresë te françeskanët, por kujdeset që ta distancojë kishën, duke e quajtur thjeshtë, si; “një vizitë private, për Atë Zef Pllumin”.
Fra Viktori, që pret të shugurohet meshtar sivjet, nuk dëshiron të tregojë asnjë detaj nga vizita, edhe pse dihet se përveç shëtitjes në ambientet e ish-kinema “Punëtorit”, Kadare ka pasur, gjatë ndenjes njëditore, edhe një drekë të konsideruar “pune”, me disa bashkëpunëtorë të afërt të Klerit Françeskan në Shkodër, e ndonjë të ftuar tjetër. Ka zëra që duke u nisur nga dashuria e re e shkrimtarit Kadare për katolicizmin, flasin për mundësinë e konvertimit në të krishterë, ashtu siç thuhet se mund të jetë shndërruar një tjetër lider shqiptar, vite më parë.
Mbështetësit e kësaj teze, e paraqesin këtë veprim të mundshëm të shkrimtarit, si një sakrificë që Kadare është i gatshtëm të bëjë, për të dëshmuar para botës, prirjen dhe identitetin perëndimor të kombit që përfaqëson. Për motive që nuk dihen, vizita u mbajt sekret, larg mediave dhe opinionit, por mësohet se kujdestarët e kësaj vizite, e kanë dëmtuar karakterin pozitiv të pelegrinazhit të Kadaresë në Kishën e Fishtës, me ndërhyrjet tejet të zellshme, për të ruajtur fshehtësinë. Megjithatë, për këtë vizitë, është folur mjaft në opinion.
Kush ia bëri varrin Fishtës?
Në pllakën përkujtimore, në të majtë të Kishës Françeskane, shkruhet një tjetër datë e rivarrimit të eshtrave të Fishtës, nga ajo që shkruajnë kronikat e pakta të kohës, të cituara më sipër.
Megjithatë, tepër i çuditshëm është fakti, se prej 4 nëntorit 1990, të mbajtjes së meshës së ringjalljes në Rrmaj, ose prej mbrëmjes së dhjetorit ’90-të, kur “anonimi” konfirmoi dhunimin e varrit, ose prej vitit 1991, kur u krijua shoqata me emrin e poetit, ose prej vitit 1993, kur Kisha Françeskane po rikonstruktohej e, deri më 13 nëntor 1995, “mbas dy vjet punimesh, kur i erdh radha me u shtrue dyshemeja e kishës me rrasa mermeri”, nuk u bë asnjë përpjekje, për gjetjen e eshtrave të Gjergj Fishtës?!
Janë pesë vjet të gjatë, që në rrëfimet e disa françeskanëve që kanë shkruar me shumë pasion për Fishtën, mbushen me shkrime gazetash. Zef Pllumi thotë se; shteti shqiptar “demek-demokratik”, e bëri veshin shurdh përpara kërkesës së tij, për ndihmë në gjetjen e varrit, që ai vetë shkruan se ia ka hapë Fishtës, natën e akullt, të 31 dhjetorit 1940.
Por Pllumi, i cili pretendon se lajmin për dhunimin e varrit të Fishtës, e mësoi nga një “anonim”, vetëm në vitin 1990, nuk thotë se cilat ishin “hienat”, që mund të silleshin rreth varrit të Fishtës edhe mbas vitit 1993, kur në Kishën, çelësat e së cilës i kishte Cavallini, punohej për restaurimin edhe nga dëshmitari i 1967-ës, i mbikqyrur madje nga një Topall tjetër, bashkëshorti Tonç, i kryeparlamentares së ardhshme demokrate.
Edhe pse i noterizuar, proces-verbali i gjetjes së eshtrave, duket se ka përplasje me të vërtetën, më së paku, për sa i takon datës. Gërmimet kanë filluar me dt. 13 nëntor, e në “Françeskanët e mëdhaj”, shkruhet se; “N’e nesre gërmimet vijuen përsëri. U gjet … nji copë nga petku fetar (stola)…”, ndërsa proces-verbali që daton 13 nëntor 1995, e përfshin në listën e objekteve të gjetura, edhe stolën, krahas kockave të tjera, falangave, karpeve e metakarpeve, ndoshta të dorës së majtë të Fishtës, duke pasur parasysh vendvarrimin.
Pllumi shkruan se; skulptori i monumentit të vetëm të Fishtës, Pjerin Kolnikaj, është edhe autori i projektit të varrit, të realizuar me materiale mermeri, me shkronja bronzi. Pa iu nënshtruar asnjë analize shkencore, eshtrat e gjetura 2 m. nën dhè, bashkë me protagonistët që u grupuan në një komision të posaçëm, pritën deri më 1996. për të nderuar kujtimin e poetit, varri i të cilit i ka kushtuar shtetit, 1350 dollarë.
Duke kërkuar një; “Pse”?
Më kot, Ernest Koliqi, një vit përpara dhunimit të varrit të Fishtës, shkruan nga Italia: “Kush dënon Fishtën, don t’asgjâsojë frymën e lidhjes së Prizrendit, mohon idén qenësore të rilindjes shqiptare. Kush don me i a vorrue veprën në humnerë të harresës, kapërdin faktorët historikë e gjeografikë, që përbâjnë arsyen qênjeje së nji Shqipnije shqiptare”.
Më vonë, Zef Valentini nuk do të mjaftohej me habinë për vazhdimin e sulmeve, por do t’i kërkonte “gati zyrtarisht” shtetit shqiptar, ta rivlerësonte Fishtën, duke u bërë ndër të parët që kuptuan arsyet e dënimit të poetit: “Si mundet vallë… që regjimi i Hoxhës dhe i Shehut, e kanë dënuar me ostracizmin më të egër?
Ata s’janë aspak as njerëz të ditur, as mendimtarë të shkëlqyer, por vetëm të pajisur me nuhatje e dinakëri, cilësi këto mëse të zakonshme në Shqipëri. E vërtetë është se dëshmia e parë e fushatës antifishtjane, qe ndikimi i fortë serb në vitet e para të regjimit komunist; e kjo kuptohej qartë, poeti i madh kishte luftuar gjithnjë tmerrësisht synimet ekspansioniste sllave”! (“Popuj dhe misione”, 1 Prill 1972).
Kjo ide e Valentinit për sulm mbi Fishtën për llogari të jugosllavëve, mbështetet ndoshta pa dijeni të këtij teksti, edhe nga “cërnagorasi” Kapllan Resuli, i cili në; “Fishta dhe të tjerë”, e akuzon Fishtën për antimalazez e antiserb, duke shkruar: “…[Fishta] impenjohet për t’i indoktrinuar shqiptarët me urrejtje, ndaj sllavëve-ortodoksë në përgjithësi, e ndaj cërnagorasve në veçanti…”!
Në atë kohë “për fat”, nuk ishte botuar ende ditari i gruas së konsullit austriak, gjatë rrethimit të Shkodrës, von Zambur, ku ajo shkruan: “20 mars 1913, e enjte, … sot pasdreke isha te Marta (familja e kapedanit të Mirditës, Prenkë Bib Doda, Shënimi im, I.J.), ku takova fratin françeskan Fishta, i cili u shkreh me tërë rreptësi, kundër malazezëve, kundër barbarizmave të këtij shteti, që e mban veten si “komb i civilizuar”, sepse akuzuesit do të kishin pasur një “provë” më shumë.
Ndërkaq, një tjetër autor kujton se akuza të këtilla ndaj Fishtës, janë bërë që në vitet e para të atij që quhet “çlirim” i vendit. Shtypi katolik botëror, shkruan se menjëherë pas nënshkrimit të një traktati miqësie të Shqipërisë me Jugosllavinë, “Lahuta e Malcisë”, u konsiderua “vepër anti-sllave” dhe u ndalua.
A mund të thuhet pra, se për shkak të këtyre akuzave, që i bëheshin Fishtës herë-herë edhe nga shqiptarë, ambasadori ortodoks jugosllav në Tiranën e fundviteve ’40-të, do të ishte i pranishëm, në pjesën më të madhe të gjyqeve “të popullit”, kundër klerikëve katolikë në Kinema “Rozafat”?
Konrad Gjolaj thotë se, i ka parë vetë në pushimet e seancave prokurorët dhe gjyqtarët shqiptarë, duke pirë kafe me diplomatët e Titos. Në një rast tjetër, nëpërmjet një ish-sekretareje dhe përkthyeseje të Enver Hoxhës, tregohet krenaria e diktatorit shqiptar, teksa i raporton ambasadorit jugosllav, goditjen për vdekje që i kishte dhënë katolicizmit në Shqipëri, vrasja e Anton Harapit, por diplomati i kërkon zhdukjen e Gjon Shllakut për rrënimin e plotë të françeskanëve shqiptarë. Sipas porosisë, Shllaku u dënua me vdekje, në prani të diplomatit jugosllav, të cilit Mati Prennushi, do t’i drejtohej gjithë neveri: “Heee, … Serb, o serb”!
I njëjti diplomat, është i pranishëm edhe në dënimin me pushkatim të Dedë Malajt e, burgosjen e disa të tjerëve. Miqësia me jugosllavët mori fund, për t’u hedhur në krahët e një miku tjetër sllav: Bashkimit Sovjetik, por për Fishtën, gjërat nuk ndryshuan. Duke iu referuar dashurisë së gjatë me Kinën, në mënyrë shumë kontradiktore, Zef Simoni shkruan se; pikërisht në këtë periudhë, “nisi të vlerësohet Fishta”, kur në fakt kjo kohë përkon me ethet e revolucionit kulturor, pasojë e të cilit është edhe dhunimi i varrit të poetit!
Deda, nipi i ish-sekretarit të Fishtës, Antonin Fishta, që prehet në kapelën në të majtë të altarit të Kishës Françeskane në Shkodër, nuk kujtohet ta ketë mësuar atëherë lajmin për dhunimin e varrit të Gjergj Fishtës. Ai mendon se axha i tij, i cili është një ndër klerikët, që nuk firmosën Statutin e ofruar nga qeveria për ngritjen e një modeli anglez të Kishës Katolike Autoqefale Shqiptare, të shkëputur nga Vatikani, siç kishin bërë myslimanët dhe ortodoksët, duke pranuar edhe emërimet e “kryetarëve të feve” nga shteti – mund ta ketë ditur për Fishtën, sepse shihej gjithnjë e më shumë i mërzitur, derisa edhe vdiq më 1970, i mbyllur në vetvete, por “ai nuk fliste me njeri për këto gjana”.
Megjithatë, duket shumë e çuditshme që prosllavizmi i flaktë apo i mbuluar i Tiranës (i akuzuar edhe si shkaktar i lënies së Kosovës nën Jugosllavi për 50 vjet), të ketë vendosur fatin e eshtrave të Gjergj Fishtës, poetit që vjershën e parë ia kushtoi një bashkëkombasi të Titos, “Al Valente Poeta Sign. Silvio Kranjcevic” (1892); priftit që kishte aq autoritet, sa të ndërhynte me sukses te Krajl Nikolla, duke ia shpëtuar jetën Mati Prennushit, të dënuar me varje nga serbët, për ngritjen e flamurit më 1911 në Deqiç.
Pelegrinazhi i munguar
Qysh prej dhjetorit 1940, kur u shpall si “premtim” e, deri më sot, varri i Fishtës nuk u bë asnjëherë vend pelegrinazhi, si varri i Hygoit, Kafkës. Herë-herë, duket se kjo nuk ka ndodhur për shkak të mungesës së publicitetit të kësaj ideje, por nuk janë rastet që kanë munguar. Fra Viktori, e pranon se; “krejt pak” njerëz, kujtohen të kthejnë te Fishta, kur hyjnë në Kishën Françeskane, e ndërsa numri i njerëzve që mund të vijnë enkas për varrin e poetit, është edhe më i pakët.
Ndoshta njerëzve ua bllokon rrugën, mjegulla e misterit të pakuptimtë, për fatin e eshtrave e të autorëve të këtij krimi, mjegull që nuk davaritet, por veç shtyhet tash 15 vjet, nga njëri rrëfim në tjetrin, i njerëzve besnikë të aleancës së heshtjes. Në mos në letër, në arkivat e gjalla të françeskanëve, pa diskutim janë të fotografuara të gjitha detajet dhe protagonistët e ndodhisë, që megjithatë, implikon dhe vë në dyshim edhe moralin e shtetit shqiptar, si palë që duhet të kishte ofruar hapjen e hetimeve zyrtare.
Nuk dihet nëse ndonjë përpjekje e tillë, nuk i është përkrahur shtetit, e as se ndoshta 40 vjet mbas dhunimit të përgjithshëm të fesë, sot Kisha, është e mjaftuar me marrjen o zgjerimin e disa pronave, me ndonjë ftesë nga politika e të njëjtit shtet, që ende nuk ka lypë ndjesë, për rrënimin e institucionit të besimit te shqiptarët, ashtu si kanë bërë Gjermania pas Luftës së Dytë, apo Gjon Pali II-të në emër të Vatikanit, për Kryqëzatat, e së fundi edhe serbi Tadiç, për kroatët.
Nuk mund të dihet as; nëse ndërhyrja për t’i dhënë Zef Pllumit, të gjithë titujt zyrtarë, është dirigjuar për të larë të mëkatet ndaj Fishtës, por Zef Pllumi, nuk është Gjergj Fishta. Suksesi i protagonizmit absolut të Fishtës, në shumë fusha, me siguri që meriton më shumë se barazvlerësimi me shpikësin e viagrës.
Por ndoshta problemi kësaj here, quhet pozicionim i palëve: prej rrëfimeve të deritashme për eshtrat e Fishtës, mësohet se llogorja e dëshmitarëve, është e zënë. Duhet një palë tjetër, si e akuzuar. Për këtë duhet pritur sa të zbardhë, e mandej mund të shihet se kush është në llogoren përballë; por meqë terri informativ rreth këtij fakti, mund të zgjasë, mbetet të besohet se; armiku mund të mos mësohet asnjëherë. Ose se nuk ka pasur kurrë llogore tjetër. Memorie.al
(Marrë me shkurtime, nga “Zemra Shqiptare”, 14.10.2007)