Dashnor Kaloçi
Memorie.al Publikon historia e panjohur e disidentit komunist, ish-deputetit të Kuvendit Popullor, Xhavit Qesja, i cili në vitin 1956 kur ishte student i Filozofisë në Moskë, përkrahu politikën e Hrushovit duke iu kundërvënë udhëheqjes komuniste të Tiranës. Përse nuk pranoi ai t’i kërkonte falje Enver Hoxhës, dhe internimi e ishullin e Zvërnecit dhe më pas në burgun e Burrelit ku bëri 70 ditë grevë urie….?!
Po të ishte gjallë Karl Marksi dhe të merrte vesh se komunistët shqiptarë torturohen deri në djegien e trupit me hekur të skuqur në zjarr dhe me heqien e thojve të këmbëve me pinca, siç është rasti i Kristo Budos, ai, pra Marksi, do të shkulte flokët e kokës dhe do të dënonte me ashpërsinë më të madhe këto akte dhunë e anti njerëzore”. Kështu shprehej në një nga 40-të letrat që i dërgonte Byrosë Politike të Komitetit Qendror të Partisë Punës së Shqipërisë në mesin e viteve ‘60-të, Xhavit Qesja, që ndodhej i internuar në Kampin e Zvërnecit, i cili kishte qenë një nga komunistët e parë të rrethit të Krujës, Komisar i Brigadës së 23-të partizane gjatë Luftës, Komisar i Komandës së Qarkut të Tiranës në vitin 1945, anëtar i Komitetit Qendror, deputet dhe Sekretar Politik i Qarkut të Shkodrës e Beratit, si edhe nënkryetar i Komitetit Ekzekutiv të Qarkut të Elbasanit deri në vitin 1958 kur u arrestua i akuzuar si armik i popullit. Po cila ishte e kaluara e Xhavit Qeses, ku kishte studiuar ai dhe përse e arrestuan atë në vitin 1958? Përse e mbajtën Xhavitin të izoluar në ishullin e Zvërnecit, cilat ishin pikpamjet e tij lidhur me vijën politike që po ndiqte Nikita Hrushovi dhe Partia Komuniste e Bashkimit Sovjetik në atë kohë dhe përse ai iu kundërvu vijës politike të Enver Hoxhës? Çfarë qëndrimi mbajti Xhaviti në ishullin e Zvërnecit ku asokohe vuanin dënimin disa nga ish-funksionarët e lartë të Shtetit e PPSH-së, të cilët Enver Hoxha i kishte shpallur armiq e i kishte damkosur si revizionistë dhe çfarë kërkonte ai në letrat që i dërgonte Byrosë Politike
Kush ishte Xhavit Qesja?
Xhavit Qesja u lind në vitin 1923 në qytetin e Krujës prej nga është dhe origjina e familjes së tij tepër të njohur dhe të pasur në atë qytet.. Pasi mbaroi shkollën unike në vendlindjen e tij, familja e dërgoi Xhavitin në gjimnazin e Tiranës të cilin ai e mbaroi me rezultate të shkëlqyera në vitin 1941. Që kur ishte në bankat e atij gjimnazi, Xhaviti ra për herë të parë në kontakt me idetë komuniste dhe së bashku me disa nga shokët e e tij të shkollës u aktivizua në grupet edukative apo të simpatizantëve të Partisë Komuniste siç quheshin ata në atë kohë. Pas mbarimit të gjimnazit ai punoi për pak kohë në administratën e Drejtorisë së Postës së Tiranës dhe më pas u largua nga ajo punë për arsye se Qarkori Komunist i Tiranës i drejtuar nga Gogo Nushi e dërgoi atë për të punuar në organizimin e Partisë në rrethin e Krujës.
Në atë kohë që Xhaviti shkoi në Krujë, falë rrethit të gjerë miqësor që kishte, ai menjëherë krijoi dhe celulën e parë komuniste të atij qyteti duke qenë vetë drejtuesi kryesor i saj. Xhaviti e udhëhoqi Qarkorin Komunist të Krujës për disa kohë dhe më pas ai u morr dhe me formimin e çetës partizane Krujë-Ishëm së bashku me Rexh Deliun që u caktua Komandant i saj. Në vitin 1944 kur u krijua Brigada e 23-partizane, Xhavit Qesja u caktua Komisar i saj dhe në atë detyrë ai mori pjesë në të gjitha betejat që zhvilloi ai formacion partizan deri në mbarimin e Luftës.
Gjatë periudhës së Luftës, Xhaviti u dërgua nga krerët e PKSH-së në Qarkun e Dibrës me qëllim që të merrte kontakt me familjen e madhe të Kaloshëve dhe bashkërisht të organizonin rezistencën e mëtejshme kundër forcave gjermane. Që në vitet e para të Luftës kur Xhaviti ishte në Qarkorin Komunist të Tiranës, ai u njoh me një vajzë të re të quajtur Meriban Najdeni, e cila do të bëhej dhe bashkëshortja e ardhshme e tij. Meribani ishte me origjinë nga rrethi i Dibrës dhe familja e saj kishte ardhur në Tiranë aty nga viti 1930-të.
Në atë kohë që Xhaviti u njoh me Meribanin, ajo ishte një ndër komunistet e pakta të Qarkorit të Tiranës dhe për kontributin e madh që dha gjatë Luftës, në 28 nëntorin e vitit 1944 kur u zhvillua parada e madhe para Hotel “Dajtit”, ku parakaluan brigadat partizane, ajo ishte një nga dy partizanet e vetme që ishin në atë tribunë fare pranë Enver Hoxhës dhe personaliteteve të lartë të udhëheqjes së PKSH-së e Frontit Demokratik.
Xhaviti deputet dhe anëtar i Komitetit Qendror të PPSH-së
Menjëherë pas mbarimit të Luftës që në ditët e para të dhjetorit të vitit 1944, Xhaviti u caktua me detyrën e Komisarit pranë Komandës së Qarkut të Tiranës me gradën e majorit. Pasi qëndroi disa muaj në atë detyrë, aty nga fillimi i vitit 1945 ai filloi punë në aparatin e Komitetit Qendror të PKSH-së, ku përveç leksioneve që jepte në Shkollën e Dakos (Kursi i Partisë) ai dha një kontribut të madh në organizimin dhe funksionimin e organizatave bazë të Partisë Komuniste shqiptare në rrethet e ndryshme të vendit.
Aty nga viti 1947 Xhaviti u caktua si Sekretar Politik i Qarkorit të Partisë në rrethet e Shkodrës dhe më pas në atë të Beratit ku punoi deri aty nga viti 1955. Në atë vit Xhaviti u dërgua për studime në Bashkimin Sovjetik në degën e Filozofisë pranë Shkollës së Lartë të Partisë në Moskë, ku ai ishte një ndër studentët më të përgatitur pasi njihte e zotëronte në mënyrë perfektë gjuhët frënge, italiane, angleze dhe ruse. Në atë shkollë Xhaviti studioi deri në atë kohë që u mbajt Kongresi i XX-të i Partisë Komuniste të Bashkimit Sovjetik dhe ai ishte një nga studentët shqiptarë që përkrahu pa asnjë rezervë vendimet liberale të atij kongresi dhe frymën hrushoviane që dominoi aty.
Duke qenë se ajo vijë politike që po ndiqte Nikita Hrushovi në atë kohë binte ndesh me qëndrimin e Enver Hoxhës dhe PPSH-së, organizata bazë e studentë shqiptarë që studionin në atë shkollë e kritikuan ashpër atë për shkelje të vijës së partisë. Po kështu në atë kohë u thirrën në ambasadën shqiptare disa nga shokët e Xhavitit, si Iljaz Spahiu e Thoma Deljana të cilat studionin në të njëjtën shkollë me të dhe ata u kritikuan ashpër në organizatën e Partisë të Ambasadës për qëndrimin liberal që ata kishin mbajtur ndaj pikëpamjeve të shokut të tyre, Xhavit Qeses, dhe përse nuk e kishin kritikuar atë. Pas asaj mbledhje Xhavitit i’u komunikua urdhri i ardhur nga Tirana, në të cilin thuhej se ai duhej t’i ndërpriste studimet dhe të kthehej urgjent në Shqipëri.
Në atë kohë që ai u kthye në Tiranë, vazhdonte të ishte deputet i Kuvendit Popullor dhe gjatë pushimit të një seance, vetë Enver Hoxha i futi krahun dhe e këshilloi që të hiqte dorë nga pikëpamjet e tija. Por edhe pas atij takimi me Enver Hoxhën, Xhavit Qesja jo vetëm që nuk i ndërroi mendimet e pikëpamjet që kishte, por përkundrazi i qëndroi me besnikëri asaj çka kishte thënë që në Bashkimin Sovjetik.
Izolimi 10-vjet në Kampin e Zvërnecit
Nisur nga ai qëndrim që po mbante Xhavit Qesja i cili binte krejt në kundërshtim me vijën politike që po ndiqte asokohe Enver Hoxha dhe PPSH-ja, atë e hoqën nga Tirana dhe e dërguan në detyrën e nënkryetarit të Komitetit Ekzekutiv të Qarkut të Elbasanit. Edhe gjatë asaj kohe që ishte në atë detyrë, Xhaviti nuk i ndryshoi pikëpamjet e tij lidhur me vijën politike të PPSH-së dhe si rezultat i atij qëndrimi aty nga viti 1958 atë e arrestuan dhe e dërguan në internim në ishullin e Zvërnecit (pranë Vlorës) ku asokohe mbaheshin të izoluar disa nga ish-funksionarët e lartë të PPSH-së të cilët Enver Hoxha i kishte shpallur armiq.
Pak kohë pasi Xhavitin e çuan në atë kamp, bashkëshorten e tij Meribanin e hoqën nga puna (aparati i Kryeministrisë) dhe nuk e lejonin që të shkonte për ta takuar Xhavitin në Zvërnec. Gjatë periudhës që Xhaviti qëndroi i izoluar në kampin e Zvërnecit, ai u dallua si një nga më konsekuentët nga të gjithë ish-funksionarët e lartë komunistë që ishin të internuar aty me urdhrin e Enver Hoxhës, si Tuk e Filip Jakova, Gjin Marku, Agron Çorati, Mark Ndoja, Zef Mala, Tahir e Muhedin Kadare, Pllumb Dishnica, Kadri Hoxha, Iljaz Ahmeti, Maqo Çomo, Kristo Budo, Vaso Marku, Qamil Disha etj. Gjatë asaj kohe edhe pse Xhaviti ndodhej në kushte shumë të vështira jetese, ai zbatonte me përpikmëri dhe rigorozitet një program dhe regjim ditor shumë strikt.
Falë gjuhëve të huaja që zotëronte, ai studionte vazhdimisht, mbante shënime për çështje të ndryshme ekonomike, shfrytëzonte një revistë në gjuhën angleze për problemet ndërkombëtare dhe kishte dy fletore të trasha në të cilat mbante shënime për letërsinë botërore. Po kështu gjatë atyre viteve që qëndroi në atë kamp internimi, Xhaviti merrej me përkthimin e “Kapitalit” të Marksit, libër të cilin e botoi në shqip Instituti i Studimeve marksiste -leniniste, pa i vënë emrin e përkthyesit.
Xhaviti ishte shumë i ndjeshëm ndaj padrejtësive e vuajtjeve që kishin hequr shokët e tij që ndodheshin në atë kamp dhe duke mos i duruar dot ato, ai i shkruante vazhdimisht letra Byrosë Politike. Në një nga ato letra, ku ai denonconte dhunën e torturat çnjerzore që u ishin bërë shokëve të tij, ndërmjet të tjerash shkruante: “Po të ishte gjallë Marksi dhe të merrte vesh se komunistët shqiptarë torturohen deri në djegien e trupit me hekur të skuqur në zjarr dhe heqjen me pinca të thonjëve të këmbëve siç është rasti i Kristo Budos, ai (Marksi) do të shkulte flokët e kokës dhe do të dënonte me ashpërsinë më të madhe këto akte dhunë e antinjerzore”.
Në një letër tjetër që Xhaviti i dërgoi Byrosë Politike në atë kohë që PPSH-ja dha orientimin (urdhrin) për prishjen e shkatërrimin e kishave, xhamive dhe objekteve të tjera të kultit, midis të tjerash ai shkruante: “Ju muarrtë një vendim shumë të gabuar, ju mund të shkatërroni xhamitë, kishat dhe objektet e tjera fetare të kultit, por kurrë nuk do të arrini të ndaloni me dekrete e detyrim, ndjenjat njerëzore, koshiencën, ndërgjegjen e besimet e tyre të trashëguara në shekuj”. Gjatë asaj kohe që Xhaviti qëndroi i internuar në Zvërnec, ai ishte ndër të vetmit që nuk pranoi asnjëherë që të merrte pjesë në votime.
Xhaviti deklaroi përpara Komandës së Kampit të Zvërnecit, se ai nuk merrte pjesë në votime për arsye se nuk ishte dakord me programin e Frontit Demokratik dhe vijën e Partisë që e udhëhiqte atë. Duke parë qëndrimin e Xhavitit, në vitin 1966 atë e arrestuan dhe e nxorën në gjyq ku ai nuk pranoi që të fliste dhe t’ju përgjigjej pyetjeve që i bëheshin. Përgjigja e tij e vetme ishte: “Nuk kam punë me gjyqin. Çështjet e mia ia kam thënë Partisë dhe vetëm ajo mund t’i shqyrtojë e jo gjyqi”. Pas asaj Xhavitin e dënuan me dhjetë vjet burg politik dhe nga Zvërneci e çuan në burgun e Burrelit.
70 ditë në grevat e urisë në burgun e Burrelit
Gjatë periudhës afro 30-të vjeçare që Xhaviti qëndroi si në ishullin e Zvërnecit, ashtu dhe në burgun e Burrelit, ai herë pas here hyri në greva urie duke i’u kërkuar autoriteteve të burgjeve që ata të zbatonin ato rregulla që kishin hartuar vetë. Aty nga fillimi i viteve ’60-të, kur Xhaviti ishte në Zvërnec, ai mësoi se i kishte ardhur një pako me libra nga Italia, (“Komedia Hyjnore” e Dantes etj) të cilat i’a kishte dërguar kushëriri i tij Xhemal Ferra, apo siç njihej ndryshe Konti Ferra. Njerëzit e Sigurimit nuk donin t’ia jepnin librat, ndonëse “Komedia Hyjnore” nuk ishte e ndaluar dhe shitej lirëshëm nëpër librari. Xhaviti reagoi menjëherë ndaj asaj padrejtësie që po i bëhej dhe njoftoi komandën se në rast se nuk i jepeshin librat brenda pesë ditëve, ai do të shpallte grevën e urisë.
Pas pesë ditëve librat nuk i’a dhanë dhe Xhaviti shpalli grevën e urisë e nuk pranonte të merrte ushqimin që i jepej nga Komanda e Kampit. Ajo grevë vazhdoi për tetë ditë me radhë dhe Xhaviti nuk futi asgjë në gojë. Të gjithë shokët e tij i qëndruan pranë dhe mundoheshin që t’i lagnin buzët me ujë pasi nga çasti në çast prisnin vdekjen e tij. Ditën e tetë kur Sigurimi e pa se ai po vdiste, nga frika se mund të mbanin përgjegjësi u detyruan dhe i’a dhanë librat, pasi e panë se nuk mund ta gjunjëzonin dot atë.
Gjatë 30-vjetëve që Xhaviti qëndroi në burgje dhe internime, bëri 70 ditë greva urie duke u kërkuar autoriteteve të komandës që të zbatonin ato ligje që regjimi komunist i Enver Hoxhës i kishte hartuar vetë. Nisur nga ai qëndrim konsekuent që mbante Xhaviti gjatë kohës që vuante dënimet, shpesh herë ai u bë objekt i torturave më ç\njerëzore. Lidhur me këtë, Dr. Miço Konomi ka dëshmuar: “Një ditë më thërritën në birucat e Burgut të Ri të Tiranës për të vizituar një të sëmurë. Kur hyra në qelinë e tij e pashë të shtrirë përdhe gjysëm të vdekur dhe nuk lëvizte asnjë nga gjymtyrën e trupit.
Kur e pyeta se si quhej, ai m’u përgjigj me një zë të shuar: Jam Xhavit Qesja. Kur e pashë se në ç’gjendje ishte katandisur u thashë atyre të komandës se nuk kisha ç’ ti bëja, pasi atij i ishte qelbëzuar gjysma e kokës dhe duhej dërguar urgjent në spital.”
Lirohet në 1991-in, pas 30-vjetësh burg e internim
Pasi kishte kaluar plot 30-vjetë në burgje dhe internime, aty nga viti 1990-të kur pritej që në Shqipëri të vinte për vizitë Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së Perez de Kuelar, Xhavit Qesen e nxorën nga burgu kur ai ishte në moshën 67-vjeçare. Në atë kohë ai u bashkua me bashkëshorten e tij, Meribanin, e cila e detyruar nga lufta e klasave kishte bërë një ndarje formale me të, me qëllim që të shkollonte fëmijët.
Ndonëse me një shëndet të keqësuar nga vuajtjet, torturat dhe grevat e urisë që Xhaviti kishte zhvilluar gjatë viteve të burgut, përsëri ai gjente forca dhe shkonte vazhdimisht në Bibliotekën Kombëtare ku studionte për orë të tëra. Disa nga miqtë e tij të burgjeve që e dinin se ç’kishte hequr ai, i sugjeronin shpesh që të shkruante kujtimet, por ai u përgjigjej:
“Unë nuk luftoj me të vdekurit, pikëpamjet e mia ia kam parashtruar Byrosë Politike me letra dhe vetë Enver Hoxhës që kur ishte gjallë”. Xhaviti u nda nga jeta në vitin 1994, pasi kishte plotësuar pengun e vetëm: takimin me të birin, Shpëtimin, pas 30-vjetësh. Në kujtesën e të gjithë miqve të tij, ish-të dënuar etj, Xhavit Qesja ka mbetur si një nga disidentët komunistë më konsekuent në pikëpamjet e tij dhe që nuk u gjunjëzua asnjëherë përpara presioneve e torturave ç’njerëzore që iu bënë për 30-vjet me radhë./Memorie.al
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016