Pjesa e parë
Memorie.al / Asnji shqiptar brenda a jashtë Shqipnijet nuk më ka tërhjek e shty të baj diçka për ‘të duke i lënë dy gisht letër si kujtim që të ngulitet në kujtesën e pasardhësve që ta kujtojnë me nderimin ma të madh, njeriun që e deshi me gjithë zemër Shqipnin. Megjithëse të parët e tij janë largue që në shekullin e XV-të, prap se prap Terenci gjenë forca e kujtohet për vendin e të parëve të vet. Ka shkruar shumë, jo se ishte shkrimtar, se profesioni i tij për të cilin u shkollua qe jurisprudencë, po gjeti kohë që të merrej edhe me shkrime, të cilat unë, kur i kam lexue, jam befasue për thellësinë e mendimeve e koshiencën primare që ka pasur për shqiptarët të lindur e rritur nën hijen e Kanunit të Maleve.
Çdo mendim e lidh me karakterin burrnor të shqiptarëve. Aty ku ka mundësi, citon të dhëna të Kanunit që aq fort e kishte pasur për zemër. I ka njoftun shqiptarët deri në gen. Fatkeqësia e tij qe se njohu edhe lubinë komuniste, që, si do të shohim më poshtë e rrënoi me rrajë e themel aq sa sot askush nuk kujtohet të thotë se një farë Terenc Toçit, ka pasur pasaportë shqiptare e italiane dhe ka kenë vendosun në Tiranën e Re, po që tashti shtëpia e tij, e përlame nga komunistët plangprishës duhet të jetë diku, po diktatura i ka ndërruar kufijtë.
Në një shkrim të shkruar nga e bija, Roza, thuhet se atyre ua ka marrë shtëpinë që gjatë luftës një farë Bedri Spahiu nga Gjinokstra. E tashti, them unë, trashëgimtarët e Prokurorit të përgjithshëm, të cilit diktatura ia ka tretë farën me rroc e me koc, duhet të jetojnë në atë shtëpi të Terencit, ndoshta edhe i kanë internue familjarët dhe shtëpinë mund ta ketë përlarë ndonjë lab gjysëmopinge që la guroret e Labërisë, Mallakastrës, Çamërisë e zu vend në zemër të kryeqytetit, sikur t’ia kishte lanë baba brez pas brezit.
Po jo, besa, ata këlysh komunistë i kanë lëshue rrajtë në Tiranën e vjetër e të re, veç ndonjë mrekulli që mund të ndodhë, ban që trashëgimtarët e Roza Toçit që jetojnë hëpërhë në Itali mund të marrin pronat e veta me shpi e katandi, tash që po thuhet se Evropa nuk e pranon Shqipninë në BE, në qoftë se nuk kalon prona te i zoti.
Kaq kam dëshirë të realizohet kjo gja sa s’di çka t’ju them. Gjithçka e tham tuj pas parasysh pasardhsat e Terencit, që asht e saktë që e kanë pasë pronën e vet në Tiranë të Re, se ka boll aso kryemataresh që i kanë shërbye turkut e janë ba me prona pa pague asnji kacille. Tash po ia la vendin shkrimit që kam ndërmend me e ba për Terencin:
Terenc Toçi u lind në Shën Cosmo Albanese me 9 mars 1880 në nji familje arbëreshe me tradita të mrekullueshme, sidomos për vendin e të parëve, Morenë e bukur. Të parët e tij kishin shkue nën Skenderbeun në Itali për të luftuar kundër baronëve. Ishte një marrëveshje e kahershme mes Skenderbeut e Venedikut, për të ndihmuar njëri – tjetrin.
Kur u rrit, Terenci u kujtue për vendin e të parëve që ishte këndej Detit Adriatik, Arbërinë, kështu që e la përfundimisht vendlindjen e Shën Kosmo Albanese, qysh pas Luftës së Parë Botnore dhe u vendos përfundimisht në Shqipni. Ishte njeri jo vetëm i mendimeve të thella, por edhe i veprimit energjik e pa kompromis në dobi të Shqipërisë. Qe diplomuar në Drejtësi, po merrte vesh edhe në ekonomi, po ma për zemër kishte gazetarinë.
U formue si politikan i pakundshoqin, polemizues e zhbirilues deri aty e s’shkon ma andej. Në punën e veprimtarinë e tij pati si model Giuzepe Mazzinin, ashtu si edhe nji shqiptar i mavonshëm pati për shembëlltyrë nji Xhyzepe tjetër, Ungaretin. Ai pati qenë Martin Camaj, që ashtu si Terenci e pati shkri jetën në mërgim, duke shkrue e mundue për Shqipninë e pushtueme nga komunistat. Në vitin 1900, kur nuk ishte ma shumë se njizet vjeç djalë, shkroi studimin, “Çështja shqiptare”, qi u botue nji vjet ma vonë, pasi e përpunoi e konsultoi me mendimtarë qi ia deshën të mirën këtij vendi e kësaj Shqipnie të lanun si zhallogë rrugash.
Ai qe i bindun se regjimi i vjetër anadollak otoman do të përmysej shpejt, se e njihte mirë historinë e Evropës dhe të të “sëmurit të Bosforit”, por e shqetësonte dhe frikësohej pa masë për ndikimin e depërtimin e Austrisë gjatë atyre viteve në Shqipëri. Në shkrimet e tij, Terenci shprehej: “Çështja e Lindjes është nji ankth i tmerrshem për Evropën, sepse, për zgjidhjen e saj, mund të shpërthente një luftë që do të çonte në konsekuenca katastrofike për popujt e zvarritur e të masakruar nga qeveritë, që s’janë gja tjetër veçse mohimi absolut i çdo veprimi e parimi të drejtësisë apo të së drejtës”.
Gjatë kohës që ishte në Shqipëri, ai vizitoi disa koloni shqiptare në Amerikën e Jugut dhe mbajti konferenca mbi dy tema: “Dy popuj të paçliruar” dhe “ Italia e Shqipëria në Adriatik”.
Në Amrikë, në Nju Jork, Terenci njohu Klementina Romana dhe, si njeri që merrte vendime të mënjëhershme, i kërkoi të vëllait, Xhenerinos, noter në New York, dorën e së motrës. Ai, i vëllai, në fillim ngurroi, sepse në adresë të Terencit, nga Italia vinin lajme jo fort të mira që e cilësonin si revolucionar të rrezikshëm. Megjithatë, pas dy muajsh, ata u martuan.
TERENC TOÇI NË MALET E SHQIPNIS
Në vitin 1911 marrim vesh se Terenci niset në një udhëtim nëpër malet e Shqipnis së Veriut, duke u ngjitur në të përpjetat e Kelmendit, kalon dy Shalët (të Madhën e të Voglën), për në Berishë e Toplanë… duke përshkuar Drinin…arrin në Orosh e më saktë, në Fan të Mirditës, që në kohën e vet ishte zemra e Shqipnis. Duke marshuar nëpër malsitë e Veriut, si: Shalë, Shosh, Mertur, Mekaj, Toplanë, Thaç e “flamuj” të tjerë, i shoqëruar nga një malcuer me emnin Sadri, Terenci tregon për gatishmëninë e tyre, si puna e Andrea Prenkës, për me luftue turqit pushtues.
Malcorët, për Beslidhje, betohen në traditën kanunore, si: “ Përsa asht i vërtetë Zoti, lidh “besën” që, deri sa të kem jetën, do të luftoj me shokët e mi për Flamurin shqiptar, … nuk do të vras përveç se në betejë… betohem se nuk do të bie i gjallë në dorë të turkut e t’u dorzohëm kërcenimeve e joshjeve të tij”!
Me 26 prill 1911, Terenc Toçi në Bisak afër Oroshit, mblodhi burra në kuvend duke thirrë njerëz që e donin atdheun nga fshatrat që përmendëm më lart, por edhe nga Hasi e marë Mirdita.
Në atë tubim, bajraktari i Oroshit, e ftoi të merrte drejtimin e organizimin për krijimin e një qeverie të përkohshme. Pas dy ditësh, d.m.th., me 28 të atij muaji, Terenci i shkruante Riccioti Garibaldit, duke i thënë se ai mund ta varte shpresën te tridhjetëmijë burra e të vinte menjëherë me armë e vullnetarë…!
Duke parë gatishmërinë e malcorve, që me nji të thirrun: “ Kush asht trim”u tubuan aq shumë, turqit dhe shërbëtorët e tyer u shqetësuan shumë dhe premtuan njëqindmijë mexhite ( para e asaj kohe, BS) për kryet e Terenc Toçit, por asnjë shqiptar besëlidhun ose jo, nuk e trathtoi. Për ato ditë të paharruara që u bënë preludi i shpalljes së Pavarësisë, analisti i çështjeve shqiptare në Amerikë, Sami Repishti shkruan: “Që nga Iballja e Pukës me Terenc Toçin e deri në Kalanë e Deçiçit me Ded Gjo Lulin, ngritja e Flamurit kuq e zi shërbeu si paraardhës i festës tonë komtare me 28 Nandor 1912 në Vlonën e Ismail Qemalit”.
Me gjithë gatishmërinë e shqiptarëve për një luftë të armatosur kundër turqve në bashkëpunim me forcat e Garibaldit, ashtu si i ishte premtuar Terencios, për t’i dhënë armatim e mjete të domosdoshme për luftim, ajo nuk u krye, sepse Garibaldi kishte hequr dorë përfundimisht që të dërgonte armë e trupa italiane në Shqipëri. Kjo ishte një fyerje e rëndë për rininë italiane e cila u tregua e gatshme për të dhënë gjakun për çështjen shqiptare.
Për këtë gjë edhe Terenc Toçi u pezmatua sa s’di njeri të tregojë, po, megjithatë, lajmi që ishte përhapur se një shqiptar i Italisë ishte vû në krye të një Qeverie të Përkohshme për kryengritje të armatosur në Shqipëri ishte një nismë e madhe, madje kjo gjë u publikua edhe në gazetën prestcioze italiane, “Giornale d’Italia”.
Ajo i publikoj të dhënat mbështetur në një intervistë që vetë Toçi e kishte dhënë në qershor të vitit 1911 kur kryengritjet e malësorëve të veriut kishin marrë përmasa të gjëra për përmbysjen e pushtimit qindravjeçar turk. Në intervistë Terenci kishte deklaruar me përgjegjësi se ishin gati gjashtëdhjetëmijë burra kryengritës që bindeshin sikur të ishte një ushtar i vetëm.
Kur një nga gazetarët e pyeti për forcat turke, ai u përgjigj me objektivitet, pa ia ulur vlerat: “Të shkëlqyeshme, do të ishte e padrejtë ta mohoja”. Gjatë asaj bisede Terenci kishte nxjerrë si dëshmi tri fletë protokolli, ku ishin emrat e kryengritësve dhe praninë tyre, si dëshmi tradicionale, ishte vënë gishti, sipas teorisë së policisë shkencore, gjë të cilën ai e dinte mirë, meqë ishte jurist.
Siç dihet dhe nga historia, ata kryengritje u mbytën me gjak nga masakrat çnjerëzore të Shefqet Turgut Pashës, për të cilin Toçi thoshte se; “ … nuk ka ndjenja njerëzore, por është një burrë inteligjent e trim, i cili kërkonte ta varte priftin e Mirditës që, sipas tij (Pashës turk, shënimi im) nuk kishte ndihmuar shumë për qeverinë”.
Pas shpalljes së Pavarësisë nga Ismail Qemali, sigurisht nën diktatin e Fuqive të Mëdha, sidomos Austrisë, Terenc Toçi filloi të shpallte e shprehte mendimet e tiija në favor të shqiptarëve në një organ shtypi, që titullohej; “Revista dei Balcani”, e cila botohej në Romë. Mes të tjerave, në atë revistë shkruante: “Një popull që ka patur një qytetërim të madh… që ka penguar gjysmëhënën të kalonte Adriatikun… një popull që shkencëtarët e kanë përcaktuar si raca më e bukur dhe më e fortë e Ballkanit… nuk duhej të zhdukej”.
TERENCI VAZHDON TË MBROJË TË DREJTAT E SHQIPTARËVE
Në Kongresin Ndërkombëtar që u mblodh në Trieste në mars 1913, disa muaj para Kongresit të Berlinit, ku do të trajtoheshin edhe problemet e popullit shqiptar, mes të tjerave Terenci tha në fjalën e mbylljes: “Të shkojmë në Shqipëri e, ja të vdesim, ja të rrojmë për liri”.
Më vonë ai themeloi në Shkodër gazetën e përditshme; “Taraboshi”, në të cilën filloi të demaskonte manovrat e Fuqive të Mëdha që, për të sheshuar kontradiktat ndërmjet vetes, donin me coptue Shqipnin, nji vend të skllvnuem për katërqind vjet nga pushtuesit osmanë, po thirrjet e tij ranë në veshë të shurdhët dhe Austria e bani Shqipninë mretni dhe uli në fron Princ Vidin, në mars të vitit 1914.
Pas një viti e gjysëm që jetoi gazeta “Taraboshi”, u bllokua. Pavarësisht nga vlerat që kishte dhe ndihma që idha popullit të Shkodrës, që ishte i etun të dinte gjithçka. Edhe pse në qytet dilnin me dhjetra revista kulturore që trajtonin probleme shoqnore, ata e deshën edhe “Taraboshin” e Terencios. Ajo kishte ndihmue për shpërndamjen e lajmeve koherente që ishin çështje të ditës, por kishte dhanë ndihmë të paçmueshme për mësimin e gjuhës italiane. Nomenklatuar e kuqe, ma vonë, do ta quente se ka dashur të “fashistizonte” shqiptarët gazeta e tij!
(A thua ne, tash pas përmbysjes së komunizmit, që kemi futur nëpër shkolla gjuhët e huaja, do të ndërkombtarizohemi e harrojmë gjuhën shqipe?! Si s’ bame sllav a rus, kur mësonim rusisht?!) Megjithatë, shkakun e mbylljes së asaj gazete nga autoritetet vendore, botuesi e argumentonte nëpërmjet fakteve të njëmbëdhjetë pikave, që kishte botuar për shfrytëzimin e ekonomisë shqiptare nga koncesione të huaja që ishin në Shqipëri. Pra, kuptohet qellimi i autorit të gazetës. Të mbronte Shqipnin. Autoritet vendase, duke u mbështetur në shtypin e ditës që trumbetonte qellimet “e mira” të firmave të huaja, thonin për gazetën e Toçit se botonte lajme të pasakta.
KALEMXHINJTË E PASKRUPUJ TË DIKTATURËS PËR TERENCIN
Interesant asht fakti se studiues e historianë të nomenklaturës së kuqe komuniste, mes gazetave të tjera “reaksionare” që botoheshin në Shqipëri para çlirimit, që nuk trumbetojshin bolshevizëm, ashtu si do t’ua kishte qejfi, futin edhe gazetën “Taraboshi”. Mes të tjerëve, studiuesi erudit, po i ethur deri në gen me idetë social – komuniste, Gazmend Shpuza, që pati ngritur deri në qiell bëmat e Haxhi Qamilit, shkruan:
“ Gazetë në mbështetje të reaksionit çifligar, bajraktar e klerikal”!
Tash, nuk po dimë ke të quajmë reaksionar, autorin e “Taraboshit”, a të “Studimeve…”, që ka ngritur lart fshatarin zhelavuq që përmendëm më sipër, për të cilin shkruan se lëvizja e udhëhequr nga Haxhi Qamili, ishte lëvizje antiçifligare e klasave shfrytëzuese, apo gazeta e Toçit që, atë rebelim e quante “difekt të rëndë që po minonte shtetin e rilindur”! Vetë botuesi i gazetës “Taraboshi”, shkruante se; “përfitonte nga sjellja e miqve patriotë, sikur se poeti, Hilë Mosi…”! Se cili qe Hil Mosi, e dinë të gjithë. Kishte luftuar me armë në dorë përkrah trimave malsorë të Ded Gjolulit.
Gazeta kishte nxjerrë një memorandum prej njëmbëdhjetë pikash. Në pikën e dytë thuhet: “Gazeta luftoi kundër të ashtuquajturës ‘Banka Kombëtare Shqiptare’ e cila, e themeluar nga kapitalistët e Milanos e të Vjenës, për të krijuar një shtet brenda shtetit, i vuri zinxhirët së ardhmes ekonomike të Shqipërisë në vend që ta emanciponte atë”!
Këtë sqarim botuesi e bën për të treguar se përmes shkrimeve të tij, kishte prekur interesat kapitaliste të shtetit italian e austriak, prandaj dhe e mbyllen. Dihet se të fuqishmit kanë gjithmonë “të drejtë”. Një tjetër publicist e vjershëtor folklorik, me emrin Hamit Lumi, i cili ishte laruar nga Shqipëria në vitin 1911, për në ShBA-ës, atëherë kur vendi kishte nevojë më shumë se kurrë për t’u rreshtuar në vijën e parë kundër osmanëve, shkruante një krijim – bejte me titull; “Ç’thotë Toçka”, ku thotë; “e thelloi tradhtinë duke u bërë vepër e fashizmit Italian në Shqipëri… i cili, duke qenë arbëresh, mundohej ta shiste veten si atdhetar dhe mbrojtës të kombit shqiptar”!
Dhe jep një fragment nga bejtja ku autori Hamit Lumi “satirizon” me vargje “prekëse” Terenc Toçin: “Pa vuar, pa shkollë (Terenci që kishte kryer studimet Juridike, B.S.)/ dhe pa dituri/ pa mendje të hollë/, t’ kem diplomaci/ Edhe meritoj…/ Për ministri”…! Në fund të vjershës, studiuesi i “paanshëm” Z. Braho, që ngre lart të arratisunin Hamit, bën këtë shënim: “Kështu thotë Toçka dhe ky është program i tij dhe i shokëve që ka afër ose larg, se kështu mbarohen dëshirat e Italisë dhe të Greqisë, prej të cilave paguhen”, Hamit Lumi.
Studiuesi i mësipërm, z. Zeka, shënon se këto shënime i ka marrë nga gazeta “Albania – Shqipëria”, të datës 4 dhjetor 1919. Dhe ne, kemi të drejta të pyesim: “A thua i ndjeri Lumi që e kishte marrë lumi (ndërruar jetë), me 18 prill 1929 në Boston (me i qa të keqën, shënimi im), se fashizmi në Itali u vendos nga viti 1922 dhe s’kishte si t’i jepte paradhënie mendimet që me 1919, në atë gazetë që cekëm se; “Terenci është bërë vegël e fashizmit”! Mbase fashizmin e ka konstatuar kur ideologët e tij (fashizmit, B.S.) ishin me “barrë”?!
Te titulli i poezisë; “Ç’thotë Toçka”, ndërsa në fund të saj… “Kështu thotë Toçka”. Prap bëjmë një pyetje të dytë:
“Mos kemi ndonjë lajthitje a lapsus të ‘studiuesit’, poet – bejtexhi, H. Lumi, kur pas emrit “Toçka”, nënkupton T. Toçin, sepse Terenci shkruante me pseudonimin “Milo Shini”, ndërsa me pseudonimin “Toçka”, ka shkruar Milto Sotir Gurra. Po të jetë kështu, se gjithçka mund të ketë ndodhur në të kaluarën, se kur vdesin dëshmitarët okularë, lindin legjenda, që gjithë ato “epitete” t’i visheshin M.S. Gurrës, vaj halli, se duhet të hiqet nga letërsia shqipe, ose “studiuesit” Hamit, që e ka marrë Lumi, t’i themi: “Ia ke futë kot…”!/ Memorie.al
Përgatiti; Broz Simoni
Vijon numrin e ardhshëm














