Dashnor Kaloçi
Pjesa e gjashtëmbëdhjet
Memorie.al publikon disa pjesë nga libri voluminoz autobiografik në dorëshkrim “Tokë e bukur, njerëz të shëmtuar” (kujtime nga xhehnemi) me autor, Kasem Hoxha me origjinë nga fshati Markat i Sarandës dhe me banim në SHBA që nga viti 1985, kur ai u arratis nga Shqipëria, pasi kishte vuajtur dhjetë vite në burgjet e regjimit komunist të Enver Hoxhës. E gjithë historia e trishtë dhe e dhimbshme e Kaso Hoxhës, që nga jeta dhe puna e vështirë në fshatin e tij në skajin më jugor të vendit, pakënaqësia ndaj regjimit dhe poezitë e para me karakter politik, si ranë ato në dorë të Sigurimit të Shtetit dhe kush ishin të afërmit e tij që e spiunuan, arrestimi në zyrën e Kryetarit të Këshillit Popullor të fshatit Markat, nga Sigurimi i Shtetit më 21 qershor të vitit 1973, hetuesia në Degën e Punëve të Brendshme të Sarandës, gjyqi ndaj tij dhe dënimi me 10 vite burg për “agjitacion e propagandë”, qëndrimi në “Kaushin” e Tiranës (Reparti 313), dhe të burgosurit që gjeti aty, dërgimi në Spaç e puna në atë kamp, me policët e oficerët kriminelë dhe të “butë”, bashkëvuajtësit e përshkrimi i “portreteve” të tyre me anët pozitive dhe negative, lirimi nga burgu dhe kthimi në fshat, arratisja në Greqi dhe qëndrimi në kampin e Llavros-it, fitimi i azilit politik për në SHBA-ve, korrespodenca me organizatën Amnesty International, e degës së Londrës, informacionet me të dhënat që u dërgonte për të burgosurit e Spaçit dhe regjimit komunist në Shqipëri, e deri tek krijimi i familjes së re dhe jeta e puna në atë vend të largët, me komunitetin çam të përçarë nga intrigat e njerëzve të Sigurimit të Shtetit nga Shqipëria që vepronin atje.
Pjesë nga libri në dorëshkrim, “Tokë e bukur, njerëz të shëmtuar”, (kujtime nga xhehnemi) i autorit, Kasem Hoxha, dërguar prej tij ekskluzivisht për Memorie.al
Prolog
Lexues të dashur!
Mos ja vini veshin titullit që po ju paraqes, dua të them, se sikur mos të jeni të duruar për të lexuar këtë përmbledhje me kujtime, po të doni ta falni autorin, se stili i tij është i zbehtë, i pafrymëzuar përpara kësaj drame të madhe, të popullit tim, të kombit tim martir.
Personazhet e mi, nuk janë të krijuar nga fantazia ime, por janë njerëz të vërtetë, janë vëllezërit tuaj, baballarët tuaj, të afërmit tuaj. Ngjarjet nuk janë të trilluara, por reale e të jetuara. Ju do të bindeni vetë, vetëm pasi të keni lexuar këtë përmbledhje me kujtime. Ju do gjeni diçka nga jeta juaj, diçka të vërtetë nga jeta e baballarëve tuaj, e nënave tuaja, e vëllezërve tuaj, se si vuajtën se si vdiqën.
Këtë përmbledhje kujtimesh, e shkrova për amanetin që më lanë shokët, që bota të mësojë të vërtetën, se si u torturuan, si vuajtën, si vdiqën, njerëz të pafajshëm, nëpër kampet dhe burgjet e xhelatit, Enver Hoxha!
Unë shkoj me shpresë se cilido lexues, shqiptar ose i huaj, nuk më mbetet hatëri, nga kritika, rrahja e mendimeve të kundërta, pasi është mënyra më e mirë për të gjetur të vërtetën. Titulli i librit, “Tokë e bukur, njerëz të shëmtuar”, do t’i zëmëroj lexuesit, por në fund, do arrij në konkluzion se kam të drejtë, ta quaj “Epokën 45-vjeçare të regjimit komunist satanik të Enver Hoxhës”: Të shëmtuar.
Unë, mjerisht, për fatin e keq që pata, pashë dhe jetova dramën e madhe që ndodhi përpara syve të mij. Nuk jam as poet dhe as gojëtar, do më duhet punë e madhe që t’i shpëtoj gabimeve letrare në këtë libër historik, që mund të frymëzojë poetët dhe shkrimtarët e ardhshëm, mbi tragjedinë e kohës sonë, të kohës më të zezë të kombit tim!
Zotërinj lexues, ju uroj të gjithëve të keni liri dhe paqe…!
Kaso Hoxha.
Llavrio, Greqi 1985
18 dhjetor 1981, si u prit ne Spaç, lajmi për Mehmet Shehun?
18 dhjetor 1981. Si zakonisht kur vihej gazeta në stendën e emulacionit, të burgosurit lexonin faqen e fundit me lajmet e jashtme, por atë ditë ndodhi ndryshe! Me dhjetëra të burgosur shtyheshin njëri me tjetrin, që të lexonin diçka në faqen e parë të gazetës së Partisë, “Zëri i Popullit”! Lajmi u hap aq shpejt, sa të gjithë të burgosurit dolën nëpër ballkone dhe oborr, për të mësuar hollësira, pasi nuk u besohej, se kryeministri, Mehmet Shehu, kishte bërë vetëvrasje!
Ky lajm, ishte lajmi më i mirë për të burgosurit politikë, duke ngjallur tek të gjithë shpresat e humbura për 40 vjet! Lajmi në gazetë ishte tepër i shkurtër dhe pa shumë komente, ndërsa për arsyet e vetëvrasjes, vetëm theksohej se: “Kryetari i Këshillit të Ministrave, shoku Mehmet Shehu, vrau veten gjatë një krize nervore”.
Ishte e qartë se: rivali i tij, bashkëpunëtori i tij, shoku i tij dhe eprori i tij, Enver Hoxha, e fitoi duelin e fundit! Ne e dinim se Mehmet Shehu kishte klan të madhe në qeveri dhe prisnim me padurim se kush e kishte radhën!
Nga lajmet që na vinin aty në Spaç, thuhej se në janar 1982, Enver Hoxha mbajti një mbledhje sekrete me pjesëmarrjen e anëtarëve të Byrosë Politike. Ai tashmë kishte humbur besimin tek të gjithë bashkëpunëtorët që e rrethonin dhe Enver Hoxha e shpalli publikisht Mehmet Shehun, si “armik të popullit dhe një nga poli-agjentët më të rrezikshëm”, i cili po përgatiste një grusht shteti!
Nuk voni shumë dhe më 24 shtator, Enveri mbajti Plenumin e posaçëm, për të pastruar gjithë bashkëpunëtorët e Mehmetit, duke arrestuar Kadri Hazbiun, Feçor Shehun, Llambi Ziçishtin, Llambi Peçinin, të cilët i dënoi me vdekje një vit më pas, dhe shumë të tjerë nga Ministria e Mbrojtjes, nga Ministria e Brendshme, u dënuan me burgime të rënda.
Ne të burgosurit ishim të gëzuar nga këto lajme që na vinin dhe prisnim gjithë ankth, se çfarë do të ndodhte më tej. Pas këtyre ngjarjeve sensacionale të dhjetorit, shpresa e madhe ishte rritur më tepër tek të burgosurit. Fytyrat e venitura, sikur ishin çelur pak dhe kudo i shije të mbledhur në grupe, ku bisedonin, kuptohet për krizën që kishte mbërthyer udhëheqjen e lart të PPSH-së, duke bërë profecira dhe iluzione, se si do të ishte fundi i atyre ngjarjeve!
Tashmë s’ishte e vështirë të kuptohej qartë nga të gjithë, se Enveri po i forconte pozitat e tij dhe të bashkëpunëtorëve të tij të rinj në udhëheqjen e lartë, pas likuidimit të Mehmet Shehut me gjithë klanin e tij. Të gjithë këta bashkëpunëtorët e diktatorit, ishin “shpatë e mprehtë”, në duart e tij dhe ata ishin treguar të papërtuar dhe mjaft të zellshëm për realizimin e qëllimeve djallëzore e të palodhura, për t’i bërë realitet ëndrrat dhe paranojën e diktatorit, që për veprat e tyre kriminale, pak muaj më parë, i kishte dekoruar, duke i shpallur “Heronj të Popullit”!
Që nga viti 1975, burgjet ishin mbushur plot me njerëz të pafajshëm! Tashmë pritej të ndodhte ajo që prisnim prej kohësh, por siç dukej, do të merrte akoma kohë të groposej përfundimisht, komunizmi i Enverit dhe sundimi i Partisë së tij!
Pas ngjarjeve që ndodhën në Kosovë në pranverën e 1981-it, polemika ishte më e ashpër, kërcënuese, nga të dyja qeveritë, si ajo e Tiranës, ashtu dhe nga ajo e Beogradit. Tirana çdo ditë e nxinte gazetën “Zëri i Popullit”, me artikuj mbi ngjarjet në Kosovë, duke denoncuar politikën shtypëse dhe diskriminuese të Beogradit. Mbi këtë çështje, propaganda jugosllave, fajin i’a hidhte Tiranës, duke e bërë atë nxitëse dhe fajtore për turbullirat në Kosovë!
Beogradi, dita – ditës po e diskreditonte politikën dhe qeverinë e Enver Hoxhës, duke i treguar popullit të Kosovës dhe gjithë botës, se kush ishte Enveri dhe klika e tij, se në ç’gjendje të mjeruar ndodhej populli shqiptar, ku burgjet në këtë vend ishin të mbushura me njerëz të pafajshëm, pasi sundonin stalinistët më të egër, etj., etj., duke dhënë shifra dhe fakte për Shqipërinë martire.
Kishte disa ditë që në burgun e Spaçit, kishte ardhur nga Tirana, një ekip i kryesuar nga Komandanti i Kampeve dhe Burgjeve të Shqipërisë, Mit’hat Bare, një burrë i shëndoshë, në dukje i qetë dhe duke mos i kursyer fjalët e mira me të dënuarit, kur e sillte rasti të hynte në burg! Por po të kishte “dritare”, që të shihje shpirtin e tij, do të vije re, vetëm poshtërsinë! Kur hynte brenda, i shoqëruar nga oficerë dhe policë, në krah i rrinin, komandanti dhe komisari i burgut. Ai thërriste të burgosurit dhe i pyeste për krimin e dënimin, e në fund u thoshte që të kishin shpresë dhe besim tek Partia!
Ky ekip, që si duket po shihte dhe po hetonte një për një të gjitha kartelat e të burgosurve, duke seleksionuar se cili duhej liruar dhe cili jo me amnistinë që do të shpallte Enveri në nëntor të atij viti, pasi në fjalën e tij para zgjedhjeve, ai tha: “Ne i zbrazim burgjet, kurse në vendet kapitaliste, i mbushin ato”!
Të burgosurit prisnin gjithë shpresë të nesërmen, për të parë se çfarë përmasash do të kishte ajo amnisti?! Vallë do të ishte e përgjithshme, apo e diferencuar?! Lajmet që hynin në burg nga të burgosurit e rinj, shumica e tyre pjesëtarë të familjeve të klanit të Mehmet Shehut, tregonin se ajo krizë e madhe në udhëheqjen e PPSH-së që çoi në vetëvrasje bashkëpunëtorin më të bindur të Enverit, kishte filluar thjesht nga një çështje familjare, ku Byroja Politike i kishte bërë presion Mehmet Shehut, të bënte autokritikë para saj, se përse djali i tij, ishte fejuar me një vajzë nga familja e deklasuar e Turdinjve?!
Siç thoshin, kjo e çoi këtë “kasap” të Enverit, në krizë nervore që të bënte vetëvrasje. Sidoqoftë çka ndodhi, vdekja e Mehmet Shehut, bëhej dhe më misterioze. Ndoshta ishte dhe mallkimi i heshtur i popullit të vuajtur shqiptar. Zoti e “dëgjoi” dhe vuri “shejtanin” në mes, që t’i hanin kokat njëri-tjetrit!
Zhgënjimi i të burgosurve të Spaçit, kur u komunikua amnistia e nëntorit 1981?!
Komanda e burgut, kishte dhënë urdhër që të gjithë të burgosurit, të rreshtoheshin sipas brigadave në fushën e volejbollit, pasi brenda, kishte hyrë Komandanti i Burgjeve, me gjithë larot e tij.
A.Xh., ish-oficer i dënuar pas rënies së Beqir Ballukut, lexonte fjalimin e Enver Hoxhës dhe në fund lexoi mbi amnistinë, duke u’a bërë të qartë, se kush lirohej dhe se kush do të mbetej në burg, për të vuajtur dënimin e mbetur. Amnistia ishte e diferencuar, pasi ajo lironte të gjithë ata të burgosur që ishin të dënuar nga tetë vjet e poshtë, vetëm për krime politike, dhe gjithashtu, ata që u kishte mbetur më pak se një vit vuajtje dënimi, (nen i cili më përfshinte dhe mua), dhe falte një të katërtën e dënimit. Duhet të theksoj, se kjo falje, përfshinte vetëm ata të burgosur që nuk ishin rri dënuar, për të njëjtin krim, kur dihej se në burgun e Spaçit dhe Burrelit, pothuaj 90 %, ishin të rri dënuar!
Të burgosurit u zhgënjyen dhe dukej qartë se një buzëqeshje u kishte ngrirë në fytyrë, nga gjithë ajo zhurmë e bujshme e fjalimit të Enverit! Të burgosurit e mashtruar nga kjo gënjeshtër e madhe, shpresa i’u avullua si vesa pas daljes së diellit përvëlues të beharit. Heshtje dhe vërejtje, të shoqëruara pa zë. Unë dhe shoku im, Xhelal Çami, ishim të gëzuar se na përfshinte amnistia, kështu që, nuk merrnim mundimin që të dëgjonim “pallavrat” e të burgosurve, që thoshin se do të ndodhte kështu e ashtu.
Apo siç thonin që “e kërkonte koha që Enveri të hapte dyert e burgjeve”, e të tjera dokrra si këto! Ngjarjet që ndodhën e frenuan këtë fushatë hamendësimesh dhe shpresash të kota. Atëherë, kur nuk kishim mbetur më tepër se 100 të burgosur të ndershëm, pa u përlyer e pa u bërë vegla të Ministrisë së Punëve të Brendshme, ata mundoheshin me të gjitha mjetet, duke pasur në plan torturën dhe terrorin, për të korruptuar dhe degjeneruar, deri në fëlliqësi të plotë. Jo vetëm të burgosurit por edhe familjarët e tyre, të gjithë popullin që e quanin të deklasuar.
Nuk dihet sesa njerëz të pafajshëm, kanë pasur një fund tragjik si pasojë e këtij diskriminimi?! Vetëm në vitin 1979, u arrestuan mbi 150 të burgosur, duke i dënuar përsëri. Vetëm e vetëm se ata po qëndronin të papërkulur duke frymëzuar të burgosurit e tjerë të mos binin në batakun e degjenerimit moral dhe politik, i cili kurdisej dhe manipulohej nga Ministria e Punëve të Brendshme në Tiranë. Nëpërmjet këtyre të burgosurve të pathyer, xhelatët shpunë përpara skuadrës së pushkatimit, Xhelal Koprenckën. Anëtar aktiv i Partisë së Re Demokratike, një burrë i thyer në moshë, që në kurriz mbante një koleksion të tërë sëmundjesh! Njeri me shpirt human dhe me një oratori të zhdërvjellët, që të binte të kuptoje që jetën e gjatë që kishte kaluar në burg, nuk e kishte harxhuar kot, por duke lexuar libra dhe mësuar gjuhë të huaja.
Vangjel Lezho dhe Fadil Kokomani, burra 45 vjeçarë, që të dy kishin mbaruar studimet në Moskë. Edhe këta kishin krijuar Partinë Revizioniste dhe ashtu si Xhelali, patën të njëjtin fat të keq, duke i dënuar me vdekje. Kurse të tjerëve dënimin u’a kthyen në 25 vjet burg.
Shokët e mi që do liroheshin dhe ata që do mbeteshin përsëri aty
Le të kthehemi për të përshkruar ngjarjet e këtyre ditëve plot tension në burg. Në “Kaushin” ku isha unë, erdhën dhe 53 të burgosur të tjerë, në një dhomë me kubaturë 6 m me 6 m. Hapësirë kjo e përshtatshme për shëndetin e këtyre fatkeqve. Aq më keq kur në këtë dhomë ne nuk punonim dhe ishim me 500 të burgosur të tjerë, që e quanim “papunësia”.
Ishim mbledhur në dhomë në heshtje, duke lexuar gazetën se cilin zinte amnistia në dhomën tonë. Lazëm Shoti, një i burgosur i rri-dënuar tre herë, nuk shpresonte të dilte kurrë gjallë nga burgu, përderisa ekzistonte komunizmi i Enverit në Shqipëri! Ai llogariti që ishim 6 vetë, ndërmjet të cilëve dhe shoku im Xhelal Çami, të cilëve na kishte mbetur 5-6 muaj nga dënimi.
Tjetri ishte Kosta Lufi, minoritar nga Dropulli i cili nga vuajtjet kishte pësuar traumë të rëndë. Luigj Gegës i kishin mbetur dhe 6 muaj për të plotësuar dënimin me 15 vjet burg. Një plak nga Dibra e Madhe, i quajtur Murat Damsi dhe një tiranas i quajtur Zenel Shoshori, vëllai i shokut tim, Hysenit, që u dënua me 25 vjet burg.
Në 12 nëntor, nisën të na shpërndanin nëpër rrethe, afro 300 e ca të burgosur. Na mblodhën të gjithëve në fushë, ku Mit’hat Bare, kryetari i ekipit, kishte dalë përpara bashkë me komisarin e burgut, Pjetër Carën. Ai komunikoi amnistinë e deklaruar nga qeveria dhe këshilloi që të mos bënim rrëmujë e zhurmë, se nesër në 13 nëntor, do behej ndarja.
Emri im dhe i shokut tim, Xhelal Çami, në fund të listës së amnistisë?!
Tërë atë natë, të gjithë të burgosurit që do t’u hapej porta, nuk i zinte gjumi. Unë me Xhelalin, nuk e çanim shumë kokën, vetëm donim të siguronim pak ushqim, pasi do të na çonin në burgun e të dënuarve ordinerëve, që ishte në anën tjetër të përroit, ku do të kalonim dy net. Më 13 nëntor u dha urdhër nga komanda e burgut, që të gjithë të amnistuarit të përgatisnin plaçkat.
Aty nga ora 8 e mëngjesit, filloi leximi i listës. Përqafime me lot në sy për shokët që kishin vuajtur një jetë të tërë, dhe ku nuk dihej fati i mëtejshëm brenda këtij vendi të frikshëm. Më në fund aty nga fundi i listës, u lexua dhe emri im, si dhe emri i Xhelal Çamit. Kush dëgjonte emrin, dilte nga dhoma për të shkuar në zonën neutrale. Me rrecka në kurriz, ne iknim, ndërsa të burgosurit e tjerë, tundnin dorën për të na dhënë lamtumirën.
Pasi na grumbulluan të gjithëve në zonën neutrale, u hap porta e hekurt. Polici urdhëroi që kush të dëgjojë emrin, të dilte jashtë. Ky ishte apeli i fundit. Koha u vrenjt dhe nga çasti në çast, pritej të binte shi. Kjo punë e mërzitshme, mbaroi nga dreka. Ajo zgjati ca, sepse autoritetet e Ministrisë së Punëve të Brendshme, që ishin ngarkuar për këtë punë, donin të ishin të sigurt për të burgosurit që dilnin nga porta.
Ata, pyesnin nga frika se mos ndonjë i burgosur tjetër dilte në emër të këtyre! Nuk e di pse emri im dhe i Xhelalit, ishin në fund të listës?! Kjo gjë më trembi shumë, sidomos kur kishim mbetur dhe 10 – 15 të burgosur, që prisnim të na dilte emri! I ulur mbi ndenjësen e rrobave, prisja që të më dilte emri, ndërsa të burgosurit e tjerë ishin grumbulluar në anën tjetër të përroit.
Ata përgatiteshin që të kalonin dy net të ftohta në shi, tek kapanoni i vogël që nuk merrte më shumë se 100 të burgosur. Kështu që duhet të bënin vend me batanije. Në kohën kur i doli emri shokut tim, një polic, që njihej nga të gjithë se kishte qenë një xhelat, tashmë që punët po ndryshonin, ndjeja frikën në fytyrën e tij?! Deri dhe ky polic, i shante, i torturonte dhe i kërcënonte të burgosurit për hiç gjë, ose pse dilje nga rreshti, dhe pse flisje me shokun!
Nëse doni të dini emrin e tij, ky ishte Preng Rrapi. Një trup i shkurtër i deformuar, një fytyrë thatime pa gjak, që kur zgërdhihej, hapej vesh më vesh! Atij i dukeshin ca dhëmbë të mëdhenj, të zverdhur, e të nxirë e të palarë kurrë! Koka e tij si poçe, mbulohej nga kapelja e policit me yll, që fshihte tullën e tij. Ato pak leshra që i kishin mbetur, i ishin zbardhur me kohë, gjë që tregonte se i kishte kaluar të 45 vjeçët. Qimekuq në mjekër, bastard në fytyrë dhe në shpirt. Krahët e tij ishin në disproporcion me trupin e shkurtër dhe të deformuar, me këmbët e shtrembra, duar kriminale, dhe sy bishe! Shëmtirë në plot kuptimin e fjalës.
M’u afrua duke u shtirur sikur më njihte, e më pyeti: “Sa vite ju falën”, tha ai duke dredhur në dorë disa çelësa. Unë nuk lëviza nga ndenjësja, dhe nuk e ktheva kokën, duke ndjerë mospërfillje për këtë fytyrë të urryer për 10 vjet rresht.
-“Unë e mbarova burgun, sepse më ngelën vetëm 5 muaj”, i thashë, duke e “fotografuar” mirë këtë surrat të shëmtuar.
“Mos u ndje fare, shumë janë dhe 5 muaj, pasi mund të ishe dënuar përsëri”, vazhdoi polic Prenga.
-“Sa burg bëre”, vazhdoi ai.
“10 vjet”, i’a ktheva në këtë bisedë e sipër dhe u ngrita në këmbë.
-“Si të quajnë, s’të kam pare, ku ke punuar”, vazhdoi polic Prenga.
-“Kasëm Hoxha. Më ke parë po s’mban mënd, në ato birucat e izolimit”.
“Atje kemi pasur plot raste”, tha ai hazërxhevap.
“Vrite mendjen, mund të të kujtohem shoku polic”, i’a ktheva.
Ndërkohë u thirr emri im. I hodha rreckat në krah dhe u paraqita tek porta. Komandanti i burgjeve, Mit’hat Bare, më pyeti për emrin dhe sa burg kisha bërë. I’u përgjigja të gjithë pyetjeve për ta siguruar, që unë isha Kasëm Hoxha. /Memorie.al
Vijon numrin e ardhshëm
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016