Nga Agim Musta
Pjesa e njëzetetre
Memorie.al / Në përvjetorin e katërt të ikjes nga jeta të historianit, studiuesit, shkrimtarit dhe publicistit të njohur Agim Musta, (24 Korrik 2019), ish – i burgosur politik, vajzat e tij Elizabeta dhe Suela, i dhanë të drejtën e ekskluzivitetin për botim, medias online Memorie.al, të një prej botimeve më të spikatura të autorit, siç është ‘Libri i zi i Komunizmit Shqiptar’. Kjo vepër, mban të dhëna, dëshmi, fakte, statistika dhe argumente të shumta e të panjohura për publikun e gjerë, mbi krimet dhe terrorin komunist në Shqipëri, veçanërisht ndaj intelektualëve, në periudhën 1945-1991. Botimi për herët të parë të pjesëve të këtij libri, është dhe realizimi i një prej amaneteve të historianit Agim Musta, i cili, që nga fillimi i vitit 1991 e deri sa ndërroi jetë, për afro tre dekada u angazhua me të gjitha fuqitë e tij, duke punuar për ngritjen e kujtesës kolektive, përmes botimeve me libra dhe publikimeve në shtypin e përditshëm. E gjithë ajo punë voluminoze e z. Agim Musta, e konkretizuar në disa libra, është një kontribut me vlera të mëdha, për zbardhjen e krimeve të regjimit komunistë të Enver Hoxhës dhe pasardhësit të tij, Ramiz Alia. Një pjesë e mirë e botimeve të z. Agim Musta, është e përkthyer dhe në anglisht. Duke falenderuar dy vajzat e të ndjerit Musta, që zgjodhën Memorie.al, për të përkujtuar babanë e tyre, nga sot po fillojmë publikimin pjesë pjesë, të ‘Libri i zi i Komunizmit Shqiptar’.
-Portrete bashkëvuajtësish-
(1945-1991)
- Martirët e shkollës teknike amerikane “Harry T. Fultz”
Në vitin 1921, me ndihmën e Kryqit të Kuq të të rinjve amerikanë, si vijim i politikës dashamirëse ndaj kombit shqiptar të Presidentit Uilson, nën drejtimin e pedagogut të shquar dhe pro-shqiptarit të madh, Harri Fultz, u hap në Tiranë Shkolla Teknike Profesionale shqiptaro-amerikane. Rruga e kësaj shkolle ishte rruga e afirmimit të disa brezave teknicienësh dhe atdhetarësh shqiptare, sipas modelit amerikan të dashurisë për punën, e cila në shoqërinë amerikane ishte dhe mbetet një kult.
Ajo nxori një mori kuadrosh të aftë e të përkushtuar, intelektualë të përmasave të mëdha, specialistë të talentuar në fushën inxhinierike e pedagogjike, agronomë e teknicienë të fushave nga me të ndryshmet, të cilët dhanë një impuls të ri modern dhe novator në këtë vend. Numri i të diplomuarve që iu bashkëngjitën kërkesave të administratës shqiptare, arriti në 156, por pushtetarët e rinj që erdhën në krye të Shqipërisë nga gryka e pushkës, i kishin halë në sy këta kuadro të dalë nga bankat e shkollës amerikane.
Ndaj tyre strukturat e larta të shtetit komunist dhe policia sekrete (Sigurimi i Shtetit) nisën “gjuetinë e shtrigave”. Kudo ku i gjurmonin lidhjet e tyre, i këpusnin me anë të burgosjeve, hetuesive, vrasjeve, e linçimeve, që nuk kishin të sosur. Procesi i eliminimit të kuadrove të dala nga Shkolla Teknike Amerikane, drejtohej nga Byroja Politike dhe vetë udhëheqësi komunist Enver Hoxha. Kuadrot e kësaj shkolle me emër e vunë jetën, moralin e shpirtin e tyre në shërbim të Shqipërisë progresive, por në vend të ndërrimit për veprën e tyre, morën vite të rënda burgimi dhe plumba në netët e errëta të gjenocidit komunist, në tokën e shqiponjave.
Kështu ua shpërblenin bashkëkombësit e tyre bastardë atyre që më shumë se gjithçka donin vendin e tyre, të cilin dëshironin që ta shihnin të lirë e të begatë dhe jo nën tutelën e nomenklaturës së kuqe, nën peshën e krimit kolektiv dhe gjenocidit. Zbatuesit e këtyre masakrave ndaj intelektualëve pro-amerikanë, ishin prokurorët xhelatë, si; Aranit Çela, Nevzat Haznedari, Petrit Hakani, Subi Bakiri, Siri Çarçani etj, ndërkohë që vendimet, “në emër të popullit” jepeshin nga gjyqtarët kriminelë, si; Bexhet Mema, Myftar Grabocka, Njazi Meka, Abdy1 Hakiu (oficerë të Sigurimit të Shtetit), platformës gjenocidale të PKSh-së ndaj intelektualëve dhe elitës shqiptare, ku përfshiheshin dhe intelektualët e Shkollës Teknike Amerikane “Harry Fultz”,
Nxënësit e shkollës amerikane, që u dënuan me vdekje dhe u ekzekutuan:
- Dino Shani
Lindur në Stamboll, 36 vjeç. Kryen shkollën Teknike në Tiranë e mandej Akademinë Ushtarake në Itali. Deri në vitin 1939, oficer në Ushtrinë Kombëtare Shqiptare. Më 1945, nëpunës në UNRRA. Në shtator 1946, arrestohet si bashkëpunëtor i amerikanëve. Gjatë gjykimit mohon çdo akuzë. Më 7 prill 1948, dënohet me vdekje, pushkatim.
- Jani Koliaka
Lindur në Kavajë, vjeç 61. Diplomohet në vitin 1910 në universitetin e Maltës për inxhinieri mekanike. Merr pjesë në Luftën e Vlorës 1920. Emërohet pedagog në shkollën Teknike në Tiranë. Më 1945, emërohet drejtor i shkollës “Harry Fultz”, ishte zotërues i disa gjuhëve. Akuzohet si agjent i amerikanëve. Arrestohet në vitin 1947 dhe vdes gjatë hetuesisë, duke u torturuar për 7 muaj.
- Loni Adami
Lindur në Progër të Devollit, vjeç 35. Mbaron shkollën Teknike Amerikane “Harry Fultz”. Që prej vitit 1929 deri më 1939, ka qenë sekretar në ambasadën amerikane në Tiranë. Shoqëron misionin anglez gjatë Luftës së Dytë Botërore. Si pasojë e trajtimit barbar në hetuesi, jep shpirt në qershor të vitit 1947.
- Mahmut Maçi
Lindur në Tiranë, vjeç 31. Kryen shkollën Teknike Amerikane “Harry Fultz”. Punon në Ministrinë e Bujqësisë, pastaj në shkollën Bujqësore në Kavajë. Në vitin 1942, ishte profesor në Pedagogjiken e Elbasanit. Arrestohet në vitin 1947, si agjent i amerikanëve, dhe pushkatohet më 8 mars 1948.
- Namik Hadëri
Lindur në Delvinë, vjeç 35. Kreu me sukses shkollën Teknike “Harry Fultz” dhe punoi si arsimtar. Arrestohet me 22 korrik 1947, me akuzën “agjent amerikan”. Dënohet me vdekje dhe, me 27 korrik 1947, pushkatohet.
- Ndrek Kodheli
Lindur në Shkodër, vjeç 37. Kryen shkollën Teknike Amerikane “Harry Fultz”. Punon si përkthyes me instruktorët anglezë, të cilët organizuan Xhandarmërinë Shqiptare. Në vitin 1941, punon si korrespondent i revistës “Drini”. Arrestohet në nëntor 1944 dhe dënohet me 7 vjet burg politik. Më 1946, pritej që një delegacion i parlamentit anglez të vizitonte burgjet. Ndrekën e nisin për në burgun e Burrelit dhe e pushkatojnë rrugës.
- Abdyl Hamolli
Xhelal dhe Abdyl Hamolli – vëllezër binjakë. Lindur në Shkodër më 1910. Shkollën e mesme e kryejnë në shkollën Teknike Bujqësore Amerikane në Golem të Kavajës. Diplomohen në universitetin e Kembrixhit në Angli. Kthehen në Shqipëri më 1936, me diplomën e agronomit. Ata punuan si pedagogë në shkollën Teknike Bujqësore Amerikane në Golem. Në vitin 1946, morën pjesë në kryengritjen antikomuniste të Postribës (Shkodër). Në tetor 1946, kapen në vendstrehim dhe Abdylin e vrasin në vend, kurse Xhelali, arrestohet dhe dënohet me pushkatim, me 3 shkurt 1948.
- Anton Delhysa
Lindur në Prizren më 1904. Kreu shkollën Teknike të Fultzit. Emërohet kryetar i zyrës teknike. Ndoqi kryesisht ndërtimet në Shqipëri. Njeri i palodhur. Pushkatohet në vitin 1951: “bomba në ambasadën sovjetike”
- Haki Pengili
Lindur në Krujë, vjeç 40. Nëpunës i gjendjes civile Krujë. Arrestohet në shtator 1947, si agjent i Harri Fultzit (i cili mbas luftës, ishte misionar në ambasadën e SHBA-së në Tiranë). Më 11 maj 1948, gjykata ushtarake e dënon me pushkatim.
- Kamber Kazazi
Lindur në Elbasan, vjeç 35. Kryen shkollën Teknike Amerikane “Harry Fultz”. Më 1936 ishte mësues në disa shkolla. Arrestohet në vitin 1947, si pjesëmarrës në ‘Grupin e deputetëve’. Akuzohet si agjent amerikan dhe dënohet me vdekje, pushkatim.
- Kostaq Stefa
Lindur në Berat, veç 43. Kryen shkëlqyeshëm shkollën Teknike Amerikane “Harry Fultz”. Kryen studimet e larta në institutin e magjistraturës në Francë, për shkenca shoqërore. Zotërues i disa gjuhëve të huaja. Arrestohet në 8 shtator 1947. Akuza: spiun i amerikanëve dhe Inteligjienc Servisit. Më 3 mars 1947, pushkatohet.
- Mehdi Kuqi
Lindur në Krujë, vjeç 32. Ka qenë nëpunës në administratë. Arrestohet në vitin 1947. Pjesëmarrës në grupin antikomunist Krujë. Akuza: organizator politik, duke u paditur për lidhje me ambasadën amerikane. Dënohet me pushkatim dhe së bashku me Hakinë dhe Xheladinin, i varrosin në një grope, në Abazaj të Krujës.
- Namik Bardha
Lindur në Prevezë, vjeç 36. Kryen shkollën Teknike Amerikane “Harri Fultz”, degën inxhinieri. Punon në Ministrinë e Punëve Botore. Më 1946, kryetar i N.Sh.N. Elbasan. Në vitin 1947, drejton punimet në spitalin e Gjirokastrës. Arrestohet në vitin 1947, si agjent i zbulimit amerikan. Ekzekutohet në nëntor të vitit 1947.
- Neki Radovicka
Lindur në Kolonjë, vjeç 36. Kryen shkollën Teknike në Tiranë. Specializohet në Itali për zhdukjen e malaries, në fondacionin “Rokfeler”. Në vitet 1939-1945, punon në Ministrinë e Shëndetësisë. Nga 1945-1946, punon në UNRRA. Arrestohet në vitin 1946 dhe, mbas 13 muajve tortura në hetuesi, xhelatët i marrin jetën.
- Sami Sulstarova
Lindur në Pogradec, vjeç 40. Mbaron shkollën Teknike në Tiranë. Në vitin 1929, ishte mësues dhe punonjës në ekspozitën arkeologjike. Si zotërues i gjuhës angleze, punon tek UNRRA. Arrestohet natën e Vitit të Ri 1946 nga Sigurimi i Shtetit dhe zhduket pa i’u ditur as varri. Samiu kishte lidhje me grupin “Bashkimi Demokrat”.
- Xheladin Kuqi
Lindur në Krujë, vjeç 46. Kryen shkollën Teknike Amerikane “Harry Fultz”. Arrestohet në vitin 1948. Akuza: Kryetar i Komitetit Antikomunist Krujë (organizatë politike që mendohej se drejtohej nga “Harry Fultz”). Dënohet me pushkatim dhe në datën 30 korrik 1948, bashkë me Haki Pengilin dhe Mehdi Kuqin, ekzekutohen.
- Hazbi Puto
Lindur në Gjirokastër më 1900. Mbaron studimet për inxhinier në SHBA-ës. Arrestohet në vitin 1947 dhe dënohet me vdekje, pushkatohet si “agjent” EBS.
- Goditja e diplomatëve shqiptarë nga regjimi komunist, 1945-1990
Shteti shqiptar që më 28 nëntor 1912, kishte një elite diplomatësh që kishin shërbyer në poste shumë të rëndësishme diplomatike të Perandorisë Otomane. Ata kishin studiuar në universitetet më të mira të Turqisë dhe e njihnin mirë artin e diplomacisë evropiane. Më vonë, diplomacia shqiptare, u plotësua edhe me kuadro të rinj që kishin studiuar në universitetet e Evropës Perëndimore dhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Sigurisht, që Partisë-shtet të Enver Hoxhës, vasalë të Jugosllavisë titiste, të ish-Bashkimit Sovjetik dhe të Kinës Maoiste, nuk i duheshin diplomatë të karrierës. Gjatë regjimit komunist, ministria e Punëve të Jashtme, s’ishte gjë tjetër, veçse një aneks i ministrisë së Punëve të Brendshme. E mbushur plot me oficerë të Sigurimit dhe agjentë zbulues të ministrisë së Punëve të Brendshme. Shteti komunist shqiptar, goditi me “shpatën e demokleut” Enver, një numër të madh diplomatësh, që kishin shërbyer me profesionalizëm dhe ndershmëri në shtetin shqiptar, para vendosjes së diktaturës komuniste
- Rexhep Shazi
Lindur në Shkodër në vitin 1911. U diploma në universitetin e Bukureshtit. Shërbeu në ministrinë e Punëve të Jashtme deri në vitin 1944. Arrestohet në vitin 1946 dhe dënohet me 10 vjet burg. Pas mbarimit të dënimit, e internojnë në Kuç të Kurveleshit dhe në muajin maj të vitit 1958, e vrasin duke e hedhur në një humnerë.
- Xhelal Shaska
Lindi në Kocul të Vlorës në vitin 1899. Studimet e larta i kreu në universitetin e Firences. Hyn në shërbimin diplomatik në vitet 1930-1944. Arrestohet në vitin 1946 dhe dënohet me 15 vjet burg. Pas mbarimit të burgut, e internojnë në fshatin Kocul, ku vdes në vitin 1985.
- Mihal Sherko
Lindi në Korçe në vitin 1887. U diploma në Odesë. Në vitin 1927 punësohet në Ministrinë e Punëve të Jashtme me funksione të larta, ku punon deri në vitin 1944. Arrestohet në vitin 1945 dhe dënohet me 20 vjet burgim.
- Koço Tashko
Lindi në Egjipt, në vitin 1899. Studimet universitare i kreu në Boston të Amerikës. Ambasadori i shtetit komunist shqiptar në Moskë dhe në Sofie. U internuan në vitin 1961 në Fratar të Mallakastrës dhe në vitin 1969, dënohet me 10 vjet burgim. Mbas mbarimit të dënimit, internohet përsëri, deri sa vdes në vitin 1984.
- Felatun Vila
Ka lindur në Kolonjë në vitin 1908. U diplomua në Paris dhe shërbeu në diplomaci nga viti 1937 deri më 1943. Arrestohet në vitin 1946 dhe dënohet me 21 vjet burgim. Pas burgut, internohet në Kavajë, ku vdes në vitin 1967
- Qamil Vlora
Lindi në Stamboll në vitin 1895, në familjen e Ismail Qemalit. U diplomua në Rrhon të Francës. Punoi në diplomacinë shqiptare nga viti 1931-1932, u arrestua në vitin 1945 dhe u dënua me 2 vjet burgim. Sëmuret në burg dhe vdes në vitin 1950.
- Myftar Vrioni
Lindi në Berat në vitin 1892. Studimet i kreu në Stamboll. Hyri në shërbim të diplomacisë shqiptare, në vitin 1925-1940. U internua në Savër të Lushnjës deri sa vdiq në vitin 1948.
- Allan Ypi
Lindi në Manastir në vitin 1912. Studimet e larta i kreu në universitetin e Sorbonës në Francë. Punoi në diplomacinë shqiptare në vitin 1937-1942. Arrestohet në vitin 1947 dhe dënohet me 20 vjet burgim. Pas burgut, u internua në Kavajë, ku vdiq në vitin 1980.
- Hasan Alizoti
Lindi në Gjirokastër në vitin 1900. Studimet e larta i kreu në Greqi. Punoi në diplomacinë shqiptare gjatë viteve 1927-1928. Arrestohet në vitin 1946 dhe vuan 5 vjet burgim. Vdiq në internim, në vitin 1985.
- Fuat Asllani
Lindi në Bejrut të Libanit, në vitin 1897. Ka qenë një nga diplomatët më të shkëlqyer të shtetit shqiptar. U diploma në universitetin e Vjenës. Punoi në diplomacinë shqiptare, nga viti 1929-1939. Në vitin 1934, emërohet ministër i Punëve të Jashtme të Shqipërisë. Në vitin 1946, dëbohet nga Tirana familjarisht dhe vendoset në qytetin e Elbasanit, ku vdes në vitin 1981.
- Reshat Asllani
Lindi në Izmir të Turqisë, në vitin 1897. Studimet e larta i kreu në Itali. Punoi në diplomaci gjatë viteve 1923-1924 dhe 1938-1939. Arrestohet në vitin 1946 dhe dënohet me 10 vjet burgim. Vdiq në vitin 1978.
- Xhafer Belegu
Lindi në Elbasan në vitin 1905. U diploma në Linz të Austrisë. Punoi në ministrinë e Jashtme nga viti 1939-1944. Në vitin 1945, burgoset dhe vdes në vitin 1962.
- Benedikt Blinishti
Lindi në Stamboll në vitin 1985. U diploma në universitetin e Vjenës. Ai punoi në diplomacinë shqiptare nga viti 1920 deri në vitin 1936. Në vitin 1945, u arrestua dhe u dënua me 7 vjet burgim. Vdiq në vitin 1966.
- Haki Blloshmi
Lindi në vitin 1904 në Bërzesht të Librazhdit. Kreu studimet në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Në vitin 1922, shërbeu si sekretar i konsullatës shqiptare në Nju Jork. Largohet nga ministria e Punëve të Jashtme në vitin 1933. Pushkatohet nga bandat komuniste më 7 mars të vitit 1944, në Dunicë të Pogradecit.
- Konstandin Boshnjaku
Ka lindur në vitin 1887, në katundin Gjat të Gjirokastrës. Studimet e larta i kreu në Odesë. Në vitin 1922, emërohet ambasador ne Turqi, Rumani dhe Bullgari. Ishte një nga përfaqësuesit më të shquar të Kominternit për Ballkanin, gjatë viteve 1925 -1939. Guvernatori i Bankës Shqiptare, 1945-1947. Arrestohet në vitin 1947, me ‘Grupin e deputetëve’ dhe dënohet me burgim të përjetshëm. Vdes në Durrës, në vitin 1953.
- Rremzi Çelo
Lindi në Leskovik në vitin 1904. Studimet i kreu në Selanik. Punoi në shërbimet diplomatike nga vitet 1933-1939. U internua përjetësisht më gjithë familje, në Gradisht të Lushnjes, ku vdiq në vitin 1980.
- Mikel Çoba
Ka lindur në Shkodër në vitin 1910. Kreu studimet në universitetin e Torinos. Në vitin 1936, u punësua në ministrinë e Punëve të Jashtme, ku punoi në shërbimet diplomatike deri në vitin 1944. Në vitin 1946 u arrestua dhe u dënua me 25 vjet burgim. Vdiq në Shkodër në vitin 1969.
- Qenan Dibra
Lindi në Dibër të Madhe, në vitin 1910. U diplomua në universitetin e Sorbonës në Francë. Punoi në ministrinë e Jashtme gjatë viteve 1938-1939 dhe 1943-1944. Arrestohet në vitin 1946 dhe pushkatohet po atë vit.
- Skënder Frashëri
Lindi në Stamboll në vitin 1897. Studimet e larta i kreu në Francë. Ka punuar në ambasadën turke në Tiranë, gjatë viteve 1934-1939. Arrestohet në vitin 1951 dhe dërgohet në internim të përjetshëm në Shtyllas të Fierit, ku vdes në vitin 1964.
- Xhemal Frashëri
Lindi në Stamboll në vitin 1900. Studimet e larta i kreu ne Turqi. Angazhohet në diplomacinë shqiptare, gjatë viteve 1924-1944. Në vitin 1947, arrestohet dhe dënohet me 12 vjet burgim. Vdes në vitin 1988.
- Llazar Fundo
Ka lindur në Korçë në vitin 1899. Studimet universitare i kreu në Paris, në fakultetin e Shkencave Politike. Punësohet në ministrinë e Punëve të Jashtme, gjatë viteve 1923-1924. Me urdhër të Enver Hoxhës, pushkatohet nga forcat komuniste në shtator të vitit 1944, pasi torturohet mizorisht.
- Rrok Gera
U lind në Shkodër në vitin 1905. Studimet e larta i kreu në universitetin e Vjenës. U aktivizua si diplomat i rangut të lartë gjatë viteve 1943-1944. Në vitin 1945, u arrestua dhe u dënua me 10 vjet burgim. Vdiq në Shkodër në vitin 1968.
- Shaqir Hajrullahu
U lind në Pejë në vitin 1902. Studimet e larta i kreu në Beograd. Pati funksione diplomatike, gjatë viteve 1929-1939. U zhduk fizikisht nga UDB-ja Jugosllave, në vitin 1946.
- Hilmi Hysi
Lindi ne Vëndreshë të Skraparit në vitin 1913. Studimet e larta i kreu në Paris. U angazhua në diplomaci nga viti 1938-1940. U arrestua në vitin 1947 dhe u ekzekutua po atë vit.
- Rexhep Jella
Lindi në Tiranë në vitin 1895. Studimet e larta i kreu në Angli. Në vitet 1920-1923, pati funksione të larta në ministrinë e Jashtme. Burgoset në vitin 1945 dhe vuan 7 vjet burgim. Internohet familjarisht në Kavajë, ku vdes në vitin 1974.
- Angjelin Kakariqi
Lindi në Shkodër në vitin 1903. U arsimua në Vjenë. Nga viti 1928-1944, u punësua në ministrinë e Jashtme si diplomat karriere. Në vitin 1947, arrestohet dhe dënohet me 20 vjet burgim. Vdiq në Shkodër, në vitin 1974.
- Mark Kodheli
Lindi në Shkodër në vitin 1892. U diplomua në Akademinë Ushtarake të Torinos. Në vitin 1925, hyri në shërbimin diplomatik, ku punoi deri në vitin 1937. U vra në Korçë në vitin 1943, nga njësiti gueril komunist.
- Xhahid Koka
Lindi në Larisa të Greqisë në vitin 1906. Studimet e larta i kreu në Bukuresht. Hyri në karrierën politike në vitin 1937 dhe punoi deri në vitin 1939. Në vitin 1946, arrestohet dhe dënohet me pushkatim.
- Skënder Konica
Lindi në Stamboll në vitin 1904. Studimet e larta i kreu në Francë. U përfshi në shërbimin diplomatik nga viti 1927-1941. U arrestua në vitin 1947 dhe u dënua me 20 vjet burgim. Pas daljes nga burgu, u internua në rrethin e Fierit, ku vdiq në vitin 1981.
- Kostandin Kote
Lindi në Leusë të Përmetit në vitin 1896. Studimet e larta i kreu në Romë. Karrierën diplomatike e filloi në vitin 1922, si sekretar i delegacionit shqiptar në Lidhjen e Kombeve në Gjenevë. Në vitin 1943, emërohet ministër i Ekonomisë. Arrestohet në dhjetor të vitit 1944 dhe pushkatohet në maj të vitit 1945.
- Hasan Lame
Lindi në Përmet në vitin 1900. U diploma në universitetin e Torinos. Fillon karrierën diplomatike nga viti 1925-1927. Në vitin 1945, arrestohet dhe vuan shumë vjet burgim. Vdes në Shkodër, në vitin 1972.
- Xhavit Leskoviku
Lindi në Stamboll në vitin 1882. U diplomua në Akademinë e Lartë të Shtatmadhorisë në Turqi. Në vitin 1921, ishte shef i Shtabit të Ushtrisë Shqiptare. Në vitin 1922, fillon karrierën diplomatike si atasheu ushtarak në Beograd. Në vitin 1929, punësohet si kryekonsull në Shkup. Vazhdon karrierën diplomatike, deri në vitin 1937. Arrestohet në Greqi në vitin 1944 nga komunistët grek dhe sillet në Shqipëri. Në prill të vitit 1945, dënohet me burgim të përjetshëm dhe vdes në burgun e Burrelit, në vitin 1957.
- Tefik Mborja
Lindi në Korçë në vitin 1891. Studimet e larta i kreu në Stamboll. Në vitin 1920, fillon karrierën diplomatike si përfaqësues zyrtar i Shqipërisë në Romë. Punon në diplomaci deri në vitin 1924 dhe vazhdon më vonë, deri në vitin 1928. Në vitin 1939, u emërua ministri i fashizmit. Arrestohet në dhjetor të vitit 1944 dhe dënohet me 10 vjet burgim. Vdes i helmuar në burgun e Burrelit, në vitin 1954.
- Kosta Meksi
Lindi në Labovë të Gjirokastrës në vitin 1901. Studimet e larta i kreu në universitetin e Sorbonës në Francë. U punësua në ministrinë e Punëve të Jashtme, nga viti 1925-1944. Ekstradohet nga Bullgaria në vitin 1948, në Shqipëri dhe dënohet me 15 vjet burgim. Pas daljes nga burgu, me shumë vështirësi u lejua të shkonte në Sofie, ku kishte familjen e tij. Vdiq në vitin 1990.
- Kostandin Mima
Lindi në Durrës në vitin 1902. Studimet e larta i kreu në Vjenë. Punoi në shërbimin diplomatik gjatë viteve 1925-1944. U arrestua në vitin 1947 dhe u dënua me 7 vjet burgim. Vdiq në Tiranë, në vitin 1985.
- Pandeli Nasi
Lindi në Korçë në vitin 1897. Studimet e larta i kreu në Athinë. Shërbeu në shërbimin diplomatik nga viti 1923-1944. Në vitin 1954, u internua në Kuç të Vlorës. Vdiq në Korçë, në vitin 1974.
- Bahri Omari
Lindi në Gjirokastër në vitin 1888. Studimet e larta i kreu në Stamboll. U zgjodh deputet në Parlamentin e parë shqiptar të vitit 1921. Në shkurt të vitit 1944, u emërua ministër i Jashtëm i Shqipërisë. U arrestua në dhjetor të vitit 1944 dhe u dënua me vdekje, në prill të vitit 1945.
- Hajro Plaku
Ka lindur në Konispol në vitin 1903. Studimet e larta i kreu në Torino. Në vitin 1925, punoi si sekretar i konsullatës shqiptare në Trieste. U burgos në vitin 1946 dhe vuajti 8 vjet burgim. Vdiq në Shkodër, në vitin 1969.
- Hito Sadiku
Lindi në katundin Bënçë të Tepelenës në vitin 1900. Emigroi në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në vitin 1920. Punoi si sekretar i legatave shqiptare në Uashington, Boston dhe Nju Jork. Në vitin 1946, kthehet në Shqipëri. Në vitin 1947, arrestohet dhe torturohet mizorisht, deri sa vdes në spitalin e Gjirokastrës në vitin 1953. Memorie.al
(Shënim: Lënda për diplomatët e persekutuar nga diktatura komuniste në Shqipëri është marrë nga libri “Diplomacia dhe diplomatët shqiptarë 1912-1944” të Prof. Dr. Uran Asllanit).
Vijon numrin e ardhshëm
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016