Nga Shkëlqim Abazi
Pjesa e dyzetetre
Memorie.al / Kam lindur më 23. 12. 1951, në muajin e zi, të kohës së zisë, nën regjimin më të zi komunist. Më 23 shtator të vitit 1968, krye-hetuesi sadist, Llambi Gegeni, hetuesi xhahil Shyqyri Çoku dhe prokurori mizor, Thoma Tutulani, më sakatuan në Degën e Punëve të Brendshme në Shkodër, më çanë kokën, më qorruan njërin sy, më shurdhuan njërin vesh, mbasi më thyen disa brinjë, gjysmat e dhëmballëve dhe gishtin e madh të dorës së majtë, më 23 tetor 1968, më çuan në gjykatë, ku mjerani Faik Minarolli, më dha një dhjetëshe burg politik. Pasi më prenë gjysmën e dënimit, sepse isha ende minoren, gjashtëmbëdhjetëvjeçar, më 23 nëntor 1968, më shpunë në kampin politik të Repsit dhe prej atje, më 23 shtator 1970, në kampin e Spaçit, ku më 23 maj të vitit 1973, në revoltën e të dënuarve politikë, u dënuan me vdekje dhe u ekzekutuan me pushkatim, katër martirë; Pal Zefi, Skënder Daja, Hajri Pashaj dhe Dervish Bejko.
Më 23 qershor 2013, humbi zgjedhjet Partia Demokratike, proces më se normal në demokracinë që mëtojmë. Por më 23 tetor 2013, Drejtori i Përgjithshëm i Qeverisë rilindase, dërgoi urdhrin Nr. 2203, datë 23.10.2013, për; Lirimin nga detyra të një punonjësi policie. Pra Providenca Hyjnore, u pleks me Providencën rilindase neokomuniste dhe, pikërisht më 23 më zëvendësuan, as më pak e as më shumë, po me ish-operativin e Sigurimit të Burgut të Burrelit. Ku do kishte më domethënëse se kaq?! Ish-i burgosuri politik, zëvendësohet nga ish-persekutori!
Autori
SHKËLQIM ABAZI
R E P S I
(Kampi i punës së detyruar)
Memuaristikë
Takimi i parë
(Varka e mbytur në stere)
Mjaftonte të fitoje besimin te Riçi për të quajtur mik; por mik sipas konceptit amerikanë që është diametralisht i kundërt me tonin. Ne, kur dikë e quajmë mik, bëjmë çdo sakrificë për ta justifikuar miqësinë, kurse ai ishte tejet indiferent, ndoshta edhe si pasojë e zhgënjimeve të mëdha para burgut. Sidoqoftë, mund të pohoj me plotë gojë, gëzoja simpatinë e Riçit; të zgjaste një gjysëm cigare ai, do të thoshte shumë dhe unë e kisha këtë privilegj. Riçi mësues, ishte antipodi i Riçit individ. Kur e shihje atë ndryshim substancial, çuditeshe dhe pyesje veten:
“Ç’mund të kish ngjarë në subkoshiencën e këtij individi?! Ç’forca centrifuge apo centripete të vepronin në orbitat e trurit të kësaj gjallese, që e shndërronin befasisht, nga një njeri-kafshë, që hante ç’ti zinte dora, që pinte pa qibër në çdo gërraç, që bashkëjetonte me koloni minjsh, ne luzma mizash, me taborre morrash dhe mizëri tartabiqesh, pa u shqetësuar aspak; pra, nga një qenie që vetëm vegjetonte, për të ngrënë dhe që edhe nevojat biologjike, i kryente atje ku ta zinte, pa ndjenjën më minimale të turpit, që edhe pordhën më të zhurmëshume e priste me përshëndetjen; ‘salute Riçi’! sapo kapte librat me dorë, tjetërsohej në zotëri? Parzmohej nën një koracë delikatese, të denjë për oborrtarët, seç gjente ca shprehje fine, me fraza të zgjedhura e të përpunuara, si zonjat e moçme hijerënda”?!
Kur e vura re së pari këtë shndërrim thelbësor, torturova veten me pyetjen: “Ç’mund të ndodh me subkoshiencën e një individi që kish parë dritën e diellit në një vend të lirë, e papritmas gjendet nën dhunë shtetërore”? Por s’arrija të gjeja një përgjigje të kënaqshme, atëherë nëmja: “Mallkuar qofshin sistemet që ndikojnë mbi karakteret, mallkuar qoftë terrori që tjetërsoka personalitetet; mallkuar komunizmi si teori dhe praktikë që me iluzionin shterpë të parazitizmit, eklipsoi trurin e gati gjysmës së globit e, prodhoi me shumicë parazitë, demagogë e sharlatanë; mallkuar ky sistem dhune; mallkuar edhe perëndimi, që për qëllime pragmatiste, stimuloi murtajën e kuqe të pllakoste hapësira pa skaj dhe te shndërronte qeniet fisnike, në kafshë pa dinjitet, tru shpëlarë e mizorë”!
Kur uleshim me libra apo flisnin për to, Riçi ndihej si peshku në ujë, sikur rinohej dhe i binte një tjetër nur. Fjalorin e përdorimit të përditshëm e flakte në skutat më të thella të stibkoshiencës, si ato lëveret e palara në koshat e mbyllur; qeshej dhe përtërihej e merrte një tjetër nur. Mandej niste shpjegimin, e zbërthente gjithë mësimin e ditës në detaje; me një vokabular të përsosur deri në perfeksion, niste krahasimet me gjuhët e tjera që njihte, anglisht, italisht, spanjisht. Analizonte me kompetencë profesionale, prejardhjen e fjalëve të panjohura, hynte në rrënjët latine të emrave, mbiemrave, përemrave, ndajfoljeve, zgjedhonte në të gjitha kohët e mënyrat dhe në gjithë gjuhët që njihte foljet ndihmëse, kalimtare dhe jokalimtare. E ndiqja gojëhapur, më habisnin këto njohuri të gjera!
Në fund i fituari dilja unë. Mbas çdo konsultimi me të, mësimi i radhës më dukej më i kollajtë, biles jo vetëm ai, po edhe disa pas tij. Si ai shahisti strateg, që pas lëvizjes së radhës, parashikon edhe disa pozicione të mëvonshme në skakierë, edhe ai të ndër-kallte misterin e pritshmërisë. Si natyrë Riçi, ishte dembel klasik, ndaj s’ish e lehtë të shtroheshe me të. Kjo edhe sepse kohën e harxhonte për të grumbulluar dhe manipuluar koret e bukës e, ndonjë ushqimi tjetër, sipas stinës. Meqë më kish akredituar të drejtën e konsultimit, gjë që s’e gëzonte gjithkush, për ta kompensuar një farë soji, i ofroja ndonjë favor material, si: ndonjë qese duhan, një racion buke apo ndonjë kilogram sheqer, apo oriz, të cilat ai i pranonte me kënaqësi dhe natyrisht, me vullnet të dyanshëm, në këmbim unë shfrytëzoja maksimumin e minutazhit.
Kur mbyllej një kapitull, që për javë të tëra më kish torturuar, procesin përmbyllës e kyçja më Riçin. Përfundimisht ky ish një kapitull i përvetësuar dhe mjaftë gabime të ndrequra në shqiptim, sidomos, në zotërimin e thekseve, ku unë ndjeja dobësi. Muaj më pas, me Riçin do bëja një pakt: çdo të diel paradite, nëse do na linin pushim apo, s’do të na bënin kontroll, të konsultohesha. Riçi ish metodist i shkëlqyer, po letrar pa nivel. Praktikonte përkthimin fjalë për fjalë ose, me sinonime, por asnjëherë traduksion të lirë. Kjo si metodë ish e vështirë por shumë frytë dhënëse, sepse bagazhin e fjalorit e shfrytëzoje në maksimum dhe kur mbaroje kapitullin, e kuptoje se mundi s’kish shkuar dëm, kishe përvetësuar një mori fjalë të reja dhe idiorna pafund. Pra, Riçi ishte mësues proze, jo poezie:
“Poezia do fantazi, or mik! Kërkon hapësira improvizuese, por kjo u lejohet vetëm poetëve etërorë, po jo nxënësve shembullorë”, – arsyetonte ai. Dashje pa dashje, me Riçin duhej t’i thoja lamtumirë dobësisë sime, poezisë. Sidoqoftë, mësimet e tij më vlen jashtë mase.
7– Mësuesi i vërtetë i frëngjishtes, ai që pa asnjë kompensim impenjohej çdo ditë me mësimdhënien, ishte Ilia Iljadhi. Jo më kotë i lashë për në fund, dy figurat emblematike të shkollës së burgut. Ilia ishte rreth pesëdhjetë vjeç, në kohën kur e njoha unë. Në vitet e Luftës, si gjithë rinia shqiptare, ish molepsur me idetë komuniste, ishte angazhuar për çlirimin e vendit nga Italia fashiste dhe më pas, nga Gjermania naziste. Ishte inkuadruar në radhët e forcave partizane, duke bërë edhe karrierë në hierarkinë e gradave.
Qysh i vogël ish larguar nga fshati i lindjes, Çarshova e Përmetit. Kishte nisur punë në shoqërinë e vajgurit ‘A.I.P.A.’, ku falë mbështetjes të bashkëfshatarëve të tij që punonin aty, po dhe me aftësitë e veta, arriti pozita të lakmueshme, si në punë ashtu edhe në shoqëri. Bashkëpunimi me inxhinierët dhe specialistët italianë, si dhe të kombësive të tjera, e futi në kontakte me kulturën më të përparuar botërore, për kohën. Si djal i shkathët, i zgjuar e i etur për dije, shpejt gjeti çelësin e besimin të titullarëve të kompanisë që e dërguan për specializime të avancuara në Itali dhe disa herë në Francë. Ilia zotëronte veti të veçanta intelektuale dhe përshtatjeje në çdo grup shoqëror ku e lidhte puna, ndaj arriti të fitonte dashamirësisë e pritësve dhe mundi të futej në rrethet intelektuale, ne qytetet e mëdha perëndimore.
Natyrisht atë kohë, rinia e atyre vendeve gumëzhinte nga idetë e reja, ndaj kontaktet më të ngushta i vuri me grupet jakobine komuniste dhe si pasojë, u kthye në Atdhe me bindet e një socialisti njëzetekatër karat. Edhe në Shqipëri gjatë fundviteve të dekadës së dytë dhe të tretës së shekullit njëzet, lindi një lëvizje e majtë, e inspiruar dhe drejtuar nga individë me prirje anarkiste, që në mes-vitet njëzet, kishin qenë kundërshtar politik të Ahmet Zogut, rrjedhimisht mbështetës të lëvizjes antikushtetuese, të Fan Nolit. Me rikthimin e Zogut, këta morën arratinë dhe gjetën strehë në vende të ndryshme evropiane.
Të zënë ngushtë ekonomikisht, ikanakët pa shtyllë kurrizore, u bënë preh i lehtë për kundërspiunazhin sovjetik, që gjeti kështu lëndën e gatshme, për të përgatitur revolucionin e pritshëm botëror. Ata investuan për mbijetesën e tyre, madje një pjesë i tërhoqën në Moskë, ku i arsimuan dhe i punësuan për t’i indoktrinuar dhe molepsur me ide subvensive që më pas, t’i rikthenin në vendin e origjinës, për të turbulluar opinionit me propagandën dhe idetë utopike komuniste.
Pra, këta individë edhe pse pa reputacion në vendin e tyre, importuan bolshevizmin dhe stimuluan lëvizjen anarkiste që, megjithëse kaotike dhe pa bosht të qartë ideologjik, u përqafua dhe u mbështet nga brezi i ri i kohës. Por edhe shumë studentë prej shtresave të mesme, të shkolluar me bursat e shtetit në universitetet perëndimore, bashkë me diplomat, sollën edhe idetë e majta nga vendet ku studiuan. Rishtarët shpresonin të zinin qoshen, po kur u gjendën si peshku në zall, u bashkuan me ish ikanakët lindorë të mbas njëzetekatrës dhe krijuan ca grupime komunisto- anarkistësh antishtet.
Duke qenë amalgamë snobësh, gagarelë nga familje të pasura, apo të rëna nga vakti, parveny të llastuar në fshatin e lindjes, po të panjohur në qytetet patriarkale, ku s’para t’a hapin derën kollaj, por edhe një pjesë aventurierë dhe kriminelë të vegjël ordinerë, ata s’mundën të organizoheshin në parti politike sepse, njëri i binte gozhdës dhe tjetri patkoit, ndaj i vunë bërrylat në brinjë shoku-shokut dhe o burra, kush të delte i pari. Ilia u bashkua me këto grupe, por ish nga të paktët që s’demonstroi prirje të kësaj natyre, po anëtarësinë që shfaqte këto shenja i gjykonte, jo keq.
Fillimisht sherret mes tyre i konsideronte rrahje mendimesh, që do t’i shërbenin forcimit të demokracisë së brendshme dhe që vet koha, do t’i neutralizonte. Në periudhën në fjalë, shtypi gëzonte liri. Por në këtë lëm të pacak, gëlonin lloj lloj idesh dhe shumë individë ambiciozë e të paskrupuj. Ishte pra, koha kur mbretëria po hidhte themelet e një sistemi të ri demokratik, po bëheshin reforma radikale në të gjitha sferat dhe qeveritë ndryshoheshin çdo stinë.
Mjaftë individë të sistemit të vjetër, sidomos në ushtri dhe xhandarmëri, kaluan në veprime të hapura revolucionare; si pasojë, ndodhi ngjarja ka hyrë në histori me emërtimin e pasaktë, “Kryengritja e Fierit”, sepse në fakt ka qenë vetëm një revoltë oficerësh, të dalë në lirim, në kuadër të reformave të ndërmarra nga Mbreti Zog, për ristrukturimin cilësor të forcave të armatosura dhe lehtësimin e barrës fiskale. Kjo dhe veprime të tjera të nxitura dhe financuara nga shërbimet inteligjente të huaja, sidomos ato italiane, synonin të destabilizonin shtetin e vobektë shqiptar, për të mundësuar një ndërhyrje eventuale të invadorëve italianë, gjë që e detyroi qeverinë e asaj kohe, të ndërmerrte disa masa shtrënguese, ndaj këtyre elementëve turbullues.
Kur një grup djelmoshash pseudo komunistë, që pretendonin pushtetin me revolucion bolshevik, përfunduan pas hekurave dhe në gjyq akuzuan njeri tjetrin; i ndëshkuan me masa dënimi qesharake, si internim në guroret e Mbreshtanit në Berat, ku hanin pula dhe qingja në hell, Ilia arriti në konkluzion se regjimi mbretëror, ishte treguar i rreptë me grupin e tij, ndaj intensifikoi propagandën kundër Mbretërisë. Koniunktura rajonale s’ishin në favor të qeverisë, po të këtyre individëve me prirje antifashiste dhe ustallarëve të tyre jashtë, gjë që u vërtetua të premten e zezë të 7 prillit 1939, ku një ushtri e mirë-pajisur disa qindra mijëshe, sulmoi dhe pushtoi një mikro shtet të drobitur.
Pjesa dërrmuese e të prekurve nga reformat mbretërore, e mirëpritën pushtimin, ndaj qysh të nesërmen më 8 prill, veshën kamishat e zeza dhe u inkuadruan në radhët e milicisë e të partisë fashiste. Po kjo ngjarje madhore ndryshoi rrjedhën e ujërave, duke iu shprishur gjithë ëndrrën pushtetërore komunistëve tanë. Për dy-tre vjet, vendi ra në qetësi, gjithashtu edhe aspirantët ‘pushtetërorë” po ndiheshin rehat; duket iu plotësuan ambiciet dhe kamishat e zeza që veshën, iu kishin ardhur pas shtatit.
Për të ilustruar këtë fakt, Ilia do më thoshte: “Se nga mbinë ato ditë, ca nacionalistë të sëmurë me ndonjë dyfek me gjalmë, e na hodhën ca pushkë andej e këtej bregdetit dhe që me pas, na propagandonin për Shqipërisë Etnike dhe ndarjen nga sëpata e Liktorit. Fundja, atyre ua gjetën shpejt vendin, siç i kërkonte mushka drutë; i çuan në internim në Ventotene e, në ca ishujt më të largët dhe i lanë andej si qyqarët, në mëshirë të fatit! Shqipëria, si pjesë integrale e Mbretërisë së Savojës, po prosperonte, po bëheshin rrugë, ujësjellësa, ndërtime të ndryshme publike, të cilat ndikuan në ngritjen e mirëqenies së përgjithshme. Ishte e kotë të propagandoje kuadër rrymës, njerëzit ju gëzoheshin panineve dhe makaronave; punë plotë, para plotë, bukë plotë! Pa, edhe fëmijët t’i bënë balila dhe i çonin për banjo në plazhet italiane! Komunistët shqiptarë, s’u ndjenë që s’u ndjenë! Fundja, mëma Rusi zdërhallej në paqe, urdhrat i jepte Kominterni”! – më tregonte Ilia.
“U desh të prishej pakti Ribentrop-Molotov, që futi Gjermaninë dhe Bashkimin Sovjetik në luftë, që të niste edhe këtu te ne, organizimi i ca komunistëve të përçarë në rryma. Se nga na mbinë nja dy emisarë jugosllavë, që ngulmuan në bashkimin e disa grupeve dhe brenda natës, shtërzon Partinë Komuniste, si filiale të komunistëve jugosllavë”! Kështu edhe Ilia u gjet mes kësaj vorbulle. Me disa shokë ideali, formuan njësitet guerilje për zonën Berat-Kuçovë e, bënin ndonjë aksion të vogël, sa për t’u ndjerë. Ky qe fillimi!
“Mandej përmasat e luftës u zmadhuan me forma dhe forca të reja. Hapja e frontit perëndimor, futi në veprim anglo-amerikanët, që s’mund të linin jashtë vëmendjes, as Shqipërinë. Pararojat e tyre desantuan këtu dhe nxitën forcat territorial, në luftë kundër armiqve të përbashkët. Fillimisht çdo gjë shkoi vaj, por mbas takimit Rosvelt-Çurçill-Stalin në Jaltë, fatet e botës ndryshuan, gjeopolitika vendosi mbi gjeostrategjinë. Shqipëria mbetej nën dominimin lindoro-komunist. Pra, raportet e skicuara mbi letër, paravendosën fitimtarët dhe humbësit.
Forcat bolshevike e panë veten të privilegjuara nga aleatët, qoftë në furnizimin me armë, ashtu edhe në ndihmën me të holla dhe ushqime. Udhëheqësit po përgatiteshin të merrnin pushtetin, ndaj mes delirit të fitores, caktuan karriget. Po vetëm bërrylat s’ja ndanë njeri tjetrit, nuk i reshtën asnjëherë intrigat, mbetën të njëjtët, si në kohën e grupeve. Disa urithë kulisash, që s’qullosën asgjë, me rrengje të ndryshëm grabitën meritat e të tjerëve; sakrifikuesit për hatër të unitetit, heshtën, kështu shprehja, “kush bëri pordhën e, kush mori groshën”, s’gjeti vend më të përshtatshëm, për t’u aplikuar se sa mes këtij formacioni”! – vazhdoi rrëfimin Ilia.
Ilia, bashkë me disa kokëkrisur, si Stavri Cylakun e tjerë, njësinë e tyre e shndërruan në batalion dhe e pagëzuan me emrin e një vajze të re, të vrarë në arrati e sipër në Gosë të Kavajës, pra, e quajtën batalioni “Margarita Tutulani”. Është fakt i pamohueshëm, që edhe pse s’bënë ndonjë kushedi ç’farë, në këtë batalion pati burra që në ato pak aksione, luftuan trimërisht edhe në këmbë. Komandantin e këtij batalioni, Stavri Cylakun, do të kisha bashkëvuajtës dhe mik, deri ditën që mbylli sytë në vigjilje të demokracisë. Si bashkëqytetar dhe mik i afërt i tim eti, do më tregonte hollësira nga epopeja luftarake e këtij batalioni dhe i zhgënjyer thellësisht, mbas mbi tridhjetë vitesh burg, do më pohonte:
“Ah, ç’kanë bërë këta! (e kish fjalën për komunistët). S’i shplan dot as lumë, as det! Të nëntëqind e nëntëdhjetë e nëntat! Një vit të kesh qenë komunist, të duhen dhjetë vjet burg politik, të lash shpirtin! Unë që militova pak vite, edhe pse më burgosën mbi tridhjetë vjet, s’e lava dot”! S’besoj të dojë komente, kjo shfrehje dufi. Por le t’ia lemë një kapitulli tjetër, e të kthehemi te Ilia. Ilia doli nga lufta me nishane dhe ofiqe, po të gjitha këto i la, për t’u rikthyer në Kuçovë, ku kishte nisur karrierën dhe po e priste një vajzë e dashur. Këtu u martua, pas një viti i lindi vajzë dhe duke falenderuar Zotin për këtë lumturi të vonuar, filloi jetën e qetë familjare.
Po s’ishte e thënë të vazhdonte t’i gëzohej gjatë harmonisë familjare; shokët e tij, ata për të cilët kish sakrifikuar gati edhe jetën, mbasi ishte plagosur dy herë, filluan konfiskimet e pasanikëve dhe gjithë të konsideruarve kundërshtarë. Kjo s’ish paraparë në programin që kishin shpalosur para popullit gjatë Luftës, për më tepër, ishin pikërisht këto familje, ku kishin gjetur mbështetje për katër vjet, me ndihma në ushqime, strehim dhe veshë mbathje. Një demokrat i kulluar si Ilia, s’mund ta honepste këtë mashtrim, aq më shumë dhunën që po ushtronin mbi ata, që piketonin për konfiskim.
I indinjuar ngriti zërin në mbrojtje të fatkeqve, që përfundonin të varur kokëposhtë në fuçitë me ujë të ndotur dhe shpesh me urinë, për të treguar floririn e fshehur. Kjo s’iu pëlqeu ish shokëve të tij, ndaj e thirrën, i kërkuan të tërhiqte mbrapsht ç’kish nxjerrë nga goja dhe, këtej e mbrapa, të heshtte. Frika dhe heshtja para së keqes, s’ishte veti e Ilias, përkundrazi nisi të fliste më hapur e të kërcënonte me deklarata udhëheqësit e mëdhenj, që kishin mbirë tashmë, si kërpudhat mbas shiut: “Në kohën e dyfekut, fshiheshit në çitjanet e grave, tani mbas beteje, na dalkeni trima me fletë! Pa le, po na tregokeni edhe si duhet t’u sjellkemi me ata që na mbajtën me bukë! Ptuh, bukëshkalë! Sojsëzë e dinsëzë! Më të pabesë se Haxhi Qamili”! – shfrente Ilia.
Për të ilustruar atë që më tregoi, mori shembull dy ngjarje të njëjta, në dy qytete të ndryshme. E para në Berat: Një fshatar i kamur nga Paftali, i quajtur Hal Zoto, me parat e djersës kish çuar për studime të larta në Perëndim, vëllanë e vogël Vangjelin. Në Milano, Vangjeli u shkollua, por u infektua me virusin internacionalisto-komunist. Kur nisi lufta, u kthye në atdhe dhe u radhit, si pjesa më e madhe e të rinjve në formacionet partizane, ku propagandoi komunizmin sipas parimeve perëndimore. Deri sa morën pushtetin, propaganda i eci mbroth; edhe pse me ndonjë nuancë të imët dyshimi.
Vangjeli e mbështeti politikën e ditëve të para për sekuestrimin e të ashtuquajturve kriminelë lufte. Po kur nisën të aplikonin tatimet e jashtëzakonshme, për demek spekulantët dhe nisën konfiskimet e pronave dhe të pasurisë të gjoja atyre që kishin pirë gjakun e fukarasë, i erdhi radha edhe të vëllait Halitit, që gjatë Luftës kishte mbajtur me bukë çetën e Shpiragut. Natyrisht kjo s’kish si t’i pëlqente Vangjelit por, i pafuqishëm për t’iu kundërvënë shokëve të armëve, e këshilloi të vëllanë, t’iu dorëzonte floririn që i kërkonin. Atëherë Hali iu kthye:
– “Turp e faqe të zezë! Me këto para unë të rrita, të çova në shkollë, të mbajta me bukë ty dhe larot e tu, për katër vjet dhe sot më thënke, t’i dorëzoj! Ore, jam robëruar një jetë të tërë, për t’i vënë mënjanë! Pse, për këta zarbo, paskemi sakrifikuar, ne!? Lanet qofshi”! – “S’kemi ç’bëjmë, Hal vëllai; këta kërkojnë, o floririn, o kokën! Pastaj mendo edhe për mua”!
Hali s’e zgjati, po dorëzoi florinjtë. Por komunistët s’u ngopën me kaq, sapo shtinë në dorë floririn, iu vërsulën tokave dhe gjësë së gjallë dhe t’a katandisën Hal pasunarin, në varfanjuk që s’mbante dot me bukë, as veten dhe fëmijët e tij, jo më të vëllanë. Vangjeli e kuptoi hilenë e komunistëve, por ishte vonë, sidoqoftë gjeti kurajon t’iu kundërvihej me forcë, gjë të cilën e pagoi shumë shtrenjtë, me vite e vite të gjata burgu dhe një jetë të tërë internim, bashkë me gruan dhe vajzat. Hal pasanori e mbylli jetën si kulak dhe vdiq në varfëri ekstreme.
Rasti i dytë i përket një familjeje të pasur Elbasanllie, Bahollëve. Sul Baholli, ndoqi studimet në Perëndim me shpenzimet e familjes, që andej u kthye me ide të majta dhe që ditët e para, iu bashkua komunistëve. Shtëpitë e shumta dhe pasuritë e familjes, i vuri të gjitha në dispozicion të tyre. Kur mbaroi lufta dhe filluan shtetëzimet, ndër të parët që provoi torturat dhe vdiq si pasojë e tyre, ishte i ati i Sulës, që kishte dhënë gjithçka për shokët e djalit të tij bukëshkalë.
Ishte i biri, ai që ngulmonte më tepër se të tjerët për të dorëzuar florinjtë, me argumentin: – “Shteti i ri, i shkatërruar nga lufta, kishte shumë nevojë për t’u rimëkëmbur”. I ati iu ngrefos: – “Turp për atë shtet, që vjedh shtetasit e vet! Pse, mos ma falën gjë pasurinë mua, ata bythë-grisurit e tu! E kam vënë me djersë unë, or çun! Kur të tjerët ngroheshin në shullë, unë s’flija gjumë! Me çfarë të çova në shkollë, me gopin e sat ëme! Me ato florinjtë të mbajta ty dhe këta edepsëzët që ke prapa! Florinë e kamë vënë dhe do ta gëzoj vetë, asnjë kacidhe, s’u jap”!
Por fundi qe i hidhur, babai përfundoi në fuçinë me urinë, ndërsa djali plëngprishës, iu gëzua pushtetit. Ilia bashkë me shokun e idealit, kolonel Stavri Cylakun dhe miq të tjerë, hodhën idenë e një çlirimi të dytë, tashmë nga uzurpatorët e lirisë dhe hajdutët e idealeve. Kjo iu ra në vesh ustallarëve, i arrestuan dhe mbas një gjyqi farsë, përfunduan pas hekurave, si të shitur të armiku i klasës dhe shkelës gjaku, duke nënkuptuar dëshmorët. Memorie.al
Vijon numrin e ardhshëm
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016