Nga Mark Brunga
-Si u projektua në Komunizëm, “Durrësi i nëndheshëm”, në raste lufte?-
Memorie.al / “Qyteti i nëndheshëm, i përbërë nga tunele të veçanta të ndërtuara në rrëzë të kodrave, do të përballonte sulmet nga jashtë apo katastrofat natyrore. Fabrika e nëndheshme e bukës ishte llogaritur që të furnizonte me bukë qytetin e Durrësit me mbi 80 mijë banorë. Sipër lagjes “Stan” është ndërtuar i pari tunel gjigant si vendstrehim për parkimin e më shumë se 300 automjeteve, ndërsa spitali do të kishte kapacitet prej 500 shtretërish”.
Në 10-vjeçarin e fundit të diktaturës komuniste në vendin tonë, kur regjimi i kaluar, dukej se nuk kishte gjasa për të ndryshuar kursin që kishte nisur menjëherë pas çlirimit, merreshin masa shtesë, për përballimin me sukses të “sulmeve armike” nga jashtë. Qëllimi ishte që Shqipëria; t’i bënte ballë sulmeve ushtarake, bombave atomike, por edhe katastrofave natyrore, që mund të shkaktonin dëme të konsiderueshme ekonomike dhe paralizim të jetës normale. Në fillim të viteve ’80-të, Këshilli i Ministrave, ngarkoi një drejtori të veçantë, atë të Mbrojtjes Civile, për ndërtimin e tuneleve dhe vend-banimeve të nëndheshme, që do të shërbenin në kohë emergjence në ndihmë të popullatës.
Tunele të pafundme, nisën të ndërtohen në të gjithë vendin, të cilat kanë kushtuar shuma marramendëse fondesh financiare. Fondet për ndërtimin e tyre, akordoheshin nga buxheti i shtetit, por edhe nga ndërmarrjet në rrethe, për të cilat komitetet ekzekutive, bënte planin përkatës. Është e tepërt të thuhet se ndërmarrjet, bindeshin për të plotësuar planin “ekstra”, që kërkohej për drejtorinë. Një numër i madh tunelesh, ose vend-banimesh të nëndheshme, janë ndërtuar edhe në Durrës, të cilat dukej se kishin projektuar Durrësin e nëndheshëm, që do të funksiononte në rast lufte.
Lutfi Shehu, ish-ushtarak (i diplomuar në ish-Bashkimin Sovjetik), dhe shef i Emergjencave Civile në rrethin e Durrësit për 12 vjet, tregon se si u hartuan projektet në fillim të viteve ’80-të dhe ndërprerja e punës pas 10 vitesh, kur në vendin tonë, u vendos pluralizmi. Lutfi Shehu, tashmë 82 vjeç, tregon se ndërtimet që janë bërë, duke nisur nga viti 1981, deri në 1991-in, janë ndërtime të projektuara për t’i bërë ballë edhe goditjeve më të fuqishme, që mund të vinin nga rrugë të ndryshme. “Këto ndërtime kishin një mision të caktuar, – shprehet ai,- që do të thotë se jeta duhet të vazhdojë edhe në kohë lufte apo katastrofash”.
Dhjetë tunelet që do të mbanin gjallë jetën e qytetit në rast lufte
“Vendi për ndërtimin e tuneleve të nëndheshme, u zgjodh të ishte në rrëzë të kodrave të qytetit. Në kodrën e Vilës, gjenden dy të tillë. Sipër lagjes ‘Stan’, është ndërtuar i pari tunel gjigant, si vend-strehim për parkimin e më shumë se 300 automjeteve. Ky tunel gjigant ,që i bie të jetë disa metra në thellësi të vilës së Mbretit Zog, është i përbërë nga 6 tunele të tjera. Më pas, është ndërtuar tuneli që do të shërbente si vend-komanda e rrethit. Ai është ndërtuar tek kodra e Kokomanëve dhe është një objekt i madh, që përbëhej nga 85 dhoma të vogla, kryesisht të përshtatura si ambiente zyrash. Ky objekt është i përfunduar dhe aktualisht hyrja e tij është mbyllur, me anë të një dere të rëndë prej betoni.
Ndërtimi i tretë dhe që mund të konsiderohet më i madhi, është spitali nëntokësor. Ai është ndërtuar në afërsi të ish repartit të tankeve dhe u projektua me një kapacitet prej 500 shtretër gjithsej. Për këtë spital, përfundoi hapja e tunelit, betonimi i tij, krijimi i ambienteve për të gjitha shërbimet, si dhe ndërtimi i depos së ujit, që do të furnizonte për një muaj nevojat e spitalit. Spitali konsiderohet i papërfunduar, pasi mungon rrjeti hidraulik, elektrik dhe sistemi i aspirimit dhe kondicionimit. Objekti i katërt, është frigoriferi. Ai është ndërtuar tek vendi që quhet; ‘Depoja e Vangjelit’ dhe ka kapacitet ruajtës të ushqimeve, në masën 300 ton.
Frigoriferi, është përdorur për disa kohë në fund të viteve ’80-të. Aty mbahej djathi, mishi, perimet dhe zarzavatet. Është në gjendje pune, me të gjitha pajisjet dhe gjendet përballë Komandës së Marinës. Matanë liqenit që ndodhet në këtë vend, gjenden magazinat e nëndheshme të Tregtisë së asaj kohe. Ai është një tunel gjigant, i ndarë në shumë xhepa brenda tij. Një objekt tjetër i ndërtuar në këto vite, ka qenë edhe stalla e lopëve, me kapacitet për mbarështimin e 500 krerëve. Ky tunel u ndërtua poshtë kodrës, aty ku ka qenë bateria kundërajrore, tek reparti i tankeve. Aty ka tunele të përfunduara, për ruajtjen e lopëve dhe të pajisura me ajrim dhe gjithçka të nevojshme.
Fabrika e bukës gjendej përkarshi stallës së lopëve. Edhe kjo u përfundua në pjesën më të madhe të saj dhe u provua funksionimi i saj, por mbeti pa ndërtuar vetëm oxhaku që do të dilte mbi tokë. Kjo fabrikë ishte llogaritur, që të furnizonte me bukë qytetin e Durrësit, me mbi 80 mijë banorë. Afër fabrikës u ndërtua edhe fabrika e blojës, e betonuar dhe e pajisur me mjetet e domosdoshme.
Në kodrën e Vilës, janë ndërtuar edhe dy tunele të tjera, që do shërbenin si repart rrobaqepësie dhe këpucarie, në kohë lufte ose katastrofash. Të gjitha këto tunele pritej të merrnin jetë sapo të jepej alarmi nga komanda e lartë, e cila gjithashtu kishte vendin e saj të strehimit nën dhe. Shumica e tyre sot kanë mungesë vetëm të sistemit të ajrimit dhe aspirimit dhe mund të vihen në punë për qëllime të ndryshme”.
Materiali i përdorur dhe ndërprerja e punimeve në vitin 1991
Lutfi Shehu tregon se; për ndërtimin e këtyre objekteve të rëndësishme, është përdorur hekur dhe beton i cilësisë më të mire, që kishte vendi ynë në atë kohë. Hekuri i përdorur në këto tunele ka qenë i njëjtë me atë që u përdor për hidrocentralin e Fierzës, ndërsa betoni ishte i markës 400 e sipër. Objektet në fjalë ishin në varësi të drejtorisë së Mbrojtjes Civile, e cila varej nga Këshilli i Ministrave.
Ndërtimi i tyre, u bë nga kantieri i Mbrojtjes Civile, i ngritur posaçërisht për këtë punë, por ai ishte në varësi edhe të Ndërmarrjes Komunale. Në lidhje me fondet për këto ndërtime, çdo ndërmarrje punonte për fondin rezervë, që shkonte për sigurimin e miliona metra kub beton dhe ton hekur. Me këtë mënyrë, ishte menduar që të mos rëndohej buxheti i shtetit, ndërkohë që kjo rrugë financimi, kishte bërë që në këto lloj punimesh, të mos ndihej fare kriza që kishte nisur të trokiste në shtetin komunist.
Kantieri i ngritur në Durrës, përbëhej nga rreth 60 punëtorë, specialistë dhe inxhinierë. Teknikët dhe punëtorët kanë qenë shumë të kualifikuar për punime të brendshme nëntokësore. Ata kishin marrë përvojë në ndërtimet e hidrocentraleve të Shkopetit dhe Bistricës, dhe pas tyre erdhën në Durrës. Në lidhje me teknikën e ndërtimit, duhet thënë se nuk ka qenë ndonjë teknikë moderne. Janë përdorur traktorë gërmues për hapjen në thellësi të tuneleve që u siguruan nga reparti i xhenjos së ushtrisë. Etapat e tjera të punës për hapjen e tuneleve kryheshin me baromina, shpërthime, plasje etj.
Në fillim të viteve ’90-të, u pezullua komplet puna për ndërtimin e mëtejshëm të tyre, pasi ndryshuan destinacionet e ndërmarrjeve, ndërkohë që vendi hyri në një krizë të thellë ekonomike.
Kostoja e ndërtimit dhe përshtatja e tyre në kushtet e sotme
Nuk dihet se sa ka kushtuar hapja dhe ndërtimi i të gjithë tuneleve që gjenden në Durrës. Nga një llogari që është bërë nga grupi që drejtonte punimet në atë kohë, vetëm spitali i nëndheshëm i Durrësit, kishte kushtuar rreth 7.8 milion lekë (të vjetra) të asaj kohe. Në rast se kjo shumë konvertohet me vlerën e dollarit në vitet e komunizmit, llogaritet që vetëm spitali i nëntokësor, të ketë kushtuar 105 mijë dollarë amerikanë.
Lutfi Shehu tregon tashmë shumë vite pas ndërprerjes së punimeve, se projektet për ndërtimin e tyre, janë marrë nga vendet nordike, kryesisht Suedia dhe Norvegjia. Më pas ato janë përshtatur dhe zbatuar për ndërtim në Durrës dhe zona të tjera të vendit. Për këto projekte punonte posaçërisht Instituti nr. 2 i veprave ushtarake.
Çfarë mund të bëhet në këtë kohë, me këto objekte që kanë mbetur në mëshirë të fatit?
Ish-ushtaraku Lutfi Shehu, për këtë pyetje, përgjigjet se; shteti mund t’i shfrytëzojë për magazinim, kantina verërash, parkingje, fabrika dhe punishte të llojeve të ndryshme, komplekse për rritjen e kërpudhave, etj. Në vitin 1991, kur puna për ndërtimin e tyre sapo ishte ndërprerë, ka pasur kërkesa nga subjekte të ndryshme, që aty të krijoheshin komplekse serash për rritjen e kërpudhave. Aktualisht, nuk dihet se cila ministri i ka në inventar këto ndërtime, që kanë kushtuar shtetit qindra milion lekë në atë kohë, pasi në shumë raste, në hyrjet e këtyre tuneleve janë ndërtuar shtëpi, apo janë bërë mure dhe ambiente të llojeve të ndryshme.
“Në atë kohë, Këshilli i Ministrave me sforcime dhe mundim, arriti që të krijojë regjimentin e Mbrojtjes Civile dhe bëri të pamundurën për të pajisur me mjetet e duhura këtë sektor jetik, në raste përmbytjesh, zjarresh, tërmetesh apo dhe lufte. Sot nuk ka asnjë interes dhe nuk vlerësohet sa duhet sektori i mbrojtjes civile, në një kohë që në shumë shtete, ekziston më vete Ministria e Mbrojtjes Civile”,- thotë Shehu.
Situata emergjente e marsit 1987 në Shkodër dhe kapërcimi i situatës
Lutfi Shehu, tregon se në mars të vitit 1987, në qytetin e Shkodrës shpërtheu një erë mjaft e fortë. Fortunali bëri që në zonën e Koplikut, të rrëzohen 5-6 shtylla elektrike të tensionit të lartë, që vinin nga hidrocentrali i Vaut të Dejës. Kjo linjë, furnizonte me energji elektrike Shkodrën dhe Lezhën dhe rrëzimi i shtyllave nga era e fortë, bëri që dy qytetet e mësipërme të mbeteshin pa energji. Nga masat jo të plota, që ishin marrë për të siguruar energji elektrike në rrugë paralele, ose me gjeneratorë, Shkodra mbeti pa bukë.
Qeveria në Tiranë vuri alarmin dhe për të furnizuar me bukë këtë qytet, iu ngarkua detyrë Durrësit që të mbante në gjendje pune për 24 orë furrat e bukës. Për afro tre javë në Durrës, bëheshin dy plane shtesë bukë, që shkonin në Shkodër, e cila në këto ditë të vështira, është furnizuar me bukë edhe nga Shijaku, Kavaja dhe Lushnja pjesërisht. Në këtë kohë krize, u prodhuan bukë edhe në furrën e nëndheshme në afërsi të repartit të tankeve, çka ishte një rast i mirë ,për të testuar këtë furrë të krijuar për raste lufte.
Përmbytjet e sotme, dëshmi e mos seriozitetit dhe mungesës së mbrojtjes civile
Përmbytjet që regjistrohen vazhdimisht në Durrës dhe në zona të tjera të vendit nga reshjet e shiut, tregojnë se askush nuk e merr me seriozitet mbrojtjen civile dhe emergjencat në situata të tilla. Lutfi Shehu, tregon se në atë kohë, nuk mund të imagjinohej që masat për parandalimin e përmbytjeve të merreshin në nëntor apo dhjetor. Ato ishin marrë me kohë, ndërkohë që po kaq e pa mendueshme, është që hidrovori të pësojë defekt dhe energjia të mungojë, aq sa të përmbytet menjëherë Durrësi. Ai është një objekt i rëndësisë së veçantë dhe bashkë me ujësjellësit, depot e tyre dhe spitalet, duhet të kenë linja të pavarura, për furnizimin me energji elektrike. Memorie.al