Nga Uvil Zajmi
Memorie.al / Takimi me një mik të vjetër italian, gazetarin e njohur të “Guerin Sportivos”, tashmë në pension, Rosano Donnini, më ngjalli interesin për t’u marrë me një temë pak të informuar dhe treguar. Njohës i mirë i sportit të vendeve Lindore, në veçanti të Ballkanit, i ardhur në Shqipëri për pushime, më kërkoi të bisedonte me Sulejman Demollarin. Por, ky takim nuk u realizua, për faktin se Demo ndodhej me pushime larg Tiranës. “Kam qenë në Bukuresht në muajin shkurt, i ftuar nga Steaua në 50-vjetorin e George Hagit, – më tha Donnini. – Në ceremoninë e organizuar, në një video-projektor, i pari ndërmjet 39 të intervistuarve nga e gjithë bota ishte Sulejman Demollari. Foli rumanisht. Demollari vlerësohet si ‘Mbret’ në Bukuresht. Në një sondazh të bërë atje, rezulton si lojtari i huaj më i mirë në Rumani”.
Ishte kjo bisedë që më provokoi të interesohem se cila është “pjesa e dytë” e karrierës dhe sportistëve, në veçanti futbollistëve të njohur, protagonistë të kampionateve shqiptare, ndër të parët që u larguan për të luajtur me klubet e huaja menjëherë pas ’90-ës…!
Janë disa, por nga më spektakolaret, janë ato të Rudi Vatës te ‘Sëlltik’-u i Gllazgohut në Skoci, Tur Lekbellos të Tiranës tek ‘Arisi’, i Selanikut dhe Bledar Kolës të ‘Partizanit’, tek AEK-u në Greqi. Por ajo e Demollarit është e veçantë: është i pari futbollist shqiptar që ka mundur të firmosë një kontratë profesioniste me një klub të njohur europian. I kërkova Donninit që të më ndihmonte me arkivin e tij dhe, pa hezitim, ai më dërgoi ato çfarë dispononte.
Kushti i Luçeskut: “Dua vetëm Demollarin”
Demollari priste të luante në Greqi, në një klub perëndimor siç ishte ‘Panathinakosi’. Ky ishte premtimi i një menaxheri grek të quajtur Tasos, i cili erdhi në Shqipëri në fillim të viteve ’90-të, në qershorin e 1991-it, në “Qemal Stafa”, pas takimit Shqipëri-Islandë 1-0. Ndërkohë, një person, Vasil Toçi, me profesion inxhinier, ish-student në vitet ’60-të në Rumani, që po e priste, e takon dhe i thotë: “Sule, kam një ofertë për ju nga ‘Dinamo’ e Bukureshtit. Trajneri Luçesku ka kërkuar që nga Shqipëria të sillni vetëm Demollarin…”!
Ishin disa ndeshje ku kishte tërhequr vëmendjen e tij: ‘Dinamo’ Tiranës – ‘Çernomore’ e Rumanisë 1-3 dhe 4-0, si dhe dy sfidat midis dy ‘Dinamove’ një vit më parë. “Të gjitha janë të paguara”, i pat thënë Vasil Toçi, i cili kishte realizuar pak muaj më parë transferimin e Agalliut tek ‘Universitatea’ e Krajovës po në Rumani. Duke shfrytëzuar periudhën e pushimit, me linjën e famshme ajrore “Tarom”, që bënte një herë në javë Bukuresht – Tiranë – Romë, Toçi me Demollarin udhëtuan drejt Rumanisë.
Një mjet i klubit i mori dhe direkt në zyrën e presidentit, ku ishte edhe trajneri Luçesku. Më pas, Demollari u largua për t’u sistemuar në hotel “Bukureshti”, ku në mbrëmje shkoi Vasili dhe i dha lajmin: “Demo, kontratë trevjeçare me 250 mijë dollarë. Ik merr familjen, javën tjetër të presin këtu”. Lajm i pabesueshëm, surprizë, aq sa të gjithë natën e kaloi si në ëndërr dhe qëndroi pa gjumë.
Ndarja me “Dinamon” dhe nënshkrimi historik…!
Me “Dinamon” në Tiranë u organizua një drekë lamtumire dhe, pas një jave, Demollari bashkë me babanë e ndjerë, të fejuarën, Vasilin dhe Mehdi Bushatin, si përfaqësues të klubit u nisën për në Rumani. Rrugës për në Rinas, automjeti “Fiat” i një miku pëson një defekt në Kashar. U detyruan që ta shtynin dhe, për fatin e tyre të mirë, makina u ndez dhe vijuan rrugën për në aeroport. Ka qenë 12 qershor i vitit 1991, ora 14:00, kur poshtë shkallëve të avionit, në aeroportin “Otopen”, ndodheshin dy vetura luksoze.
E çuan në hotel dhe të nesërmen në zyrat e klubit u krye nënshkrimi i kontratës në tri kopje: 250 mijë dollarë dhe tre vjet te ‘Dinamo’ Bukureshtit. Më pas u zhvillua konferenca për shtyp, ku i kujtuan se një vit më pare, Demollari kishte humbur një gol të sigurt kualifikues në minutën e 87-të (rezultati ishte 2-0 për ‘Dinamon’ e Bukureshtit ndërsa me 2-1 kualifikohej ‘Dinamo’ e Tiranës, pasi kishte fituar 1- 0 në Tiranë). Pak muaj, Sula qëndroi në hotel, bashkë me të fejuarën dhe, më vonë, erdhi martesa më 31 dhjetor në Tiranë. Më pas, një apartament dhe lindja e vajzës.
Shpërthen shtypi: “Un fotbalist de 24 de karate” (“Një futbollist 24 karat”)
Qershor, sapo mbërriti në Rumani, Sula u nis me ekipin për një turne miqësor në Holandë. Ndërkohë, traineri Luçesku, ikën te ‘Breshia’ në Itali dhe trajner është Halagan, ndërsa drejtor sportive, Rinus Izrael, ish-lojtar i ‘Fejnordit’ të Roterdamit. Në triangolaren e zhvilluar midis ‘Meshelen’, ‘Dinamo’ e Bukureshtit e ‘Gallatasaraji’, të Stambollit, Demollari shënon dy gola ndaj Prodhom dhe një ndaj turqve, duke u shpallur goleadori dhe lojtari më i mirë i turneut.
Pastaj ndeshja e parë në kampionat, ‘Dinamo’ – ‘Petrolul’ 6-0 me dy gola të tij (njëri me penallti). Debutimi është surprizë dhe gazetat e rubrikat sportive kanë shpërthyer me vlerësime superlative: “Futbollisti 24 karat që merr ‘Dinamo’…‘Demollari jep asist, shënon dhe jep leksion katedre’… ‘Dinamo gjen një lider’… ‘Zotëron një teknikë individuale për t’u pasur zili”, shkruhej mes të tjerash në shtypin sportive rumun. Shumë shpejt fitoi simpatinë e të gjithëve, duke u shndërruar një sportist mjaft popullor n♪7 të gjithë Rumaninë.
Me çarterin e Çausheskut, Demo, frikë nga avionic…!
Sul Demollari e ka pasur dhe e ka ende shumë frikë avionin. Mundësisht preferon të udhëtojë me automjet, por gjatë karrierës së tij diçka e tillë ka qenë e pamundur, pasi gjithmonë është nevojitur avioni. Megjithatë, në Rumani ai ka pasur fatin të udhëtojë me avionin e ish-presidentit komunist të ekzekutuar në së bashku me gruan e tij (Elena) në fundin e ’90-ës, Nilolae Çaushesku.
Klubi i ‘Dinamo’-s, në çdo transfertë të largët, sidomos jashtë Rumanisë, e merrte me qira atë avion. Ai ishte një “Boing” i madh, me krevat brenda, shumë komod, i cili ruhej dhe shfrytëzohej për të tilla lëvizje. Ndërsa për familjarët, fëmijët dhe persona të tjerë, klubi merrte njëkohësisht një avion të dytë. Bashkëshorten, Sula e ka pasur gjithmonë në stadium. Ajo e ka ndjekur në çdo sfidë, si brenda edhe jashtë Bukureshtit, në aktivitetet europiane.
Transferimi i Ben Mingës në Rumani
Transferimi i futbollistit të ekipit ’17 Nëntori’ i Tiranës, Arben Minga, është realizuar në ajër. Pas një turneu në Athinë dhe fitores në miqësore 2-0 ndaj ‘Panathinaikosit’, të nesërmen në një lokal në sheshin ‘Omonia’, bashkë me tre lojtarë rumunë, Demollari u takua me Mingën që aktivizohej aty. Rumunët e kanë njohur, pasi ai dhe Josa, i kishin ndëshkuar në Bukuresht, pak kohë më parë. Lindi ideja për ta marrë Mingën te ‘Dinamo’ e Bukureshtit.
Në udhëtimin e kthimit, në avion ishin Demollari dhe kapiteni Mihaesku. Ata i kanë propozuar presidentit, Janolu, për Ben Mingën. Përgjigja ishte aprovuese, madje ai shfaqi interes edhe për Josën e Muçën. Në pak ditë u bë gati viza dhe Minga zbriti në Bukuresht, bashkë me gruan Nora dhe të birin. Kontrata dhe kalimi në formë borxhi te ‘Brahila’, skuadër në Kategorinë e Parë, satelit i ‘Dinamos’ së Bukureshtit. Pastaj, erdhën nga Tirana edhe legjenda e portës së ‘Partizanit’ dhe kombëtares, Perlat Musta, sulmuesi Agim Canaj dhe portiere Ilir Bozhiqi, të gjithë të mbështetur dhe me garancinë e Demollarit.
Fanella me numër 11, e pandarë
“Demo”, kështu e kanë thirrur. Gjatë tre viteve në Rumani, në fanellën me ngjyra vertikale bardhëkuqe, me simbol një qen të kuq, ka luajtur me numrin 11. Kur mbërriti te ‘Dinamo’ të gjithë ishin lojtarë të skuadrave kombëtare e të asaj Shpresa dhe kishin privilegjin të zgjidhnin numrat nga 1-11. Demo ishte më i riu në atë mjedis dhe, pasi futbollistët e tjerë morën numrat e preferuar, atij i mbeti fanella me numër 11, e lirë. “Atëherë më takon mua kjo fanellë”, u pat thënë Demollari zyrtarëve. Interesante, në fakt, sepse që nga ‘Dinamo’ e Tiranës, tek ajo e Bukureshtit, por edhe në Kombëtare ka luajtur gjithnjë me numrin 11.
Goli në derbi
Pas tri javësh derbi me ‘Steauan’ e Bukureshtit. Ndeshja luhej në stadiumin “Dinamo”. Për Demollarin, ishte i pari jashtë kufijve shqiptarë, por i njëjtë në shumë drejtime me ato kundër ‘17 Nëntorit’ e ‘Partizanit’ (‘Dinamo’ skuadër e Ministrisë së Brendshme, ‘Steaua’ e Ministrisë së Mbrojtjes dhe ‘Rapidi’ i Klasës Punëtore). Si në çdo vend, derbi nuk luhet, por duhet të fitohet. Kjo ishte e vlefshme edhe në Bukuresht.
Shumë spektatorë, tension, ndeshje e vështirë. Pjesa e parë u mbyll 0-0. Të gjithë ishin kureshtarë dhe prisnin të shihnin me pa durim performancën e Demollarit. Dhe nuk i ka zhgënjyer. Fiton ‘Dinamo’ me një gol spektakolar të tij, në minutën e 63-të. “Demolari, Demolari e muore militari!” (“Demollari, Demollari dhe vdekje ushtarakëve”), – thërriste i gjithë stadium në kor.
Vetëm një karton i verdhë
Ndeshje për kampionat, ‘Piatra Nems’ – ‘Dinamo’ Bukuresht, 1-0 për vendësit. Brenda zonës, Demollari pretendon për një 11-metrësh, por Kraçinesku, një ndër arbitrat më autoritarë të Rumanisë, (i FIFA-s dhe i finales Milan-Benfika në Vjenë), vazhdon lojën. I nervozuar e ka ndjekur dhe, në protestë e sipër, e tërheq nga fanella.
Ai ka ndaluar lojën duke e ndëshkuar me karton të verdhë, kur dihej që një veprim i tillë ishte direkt i kuq. Pas ndeshjes, janë takuar në hollin e stadiumit dhe ai i ka thënë: “Ç’pate Demo? Të dhashë karton të verdhë se ishe ti”?! Në Bukuresht, Demon e kujtojnë si futbollisti që në tri sezone, ka marrë vetëm atë karton, pasi ka qenë shumë korrekt.
Minuta e fundit, “pushon” zemra e Janolu
Kjo është një tjetër perlë e tij…! Ngjarja ndodhi në derbin ndaj ‘Rapid’-it, që njihet për tifozerinë problematike, pasi janë shumë të zjarrtë. Pjesa e parë 3-1 për ‘Dinamon’, me dopietë të Demos. Në minutën 94-t, gjithçka ka ndryshuar dhe 4-3 për ‘Rapidin’. Është korne në favor të ‘Dinamos’ dhe mbrojtësit e largojnë topin me kokë, që përfundon te shqiptari. I ndodhur te harku i 16 metrave, me një goditje perfekte, shënon dhe barazim 4-4.
“Kur shifrat ishin 4-3, presidenti Janolu, u largua nga stadiumi, pasi e konsideroi të humbur ndeshjen. Minutat e fundit, ai e ka ndjekur në radio”. Këtë e ka zbuluar të nesërmen shoferi i tij, ndërsa kur Demollari shënoi golin e barazimit, presidenti pat pësuar goditje në zemër dhe përfundoi në urgjencë. Atë ditë mbushej një vit e gjysmë pa asnjë humbje. Kampionati u fitua me 30 fitore dhe 4 barazime…!
Në provim, “hakmarrja” e pedagogut
Të hënën pas barazimit 4-4 dhe golit në sekondat e fundit në derbi me ‘Rapidin’, gruaja e Demollarit, e cila vazhdonte Fakultetin e Filologjisë, dega Frëngjisht, kishte provimin e gjuhës frënge. Pedagogu, një tifoz i çmendur i ‘Rapidit’, sapo i pa mbiemrin, e ka njohur duke i thënë: “Atë që më ka bërë burri yt dje, po të ishe midis 4 dhe 5, do të të kisha vënë 4, por duke qenë se je në mes 9 dhe 10, do të vlerësoj me 9. Këtë e ke nga burri”. Megjithatë, pasi mori librezën e notave, ajo pa që pedagogu e kishte vlerësuar me notën 10…!
Shumë i njohur për qeveritarët
Në Bukuresht, në një vizitë zyrtare të ftuar nga presidenti i Republikës, Iljon Iljesku, në fillimin e viteve ’90-të, ishin Presidenti i Republikës, Dr. Prof. Sali Berisha dhe deputeti Azem Hajdari. Në darkën e organizuar në ambasadën shqiptare, midis të pranishmëve ishte edhe Demollari. “Ju keni një sportist të famshëm që luan këtu në Bukuresht”, i pat thënë kreu i shtetit rumun, Presidentit Berisha. Ky i fundit kishte kërkuar ta takonte, pasi nuk e njihte më parë. Ndërsa Azem Hajdari po, pasi ishte miku dhe tifozi i tij e i ‘Dinamos’. Fama e tij në Rumani është ndier edhe nga drejtues të tjerë të shtetit shqiptar, kur kanë udhëtuar apo qëndruar atje për probleme pune.
Kur shtypi italian dyshonte…!
“Dyshime për Demollarin, është me të vërtetë i dëmtuar?”. Kështu shkruante ‘Guerin Sportivo’ në prag të takimit ‘Xhenoa’- ‘Dinamo’ Bukuresht për Kupën UEFA, duke e interpretuar si një taktikë mungesën e tij në stërvitje një ditë para ndeshjes. “Pas një orë stërvitjeje në Luigji Ferraris, trajneri i skuadrës së ‘Dinamos’, Halagian, deklaron se Demollari me 99 % nuk do të jetë në fushë, për shkak të një tërheqjeje”.
Ndërkohë ka ndërhyrë presidenti i ‘Dinamos’, Ianulu, i cili në italisht shprehet: “Për fat të keq duhet të luajmë pa golashënuesin dhe kapitenin e Kombëtares shqiptare, Demollari. Por, ai do të jetë në takimin e kthimit. Një barazim do të ishte ideal. Jemi të sigurt se kualifikimi do të vendoset në Bukuresht, në stadiumin tonë”.
Ndërsa me Alegrin, trajnerin aktual të ‘Juventusit’, janë përballur dhe kanë qenë në fushë në takimin ‘Kaljari’ – ‘Dinamo’ Bukuresht, sërish në Kupën UEFA. Por, fitoret pas kualifikimeve me ‘Lahtin’, ‘Sportingun’ e Lisbonës të Luis Figos dhe ndeshjet me Olimpik Marsejën që drejtohej nga dyshja: Berndard Tapi – Franc Bekenbauer, mbeten të paharruara. Demo, ka qenë ndër lojtarët më të mirë të atyre sfidave.
Lotët e presidentit pas hekurave
Vasile Janul (nuk jeton) ka qenë dhe mbetet njeriu unik për ‘Dinamon’, e Bukureshtit, për Demollarin dhe për shqiptarët. Me profesion jurist, ish-futbollist, në Tiranë kishte qenë në vitet ’70-të në Kupën Ballkanike. I akuzuar për evazion fiskal, lidhur me transferimet e lojtarëve, kur ishte president i klubit, e patën arrestuar dhe ndodhej në burg në hetim e sipër. Ishte viti 2000 dhe Demollari ndodhej në Rumani. Ish-mesfushori shqiptar i ‘Dinamos’ së Bukureshtit, shkoi ta takonte dhe ai u prek tej mase: “Demo, ke marrë rrugën nga Shqipëria dhe vjen që të më takosh mua në burg…”?!, i pat thënë Janul, duke shpërthyer në lot…!
Pak muaj te ‘Steaua’ dhe takimi me legjendën e portës, Dukadan
Ishte viti 1994, muaji korrik dhe Demollarit i kishte mbaruar kontrata me ‘Dinamon’ e Bukureshtit. Ndërkohë, i vjen një ftesë nga drejtuesit e ‘Steauas’. Oferta është njëvjeçare, trajneri Emerik Jenei, ish-trajneri i kampiones së Europës në ’86-ën, e pëlqen, dhe në mjediset e klubit, Demollari, të parin që takon, ishte Dukadan, President Nderi, portieri që priti penalltitë në fitoren e famshme ndaj ‘Barcelonës’. Ishte krejt normal dhe pa dëmtime në duar siç flitej. Pa e zgjatur, Demo u nis me skuadrën për në Brashovë, në kompleksin e klubit për fazën përgatitore ku gjeti Lakatushin, kapitenin e njohur të ‘Steauas’. Por, qëndrimi te ‘Steaua’ nuk u realizua, pasi tifozët e ‘Dinamos’ protestuan, duke i detyruar drejtuesit të mos e linin të largohej te një ekip rival.
Në nëntor të ’94-ës, ndahet miqësisht me ‘Dinamon’ dhe niset në Greqi, pasi kishte një ofertë nga Panioniosi, ku aktivizohet në 24 ndeshje dhe shënon 1 gol. Për një vit atje dhe përballet me sfidat në derbin athinas (i vetmi lojtar që mund të ketë luajtur tre derbi të shteteve të ndryshme), pastaj një transferim i shkurtër në Hungari me ekipin ‘Rabat Gyor’ ku në pesë ndeshje, realizon 1 gol me atë skuadër modeste. Pas kësaj vjen viti 1997 dhe për legjendën Demollari, vjen edhe tërheqja nga futbolli profesionist. Ishte 33 vjeç, karriera është mbyllur, ndonëse vazhdoi edhe për pak kohë në Kieti të Italisë.
Kronika rozë dhe “Benzi” nga Perlat Musta
Asnjëherë nuk ka rënë viktimë e aparateve të paparacëve rumunë. E kanë ruajtur, ndjekur, kudo dhe në çdo kohë e moment, siç veprohet me futbollistët apo njerëzit publikë. Por jeta e Demollarit në Bukuresht, ka qenë shumë e kufizuar, pa abuzime: shtëpi, stërvitje, familje. Asnjëherë në “night club”, një regjim tejet profesionist.
Në plazh preferonte të shkonte në Kostanca dhe në Rumani, ka lëvizur me një veturë “Renault”, që ia kishte dhënë klubi. Ndërsa për udhëtime jashtë shtetit, bleu një “Benz Mercedez” që e mbante në oborrin e ambasadës. Ishte Perlat Musta, miku dhe shoku i skuadrës te ‘Dinamo’ e në Kombëtare, që e shtynte: “Merre, blije një ‘Benz’, janë të pavdekshëm…”!
Kthimi në Bukuresht
Pas largimit, Demollari është rikthyer disa herë në Rumani. Ishte viti 2000, kur ndodhej në Itali dhe i erdhi një ftesë për një përvjetor të klubit, duke luajtur në një miqësore me veteranët, ‘Dinamo’ – ‘Steaua’ 4-4. Ishte Demollari autori i golit të fundit. Pastaj me ‘Dinamon’ e Tiranës në sfidën kundër ‘Dinamo’ të Bukureshtit, për Champions League, në vitin 2002. Dhe e fundit, kur ndërmjetësoi për transferimin e sulmuesit shqiptar, Ervin Bakaj, nga kryeqyteti shqiptar për te ‘Dinamo’ Bukureshtit, në janarin e 2011-s. Kanë nostalgji për të.
Çfarë dha e mori nga ‘Dinamo’ e Tiranës dhe ajo e Bukureshtit…?
Kur u transferua në Bukuresht, Sul Demollari kishte një karrierë të gjatë, të vlerësuar dhe plot me evenimente. Ishte vetëm 17 vjeç, kur kishte debutuar me ‘Dinamon’ e Tiranës dhe nga viti 1981 deri në 1991-in në rreth 250 ndeshje, ka shënuar 100 gola. Gjatë asaj periudhe për 10 vjet rresht, ka qenë protagonist absolut, kapiten i saj dhe i Kombëtareve, Shpresa e asaj “A”, deri në vitin 1996, ku në 45 ndeshje, ka shënuar 1 gol. Një lojtar i gjithanshëm dhe i kudondodhur, një ndër talentet e mëdha të futbollit shqiptar.
Pastaj, tri sezone te ‘Dinamo’ e Bukureshtit kur ishte 28 vjeç, madje në disa ndeshje edhe kapiten i saj, ku në 100 ndeshje të zhvilluara, ka shënuar 36 gola. Te klubi i famshëm rumun, nga ndeshja e parë deri tek e fundit, ka qenë lojtar stabël dhe ka një kontribut të madh në fitimin e një kampionati, dy herë nën kampion, si dhe shënues me 18 gola në sezonin e parë.
Nga Rumania është larguar duke lënë pas famën, që e ndjek edhe sot kur zbret atje, apo kur rumunët vijnë në Shqipëri. “Demo, sikur të ishe tre vjet më ri…”, thoshin gjithmonë. Nga Rumania, veç të tjerash, ai ruan fanellën, një kopje të kontratës dhe miqësinë me Vasil Toçin, ndonëse inxhinieri jeton më shumë në Bukuresht, por gjithsesi i është mirënjohës. Ishte ai që do t’i ofronte atë transferim të bujshëm, pas atij takimi në qershorin e largët të 91-it! Memorie.al
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016