Nga Musa Kurtulaj
Memorie.al / Mbrëmjen e 25 shkurtit dhe në orët e para të 26 shkurtit të vitit 1973, pra 52 vite më parë, në afërsi të brigjeve të Barit, Itali, ndodhi një tragjedi! Brenda pak orësh u mbytën 5 anije mallrash dhe pjesa dërmuese e ekuipazheve të tyre. Ka qenë një ngjarje që tronditi mbarë opinionin publik! Në rrezik për tu bërë pjesë e kësaj tragjedie atë mbrëmje, ka qenë edhe anija shqiptare “Korabi” me ekuipazhin e saj, e cila ishte nisur nga porti i Durrësit për të mbërritur në Bari. 72 vjeçari, Ismet Teli, nga Shkodra, i cili për 43 vjet ishte navigator në Flotën Tregtare Shqiptare, ka qenë pjesë e ekuipazhit të “Korabit” dhe sot, pas 52 vitesh, e tregon për herë të parë në detaje gjithçka ndodhi atëherë. “Ajo ka qenë dhe mbetet dita më e zezë në jetën time, dita kur pamë vdekjen me sy”, shprehet Teli.
Po e sjellim tregimin e tij në intervistën e mëposhtme, i cili tregon se ka bërë tre herë karambol me anije.
Z.Teli, çfarë ndodhi atë ditë?
Nuk tregohet me një përgjigje ajo kohë tmerri, të cilën edhe sot, pas 52 vjetësh, kur ma kujtoni, më rrëqethet trupi! Po e filloj nga Durrësi. Kishim ngarkuar në anijen “Korabi” afro 955 tone gurë mermeri, për t’i dërguar në portin e Barit. Ekuipazhi jonë përbëhej nga 23 veta, plus një grua, e quajtur Zorka, e cila ishte nga Zara e Kroacisë, e martuar me inxhinier Kakarriqin në Durrës.
do të shkonte tek vajza e saj, që jetonte në Itali. Hambari i anijes ishte mbushur me gurë mermeri, ndërsa vetëm dy prej tyre i vendosëm në bordin e anijes, njëri 12 ton dhe tjetri 14 ton, në krahun e djathtë dhe të majtë, të branguara (lidhur) me kavo 26 milimetër. E bëmë këtë për të ruajtur ekuilibrin e peshës në anije.
Në orën 17:40 filloi të fryjë era garbia (jug-perëndim). Menjëherë, kapiteni i anijes, Haxhi Shehu, e ndërroi kursin e anijes nga 272 gradë në 265 gradë, me qëllim që, kur të rritej dallga, t’i jepte kiçin e anijes detit dhe të merrte kursin drejt portit të Barit. Ndërkohë, unë dhe radisti, Gani Daja, ishim duke luajtur tavëll. Kapiteni, që po e vrojtonte situatën drejtpërdrejtë në det, na porositi që të mos flinim gjumë në kabinë, por në poltronin e sallës së navigimit. Ishte një mbrëmje ku rrallëherë qielli kishte qenë aq i pastër, sa që pasqyronte gjithçka në detin e trazuar! Sapo kisha dalë jashtë me Ganiun dhe po vrojtonim. Pamë një re të zezë, fillimisht e vogël, por që vinte duke u rritur. Ne, detarët, atë e quajmë plivadore.
Nga eksperienca në det, ne kishim mësuar se ajo re sinjalizonte furtunë të jashtëzakonshme! Në këto kushte, ndamë detyrat për të qenë të parapërgatitur për më të keqen. Në bordin e majtë dhe të djathtë u mbyllën të gjitha kabinat në mënyrë hermetike, e po kështu vepruam edhe me hotelin e anijes. 22 minuta nga shfaqja e resë së zezë, deti filloi të vlonte si një kazan nga presioni i dallgëve që rritej e rritej!
Tashmë e kishim të qartë se nata do të ishte shumë e vështirë dhe e rrezikshme për ne, ndonëse nuk ia shprehnim këtë njeri–tjetrit. Për të qenë detar duhet të kesh dy karakteristika: Trim dhe gjakftohtë. Shekspiri i ndau njerëzit në të gjallë, të vdekur dhe detar. Pse i vuri detarët poshtë të vdekurve? Sepse i bëjnë sfidë vdekjes.
Ju po bëheshit gati të pushonit sipas porosisë së kapitenit?
Kush e kishte mendjen tek pushimi në këtë situatë! U ngjitëm lart në sallën e komandimit, ku Aleko Stavri ishte në timon. Më thotë, Alekoja,- “Ismet, nuk më ka zënë deti, por s’ndihem mirë, jam i lodhur”! Ishte ora 17:52 dhe errësira po zinte gradualisht vendin e saj. I them, largohu se e mbaj unë timonin dhe ashtu u bë. Për fatin e mirë, kisha punuar vite më parë me kapitenin e vjetër, Muharrem Baze, i cili na kishte mësuar deri si ta orientonim anijen edhe pa busull, me yje dhe me erën!
Ka qenë një detar me një eksperiencë shumë të madhe, një shkollë për marinarët e rinj, siç isha unë që nuk kisha më shumë se 7 vjet në flotë. Megjithëse dallgët sa vinin e rriteshin, sa vinin dhe përplaseshin me egërsisht me anijen dhe deti po ngrihej aq shumë sa detarët në raste të tilla e quajnë axhitato, mundohesha ta ruaja qetësinë dhe qartësinë në lëvizjen e timonit.
Në këto momente ndodheshim larg portit të Barit 1 orë e 5 minuta. I dhamë kiçin detit (shpinën e anijes), deti kishte mbërritur në pikën që detarët e quajnë shkalla e fortunalit–trum, situata më e rrezikshme për mbytjen e anijeve. Akrepat e orës tregonin 20:32 minuta, kur këputen kavot që mbanin dy gurët e mermerit në bord! Ato rrëshqitën dhe anuan në anën e majtë të bordit, por fatmirësisht goditja e tyre u amortizua, duke u ndeshur me dy kuti të mëdha, ku ishin plaçkat e Zorkës.
Them fatmirësisht pasi po të përplaseshin me pjesën anësore të bordit, do ta çanin dhe do të depërtonte uji brenda. Anija mori krenë 14 gradë. Ajo pjesë gjithsesi mori një goditje, por sasia e ujit që hynte ishte e pakët. Gjithsesi, humbja e ekuilibrit të anijes nga rrëshqitja e gurëve, e shtoi panikun! Kështu bëmë! Zorka ishte në sallën e pritjes të cilës i dhamë një kovë për të vjellë dhe e mbyllëm me çelës. Kjo, me qëllim që ajo të mos trishtohej për atë që po ndodhte, ndonëse e kishte kuptuar gjendjen e krijuar.
Siç po tregoni ju, situata sa vinte dhe bëhej më e ndërlikuar. A vazhdonit të besonit se do ia dilnit mbanë?
Sot është e lehtë të flasësh, por në ato kushte, kur e shikon vdekjen me sy, merret me mend se në ç’pozitë jemi ndjerë! Nuk kam pse ta fsheh, por edhe pse ishim shpallur ateistë, i luteshim Zotit! Erdhi një moment kur as timoni i anijes nuk priste më, por kishte ikur 14 gradë majtas kur mua më duhej të prisja djathtas, si drejtimi më i përshtatshëm për t’iu shmangur sado pak përplasjes së dallgëve! Më duhej të bëja kujdes sepse edhe dy gurët e mermerit në bord, lëviznin sa andej këndej dhe rrezikonin anijen.
E kuptoja lëvizjen e tyre në timonin e anijes, ndonëse errësira nuk më lejonte t’i dalloja më. Ndërkohë mekaniku, Qazim Tymi, hynte në mjedisin ku ndodhej motori, kontrollonte dhe dilte me shpejtësi. Dallgët tashmë ishin rritur aq shumë saqë arrinin nga sipër dhe hynin deri në motor! Gjithçka dukej se po kontrollohej nga deti! Ishte ora 22:18 minuta kur pamë një anije në një distancë të afërt përpara, të cilën dallgët e ngritën shumë lart dhe e fundosën! Pamë njeri–tjetrin në sy, nuk flisnim…, nuk donim të tregonim panik!
Gjendje dramatike…?!
Nuk përshkruhet! Në orën 23:15, ngjitet në timonieri Sotir Pitaku dhe më thotë: – “Ismet, jemi në rrezik të mbytemi”! Në këtë çast mbylla me shpejtësi komunikimin me radio mes ekuipazhit që të mos përhapej panik. Sotiri ishte njeri shumë i kulturuar dhe i ndjeshëm, ndaj nuk kisha dëshirë që ta dëgjonin në këto momente trishtimi pjesëtarët e tjerë të ekuipazhit. Kishte mbërritur ora 01:05 e datës 26 shkurt kur pamë duke u mbytur edhe anijen e dytë, edhe kjo si e para. Edhe këtë, ashtu si tjetrën, nuk arritëm të dallonim se cilit shtet i përkiste!
Na vinte shumë keq që nuk mund tu shkonim për ndihmë sepse deti nuk të jepte asnjë mundësi, ndonëse ne ishim vetë në rrezikun më ekstrem! Dëgjuam zhurmën e helikopterëve italianë që fluturonin sipër nesh, dëgjuam zërin e pilotit në radio që thërriste “rispondi Korabi”! Por ne nuk mund t’i përgjigjeshim sepse dhënësi i radios kishte dalë jashtë funksionit, vetëm marrësi punonte. Kapiteneria e portit të Durrësit e kishte njoftuar për ne palën italiane, se ishim në rrezik, por si me Durrësin, ashtu edhe me Barin, e kishim humbur komunikim, për shkak të defektit të dhënësit të radios.
Në këtë kohë, a ishit afruar portit të Barit?
Kështu na dukej, pas gjithë atyre orëve udhëtim në përplasje me dallgët, ndaj i them radistit, Ganiut, se po tentoja ta drejtoja anijen në një vend ku të ndeshnim rërë për të shpëtuar ekuipazhin. Por kapiten Shehu më tërhoqi vëmendjen duke më thënë të mos i jepja rëndësi kursit, por të gjeja qetësinë për anijen dhe të shmangia sa më shumë të ishte e mundur goditjen e dallgëve në bashin e saj. Falë kësaj ndërhyrjeje shpëtuam sepse, isha duke gabuar pasi aty pranë kishte skaliera betoni dhe përplasja e anijes do të ishte fatale për të gjithë ne. Kapiteni Shehu tha se ajo zonë kishte shkëmbinj dhe jo rërë, e njihte mirë detin.
Megjithëse isha shumë i lodhur, me shpejtësi e kam lëvizur timonin dhe e ktheva drejtim e anijes. Në këto çaste dallgët e mbuluan anijen dhe uji hyri deri në timonieri ku, për pasojë, sistemi elektrik i timonit e humbi funksionin. I them Ganiut të shtypte shpejt butonin jeshil, që e kthente sistemin mekanik të komandimit të timonit. Dhe kështu lundruam deri sa hymë në kthesën e bagazit të portit të Barit. Fatmirësisht sistemi elektrik i timonit u normalizua, gjë që e lehtësoi funksionimin e drejtimit. Kapiten Shehu më kërkoi ta drejtoja anijen me kujdes përmes bagazit që të mbërrinim në port. Por sërish në këtë moment dallgë të fuqishme e spostuan anijen drejt fenerit jeshil, që do të thotë rrezik për tu përplasur me shkëmbinj.
Kam manovruar me shpejtësi duke e kthyer anijen…! Dëgjova kapiten Shehun që më tha të orientohesha vetë me qetësi, për t’iu shmangur shkëmbinjve! Kishim mbërritur në mes të bagazit (hyrjes në port) kur dallgët arritën edhe mbi skalierën e portit, por ishim në pozicionin kur e kishim kaluar edhe rrezikun e kësaj dallge, e cila nuk arriti të na spostonte më. Kështu mbërritëm në portin e Barit, hodhëm spirancat dhe tashmë tmerri i asaj nate kishte marrë fund. Ora shënonte 03:18. Nostromi i portit të Barit thërriste plot gëzim; “Viva Korabi, viva Albania”!
E para zbriti nga anija Zorka, zbritëm pas saj të gjithë ne. Unë isha jo i lodhur, por i këputur, pasi kisha qëndruar mbi 9 orë e 42 minuta në timon, në një kohë që nuk lejohet të qëndrosh më shumë se 4 orë! Kam pirë një dopjo konjak, të shoqëruar edhe me një çokollatë. Jam shtrirë dhe kam pushuar gjithë ditën deri në orën 23.00. Kur u zgjova, gjeta nën jastëk 10 mijë lira, të cilat mi kishte lënë si dhuratë Zorka! Kapiteni Haxhiu me vuri marinar për kontroll, që mos pasoja ndonjë tronditje.
A bëri përshtypje mbërritja juaj në ato kushte tejet të rënda detare, në portin e Barit?
Shumë përshtypje bëri në Itali! Ndonëse ne nuk na lejohej të komunikonim shumë, për arsye politike të asaj kohe, çuditeshin sesi anija “Korabi” me 1500 ton kishte arritur tu bënte ballë dallgëve dhe të shpëtonte, ndërkohë që mëngjesin e 27 shkurtit u njoftua se ishin mbytur 5 anije mbi 5000 ton, 2 prej të cilave, siç jua tregova më lart, i kishim parë ne duke i përpirë dallgët.
Kishte ndodhur tragjedi me këto 5 anije sepse nga ekuipazhet e tyre ishin mbytur 96 veta, 14 ishin plagosur dhe vetëm 3 marinarë kishin arritur të shpëtonin! Autoritetet e portit të Barit kujtonin se një trazim i tillë i detit, ishte regjistruar 38 vite më parë! Shumë bujë pati bërë në atë kohë ajo ngjarje tejet e dhimbshme! E kujtoj si ditën më të zezë të jetës sime! Më datë 26, u mbyt anija Tomorri, e cila mori me vete edhe oficerin e anijes Ilir Koçilja në Sarandë, afër Hotel Turizmit.
Po kur u kthyet në Durrës, si ju pritën?
Pas katër ditësh qëndrimi në portin e Barit, jemi kthyer në Durrës. Na pritën autoritetet shtetërore të Durrësit, na uruan dhe na përgëzuan! Pati jehonë kjo ngjarje, por në shtypin e kohës çuditërisht nuk iu kushtua vëmendja që meritonte. Në fakt erdhën disa gazetarë nga Tirana dhe na takuan, por nuk iu kushtua shumë vend në faqet e shtypit, u botuan kronika modeste! Me këtë rast po kujtoj edhe një episod të atyre ditëve.
Në një takim, oficeri i parë Mihal Guma, duke folur për vështirësitë që kishim përballuar gjatë lundrimit për në Bari, thotë se në një moment ishte lutur me fjalët; “O Krisht, ma fal jetën në det dhe ma merr shpirtin në tokë”! Kjo krijoi një situatë konfuze në atë takim, pasi ne ishim deklaruar si shtet ateist! Mjaftuan këto fjalë dhe e larguan nga ekuipazhi i anijes, nuk e lejuan më të dilte me anije. Fotografinë që shikoni, ma ka bërë Mynyr Bajraktari, i cili erdhi në moment të vështirë
A i mbani mend gjithë pjesëtarët e ekuipazhit të anijes “Korabi”, që përjetuan tmerrin e 43 viteve më parë?
Po, nuk harrohen, se është nga ato ngjarje që mbeten gjithë jetën në kujtesë. Disa edhe i përmenda gjatë bisedës me ju. Ata janë: Haxhi Shehu, kapiten nga Durrësi, Mihal Guma, oficer i parë nga Himara, Mynyr Bajraktari, oficer i dytë nga Shkodra, Faik Tafili, oficer i tretë nga Durrësi, Hajri Curri, oficer i katërt nga Kavaja, Qamil Qazimllari, nostromo (përgjegjës) nga Korça, Muhamet Shehu, kryemekanik nga Vlora, Ramadan Ramadani, mekanik i parë nga Durrësi, Qemal Beja, mekanik i dytë nga Durrësi, Qazim Tymi, mekanik i tretë nga Shkodra.
Si dhe Hajrullah Xhixha, mekanik i katërt nga Tirana, Sulo Kapllani, motorist nga Skrapari, Xhavid Karaboja, elektromekanik nga Durrësi, Hekuran Çollaku, marinar nga Durrësi, Aleko Stavri, marinar nga Tepelena, Sotir Pitaku, marinar nga Durrësi, një tjetër marinar nga Durrësi, me mbiemrin Berberi, Rifat Harapi, kuzhinier nga Durrësi, Gani Daja, radist nga Durrësi, Filip Semini, marinar nga Durrësi, Met Kanapari, ndihmëskuzhinier nga Durrësi, Rifat Dervishi, kuzhinieri nga Durrësi dhe Zorka që udhëtonte me ne për në Itali. / Memorie.al













