Nga Namik Resuli
Memorie.al/Më 1937, kur u kremtua njëzetepesë vjetori i pavarësisë s’onë, shumë nesh e pandehnin se, të paktën nga pikëpamja kombëtare, roli i mesazhit të poezisë së Naimit kishte marrë fund: Shqipëria ishte krijuar si komb dhe ishte imponuar si shtet në gjirin e shteteve tjera të Ballkanit. Mirëpo vjetët që ndoqën e rrëzuan këtë bindjen tonë dhe ngjarjet që u rrukullisën gjatë atyre vjetëve e prunë Naimin ndër ne ashtu si u paraqit në skenën e historisë s’onë këtu e nëntëdhjetë vjet më parë. Sot Naimi ësht i tërë “aktual” ndër ne, jo vetëm si poet, por edhe si apostull kombëtarsije dhe lirije.
Këtë ngjarje të mrekullueshme, këtë përjetësim dhe përtërim në kohët, Naimi ja detyron pushtetit të mendjes së tij dhe lartësisë së ndjenjave që e shoqëruan atë mëndje. Ai ësht aktual sot si apostull, si lajmëtar i dashurisë botërore, si predikues i “mirësisë”: ja një fjalë e krijuar prej vetë Naimit, në të cilën në një sintezë flakëruese përmbyllen shumë kuptime, si ai i dashurisë, i urtësisë së shpirtit, i mëshirës në kuptimin më humanistik të fjalës.
Fjala “mirësi” i ka mbushur vargjet e Naimit që nga i pari dhe gjer tek i fundi. Me këtë fjalë ai iu drejtua bashkëatdhetarëve të tij që të mos hiqnin dorë nga egërsia e zakoneve të tyre, që t’i ruheshin sidomos gjakut. Esht aktualitet për tejpamjen e tij në politikë. Nëntëdhjetë vjet më parë Naimi u dëftente Shqiptarëve Perëndimin si shëmbëll qytetërimi, pse si pas mendimit tij vetëm nga ajo anë, dhe jo nga Lindja, vjen drita.
Të gjithë e mbajmë mend një vjershën e tij të mallëngjyer: “Për se? / Pse s’vjen o dit’ e mirë / Pse vallë nuk vjen?/ Gjer kur në errësirë?/ Mos Zoti të pëlqen?/ As hidhe gardhë / Dhe shpejto pakë,/ O dit’ e bardhë,/ Dhe jakë, jakë,/ Se të pres / Nuku vdes./ Jak’o dit’e uruar,/ Që lint nga perëndon,/ At’an’ e ka ndrituar,/ E ne pse na haron?/ Dritëz’ e jetës,/ Edhe e motit / Dh’e së vërtetës,/ Dhe gaz’i Zotit / Ndritona / E xgjona”. Si duket, edhe nëntëdhjetë vjet më parë ishte një gardh që e ndante Shqipërinë nga Perëndimi.
Eshtë aktual si poet. Personalitet i pajisur me një spiritualitet dhe religjiozitet të jashtëzakonshëm, sado që u nis nga poetët mistojë persjanë, ndaj të cilëve e prinin natyra e tij e butë dhe besimi bektashjan, asgjëmangut, krijoi të gjithë një botë filozofike dhe fetare, në të cilën koncepti i gjithësisë dhe ai i Perëndisë mundin të këmbehen në poezi të kulluar, duke i siguruar autorit të tyre një vend krejt të posaçëm në literatyrën europjane.
Poezia universale e Naimit
Prandaj kritika e re e ka përqëndruar të gjithë vrejtjen e saj në këtë pjesë të poezisë së Naimit, e cila poezi bëhet me të vërtetë “universale”, pse lënda që ajo përvesh fluturon sipër kufijve të ndjenjave personale dhe ëngjëron në një përqafim të zjarrtë të gjithë universin. Poezi kozmike, pra, e jo vetëm mistike, e djegur dhe e përvëluar prej asaj flake krijuese, që ësht dashuri dhe mirësi. Që t’i gjejmë një tjetër rival Naimit në dashurinë për të gjitha krijesat e gjithësisë duhet të ngjitemi prapa në shekujt dhe të arrijmë gjer te Shën Françesku i Asizit; sadoqë poeti i ynë s’e ka shokun në literatyrën europjane për zhanrin e notave të tija.
Veçse, qëllimi i ligjëratës s’ime nuk ësht të zgjatem mbi këtë pikë, po të rrah një nga çështjet më të parrahura dhe më të neglizhuara të botës naimjane: Mendimet e tij fetare. Mbi këtë çështje, mjerisht, nuk kemi pasur gjër më sot studime të thella e të posaçme, pse fytyra e poetit i ka bërë gjithnjë hije fytyrës së fetarit. Madje mund të themi se kjo fytyra e dytë as nuk ësht kundruar fare prej studjozave. M’u duk e arësyeshme, prandaj, ta cek këtë problemë kaq të interesançëm në këtë mbledhjen t’onë amerikane, pse vështirë do të më jepet një rast tjetër që të jenë të gjithë së bashku të pranishëm përfaqësuesit kompetenta të dy feve: të krishterë (katolikë dhe ortodoksë) e myslimanë) (sunitë dhe bektashinjë).
Naimi mendimet e tija fetare na i ka lënë në dy libra:”Mësime”, botuar më 1894 dhe “Fletore e Bektashinjet”, që doli më 1896. Me “Fletoren e Bektashinjet”, brenda 14 faqesh në prozë, Naimi kërkon t’u mblatojë bashkëfetarëve të tij një farë doktrine të shkurtër të Bektashizmit. Besimi esoterik e i rezervuar i kësaj doktrine njihet prej të diturve vetëm në mënyrë të përgjithshme dhe të përcipët. “Të gjitha janë te njeriu, edhe Zot’i i vërtet vetë / Se kur desh të dil në shesht bëri njerinë me fytyrët të tija / Bektashitë besojnë se njeriu nuk vdes, por vetëm ndërrohet’ e ndryshohet edh’është gjithnjë ndaj Perëndisë, se tek i biri pshihet’i ati”. Nuk po hyjmë këtu në çështje diskutimi filozofik mbi esencën e Bektashizmit, pse ajo nuk hyn në qëllimet e kumtesës s’onë.
Do të bëjmë, përkundër një pyetje që ka të bëjë me filologjinë e librit: Cilin Bektashizëm na mbleton “Fletorja” e Naimit? Bektashizmin tradicjonal ashtu si u trajtua në Shqipëri, apo një Bektashizëm të reformuar? Cilat qenë burimet mbi të cilat u bazua? Ja një temë shumë tërheqëse, që meriton të rrihet gjatë e gjerë, pse ndër dijetarë te Perëndimit nuk di të jetë marrë kush me të, prandaj vetëm ndonjë kompetent shqiptar, që gjendet këtu, mund të na bëjë dritë. Në qoftë se me të vërtet Naimi veproi si reformator duke përpiluar “Fletoren e Bektashinjet”, duhet nënvizuar ky fakt e duhen vazhduar kërkimet për një njohje më të thellë dhe më të plotë të veprimtarisë së tij edhe në këtë lëm.
Botkuptimi i Naimit për Perëndinë
Po ne besojmë se për veprimtarinë fetare të Naimit shumë më i interesançëm ësht libri tjetër, dua të them “Mësime”, një broshur nja 50- faqesh, i tërë në prozë dhe i ndarë në katër kapituj: 1) Zot’i math e i vërtetë, 2) Ligj’ e përjetshme e Shqiptarëvet, 4) Thelb’i i Kuranit. “Mësime” ësht një nga ato libra që e lënë me gojë hapur lexuesin e soçëm. Leximi i tij ka qenë për ne me të vërtet një revelacjon. Në kapitullin e parë shpjegimi tradicional i qënësisë së Zotit ësht përzier me njohuritë se zbulimet shkencore të Perëndimit, gjë që s’ka të ngjarë në librat fetarë të Lindjes.
Ja ca copa nxierë nga botimi i Tiranës bërë më 1942, fq. 29: “Mësoni diturit’ e gjithësisë, ahere do të kupëtoni fuqin’e mirësin’ e Zotit”. “Pa shihni gjithësinë pa an’e pa funt dhe ligjën e saj të përjetshëm’e pa të metë”. “Yjtë pa të nisur’e pa të sosurë vinë rreth në hapësirët të pa anë duke nxituar me vrap të math”. “Kurrë nuk dolën nga udha, q’u shënoj Zoti. Për të mos përpjekur njëri me tjetërinë e për me mos mbeturë mb’udhë u vuri fuqinë heqëse dhe fuqinë dëbonjëse!”. “Yjtë mesës u derdhin në dritë yjvet rrotullonjës q’u vinë rreth atyre, edhe pasuesëvet, që kanë rrotullonjësitë!”. “Zoti është Mbret’i gjithëssië, drit e gjithësisë! Për vetë esencën e Zotit dhe për raportin Zot-njeri, Naimi shkruan, f.31: “Lavdatë pastë Perëndija, që kreu gjithësinë dhe gjithësia është vetë! “Pa kur desh Zot’i vërtetë me të math të tij të dilte faqeza në shesh, ahere kreu njerinë jetë në fytyrët të tija! f.32: “Gjithë ç’është fytyr’ e Zotit, gjithë ç’dëgjon është zër’i Perëndisë”. “Zoti me të matht të tij është një det pa anë dhe ne jemi valët e “.
Edhe këtu shohim, pra, një njësim, një pështjellim të esencës së Perëndisë me natyrën, a si e quan ai, me gjithësinë. Nga ky parim si pasojë mund të rriedhin dy përfundime: e para, hyjëzimi i njeriut në sa pjesë e gjithësisë, që pështjellohet me Perëndinë; e dyta, mohimi i një bote tjetër trashendentale, pikërisht si në parimet bektashiane që pamë më lartë dhe jo si pas parimeve myslimane. Po në “Mësime” panteizmi naimian gadi pëshpëritet, duam të themi se nuk ësht nënvizuar aq fort si në pjesët tjera të veprave të tij, dhe ja lë vendin fytyrës së Zotit tradicional të tri feve monoteiste. Për t’u shënuar edhe një pikë tjetër me shumë rëndësi: pozita e njeriut ndaj Perëndisë, njeriu për Naimin nuk ësht më rob i Zotit, po njeri i lirë të gjykojë dhe të zgjedhë. E qit kryet këtu arbitri i lirë i fesë së krishterë dhe kështu kundërshtimi me doktrinën myslimane bëhet edhe më i rëndë dhe më i pakapërxyeshëm. Fatalizmi kuranik çduket prej besimit të tij.
Në kapitullin e dytë, “Urtësija”, përsëriten shkurtimisht të njëjtat koncepte të kapitullit të parë. Shumë më i interesançëm për kuptimin e qëllimeve fetare të Naimit na paraqitet kapitulli i katërt “Thelb’i Kuranit”. Ky titull, si pas mendimit t’onë, mund edhe ta gabojë në fillim lexuesin, pse kush e lexon me vëmendje vren se Poeti largohet shumë nga ortodoksija kuranike. Ky largim i detyrohet sidomos disa shprehjeve të Naimit përsa i përket fesë së krishterë. Influksi i krishter, që vihet re në të gjitha veprat e tija, këtu zë një vënd themelor. Tek “Mësime” gjejmë frazë të tëra të marra nga Ungjilli; kështu në faqe 33 këndojmë: “Në ke dy këmisha, njërënë epja atij, që s’ka, në të rënçinë më një faqe, këthe dhe tjatrënë, duaj miknë, duaj dhe armiknë, atë që s’do të ta bënjë tjatri ty, mos bëj dhe ti ati, çdo njeriu i bëj atë që do të ta bënjë edhe ajy ty”. Në fq.37 disa nga parimet ungjillore: “Mos vith, mos rrëmbe, tek s’ke vënë mos mer, mos ha gjën’e botësë, duaj mëmën e atënë, duaj motrën’e vëllanë, duaj ata që ke pranë dhe gjithë njerzinë, kapërxe zemrimnë, fali fajnë fajtorit, bëji mirë njerëzisë, mos u bëj i pa-besë, mba fjalënë q’ep, kujto Perëndin’e duaj varfërinë, mos gënje dhe mos përqesh e mos hiq njerëzinë, mos mpsho, mos shaj, mos rrih, mos qërto, mos përto, po puno, mos u zih, mos u ndaj nga e drejta dhe e vërteta, mos u mburr, mos u lëvdo…”.
Në faqe 45: “Po të Mirtë thanë: Martohi e shumëzohi”. Dhe akoma në fq. 69 shkruan: “Zoti i math i fali Krishtit të birt të Marisë urtësin’e fjalën’e bukurë që në foshnjëri, i dha ungjillë e dritënë. “Krishti u tha shërbëtorëvet të ti: Kush vjen me mua n’udhët të Zotit? Ata ju përgjeqnë: neve vimë. Pa thanë: Zot’i vërtetë! Besuamë ç’szbriti teje dhe i ramë pas të dërguarit tëntë, shkrua-na me dëshmitarëtë. “Krishti është shpirt’ i Perëndisë… F.77:”Pa i dërgoj ëngjëllinë Marisë, dh’e nderoj atë dhe Krishtin’e shërbëtorët’e tija…” Në “Lulet’e Verësë” Naimi i kushton një vjershë të tërë Krishtit me titullin “Përpara Krishtitë”; edhe këtu Poeti e quan “Djalëth njeriu i Perëndisë”, dhe, në kundërshtim me sa kishte pohuar në f.69 të “Mësimeve”, e pranon dëshminë ungjillore të vdekjes së Krishtit, që u kryqëzua për shpëtimin e njerëzisë e fytyrës së Krishtit
Aktualiteti i Naimit
Po marrim lejen, prandaj t’ja u lexojmë të tërë, pse e djmë që ësht e vështirë për shumë të shtjenë në dorë një kopje të “Lulevet të verës”. “Djalëth njeriu i Perëndisë,/ Fytyra jote mua më tregon / Ah, të këqiat e njerëzisë,/ Që ka punuar edhe po punon”. Tash vjen vetvetiu pyetja: cilat qenë qëllimet që e shtytnë Naimin të shkruajë një vepër të tillë? A mos i shkroi “Mësimet” për të zbutur përçarjen në mes të Myslimanëve dhe të Krishterëve? Apo pati ndër mend të krijojë një fe, një besim, të ri postafat për shqiptarët e përçarë? Një përgjegje e prerë ësht e vështirë të jepet sot, pse siç thashë më parë, hetime e studime nuk janë bërë gjër më sot mbi kënd të fshehtë të botës fetare të Naimit.
Kemi tekstet, vërtet. Kur lexuesi lexon sidomos kapitullin e parë të veprës e ka të qartë përshtypjen se Naimi ka pasur me të vërtet ndër mend t’u jepte Shqiptarve një fe të përbashkët, një besë kombëtare, duke marrë pjesë nga feja e krishtere e duke i lidhur këto në një teizëm, pikërisht ashtu si ja sugjeronte Bektashizma. Në f.53-54 shkruan Naimi: “Një komp ka një gjuhë, gjithë sa flasnë një gjuhë janë djemt’ e një Mëmëdheu, edhe të gjithë bijt e një mëme dh’e e një ati, kanë dhe një gjak, një vetij’e e një vetëdijë, një fytyr’ afëro e një mënyrë. “Ashtu kanë në të vërtet edhe një besë gjithë djemt’e një Mëmëdheu, se besojnë gjithë Zotn’e math e të vërtet, q’është Zot i jetëve dhe i gjithësisë pa anë, besojnë të Mirëtë, dhe mirësinë për të mirë, e ligësinë për të ligë, pr’andaj kanë të tërë bes’e një fe”.
Mund të mendohet se kapitulli i tretë, Ligj’e përjetëshm’e Shqiptarëvet i asgjëson këto supozimet tona, po në realitet nuk ësht ashtu. Ky kapitull nuk ka ndonjë përmbajtje doktrinale; aty Naimi u këshillon Shqiptarëve tolerancën më të madhe nga çdo pikëpamje. Po edhe në qoftë se puna nuk qëndron pikërisht kështu, një gjë mbetet e sigurt: se Naimi me atë tejpamjen e tij profetike hodhi hapat e para të vëllazërimit, të bashkimit të feve. Na duket, prandaj, se, tamam sot që flitet nga të katër anët për “ekumenizëm”, Naimi edhe në këtë pikë ësht më se aktual.
Kush ishte Profesor Namik Resuli?
Namik Resuli u lind në vitin 1911 në qytetin e Lushnjes, prej nga është dhe origjina e familjes së tij nga më të njohurat në të gjithë Myzeqenë. Në fillimin e viteve ’30-të Namiku u diplomua në Universitetin e Firences në degën e Gjuhë-Letërsi Italiane. Pas diplomimit ai u kthe në Shqipëri dhe punoi për shumë kohë si mësues i Letërsisë në disa nga gjimnazet e vendit. Në vitin 1939, ai botoi pranë Shtëpisë Botuese “Gurakuqi”, poemën e famëshme “Milosao” të De Radës, të cilën e përshtati nga arbërishtja në gjuhën letrare shqipe. Ai botim pati një jehonë të madhe në atë kohë dhe u cilësua si një nga veprat më të arrira që ishin botuar për De Radën. Gjatë viteve të pushtimit fashist, Namik Resuli punoi pranë Institutit të Studimeve Shqiptare bashkë me Ernest Koliqin, Padër Zef Valentinin, Aleksandër Xhuvanin, Hasan Dostin, Padër Anton Harapin etj. Pak kohë para mbarimit të Luftës, Namik Resuli u largua nga Shqipëria dhe u vendos në qytetin e Torinos, pranë familjes së bashkëshortes së tij italiane. Që nga ajo periudhë e deri sa doli në pension në vitin 1971, Namiku punoi si Shef i Katedrës së Gjuhës Shqipe, pranë Institutit të Studimeve Orientale të Napolit. Gjatë asaj kohe ai u muar me studime mbi historinë e letërsisë shqipe dhe albanologji, duke ribotuar veprën e Buzukut. Edhe pse një kontribut të çmuar për letrat shqipe, regjimi komunist në Shqipëri e kishte shpallur Resulin “armik të popullit” dhe në vitin 1979, gjatë një takimi me shkrimtarët dhe artistët në Tiranë, Enver Hoxha e sulmoi ashpër Prof. Resulin, duke e quajtur “një bej aristocrat”, edhe për faktin se ai kishte bërë një studim për Faik Konicën. Prof. Namik Resuli, vdiq në qytetin e Torinos në fillimin e viteve ’80-të. Studimi i botuar në këtë shkrim për Naim Frashërin, është shkruar nga ai në vitin 1968 dhe është mbajtur në një sesion shkencor që organizoi Shoqëria “Vatra” në vitin 1969 në Detroit./Memorie.al
(Përgatiti D. Kaloçi)
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016