Nga Dashnor Kaloçi
Pjesa e tretë
Memorie.al / Plot 48 vite më parë, më 31 maj të vitit 1977, diku në periferi të Tiranës, në një vend që dhe sot e kësaj dite ka mbetur i pazbuluar ende, një skuadër pushkatimi e ngritur me porosi të veçantë të ministrit të Brendshëm të asaj kohe, Kadri Hazbiut, ekzekutoi me plumb pas koke, Abdyl Këllezin Koço Theodhosin, dhe Xhavit Sallakun, të cilët ishin arrestuar që në vitin 1975, të akuzuar nga Enver Hoxha, si krerët kryesorë të “Grupit sabotator në Ekonomi”. Bashkë me Këllezin e Theodhosin, ishin dënuar me edhe dy ministrat e tjerë, Kiço Ngjela (ministri i Tregtisë) dhe Vasil Kati, (ministër i Tregtisë së Jashtme), përkatësisht me nga 20 dhe 15 vjet burg politik, e gjithashtu me dënime të rënda edhe disa kuadro të lartë nga dikasteri i Ekonomisë.
Këllëzi dhe Theodhosi, ish-anëtarë të Byrosë Politike të Komitetit Qendror të PPSH-së, deputetë të Kuvendit Popullor dhe zv. kryeministra e ministra për më shumë se tri dekada me radhë, ishin ndër të pakët nga udhëheqja e lartë e PPSH-së, që kishin studiuar e ishin diplomuar në Perëndim, që nga periudha e Monarkisë së Zogut dhe po kështu, edhe Ngjela me Vasil Katin, kishin studiuar jashtë dhe ishin kthyer në Shqipëri menjëherë pas pushtimit të vendit nga Italia fashite, për t’u rreshtuar në radhët partizane, madje me funksione drejtuese. Me goditjen e këtij të ashtuquajturit “Grupi armiqësor sabotator në Ekonomi”, Enver Hoxha po godiste “trurin e Ekonomisë”, pasi nga mbarimi i luftës e deri në atë kohë, Këllezi, Theodhosi, Ngjela dhe Kati, kishin mbajtur funksionet kyçe të ekonomisë shqiptare.
Ndërsa këto gjëra tashmë janë shumë të njohura, pasi prej më shumë se tre dekadash që nga shembja e regjimit komunist, është folur dhe shkruar shumë, Memorie.al, ka siguruar disa dokumenta që i përkasin fondit të ish-Presidiumit të Kuvendit Popullor të Republikës Popullor Socialiste të Shqipërisë, i kryesuar nga Haxhi Lleshi, i cili në atë kohë mori në shqyrtim çështjen e “Grupit sabotator në Ekonomi”, në bazë të relacioneve dhe raport-informacioneve që i kishte dërguar Gjykata e Lartë e kryesuar nga Aranit Çela, e cila zhvilloi dhe procesin gjyqësor ndaj atij “Grupi”.
Përveç sa më sipër, në dokumentet në fjalë, ndodhen edhe kërkesat e Këllezit dhe Theodhosit, (me shkrimin e tyre), dërguar Presidiumit të Kuvendit Popullor, për faljen e jetës, si proces-verbalet e mbledhjeve të Presidiumit të Kuvendit Popullor, me diskutimet e Enver Hoxhës, (që ka mbajtur edhe raportin në fillim të mbledhjes) Haxhi Lleshit, Spiro Kolekës, Shefqet Peçit (dy nënkryetar të Presidiumit Kuvendit Popullor), Telo Mezinit (sekretar i Presidiumit), Jovan Bardhit, Muharrem Sefës, Nuredin Hoxhës, Pilo Peristerit, Rrapo Dervishit, Spiro Moisiut, Zina Franjës dhe Maliq Sadushit, anëtarë të Presidiumit, të cilat do i publikojmë në disa numra, bashkë me fotot e faksimilet përkatëse.
VENDIMI i KOLEGJIT PENAL TË GJYKATËS SË LARTË, PËR DËNIMIN ME VDEKJE ME PUSHKATIM, TË XHAVIT SALLAKUT, ISH-NËNKRYETAR I KOMITETIT EKZEKUTIV TË TIRANËS DHE KRYEINXHINIER I NDËRMARRJES SË NDËRTIMEVE INDUSTRIALE NË BALLSH
REPUBLIKA POPULLORE SOCIALISTE E SHQIPËRISË
GJYKATA E LARTË
KOLEGJI PENAL
NR.125.1 Rregj. Themeltar
NR.121 1 Vendimit
VENDIM
“NË EMËR TË POPULLIT”
Këshilli gjyqësor i Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë, i formuar nën kryesinë e:
Eleni Selenica – Zv. Kryetare e Gjykatës Lartë
Myftar Hoxha – anëtar i “ “
Liri Gjoliku – anëtare e “ “
në seancën e hapët gjyqësore në datë 16. IV. 1977, mori në shqyrtim çështjen Nr,125 që i përket të gjykuarit:
XHAVIT SALLAKU, I biri i Ymerit dhe i Mejremes, i datëlindjes 1929, lindur dhe banues në Tiranë, me origjinë shoqërore nëpunës i mesëm, me gjendje shoqërore nëpunës, i përjashtuar nga Partia, me arsim të lartë, i martuar, ka dy fëmijë, i padënuar më parë, me profesion inxhinier, i dekoruar me urdhrin e klasit të tretë për shërbime të shquara shtetërore e shoqërore, i arrestuar me datë 27.4.1976.
I AKUZUAR se: ka tradhtuar Atdheun në formën e spiunazhit, ka sabotuar ekonominë socialiste, duke i shkaktuar interesave shtetërore dëme të rëndësishme dhe për agjitacion dhe propagandë kundër pushtetit popullor, duke kryer kështu krimet e parashikuara nga nenet 64, 72 dhe 73/1 të K.P.
Me Vendimin Nr.67 datë 25.3.1977 Gjykata e Rrethit Fier, e ka deklaruar të gjykuarin fajtor dhe në bazë të nenit 64 të K.P., e ka dënuar me vdekje me ekzekutim me pushkatim, në konfiskimin e pasurisë, heqjen e dekoratave dhe të së drejtat elektorale për pesë (5) vjet kohë, në bazë të nenit 72 të K.P e ka dënuar me vdekje me ekzekutim me pushkatim, me konfiskimin e pasurisë, heqjen e së drejtës elektorale për pesë vjet kohë dhe heqjen e dekoratave.
Në bazë të paragrafit të I-rë të nenit 73 të K.P. e dënon me 9 (nëntë) vjet heqje të lirisë. Përfundimisht duke bërë bashkimin e krimeve në bazë të nenit 48 të K.P., e dënon me vdekje me ekzekutim në pushkatim, e konfiskimin e pasurisë, heqjen e dekoratave dhe të së drejtës elektorale për 5 vjet kohë, Detyrimin e të gjykuarit Xhavit Sallaku, që t’i paguaj N.SH.N.I Ballsh, shumën 299.984 lek.
Kundër këtij vendimi, ka bërë ankim i gjykuari, i cili ka parashtruar këto shfaqe për prishjen e tijë.
“Unë, akuzat për të cilin jam dënuar, nuk i kam pranuar për një kohë të gjatë, por nga dhuna fizike dhe psikologjike që më ka bërë hetuesi, i kam pranuar, gjëra të tilla nuk i kam bërë asnjëherë. Korrespondenca që unë kam bërë me gruan time, është e dënueshme, por ajo vërteton për pafajësinë time. Nuk është e vërtetë që unë të kem plotësuar detyrat e spiunazhit rus, nëpërmjet Piro Gushos. Dëmet që i janë shkaktuar veprës së Ballshit, janë bërë pa qëllim armiqësor, por nga pakujdesia. Konkluzionet e ekspertëve nuk janë të sakta, se ato janë mbështetur edhe në shpjegimet e mija të gënjeshtra.
Kontrolli i saldimeve në aparaturë rreze XII ultra, është bërë qysh në vitin 1973, në rezervuarët 11.000 ton, në saldimin e kolonave koksit dhe në saldimin e reaktorit dhe të gjeneratorit në 1974. Nuk janë të sakta dëmtimet e lumit Gjanicë. Në akt-ekspertizë thuhet se janë dëmtuar materiale me vleftë 77.000 lekë, sepse nuk kanë qenë ndërtuar magazinat. Kjo nuk është e vërtetë, se aq magazina sa ishin parashikuar janë përfunduar qysh në vitin 1972 dhe ato kanë qenë të mjaftueshme. Radha e ndërtimit të impianteve, është caktuar dhe marrë nga investitori. Investitori ka marrë magazinën për furnizimin materialo-teknik të objekteve kronologjike, gjë që nuk i ka realizuar duke filluar që nga viti 1973. Mund të sjellë prova që akoma ato edhe në vitin 1975, nuk ishin plotësuar. Përfundimisht kërkoj prishjen e vendimit dhe të dënohem për pohimet e mija të gënjeshtra”:
KËSHILLI GJYQËSOR I KOLEGJIT PENAL TË GJYKATËS SË LARTË
Pasi dëgjoi relacionin e anëtares Liri Gjoliku, mendimin e prokurorit Skënder Breca, që u shprehën për lënien në fuqi të vendimit dhe pasi shqyrtoi çështjen në tërësi,
VËREN
Është vërtetuar se i gjykuari Xhavit Sallaku, ka kryer krimin e tradhtisë ndaj Atdheut në formën e spiunazhit, ka agjituar dhe propaganduar për minimin dhe dobësimin e shtetit të diktaturës së proletariatit dhe me anë të sabotimit, ka dëmtuar bazën ekonomike të rendit tonë shoqëror, në masën 299.984 lekë.
Në kundërshtim me sa ka pretenduar i gjykuari Xhavit Sallaku, në kërkesat e tij ankimore, fajësia e tijë është vërtetuar në thëniet e dëshmitarëve Dhionis Çonçe, Xhavit Muharremi, Zenel Baho, Fejzo Bino, Pandeli Stroni, Rodolf Konomi, Spiro Sofroni, Hasan Hasani, Marko Malaj etj., në dokumenta, në korrespondencën që ai ka bërë me bashkëshorten e tija, Ira Sollaku, gjatë kohës që ka qenë në dhomat e izolimit, nga përmbajtja e të cilave del veprimtaria e tija armiqësore, në konkluzionet e ekspertëve teknik, ai edhe në pohimet e tija të plota, të bëra si gjatë hetimit, po kështu dhe gjatë gjykimit të çështjes.
Nga materialet që ndodhen në dosje dhe që i ka administruar gjykata, ka rezultuar e provuar, në vjetin 1949, ka shkuar për studime në Bashkimin Sovjetikm në qytetin e Leningradit dhe atje në vitin 1952 dhe atje është vënë në shërbim të Zbulimit Sovjetik, nëpërmjet profesorit kujdestar Pavël Mihailloviç. Fillimisht ky i gjykuar, i ka dhënë Zbulimit Sovjetik të dhëna nga qëndrimi dhe mendimin që kanë patur studentët e huaj që studionin, bashkë me të, midis tyre ai ka denoncuar një student Korean, i cili ka thënë se Bashkimi Sovjetik, nuk i ka dhënë Koresë ndihmë të madhe, ashtu sikundër i kanë dhënë SHBA-ja, Koresë së Jugut.
Ai ka denoncuar një student mongol, i cili ka thënë se në Mongoli nuk ka mish, mbasi atë e merr Bashkimi Sovjetik etj. Në vitin 1955, i gjykuari është martuar me sovjetiken Ira Sallaku dhe në vitin 1954, është kthyer në Shqipëri ku ka punuar fillimisht inxhinier ndërtimi, pastaj drejtor kantieri /kryetar i Komitetit Ekzekutiv të Këshillit Popullor të rrethit të Tiranës, deri në vitin 1965, që atij i janë dënuar dy vëllezër, për tradhti ndaj Atdheut në formën e tentativës për t’u arratisur jashtë shtetit. Në vite, i gjykuari Xhavit, është transferuar si inxhinier ndërtimi në Kombinatin “Mao Ce Dun”, kurse në vitin 1968, K/ inxhinier i Ndërmarrjes së Ndërtimit Berat.
Nga viti 1954, që i gjykuari ka ardhur në Shqipëri e, deri në vitin 1960, të dhënat me karakter të theksuar sekret shtetërore, Zbulimit Sovjetik, ja ka dhënë ndërmjet agjentes Valentina Peza dhe këshilltarit të ambasadës sovjetike në Triranë, Novikov. Është vërtetuar se me mbarimin e studimeve dhe para se të kthehej në Shqipëri, i gjykuari Xhavit Sollaku, është takuar ne profesorin kujdestar dhe ai i ka vënë si detyrë që të dhënat që i duheshin Zbulimit Sovjetik në Shqipëri, do t’ja dorëzonte nëpërmjet Valentina Pezës dhe i gjykuari duke plotësuar me zell të madh kërkesat e spiunazhit sovjetik, në vitin 1957 dhe në vitin 1959, i ka dërguar profesorit kujdestar, si mbas porosisë që i kishte dhënë ky në Leningrad, të dhëna mbi punën që bënte ai dhe studentët e tjerë shqiptarë, që kishin studiuar atje.
Në vitin 1959, i gjykuari ka ardhur dhe vetë me një delegacion në Bashkimin Sovjetik dhe mbas mbarimit të delegacionit, ka qëndruar, për të kaluar lejen bashkë me gruan e tija. Po në këtë vit, i gjykuari është njohur në Tiranë, me këshilltarin e ambasadës sovjetike Novikovin, i demaskuar nga partia e jonë për veprimtarinë e tij subversive kundër vendit tonë, i lartpërmenduri i ka kërkuar të gjykuarit që të vazhdonte veprimtarinë e tija të spiunazhit në favor të Zbulimit Sovjetik. Me largimin e tija nga Shqipëria, Novikovi i ka dhënë porosi të gjykuarit, se lidhjet e mëvonshme me Zbulimin Sovjetik, do t’i mbante nëpërmjet një personi që do të paraqitej me pseudonimin “Selim Muço”.
Këtë të fundit i gjykuari do të njihej duke i dhënë parullën; “Ylli me pesë cepa, të përshëndet”, kurse i gjykuari do t’i përgjigjej: “Ezzeni të përshëndet”, dhe kështu është vepruar, në janar – shkurt 1962, të gjykuarin e ka marrë në telefon Piro Gushoja dhe i ka thënë se, duhej të takohej me të për një çështje strehimi, dhe kur i ka ardhur në zyrë, i ka thënë se ai është “Selim Muçoja”, i ka dhënë parullën dhe i gjykuari, kundërparullën dhe janë marrë vesh se të gjitha të dhënat që i interesonin Zbulimit Rus, këtej e tutje do t’ja dorëzonte këtij, i gjykuari kështu ka vepruar deri në vitin 1965, kohë në të cilën atij ju dënuan dy vëllezër, për krime kundër shtetit, me qëllim që të mos komprometohej armiku Piro Gusho!
Mbasi u shkarkua nga zv. kryetar i Komitetit Ekzekutiv i Këshillit Popullor të rrethit Tiranë dhe pasi është përjashtuar edhe nga Plenumi i Komitetit të Partisë të rrethit të Tiranës, i gjykuari është transferuar në Berat. Gjatë periudhës 1965-1968, i gjykuari është porositur nga Piro Gushoja, që të sillej mirë, të punonte e të kamuflohej sa më shumë, me qëllim që të fitonte besimin e të tjerëve, dhe të mos linte asnjë pikë dyshimi mbi veprimtarinë e tija.
Me armikun Piro Gusho, që në atë kohë ka qenë në Berat sekretar i parë i Komitetit të Partisë së rrethit, i gjykuari është bërë edhe kryeinxhinier i Ndërmarrjes së Ndërtimit Berat e, më vonë është transferuar në Tiranë në Ministrinë e Ndërtimit dhe me kërkesën e Piro Gushos, ka shkuar drejtor N.N.I. Ballsh. Gjatë viteve 1972-1975, i gjykuari Xhavit Sallaku, i ka dhënë armikut Piro Gusho, në mënyrë të vazhdueshme, të dhëna të rëndësishme mbi Kombinatin Metalurgjik në Elbasan, si edhe mbi fazat, vëllimin e veprës që do të ndërtohej në Ballash, mbi numrin e punëtorëve, mbi kapacitetet e veprës, mbi pajisjet e kontratat e ndryshme që ishin nënshkruar me Republikën Popullore të Kinës, etj.
Armiku Piro Gusho, përveç të dhënave që i ka kërkuar të gjykuarit Xhavit, i ka dhënë porosi që gjatë veprimtarisë së tija si drejtor, duhej të bënte çmos që të sabotonte ndërtimin e veprës dhe të diskreditonte sa të mundte ndihmën vëllazërore që jepte R.P. e Kinës. I gjykuari Xhavit Sallaku, për t’ja arritur qëllimit të tija kundra-revolucionare, gjatë gjithë veprimtarisë së tija, ka përhapur frymën e liberalizmit me vartësit e tija. Ai ka stimuluar shthurjen dhe thyerjen e disiplinës gjatë punës dhe pronës socialiste. Nuk i ka zbatuar kërkesat e projekteve, por në kundërshtim me detyrat e caktuara i ka shkelur ato, ka përhapur metodat e vet-administrimit, duke përdorur materialet pa kritere dhe duke jua dhënë një pjesë kooperativës bujqësore. Me urdhrat e tija të kundra-ligjshme, janë shpenzuar pa kritere nga shpërdorime të fondeve të veprës, në masën 186.834 lekë, duke i përdorur këto për rikonstruksion ndërtesash, për ndërtime të banesave private etj.
Në vitin 1972, janë shpenzuar 66.229 lekë për tubacione të gazit për kaldajën e cila nuk ka përfunduar akoma dhe që nuk do t’i shërbej fare veprës. Ka zvarritur ndërtimet për një kohë të gjatë. Kështu, pasi u zvarrit për dy vjet kohë furra e gëlqeres në Aranitas, arritën shpenzimet që përfaqësojnë vetëm diferencë transporti të gëlqeres në masën 47.000 lekë, mbasi gëlqerja u muar nga Ura-Vajgurore. Nuk u bë si mbas projektit rruga Ballsh-Poçem, për tërheqjen e zhavorrit nga Mollasi, duke e marrë zhavorrin nga Çerveni dhe Qesarati, që ka qenë shumë larg dhe ka rritur koston në 332.500 lekë, ka shtruar pa aprovim të investitorit, rrugën Levan-Kallm-Kashisht, duke shpenzuar për këtë, shumën 232.365 lekë, etj.
Ka rritur koston e veprës, nga 251 milion që ishte parashikuar, në 325 milion lekë. Nga qëndrimi liberal ndaj punës, ai qëllimisht ka bërë që të humbasin 1.200 ditë pune, për thyerje të disiplinës dhe 2.720 dite pune për dhënie leje në rrugë të kundra-ligjshme. Kurse për mos respektin të kushteve teknike, ka ardhur një dëm prej 33.732 lekë nga punimi i ndërtimit, 12.902 lekë në punimet montimit dhe 136.922 lekë, vlefta e dëmtimeve që janë bërë gjatë punimeve në shtratin e Gjanicës.
Ai ka shpërdoruar pasurinë socialiste, duke ju dhënë tepër xhenerikëve 25.230 lekë, 12.146 lekë mekanizatorëve dhe 387 lekë, punëtorëve të asfalto-betonit. Ai me qëllim armiqësor, nuk ka ndërtuar magazinat për ruajtjen e pasurisë socialiste dhe si pasojë e kësaj veprimtarie, ka dëmtuar pasurinë socialiste në vleftën 77.425 lekë. Kanë lejuar të shiten materiale në rrugë të shtrembër dhe të mos dokumentohen hyrjet dhe daljet e mallrave, gjë që ka lejuar të vidhet dhe të shpërdorohet pasuria socialiste. Kështu i gjykuari, duke plotësuar detyrat e vëna nga Zbulimi Sovjetik, nën drejtimin e armikut Piro Gusho, ka. sabotuar në të gjitha drejtimet punimet e ndërtimit të veprës së Ballshit, ai me anë të shthurjes së disiplinës, të mos realizimit të planit, të dëmtimit të pasurisë socialiste, të mos zbatimit të kërkesave të kontratave, të shitjes në rrugë të shtrembër dhe në kundërshtim me ligjet e shtetit, të materialeve etj.
Përveç frymës të liberalizmit që ka përhapur i gjykuari dhe që ka ndihmuar atë për të realizuar qëllimet e tija armiqësore, ai ka përhapur dhe stimuluar shfaqje teknokratike. Si mbas pohimeve që ka bërë vetë i gjykuari dhe nga thëniet e disa dëshmitarëve, veçanërisht nga vërejtjet e punëtorëve, del se i gjykuari gjithmonë është udhëhequr nga teknokratizmi. Ai çdo veprime e ka parë me syrin e teknokratit, për këtë ai është mbështetur vetëm në njerëz intelektualë dhe me përbërje të keqe politike, bile edhe në të burgosurit politik që kanë punuar në vepër. Ai ka injoruar mendimet e masave dhe ashtu sikundër ka pohuar ai vetë, klasën punëtore e përçmonte.
Me anë të këtyre veprimeve, i gjykuari ka mundur të sabotojë dhe ta dëmtojë bazën ekonomike të rendit tonë shoqëror, në masën 299.984 lekë. Përveç krimit të tradhtisë dhe të sabotimit, i gjykuari ka kryer dhe krimin e agjitacionit dhe të propagandës kundër pushtetit popullor. Kështu ai me persona të ndryshëm, ka mburrur kursin politik që ndjekin revizionistë sovjetik, etj. Ka quajtur fajtorë Partinë tonë, për prishjen e marrëdhënieve me Bashkimin Sovjetik dhe vendet e tjera, ish-socialiste. Nga ana tjetër, i gjykuari Xhavit, duke vëne në zbatim detyrat e agjenturës sovjetike, ka punuar për ta përbuzur miqësinë midis popullit tonë dhe popullit të Kinës.
Siç shihet, i gjykuari Xhavit Sallaku, ka kryer tre vepra që paraqesin rrezikshmëri tepër të theksuar shoqërore. Rrezikshmëri të tillë paraqet dhe vetë personi i tija. Ky i gjykuar është vënë në shërbim të Zbulimit Sovjetik, qysh nga viti 1951 e, deri në datën e arrestimit. Për një periudhë të gjatë ai ka mbledhur dhe i ka dhënë agjenturës si huaj të dhëna që paraqesin sekret, veçanërisht të madh shtetëror, që me veprimet e tija armiqësore, i ka sjellë dëme tepër të rëndësishme, si bazës politike, kështu dhe asaj ekonomike të rendit tonë shoqëror. Botëkuptimi i tija, ka qenë plotësisht botëkuptim borgjezo- revizionist. Ka të dënuar për krime kundër shtetit, dy vëllezër.
PËR KËTO ARSYE
Këshilli gjyqësor i Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë, në mbështetje të pikës së parë të nenit 315 të K.P.P.
VENDOSI
Lënien në fuqi të vendimit Nr.57, datë 25.3.1977, të Gjykatës Popullore të rrethit të Fierit
Ky vendin nuk mund të ekzekutohet, pa marrë i dënuari përgjigje për faljen e jetës nga Presidiumi i Kuvendit Popullor.
Tiranë, më 16.IV.1977. Memorie.al
ANËTARË ANËTARË KRYESUESJA
L. Gjoliku M. Hoxha E. Selenica
Vijon numrin e ardhshëm
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016