Nga Ilo Foto
Pjesa e tretë
Memorie.al / Familjet e mëdha janë emërtuar të tilla, për shkak të njerëzve të shquar, për shkak të pasurisë që kanë zotëruar dhe për shkak të influencës që kanë ushtruar në mjedisin shoqëror, në një kohë të dhënë. Kthesat historike kanë filluar nga familjet e mëdha. Skënderbeu mblodhi krerët e familjeve të mëdha, në Kuvendin e Lezhës. Të njëjtën gjë bëri dhe Ismail Bej Vlora. Nuk mund të vendosej asnjë bashkim, pa vullnetin e familjeve të mëdha, që quheshin edhe oxhaqe ose porta. Kishin pasurinë, territor dhe mbi gjithçka kishin njerëzit më të ditur të kohës, në një trevë të caktuar.
Ai e justifikoi sakrificën e familjes, u diplomua inxhinier me diplomë të shkëlqyer. Ai nuk u diplomua vetëm për familjen, por edhe për Shqipërinë. Gjatë luftës pati, së bashku me dy shokë të diplomuar në Francë, një ndërmarrje elektrike, që u muar me instalimet elektrike, në Tiranë e qytete të tjera.
Por ngjarjet u rrokullisën në atë mënyrë që Petriti diplomën universitare t’a arkivonte forcërisht dhe jetën t’a vijonte në gulagët komunistë, me gjithë bashkëshorten me origjinë italiane, Elena, dhe djalin e vetëm, Eugjenin. Përse? Për arsyen e vetme se babai i tij, u shpall tradhtar i Atdheut, edhe se i shërbeu atij, siç u shpjegua më sipër.
Nën pushtuesin, shqiptarët ose duhet të vdisnin ngadalë, ose të rigjeneronin forcat progresive të mbijetesës. Këtë ua siguruan qeveritë shqiptare të pushtimit, që i njihnin, që flisnin të njëjtën gjuhë, që ishin të një gjaku. Si u trajtuan ato nga historiografia, tashmë dihet. Historia nuk bëhet me supozime. Kush tejkalon detyrën, le të përgjigjet; ky është ligji historik që ndëshkon qeveritarët kontravajtës, të tëra ngjyrave politike.
Edhe se këtu na del një problem, jo i dorës së dytë. Kush ka tagrin të bëjë shqyrtimin, kush e jep notën? Bëhet fjalë për gjashtë vjet, që ishte më shumë së një dhjeta e jetës mesatare të kohës. Është periudhë e mjaftueshme për të gjykuar mbi këdo, me dokumenta, dëshmi, prova.
Ku e gjeta un këtë shkallë njohjeje për Mustafa Krujën (Merlika), kur ai ishte më i moshuar se babai im dhe unë jam shkolluar në të tëra etapat e shkollës enveriste, ku Mustafa Kruja, është trajtuar si kreu i tradhtisë? Kjo pyetje lind natyrshëm. Për fat të mirë ose të keq, unë kam ndjekur me punë civile, shumicën e kampeve të internim-dëbimit, që funksiononin në ish-fermat shtetërore të monizmit.
Disa prej këtyre kampeve, ishin më liberalë, siç ishin ata të Libofshës, Shtyllas-Levan-Fier, Çermë (Tërbuf), Savra, dhe më konservatorë ata të Gjazës, Plukut, Grabjanit dhe veçanërisht Gradishtës së Lushnjës. Në këto kampe, kam punuar rëndë, në rolin e specialistit. Jam njohur me jetën e të internuarve politikë dhe të dëbuarve nga vendlindjet, për të siguruar mos arratisjen drejt perëndimit.
Në këto vend-banime, kam jetuar me gjithë familjen, përjashto vetëm Plukun. Jeta ime ndryshonte nga të internuarit, sepse nuk paraqitesha për apel dhe kryeja një punë më të lehtë fizike se ajo për thellimin e kanaleve kullues. Bashkëjetesën me të internuar-dëbuarit, e kam pasqyruar gjerësisht në librat e mi. Po përmend disa fise: Vrioni, Ndreu, Delvina, Kolonja, Toptani, Bitincka, Mile. Kisha miqësi me shumë të internuar, me nivel intelektual, shumë më të lartë se i imi dhe që kishin vuajtur dhe kryer burgjet më të egër të diktaturës. U miqësova me ta, për të mos thënë se u vëllazërova.
Atje mësova se historia e Shqipërisë kishte shumë ndryshime nga ajo që kisha mësuar në shkollë. Nga goja e tyre kam mësuar cili ishte Mustafa Kruja i vërtetë, që sqarova më sipër. Por vërtetimin e atyre bisedave që tinës i bëja me ndonjë prej atyre që kishin krijuar besim tek mua, e kam kryer duke lexuar disa prej librave që janë botuar në këta vite, dorëshkrime apo përmbledhje shkrimesh, të botuara në dhjetëvjeçarë.
Djalin e Mustafait, Petritin e kam njohur fizikisht, por jo në marrëdhënie pune të drejtpërdrejtë. Inxhinier Petritin e kam adhuruar prej së largu, si shenjt të gjallë. Për ta ditur cili ishte ky burrë, po sjell në mëndje portretin e tij: trup mesatar, i drejtë, serioz, i heshtur, njerëzor. Ndiqte rrugën nga shtëpia në ofiçinën – Pluk dhe kthim.
Përpara bangos së punës, vishte pelerinën dhe fillonte frezimin e cilindrave dhe pistonëve, për të rigjeneruar mjetet mekanike të ish-fermës. Merrte porositë me shkrim dhe kështu i dorëzonte te përgjegjësi i ofiçinës. Nuk komunikonte me askënd, brenda orarit të punës, madje edhe jashtë saj.
Kisha tentuar të bisedoja kalimthi ndonjë problem pune, por më kishte adresuar te përgjegjësi, Tune Harshorva. Këtë komunikim e bënte me secilin nëpunës, që e pyeste, qoftë dhe drejtori. Siç e gjykoj sot, kjo ishte një lloj bindje. Ndaj atij shteti aksidental duhet të dyshoje dhe te vetvetja. Por ndoshta mund të ishte edhe një shfaqje e idesë, së respektimit të rregullave, me të cilën ai ishte edukuar që në fëmijëri, në kolegjet italiane.
Kurrë nuk më dha të njohur direkt, pavarësisht se këtë njohje e kam dëshiruar, jo për të biseduar për shokët e tij të burgut, por për të njohur në bisedë, një enigmë të gjallë njerëzore. Ai fliste me heshtjen e tij. Ishte heshtje proteste. Ajo heshtje, fliste më shumë se çdo ligjëratë. Qëndrimi i Petritit në Pluk – Lushnjë, është legjendë e pa përsëritshme e një intelektuali të shquar që jeton në një mjedis të sëmurë.
Ajo fermë–lubi, kishte mbi një mijë mjete mekanike lëvizëse. Një ditë të mos punonin mjetet, ferma falimentonte. Zëmra e ofiçinës që mirëmbante mjetet, ishte retifika, një frezë e precizonit të lartë. Një devijim, sado i vogël, në rektifikimin e këmishës kushtonte shkatërrimin e motorit.
Të kuptohemi, jo retifika si instrument, por manovruesi i saj, e kthente motorin në të ri. Saktësia e inxhinier Petritit, ndante fijen metalikë sa fija e flokut për së gjati. Pa retifikën e Merlikës, ofiçina nuk mund të funksiononte. Këtë m’a kanë pohuar inxhinierët mekanikë, m’a konfirmojnë dhe sot, në bisedat tona, këtu ku banojmë.
Petriti me familjen jetonin të internuar në qytezën bujqësore të Plukut, 5 km. larg Lushnjës, ku unë u emërova përgjegjës i sektorit bujqësor (1975 -1978). Në këtë sektor gjeta një situatë inkandeshente të luftës klasore. Dy agronomë të sektorit, nga tre që ishin gjithsej, ishin të pushuar nga puna për motive politike.
Ishin miqtë e mi dhe bashkë-studentë. Donika Vrioni (Omari) ishte nënë e dy fëmijëve, por rrinte pa rrogë, kur edhe me rrogë, me vështirësi sigurohej mbijetesa. Se cila ishte kjo zonjë, mjaftojnë të dy mbiemrat që mbarte mbi vete. Agronom Javer Halili, kishte gati 28 vjet që punonte në fermë, por ishte vëllai i kulakut të Bençës në Tepelenë.
Kur ndaj dy specialistëve të lartë, qytetarë të lire, mbahej ky qëndrim, kuptohet lehtë cila ishte sjellja me të internuarit. Ishte shumë e rëndë, që unë të dystohesha në karrigen e zyrës dhe bashkë-studentët, të vuanin për bukën e gojës. Unë kisha firmën që shpenzoheshin paratë dhe jepja frontet e punës për punëtorët, në një qytezë me tremijë banorë. Dy kolegët e mi rrinin pa punë dhe unë nuk isha në gjendje t’i ndihmoja. M’u mërzit jeta!
Të ktheja këta në punë, do të armiqësohesha me Byronë e Partisë të sektorit dhe me Komitetin e Partisë së ndërmarrjes, që bënin ligjin realisht, në qytezën politikisht të elektrizuar. Shumë e ngarkuar ishte jeta emocionale në vitet e ashpra të luftës klasore. Vijova të ecja bashkë me ta, në një hapësirë, të marrë po thuaj me akord, shtruar me gozhdë .
Një pjesë të fiseve të internuara i njihja, si Barollët dhe Kollçinakët, sepse me të afërt të tyre kisha banuar familjarisht në Çermë (Tërbuf). Këtu banonin edhe familje të panjohura për mua, si familja Kurt Kola dhe shumë të tjerë. Mësova se në këtë lagje, banonte familja Petrit Merlika. Familja punonte diku në brigadën e katërt të fushës.
Unë nuk mund të lëvizja punëtorë nga brigada e katërt, për në një brigadë homologe, edhe se kompetenca ligjore fliste ndryshe. Jo vetëm detyra ime, por çdo detyrë shtetërore, kishte kuptim të dyzuar. Do punoje më krahët e tua dhe do mendoje me mentë e shtetit. Kjo ishte diktatura që na sundonte.
Duke pasur dijeni të saktë për familjen Merlika, më dhimbsej Eugjeni, me fizik delikat, maturant i shkëlqyer i gjimnazit të Lushnjës, përditë punonte me normë në kanale dhe procese të tjera të vështira bujqësorë. Shumicën e herëve nuk e gjeja në brigadë, sepse ishte në frontin e punës. Brigadieri më pati thënë se çdo ditë, merr me vete belin dhe librin.
Shfrytëzon çdo pushim, sado të vogël, për të studiuar. Studionte pa ndërprerje. Nuk mund të jetonte pa studiuar, por studionte pa jetuar plotësisht i lirë. Studimi i u bë natyrë e dytë, pjesë e karakterit. Nuk e pashë asnjëherë rrugëve. Për klubin nuk bëhej fjalë.
Shkolla e mesme kryen formimin intelektual të njeriut. Ajo të rrënjos dëshirën për dituri të mëtejshme, sepse të mëson se dituria është pa fund. Shkolla e lartë, kryesisht, i jep njeriut specializimin profesional. Eugjeni po plotësonte veten, me studim individual intensiv. Diplomës së shkëlqyer të maturës, po i bashkëngjiste një univers të pakufishëm të vet-aftësimit intelektual dhe i a arriti t’a bëjë, në mënyrën më të plotë të mundshme.
Në të tëra kampet e internim-dëbimeve, në të cilët kam banuar, kam vërejtur se banorët e lire, janë përkujdesur, solidarizuar, i kanë ngushëlluar, heshtazi dhe drejtpërdrejt të internuarit. Nuk mbaj mënd as një zënkë, ngacmim, as një sherr. Nuk bëhet fjalë për krime, qoftë dhe ordinere. Psikologjia popullore është më fisnikja dhe më e gjëra.
Në se ka ndonjë njeri që njoh, që ka sfiduar totalisht mungesën e arsimit të lartë, ai është studiuesi, publicisti, analisti dhe historian, Eugjen Merlika. Ai dhe sot më shumë lexon se sa shkruan. Këtë e dëshmon niveli shkencor, gjuhësor dhe letrar i veprës së tij, të shkruar në vitet e rivendosjes së pluralizmit në Shqipëri. Eugjeni është një nga firmat më të shquara të shkrimeve studimorë, historikë, kujtime, kritika letrare, përsiatje. Të tëra shquhen për thellësi mendimi, objektivitet të analizës, ndjenjë njerëzore dhe vërtetësi të dokumentuar.
Një vepër e shquar e Eugjenit është drita që hodhi mbi veprimtarinë jetësore dhe intelektuale të Mustafa Krujës. Ai nuk ishte vetëm gjyshi, por një firmëtar i Pavarësisë, një atdhetar i vendosur, një pionier i përparimit në rrugën perëndimore të kombit, një luftëtar i paepur i bashkimit të tij, një nga njerëzit më të ditur e më përfaqësues të tij, një gjuhëtar, një historian, një publicist, një politikan vizionar e largpamës, që u përbalt padrejtësisht gjatë 50 vjetëve, duke u cilësuar si tradhtar i kombit, nga ata që kombin e bashkuar, edhe për meritë të tij, i a dorëzuan, sa hap e mbyll sytë, komunistëve serbë.
Me këtë frymë u edukuan tre breza shqiptarësh. Nuk është e lehtë të përgënjeshtrosh një makineri mashtrimi të mirë-menduar dhe të lubrifikuar shtetërore, dhjetëvjeçare. Eugjeni, ashtu sikurse të tjerë studiues seriozë, dhanë ndihmesën për t’i paraqitur shqiptarëve në dritën e saj të vërtetë, figurën e Mustafa Krujës. Eugjeni vijon të shkruajë dhe të botojë, në shumë gjini.
Ende ka pa prekur linjën e tij të mëmësisë, por është duke punuar për pregatitjen e një vëllimi të publicistikës së gjyshit të tij, gazetarit të njohur, në çerek shekullin e parë XX-të, kolonjarit Sotir Gjika, veprimtaria e të cilit u zhvillua më shumë në SHBA-ës dhe n’Itali, ku ai jetoi 15 vitet e fundit të jetës, duke krijuar familje e duke marrë nënshtetësinë italiane.
Vepra e Eugjenit është shumë e besueshme për brezat, sepse është pena, që ka lindur, është rritur dhe ka qëndruar ndaj enverizmit shqiptar, pa kompromis. Ai shkruan dhe për demokracinë e brishtë çerekshekullore, që bart të meta të pafalshme. Versionet e kritikuara dhe të tjera të propozuara nga Eugjeni, i gjen rrallë edhe në autorë me emër dhe grada. Nuk mund të jetë ndryshe.
Nuk pata imagjinuar se Eugjeni, do të gjente energji, dije e vullnet, për të sjellë familjen gjyshërore në vendin e merituar në altarin e familjeve të mëdha, i mohuar pa të drejtë nga brutaliteti komunist. E ndjej veten krenar për Eugjenin, ish bashkë-banorin tim të Plukut në Lushnjë. Falënderoj profesor Thanas Gjikën dhe publicistin Roland Qafoku, që më nxitën të publikoj mendimet, të përjetuara gjatë, për familjen e nderuar Merlika.
Nuk e quaj jashtë kontekstit, po qe se paraqes disa konsiderata për shtresën e nderuar të të përndjekurve politikë të komunizmit me të cilët, kam bashkë-banuar familjarisht. Kjo shtresë e përvuajtur, pati fatin më të rëndë në shoqërinë komuniste shqiptare. Përveç vuajtjeve, i dhanë shumë shoqërisë me punën e detyruar në veprat publike. Krijuan më shumë se një Shqipëri që gjetën.
Drejtuesit e organeve të kësaj shtrese, i kanë mëshuar më shumë dëmshpërblimeve, se sa mundësive, që duhej të krijoheshin për integrimin e shtresës në politikë dhe qeverisje. Të njëjtën vëmendje duhet të tregojnë për pastrimin e kësaj shtrese nga njerëz ish-të burgosur pa motive politike dhe pa moralin qytetar e, që dëmtojnë imazhin e saj. Përpjekjet individuale, kur bëjnë të tërën, janë me efektivitet të lartë. Eugjen Merlika i kërkoi të tëra nga vetja, duke u bërë shembull frymëzues për të tërë shtresën.
E thënë troç: duhet të gjendet mekanizmi për të vendosur në poste drejtuese dhe ligjvënëse, njerëz realisht të integruar të kësaj shtrese, përfshirë dhe pasardhësit e shkolluar. Kjo shtresë nuk ka nevojë vetëm për dëmshpërblim. Ajo është sakrifikuar, për shtetin ligjor europjan. Duhet të bëhet e qartë se shtresa e të përndjekurve e vlerëson më shumë se kushdo lirinë, demokracinë dhe urren realisht keq qeverisjen dhe korrupsionin.
Faturën e pabarazisë skajore, e kanë paguar ata. Në këta kushte, brezi i moshuar duhet të bëhet i ndërgjegjshëm, për dorëzimin e stafetës në duart e brezit erudit, kryesisht të të përndjekurve të integruar dhe të shkolluar. Duhet të zbatohet një program reformator, që të mohojë të kaluarën e hidhur edhe të këtij tranzicioni iluziv. /Memorie.al