Dashnor Kaloçi
Pjesa parë
Memorie.al/publikon historinë e panjohur të Jetullah Gashit me origjinë nga katundi Mramor i Prishtinës, i cili në vitin 1964, kur ishte gjimnazist, vendosi që të arratisej dhe kaloi kufirin shtetëror në zonën e fshatit Zogaj të rrethit të Tropojës, pasi e mbajtën disa ditë duke e marrë në pyetje në Degën e Punëve të Brendshme të qytetit “Bajram Curri”, e sollën në qytezën e Shijakut, duke e sistemuar në një bazë të Sigurimit të Shtetit, e cila quhej “Qendra e filtrimit e emigrantëve kosovarë”, që arratiseshin nga Jugosllavia dhe vinin në Shqipëri Për disa muaj ai i’u nënshtrua hetuesisë intensive nga ana e oficerëve të Sigurimit të Shtetit që vinin nga Ministria e Punëve të Brendshme dhe që mbulonin “emigracionin kosovar”.
Dërgimi i tij në rrethin e Korçës ku mbaroi shkollën e mesme në qytezën e Maliqit dhe më pas në Tiranë Ai ndoqi studimet e larta universitare në fakultetin e Mjekësisë, të cilat ai i përfundoi në vitin 1971 dhe u emërua në Elbasan, si mjek pranë spitalit të atij qyteti. Arrestimi i tij në vitin 1977, pas disa kohësh përgjimi dhe ndjekje nga ana e organeve të Sigurimit të Shtetit, “si agjent i UDB-së”. Pas disa muajsh tortura ç’njerëzore, u dënua me 25 vite burg politik, të cilat i vuajti në kampet e Spaçit, Qafë-Barit, Burrelit etj., nga ku u lirua në fillimin e vitit 1991, me shembjen e regjimit komunist.
“Ishte data 30 gusht e vitit 1964, kur unë pasi preva biletën e trenit nga Prishtina për në Shkup (ku punoja me babën), gjatë gjithë rrugës, vetëm mendoja se si do të arrija në Shqipëri, gjë që kishte kaq ditë që e bluaja në kokë. Unë në atë kohë nuk kisha asnjë lloj informacioni për kufirin shtetëror, Jugosllavi – Shqipëri dhe nisur nga ky fakt, vajta në stacionin e autobusit në Shkup, ku preva biletën për në Gjakovë dhe aty mbërrita në orët e vona të natës. Zbrita nga autobusi dhe nuk dija nga të shkoja, pasi s’kisha qenë asnjë herë në Gjakovë. Duke bërë gjithë përpjekjet për të shmangur kontaktet me njerëz, mora rrugën që kishte më pak qarkullim. Në fund të kësaj rruge, pashë një furrë buke, bleva disa simite dhe vazhdova të njëjtën drejtim rruge në errësirën e natës. Në krahun e djathtë të rrugës, pashë një gardh, të cilin e kalova dhe hyra brenda në kopsht. Vendosa të flija aty. Afër rrethimit, gjeta një vend të sigurt që më mbronte, pasi herë pas here kishte të lehura qensh. I lodhur më kishte zënë gjumi. U zgjova në mëngjes, pasi shikova rreth e qark vendin, u ngrita kapërceva gardhin e dola përsëri në rrugë. Kushëriri im Kadriu, më kishte thënë që kufiri për në Shqipëri, kalon nga majat e disa kodrave të ç’veshura”. Kështu e kujton 75 vjeçari Jetullah Gashi nga Kosova, momentin e arratisjes nga Jugosllavia në Shqipëri. Pasi u diplomua në fakultetin e Mjekësisë në Tiranë dhe shërbeu disa vite si mjek në spitalin e qytetit të Elbasanit, në prillin e vitit 1977, u arrestua nga Sigurimi i Shtetit, duke u akuzuar si “agjent i UDB-së” dhe u dënua me 25 vjet burg. Torturat gjatë hetuesisë dhe dënimi me 25 vite burg. U liruar me të dënuarit e fundit që dolën nga “ferri komunist”, largimi për në Zvicër tek të afërmit e tij, kthimi në Shqipëri dhe largimi përfundimisht për në Kosovë, ku jeton dhe sot me familjen e tij. Lidhur me këto dhe ngjarje e fakte të tjera nga jeta e tij e dhimbshme, mjeku Jetullah Gashi, dëshmon ekskluzivisht për Memorie.al.
Zoti Jetullah, fillimisht a mund të na thoni, cila është origjina e familjes tuaj?
Gjyshi im nga baba, quhej Hamdi, e gjyshja Hamdije dhe gjatë jetës së tyre bashkëshortore, kanë lindur katër djem e dy vajza. Babai im, Halili, ka qenë i pari nga gjatë fëmijët. Gjyshja ime është me origjinë fshatare, ndërsa gjyshi im nga nana, është quajt Zek Brestovic, e gjyshja Hasime dhe gjatë jetës së tyre bashkëshortore, kanë lindur dy djem e tri vajza. Nëna ime, Zahidja, ka qenë lindja e dytë dhe ata janë me origjinë qytetare, të lindur në Prishtinë, në lagjen Çetlik. Nga lidhja martesore e babait, me nanën Zahide, gjatë jetës bashkëshortore, ka sjellë katër djem e pesë vajza. Motra Fatime, është e para nga fëmijët dhe pas saj jam unë, e të tjerët me radhë.
Ku ka jetuar familja juaj Gashi, në Kosovë?
Familja ime ka jetuar në katundin Mramor, rrethi Prishtinës. Fshati Mramor, ka një shtrirje të gjerë gjeografike, duke filluar nga lagja jonë, Suleviç, Bregovit, Busi, Mërtevit, Pepiqets, Sylkëse e Butovce. Baba im, Halili, ka qenë Shehë, kurse gjyshi im Hamdiu, ka qenë një burrë me trup të zhvilluar e fizikisht i fuqishëm. Edhe në këto momente i kujtoj dashurinë e përkujdesjen e gjyshit ndaj nipërve të tij. Që në moshën 8-9 vjeçare, unë kam jetuar së bashku me gjyshin tim, në odën e burrave dhe më kujtohen shumë ngjarje e historira, që tregonin burrat që buanin (flinin) në odën tonë. Të gjithë këto rrëfime i kam ndigjue nga burrat e miqtë që vinin në odën e burrave, në shtëpinë tonë. Ardhja e miqve e burrave në konak, ndodhte vetëm pasi përfundonin punët e tyre në bujqësi, pra ishte fundi i vjeshtës. Si nipi i parë i gjyshit tim, Hamdisë, ai më thoshte: “Ty bir i babagjyshit do të të mbaj afër, do të flesh me babagjyshin në odën e burrave, por kur të vijnë miqtë e të bëjnë muhabet, ti nuk duhet me i thanë askujt, se çfarë kanë bisedue këta miq në konakun tonë”.
Me çfarë është marrë familja Gashi, si e siguronte jetesën dhe ku janë arsimuar të parët tuaj?
Familja jonë Gashi, është marrë me bujqësi, blegtori, pemtari e bletari. Babai, Halili, së bashku me xhaxhallarët, kanë jetuar së bashku në një trung familjar, (ashtu si shumë familje kosovare që jetonin bashkë si familje patriarkale), të paktën deri në vitin 1964, kur unë vendosa të arratisesha për në Shqipëri. Siç thashë pak më lart, familja jonë, Gashi, ka qenë një familje tipike fshatare, e pa arsimuar në gjuhë amtare, pasi kjo ka qenë e kushtëzuar dhe e sanksionuar me ligj nga mbretëria Jugosllave-Serbo-Kroate-Malazeze, që populli shqiptar është pakicë dhe nuk mund të kishte shkolla në gjuhën e saj amtare. E gjitha kjo politikë diskriminuese, që u ndoq ndaj popullsisë shqiptare në ish-Jugosllavi, (siç dihet tashmë nga historia), solli shpërnguljen e shqiptarëve nga trojet e tyre amtare shekullore, madje me forma represive. Kjo politikë sllave, (kryesisht serbe) ka mundur të shpërndajë e të shfarosë me qindra mijra shqiptarë, nga vatrat e tyre shekullore. Shteti serb, duke patur përkrahjen e Rusisë e të disa kancelarive evropiane, luftërat që pësonte Perandoria Osmane, u kompensoheshin në dëm të çështjes shqiptare, e në favorin e Serbisë. Luftërat që zhvilloi Perandoria Osmane në vitet 1840-1845, me Rusinë e asaj kohe, përfunduan me disfatën e ushtrive osmane. Perandoria Osmane e detyruar që të paguante dëmet e luftës, në dobi të shtetit Sërb, ja dorëzoi atyre Sanxhakun e Nishit, që ishte i banueshëm i gjithi me shqiptar. Në atë periudhë, shteti serb, bëri masakra të tmerrshme ndaj shqiptarëve, duke mos kursyer asgjë. Një pjesë e popullatës arriti t’i shpëtonte kasaphanës serbe, e të largoheshin nga vendlindjet e tyre e të vendoseshin në Prishtinë e në rrethinat e saj. Në Prishtinë, ata u vendosën kryesisht në mëhallën (lagjen) e cila edhe sot njihet si “Lagjia e Muhaxherëve. Këto familje kanë në dispozicion tapitë zyrtare të të parëve të tyre, që janë shpërngulur nga Brestovci, që edhe sot e kësaj dite në Serbi quhet, Brestovc. Fshati im Mramor, e ka marrë emrin nga të parët tanë, që janë shpërngulur prej terrorit serbë, të viteve 1840-1845. Emrat, Mramor dhe Brestovc, ekzistojnë edhe sot në Serbi. Babai im e xhaxhallarët së bashku me gjyshin, Hamdiun, kanë qenë familje tipike fshatarësh, siç thashë më lart, të pa arsimuar, që janë marrë vetëm me punët e bujqësisë e me punë të tjera të rënda fizike. Diku nga fillimi i vitit 1946-të, në mes të Republikës Popullore të Shqipërisë e të asaj Federative të Jugosllavisë, ka qenë e nënshkruar një marrëveshje, për arsimimin në gjuhën shqipe, pra në këtë periudhë në fshatin tim Mramor, është ndërtuar shkolla fillore në Busi dhe ajo fillore e 7-vjeçare në qendër të fshatit Mramor. Për t’i ardhur në ndihmë arsimimit në Kosovë, udhëheqësia e asaj kohe në Tiranë, ka dërgue një numër të konsiderueshëm kuadrosh të profilit mësues e arsimtar dhe kjo për arsye se Kosova nuk ka pasur fare kuadro arsimorë. Këta arsimtarë, kanë punuar me devotshmëri më të madhe, për zhvillimin e arsimit në gjuhën amtare në Kosovë, në Maqedoninë e sotme e në Kosovën lindore dhe kanë jetuar e punuar deri nga fundi i vitit 1948-të, kur Republika Popullore e Shqipërisë e ajo e Jugosllavisë, i kanë prishur më pas marrëdhëniet. Pjesa më e madhe e mësuesëve dhe arsimtarëve janë kthyer në Shqipni, por për fatin e tyre të keq, një pjesë e tyre ka përfunduar nga UDB-ja e Jugosllavisë, në burgjet titiste, të akuzuar si “agjentë të Sigurimit të Shtetit shqiptar, që i kanë bërë dëme Jugosllavisë titiste”.
Pak më sipër thatë që gjyshi juaj, u merrte ju në odën e burrave, çfarë mbani mënd tjetër nga bisedat që zhvilloheshin në atë odë?
Këto ngjarje që po u tregoj, i përkasin periudhës së viteve 1955-‘56, ku oda e burrave, sidomos në stinën e dimrit, mbushej plot me miq. Mbaj mend historinë që ju tregonte burrave e miqve që ishin prezent, babai im, Halili, si partizan i inkuadruar në një nga brigadat shqiptare. Sot e kësaj dite nuk e di se në cilën brigadë, ka qenë i inkuadruar im atë. Babai u tregonte një ngjarje që kishte ndodhur në kohën kur brigadat shqiptare e maqedonase, afër Ohrit, ishin bashkuar për të festuar fitoren mbi nazizmin e bashkëpunëtorët e tyre. Në kulmin e festës, babai i thotë një shoku të tij partizan: “A nuk dinë këngë e valle të tjera, por vetëm ‘Gjel Kokoshin’, ‘Gjel Kokoshin’, sepse po më vjen inat nga këngët e vallet që po i këndojnë maqedonasit”?! Shoku partizan, e kërcënon babën, duke e quajtur tradhtar të popullit, që po tallej me këngët e vallet shqiptare, e kërkon nga të tjerët të pushkatohet. Çështja arrin deri tek komandanti i brigadës, i cili i tha shokut partizan, se: ‘Halili (babai im) nuk ka pasur asgjë armiqësore ndaj këngëve e valleve shqiptare’. Babai i tregonte miqve, se pasi kanë hyrë në territorin shqiptar, janë vendosur në Tiranë, për t’u përgatiture për një parakalim në paradën, që është mbajtur në vitin 1946-të.
Çfarë kujtonte tjetër babai për periudhën e Luftës?
Babai e vëllezërit e tij (xhaxhallarët e mi) më kanë treguar historinë, se si babai ka qenë i inkuadruar në njërën nga brigadat partizane shqiptare të Ushtrisë Nacionalçlirimtare të Enver Hoxhës, që kanë hyrë në Kosovë, për të ndihmuar në luftë për çlirimin e Jugosllavisë. Lidhur me këtë, baba thoshte: “Në atë kohë, disa brigada partizane shqiptare, që ishin vënë në ndjekje të fashizmit, kishin depërtuar deri në thellësi të Jugosllavisë, por disa kanë qëndruar në Kosovë. Në atë kohë mua e shumë burrave të tjerë, na kanë ardhur poziva (urdhër) që të paraqiteshim në Ferizaj, për t’u mobilizuar në ushtri, për ndjekjen e fashizmit e të bashkëpunëtorëve të tyre”. Babai më tregonte, se pasi janë grumbulluar në Prishtinë, i kanë nisur për në Ferizaj. Gjatë rrugës janë takuar me një brigadë tjetër shqiptare, të cilët i kanë pyetur se ku po shkonin dhe ata u janë përgjigjur se ishin urdhëruar me u paraqit në Ferizaj. Në atë kohë, tre persona të brigadës, kanë biseduar me njëri tjetrin dhe u kanë thanë: “A pranoni ju që të vini në brigadën tone”.
Po për krimet e forcave shoviniste çetnike serbo-malazeze gjatë Luftës në Kosovë dhe trevat e tjera shqiptare në Jugosllavi, a fliste babai juaj?
Siç tregonte babai, me pretekstin e akuzave si “ballistë e bashkëpunëtorë të nazizmit”, shovinistët serbo-malazez, kanë bërë shumë krime, duke pushkatuar burrat e djemtë shqiptar edhe në prezencën e brigadave partizane shqiptare. Arsyeja pse Shaban Polluzha, me gjithë brigadën e tij është kthyer në Kosovë me tren, nga thellësitë e Jugosllavisë, ka qenë se ka marrë lajme, se brigadat serbo-malazeze në vend që të ndjekin nazizmin, po bënin krime në Kosovë, duke vrarë njerëz të pa fajshëm. Shaban Polluzha, ka luftuar me forcat e tij dhe i’u ka dashur të përballet me shovinizmin serbo-malazez, por edhe me vëllezërit të një gjaku, pra edhe me partizanët shqiptarë.
Gjatë kohës që ishit në Kosovë, nga merrnit informacione për Shqipërinë dhe çufër dinit ju për atdheun amë, pra për Shqipërinë e Enver Hoxhës?
Në kohën kur unë jetoja në Kosovë, deri me datën 31 gusht të vitit 1964, Kosova ishte në terrin e plotë të informacionit. Të pakët, ishin ata banor që kishin rrymë elektrike dhe për ndriçim, kanë përdor llambat e fenerët me gaz e vaj guri. Në rrethin e ngushtë, flitej shpesh për Shqipërinë, ku thuhej se populli shqiptar, e do shumë udhëheqësin e vet dhe se e kanë përzënë nga vendi i tyre, Bashkimin Sovjetik të Hurshovit. Pikërisht në këtë kohë, i kanë kënduar Enver Hoxhës edhe plot vargje, ku disa prej tyre po ju citoj: “Ku lind dielli/e perëndon hana/Enver Hoxhën se lind nana/Ku me ja gjet shokun e tij/Marshall Tito faqe zi”.
Kush kishte dijeni që ju do të arratiseshit dhe kur e morët atë vendim?
Unë nuk bisedova me asnjë njeri, rreth këtij vendimi, pra që do të arratisesha për në Shqipëri dhe atë gjë e dinte vetëm kushëriri im, Kadri Gashi. Ajo që më shtyu të arratisesha, tani duket si gjë tepër qesharake dhe pakuptim, për këdo që mund t’i lexojë këto rrëfime të mijat tani, por kështu ka ndodhur me mua atëherë. Pra, arsyeja që unë vendosa të arratisesha dhe të vija në Shqipëri, ishte vendimi i profesoreshës sime, Mania Gërbiç, duke më ngelur në klasë, gjë e cila bëri që unë të humbisja vitin shkollor.
A e dinit se çfarë regjimi ishte Shqipëria e Enver Hoxhës, pra që këtu tek ne ishte një diktaturë, ku përveç varfërisë që mbizotëronte, mungonin dhe liritë më elementare të njeriut, etj..?!
Në kohën që unë, vendosa që të arratisem për në Shqipëri, nuk kisha asnjë dijeni për regjimin komunist që ishte këtu dhe gjithashtu kurrsesi nuk më interesonte se kush e udhëhiqte atë.
Po për regjimin titist në Jugosllavi, çfarë dinit lidhur me diskriminimin dhe shtypjen që u bëhej popullsisë shqiptare që jetonte në trojet e veta?
Përveç atyre çka dëgjonim në familjen tonë, pra nga ato që flitej në odën e burrave, ku më merrte gjyshi, hera herës shikonim me sytë tanë edhe ato që ndodhnin te ne në Kosovë. Nuk më hiqet kurrë nga mëndja në atë kohë në fshatin tonë, kur shkonim në shkollë, në rrugën e hapur nga dëbora, shiheshin qartë gjurmët e gjakut të meshkujve, të cilët arrestoheshin dhe torturoheshin në ambientet e shkollës, nga oficerët e UDB-së, gjatë aksionit për mbledhjen e armëve.
A ndikuan këto gjëra që shikonit me sytë tuaj, pra torturat që u bëheshin kosovarëve nga ana e UDB-së, në vendimin që morrët për t’u arratisur dhe për të ardhur në Shqipëri?
Te them të drejtën, jo, pasi në atë kohë nuk i kuptonim mirë këto gjëra për vetë moshën e re që kisha.
Kishit ndonjë informacion mbi kufirin shtetëror me Shqipërinë?
Ishte data 30 gusht e vitit 1964, kur unë pasi preva biletën e trenit nga Prishtina për në Shkup (ku punoja me babën), gjatë gjithë rrugës, vetëm mendoja se si do të arrija në Shqipëri, gjë që kishte kaq ditë që e bluaja në kokë. Unë në atë kohë nuk kisha asnjë lloj informacioni për kufirin shtetëror, Jugosllavi – Shqipëri dhe nisur nga ky fakt, vajta në stacionin e autobusit në Shkup, ku preva biletën për në Gjakovë dhe aty mbërrita në orët e vona të natës. Zbrita nga autobusi dhe nuk dija nga të shkoja, pasi s’kisha qenë asnjë herë në Gjakovë. Kam bërë çmos për të shmangur njerëzit dhe mora rrugën që kishte më pak qarkullim. Në fund të kësaj rruge, pashë një furrë buke, e bleva disa simite dhe vazhdova të njëjtën drejtim rruge, në errësirën e natës. Në krahun e djathtë të rrugës, pashë një gardh, të cilin e kalova dhe hyra brenda në kopsht. Vendosa për të fjetur aty. Afër rrethimit, gjeta një vend të sigurtë që më mbronte, pasi herë pas here, kishte të lehura qensh, por pas pak kohësh ata pushuan. I lodhur më kishte zënë gjumi. U zgjova në mëngjes, pasi shikova rreth e qark vendin, u ngrita kapërceva gardhin e dola përsëri në rrugë. Kushëriri im Kadriu, më kishte thënë që kufiri për në Shqipëri, kalon nga majat e disa kodrave të ç’veshura.
Si mundët të kalonit kufirin?
Periferia e Gjakovës, shihej se ishte fushë pjellore. Në mbarimin e fushës, shtrihej një pyll, i cili përfundonte më ngritjen e kodrave të ç’veshura. Kur arrita në majë të kodrës së djathtë, që nuk ishte aq e lartë, pa e ditur se isha në zonën neutrale kam ndaluar, pa ditur se çfarë do të bëja. Duke kontrolluar me sy rreth e qark, më zuri syri të valëvitej një flamur jugosllav, atëherë e kuptova dhe isha i bindur se isha në vijën e kufirit, vendosa që të zbrisja kodrës poshtë, pa i bërë as dy tre metra, u shfaq para syve të mi, një gurë me lartësi 40- 50 cm, që përballë shkruante R.F.J. e mbrapa R.P.SH.
Ku shkuat më pas?
Pasi kalova gurin e piramidës, përfundimisht u binda se 2-3 metra më tej, do të isha në tokën Shqiptare. Në fund të kodrës kam parë një fshat dhe isha i bindur se fshati ishte Shqiptar, i cili ishte i shtrirë në një luginë rreth e qark me fusha. Në fund të kodrës në anën e djathtë, kam parë një ndërtesë në kulmin e së cilës ishte flamuri kuq e zi. Vazhdova rrugën në drejtim të saj dhe në oborrin e asaj ndërtese, pashë një ushtar. Mendova që ushqimin që kisha blerë në Gjakovë, ta hidhja në një kaçube, pasi kisha turp që të shkoja aty me bukë me vete.
Si vepruat?
Ju drejtova derës së postës për të hyrë brenda, pasi nuk pashë asnjë njeri në oborr. Pas hapjes së derës, përballë qëndronte një oficer i ulur që po lexonte. E përshëndeta dhe ai ma ktheu përshëndetjen, duke më thënë: “Çfarë keni”? Unë, mblodha krahët, pas këtij veprimi që bëra dhe ai më pyeti përsëri: “Nga vjen”? Uni i thashë: Vij nga Kosova. Ndërkohë, diku afër nesh ishte një ushtar, të cilit oficeri i bëri shenjë dhe pas dy minutash, dëgjova zhurmë hapash të ushtarëve që ngjisnin shkallët. Pas marrjes së masave, oficeri më pyeti: Përse kisha vendosur të vija në Shqipëri? Pas shpjegimit tim, një ushtar ndërhyri duke i thënë që: gjatë rrugës ky njeri (e kishte fjalën për mua), ka hedhur diçka?!
Për çfarë e kishte fjalën, për ushqimin tuaj?
Po, për atë bëhej fjalë. “Do të shkojmë në vendin që e keni hedhur atë send” – ndërhyri oficeri- dhe kështu u bë, Unë së bashku me oficerin e ushtarin, dolëm nga posta dhe ata filluan duke shikuar e kontrolluar me kujdes çdo kaçube, për të parë se ku e kisha hedhur ushqimin. Po kalonte ora, e nuk po e gjeja vendin, se ku kisha hedhur atë pako! Ndërkohë, ushtari ndërhyri dhe tha: “Na trego se çfarë keni hedhur, e mos na detyro të marrim qenin ta gjejë”.
Si u përgjigjët ju?
Unë i thashë oficerit: ‘Kam hedh ushqimin, se më ka ardhë marre me u dorëzu me ushqim, e asgjë tjetër nuk kisha me vete’ dhe vazhdova të kërkoja nëpër kaçube. Po në atë vend ku ne po flisnim, pashë qesen me ushqime, të cilën i gëzuar që e gjeta, ja tregova oficerit. Oficeri më tha që ta merrja, e mora dhe ja dorëzova, oficeri vazhdoi të kontrollonte kaçuben, dhe pas kësaj u nisëm drejt postës.
E mbani mënd datën e kalimit të kufirit, për në Shqipëri dhe ku keni kaluar?
Natyrisht, ishte data 31 gusht 1964, ditë e diel, ora rreth 14.00, kur u dorëzova në postën e Zogajt të fshatit Zogaj. Oficeri i postës kufitare, s’më tregoi, se si quhej posta e fshatit, gjë të cilën e kam mësuar vetëm pas disa kohësh.
Si ju trajtuan në vendin e ëndrrave të tua?
S’kam pasur keqtrajtim në postën kufitare. Më kanë mbajtur aty deri rreth orës 20.00, më kanë sjell ushqim te dhoma e fjetjes. Në mëngjesin e datës 1 shtator, pas ngrënies së mëngjesit, ka ardhur oficeri në dhomën ku isha, e më tha: “Më dëgjo Jetulla, së bashku me dy ushtar, do të çojmë në një postë tjetër, që është më afër, qytetit të “Bajram Currit”, por do të veshim si ushtar, se kështu është rregulli. E pranova dhe pasi ndërrova veshjet civile me rrobat ushtarake, i veshur si ushtar, oficeri më zgjati një çantë me rrobat e mia dhe duke qeshur më tha: mirupafshim.
Ku shkuat me ata dy ushtarët?
U nisëm e lamë fshatin prapa nesh, duke marrë drejtimin e një rruge, që të çonte në thellësi të disa pyjeve shekullore, arrash e gështenjash dhe arritëm te posta, që ushtarët do të më dorëzonin. Aty, njëri nga ushtarët më tha: “Hiqi rrobat ushtarake dhe vishi rrobat civile tuat”. Pas kësaj, të dy ushtarët që më shoqëronin u larguan, pasi u përshëndetën me oficerin e pikës ku ne erdhëm, dhe u larguan.
Aty ku shkuat, ju morën në pyetje?
Ndërsa unë shikoja territorin e postës që ishte i mbjellë me pemë e lule, m’u afrua një oficer, i cili pasi më përshëndeti, më tha që të uleshim te stolat. Oficeri më pyeti se nga cili vend i Kosovës isha, më pyeti për arsimin dhe jetesën në Kosovë, etj., pyetje të kësaj natyre. Pasi ju përgjigja pyetjeve të tij, ai urdhëroi ushtarin, të më sillte drekën. Pas ngrënies së drekës, ngjitur me ne pashë një kamion, që ishte ngarkuar me san (barë i korrur) ku prej tij zbritën dy persona që erdhën tek ne.
Çfarë u thanë ata?
Na përshëndetën dhe u ulën, e bashkë me oficerin filluan të bisedonim për tema të ndryshme. Herë pas here nuk i kuptoja bisedat e tyre, pasi shumë fjalë për mua, ishin të panjohura. Njëri prej personave më pyeti: se nga cili vend i Kosovës isha? Pasi i tregova se isha nga nga Prishtina, ai më tha: ‘do të vini me ne’, dhe u ngrit në këmbë. Të njëjtin veprim bëri dhe oficeri, po ashtu edhe unë. U përshëndeta me oficerin dhe po shikoja kamionin e mbushur me bar, që mbante targën BC.
Ku ju çuan?
Të tre hipëm në kabinën e kamionit i cili morri rrugën dhe pas një kohe jo të gjatë, ndodhesha në qytetin e “Bajram Currit”, ku njëri nga shoqëruesit e udhëtimit, që ishte shoferi, ndaloi kamionin, zbriti dhe më çoi në një vendbanim. Pasi nxori nga xhepat e xhaketës disa çelësa, e hapi derën e më tha: ‘Hyr brenda’ dhe unë veprova sipas urdhrit të tij. Ndërkaq ai vazhdoi: “Dëgjo çun, ja ku e keni banjën, çezmën e ujit të pijshëm dhe krevatin e fjetjes. Do të qëndroni këtu dy tre ditë”. Pas këtyre fjalëve, ai hapi derën dhe doli, duke e mbyllur derën nga jashtë me çelës, e unë u gjenda i vetëm në atë dhomë. Aty nga ora 21.00 e mbrëmjes, u hap dera e dhomës dhe hyri një person tjetër, i cili e la ushqimin mbi tavolinë, e pasi më tha ‘natën e mirë’, doli duke më mbyllur përsëri brenda. Në mëngjesin e datës 2 shtator, i njëjti person më ka sjellë mëngjesin, drekën dhe darkën. Me dt. 3 shtator, rreth orës 11.00, pasi më sollën ushqimin, hynë dy persona, të cilët mu drejtuan dhe më thane: do të vini me ne.
Cili do të ishte “destinacioni” yt i mëpasshëm?
Dolëm nga dhoma së bashku dhe u drejtuam te një automjet tip “Gaz” ku pasi hipëm, ai u nis menjëherë. Në orë të vona të asaj dite, “Gazi” ndaloi dhe mua më bënë shenjë që të zbritja me ta. Pasi u hap dera dhe zbrita, u gjeta përballë një shtëpie të rrethuar me mur. Shtëpia ishte dykatëshe, me kopsht e hardhi rrushi. Kjo shtëpi ka qenë banimi im nga data 3 shtator, deri në datën 20 tetor të vitit 1964.
Ku ishte kjo shtëpi dhe me kë u takuat aty?
Për shtëpinë ku qëndrova, kam mësuar shumë më vonë, pasi isha i lirë. Për atë shtëpi, ku unë jetova prej pak kohësh, më kanë treguar: Riza Gërbeshi, Isuf Visoka e Zeqir Rashica, të cilët më porositën që mos të bisedoja me askënd, se edhe ata kishin qëndruar aty, në Shijak dhe ishte tepër sekrete. Mesa kujtoj, ka qenë data 5 shtator, kur oficerët e Sigurimit të Shtetit (hetuesit) më kanë marrë në pyetje. /Memorie.al
Vijon numrin e ardhshëm
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016