Dashnor Kaloçi
Pjesa e dymbëdhjetë
Memorie.al /publikon disa dokumente të nxjerra nga Arkivi Qendror i Shtetit (fondi i ish-Komitetit Qendror të PPSH-së), ku ndodhet një dosje voluminoze me materiale arkivore të cilat mbajnë siglën ‘Tepër sekret’, të cilat i përkasin periudhës së viteve 1981-1982, me raporte, relacione, dëshmi, informacione, proçes-verbale të mbledhjeve të Byrosë Politike dhe sekretariatit të Komitetit Qendror të PPSH-së, etj., duke filluar nga ajo që u mbajt për të shqyrtuar dhe analizuar autokritikën e ish-kryeministrit Mehmet Shehu në dhjetorin e vitit 1981, për shkak se kishte lejuar fejesën e djalit të tij, Skënderit, “me një vajzë e cila në rrethin e saj familjar kishte disa të arratisur politikë”, mbledhja maratonë e Byrosë Politike e pasdites së 17 dhjetorit të tij viti që vazhdoi deri në orët e vona të asaj nate, ku u shqyrtua ai problem me debatet dhe diskutimet e të gjithëve anëtarëve që “kryqëzuan” ish-kryeministrin Shehu, mbledhja e paradites së 18 dhjetorit, pas lajmit se kryeministri Mehmet Shehu kishte vrarë veten, mbledhja maratonë e Sekretariatit të Komitetit Qendror të PPSH-së e datës 20 shtator të vitit 1982, me temë: “Analiza e gabimeve të rënda të Kadri Hazbiut, të kryera gjatë periudhës kur ai ishte zv/ministër dhe ministër i Punëve të Brendshme”, ku Enver Hoxha nisi fillimisht akuzat ndaj Kadri Hazbiut, duke e joshur atë si “besnik i Partisë”, (në mënyrë që ai “t’ja hapte zëmrën Partisë”, duke folur kundër ish-kryeministrit Mehmet Shehu), ku që në fillim të fjalës së tij, Enveri u shpreh: “Pas puçistëve në ushtri, zbuluam grupin tradhtar në ekonomi të Abdyl Këllezit, Koço Theodhosit dhe Kiço Ngjelës me shokë. Edhe këtë grup e zbuluam ne këtu, nuk e zbuloi Sigurimi i Shtetit. Po kështu mund të themi edhe për zbulimin e grupit të Fadil Paçramit, të Todi Lubonjës dhe të një sërë njerëzish të tjerë të lidhur pas tyre, si Ismail Kadareja me shokë, nuk e zbuloi Sigurimi, por ajo punë armiqësore u zbulua nga ana e Komitetit Qendror”, etj.! Të gjitha këto dhe të tjera dokumente me siglën ‘Tepër sekret’, do të publikohen në disa numra me radhë, ekskluzivisht nga Memorie.al
Dokumenti me proçes-verbalin e mbledhjes së Sekretariatit të Komitetit Qendror të PPSH-së, me temë “Analiza e gabimeve të rënda të Kadri Hazbiut, të kryera gjatë periudhës kur ai ishte zv/ministër dhe ministër i Punëve të Brendshme”, mbajtur në datën 20 shtator 1982
Tepër sekret
MBLEDHJE E SEKRETARIATIT TË KOMITETIT QENDROR TË PPSH E DATËS 20 SHTATOR 1982
SHOKU KADRI HAZBIU: Mundet t’i kenë përdorur.
SHOKU RAMIZ ALIA: Këtë veprim, si e konsideron ti Kadri?
SHOKU KADRI HAZBIU: Nga ana ime këtë veprim nuk e konsideroj të rregullt, të drejtë, po ama edhe për atë kohë, të lutem, shoku Ramiz, këtë praktikë kisha unë me sovjetikët. Ç’t’ju them tani?
SHOKU RAMIZ ALIA: Dakord, po kjo praktikë veç është shumë e gabuar.
SHOKU KADRI HAZBIU: Të gabuar, të gabuar e kam konsideruar edhe unë.
SHOKU ENVER HOXHA: Deri sa është e gabuar, atëhere pse nuk lajmërove Komitetin Qendror qysh në vitin 1959, që këtë praktikë e konsideroje të gabuar, ta bëje të paktën në vitin 1960, kur ne u futëm në luftë me sovjetikët, ose fundja në 1961-in, në 1963-in, në 1965-ën, po e le deri në 1975-ën? Pse nuk e bëre më parë?
SHOKU KADRI HAZBIU: Ajo është me dokumente.
SHOKU RAMIZ ALIA: Po ti ke dokumente në dosje.
SHOKU ENVER HOXHA: Po pse nuk e bëre?
SHOKU KADRI HAZBIU: Po ku ta di unë, shoku Enver?
SHOKU ENVER HOXHA: Ku ta di unë thua ti, po duhet ta dish, se nuk mund ta di unë.
SHOKU KADRI HAZBIU: Po domosdo që duhet ta dija unë. Nuk e kam menduar që s’i kam thënë Komitetit Qendror. Tani ç’të them tjetër?
SHOKU RAMIZ ALIA: Nuk është mungesë e madhe vigjilence kjo, shoku Kadri, nga ana jote? Se ti, pas vitit 1960 që ne u prishëm me sovjetikët, u ke dhënë atyre gjithë këto dokumente dhe këtë ti e di mirë.
SHOKU KADRI HAZBIU: Nuk është pas vitit 1960.
SHOKU RAMIZ ALIA: Para vitit 1960-të, kurse pas 1960-ës ndodhi ajo situatë që dimë me sovjetikët. Atëhere si nuk u kujtove ti që të thoshe; ore, pa dale një çikë, se unë u kam dhënë atyre të tëra emrat e elementëve antiparti. U kam dhënë gjithashtu të tëra emrat e elementët që i kemi në përpunim.
SHOKU KADRI HAZBIU: Po pse, më fal shoku Ramiz, se përveç këtyre, ata duhet të kenë shumë hollësira të tjera në bazë të praktikës që kishim.
SHOKU ENVER HOXHA: Supozojmë, se këtë nuk duam ta dimë ne, dhe për atë praktikë që kemi vendosur jeni fajtor.
SHOKU RAMIZ ALIA: Jo, jo, unë dua të them edhe për një arsye tjetër. Edhe sot e kësaj dite, shoku Kadri, raportet tona i shikon me satelit të tëra armiku, t’i shikon bile vend për vend. Megjithatë, ne nuk i botojmë dhe nuk i shkruajmë ato. Pse t’ua japim vetë me duart tona?
SHOKU HEKURAN ISAI: Këtu nuk është puna e një çështje praktike që kishim me sovjetikët, këtu është mungesë e plotë vigjilence nga ana juaj.
SHOKU KADRI HAZBIU: Po mirë, ore, po unë, po të them që në atë kohë ashtu ishte. Mirë, gabim e kemi pasur.
SHOKU ADIL ÇARÇANI: Materialet për të cilat po diskutojmë janë tepër sekret, ato nuk i dinë bile as anëtarët e Byrosë Politike.
SHOKU ENVER HOXHA: Nuk i dinë as ata.
SHOKU KADRI HAZBIU: Ore, po pse t’ia jepja unë, shoku Adil, është tjetër punë letra e Llambit, po platformën ne e kemi bërë bashkë me ta.
SHOKU ENVER HOXHA: S’ka rëndësi ajo, Kadri.
SHOKU ADIL ÇARÇANI: Po kështu ti ia jep zyrtarisht, në këtë mënyrë shkelet një normë nga ana juaj.
SHOKU KADRI HAZBIU: Dakord, dakord, po ai i kërkon në bazë të shkollës që hyjnë në planin e përbashkët, shkelja pastaj është tjetër punë.
SHOKU ENVER HOXHA: Është një punë me rëndësi kjo. Tjetër punë që u bëje lëshime të tjera atyre, po këtë dokument, për të cilin Byroja Politike ka tërhequr vëmendjen se është tepër sekret, pse ua ke dhënë ti?
SHOKU KADRI HAZBIU: Për shkollën ajo nuk është sekret.
SHOKU ENVER HOXHA: Në shkollë përmbajtjen e saj ta mësonin studentët tanë kur të ktheheshin këtu.
SHOKU KADRI HAZBIU: Po tani kështu e kam gjykuar unë në atë kohë.
SHOKU ENVER HOXHA: Kështu e ke gjykuar ti, po si mendon, e ke gjykuar drejt apo gabim?
SHOKU KADRI HAZBIU: Gabim e kam gjykuar.
SHOKU ENVER HOXHA: Po mirë, ç’konsekuenca ka ky gabim nga ana jote?
SHOKU KADRI HAZBIU: Konsekuencat ç’të them unë tani, këto janë bërë, janë në dëm të Partisë.
SHOKU ENVER HOXHA: Po një dëm shumë i madh, ama.
SHOKU KADRI HAZBIU: Vetëm një gjë dua të them, shoku Enver, nuk dua të shfajësohem për këto, po është e pamundur që të mos u kem marrë ndonjë miratim shokëve, të mos kisha pyetur si të veproja, se këto materiale sovjetikët po na i kërkojnë për shkollën, t’ua dërgojmë apo jo? Sidoqoftë përgjegjësia më mbetet mua, se unë kam qenë titullar atje në atë kohë.
SHOKU ENVER HOXHA: Po mirë, ku mendon ti të kërkojmë, se mos ka ndonjë dokument?
SHOKU KADRI HAZBIU: Po ç’të them unë tani, shoku Enver, që në 1960-të ku mbahen mend.
SHOKU ENVER HOXHA: Për një gjë të tillë me kaq rëndësi të kufizohesh të marrësh një miratim verbal?
SHOKU KADRI HAZBIU: Po ne kështu kemi vepruar, shoku Enver.
SHOKU ENVER HOXHA: Kini vepruar, po kini vepruar gabim. Kështu është për të gjithë ata që kanë vepruar në këtë mënyrë.
SHOKU KADRI HAZBIU: Gabim është edhe për bashkëpunëtorët e tjerë që kishim jashtë. Ata kanë ditur, shoku Enver, këto porosi kishim, kështu vepronim, mos u mbani asnjë rezervë sovjetikëve, bashkëpunoni ngushtë me ta, na është thënë.
SHOKU ENVER HOXHA: Nuk është shfajësim ky, Kadri.
SHOKU KADRI HAZBIU: Unë nuk dua të shfajësohem, shoku Enver, po kështu e di unë këtë çështje.
SHOKU ENVER HOXHA: Çështja është këtu, këshilltarit ne i kërkojmë një këshillë, po jo t’i japim hetimet të tëra ç’bëhet për njërin e ç’bëhet për tjetrin. Këshilltari që kemi pasur mund t’i thoshim se një njeri, fjala vjen, pa i’a zënë emrin me gojë, na ka vrarë dhe ky ka, për shembull babën e tij anëtar partie dhe 6 fëmijë. Ç’dënim i jepni ju këtij? Për një rast të tillë konkret mund t’i kërkohet një këshillë.
SHOKU KADRI HAZBIU: Nuk e kemi pasur atë metodë pune me ta ne, shoku Enver.
SHOKU ENVER HOXHA: Po t’ju jepnim ne sovjetikëve të gjitha hetimet e Liri Gegës, të atij apo të këtij, kjo nuk është e lejueshme.
SHOKU KADRI HAZBIU: Po ata merrnin pjesë, shoku Enver, në hetimin e tyre, në proceset e tyre, pyesnin çfarë u tha sot hetuesi, çfarë përgjigje dha i pandehuri etj.
SHOKU RAMIZ ALIA: A jo, po t’ia tregosh kështu, është tjetër punë, shoku Kadri.
SHOKU KADRI HAZBIU: Ore, po kështu e kishim ndërtuar ne punën me këshilltarët sovjetik. Ja, këto janë për shkollën, këto janë sintezë. Ata na e kishin me hollësi në dorë gjithë punën tonë. Të paktën kështu i kishim ndërtuar marrëdhëniet me ta. Tani le të bjerë përgjegjësia mbi mua, po veç kështu është punuar.
SHOKU RAMIZ ALIA: Le të bjerë përgjegjësia mbi ty nuk është një përgjigje e drejtë nga ana jote, po na thuaj këtu si duhet ta ndjesh ti këtë përgjegjësi.
SHOKU KADRI HAZBIU: Po unë e ndjej, si s’e ndjej përgjegjësinë.
SHOKU RAMIZ ALIA: Po ja unë po të them, për shembull, që shoku Adil dhe unë kemi qenë anëtarë të Byrosë Politike në atë kohë dhe as unë, as Adili nuk dimë gjë nga këto çështje.
SHOKU KADRI HAZBIU: Nga cilët?
SHOKU RAMIZ ALIA: Ja nga të tëra këto që po diskutojmë, absolutisht asgjë nuk dimë. Atëhere përse t’i dinin këto sovjetikët?
SHOKU KADRI HAZBIU: Po mirë që nuk di, po ata punonin me këto gjëra, shoku Ramiz.
SHOKU RAMIZ ALIA: Jo,jo, me këtë dua të them që këto materiale janë tepër sekrete dhe është bërë mirë që janë mbajtur sekret edhe nga ne, kurse ti ua çon këto sovjetikëve. Si është kjo punë? Kjo është shumë e rëndë, shoku Kadri.
SHOKU KADRI HAZBIU: Këto janë të konsumuara, po duhet të jenë kërkuar për shkollën. Unë mendoj që për shkollën janë dërguar.
SHOKU ADIL ÇARÇANI: Po shkolla jonë e Sigurimit, ku mund të mësohen këto gjëra, atje kanë edhe degën e Sigurimit sovjetikët.
SHOKU ENVER HOXHA: Shkollës nuk është aspak e arsyeshme t’i jepen sekret. Pse nuk i keni dërguar ju kësaj shkolle edhe dosjet e procesit të Koçi Xoxes, të vinin kamionët sovjetik të merrnin të tëra materialet e Sigurimit të shtetit me barrë? Pse?
SHOKU KADRI HAZBIU: Këto duhet të jenë çështje që i ka trajtuar shkolla jonë këtu, shoku Enver, kurse ata na kanë kërkuar kopjet. Le t’i verifikojnë shokët këto çështje. Ka mundësi që të jetë kështu.
SHOKU ENVER HOXHA: Jo, jo.
SHOKU HEKURAN ISAI: Jo, jo, janë ca kopje që i janë dërguar Komitetit Qendror.
SHOKU KADRI HAZBIU: Po mirë, mo mirë, po del ajo që për shkollën janë marrë dhe përpunuar. Tani si janë përpunuar ato? Janë përpunuar në shkollë.
SHOKU HEKURAN ISAI: Ky që është bërë nga ana juaj shoku Kadri, është një gabim i madh dhe nuk është e vërtetë ajo që thoni ju se këto duheshin për shkollën.
SHOKU KADRI HAZBIU: Po atëhere përse duheshin?
SHOKU HEKURAN ISAI: Ja, po ta them unë përse duheshin.
SHOKU KADRI HAZBIU: E mo thuama, mbase më kujton ndonjë gjë.
SHOKU HEKURAN ISAI: Ja po jua kujtoj unë. Këtë e tregojnë vetëm këto të fundit, pesë relacionet mbi veprimtarinë armiqësore të të gjithë elementëve antiparti që kemi pasur ne në vitin 1959. Ka pasur nga këta?
SHOKU KADRI HAZBIU: Ka pasur.
SHOKU HEKURAN ISAI: Më fal një minutë, shoku Kadri.
SHOKU KADRI HAZBIU: Po kopjet e këtyre pesë relacioneve ti i ke tani.
SHOKU HEKURAN ISAI: Ja, më fal, i kam posi, u kemi bërë edhe një përmbledhje, dhe përmbledhja e tyre është kjo. Në këto pesë relacione, që i kemi edhe me numër, bëhet fjalë mbi komentet armiqësore që kanë zhvilluar në këtë kohë kundër vijës së Partisë elementët antiparti që ndodheshin në kampin e Zvërnecit në gjendje të lirë, siç janë Xhavit Qesja, Peço Fidhi, Pëllumb Dishnica, Kadri Hoxha. Më falni edhe një minutë!
SHOKU ENVER HOXHA: Po ç’i duheshin shkollës këto të dhëna?
SHOKU HEKURAN ISAI: Po ja pra, ç’i duheshin shkollës këto? Megjithatë, unë e kam fjalën këtu, shoku Enver, që në kampin e Zvërnecit, ne kishim organizuar punën agjenturiale operative, tërhiqnim nëpërmjet agjenturës komentet armiqësore që bënin armiqtë dhe këto i merrte Sigurimi. Po shkollës së Partisë ç’i duheshin këto?
SHOKU KADRI HAZBIU: Kujt shkolle të Partisë?
SHOKU RAMIZ ALIA: Jo shkollës së Partisë, po shkollës së Sigurimit Sovjetik.
SHOKU HEKURAN ISAI: PO, më fal, shkollës së Sigurimit doja të thoshja edhe unë.
SHOKU KADRI HAZBIU: Po tani si t’ju them unë, po dale, more shoku Hekuran, më fal tani se i thonë se këto janë bërë që nga viti 1959, prandaj nuk ka si i mbaj mend unë tani se çfarë kanë kërkuar sovjetikët, përse i kanë kërkuar dhe si i kanë kërkuar. Memorie.al
Vijon numrin e ardhshëm
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016