Nga Bashkim Trenova
Pjesa e pesëmbëdhjetë
Memorie.al publikon kujtimet e gazetarit, publicistit, përkthyesit, studiuesit, shkrimtarit, dramaturgut dhe diplomatit të njohur, Bashkim Trenova, i cili pasi u diplomua në Fakultetin Histori-Filologji të Universitetit Shtetëror të Tiranës, në vitin 1966 u emërua gazetar në Radio-Tirana në Drejtorinë e Jashtme të saj, ku punoi deri në vitin 1975, kur ai u emërua si gazetar dhe shef i redaksisë së jashtme në gazetën ‘Zëri i popullit’, organ i Komitetit Qendror të PPSH-së. Në vitet 1984-1990, ai shërbeu si kryetar i Degës së Botimeve në Drejtorinë e Përgjithshme të Arkivave të Shtetit dhe pas zgjedhjeve të para të lira në Shqipëri, në marsin e vitit 1991, u emërua në gazetën ‘Rilindja Demokratike’, fillimisht si zv/kryeredaktor dhe më pas kryeredaktor i saj, deri në vitin 1994, kur u emërua në Ministrinë e Punëve të Jashtme. me detyrën e Drejtorit të Shtypit dhe zëdhënës i asaj ministrie. Në vitin 1997, Trenova u emërua me detyrën e ambasadorit të Shqipërisë në Mbretërinë e Belgjikës dhe në Dukatin e Madh të Luksemburgut. Kujtimet e panjohura të z. Trenova, duke filluar nga periudha e Luftës, fëmijëria e tij, vitet e fakultetit, karriera profesionale si gazetar dhe studiues në Radio Tirana, gazetën ‘Zëri i popullit’ dhe Arkivin Qendror të Shtetit, ku ai shërbeu deri në shembjen e regjimit komunist të Enver Hoxhës, periudhë kohe, kur ai në rrethana të ndryshme u njoh me disa nga ‘familjet reaksionare’ dhe pinjollët e tyre, të cilët me një mjeshtëri të rrallë, i ka përshkruar në një libër me kujtime të publikuar në vitin 2012, me titull ‘Armiqtë e popullit’ dhe tani i sjell për lexuesit e Memorie.al
“Armiqtë e popullit”
Gratë e huaja që filluan punë si përkthyese në Radio-Tirana
Në Radion e Jashtme punonin edhe një numër i madh përkthyesish. Kur unë Alberti dhe Dervishi filluam punë, në gusht të vitit 1966, Radio Tirana transmetonte vetëm një emision në ditë në anglisht, frëngjisht, rusisht, italisht, serbisht dhe greqisht. Më vonë, me kalimin e viteve u shtuan transmetimet edhe në gjuhë të tjera, pa përjashtuar edhe indonezishten, iranishten apo edhe kinezçen. Diktatori ynë, udhëheqësi i Partisë së Punës, Enver Hoxha, kishte marrë përsipër barrën e drejtimit të revolucionit proletar dhe çlirimtar kudo në botë!
Megalomania e tij ishte e pakufi. Ai kishte bindjen se fjala dhe mendimi i tij do të ngrinin në këmbë proletariatin botëror për të përmbysur kapitalizmin, po kështu edhe popujt e shtypur për të hedhur tej prangat e robërisë! Radio e Jashtme kishte për mision transmetimin kudo në botë të kësaj fjale, të këtij mendimi. Kur filluam punë ne, zyra jonë ishte krejtësisht e lirë, ne ishim të parët që u vendosëm aty. Më pas Drejtoria e Jashtme, do të zinte të gjithë hapësirën e katit të IV të Radio-Televizionit Shqiptar dhe një pjesë të katit të tretë. Transmetimet e saj do të arrinin në 24 gjuhë të huaja, në më se 80 orë programe në ditë.
U rrit kështu vazhdimisht edhe numri i përkthyesve dhe përkthyeseve në Radio-Tirana. U rrit, sidomos, numëri i grave ruse, polake, çeke, hungareze, rumune, bullgare, serbe, të martuara me burra shqiptarë, që u rekrutuan si përkthyese në Radion e Jashtme. Çdo emision kishte dy deri në tri përkthyes, që zakonisht merreshin me përkthimin e artikujve dhe komenteve politike të shkruara nga redaktorët e Radios së Jashtme. Shumë prej tyre ishin edhe spikerë apo spikere të materialeve, që përkthenin. Ata nuk lexonin në mikrofon të hapur, d.m.th. të lidhur drejtpërsëdrejti me dëgjuesit. Materialet regjistroheshin fillimisht në shirita magnetikë dhe pastaj bëhej transmetimi i tyre nga studio të ruajtura nga policë të shërbimit. Hyrja në këto studio ishte rreptësisht e kontrolluar.
Ne redaktorët kishim marrëdhënie të afërta me përkthyesit. Ata vinin shpesh në zyrat tona për të na pyetur apo për të saktësuar një fjalë apo një mendim të shprehur nga ne në ndonjë koment politik, që u duhej ta përkthenin. Ata e dinin mirë se edhe një fjalë e përkthyer jo saktë mund t’u krijonte probleme të pamenduara atyre, por edhe familjeve të tyre. Në fakt këtyre problemeve ata nuk do të mund t’u shmangeshin, sado korrektë që u treguan në detyrë apo përgjithësisht në marrëdhëniet me shtetin shqiptar.
Miqësia me rusen, Tamara, bashkëshortja e kompozitorit të njohur që s’pranoi ta braktiste atë!
Përkthyesja e parë që kam njohur në Radio Tirana, ka qenë Tamara Gaci. Në të vërtetë nuk ishte një njohje, por vetëm një shikim në distancë në hollin e Radios. Ishte dita e parë e imja në Radio. Po prisja të vinte dikush të më shoqëronte për në Drejtorinë e Jashtme të Radios, aty ku edhe do të punoja. Gjatë pritjes shoh të kalojë një grua e imët, delikate dhe e bukur si një Barbi. Ajo po shkonte për të pirë një kafe. Më vonë mësova se quhej Tamara Gaci, përkthyese e rusishtes. Më pas do të bëheshim miq të mirë dhe do të mbeteshim të tillë edhe me kalimin e viteve. Ajo nuk do të më thërriste me emrin tim të plotë, por me një shkurtim të tij, si të gjithë miqtë dhe shokët e mi të fëmijërisë, thjesht Baçi. Unë, herë pas here, do t’i çoja asaj, si edhe të gjitha përkthyeseve të tjera, nga një trëndafil, që e këpusja nga kopshti im dhe e vendosja mbi makinën e tyre të shkrimit në mungesë të tyre. Ato e fillonin punën më vonë se ne redaktorët.
Tamara Kudrickaia (Gaci) është me origjinë ruse, moskovite. Atje në Moskë ajo u dashurua me Pjetër Gacin, student shqiptar në konservatorin “P. I. Çajkovski” të Moskës. Ishte ajo që mori iniciativën për të takuar Pjetrin, të cilin e kishte ndjekur si spektatore në një sërë koncertesh të tij në sallën e konservatorit.
Në nëntorin e vitit 1957 Tamara, studente në Fakultetin e Kontabilitetit të Mekanizuar, ndërpret studimet dhe vendos të shkojë pas dashurisë së madhe. Ajo martohet me Pjetër Gacin dhe së bashku vijnë në Shqipëri. Sigurisht, si Pjetri ashtu edhe Tamara, as që do të kishin mundur të imagjinonin vitet e tmerrit që do t’i ndiqnin e që do të vinin në provë këtë dashuri.
Në vitin 1961 Bashkimi Sovjetik ndërpreu marrëdhëniet diplomatike me Shqipërinë. Tamara vendosi të qëndrojë në Shqipëri. Duke folur për atë kohë, ajo tregon: “Ishim në Tiranë me banim. Situata ishte e tillë që të dy palët po e ndjenim në lëkurë. Edhe Pjetrin atë vit, çuditërisht e kanë marrë në ushtri. Ai kishte dy prindërit dhe mua. Ai u ndje jashtëzakonisht keq. Atëhere unë i thashë vetes: “Shoku në fatkeqësi nuk lihet”. Pjetri më la të lirë të vendosja. Dhe unë vendosa. Pjetri ka qenë në një moment krize familjare: dy prindërit e moshuar, unë në prag-prishje të familjes dhe ai që rekrutohet ushtar. Kuptojeni vetë”.
Pas këtij vendimi fillon edhe një jetë në hije për Tamarën, një jetë pa zë nga frika se mos prishej familja. Ajo si edhe të gjitha gratë e tjera të huaja të martuara me shqiptarë, që vendosën të qëndrojnë në Shqipëri, humbën nacionalitetin e tyre. Ajo dogji një pjesë të bibliotekës së saj të sjellë nga Moska e që mund të dukej si e dyshimtë për regjimin në Shqipëri. Në atë kohë për këtë regjim gruaja ruse shihej si element i rekrutuar nga KGB-ja. Bashkë me librat “me hije”, Tamara dogji edhe bllokun e saj artistik. Ajo shkruante poezi. “Mu duk se i kam bërë krematorium, gjysmës së qenies time”, do të thotë vite më pas ajo, në një intervistë të saj.
Ky “krematorium” nuk do ta shpëtonte Tamarën nga telashet e pafund gjatë të gjithë jetës së saj. Ishte ende e padjegur gjysma tjetër e qenies së saj. Për këtë “kujdesej” regjimi. Tamara ishte më se e ndërgjegjshme për këtë “kujdesie.” Ajo bënte të pamundurën për t’i shpëtuar asaj.
Frika e grave ruse nga përkthimet, pasi Myfit Mushi u ankua te drejtori!
Më kujtohet se si Valia Çollaku, spikerja e pazëvendësueshme e Radio Tiranës për emisionin e rusishtes, zemërohej ndonjëherë me përkthimet e Tamarës. Valia, edhe ajo ruse, çuditej se si një ruse si Tamara mund të përkthente kështu në gjuhën e saj amtare, ndërsa Enver Leka, shqiptar, përkthyes edhe ky për emisionin e rusishtes, ishte më rus se ajo në përkthimet e tij. Në të vërtetë, Tamara përkthente nga shqipja në një shqipe me fjalë ruse. Ajo mundohej të respektonte deri në detaje tekstin shqip. Këtë e bënte nga frika se mos një ditë vihej përpara përgjegjësisë, se kishte ndryshuar qëllimisht tekstin shqip, sepse në kokë kishte mendime të mbrapshta, se kështu i shërbente KGB-së, apo se kështu donte të sabotonte emisionin e rusishtes të Radio Tiranës. Të gjitha këto skenar, ishin krejtësisht të mundshme dhe të praktikuara në atë kohë. Përveç Valias, edhe Mufit Mushi, ai që ndiqte apo kontrollonte regjistrimin e emisionit të rusishtes në studio, një maniak i rusishtes, nuk ishte gjithnjë i kënaqur me përkthimet e Tamarës. Edhe ai bënte vazhdimisht vërejtje.
Një ditë Mufiti shkon edhe tek Kiço Pandeli, drejtori i Radios së Jashtme, dhe i ankohet atij se Tamara nuk kishte cituar korrekt Leninin në një përkthim. Kiço Pandeli e thërriti Tamarën e “kapur” në faj. Ajo, e kujdesshme si gjithnjë, nuk kishte bërë përkthim të citatit të Leninit nga shqipja në rusisht, por kishte gjetur në Bibliotekën e Radios veprat e Leninit në rusisht dhe prej andej kishte nxjerrë nga origjinali edhe citatin e Leninit. Ajo i shpëtoi rrezikut edhe këtë herë, por rrezikun, megjithatë, e kishte gjithnjë pranë.
Tamara Gaci s’pranoi të dëshmonte kundër shoqeve të saja ruse, që u arrestuan!
Tamarën e thërritën për të dëshmuar në një seancë gjyqësore të kurdisur kundër bashkatdhetarëve të saja. Të mos pranoje të viheshe në shërbim të diktaturës do të thoshte, sipas logjikës së saj, të ishe kundër. Ajo nuk pranoi të dëshmonte. Pasojat nuk vonuan.
Në momentin kur bashkatdhetaret e saja po burgoseshin, miq e dashamirës të shumtë të Pjetrit, i thanë këtij të fundit: “Çoje në Shkodër se po sillet rreziku që të ta arrestojnë gruan”! Kështu ata u larguan nga Tirana, në mos gaboj, në vitin 1975. Në Shkodër Tamara u mbyll në shtëpinë e kunatës. Pjetri e përligjte këtë mbyllje të saj duke thënë se : “gruaja është shumë sëmurë”. “Sigurisht kemi patur frikë’, do të rrëfehet Tamara, ‘sepse shoqet e mia kanë hyrë në burg”. Në Shkodër ajo jetoi për disa kohë vetëm, pa Pjetrin. Këtë e dërguan në Elbasan, një qytet në qendër të Shqipërisë, dhe më pas në Vlorë, në jug të vendit. Diktatori e ngriti në piedestal këngën himn të Pjetrit “Për ty Atdhe”, por jo për vlerat e saj të padiskutueshme. Ai «mallëngjehej», gati përlotej kur dëgjonte tingujt e kësaj kënge.
Kronikat televizive dhe filmat dokumentarë kushtuar atij shpesh shoqëroheshin me këtë këngë. Diktatorit i duhej kënga himn e Pjetrit për të himnizuar veten, për të identifikuar personin e tij me Atdheun. Ndërkohë, nuk do të ngurohej për asnjë moment, t’i tronditej familja Pjetrit, të hidhej një pjesë e saj në veri dhe pjesa tjetër në jug, të mbahej ajo nën tensionin e vazhdueshëm të shkatërrimit dërrmues, përfundimtar. Fatmirësisht Pjetri, duke qenë një nga kompozitorët më të shquar shqiptarë të kohës, një burrë tepër simpatik, kishte kudo admiruesit e tij të shumtë. Ata ju gjendën atij dhe Tamarës sërish pranë dhe bënë të mundur që edhe ai të transferohej në Shkodër.
Në këtë qytet me banorë, përgjithësisht, tepër miqësorë, Tamara u vet izolua. Kur kalonte në rrugët e qytetit dhe rastësisht mund të gjendej përballë ndonjë shoku apo mikeje, ndërronte trotuar, kalonte në anën tjetër. “Një ditë’, thotë Tamara në intervistën e përmendur më lart, ‘një nga këta miq, kur e pa që kalova në krahun tjetër, më doli përpara, hapi krahët dhe më tha: “s’ke nga shkon. Çfarë ke, pse s’don të takohesh me ne, pse na ndërron rrugën”?! Mua, tregon Tamara, më shpëtuan lotët dhe i thashë: “Unë do t’u ndërroj rrugën atyre njerëzve, që i dua më fort. Mos t’iu marrë në qafë bashkë me veten time”. Ajo donte të ishte si personazhi me kapele tek “Njeriu i padukshëm” i Graham Green, të kishte një kapele si ajo e këtij personazhi, që të mos binte në sy, të bëhej e padukshme.
Takimi im i fundit me Tamarën në Shkodër !
I kam takuar për herë të fundit së bashku Tamarën dhe Pjetrin në verën e vitit 1994. Shkova në Shkodër me gruan time Desin dhe një grek, Jorgo Jorgiu, që e kisha njohur rastësisht në një nga udhëtimet e mia në Athinë. Kisha dëshirë t’i tregoja atij kalanë e Rozafës, një kala e lashtë kjo, që dominon qytetin dhe rrethinat e tij. Pasi drekuam në kala u nisëm për në Shkodër. Doja të takohesha me Tamarën dhe me Pjetrin. Në këtë vit Tamara nuk ishte më ajo e padukshmja me kapele, madje nuk ishte më e tillë që prej disa vitesh. Unë nuk e dija adresën e shtëpisë së saj në Shkodër, por më mjaftoi që të pyes një qytetar të rastit në rrugë për ta mësuar atë. Për të qenë më i saktë, qytetari shkodran hipi në makinë me ne dhe na shoqëroi deri në shtëpinë apo apartamentin tepër modest ku banonte çifti Gaci.
Tamara ishte bërë e njohur në Shkodër me përkushtimin dhe entuziazmin e saj në fillimet e Lëvizjes Demokratike. Ajo u bë anëtare e Partisë Demokratike që me krijimin e saj. Ajo ishte një nga nismëtaret e proceseve demokratike në Shkodër. U gëzua kur hapi derën e apartamentit dhe më pa. Biseduam si miq të vjetër dhe si të angazhuar në Lëvizjen Demokratike. Tamara më tregoi se si, kur më shihte në televizor në aktivitetet që zhvilloheshin në vitet 1990-1992 kundër diktaturës, ajo shkonte para ekranit dhe bënte kryqin duke i’u lutur Zotit, që të më ruante. “Ruaje Zot Baçin”, kishte thënë ajo, ndërsa Pjetri qeshte atëherë me të duke shtuar se “Baçi nuk është i krishterë, por mysliman, kështu që kryqi yt nuk e ndihmon dot”. Gjatë qëndrimit tonë në apartamentin e tyre, Pjetri u ul para pianos dhe luajti një kompozim të tij, një këngë që shumë shpejt u bë popullore dhe u këndua e vazhdon të këndohet si e tillë. Ishte një këngë për dashurinë. Pjetri, gjithnjë me humor, na tha se Tamara mendon se këtë këngë unë ia kam kushtuar asaj!
Në gushtin e vitit 2011, së bashku me bashkëshorten, me shokun tonë të emigracionit, Luan Musarain dhe dy miqtë tanë belgë, Anne Gancberg dhe Mark Van den Dries, bëmë një udhëtim në Shkodër. Nuk mund të isha në Shkodër dhe të mos takoja Tamarën. Kështu,trokita sërish pas shtatëmbëdhjetë vitesh në derën e saj dhe do të ishte sërish ajo që do ta hapte atë. Më mbushi me të puthura dhe me fjalë malli të shqiptuara në dialektin shkodran me një theks rus. Këtë herë në takimin tonë mungonte Pjetri. Dy foto të mëdha të tij, zinin pothuajse gjysmën e faqes së murit të dhomës së pritjes.
Tamara, tashmë 75 vjeçare, vazhdonte të ishte plot gjallëri. Ajo recitoi një poezi nga vëllimi i saj poetik botuar së fundi. Më pas më dhuroi një album CD me pjesë të kompozuara nga Pjetër Gaci. “Kur të vish sërish’, më tha Tamara, ‘ja ku e ke dhomën që e kam për miqtë”. Gjatë bisedës projektuam edhe një udhëtim të përbashkët në Moskë me gruan time dhe miqtë tanë belgë. U ndamë me premtimin që të takohemi sërish, këtë herë në Bruksel.
Tamara Gaci aktualisht është kryetare e shoqatës “Dimension Human”, që ajo vetë e themeloi. Në fokusin e punës së kësaj shoqate është shtresa më e pambrojtur e shoqërisë: pleq të vetmuar, gra pa përkrahje. Logoja e kësaj shoqate ka për simbol një zemër dhe globin tokësor, ku zemra ka përmasat më të mëdha, ashtu si zemra e vetë Tamarës. Ajo ka botuar një libër të titulluar “Impresione dhe Kujtime”. Në një artikull botuar në shtypin shqiptar mbi Tamara Gacin, midis të tjerave, shkruhet: “Megjithëse me shumë vite mbi supe, Tamara ka hiret e një gruaje të bukur me një inteligjencë të lindur, të një gruaje intelektuale që mundohet të emancipojë shoqërinë, pjesë e së cilës është ajo vetë”. Kjo “grua e pafat por e mirë deri në dhembje, përfaqësuese e denje e shpirtit te madh rus”, siç do ta portretizojë Tamarën, shoku im i vjetër Enver Muça, kjo “grua zonje me zemër të madhe e me trup të vogël si Nënë Tereza”, siç do të më shkruajë një ditë për të një tjetër shok i im i vjetër, Albert Shala, jeton tani me të birin, Dritanin. “Këtu kam njerëzit që i dua dhe më duan, thotë Tamara. Unë përjetoj fatet e kësaj toke, të këtij vendi. Këtu është varri i bashkëshortit tim, është djali im.”
Gratë ruse dhe përgjithësisht gratë e huaja që nuk u larguan nga Shqipëria, do t’i ndiqte një fat si ai i Tamarës ose edhe më tragjik. Një nga këto ishte edhe Inga Tarasova. E kam njohur atë që fëmijë. Ajo banonte në rrugën “Hoxha Tahsim”, pranë rrugicës sonë. U «takova» me të në Fakultetin e Histori-Filologjisë ku ajo ishte pedagoge e rusishtes, ndërsa unë student i Histori-Gjeografisë. Më pas do të njiheshim dhe do të punonim së bashku përgjatë disa viteve në Radio-Tirana, ku e sollën si përkthyese për emisionin e rusishtes. Gjithnjë më ka tërhequr sharmi i saj, mënyra e qetë dhe dinjitoze e komportimit, që ne, nuk e di përse, e shihnim si aristokratike, impozante. Nuk e pashë asnjëherë të shpërthente, të zemërohej, të protestonte. Ajo nuk fliste shumë, ishte e rezervuar, ndoshta e trembur! Edhe të qeshurën e kishte si të frikësuar. Bashkë bënim edhe ndonjë shaka. Ajo dhe Tamara kishin dëshirë të më hidhnin ndonjë romuze, pa të keq, thjesht për humor, miqësisht. Refreni i Tamarës ishin sytë e mi “të butë si kadife”.
Kolegia tjetër e Radios, rusja, Inga Tarasova Dyrzi, që u burgos!
Inga, të cilën ne në Radio e thërrisnim Ina, nuk harronte të shtonte se nëse unë do të kisha qenë në Moskë, vajzat do të vareshin në qafën time dhe do të thonin: “jemi viktima yte”. Qeshnim së bashku si kolegë dhe shokë të mirë pa ditur dhe pa na shkuar mendja, mua së paku, se ç’na rezervonte fati, e nesërmja!
Inga erdhi nga Moska duke ndjekur të dashurin e zemrës dhe jetoi në një familje të thjeshtë tiranase, duke respektuar traditat dhe kulturën e vendit. Ajo u largua nga Rusia në moshën 24-vjeçare. Atje ishte dashuruar me Seit Dyrzin, në atë kohë student shqiptar në Moskë, më pas, në Shqipëri, kryeinxhinier dhe Laureat i Çmimit të Republikës, projektues hidrocentralesh. Në Tiranë, edhe pse e merrte malli për atdheun e saj, ajo nuk u ndje e vetmuar. Tirana dhe tiranasit njihen për mikpritjen e tyre të veçantë si edhe për ndjenjën e tolerancës dhe të bashkëjetesës me të tjerët. Nga fëmijëria mbaj mend se Tirana ka qenë qytet pa çelësa. Në këtë ambient, shtëpia e vogël e Seitit dhe Ingës, u kthye shpejt në një çerdhe të vogël e të gëzuar ku vinin për të biseduar dhe bujtur njerëz të artit dhe të kulturës, kompozitorë e shkrimtarë. Ndërkohë, frytet e dashurisë nuk munguan të arrijnë mjaft shpejt. Inga dhe Saiti lindën një djalë, Valerin, dhe një vajzë, Djanën.
Dënimi i Ignës me 8 vjet burg politik dhe të birit, Valerit, me 13 vjet!
Vala e përndjekjeve ndaj grave ruse të ardhura në Shqipëri, goditi edhe Inga Tarasovën. Në vitin 1976 atë e arrestojnë. Mbas shumë hetimesh, presionesh dhe netësh pa gjumë, më në fund e dënuan me 8 vjet heqje lirie nën akuzën e rreme “për spiunazh”. Ajo u dënua me 4 tetor te vitit 1977, thjesht sepse ishte ruse, ose sikurse thotë Tamara Gaci, “për hiç gjë, për një dalje një çikë më shumë se ç’duhet të personalitetit”. Pikërisht këtë manifestim të personalitetit, nuk mund ta toleronte diktatura, aq më tepër tek një ruse.
Sikurse ka treguar vite më pas vetë Inga Tarasova, atë natë që kanë shkuar dhe e kanë arrestuar në shtëpi, ajo ka qenë vetëm me vajzën e saj 13 vjeçare. I shoqi, Seiti, punonte në Kombinatin Metalurgjik në Elbasan, ndërsa Valeri, pasi nuk i ishte dhënë e drejta e ndjekjes së studimeve të larta, ishte thërritur për të kryer shërbimin ushtarak. Djana, tregon Tarasova, u tremb shumë, por unë i thashë: “Mos i beso asgjëje që do të dëgjosh për ne. Unë do të kthehem. Ti shko tek halla”. Do të ishte halla që do ta mbante dhe rriste atë për gjashtë vjet, aq sa zgjati edhe dënimi i Ingës. Në të vërtetë, për të qenë më të saktë, sikurse më ka treguar një fqinj i Tarasovës, bashkëmoshatar dhe shok i vajzës së saj, meqë Djana mbeti vetëm në shtëpi, Llukani, një burrë me një dorë, ndoshta tjetrën e kishte humbur në luftë, e ka marrë atë në shtëpinë e tij. Vajza e Llukanit, ishte shoqe me Djanën. Nuk e di se për sa kohë ka jetuar Djana atje! Më pas ajo ka shkuar tek halla e saj, motra e Seitit.
Për të shpëtuar bashkëshortin dhe fëmijët e saj nga pasojat që do t’i prisnin pas arrestimit dhe burgosjes, Inga dhe Seiti ranë dakord të ndahen, sado e gjatë që të ishte ndarja. Regjimi nuk do të kënaqej me kaq. Hakmarrja e tij do t’i ndëshkonte edhe më tej këta “kryengritës”, qytetarë të shteteve të ndryshëm, që guxuan të kryenin të vetmin krim, të dashurojnë njëri-tjetrin dhe të duan fëmijët e tyre.
Ndëshkimi i atyre që mendonin se kishin zëvendësuar perënditë e të gjitha kohërave nuk kishte kufi.E ardhmja e Valerit ishte shënuar. Ai, pasi nuk u lejua të vazhdojë studimet, u detyrua të punonte si hamall. Kur ishte vetëm 22 vjeç, i’u desh të përballej me bankën e të akuzuarve, me dëshmitarë të rremë e më pas edhe me qelinë e burgut, ku kaloi vitet e rinisë së tij. Valeri Dyrzi-Tarasov, u u arrestua në janar 1979, “për agjitacion dhe propagandë dhe për tentativë arratisjeje. ”Agjitacion e propagandë u quajt një revistë angleze, në mos gaboj, ku flitej për diktatorin etj., krerë të kupolës komuniste në Shqipëri. Këtë revistë i’a kishte dhënë atij një shoku vet, Sokol Ngjela. Për revistën Valeri kishte folur vetëm me Ardian Klosin, një shok i përbashkët i tij dhe i Sokolit. Përfundimi ishte arrestimi i Sokolit dhe Valerit dhe, koincidencë apo jo, një udhëtim në Austri për specializim për Ardian Klosin. Valeri e ka pyetur më vonë Ardian Klosin, nëse ishte ai që kishte denoncuar atë tek Sigurimi i Shtetit. Ardiani ka mohuar.
Valerin e dënuan me 13 vjet burg. Kreu 10 syresh në burgjet e Ballshit, Zejmenit, Gërmenjit, Qafë-Barit dhe Spaçit, ku kanë kaluar ‘Golgothën’ e tyre shumë intelektualë dhe kundërshtarë të diktaturës. Kishte prej tyre që kishin studiuar në Moskë, Sorbonë, Bolonjë. Ai doli prej burgut me 20 tetor 1988./Memorie.al
Vijon numrin e ardhshëm
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016