Nga Nestor Topençarov
Pjesa e dhjetë
DRAMA E JETËS
(HISTORIA E NJË FAMILJEJE)
Këtë libër ia dedikoj: Të gjithë bashkëvuajtësve. Familjeve të tyre. Dhe në veçanti, personave që nuk patën mundësi të tregonin odisenë e jetës, gjatë diktaturës komuniste.
P A R A TH Ë N I E
Memorie.al / Kam lindur në qytetin e Korçës, në 22 tetor të vitit 1953. Nga Shqipëria, jam larguar në muajin tetor të vitit 1990, pasi na u dha e drejta familjarisht, për t’u riatdhesuar në Jugosllavi (sot Maqedonia e Veriut). Në qershor të vitit 1992, emigrova në Itali, ku jetoj edhe sot. Megjithëse jam larguar prej 32 vitesh, lidhjet nuk i shkëputa, pasi Shqipëria ishte vendi i lindjes, ku kalova 37 vite, dhe se një pjesë e gjakut tim, është shqiptar. Vite më vonë, lidhjet me Shqipërinë u përforcuan, pasi edhe gruan e mora nga Durrësi. Vinim çdo vit me pushime, por koha e shkurtër e qëndrimit, bëri që shumë kontakte të ndërpriten. Megjithatë, shokët dhe miqtë e vërtetë kishin mbetur përgjithmonë në zemrën time.
Tre vitet e fundit nuk pata mundësi të vizitoja Shqipërinë. Por gjatë vitit 2022, erdha disa herë. Impenjimi im nga njëra anë dhe rastësia nga ana tjetër, bënë të mundur që të rikrijoj lidhjet me shokë dhe miq, me të cilët kisha dekada pa u parë. Duke ditur të kaluarën time, disa prej tyre më këshilluan të hidhja në letër, atë çka më kishte ndodhur në jetë. Në fillim kjo ide m’u duk utopi, pasi edhe pse kisha qenë nxënës i mirë, në hartime nuk kisha patur prirje. Më pas reflektova. Do të shkruaja thjesht historinë time, ngjarje të vërteta, ku nuk duhej shumë frymëzim. Ndoshta një shkrimtar, këto ngjarje do të dinte t’i paraqiste, ashtu siç di një artist i vërtetë i penës. Ndërsa unë do t’i shkruaj, pa shumë përshkrime: shkurt, thjesht, nudo, ashtu siç kanë ndodhur.
Një diçka tjetër që më shtyu edhe më shumë të shkruaj këtë libër, ishte një intervistë në Tv Klan, të cilën e pashë në tetor të këtij viti, e drejtuar nga gazetari i mirënjohur Blendi Fevziu. Nuk kërkova hakmarrje. Por nuk pata as drejtësi. Me anën e këtij libri, do t’i bëj të njohur opinionit publik shqiptar, rolin e individëve që kontribuuan në vuajtjet e mia e të familjes sime. Dhe sot, po vendos gishtin mbi këto “qenie”, jo për detyrën që ata kanë patur, por për mënyrën se si e kanë kryer atë. Shkrimin tim, do ta filloj me gjyshin, nga ana e mamasë, për të vazhduar me babanë tim, ku do të prek momentet më kyçe të jetës së tyre. Kjo do të ndihmojë lexuesin për të njohur prejardhjen time.
Më pas do të flas edhe për vete. Në këtë libër do të tregoj gjithashtu, edhe disa ngjarje, njëra më dramatike se tjetra, që ju kanë ndodhur njerëzve, të cilët kam patur nderin t’i njoh. Më vjen mirë që janë botuar mjaft libra, mbi vuajtjet dhe persekutimet e “armiqve të popullit” dhe familjeve të tyre nëpër kampe internimi dhe burgje, gjatë diktaturës komuniste. Kam mundur të lexoj disa nga këto vepra. Besoj që ky libër, në mënyrë modeste, do të kontribuojë për të njohur edhe më shumë metodat çnjerëzore të Sigurimit të Shtetit, mënyrën si krijonin akuzat dhe si shkatërronin persona dhe familje për të mbajtur popullin nën terror.
Autori
Dhjetor, 2022
KAPITULLI I TRETË
Ishte fundi i muajit korrik. Në mëngjes hapet porta dhe më komunikuan, se do të më transferonin në burgun e Tiranës. Isha i vetmi nga ky kaush, që m’u thirr emri. Pasi u përshëndeta me bashkëvuajtësit, më vunë hekurat dhe më nxorën në oborr, ku kishte ardhur auto-burgu. Disa të burgosur, ishin afër kamionit, të tjerë po i sillnin nga pallacinat e tjera. Na lidhën dy nga dy me zinxhirë. Mua më lidhën me një burrë të vjetër, që gjatë rrugës mora vesh që quhej Kita.
Për të, ju tregova më lart, nga ato që mësova nga Andrea. Më tregoi edhe ai se e njihte babanë dhe më erdhi mirë. Udhëtimi në atë kamion të veshur me llamarinë, ishte për ne shumë i vështirë. Fiziku i të gjithëve ishte dobësuar, në kushtet e vështira që kishim kaluar. Brenda bënte shumë nxehtë. Gjatë udhëtimit, trupat tanë përplaseshin sa nga njëra anë, në tjetrën. Ambienti u bë më i vështirë, kur disave prej nesh iu përzje, sidomos në kthesat e Qafë-Krrabës.
Më në fund arritëm në Tiranë, pasdite vonë. Kita më mbajti afër, si djalin e tij. Dhoma që na futën ishte shumë e madhe dhe me krevate dërrase, dykatëshe. Mbi to ishin dyshekë dhe batanije të vjetra. Në këto ambiente të burgut të Tiranës, qarkullonin mjaft të dënuar. Një pjesë, si puna jonë, vinin pas dënimit për t’u ndarë në kampet e punës (repartet e riedukimit), siç propagandonte diktatura. Një pjesë shkonin o ktheheshin nga spitali, për probleme të rënda shëndetësore.
Të tjerë pas ri-dënimit, çoheshin edhe ata, përsëri, në kampe të ndryshme pune, duke përfshirë edhe burgun e Burrelit. Me pak fjalë, ai vend kishte shumë lëvizje. Sa hymë në atë sallë, rreth Kitas u mblodhën 3-4 burra që e njihnin dhe filluan ta përshëndesin. Njëri nga ata u kthye nga unë dhe më foli në gjuhë…! Ndërhyri Kita, duke më prezantuar si djalin e një miku të tij, por që nuk dija gjuhën e tyre. Kita ishte me origjinë bari-shëtitës.
Gjithë rrethi i tyre, flisnin në vllahisht dhe greqisht. Atë darkë, u ndjeva në mes miqsh. Të nesërmen në mëngjes, pas bukës me çaj, filluan të lexonin emrat e një liste për në Spaç. Ndërmjet tyre, isha edhe unë. U përshëndeta me Kitan dhe e falenderova për kujdesin që tregoi. E kam takuar shumë vite më vonë, kur u lirua, në një vizitë që i kam bërë në shtëpi. Me djalin e tij, Koçon, kam punuar në ndërmarrjen Artistike.
Na lidhën përsëri dy nga dy dhe pasi hipëm në mjetin me llamarinë, morëm drejtimin e Spaçit. Nuk isha qetësuar mirë nga udhëtimi i një dite më parë dhe ja përsëri, po niseshim në rrugën e skëterrës. Rruga e keqe, na e nxori shpirtin, të gjithëve sa ishim. Pasdite arritëm në repartin numër 303. Spaç. Pasi kaluam disa postblloqe, na ndaluan në një shesh që ishte i rrethuar me ndërtesat e komandës dhe të repartit ushtarak. Kur zbrita nga auto-burgu, shikoj atë terren të zhveshur dhe të thyer malor.
Ndërmjet maleve kalonte një përrua i vogël ku uji kishte një ngjyrë të çuditshme dhe brigjet ishin me ngjyrë të kuqe. Mbi kokën time dukej vetëm një copë qiell, që u bë edhe më i vogël, kur zbrita poshtë në zonën e kampit, aty ku ishin të burgosurit. Ky qe vendi ku do të jetoja, deri sa të kryeja dënimin. Na çuan në zyrën teknike. Kjo zyrë drejtohej nga të burgosur. Kryetari, ishte një ish-agronom nga Durrësi, Kujtim Zhari. Këtu bëhej organika e brigadave të të dënuarve, që punonin në minierë. Ndaheshin në dy grupe: 1 – punëtorët e nëntokës dhe 2 – ata të sipërfaqes.
Në të dytin, hynin edhe punëtorët e ofiçinës. Kishte gjithashtu edhe një skuadër ndërtimi. Pjesa tjetër, që përfshinte të vjetrit në moshë dhe me probleme shëndeti, ishin në një grup që quheshin; “papunësi”. Për sa i përket mirëmbajtjes së rrethimit, ishte një grup i vogël me të burgosur ordinerë, që kishin fjetoren e tyre, jashtë kampit politik. Në zyrën teknike, ishte edhe Qirjako, një i dënuar për arratisje. Ai ishte i vjetër në moshë, me origjinë nga fshatrat e liqenit të Prespës.
U interesua kur pa mbiemrin tim. I thashë që babanë e kisha nga Ohri. Të rinjtë si unë, i futnin menjëherë në nëntokë. Si duket Qirjako donte të më ndihmonte, duke parë dhe fizikun tim të dobësuar dhe të zbehtë, gati 10 muaj, pa parë dritë dielli. Më thotë që do të më caktonte në plan të pjerrët, në zonën e dytë. Për momentin, nuk e kuptova çfarë pune do të bëja, megjithatë e falenderova.
Më pas na dhanë uniformën e burgut, xhaketë e pantallona prej beze, të ngjyrosura në kafe, të brendshme si ato të ushtarëve dhe një palë opinga gome, pasi këpucët nuk lejoheshin. Kjo ishte uni forma e kampit. Pasi i vesha, edhe unë nuk dalloja nga të dënuarit e tjerë të Spaçit. Dhoma ku më caktuan ishte ajo ku pjesa më e madhe e të dënuarve, punonin në ofiçinë dhe sipërfaqe.
Dera dhe dritaret ishin në të njëjtën anë. Përballë kishim tarracën e apelit dhe pas saj, ishin rrethimet me tela me gjemba dhe kullat e rojeve. Më poshtë kalonte përroi, nga ku ngrihej faqja tjetër e malit, që të mbyllte pamjen. Dimër e verë dera dhe dritaret, ishin vazhdimisht të hapura, për të krijuar mundësi që të hynte më tepër ajër i pastër. Edhe kështu ishte i pamjaftueshëm.
Krevatet e përbashkëta, ishin prej druri, me tre kate. Kur ishin ndërtuar pallatet, në çdo dhomë, ishin programuar 28 të dënuar. Tani në këtë dhomë flinin mbi 50 veta. Kishte mjaft dhoma që ishin me krevate nga dy kate dhe që në një periudhë të shkurtër kohe, u transformuan edhe ato. Për të përballuar nevojat në rritje të shpejtë të numrit të të burgosurve, u zvogëlua dhe gjerësia e dyshekëve. Në oborr, përpara dy pallateve, kishte njerëz plot. Shihja njerëz grupe-grupe, që ecnin përgjatë oborrit. Të tjerë që rrinin ulur në shkallët e tarracës ose, nëpër stola.
Edhe unë gjeta një vend dhe u ula. Dikush me pyeti se nga isha. M’u afruan disa korçarë për të më përshëndetur, për të ditur për masën e dënimit dhe për të më thënë ndonjë fjalë inkurajuese. Nga qyteti im, kishte shumë të dënuar. Ndërmjet tyre, nuk kisha asnjë të njohur. Pjesa më e madhe, ishin me dënime shumë të rënda. Nuk po përmend emra, pasi janë shumë. I kujtoj me respekt. Të nesërmen e ditës që kisha arritur, tellalli që quhej Dhimo, një burrë i vjetër minoritar, përmend emrin tim. në takim me familjen.
Duke ngjitur shkallët për tek porta lart, ku bëhej takimi, më dukej e pabesueshme, ardhja e familjarëve. Te porta e jashtme me hekura, ishte mamaja me motrën, me dy çanta të mbështetura në tokë. U takuam, vetëm duke shtrënguar duart, sepse hekurat që na ndanin, nuk na jepnin mundësinë të përqafoheshim. Ditën e takimit në Korçë, ju kishin thënë se atë mëngjes, isha nisur për Tiranë. Kështu të nesërmen, u nisën për Tiranë. Por dhe aty e njëjta gjë dhe, ja tani së fundi në Spaç.
Me pak fjalë kishin bërë fazat e udhëtimit tim, me nga një ditë vonesë. Më erdhi keq që ishin munduar, por e kisha të qartë se për njerëzit e mi, tani e tutje vetëm mundime e vuajtje do të kishte. Pas 10-15 minutash, takimi mbaroi. Më kishin sjellë ushqime dhe veshje. Gjatë këtyre minutave, ishte prezenca e policit, i cili në fund të takimit, kontrolloi çantat. Ushqimet m’i dhanë, kurse veshjet i kthyen mbrapsht. Isha i tronditur nga ai takim. Babai ishte arrestuar 6 muaj para meje dhe nuk kishte dalë ende në gjyq. Mamaja dhe motra kishin mbetur vetëm, në një gjendje të vështirë ekonomike.
Të nesërmen u lexua organika dhe të pasnesërmen, në datën 1 gusht, fillova punë në planin e pjerrët, në zonën e dytë. Detyra jonë ishte që; gjithë materiali i bakrit dhe i piritit, që dilte nga nëntoka, duhej të transportohej në trimozhat ku ngarkoheshin kamionët. Rruga e vagonit, nuk ishte e gjatë, rreth 150 metra, por ishte mjaft e pjerrët. Kur ishte thatë, megjithëse ishim dy veta që shtynim vagonin, ishte shumë e vështirë. Mua më kishin caktuar të punoja me një bashkëvuajtës, që kishte qenë prift katolik. Ishte rreth 45 vjeç. Ishte më i riu nga gjithë priftërinjtë e tjerë që kishim në Spaç. Quhej Martin.
Ishte një burrë i heshtur. Fliste ndonjë fjalë, vetëm kur ishte nevoja për çështje pune. Unë në atë kohë, nuk kisha shumë fuqi, por Martini e plotësonte këtë, duke u sforcuar më shumë. Më kujtohet në hetuesi, në presionet që bënin, përdornin edhe frikën e minierës. Se; “në minierë, do të shtyja vagonët me bythë”. Ata e kishin me të dëgjuar, por e pashë me sytë e mi, kur një ditë një vagon na ngeci dhe Martini u kthye me kurriz dhe filloi ta shtyjë.
Si duket, forca e burrit për të shtyrë nga mbrapa, qenka më e madhe. Më vonë, në mjaft raste, më takoi edhe mua. Veç vagonëve, duhej të ngarkonim trupat e përforcimit të galerisë në një arganello, që i çonte para hyrjeve të galerive. Trupat ishin të rëndë, sidomos këmbët e betonit. Ato të gjatat, peshonin 110 kg. kurse më të shkurtrat, 95 kg. Në fillim, kur provova ta vë në sup njërën prej tyre, m’u morën këmbët, por shokët evituan të keqen. Ishim gjashtë vetë, që punonim në atë sektor. Pas disa javësh, e mora veten dhe nuk pata asnjë problem.
Kishim një barakë të planit të pjerrët, për ndonjë pushim të vogël. Një ditë pashë Martinin, që filloi të shtrëngojë në këmbën e majtë një fashë, që i ishte liruar. Vura re këmbën e tij, të mbushur gjithë variçe. Kisha ndonjë muaj që punoja me të dhe nuk kisha dëgjuar më të voglën ankesë. Një ditë pa pritur, brigadieri i dënuar, më thotë që do të punoja me dikë tjetër. U fol që Martinin, e kishin arrestuar. Më pas nuk mora vesh asnjë lajm për të. Më erdhi keq, se ishte njeri shumë i mirë.
Në këtë periudhë, polic pune, ishte Preng Rrapi. Ishte një burrë i pakët, trupvogël, ashtu si shumica e policëve mirditorë. Pas pune, kur ishim të rreshtuar për të zbritur në kamp, bërtiste ndaj dikujt, që kishte pasur vështirësi të kryente normën. I vinte hekurat, në shtrëngimin e të cilave, ai ishte i pashpirt. Më pas i afrohej viktimës dhe i drejtohej: “A më dëgjon! A më kupton! A më merr vesh! (Në këto çaste vinte dorën te veshi i tij, si për të tërhequr vëmendjen e të gjithëve).
Në këto situata të dhimbjes për shokun që vuante nën hekura, duhej të dëgjonim dhe pordhët e policit injorant. Kur u bë organika e re, për disa muaj, punova me një moshatarin tim nga Drenova e Korçës, Nikolla Mihallarin. Në grupin e punës, kishim një djalë rreth te tridhjetave. Quhej Shpëtim Mevlani. Kishte punuar infermier në spitalin e Gjirokastrës.
Bashkë me shokun e tij, Enverin, që ishte shofer ambulance, vendosën të arratisen në Greqi. Kishin kaluar ambulancën në mënyrën e duhur, ndërmjet postbllokut dhe kanalit. Kishin dalë në një rrugë që ndahej në dy drejtime. Ajo që zgjodhën, ishte fatale për ta, se i çoi drejt e në postë. Aty i kapën. I dënuan me 15 e 16 vite. U përpoqën të fitonin parajsën, por gjetën ferrin.
Klima e Spaçit, ishte shumë e keqe. Në dimër, temperaturat zbrisnin mjaft gradë nën zero, kurse vera, ishte shumë e nxehtë. Kjo ndikohej edhe nga terreni i zhveshur shkëmbor. Kishin kaluar 7-8 muaj, me punë në sipërfaqe. Veten e kisha marrë mirë dhe isha bërë një punëtor i fortë fizikisht. Shikoj një ditë policin dhe brigadierin e nëntokës të kësaj zone, që bisedonin, duke parë në drejtimin tim. Mora vesh që me organikën e re, më kishin caktuar nivelist në nëntokë, në zonën e dytë.
Puna në nëntokë kuptohet, ishte më e vështirë se në sipërfaqe. Ajri mungonte. Aty ishe vetëm ti dhe vagoni. Megjithëse kishte edhe nivelistë të tjerë, galeria kryesore ndahej dhe secili prej nesh, bënte rrugë të ndryshme. Grupet punonin në nën-katet, ku hidhnin në furnelë materialin dhe nivelistët duhej ta nxirrnin jashtë. Në qoftë se nuk arrije ta nxirrje të gjithë materialin, të viheshin hekurat dhe përfundoje në birucë.
Isha mirë fizikisht dhe punoja shumë. Kjo evitonte përplasjen me policin. Një ditë më ndodhi një aksident. Një tub më kapi gishtin dhe më nxori thoin. Gishti m’u deformua, po për fat, nuk e humba. Pas dy ditësh, më nxorën në punë, megjithëse kisha nevojë për pushim. Në atë periudhe kam punuar me një korçar, Sotiraq Kristo. Të vëllanë, Nestin, e kam pasur profesor në gjimnaz. Ja si filloi edhe historia e Raqit: Një ditë, nga puna e marrin me “Gaz” dhe e çojnë në një banesë në Bilisht, ku i kërkojnë ta bëjnë spiun.
Ai i rezistoi presionit të Sigurimit dhe nuk pranoi. Menjëherë më pas lajmëroi dajën, i cili punonte në Ministrinë e Brendshme. Kur daja erdhi urgjentisht në Korçë, e siguruan se për të nipin, nuk do të kishte asnjë pasojë. Nuk kaloi shumë kohë dhe Raqin e arrestuan për agjitacion e propagandë dhe i dhanë 10 vite. “Tani, – i thanë në hetuesi, – mund të lajmërosh dajën, të të shpëtojë”. Veç jetës që ta shkatërronin, nuk u mungonte të tregoheshin edhe të pafytyrë, për të ta rënduar më shumë vuajtjen. Memorie.al
Vijon numrin e ardhshëm
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016