Nga Prof. Dr. Bardhyl Çipi
Pjesa e dhjetë
PROVA SHKENCORE TË VDEKJEVE MBRESËLËNËSE
(Persona publikë, viktima të diktaturës, ngjarje të tjera)
Memorie.al / Bardhyl Çipi, një nga specialistët më me përvojë në vendin tonë në fushën e Mjekësisë Ligjore dhe Bioetikës, mësimdhënies së tyre dhe përgatitjes së ekspertëve të rinj mjeko-ligjorë. Disa nga pacientët e tij, janë: viktima që u vranë në kufi për të shpëtuar nga diktatura komuniste, por i ndihmuar nga qeni i tij besnik, për zbulimin e kufomës së tij të fshehur, gruaja e internuar që vrau veten nga dëshpërimi, qytetarët e Kosovës të vrarë nga serbët, sepse kërkonin të jetonin të lirë, për të mos u poshtëruar dhe torturuar prej tyre, banorët që kanë jetuar 1500 vjet më parë në Shqipëri, profesori i universitetit të Tiranës i grabitur dhe i vrarë, etj. Një libër mbi vdekjen dhe provat shkencore për zbulimin e llojeve të ndryshme të saj: vrasje, vetëvrasje, të stimuluara dhe të detyruara nga regjimi komunist, vrasje dhe gjenocide ndaj Shqiptarëve nga fqinjët e tyre, kufoma të freskëta apo të dekompozuara dhe të skeletizuara. Dokumentet e vdekjeve të personave të shquar; Kenedit, Linkolnit, Napolonit, Leninit, Trockit, etj., dhe ngjarje të tjera të vdekjeve të njerëzve të zakonshëm. Njohuri mbi ndryshimet që ndodhin pas vdekjes dhe ekzaminimit të kufomave në botë dhe në vendin tonë, nga pikëpamja historike, etike, mjekoligjore, juridike. Disa nga librat e tij të fundit janë; “Manuali i Mjekësisë Ligjore” (2015), “Bioethics in Albania noëadays” (2016), “Tranzicioni shqiptar në lupën e mjekësisë ligjore” (2018), “Mjekësia Ligjore Kriminalistika” (2020).
Dyshime mbi vdekjen e Nako Spirut
Në mediat dhe shtypin tonë është analizuar shpesh herë vdekja e Nako Spirut, një nga drejtuesit e regjimit komunist në vitet e para të tij. Në vendin tonë ka mjaft ngjarje, sidomos ato të lidhura me vdekje kriminale që kanë mbetur të pazbuluara apo të pasqaruara. Kështu p.sh., një pjesë e madhe e kufomave të viktimave të diktaturës komuniste, nuk janë zbuluar ende.
Në mjaft raste, këto viktima kanë qenë vetë drejtuesit e lartë komunistë, që kanë shfaqur mendime të kundërta me ato të regjimit, ose dhe për arsye të sajuara, mbi ta është ushtruar një presion i madh, që i ka detyruar të vrasin veten. Pra, vetëvrasje kjo, që është konsideruar si një protestë e individit kundër dhunës dhe regjimit diktatorial.
Por vetëvrasja në regjimin komunist, është konsideruar një veprim i dënueshëm. Prandaj në mjaft raste, suicidi ka qenë i dyshimtë, sepse mund të ketë qenë një vrasje që është paraqitur gjoja si vetëvrasje, me qëllimin që dënimi i viktimës disidente e regjimit, të ishte edhe më i ashpër.
E tillë mund të ketë qenë edhe vdekja e dyshimtë e Nako Spirut, në vitin 1947, ndofta vetëvrasja e parë e një drejtuesi të lartë të shtetit të ri komunist të vendit tonë, për të cilën ka shumë prova, që mund të ketë qenë vrasje. Ka shumë shkrime mbi rrethanat e vdekjes së tij të paraqitura me hollësi në shtyp.
Përveç tyre, unë do të paraqis edhe të dhënat e një këqyrjeje identifikuese të mbetjeve kockore të Nako Spirut, të kryer prej meje, në njërën nga pesë lëvizjet që u është bërë atyre, pas vdekjes. Dua të shtoj se, në vendet e tjera, në mediat dhe shtypin e tyre të përditshëm, janë dhënë përshkrime të hollësishme të rasteve të tilla të ngjashme.
P.sh., përshkrimi i autopsisë të presidentit të ShBA, J. Kennedy, i vrarë në vitin 1962, apo përshkrimi i hollësishëm i mbetjeve kockore të carit Nikollaj të Rusisë dhe familjes së tij, të ekzekutuar në vitin 1919 nga bolshevikët, por që u arrit të zbuloheshin dhe identifikoheshin pas viteve 1990.
Në këto raste, publikimi i të dhënave me karakter mjekësor apo mjekoligjor, që ndihmon në sqarimin e plotë të ngjarjeve të mëparshme historike të vendeve të ndryshme, sidomos për ato që kanë pasur të bëjnë me vdekje kriminale, përfshirë edhe ato të regjimit komunist në vendin tonë, nuk përbën një shkelje të sekretit mjekësor.
Në këtë shkrim kam shqyrtuar vdekjen e Nako Spirut.
Kush është Nako Spiru, për vendin tonë?
Sipas motivacionit të urdhrit të lartë “Nderi i Kombit”, akorduar Nako Spirut nga presidenti i Republikës së Shqipërisë në vitin 2002, ai është vlerësuar:
”Organizator, frymëzues dhe drejtues kryesor i Rinisë Antifashiste Shqiptare, një nga udhëheqësit më të shquar të Lëvizjes Antifashiste Nacional Çlirimtare, në Shqipëri”.
“Luftëtar i vendosur për ruajtjen e pavarësisë së vendit pas luftës dhe për futjen e tij në rrugën e progresit. Intelektual i shquar, publicist i talentuar, që gjithë dijen e tij e vuri në shërbim të një të ardhmeje më të mirë e, më të drejtë”.
U lind në qytetin e Durrësit në vitin 1917; u shkollua në institutin Italian në Korfuz dhe fakultetin ekonomik të Torinos në Itali. Në luftën Nacional-Çlirimtare, ka qenë udhëheqësi i rinisë dhe një nga udhëheqësit e kësaj lufte. Pas çlirimit të vendit, ai u angazhua në drejtimin e vendit, duke patur postet e ministrit të Ekonomisë dhe kryetarit të Komisionit të Planit të Shtetit, deri në vdekjen e tij në vitin 1947.
Cilat janë rrethanat e vdekjes së tij?
Më datat 18-20 nëntor 1947, në mbledhjet e Byrosë Politike të Komitetit Qendror të Partisë Komuniste Shqiptare, Nako Spiru që mbante postet e ministrit të Ekonomisë dhe kryetarit të Komisionit të Planit të Shtetit, kritikohet rëndë nga Enver Hoxha, madje duke u cilësuar si një tradhtar i Partisë dhe i padenjë për të qenë në udhëheqjen e saj, të gjitha këto akuza vetëm se nuk ishte dakord me aneksimin e plotë të Shqipërisë nga Jugosllavia dhe kërkonte që vendi ynë, ta ndërtonte ekonominë e tij pa ndihmën e saj, pra i shkëputur nga Jugosllavia.
Në këtë situatë, sipas versionit zyrtar, në orën 20.00 të datës 20 Nëntor 1947, në zyrën e tij në Komisionin e Planit të Shtetit, ai qëllon veten me armë zjarri.
Në gjendje shumë të rëndë, sillet urgjent në spitalin e Tiranës, ku sipas dokumenteve mjekësore dhe dëshmive, megjithëse ai u reanimua dhe ju dha gjak, me qëllim që të bëhej e mundshme ndërhyrja kirurgjikale, kjo gjë nuk u arrit dhe në orën 02.00, të datës 21 nëntor 1947, ai dha shpirt.
Në ndjekjen e tij në spital, nuk rezulton ndonjë e dhënë se ndaj tij nuk është treguar kujdesi i duhur mjekësor, me qëllim që të shpejtohej vdekja, siç aludohet në shtypin tonë, që mund të ketë ndodhur në raste të tjera të ngjashme.
Dr. Fejzi Hoxha, mjek i udhëheqjes së lartë të vendit tonë, në kujtimet e tij tregon, se personat e Sigurimit silleshin nëpër këmbë, duke ndjekur çdo lëvizje të njerëzve e në veçanti të mjekëve, në rastin e Nako Spirut.
Sipas Bedri Spahiut, Prokuror i Përgjithshëm në atë kohë, Nako Spiru, përpara se të jepte shpirt, ka arritur t’i flasë atij, duke i thënë: “Më lini të vdes, nuk dua të shërohem”.
Të gjitha këto materiale të shtypit që janë paraqitur deri tani, po kështu edhe ato që do jepen më pas, pa pretenduar që ato janë të sakta me siguri të plotë, unë po përpiqem t’i analizoj, për të dhënë mendime, nga pikëpamja e mjekësisë ligjore kriminalistike, mbi vdekjen e Nako Spirut.
Kështu, sipas një punonjësi të një prej zyrave të Komisionit të Planit të Shtetit, që e kishte ruajtur kolltukun ku kishte qëndruar Nako Spiru, në momentin që kishte ndodhur qitja vdekjeprurëse me armë zjarri, ai tregon se kolltuku ishte prej meshini, me ngjyrë të zezë dhe në ndenjësen e tij, ndodhej një vrimë që ai mendonte se ishte shkaktuar nga plumbi.
Më pas, ky kolltuk u modifikua nga një marangoz, i cili zbuloi në dërrasën e shpinës së këtij kolltuku, një kanal me drejtim të pjerrët rreth 45˚, në fundin e të cilit u gjet një plumb, që u mendua prej tij dhe punonjësit të zyrës, që ai duhej të ishte plumbi me të cilin u qëllua Nako Spiru. Këtë plumb, ata ja dorëzuan ish-bashkëshortes së Nako Spirut, znj. Liri Belishova.
Nga ana e saj, znj. Liri Belishova, ka treguar se ka ruajtur veshjen që Nako Spiru ka patur në momentin e ngjarjes: një kostum prej stofi me ngjyrë gri e çelur, një bluzë, një këmishë e përgjakur, me vrimat e plumbit: hyrëse dhe dalëse (hyrja sipër gjoksit afër zemrës, dalja – poshtë kafazit të kraharorit në zonën e veshkave).
Cilat janë të dhënat e dëmtimeve të kufomës?
Sipas dëshmisë së Dr. Fejzi Hoxhës, plumbi kishte përshkuar zonën para zemrës, cipën mbështjellëse të saj, kishte dëmtuar një arterie të rëndësishme të mushkërive, diafragmën, shpretkën, kolonin transvers dhe kishte qëndruar diku në shtyllën kurrizore.
Në të vërtetë ky përshkrim i Dr. Fejzi Hoxhës, mendoj se nuk duhet të jetë krejt i saktë, për një plagë arme zjarri të zakonshme, megjithatë, rruga e plumbit duhet të ketë pasur në fillim një drejtim nga para prapa dhe nga sipër poshtë dhe anash (pak a shumë e ngjashme me drejtimin e pjerrët të kanalit të plumbit në dërrasën e kolltukut).
Siç duket Dr. Fejzi Hoxha, i ka nxjerrë këto të dhëna nga ekzaminimi klinik dhe ndofta ai radiologjik i viktimës para vdekjes. Pra ato janë të pambështetura, nga të dhënat e një autopsie mjekoligjore, dokumenti i të cilës, nuk figuron në dosjen hetimore të këtij rasti.
Ka shumë mundësi që autopsia të mos jetë kryer fare, gjë që dëshmohet edhe nga fakti që; gjatë këqyrjes të mbetjeve kockore të Nako Spirut, të kryera nga ana ime në njërën prej lëvizjeve të varrit të tij, nuk u konstatua sharrimi i kapakut kafkës, që konsiderohet si një nga veprimet rutinë. të çdo autopsie mjeko-ligjore.
Në fakt, kjo këqyrje mjeko-ligjore e këtyre mbetjeve kockore, u krye nga mua, më shumë për të vënë në dukje shenjat identifikuese të seksit dhe moshës, të cilat përputheshin me ato të Nako Spirut, sesa dëmtimet e tyre.
Sidoqoftë, eshtrat në përgjithësi dhe sidomos ato të trupit: brinjët, vertebrat, etj. rezultuan shumë të ngrëna dhe të shkatërruara, kryesisht nga veprimi për një kohë shumë të gjatë, i faktorëve dekompozues të mjedisit përreth mbi to. Midis tyre, me aq sa u pa nga ana ime, nuk u arrit që të zbulohej ndonjë predhë ose pjese predhe, të një qitjeje me armë zjarri.
Kështu, këto të dhëna paraprake deri tani, nuk vërtetojnë versionin e ngritur në shtyp, sipas të cilit, vdekja e Nako Spirut, është shkaktuar nga dy qitje me armë zjarri, ku përveç predhës të gjetur në kolltuk, duhet të ketë qenë edhe një predhë tjetër, që ka mbetur brenda në trup, por që nuk u arrit të zbulohej në mbetjet kockore, apo edhe që mund të ketë humbur gjatë lëvizjeve të shumta, ndofta të pakontrolluara që i janë bërë këtyre mbetjeve kockore.
Në favor të versionit që ka pasur vetëm një qitje me armë zjarri dëshmon edhe prania në foton e këmishës nga përpara vetëm të një dëmtimi, të ngjashëm me atë të një vrime hyrjeje plage me armë zjarri.
Në të vërtetë, diskutimi që është qëlluar një apo dy herë me armë zjarri viktima Nako Spiru, nuk ka asnjë vlerë shkencore për të diferencuar vrasjen nga vetëvrasja, sepse nga pikëpamja mjekoligjore, vetëvrasja mund të kryhet jo vetëm me një qitje, por edhe me dy ose më shumë qitje me armë zjarri, sidomos kjo, kur preken pjesët e trupit që nuk shkaktojnë vdekje të menjëhershme, siç është edhe ky rast.
Nga shqyrtimi i të gjitha këtyre informatave jo të plota, mungesës së kryerjes së autopsisë menjëherë pas vdekjes së viktimës si dhe materialeve të shtypit, (jo 100% të besueshme), mund të supozohet që vdekja e Nako Spirut, ka ndodhur nga një plagë qitjeje me armë zjarri në trupin e tij, me vrimën e hyrjes në pjesën e përparme dhe të majtë të gjoksit dhe atë të daljes nga prapa, në regjionin ku janë veshkat, sipas një kanali që duhet të ketë prekur zemrën, mushkëritë, enët e mëdha të gjakut, diafragmën, shpretkën, zorrën e trashë (koloni transvers) etj.
Vdekja ka ardhur për shkak të hemorragjisë (shoku hemorragjik) që nuk është arritur të dominohet dhe se drejtimi i kalimit të predhës në trupin e viktimës, ka qenë nga para prapa dhe nga sipër poshtë.
Përsa i përket formës mjeko-ligjore të vdekjes, zyrtarisht ajo është përcaktuar në fillim si një vrasje aksidentale (arma kishte shpërthyer, në kohën që viktima po e pastronte) dhe më pas si vetëvrasje, sepse ndodhi ndofta nga tronditja nervore, që Nako Spiru duhet të ketë pasur nga presioni që ju bë, duke u cilësuar si tradhtar i Partisë, sepse kundërshtoi nënshtrimin e vendit tonë, ndaj Jugosllavisë, etj.
Megjithatë, ky version, nuk rezulton të jetë shoqëruar me një letër lamtumire, që shkruajnë zakonisht viktimat para se t’i japin fund jetës së tyre. Më vonë, sidomos, pas viteve 1990, në shtypin tonë ka shumë shkrime, që e cilësojnë vdekjen e Nako Spirut si vrasje. P.sh., sipas K. Dervishit, “personat kryesorë që mbetën gjallë nga kjo vdekje, me gjithë peripecitë që hoqën, nuk patën kurajo as në fund të jetës së tyre, të pohonin se Nako Spiru u vra”.
Në një prononcim tjetër, K. Dervishi, midis të tjerave shkruan se: “u morën masa që në spital, të mos hynte njeri, madje as bashkëshortja, deri sa të mundësohej vrasja. Dëshmitari Dh.S., me punë në Komisionin e Planit të Shtetit, e kishte parë gjithë skenën, por i ngarkuar me vrasjen, nuk ka mundur ta fiksojë, për shkak të hutimit që e ka kapur. Dhe kjo jo pa shkak. Vrasjen ia kishin ngarkuar atij, pa dëshirën e tij. Thjesht kishte kryer detyrën ndaj Partisë”.
Nga pikëpamja mjekoligjore dhe kriminalistike, argumenti kryesor që dëshmon për versionin e vrasjes, padyshim që është drejtimi i pjerrët, që duhet të ketë pasur kalimi i predhës në trupin e viktimës, sipas dëshmisë së Dr. Hoxhës, që përputhet me atë të marangozit të kolltukut, ku duhet të këtë qenë ulur Nako Spiru, në momentin që është qëlluar me armë zjarri.
Zakonisht, një vrasës më këmbë, që qëllon në trup nga përpara, një viktimë të ulur në karrige apo kolltuk, duke qenë se është në një pozicion më lart se viktima, i shkakton një plagë arme zjarri, me drejtim të pjerrët, sikurse duhet të ketë qenë edhe ajo e rastit të Nako Spirut. Ndërsa, në një qitje të zakonshme, me qëllim vetëvrasjeje, të kryer nga viktima me dorën e saj, zakonisht duhej të ishte shkaktuar një plagë arme zjarri, horizontale.
Të gjitha këto argumente shkencore, janë analizuar me hollësi në studimin e kryer nga ana jonë, mbi drejtimin e qitjes, të mbështetur në rastet e vendit tonë dhe ato të huaja. Për një vërtetim të saktë të këtij rasti, është e nevojshme një ekzaminim i hollësishëm mjekoligjor dhe kriminalistik, i teshave dhe plumbit, që mendohet se ka vrarë Nako Spirun, pasi të jetë provuar më parë autenticiteti i plotë i tyre, me anën e ekzaminimit krahasues të ADN-së, ai i mbetjeve kockore, përcaktimi i distancës së qitjes në bazë të ekzaminimit të indeve të teshave rreth dëmtimeve të tyre etj.
Në vendet e tjera me një histori të gjatë disa qindravjeçare, në kohën e sotme, shpesh për ngjarje të kaluara të mbetura të panjohura me shekuj të tërë, sot nëpërmjet ekzaminimeve të hollësishme shkencore forensike, ato janë sqaruar. Edhe në shtetin tonë, historia e të cilit nuk është aq e gjatë sa ajo vendeve të tjera, ka shumë momente apo ngjarje, sidomos ato me vdekje kriminale, që kanë mbetur të pasqaruara, ku një prej tyre padyshim, është dhe ajo e vdekjes së Nako Spirut.
Të dhënat dhe dyshimet e mija të paraqitura për këtë rast, që për fat me sa duket ka prova të shumta të ruajtura, shpresoj që të nxisin organet tona shtetërore përkatëse, që të organizojnë kryerjen e ekzaminimeve forensike, të shoqëruara me një shqyrtim të hollësishëm të dokumentacionit përkatës, për të vërtetuar me saktësi nëse Nako Spiru, ky udhëheqës dhe personalitet i shquar i vendit tonë, mund të ketë qenë ekzekutuar nga një vrasës. Memorie.al
Vijon numrin e ardhshëm
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016