Dashnor Kaloçi
Pjesa e tetë
Memorie.alpublikon disa pjesë nga libri voluminoz autobiografik në dorëshkrim “Tokë e bukur, njerëz të shëmtuar” (kujtime nga xhehnemi) me autor, Kasem Hoxha me origjinë nga fshati Markat i Sarandës dhe me banim në SHBA që nga viti 1985, kur ai u arratis nga Shqipëria, pasi kishte vuajtur dhjetë vite në burgjet e regjimit komunist të Enver Hoxhës. E gjithë historia e trishtë dhe e dhimbshme e Kaso Hoxhës, që nga jeta dhe puna e vështirë në fshatin e tij në skajin më jugor të vendit, pakënaqësia ndaj regjimit dhe poezitë e para me karakter politik, si ranë ato në dorë të Sigurimit të Shtetit dhe kush ishin të afërmit e tij që e spiunuan, arrestimi në zyrën e Kryetarit të Këshillit Popullor të fshatit Markat, nga Sigurimi i Shtetit më 21 qershor të vitit 1973, hetuesia në Degën e Punëve të Brendshme të Sarandës, gjyqi ndaj tij dhe dënimi me 10 vite burg për “agjitacion e propagandë”, qëndrimi në “Kaushin” e Tiranës (Reparti 313), dhe të burgosurit që gjeti aty, dërgimi në Spaç e puna në atë kamp, me policët e oficerët kriminelë dhe të “butë”, bashkëvuajtësit e përshkrimi i “portreteve” të tyre me anët pozitive dhe negative, lirimi nga burgu dhe kthimi në fshat, arratisja në Greqi dhe qëndrimi në kampin e Llavros-it, fitimi i azilit politik për në SHBA-ve, korrespodenca me organizatën Amnesty International, e degës së Londrës, informacionet me të dhënat që u dërgonte për të burgosurit e Spaçit dhe regjimit komunist në Shqipëri, e deri tek krijimi i familjes së re dhe jeta e puna në atë vend të largët, me komunitetin çam të përçarë nga intrigat e njerëzve të Sigurimit të Shtetit nga Shqipëria që vepronin atje.
Pjesë nga libri në dorëshkrim, “Tokë e bukur, njerëz të shëmtuar”, (kujtime nga xhehnemi) i autorit, Kasem Hoxha, dërguar prej tij ekskluzivisht për Memorie.al
Prolog
Lexues të dashur!
Mos ja vini veshin titullit që po ju paraqes, dua të them, se sikur mos të jeni të duruar për të lexuar këtë përmbledhje me kujtime, po të doni ta falni autorin, se stili i tij është i zbehtë, i pafrymëzuar përpara kësaj drame të madhe, të popullit tim, të kombit tim martir.
Personazhet e mi, nuk janë të krijuar nga fantazia ime, por janë njerëz të vërtetë, janë vëllezërit tuaj, baballarët tuaj, të afërmit tuaj. Ngjarjet nuk janë të trilluara, por reale e të jetuara. Ju do të bindeni vetë, vetëm pasi të keni lexuar këtë përmbledhje me kujtime. Ju do gjeni diçka nga jeta juaj, diçka të vërtetë nga jeta e baballarëve tuaj, e nënave tuaja, e vëllezërve tuaj, se si vuajtën se si vdiqën.
Këtë përmbledhje kujtimesh, e shkrova për amanetin që më lanë shokët, që bota të mësojë të vërtetën, se si u torturuan, si vuajtën, si vdiqën, njerëz të pafajshëm, nëpër kampet dhe burgjet e xhelatit, Enver Hoxha!
Unë shkoj me shpresë se cilido lexues, shqiptar ose i huaj, nuk më mbetet hatëri, nga kritika, rrahja e mendimeve të kundërta, pasi është mënyra më e mirë për të gjetur të vërtetën. Titulli i librit, “Tokë e bukur, njerëz të shëmtuar”, do t’i zëmëroj lexuesit, por në fund, do arrij në konkluzion se kam të drejtë, ta quaj “Epokën 45-vjeçare të regjimit komunist satanik të Enver Hoxhës”: Të shëmtuar.
Unë, mjerisht, për fatin e keq që pata, pashë dhe jetova dramën e madhe që ndodhi përpara syve të mij. Nuk jam as poet dhe as gojëtar, do më duhet punë e madhe që t’i shpëtoj gabimeve letrare në këtë libër historik, që mund të frymëzojë poetët dhe shkrimtarët e ardhshëm, mbi tragjedinë e kohës sonë, të kohës më të zezë të kombit tim!
Zotërinj lexues, ju uroj të gjithëve të keni liri dhe paqe…!
Kaso Hoxha.
Llavrio, Greqi 1985
Unë ngula këmbë që i gjeta, ndryshe do të fusja në bela xha Idrizin. Ai më tha se kisha shkelur rregullin e burgut që të dënonte me 30 ditë izolim në birucë, por: “ti ishe duke lexuar veprat e Partisë”, u shpreh ai, dhe për këtë, më dënuan vetëm 15 ditë. Ai i dha urdhër policit që të më fuste në birucën e izolimit, të cilat ishin në zonën neutrale. Përsipër këtyre, mbi tarracë qëndronte roja me mitraloz, e prozhektor që e bënin natën ditë. Aty ishin katër biruca të betonuara me përmasa 1.5 metra me 2 metra, pa asnjë farë dritareje dhe vetëm me një korridor të ngushtë përpara, e WC-ja e mbuluar me hekura. Vërtet një kafaz i madh.
Kisha dëgjuar nga të burgosurit, që ishte një torturë që nuk mund të thuhet. Nëse ishte dimër, të hiqnin çfarë kishe veshur dhe të linin vetëm me këmishë e xhaketë behari që të ngrije, duke qenë vetëm një i dënuar në qeli. Kurse në behar që bënte shumë nxehtë, fusnin dhjetë të dënuar në qeli. Gjatë dimrit, të burgosurit mundeshin që të zbatonin rregulloret, pasi e dinin që i priste një ferr i vërtetë, kurse tortura e të ftohtit, të bënte tuberkuloz, dhe shpejt ose vonë, shkoje në një varr, kush e di se ku!
I dënuar në birucë, me Zef Ashtën, gjysmë i vdekur!
Polici më urdhëroi që t’i hiqja rrobat e tepërta. “Do mbash vetëm këmishën, xhaketën e hollë, dhe pantallonat verore”, urdhëroi Pjetër Koka. Ishte fundi i marsit dhe bënte shumë ftohtë. Pa e kundërshtuar, u zhvesha, nëse do ta kundërshtoja mund të haja dhe dru. Më futi në birucën nr 2. Brenda ishte Zef Ashta, një plak shumë i urtë, rreth 75 vjeç. “Po ti, e pyeta ‘çfarë bëre”?! “Asgjë bre, u vonova pak në WC dhe po ngrij këtu, pasi kam një javë në këtë qeli të akullt”, m’u përgjigj Zefi.
Ky plak kishte më tepër se 25 vjet që dergjej nëpër burgje. Kishte qenë oficer në kohën e Mbretit Zog. Zefi nuk u pajtua me komunistët kur ata erdhën në pushtet dhe për këtë po e paguante rëndë! Ndenja një javë me Zefin në atë qeli të akullt. U mbështetëm kurriz më kurriz për t’i ngrohur mishrat njëri tjetrit. Të ftohtit na kishte hyrë deri në kockë, pasi një palo batanije të vjetër që na e jepnin në orën 21.00 të darkës, dhe na e merrnin në 05 të mëngjesit, nuk na mbronte fare. Zefi ishte me temperaturë dhe me siguri kishte marrë pneumoni. Ai kollitej natë e ditë dhe unë gjithashtu. Megjithëse ishim të mbyllur në atë kafaz të betonit, ata na bënin apelin nëse ishim gjallë apo vdekur!
Një mëngjes nuk m’u durua dhe i thashë policit: “ky plak është sëmurë dhe po vdes”. Polici, Preng Rrapi, u zgërdhi duke më kërcënuar se do të më godiste me kërbaçin e zi prej llastiku. “Si mendon, ty të sollën për konvaleshencë këtu?! Qen bir qeni, këtu të kam mbyll për me vdekë”, tha ai gjithë mllef dhe mbylli derën e hekurt, duke e përplasur me forcë. S’kisha se çfarë të thosha më pas atyre fjalëve të tij dhe u ula këmbëkryq në çimento, pranë Zef Ashtës, që dergjej nga ethet.
Pas dy orësh, polici hapi derën e birucës sonë. Ai kishte sjellë doktorin e burgut, dhe ky një i burgosur. Doktor Muhamet Kosovrasti, i dënuar me 25 vjet burgim. Polici pyeti: “Kush është i sëmurë, se ti the që të dy jemi të sëmurë”?! Ai e urdhëroi doktor Muhametin që të na shikonte, nëse kishim temperaturë. Zefi nuk mund të qëndronte në këmbë. Ai ishte gati që të rrëzohej përdhe, por unë e mbajta nga krahët.
Doktori i vuri termometrin Zefit më parë dhe vuri re se temperatura e tij ishte 40 e ca vija. Pastaj m’a vuri termometrin dhe mua e më tha që ajo sa vinte dhe shtohej. Doktori i tha policit që të dy janë me temperaturë të lartë, ndërsa polici tha që do të vendoste oficeri i rojës, nëse do të na jepnin mjekim!
Aty nga darka, polici erdhi përsëri dhe hapi derën e birucës tonë. Unë u ngrita në këmbë sipas rregullores, kurse Zefi jo. Ai nuk mund të qëndronte në këmbë, kurse unë isha bërë si i paralizuar. Vërtet puna në galeri ishte tepër e vështirë dhe torturuese, por izolimi i birucës ishte akoma dhe më keq. Polici më dha urdhër që të shkoja në Infermieri për t’u mjekuar, kurse për Zef Ashtën, i tha tellallit të burgut, Jorgji Zgurit, të sillte dy të burgosur që të ngrohnin Zefin gjysmë të vdekur.
Komisari i burgut: Partia mendon për të burgosurit, jo si në vendet kapitaliste!
Në Infermieri më priste doktor Muhamet Kosovrasti. Infermieria kishte nja dhjetë shtretër për mjekimin e të sëmurëve. Komisari i burgut, Shahin Skura, gjithnjë thoshte se: “Partia, mendon për shëndetin dhe rehabilitimin e të burgosurve, sepse burgjet tona nuk u ngjajnë burgjeve të kapitalizmit, ku të burgosurit vdesin nga uria”, e dokrra të tjera të kësaj natyre që ne nuk i hanim kollaj.
Doktori na vuri në kurim me antibiotikë menjëherë dhe kërkoi nga kuzhina të na sillnin ushqime të ngrohta. Shokët e brigadës ku punoja, sa e morën vesh se isha i sëmurë dhe i shtruar në infermierinë e burgut erdhën të më vizitonin. Të gjithë më sollën ushqim, dikush qumësht, dikush bëri pelde, dikush supë orizi etj. Pas nja dy tre ditëve, unë u ngjalla, nuk kisha më temperaturë, por frikën e kisha se do të më çonin përsëri në birucë për të mbaruar dënimin.
Fatmirësisht, nuk e di nëse e harruan, apo më falën, por pas pesë ditëve, më lanë të lirë të shkoja në galeri dhe të punoja. Ky i ftohtë që kalova, që ishte një pneumoni, e cila i dëmtoi mushkritë e mija, pasi tymi dhe pluhuri, i shkatërronin edhe më keq dhe sa vinte gjendja time shëndetësore përkeqësohej.
U konsultova me shokun tim, Doktor Vasil Zogën, se çfarë mund të bëja që t’i shpëtoja punës në galeri. Doktor Vasili më dha disa këshilla të vlefshme, për t’u ankuar në Zyrën Teknike që t’u thoja se isha i paaftë që të punojë në një minierë bakri. Ishte një farë justifikimi i mirë, në qoftë se Komanda e Burgut do t’a aprovonte, pasi kush kundërshtonte të punonte, vdiste në birucat e izolimit dhe njëkohësisht dënohej për “sabotim ekonomik”!
Unë u ankova shumë herë, pasi u sëmura disa herë me temperaturë të lartë deri në 40 gradë. Mushkritë e mija ishin keq, pasi kur kollitesha, nxirrja sekrecione dhe kjo gjë vazhdoi për një kohë të gjatë.
Shoku im i fëmijërisë, Qani Sadiku, në burg me mua në Spaç
Një ditë, aty nga maji i 1975-ës, në dhomë erdhi Behar Kodra, një i dënuar që për çudi i njihte të gjithë të burgosurit dhe ky ishte lajmëtari i burgut! Behari nuk përtonte të shkonte dhomë më dhomë, e të jepte lajmin edhe se çfarë kishim për drekë!
Ai thërriti: “Kasem ku je”? Unë po lexoja në krevatin tim. “Çfarë ka ndodhur Behar”, e pyeta. “Erdhën të burgosur të rinj, janë nja 15 a 20 dhe një djalë i ri të kërkon”, m’u përgjigj Behari. U habita se kush mund të ishte ky dhe i thashë Beharit që ta drejtonte për në “Kaushin” Nr. 7 ku rrija unë. Për çudi, dikush tjetër e informoi se në çfarë dhome unë flija.
Nuk u besova syve, kur pashë Qani Sadikun, fshatarin tim, i biri i Beqos dhe i Dudës, shoku im i vegjëlisë, që s’e kisha parë që nga dita kur shkoi ushtar. Qaniu ishte një vit më i madh se unë. Kur mbaroi ushtrinë ai nuk u kthye më në fshat, por aty ai kishte dy prindërit dhe katër vëllezër dhe një motër. Kur erdhi në Spaç, u gëzova aq shumë që kisha afër një njeri nga fshati im, por njëkohësisht më theri thellë në shpirt, që ai pati fatin tim. Nuk ja doja as hasmit tim, një fat të tillë: i mbyllur thellë në galeritë varr, gjithë pluhur e tym të Spaçit.
Qaniu ishte tepër i dashur në shoqëri, për një kohë të shkurtër u njoh me të gjithë të burgosurit e Spaçit dhe nuk i dallonte dot miqtë nga armiqtë. Të gjithë njëlloj i donte. Ai ndodhej kudo, zihej me policin për hiç gjë e për çdo gjë, e sidomos me polic, Preng Rrapin. Kështu që kohën më të madhe e kalonte në birucat e izolimit.
Mbaj mënd, njëherë kur i erdhi nëna në takim (Dudia), ai ishte i dënuar me 30 ditë izolim në birucë, e nëna, s’kishte të drejtë të shihet djalin në takim! Dhe me të vërtetë ashtu ndodhi. Nëna e tij erdhi dhe nuk e lanë që të shihte birin e saj, edhe pse ajo kishte bërë tre ditë rrugë (nga Markati i Sarandës), që të arrinte në Spaç.
Nëna e Qaniut, u ankua në Komandë, se si ishte e mundur, për çfarë arsyesh nuk e linin djalin që të takohej me nënën e tij?! Ata i thanë: “Ka thyer rregulloren e burgut dhe për këtë arsye, e kemi mbyllur në birucë”. Nëna e Qaniut, e tmerruar e pyeti komisarin, Shahin Skurën: “Po si është e mundur shoku komandant, edhe pse djali im është në burg, unë nuk e di, se brenda këtu në burg, ka dhe një burg tjetër?! Në qoftë se do ta dija, nuk do ta merrja këtë rrugë të gjatë të vija këtu”, i’u përgjigj Dudia me ngashërim dhe duke qarë. “Kemi rregulloren dhe rregulloren nuk e shkelim”, i’u përgjigj, Shahin Skura. “Në do t’ja lësh ushqimet, lëri, do t’ja japim kur të mbaroj dënimi”, vazhdoi Shahini. Dudija ju lut, nëse ishte e mundur, të takonte Kasëm Hoxhën. Ajo e pyeti komisarin: “Kam një fshatar këtu, e quajn Kaso, a mund ta shoh?” Shahini për t’u treguar i mëshirshëm, i tha: “Po, mund ta shohësh, nuk ka problem”.
Mashtrimet e komisarit Shahin Skura, për nënën e shokut tim!
Tellalli i burgut, Jorgji Zguro, thirri emrin tim, duke thënë që unë të paraqitesha tek oficeri i rojës. Vrava mendjen, përse po më kërkonin, pasi unë nuk kisha thyer rregulloren?! Dola tek porta e post-bllokut, dhe ç’të shihja?! Nënë Dudia, e veshur me rroba të zeza, qëndronte në anën tjetër të hekurave!
E përshëndeta. Nëna e Qaniut qante me ngashërima dhe më pyeti: “Ku është Qaniu”?! S’kisha përgjigje për atë nënë që qante me lot! Qaja dhe unë. Besoja se ishte një përgjigje e mirë për t’u kuptuar, se çfarë do të thoshte Spaç, duke i thënë: “Kurajo, jepi të fala të gjithëve. Lamtumirë”!
Polici që vëzhgonte takimin, e urdhëroi plakën e mjerë që të largohej. Unë mora atë çantë me pak ushqime që solli për Qaninë dhe e vura në depo të ushqimit. Qaniu doli nga biruca pas një jave, kockë e lëkurë. I tregova për takimin e dhembshëm me nënën e tij. “Janë shumë të poshtër”, u shfry Qaniu. Pas apelit të mbrëmjes, si gjithnjë, na lexuan me orë të tëra duke ndenjur në rresht, veprat e “shokut Enver” dhe kur mbaroi leximi, doli në shkallët para nesh, komisari Shahin Skura. Ai çdo ditë fliste diçka për veprat dhe realizimet e Partisë në vitet e socializmit.
“Para disa ditëve, erdhi në takim të shihte djalin e saj, një nënë patriotike, e cila i kërkoi ushtarit që bënte roje me automatik, ta lejonte të shkonte në birucë, të pushkatonte djalin e saj! Por ne nuk e lamë. I thamë se kemi ligje dhe zbatojmë ligjet, por ajo iku e zëmëruar”.
Shahin Skura, me ato makabritete që ishin pjellë e fantazisë së tij të sëmurë prej asaj ideologjie që e kishte indoktrinuar deri në ekstrem, donte t’u thoshte të burgosurve: “Se, as familjet tona nuk na donin”! Ky ishte një idiot i tërë dhe asnjë nga të burgosurit nuk mashtroheshin me këto dokrra të këtij xhahili të zellshëm.
Shumë të burgosur, ishin të sëmurë rëndë, pasi kushtet e punës dhe ushqimi i keq, i kishte bërë të burgosurit “Tuberkuloz”. Një nga ata isha dhe unë, pasi pluhuri i galerive ishte bërë si beton në mushkëritë e mija. Qaniu gjithnjë ankohej për një dhimbje të padurueshme në stomak, ndoshta nga uria, ndoshta nga një ulçër e mundshme.
Megjithëse i sëmurë, nuk jepesha, por studioja edhe më tepër. Kur të gjithë flinin, në “Kaushin” tim, unë lexoja ose shkruaja diçka. Shoku im i punës, Bardhosh Gjonzeneli, kurrë nuk pushonte së shari “larot e Tiranës”! Ai u fliste të burgosurve hapur gjithnjë, duke thënë: “Më keq nga ç’jam, nuk bëhet, pse duhet të rrojmë kështu”, mërmëriste ai: “Rrojnë mizat në bith të mushkës, rrojmë dhe ne?! Jetë është kjo”?!
Bardhoshi ishte një personazh i veçantë dhe unë e doja dhe e respektoja. Nuk kisha frikë. Gjithnjë i jepja nga shkrimet e mija, të lexonte bashkë me Qaninë, më tepër për të plotësuar apo hequr diçka nga ato që kisha shkruar unë. Shkrimet i mbaja brenda në kashtën e dyshekut, pasi ishte tepër me rrezik në qoftë se policia i gjente! Mund edhe të më pushkatonin, për përmbajtjen anti-regjim të Enver Hoxhës, pasi i tillë ishte “Xhehnemi 303”. Ishin vargje që shprehnin realitetin.
Vendimi im për të mos punuar më në galeri!
Në vitin 1976, vendosa që mos të punoja më në galeri, duke pretenduar se isha i sëmurë. Ky vendim kishte pasoja të rënda. Mund të më dënonin në birucë, ose të më shtonin dënimin, duke më akuzuar si “sabotator”. Doktori i burgut, kishte bërë një listë me të burgosurit që pretendonin se ishin të sëmurë dhe në atë listë edhe Qani Sadiku. Komanda e burgut solli një makinë me aparaturë që të bënim radiografi, për të parë nëse vërtetë ishim të sëmurë, apo bënim vetë, që t’i shmangeshin punës në galeri. Dikush i kishte thënë Qaniut, se para se të shkonte për të bërë radiografinë, të gëlltiste një kopsë të zezë, e cila në stomak do të dukej si ulçër.
Ide shumë e mirë. Dhe më te vërtetë kështu bëri Qaniu. Ai kaloi në radiografi dhe mjeku ushtarak që bëri ekzaminimin, pasi e vuri re atë njollë të zezë në stomakun e Qaniut, e pyeti se sa kohë kishte që ishte i sëmurë. Qaniu i’u përgjigj se kishte disa vjet që i dhimbte stomaku. Ndërsa kur u vizitova unë, mjeku më diagnostikoi dhe nxori konkluzionin se mushkëritë e mija ishin të sëmura. Ishte një fitore e vogël për mua dhe Qaniun, por kjo nuk do të thoshte se do kuroheshim për ato probleme që na dolën me shëndetin!
Doktori i burgut na tha se ne duhet të prisnim një kohë të gjatë, sepse Spitali i Burgut në Tiranë, nuk kishte vende! Komanda nuk na hoqi nga puna në galeri edhe pse ne na kishin diagnostikuar si të paaftë fizikisht për punë. Tani unë duhej ta shfrytëzoja këtë rast, duke thënë se isha i sëmurë dhe si i tillë, nuk mund të punoja dot në një ambient me pluhura dhe tymra, siç ishte miniera ku punonim ne të burgosurit.
Kundërshtova të hyja në galeri dhe më lidhën në shtyllë
Nuk mund të punoja në një ambient me tym dhe pluhura të minierës. Kundërshtova të hyja në galeri. Policia sipas rregullores së tyre, më lidhi me hekura. Polici, Mark Marku, ishte një tjetër xhahil. Ishte mars, dhe bënte ftohtë. Ai më lidhi pas shtyllës me duar prapa, pa të drejtë, që të mos urinoja në këmbë. Unë vendosa të mos punoja në galeri, duke pretenduar se isha i sëmurë. Por frika më e madhe që më shtynte të merrja këtë vendim, ishte pasiguria në atë minierë primitive, ku hyje dhe s’dije a do dilje më i gjallë!
Shumë shokë vdiqën, sepse miniera ishte e pa siguruar dhe shembej aty ku nuk e prisje. Më mirë i vdekur në qeli thashë, se në atë errësirë gjithë tym. Ashtu i lidhur me orë të tëra, trupi më kishte ngrirë, dhe s’mbaj mënd se çfarë ndodhi më pas. Kur u përmenda, e gjeta veten në birucë. Pranë më rrinte Dilaver Hasa që ne e quanim “Suedezi”. Ai i bënte masazh trupit tim të ngrirë. “Po ti’ i them, ‘çdo këtu”?! “Më dënuan në birucë, sepse dje nuk realizova normën”, ma ktheu Dilaveri. Ai ishte 45 vjeç burrë, dhe akoma nuk ishte dobësuar. Fytyra e tij dukej akoma e freskët dhe e shëndetshme. Shprehje shumë e mirë për një, jetesë në Suedi.
Në këtë vrimë 1 m e 40 cm, unë u dergja një muaj me Dilaverin. Mësova shumë gjëra të reja nga bota prej një njeriu, që e kishte jetuar nga afër. Një informacion tepër i vlefshëm për ëndrrat e mia që flinin thellë në ndërgjegje. Ja se çfarë më tha ai për veten e tij, duke më treguar gjerë e gjatë të gjithë historinë e tij.
“Kasim, unë kam qenë në parajsë, me vullnetin tim dhe me dashje unë ika nga andej duke hapur me duart e mia portat e ferrit dhe….” /Memorie.al
Vijon numrin e ardhshëm
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016