Dashnor Kaloçi
Memorie.al publikon disa dokumenta arkivore të nxjerra nga Arkivi i Ministrisë së Punëve të Jashtme në Tiranë dhe Autoriteti për Informim i Dosjeve të ish Sigurimit të Shtetit, të cilat janë pjesë e një dosje ku bëhet fjalë mbi historinë e rrallë dhe të panjohur të Ilia Lekës me origjina nga fshati Glinë i minoritetit grek të Gjirokastrës, familja e të cilit nga viti 1945-së jetonte në internim në fshatrat e Myzeqesë dhe babai i tij, Theodhoriu, ishte arrestuar që në vitin 1951 dhe vuante dënimin në kampe dhe burgje, i akuzuar si “agjent i Zbulimit Grek”.
Përpjekjet e Sigurimit të Shtetit për ta rekrutuar Ilian dhe më pas për ta arrestuar atë dhe arratisja e Ilias, së bashku me të vëllanë Kriston dhe xhaxhanë e tyre në Greqi, ku pas disa letrave kërcënuese që Ilia i bënte Enver Hoxhës, Ramiz Alisë e Adil Çarçanit, ku i’u kërkonte që ta nxirrnin të atin nga burgu dhe bashkë me gruan e djalin, ta lejonin të vinte në Greqi, ata të tre bënë një grevë urie para ambasadës shqiptare në Athinë, e cila zgjati deri në vitin 1984.
Grevë e cila shkaktoi probleme të mëdha diplomatike në mes dy vendeve, pasi sensibilizoi jo vetëm parlamentin grek dhe qeverinë e Athinës, por edhe shtypin grek dhe disa parti ultra-nacionaliste e qarqet shoviniste vorio-epiriote, me në krye Mitropolitin Sevastianos, që e shfrytëzuan atë për interesat e tyre, si dhe fjalimet e Ilia Lekës në Parlamentin Europian dhe Kongresin Amerikan, për shkeljen e të drejtave të njeriut në regjimin komunist në Shqipëri, deri sa e detyruan Enver Hoxhën të dilte dhe të deklaronte publikisht: “I them me përgjegjësi popullit vëlla grek se në burgjet shqiptare janë vetëm 46 shtetas nga minoriteti grek dhe vetëm 4 prej tyre për faje politike”, si dhe Ramiz Alinë që ta lironte nga burgu Theodhori Lekën në vitin 1989, duke e lejuar të shkonte përgjithmonë në Greqi.
Zoti Ilia, po shqiptarë të tjerë keni njohur dhe takuar në atë kohë në Greqi
Unë kam ndihmuar gjithashtu edhe shumë shqiptarë të tjerë që arratiseshin dhe vinin në Greqi, apo të tjerë që vinin me punë apo për sport, siç ishte një përkthyes i quajtur, Ilir Bulka dhe dy sportistët e Vllaznisë, Hoxha me Bërshemin që ikën nga hoteli i ekipit të tyre dhe qëndruan në Greqi. Unë sa e morra vesh, kam shkuar aty në rajonin e policisë duke bërë rolin e përkthyesit dhe i kam mësuar ata dy sportistët se si të kërkonin azil politik dhe më pas jam interesuar dhe i kam ndihmuar që ata të aktivizoheshin si futbollistë me ekipet greke ku ata u stabilizuan. Nuk e di ku ndodhen sot ata dy djem të shkëlqyer, por mund t’i pyesni se çfarë ndihme u kam dhënë unë. Po kështu edhe përkthyesit, Bulka, që ishte një djalë që s’e kishte shokun dhe antikomunist i vendosur.
Pak më parë thatë se ju nuk i ndaheshit atyre të ambasadës shqiptare apo atyre që vinin nga Shqipëria…?!
Po ashtu është, pasi përveç grevës së urisë dhe protestave e mitingjeve, unë shikoja ku kishin aktivitete këta të ambasadës, si koktej etj., dhe shkoja për t’ua prishur. U kam prishur disa të tilla, pasi i shoqëruar nga disa miq të mi, kryesisht shqiptarë të minoritetit të arratisur në Greqi, hyja dhe flisja kundër regjimit komunist të Tiranës, duke thënë se ata të ambasadës ishin vegla qorre të tyre. Nga këto që bëja, ambasadori Ksenofon Nushi, s’gjente vrimë ku të futej dhe lajmëronte policinë që vinte dhe më largonte. Por unë isha paqësor dhe në asnjë rast nuk bëja gjëra të dhunshme dhe kështu policia sa më largonte dhe nuk merrte asnjë masë tjetër ndaj meje, pasi protestat ishin të ligjshme edhe ndaj kryeministrit apo presidentit të Greqisë, mund të bënte kushdo, siç bëjnë sot edhe në Shqipëri. Këto me ambasadën ishin të zakonshme për mua, por unë u kam prishur dhe disa koncerte të mëdha që bënin ansamblet e këngëve dhe valleve popullore që vinin nga Shqipëria, si p.sh. në Patra, Korfuz etj. Unë me miqtë që më shoqëronin, dilja në skenë pak para fillimit të koncertit, dhe mbaja fjalime, duke i’u thënë se: ‘si këndoni dhe hidhni valle ju, kur në Shqipëri, Enver Hoxha i ka mbushur burgjet plot me të burgosur politik dhe e mban popullin në skllavëri’, etj. etj. Dhe ua kam prishur ato koncerte.
Pas asaj greve, protestave dhe mitingjeve, nga këto broshurat që keni dhe fotot e ndryshme, ju keni shkuar dhe keni folur edhe në Parlamentin Evropian në Strasburg dhe në Kongresin Amerikan. Si u bë e mundur kjo, që ju të shkonit dhe të flisnit në ato organizma të larta ndërkombëtare.
Fillimisht në prillin e vitit 1982 kur shkova në Athinë unë rrija në Omonia dhe aty kalon një djalë 35-40 vjeç dhe më flet anglisht. Unë nuk dija anglisht, dhe ai më thotë: “Nga je ti”? ‘Nga Shqipëria’ i them ‘nga Gjirokastra’. Më pyeti se çfarë bëja këtu, unë i thashë që isha arratisur nga Shqipëria, dhe punoja e jetoja në një shtëpi të vogël afër varrezave në Kiffisia. “Hajde me mua”, më tha ai dhe flet në telefon me disa, kur më vjen një “Xhip” i zi. Mua më sistemoi në një hotel luksoz, “Hilton” në Athinë, dhe kur shkuam atje, u tha pronarëve të hotelit, “Ky do të rrijë këtu’ dhe më çuan në një suitë të madhe dhe komode. “Të gjitha’ u tha atyre, ‘i ka të paguara nga mua”. Ky më sillte gazetarët dhe gjatë kohës që unë dhashë intervistat e para në gazeta, më vjen një eurodeputet që kishte parë këto gazetat dhe më thotë: “Fola me kryetaren e Parlamentit në Strasburg dhe më tha që: këto ditë do vish dhe me përkthyes do japësh intervistë për gazetarë nga 10 shtete”. Disa muaj më pas, në nëntor të atij viti, vajtëm në Strasburg dhe u ula në një kolltuk, kur vijnë dhe ca të tjerë dhe më thonë që do të qethesh, dhe do të vishesh mirë, pasi do të dalësh në intervistë. Fola unë atje në Parlamentin Europian, dhe e gjithë fjala ime që përkthehej i habiti ata deputetët, pasi ata s’kishin haber fare se ç’a ndodhte në Shqipëri.
Në Kongresin amerikan?
Në Kongresin Amerikan kemi shkuar në janar të vitit 1984 dhe më datë 24 kam folur në Shtëpinë e Bardhë, edhe atje u habitën të gjithë për ato që dëgjonin. Ky greku që më shoqëronte, më tha: “Do të flasim me xhaxhain tënd këtu në SHBA dhe foli në telefon me të. Dhe ai erdhi në Greqi dhe na takoi, por pas 8 viteve.
Nuk ishit takuar ju me dy xhaxhallarët tuaj, Jorgon dhe Anestin që ishin arratisur që nga viti 1944’45-së?
Jo jo nuk ishim takuar, ata as donin të dinin për ne, edhe pse familja jonë e vuajti internimin dhe burgun për shkak të tyre, ndonëse ata ishin adoleshentë kur ikën e u arratisën nga Shqipëria, nuk pyetën kurrë për ne. Ata të dy, Anastasi me Jorgon, jo për mua që nuk donin të dinin nëse isha gjallë apo jo, por ata kur erdhën në Greqi, nuk vajtën as në fshatin Glinë të shikonin varrin e babait të tyre?! Nuk dua të flas më shumë, pasi s’ua pata fare nevojën se kam çarë vetë për çdo gjë deri këtu ku jam sot.
Ndërkohë që ju ishit arratisur në Greqi, çfarë ndodhi me pjesën tjetër të familjes, që kishit lënë në Shqipëri, pra me bashkëshorten tuaj, djalin e vogël dhe nënën tuaj, pasi babai dihet që ishte në burg?
Pas arratisjes sime, e gjithë familja, pra nëna ime, Dhimitrulla, gruaja Maria bashkë me djalin e vogël, Anestin, pushteti komunist i Enver Hoxhës i hoqi nga internimi ku ishin në Kolonjë të Lushnjes dhe i internoi në fshatin e thellë, Luf të Pukës, ku ato ishin në kushte shumë të vështira. Pas disa kohësh, si duket edhe nga këto letrat që u bëja unë Enver Hoxhës, Ramiz Alisë, etj., ata pas disa kohësh i hoqën nga Lufi dhe i sollën në qytet në Pukë, duke i sistemuar në një pallat, ku ishin disi më ndryshe se atje ku ishin më parë.
Meqenëse përmendët letrat që i keni bërë Enver Hoxhës në atë kohë, ju ngrini problemin se bashkëshortes suaj, i bëhej presion për t’ju divorcuar juve dhe për t’u martuar përsëri, nga i kishit ju këto informacione në një kohë që ju ndodheshit në Greqi?!
Lidhur me këto presionet që i’u bëheshin grave për t’u ndarë nga bashkëshortët e tyre kur ata arratiseshin apo ishin nëpër burgjet politike, këto ishin gjëra të njohura, apo si të them ishin “normë” për regjimin komunist dhe ndodhnin me të gjithë, pasi ai regjim siç e dini dhe ju, synonte të godiste aty ku të dhimbte më shumë, pra te familja. Kishte shumë të dënuar apo të arratisur që divorcoheshin që të shpëtonin sadopak familjarët e tyre nga vuajtjet apo internimet, ndërsa në rastin tim kjo nuk ka ndodhur, përkundrazi, siç e keni parë dhe te letrat, unë i’u kam bërë presion atyre që donin të më prishin familjen dhe bashkëshortja ime gjithashtu nuk ka pranuar kurrë divorcin, pasi ajo pati presione të shumta. Këto gjëra ato m’i treguan kur u lejuan në vitin 1990-të të vinin përgjithmonë në Greqi, por unë dija që në atë kohë se ç’ndodhte me familjen time dhe babanë që ndodhej në burg, nga këta të arratisurit që vinin në Greqi. Kishte plot që arratiseshin sa kishin dalë nga burgjet etj., dhe prej tyre ne mësonim gjithçka, pasi aq ishte Shqipëria. Por për fatin e familjes sime dhe presioneve që i bëheshin atyre, unë munda të informohem nga një vajzë apo grua e re të cilën e takova rastësisht kur rrija në sheshin OMONIA.
Si u njohët me të dhe çfarë ju tregoi?
Duke ndenjur në Omonia, më bëri përshtypje veshja e saj me kostum kombëtar të zonës sonë të minoritetit dhe kur i’u afrova të flisja me të, pasi dukej që ishte shqiptare, ajo më foli vetë e para. Gjatë bisedës, kush je ti dhe kush jam unë, ajo njihte dhe kishte shumë informacion për familjen time dhe më tregoi ato që dinte për vuajtjet e tyre, babain që e kisha në burg, djalin tim, Anestin që ishte i dalluar në shkollë dhe nuk e nxirrnin në tabelë të nderit prej babait të arratisur, etj., etj., gjë të cilat rezultuan të vërteta më vonë kur erdhi familja ime në Greqi.
Në ç’rrethana gjendej aty dhe nga i dinte të gjitha ato për familjen tuaj?
Kurrë nuk e morra vesh atë gjë, pasi edhe ajo u largua shpejt dhe nuk qëndruam gjatë. Mund të ishte e futur nga Sigurimi i Shtetit që të më takonte mua dhe të më tregonte ato vuajtje të familjes ime, duke menduar se unë do pendohesha dhe do kthehesha në Shqipëri, etj. Nuk e di si është e vërteta rreth asaj vajze që m’u afrua vetë dhe më tregoi ato, por jam i bindur se nuk ishte thjesht rastësi, pasi dikush fshihej pas saj.
Kur ju erdhi familja në Greqi dhe si u bë e mundur ajo gjë?
Familja ime, pra; nëna, Dhimitrulla, gruaja, Maria me djalin, Anestin, u lejuan të vinin në Greqi në muajin maj të vitin 1990-të, ndërsa vizat ua dhanë që në muajin prill, duke qenë ndër të parët që lejoheshin të dilnin jashtë nga Shqipëria. Kjo gjë u bë e mundur, jo se u treguan të dhembshur ata që e kishin në dorë këtë punë, pra udhëheqja shqiptare e asaj kohe, apo Ministria e Punëve të Jashtme, por sepse u detyruan që t’i lejonin pas një proteste që bëra unë para Ministrisë së Jashtme në Athinë, duke i prishur një takim, ministrit të Punëve të Jashtme të Shqipërisë, Reiz Maile, që priste të takohej me homologun e tij grek.
Si ja prishët takimin?!
Unë, pasi kisha marrë vesh takimin mes dy ministrave, pasi ato gjëra bëheshin publike përpara nga gazetat dhe radio e televizioni, bashkë me disa shokë të mi, shqiptar të arratisur, bëmë planin që t’ja prishnim atë takim. Unë mora një kuti të madhe me vezë, të mbushur plot sa mezi e mbaja dhe 6 orë para atij takimi, hipa në një pemë që ndodhej në oborrin e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Greqisë, dhe qëndrova aty pa lëvizur që të mos më shikonin ata të policisë dhe të sigurisë. Dhe kur erdhi ministri Reiz Maile, e qëllova me vezë nga lart, duke i’a bërë kostumin gjithë njolla, saqë ai u detyrua të futej përsëri në makinë dhe u prish takimi, pasi erdhi policia dhe unë nuk pranoja të zbrisja nga pema për orë të tëra, deri sa sollën ata të zjarrfikëseve me shkallë. Kjo ngjarje bëri bujë të madhe pasi përveç gazetave greke dhe televizionit, po atë natë këtë lajm e dha edhe Radio-Televizioni kryesor i Jugosllavisë së asaj kohe, Beogradi. Që pas kësaj ngjarje, ata të Tiranës si duket ranë në hall me mua dhe pas disa muajsh më lejuan familjen të vinte në Greqi.
Kush ishin ata shokët tuaj që të ndihmuan tek ajo ngjarje?
Ishin dy kushërinj të parë nga Saranda me mbiemër Qirjazi, Fane e kishte njeri, ishte një Beni nga Elbasani që kishte qenë çiklist, etj. S’ua kujtoj të gjithëve emrat për momentin, por këta ishin kryesorët që më mbështesin, djem trima dhe besnik, kurse ata të tjerët ishin shokët e tyre.
Po babain tuaj, Dhosin, kur dhe si e lejuan të vinte në Greqi?
Babai u lejua të vinte dy tre muaj më vonë, pra pasi kishte ardhur nëna me gruan dhe djalin. Dhosin e morën nga Spaçi dhe e dërguan në Ballsh dhe aty e liruan. Para se ta lironin, ata i thanë babait, thuaj: “Rroftë Partia, që po të liron nga burgu’, dhe ai u tha: “Poshtë partia, mua nga burgu më nxori djali, jo juve”!
Nga i dinte babai ato, që ai po lirohej nga burgu prej jush?!
Në atë kohë ishte zbutur pak situata dhe ai e dinte që më kishte ardhur nëna me gruan dhe djalin në Greqi, pasi ne merreshim vesh me letra, por dhe të burgosurit i tregonin dhe i thonin: “Booo ç’po bën një djalë në Greqi, një Ilia Leka…, po çmend gjithë shtetin”. Dhe ai gjithë gëzim u thoshte: “Është djali im ai”.
Pas ardhjes së familjes suaj në Greqi, si rrodhi jeta juaj?
Pasi më erdhën të gjithë në Greqi, unë nuk kisha nevojë më të merresha me ambasadën shqiptare dhe shtetin shqiptar, por pashë hallet e mija, pasi këtu më lindi dhe djali i dytë, të cilit i kam vënë emrin e babait, Dhosi. Vazhdova studimet që kisha filluar për Drejtësi, duke u diplomuar në vitin 1991 dhe po atë vit m’u dha liçensa e avokatisë dhe nisur nga ajo punë, kam ndihmuar shumë shqiptarët që erdhën në Greqi që nga dhjetori i vitit 1990-të kur këta të fshatrave kufitare hapën kufirin me dhunë e më pas. I kam ndihmuar shqiptarët me të gjitha mundësitë që kam pasur, duke iu bërë letrat e dokumentet zyrtare, duke ndërhyrë për bursa dhe të drejta studime, etj. Aktualisht jetoj në Athinë me bashkëshorten time, Marien (me origjinë nga Kakavija ,me të u njoha kur punoja në Elbasan), dhe me dy djemtë, Nestin dhe Dhosin, të cilët janë të diplomuar dhe me punë të mira. Nesti ka dhe dy fëmijë që na ndriçojnë shtëpinë.
Zoti Ilia, para se ta mbyllim dhe t’ju falenderoj për këtë intervistë të gjatë, nëse keni gjë tjetër për të shtuar.
Këto që ju thashë janë vetëm një pjesë fare e vogël e jetës sime si në Shqipëri ashtu dhe në Greqi, pasi duhen ditë të tëra t’ju tregoj historinë time. Edhe unë ju falenderoj juve për intervistën edhe për dokumentet që keni gjetur e botuar, pasi njerëzit duhet ta dinë se çfarë kemi hequr ne nga regjimi komunist i Enver Hoxhës. Nuk mund të rri pa falënderuar të gjithë ata bashkatdhetarë të mi në Shqipëri që më janë gjendur dhe më kanë ndihmuar në kohët më të vështira që ka kaluar familja ime dhe unë personalisht, pasi ishim dhe të prekur politikisht. Nuk di nga t’ja filloj se janë me dhjetëra, por më lejoni që të përmend disa prej tyre, si p.sh., ish-Drejtorin e Bonifikimit në Fier, gjeneralin Nexhip Vinçani që më dha një banesë kur punoja në Fier, edhe pse isha beqar, i pamartuar atëhere. Komandantin e repartit ushtarak 19-14 në Bestrovë të Vlorës, Ilo Myzeqarin dhe Thanas Hysin, inxhinier ushtarak aty, që më dha kategorinë e VI-të për mekanik dhe me atë profesion hëngra bukë kudo që shkova. Shokun tim të shkollës së 8-vjeçares, Thoma Boçin nga fshati Bubullimë i Lushnjes, i cili edhe pse u bë Punëtor Operativ i Sigurimit të Shtetit, më lajmëroi se do të më arrestonin dhe nuk ja harroj kurrë. Po kështu, Shefit të Sigurimit në Elbasan, Nikolla Binjakut, i cili ndryshe si ja donte puna që bënte, më tregoi se çfarë duhej të bëja në ato ditë kur pritej arrestimi im. Hetuesi Besnik Ymeri, po në Elbasan, një djalë i shkëlqyer, i cili nuk firmosi arrestimin tim sipas letrave që i kishin dërguar, por shkoi vetë deri në fshatin Glinë dhe u tregoi atyre që mohuan ato firma që kishin vënë për mua, duke i’u thënë se ishin të tyre dhe nuk i ka falsifikuar Ilia Leka. Po të mos e bënte ai atë gjë, unë do isha arrestuar menjëherë, prandaj i jam mirënjohës për jetë. Po kështu, bashkëfshatarit tim nga Glina, Kosta Çobo, që më ka mbrojtur aty në Këshillin Popullor kur u verifikuan ato dokumente për mua. Qani Sadikun, me origjinë nga Markati i Sarandës, ish-i burgosur politik në Spaç, një antikomunist i vendosur që është kujdesur dhe ka ndihmuar babanë tim, Dhosin, kur vuanin dënimin të dy në Spaç, e shumë e shumë të tjerë që s’i kujtoj dot tani të gjithë dhe s’dua të zgjatem, por i falënderoj të gjithë./Memorie.al
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016