Nga Bashkim Trenova
Pjesa e tridhjetë e tre
Memorie.al publikon kujtimet e gazetarit, publicistit, përkthyesit, studiuesit, shkrimtarit, dramaturgut dhe diplomatit të njohur, Bashkim Trenova, i cili pasi u diplomua në Fakultetin Histori-Filologji të Universitetit Shtetëror të Tiranës, në vitin 1966 u emërua gazetar në Radio-Tirana në Drejtorinë e Jashtme të saj, ku punoi deri në vitin 1975, kur ai u emërua si gazetar dhe shef i redaksisë së jashtme në gazetën ‘Zëri i popullit’, organ i Komitetit Qendror të PPSH-së. Në vitet 1984-1990, ai shërbeu si kryetar i Degës së Botimeve në Drejtorinë e Përgjithshme të Arkivave të Shtetit dhe pas zgjedhjeve të para të lira në Shqipëri, në marsin e vitit 1991, u emërua në gazetën ‘Rilindja Demokratike’, fillimisht si zv/kryeredaktor dhe më pas kryeredaktor i saj, deri në vitin 1994, kur u emërua në Ministrinë e Punëve të Jashtme. me detyrën e Drejtorit të Shtypit dhe zëdhënës i asaj ministrie. Në vitin 1997, Trenova u emërua me detyrën e ambasadorit të Shqipërisë në Mbretërinë e Belgjikës dhe në Dukatin e Madh të Luksemburgut. Kujtimet e panjohura të z. Trenova, duke filluar nga periudha e Luftës, fëmijëria e tij, vitet e fakultetit, karriera profesionale si gazetar dhe studiues në Radio Tirana, gazetën ‘Zëri i popullit’ dhe Arkivin Qendror të Shtetit, ku ai shërbeu deri në shembjen e regjimit komunist të Enver Hoxhës, periudhë kohe, kur ai në rrethana të ndryshme u njoh me shumë kolegë të tij, pinjollë të disa prej ‘familjet reaksionare’ etj., të cilët me një mjeshtëri të rrallë, i ka përshkruar në një libër me kujtime të publikuar në vitin 2012, me titull ‘Armiqtë e popullit’ dhe tani i sjell për lexuesit e Memorie.al
“Armiqtë e popullit”
Letra që i bëra Ramiz Alisë për të punuar në gazetën “Bashkimi” !
Unë nuk doja të dilja si «shpëtimtar». Nuk doja sigurisht as që t’i hyja këtu në Arkivin e Shtetit rrugës së grindjeve e konflikteve të pafund. Për të shmangur këtë gjë isha larguar nga “Zëri i populli”. Për të shmangur këtë gjë desha të largohem edhe nga Arkivi i Shtetit. Me këtë mendim në kokë, më 8 mars 1988, i kam shkruajtur një letër Ramiz Alisë që, pas vdekjes së Enver Hoxhës, e kishte pasuar atë në pushtet. Në këtë letër, midis të tjerave, kam thënë: «Tani pas një pune katërvjeçare, relativisht më të qetë se në shtyp, e ndjej të nevojshme të rikthehem në ndonjë redaksi ku mendoj se, me përvojën që kam, mund të jap më shumë. Ju lutem më ndihmoni për realizimin e kësaj dëshire, nëse është e mundur…. Marr shkas të Ju shkruaj këtë letër duke ditur se në Sektorin e Jashtëm të gazetës «Bashkimi», me largimin e përgjegjësit të tij, shokut Napolon Roshi, është një vend i lirë».
Nuk kaloi shumë kohë dhe mua më thërritën në Komitetin Qendror të Partisë. Më futën në një zyrë. Aty m’u desh të prisja disa çaste sa të vinte dikush që do të më përgjigjej zyrtarisht për letrën që i kisha dërguar Ramiz Alisë. Personi që prisja nuk vonoi. Emri i tij nuk më kujtohet, ndoshta Petrit. Mbiemrin e kishte Shijaku. Për të kisha dëgjuar se dikur bënte pjesë në grupin pranë Enver Hoxhës që merrej me letrat nga populli.
Shijaku më dha dorën dhe më buzëqeshi ftohtë. Nuk e zgjati bisedën, më tha thatë: «Shihet e arsyeshme të vazhdosh të punosh në Arkiv me botimet». Pastaj ai më bëri një pyetje që m’u duk disi e çuditshme, e pakuptimtë. “Mos mendon ti’, më pyeti ai, ‘se shoku Ramiz nuk e di që ti ke punuar 18 vjet në shtyp”?! Në letrën time unë kisha shkruajtur se para se të kaloja në Arkivin e Shtetit, kisha punuar 18 vjet në shtyp. Përgjigjja dhe pyetja e tij në një përkthim të qartë, duhet të kuptoheshin prej meje kështu: “Nuk është nevoja t’i dërgosh letra shokut Ramiz. Partia i di të gjitha, e di edhe sa kohë ke punuar ti në shtyp, pra vazhdo puno atje ku je se aty e ke vendin përgjithnjë”. Partia i kishte larë “borxhet” me mua, më kishte arshivuar. Në fakt unë duhet ta kisha kuptuar vetë me kohë këtë të vërtetë.
Refuzimi që i’u bë kërkesës së Hamit Boriçit, që unë të shkoja pedagog në katedrën e Gazetarisë!
Gjatë tërë viteve që kisha punuar në Arkivin e Shtetit, kisha botuar në disa organe shtypi vetëm ndonjë artikull apo shënim që lidhej drejtpërsëdrejti me punën dhe dokumentet arkivore. Asnjëherë nuk kishte trokitur tek unë ndonjë redaktor për të kërkuar të shkruaja diçka nga politika e jashtme si i specializuar që kisha qenë në këtë fushë, por as në fusha të tjera siç kishte ndodhur më parë duke bashkëpunuar, për shembull, me gazetën “Drita”, organ i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë, por edhe me organe të tjera të shtypit. Edhe ndonjë tentativë që kisha ndërmarrë “për të çarë rrethimin”, ishte shuar pa m’u dhënë asnjë shpjegim. Hamit Boriçi, kryeredaktor i gazetës “Bashkimi” dhe shef i Katedrës së Gazetarisë, kishte kërkuar që unë të kaloja si pedagog pranë kësaj Katedre, por si edhe në rastet e mëparshme që më ishin paraqitur, edhe kërkesa e tij do të refuzohej. E njëjta gjë do të ndodhte edhe më pas kur Paskal Milo, përgjegjës i Katedrës së Historisë Botërore në Universitetin Shtetëror të Tiranës, do të më kërkonte të filloja punë si pedagog pranë kësaj Katedre.
Nuk kisha ç’të bëja. Qëndrova në Arkivin e Shtetit. Thoma Murzaku vazhdoi të drejtojë me të njëjtin stil. Shqetësimet në institucion me kohë po bëheshin edhe më të mëdha. Në mbledhjet e kolektivit punonjësit nuk i kursenin kritikat për Thoma Murzakun. Reagimi i tij ishte gjithnjë arrogant. “Disa punonjës të veçantë e kanë tepruar dhe kanë kaluar çdo kufi”, tha në një mbledhje të tillë Thoma Murzaku. “Këto gjëra , siç u ngritën’, tha ai, ‘nuk kanë të bëjnë me mua, matini fjalët”.
Konkluzionet e ekipit të Komitetit të Partisë së Tiranës, ndaj drejtorit, Thoma Murzaku!
Në këto kushte, Komiteti i Partisë së Rrethit Tiranë dërgoi një ekip kontrolli në Drejtorinë e Përgjithshme të Arkivave të Shtetit. Më 28 mars 1988, sekretari i Partisë së këtij Komiteti, Bardhyl Paruca, paraqiti para komunistëve të Arkivit të Shtetit konkluzionet e këtij kontrolli. Në to, midis të tjerave, ai theksonte: “Të thërriten në raport drejtori etj., drejtues për të dhënë llogari në organizatë…. S’mund të ketë organizatë e kolektiv me telashe e drejtues të mirë. Drejtori ka shenja mendjemadhësie, i diferencon punonjësit, nuk komunikon me njerëzit. Ai duhet të marrë mendimin e të tjerëve e të mos fetishizojë mendimin e tij….Shoku Thoma të reflektojë. Ai është i pjekur. Kështu nuk vazhdohet më….Shoku Bashkim të lozë më mirë rolin e vet nëse ka hakmarrje”, etj.
Këto konstatime përputheshin plotësisht me kritikat e kolektivit dhe të miat ndaj Thoma Murzakut. Unë i konsiderova ato edhe si një ndihmesë dhe paralajmërim për Thoma Murzakun. Nga unë, si sekretar i organizatës së Partisë, kërkohej që të isha më aktiv. Kështu së paku i kuptova unë konkluzionet e ekipit të kontrollit. Thomai, si gjithnjë, nuk donte t’ia dinte. As Bardhyl Parruca e as Naunka Bozo, një tjetër sekretare e Komitetit të Partisë së Rrethit Tiranë, që përsëriti më pas në Arkivin Qendror të Shtetit kritikat ndaj Thoma Murzakut, nuk i hynin atij në sy. “Ju vazhdoni në të njëjtën rrugë”, i tha atij Nevila Nika, një punonjëse e institucionit, në një mbledhje të kolektivit. Në të vërtetë, ai vazhdonte në të njëjtën rrugë. Madje, nëse udhëheqës të Partisë së Punës, anëtarë të Byrosë Politike apo të Komitetit Qendror të Partisë e kishin kuptuar se përballë një pakënaqësie të përgjithshme popullore në rritje duhej shtuar doza e demagogjisë dhe shumëfishuar pozat “demokratike”, Thomai vazhdonte ashtu siç ishte. Ndoshta mendonte se kështu manifestonte siguri dhe kjo gjë do të dekurajonte kritikët e tij në kolektiv!
Propozimi im në mbledhjen e organizatës së Partisë, që të qarkullonte drejtori Thoma Murzaku!
Në këtë kohë Ramiz Alia kishte mbajtur një fjalim mbi kuadrin në plenumin e Komitetit të Partisë së qytetit të Vlorës. Në fjalën e tij, midis të tjerave, ai kishte thënë se në drejtim duhet të zgjidhen njerëz që kanë aftësi për të komunikuar me njerëzit, me masën, që t’u zgjidhin me drejtësi njerëzve hallet që kanë. Një tjetër problem që ngrinte Ramiz Alia në këtë plenum, ishte edhe ai i qarkullimit të kuadrit, gjë që kuptonte kryesisht lëvizjen nga postet drejtuese të kuadrove që ishin në detyrë prej tetë deri në dhjetë vjet. Unë shpreha gatishmërinë, pa asnjë rezervë, për të qarkulluar qoftë në organet e shtypit, në shtëpitë botuese, në arsim ose kudo gjetkë që të ishte e nevojshme dhe të shihej e arsyeshme. Asnjë nga anëtarët e organizatës nuk u tregua i gatshëm që të qarkullonte ashtu sikurse e kërkonte Partia. Ata të tërë e injoruan këtë kërkesë të saj. Në këto kushte unë shpreha hapur mendimin që, për tërë ato motive që kishte përmendur Ramiz Alia, të qarkullonte Thoma Murzaku. “Mendoj’, thashë, ‘se edhe shoku Thoma duhet ta shprehë këtë gatishmëri si komunist e drejtues i institucionit. Mendimi im është se ai duhet të qarkullojë”. Rrebeshi në adresën time nuk vonoi. Orientimin e dha Thomai.
Në fjalën e tij Thoma Murzaku tha: “Unë kam qarkulluar në rrethin e Matit e nuk i trembem qarkullimit, por ndofta është pikërisht Bashkimi që i trembet. Të japë ai prova si të miat, ai ka shumë nevojë të qarkullojë sepse ka ardhur në një institucion qendror nga një tjetër institucion qendror”. Pastaj m’u drejtua duke më thënë: “Ke nisur një rrugë të gabuar, ti je oportunist, do të japësh sqarime në organizatë, do të përgjigjesh, të bësh autokritikë”.
Punonjësit e Arkivit që i dolën në mbrojtje drejtorit Murzaku dhe u shpërblyen prej tij!
Pas Thomait e mori fjalën Adrian Banushi. Dukej se ishte përgatitur për diskutimin e tij në zyrën e Thomait. Ai më kujtoi problemin e librave të grekut për Trockin. Këtë gjë ai nuk e dinte sepse problemi ishte mbyllur pa u diskutuar në organizatë. Këtë e dinte Thomai, që ia kishte thënë atij dhe që pas disa vitesh do ta përdorte edhe vetë si një provë kundër meje. Adi nuk tha as më pak e as më shumë se: “Pse flisni për aktivitetin e shokut Thoma? Këtu kam shumë gjëra të paqarta…! Duhet folur edhe për Trockin. Unë nuk e di si u mbyll ky problem. Ju nuk duhet të ishit drejtues i organizatës…! Mua më duket jo e drejtë, jo dinjitoze kjo paradë e të kritikohet shoku Thoma…”! Më kujtohet se si Adrian Banushit, i ishte vënë në dispozicion një triçikël dhe një kamionetë tip ‘FIAT’ nga Thoma Murzaku dhe ai i përdorte ato jo thjesht për nevojat e punës, por edhe për ato vetiake. Me triçiklin bënte edhe “numra cirku”, në oborrin e parmë të institucionit. Adriani ishte inxhinier për mirëmbajtjen e aparaturave të Arkivit Qendror të Shtetit, por ai nuk tregonte pothuajse asnjë kujdes për to, duke u justifikuar vend e pa vend se mungonin pjesë këmbimi, që duheshin sjellë nga jashtë. Edhe kaq mjaftonin që Adriani t’i bënte jehonë Thoma Murzakut. Ndryshe ai rrezikonte të humbiste shumë. Jo shumë larg, Thomai ia kishte përmendur të gjitha këto atij.
Pas Adit diskutoi Minella Gjenerali. Edhe ai nuk e zgjati. “Nuk jam dakord me diskutimet tuaja, më tha.…! E bëre diskutimin në stil gazetaresk…! Nuk më duket e drejtë të kapemi pas një gozhde”! Më vonë do të mësoj se Thomai i kishte premtuar Minellës, ngritje në përgjegjësi, do ta bënte përgjegjës të Sektorit të Përgjithshëm, pra edhe një pagë më të mirë. Ç’të bënte Minella? Në një rast tjetër ai do të thonte: “Ja e kritikoi Bashkimi Thomain dhe ç’fitoi”? Unë e kuptoj Minellën, në një farë mase edhe të tjerët. Ai në të vërtetë edhe i kishte bërë dikur ndonjë kritikë të lehtë Thomait, ashtu sa për të qenë në rregull me ndërgjegjen e tij. Ç’kishte fituar? Asgjë. “Shën” Thomai gjithnjë “lëshonte rrufe nga qiejt”!
Në vazhdim e mori fjalën Ruhi Sinani. Ai ishte ushtarak. Merrej me sekretin në Arkivin e Shtetit. Në fakt nuk merrej me asgjë. Ai mbyllej me çelës në zyrën e tij, gjoja për të ruajtur sekretin, dhe i’a këpuste gjumit mbi tavolinën e punës për shtatë palë qejfe. I vetmi preokupim i tij ishte ngritja e pagës. Këtë e kishte në dorë vetëm Thoma Murzaku. Pasi ishte grindur disa herë me të për këtë gjë dhe nuk kishte patur rezultat, do të provonte edhe të kundërtën, ta merrte në mbrojtje. “Nuk jam dakord me diskutimin e shokut Bashkim, as në formë e as në përmbajtje’, tha Ruhiu…! ‘Nuk do të thotë se diskutove ti e dhe vijën”, mu drejtua ai. Thoma Murzaku, sikurse e kam përmendur, më kishte paralajmëruar dikur duke më thënë të mos mendoja se unë isha organizata dhe se ajo, domethënë organizata, nuk do të më lejonte mua të bëja si të doja.
Në mbrojtje të Thomait doli edhe Bato Bega. Edhe Baton e kuptoj mjaft mirë. Dikur edhe ai ishte grindur me Thoma Murzakun. Për dobësi disipline në punë ai ishte shkarkuar nga detyra si përgjegjës zyre dhe kishte marrë vërejtje në Parti. Ende pa e shlyer atë, Thomai nxiton dhe e ngrenë në përgjegjësi. Nuk ishte normale që një komunist me vërejtje të ngrihej në përgjegjësi. Dukej sikur sfidohej organizata e Partisë nga Drejtoria. Për Thomain këto ishin nuanca të parëndësishme. Bato nuk kishte se përse të ishte i pandjeshëm ndaj nuancave, që e errësonin perspektivën e tij në punë, apo i hapnin rrugë asaj.
Edhe Ariana Nikolla, të cilës kurrë nuk ia kisha dëgjuar zërin as në mbledhje të organizatës dhe as në kolektiv, papritmas u zgjua nga letargjia e thellë. “Nuk jam dakord me diskutimin e shokut Bashkim…! Nuk më duken të drejta ato që ngrihen për shokun Thoma”, tha ajo. Ajo para disa muajsh kishte refuzuar të punojë si fotokopjuese në Aparatin e K.Q. të Partisë. Punësimi në këtë vend vlerësohej atëherë edhe si një nder që i bën Partia një anëtari të saj, por edhe si një vlerësim i veçantë. Ariana kishte thënë se “i dhimbte koka”, prandaj nuk mund të punonte si fotokopjuese në Komitetin Qendror të Partisë. Për këtë gjë ajo u ndëshkua edhe në organizatë me vërejtje. Pas kësaj ajo e dinte mirë se mund të humbiste edhe vendin e punës në Arkivin e Shtetit, se masa në Parti edhe mund të thellohej nëse këtë do ta kërkonte drejtori i institucionit. Drejtori do të “harronte” gjithçka, por për këtë edhe ajo duhet t’i shërbente atij në ditë të vështira.
Më i prerë dhe më i rreptë ishte Kristaq Teneqexhiu. “Unë’, tha ai, ‘nuk jam dakord që të jetë Bashkimi, jo në byro të jetë, por të shikohet qëndrimi i tij.” Ai, pas Ariana Nikollës dhe Natasha Kojës, sekretare e Thoma Murzakut, propozoi që Thomai të zgjidhet si anëtar i byrosë së organizatës së Partisë. Menjëherë pas tij foli sërish Thoma Murzaku. “Edhe unë po atë mendim kam për Bashkimin’, tha ai. ‘Është i plogësht, nuk është energjik, është pasiv, çfarë i vjen ashtu bën. Ka shokë edhe më energjikë”. Shkurt, Kristaqi i porositur nga Thomai, propozonte që unë të mos isha më sekretar i organizatës bazë të Partisë së institucionit. Kishte të drejtë! Kështu ai shpëtonte nga unë, do ta kishte më të lehtë të lante llogaritë me mua. Nga ana tjetër, për këtë shërbim, Kristaqi edhe do të shpërblehej. Ai u zgjodh sekretar i organizatës, u shpërblye dy vite radhazi financiarisht nga Drejtoria, i’u ofrua një kurs specializimi në Francë dhe më pas një udhëtim në Bullgari.
Ne kolegët e Kristaqit në Arkivin e Shtetit e thërrisnim atë jo nga emri apo sipas një shkurtimi të tij. Ai njihej me nofkën “kinezi” ose Kristaq kinezi. Kjo sepse sjelljet dhe qëndrimet e tij ishin krejtësisht të huaja dhe të pashpjegueshme për psikologjinë tonë, flegmatike dhe krejtësisht pragmatiste. Ai kishte qenë dikur student në Kinë. Pas përmbysjes së komunizmit ai do të shkojë sërish në Kinë. Më duket se zuri vend në transmetimet e Radio Pekinit në gjuhën shqipe. Kështu më kanë thënë shokët e Arkivit.
Thomai dhe ata që i vinin pas e dinin se “engjëlli mbrojtës” i tij ishte shumë më lart se Komiteti i Partisë së Rajonit apo edhe se Komiteti i Partisë së Tiranës. Këtë gjë e dinin edhe punonjësit e Arkivit të Shtetit, e dija edhe unë. Ishte e veja e diktatorit, Nexhmije Hoxha dhe krushku i saj, njëkohësisht pasardhësi i diktatorit, Ramiz Alia, ku gjente strehë të sigurt arroganca, papërgjegjshmëria, të gjitha sjelljet dhe qëndrimet e tij skandaloze, hakmarrëse. Ishte Teuta Hoxha, vajza e Reshat Alisë dhe mbesa e Ramiz Alisë, gruaja e Ilir Hoxhës, djalit të ish-diktatorit, ishte vetë Reshat Alia, vëlla i Ramiz Alisë dhe krushku i çiftit diktatorial Hoxha, ata që shërbenin si mesazherë dhe avokatë të Thoma Murzakut, në majën më të lartë të kupolës komuniste.
Reshat Alia kishte vite që e kishte kaluar moshën e pensionit. Në Shqipërinë komuniste, vitet e fundit, ata që e kishin arritur moshën e pensionit, me hir apo me pahir, dilnin në pension. Nuk u përjashtuan nga ky “rregull” i ri, as disa nga anëtarët e Byrosë Politike apo të Komitetit Qendror të Partisë, as akademikë e profesorë, gjeneralë e filozofë. Partia kërkonte të tregonte kështu se ajo po sillte në krye të saj dhe të institucioneve shtetërore njerëz të rinj, pra sikur po shkëputej gradualisht nga e vjetra, sikur po reformohej. Në fakt kështu nuk bëhej tjetër gjë veçse një rirreshtim i klaneve në pushtet. Në tërë këtë paradë largimi të të vjetërve, bënte përjashtim Reshat Alia. Ai nuk kishte ndonjë post drejtues, nuk ishte as filozof e as gjeneral, por pushteti i fjalës së tij ishte i padiskutueshëm. Unë në një mbledhje të organizatës e kisha pyetur Thoma Murzakun, përse ai nuk e pensiononte Reshat Alinë dhe i kisha kërkuar atij ta bënte këtë gjë. Thomai e dinte se çdo të thoshte për të, sa humbiste ai po të largonte nga puna Reshat Alinë. Ai humbiste gjithçka. Reshati, nga ana e tij, ishte i interesuar të vazhdonte të punonte në Arkivin e Shtetit, ku praktikisht nuk bënte asnjë punë. Arkivi i Shtetit ishte për të ambienti ku mund të kalonte disa orë argëtuese. Sigurisht, duke kërkuar daljen në pension të Reshat Alisë, kisha kaluar mjaft larg.
Në të vërtetë, nga fundi i dhjetorit të vitit 1988, apo fillimi i janarit të vitit 1989, Partia kishte vendosur të thotë fjalën e saj, të merrte vendimet përkatëse dhe të vendoste “paqen” në Drejtorinë e Përgjithshme të Arkivave të Shtetit. Një ekip i Komitetit Qendror të Partisë, i përbërë nga Haxhire Xhani dhe Gëzim Dobrovoda, arriti në Drejtorinë e Përgjithshme të Arkivave të Shtetit.
Asnjërin nga të deleguarit e Komitetit Qendror të Partisë nuk kisha patur rastin t’i njoh apo t’i takoj më parë. Për Haxhire Xhanin kisha dëgjuar se ishte harbute, me një gojë si fshesë për të pastruar tualetet. Kisha dëgjuar se Komiteti Qendror i Partisë e dërgonte atë në ekipe kontrolli gjithnjë kur i duhej të përdorte fshesën, të spastronte “ambientin e ndotur”! Për Gëzim Dobrovodën, nuk kisha dëgjuar asgjë më parë.
Të deleguarit e Komitetit Qendror të Partisë thërritën një mbledhje të organizatës bazë të Partisë. Zakonisht organizata i bënte mbledhjet e saja në sallën e madhe të Arkivit të Shtetit, aty ku bëheshin edhe mbledhjet e kolektivit. Këtë herë mbledhja u bë në zyrën e drejtorit të Arkivit të Shtetit, Thoma Murzakut. Nëse më parë ne i ishim shmangur zyrës komode të drejtorit, këtë e kishim bërë qëllimisht për të mos lejuar të krijohej mendimi në kolektiv, se organizata e Partisë i merrte vendimet në këtë zyrë, sipas dëshirës së patronit të saj. Të deleguarit e Komitetit Qendror të Partisë vepruan ndryshe nga praktika e organizatës. Ata vendosën që komunistët të thërriteshin në zyrën e Thoma Murzakut. Kështu ata lëshuan sinjalin se nuk do të lejonin të prekej Thoma Murzaku, se ata që do të guxonin ta kritikonin atë, do të ndëshkoheshin menjëherë pa dalë nga ajo zyrë. Në komunizëm gjithçka kishte një simbolikë të vetën, që duhet ta njihje, ta kuptoje e ta zbërtheje, njëlloj si simbolet kineze. Në kultin e komunizmit simbolika zinte një vend të rëndësishëm e të veçantë. Kështu ishte, në këtë rast, edhe me zyrën që u zgjodh për të zhvilluar mbledhjen e organizatës bazë të Partisë.
Mbledhja e organizatës bazë në zyrën e Thoma Murzakut, që zgjati 12 orë!
Mbledhja filloi në orën katër pasdite, pra pas përfundimit të orarit zyrtar të punës, dhe mbaroi në orën katër të mëngjesit të ditës së nesërme. Kjo është mbledhja më e gjatë në tërë jetën time. Plot 12 orë absurditete, akuza, shpifje, amoralitet, denigrim, përbaltje, mungesë dinjiteti njerëzor, frikë e servilizëm, diktat, autoritarizëm. Ishte Haxhire Xhani ajo që do të fliste e para. Sikurse tha ajo, në Komitetin Qendror kishin arritur disa letra radhazi. Letërshkruesit kritikonin drejtorin Thoma Murzaku. Ajo nuk tha nëse letrat kishin autor apo ishin anonime, nëse ishte i njëjti person që i kishte shkruar ato apo ato ishin shkruar nga disa persona të ndryshëm. Haxhire Xhani citoi edhe disa nga problemet, që sipas saj, i shqetësonin autorët apo autorin e letrave dërguar Komitetit Qendror. Ajo përfundoi duke thënë: “Nëse këto probleme ekzistojnë, ato e pengojnë punën. Nëse jo, atëherë janë disa ngatërrestarë që e pengojnë punën.” Në fakt Komitetin Qendror nuk e shqetësonin as problemet e grumbulluara e pa zgjidhje prej shumë vitesh në Arkivin e Shtetit dhe as e vërteta rreth tyre.Komiteti Qendror kishte dërguar emisarët e tij për të marrë në mbrojtje Thoma Murzakun dhe për të dënuar “ngatërrestarët.”
“Ngatërrestarët”, në organizatën e Partisë ishin Bujar Hoxha, Aleks Kume, Hafsa Krutani dhe unë. Ne pra ishim katër dhe, midis nesh, një shoqe, Hafsaja. Thoma Murzaku na kishte akuzuar si një “grup i organizuar” edhe pse asgjë nuk kishte të vërtetë në fjalët e tij dhe ai e dinte shumë mirë këtë gjë. Do të qeshnim më pas me këtë fakt duke u vetë krahasuar me “bandën e të katërve” në Kinë. Në Shqipëri njihej mirë në ato vite historia e Kinës së pas Mao Ce Dunit. Njihej, për shembull, se e veja e tij, Çian Çin, kishte komplotuar së bashku me tre udhëheqës të lartë të Partisë Komuniste Kineze për të marrë pushtetin. Ky ishte versioni zyrtar kinez. Po zyrtarisht, komplotistët u cilësuan në atë kohë në Kinë si “banda e të katërve.”
Ne të katër, pasi mbaroi Haxhireja ekspozenë e saj, u ngritëm njëri pas tjetrit dhe mbështetëm, në thelb, kritikat që i ishin bërë Thoma Murzakut në letrat, që siç u tha, kishin shkuar në Komitetin Qendror të Partisë! Theksoj, “siç u tha”, sepse historia e letrave mund edhe të jetë krejtësisht e sajuar. Në të vërtetë ne përsëritëm po ato kritika që i ishin bërë Thoma Murzakut edhe më parë në organizatë e në kolektiv. Mund të kishte ndonjë fakt të ri, por që, gjithsesi, shkonte në të njëjtën rrjedhë.
Fill pas nesh e mori fjalën Thoma Murzaku. “Janë legjenda, tha ai. E kemi për detyrë t’ua ndalim vrullin këtyre njerëzve. E quaj veten ndër më punëtorët, më këmbëngulësit e më të disiplinuarit.” Duke u drejtuar nga ne ai shtoi : “Të heqin dorë nga kjo rrugë jo e mirë e të bëjnë autokritikë, ndryshe do mbajmë qëndrim”. Interesant është të vihet re se ai nuk propozon që të mbahet qëndrim, por flet në shumës, në emër të gjithëve duke thënë: “Do mbajmë qëndrim”. Domethënëse është edhe fraza e fundit e diskutimit të tij: “Kam besim tek organizata e të mos aludohet se kush më mbron…..”! Nuk kemi këtu ndonjë lapsus nga ana e Thomait. Ai dinte se ç’fliste, kishte marrë siguri paraprake. Gjithçka ishte kurdisur më së miri në prapaskenë, rolet ishin ndarë, vendimi ishte marrë, “engjëjt mbrojtës”, ia kishin përcjellë lajmin. Memorie.al
Vijon numrin e ardhshëm
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016