Nga Elisabeta Ilnica
Pjesa e katër
Memorie.al / Ishte 21 vjeç kur u dënua me 21 vite burg. Agim Akcani, është ndër tre ish-të dënuarit politikë, të mbijetuar nga ngjarja e vitit 1975, kur u firmosën dy pushkatime dhe gjashtë personave të tjerë, iu dhanë 115 vite burg gjithsej. U quajtën anëtarë të “Grupit sabotator të Baldushkut”, që siç konkluduan hetuesit e çështjes, këta tetë fshatarë të zones, morën pjesë në; “organizatë kriminale kundër pushtetit popullor, zhvilluan agjitacion e propagandë, me qëllim minimin e pushtetit popullor si dhe kryen aktin e diversionit duke i shkaktuar një dëm ekonomisë socialiste në shumën 359.983.80 lekë”. Të gjitha këto akuza u ngritën pas ngordhjes së 98 lopëve të racës holandeze (shumica u therrën për mish), për të cilat u pretendua se janë helmuar me zhivë e, lëndë të tjera toksike.
Kërkesa e të dënuarave për falje dhe ekzekutimi i vendimit
Më 19 shkurt 1977, Gjykata e Lartë, la në fuqi vendimin e Gjykatës së Shkallës së Parë. Në përfundim, Presidiumi i Kuvendit Popullor i kryesuar nga Haxhi Lleshi, refuzoi faljen e jetëve të dy të dënuarve, të cilët janë ekzekutuar me vdekje me pushkatim.
Më 25 shkurt, sekretari i Presidiumit të Kuvendit Popullor, Telo Mezini, njoftonte Drejtorinë e Zbatim Vendimeve Penale në Ministrinë e Punëve të Brendshme, se ky organ kishte refuzuar t’u falte jetën të dënuarve me vdekje; Preng Pal Qafa, Haki Murat Veizaj, Rifat Daja dhe Nuri Allmuça duke kërkuar kësisoj zbatimin e vendimeve.
Një ditë më vonë, ministri i Punëve të Brendshme urdhëron Drejtorinë e Punëve të Brendshme dhe Prokurorinë e Tiranës që të dënuarit e procesit të Baldushkut të ekzekutoheshin me vdekje më 26 shkurt 1977, ora 24:00 në “Vendin e Caktuar”.
Proces-verbali i ekzekutimit
Republika Popullore Socialiste e Shqipërisë
Ministria e Punëve të Brendshme
Drejtoria e Punëve të Brendshme
Dega e hetuesisë… Nr 856/1
Tiranë, më 2.3.1977
Ministrisë së Punëve të Brendshme
Drejtorisë së Hetuesisë
Në lidhje me nr.41.3, datë 26.2.1977.
Bashkangjitur ju dërgojmë proces-verbalin me dy kopje, mbi ekzekutimin me vdekje e pushkatim të të dënuarve Refat Daja dhe Nuri Allmuça
Drejtori i Punëve të Brendshme
Nysret Dautaj
Proces-verbal
I mbajtur më datën 26.2.1977, ora 24.00, mbi ekzekutimin e vendimit të Gjykatës së rrethit Tiranë, nr 39, që bën fjalë për dënimin me vdekje e pushkatim, të të dënuarit Refat Sali Daja, i datëlindjes 1949, lindur në fshatin Mustafakoçaj të rrethit Tiranë dhe i të dënuarit Nuri Iljaz Allmuça, i datëlindjes 1933, lindur në fshatin Mumajes të rrethit Tiranë, vendim ky i lënë në fuqi nga Gjykata e Lartë e R.P.S. Shqipërisë, me vendim nr.51, datë 19.2.1977 dhe nga Presidiumi i Kuvendit Popullor, me shkresën nr.211/1, datë 25.2.1977, ka refuzuar kërkesën për faljen e jetës të dy të dënuarve.
Në bazë të urdhrit të Ministrit të Punëve të Brendshme, nr.41/3, datë 26.2.1977, në vendin e caktuar, mbasi Prokurori i rrethit i ngarkuar për të asistuar në zbatimin e ekzekutimit të këtij vendimi, i njoftoi të dënuarit se kërkesa e tyre drejtuar Presidiumit të Kuvendit Popullor, për faljen e jetës u qe refuzuar, ata fjalën e tyre të fundit thanë:
I dënuari Refati Daja:
– Nuk kam bërë asgjë. Për aktin e helmimit të lopëve, nuk kam dijeni. Unë vdes i bindur se për një vit apo dy vjet, do të dalë e vërteta dhe do të vërtetohet, se unë nuk kam bërë asgjë. Mbasi të dalë kjo, kërkoj që familjes sime, t’i hiqet njolla si familje tradhtarësh.
– Armiku i klasës, e bëri punën e vet.
– Të rrojë Partia dhe shoku Enver. U lulëzoftë Shqipëria Socialiste.
I dënuari Nuri Allmuça:
– Nuk kam bërë asgjë. Për helmimin e lopëve, nuk kam dijeni.
Unë pranova fajin dhe mora përsipër helmimin e lopëve.
Më mashtruan në hetuesi.
Fëmijët e mi t’i mbrojë Partia.
Të rrojë Partia dhe shoku Enver.
Konform rregullave, në vendin e ekzekutimit ishte skuadra ekzekutuese, e cila kreu ekzekutimin me pushkatim. Mjeku Bujar Shkaba, kontrolloi kufomat dhe mbasi konstatoi vdekjen e tyre, urdhëroi varrimin e tyre.
Përsa më sipër, u përpilua ky proces-verbal me tre kopje, dy i dërgohen Ministrisë së Punëve të Brendshme (Drejtorisë së Hetuesisë) dhe tjetra ngelet në drejtorisë e Punëve të Brendshme.
Firmosur nga: Prokurori Andon Çerepi, Sali Bundo, Zija Çela, hetuesi Dilaver Bengasi dhe mjeku Bujar Shkaba
Anëtarët e “grupit sabotator të Baldushkut”
Agimi Akcani është ndër 3 ish-të dënuarit politikë të mbijetuar nga ngjarja e vitit 1975, kur u firmosën dy pushkatime dhe gjashtë persona të tjerë iu dhanë 115 vite burg gjithsej.
U quajtën anëtarë të “Grupit sabotator të Baldushkut”, që siç konkluduan hetuesit e çështjes, “këta tetë fshatarë të zonës morën pjesë në organizatë kriminale kundër pushtetit popullor, zhvilluan agjitacion e propagandë, me qëllim minimin e pushtetit popullor, si dhe kryen aktin e diversionit duke i shkaktuar një dëm ekonomisë socialiste në shumën 359.983.80 lekë”.
Të gjitha këto akuza u ngritën pas ngordhjes së 98 lopëve të racës holandeze (shumica u therën për mish), për të cilat u pretendua se janë helmuar me zhivë e lëndë të tjera toksike. Asokohe Akcani ishte brigadier në Baldushk, vetëm 21 vjeç. Po kaq u dënua ai në vitin 1975 – 21 vite burg. Bashkë me atë u dënuan edhe Selman Balla, Bashkim Allmuça, Agim Akcani, Emine Shima, Nadire Shima (motra), Latif Daja, si dhe Rifat Daja e Nuri Allmuça. Këta dy të fundit u pushkatuan në Dajt, për të cilët Akgim Akcani thotë se ish-hetuesi Dilaver Bengasi ua di varret. Familja e viktima edhe sot e kësaj dite nuk ka një vend ku t’i qajë…
Për tre numra me radhë, Agim Akcani ka treguar si ndodhi helmimi i lopëve, ditët në hetuesi për më shumë se një vit, çfarë ndodhi në gjyq, emrat e persekutorëve, si dhe detaje të tjera. Sot ai vijon rrëfimin me jetën në burg, miqtë dhe spiunët atje, si flitej për byroistët komunistë, etj. Agim Akcani ndalet edhe te sjellja e disa të burgosurve, për të shmangur punën e vështirë të minierën e Spaçit, etj…!
Z. Akcani, çfarë ishte kaushi?
Kaushi ishte një dhomë e madhe, ku mblidhen personat e dënuar dhe që aty shpërndahen nëpër kampe e burgje. Qëndrova rreth dy javë në kaush dhe pastaj më dërguan në kampin e Spaçit. Spaçi ishte një burg artificial, që sikur edhe natyra kishte punuar për ta bërë burg. As rrezet e diellit, nuk kapnin shumë. Natyra e diktatura sikur kishin bashkëpunuar për atë burg, por të paktën kishte ajër. Ajër dhe qiell.
Në Spaç përfunduat i gjithë grupi sabotator i Baldushkut?
Dy u pushkatuan menjëherë, siç u tregova. Dy vajzat, me sa mora vesh, përfunduan bashkë në burg, diku andej nga Kosova e Lushnjës. Madje këtë e kam marrë vesh pasi jam liruar nga burgu. Me mua në Spaç, erdhën Latif Daja dhe Selman Balla, por u transferuan shpejt dhe nuk e di se nga i çuan. Nuk e di as për Bashkim Allmuçën, se ku përfundoi.
Si u sistemuat aty në Spaç?
Në Spaç ishin dhomat e mëdha, me nga 20-30 vetë brenda. Me krevate druri me 3 kate, me dyshek kashte, bukë gruri. Ajo kashtë nuk ndërrohej asnjëherë dhe as ishte ndërruar ndër vite, ndaj ishte bërë si miell dhe veç pluhur dilte që andej. Punonim me turne në galeri, të piritit dhe të bakrit. Për 12 vjet kam punuar atje. Për të shkuar atje, ecnim 1 orë në këmbë, malore. Rrinim të gjithë në rresht për një dhe gjithnjë para dhe pas, duhet të kishim të njëjtat persona të burgosur. Për shembull unë kisha Xhafer Agarajn, Fadil Hykën e, ca të tjerë.
A dilte ndonjë nga rreshti?
Jo, jo, ishim të bindur.
Cilët ishin pak a shumë personat, me të cilët ke ndenjur në dhomë, gjatë vuajtjes së dënimit në burgun e Spaçit?
Për shembull Spartak Ngjela, Fatos Lubonja, etj. Por do të veçoja Fatos Lubonjën. E kam adhuruar gjithnjë, se ai ishte i veçantë. Në periudhën e dytë të ri dënimit, ai nuk punoi më kurrë. U tha hapur e qartë: “Unë nuk punoj për ju. Kam vendosur…”! Dhe rezistoi me vite të tëra. Të paktën 3 vjet i ka kaluar në birucë. Për shembull, e mbanin një muaj në izolim dhe ditën e parë sa dilte andej, i jepnin urdhër, që të nisej për punë.
Por Lubonja sërish refuzonte dhe gardianët e çonin prapë në birucë. Kështu shkonte 30 ditë i izoluar. Ai u kthye në shembull për ne të tjerët. Nuk kam parë njeri më të vendosur dhe që shprehej aq hapur, kundër regjimit komunist. Lubonjën e kam njohur si një ndër djemtë më trima të burgut, sigurisht edhe shumë i mençur. Me Lubonjën u bëmë edhe shumë miq dhe kur dilnim për të ecur më thoshte: “Eja të dalim dhe të bëjmë një dorë agjitacion e propagandë”! Fliste hapur kundër regjimit dhe as i bëhej vonë.
A nuk reagonin gardianët?
Gardianët ishin të punësuar aty, merrnin një rrogë. Nuk kishin hall çfarë flisnim ne, por vetëm mos të shkelnim rregullat e rregulloren. Se çfarë flisnim ne me njëri-tjetrin, nuk u interesonte shumë. Se dihej që aty kishte të burgosur politikë dhe kundër regjimit do të flisnin. Më shumë ruheshim nga njerëzit brenda burgut, nga spiunët, se sa nga gardianët.
Por çfarë do të na bënin më shumë, se sa ishim dënuar?! Unë e kisha marrë dënimin tim me 21 vjet. Po ashtu, Lubonja i kishte bërë 7 vjet dhe në vend që të lirohej, u dënua edhe 10 vjet të tjera. Ishte ekspresiv, i shkëlqyer, harroje burgun duke biseduar me Lubonjën.
Më ka rastisur që të rri edhe me edhe Patër Zef Pllumin, që e kam patur inspirim. Nga ai pata dhuratë gjuhën italiane, në mënyrë të saktë, edhe pse leksionet kisha nisur që t’i merrja herët nga Jamarbër Marko, që kur isha në hetuesi. Patër Zefi ma mësoi shumë mirë italishten, gjatë kohës në burg. Në copëra letrash, kryesisht të letrave të paketave “DS” dhe “Ardiani” i zi, më mësoi ta shkruaja me gramatikë dhe më pas, ta flisja shumë mirë.
Edhe Zef Pllumin e kishit në dhomë?
Jo, me atë Zefin, jam njohur fillimisht në infermierinë e Spaçit. Vuanim nga e njëjta sëmundje në mushkëri, ftohje të rënda. Unë nga galeria dhe ai nga pleqëria. Kishim krevatet ngjitur dhe aty pata njohjen e parë. Pastaj vazhduam komunikimin…!
Si ishte një ditë e juaja në Spaç dhe a kishit ditë pushimi?
Ditë pushimi vështirë të kishte. Se edhe kur vinte e diela, na e merrnin sërish me punë, se i thonin; “e diela është dita e Enverit”. Puna ishte me turne, nga 8 orë. Por puna ishte me normë. Brenda këtij 8-orëshi, duhet të nxirrnim 4 vagona me mineral, ku një vagon mbante 1 ton. Por, nëse nuk e realizoje këtë normë, vazhdoje edhe në turnin e radhës.
Temperatura brenda galerisë, ishte 40 gradë, ndërsa kur dilje jashtë ishte minus 16 gradë. Dhe rrobat tona bëheshin ujë, nga djersa e punës e vapa brenda galerisë. Kur dilnim jashtë nga galeria dhe merrnim rrugën drejt kampit, rrobat na ngrinin në trup. Edhe hekur të kishim qenë, do të ishim thyer. E çuditshme, por njeriu qenka më i fortë se sa hekuri…!
A kishte ndonjë lloj mënyre që të mos punoje në minierë?
Mënyra për të mos shkuar në punë ishte refuzimi dhe refuzim do të thoshte birucë, izolim. Pa dritë dielli. Ose po të ishe invalid ose i çmendur.
Ose mund të bëje si i çmendur?
Ka patur si të tillë, por vetëm ordinerët mund të bënin si të çmendur. Të shtireshin. Fatkeqësisht, ka patur të burgosur ordinerë edhe në Spaç, që kanë prishur imazhin e të burgosurve politikë. Ishte taktikë e sistemit për të përdhosur inteligjencën. Ka patur njerëz, që për t’i shpëtuar ndjekjes penale, kanë shkuar në psikiatri, kanë bërë veprime të çmendura, deri edhe të neveritshme.
Për shembull?
Kanë ngrënë jashtëqitjen e vet. Një person, që është vëllai i një politikani të njohur, arriti deri aty, sa para njerëzve të hante jashtëqitjen e tij, në mënyrë që të tregonte, se ishte i çmendur.
Emri?
Mos ma kërkoni, emrin nuk e them dot. Dhe nga ana tjetër, duhet kuptuar presioni dhe vuajtja që mund të ketë patur ai person, derisa arriti të bënte një veprim të tillë…! Është një histori që njihet nga të gjithë të burgosurit politikë të Spaçit, por si bashkëvuajtës asnjeri nuk thotë emrin e tij dhe shumë mirë bëjnë.
Gjatë rrëfimit për hetuesinë, folët për kushtet atje. Po në Spaç si ishin kushtet, po ushqimi?
Kushtet ishin më mirë se në hetuesi, por sërish mizerje, kuptohet. Ata që punonin në minierë, ushqeheshin gjoja pak më mirë se sa ata që nuk punonin, për shkak se u duhej forca për në galeri. Kishte edhe nga ajo kategori që nuk punonin, pasi mund të ishin invalidë, etj. Ushqimi i minierës, mund të kishte ndonjë gotë qumësht, marmelatë, pastaj pjesa tjetër, ishte supë me presh që nuk futej në gojë, apo lëng fasule. Ishte e fortë, sepse kur ndonjërit i binte ndonjë kokërr fasuleje në pjatë, bërtiste me të madhe: “E kapaaaa!”
Për të marrë pak më shumë ushqim, kanë ndodhur ngjarje nga më të pabesueshmet. Për shembull, në disa raste nuk është treguar për vdekjen e shokut të dhomës. Derisa kufoma niste të binte erë, nuk tregohej, në mënyrë që të merrej racioni i tij i ushqimit. Lihej aty te krevati i tij, i mbuluar me batanije dhe rojeve u thuhej se ishte sëmurë. Uria e madhe detyronte shokët, që mos të tregonin për vdekjen, derisa kuptohej se nuk mbahej dot e fshehtë, për shkak të erës që shponte hundët. Te qelia përballë ka ndodhur diçka e tillë, pasi kërkonin të merrnin racionin e tij të bukës.
Ndryshe nga hetuesia, këtu kishte ujë në ngrohtë?
Ndryshe nga hetuesia, në kamp kishte ujë të ngrohtë një herë në javë. Çdo kapanon kishte ditën e larjes me ujë të ngrohtë, çdo javë. Por dy herë në javë, s’bëhej fjalë.
A kishin të drejtë të burgosurit, të realizonin takime speciale me gratë?
Lejohej, por përgjithësisht të burgosurit nuk i realizonin këto takime. Sepse mund të quheshin edhe si të pamoralshëm, që lejonin që gratë e tyre të vinin nga ana e anës aty në Spaç, duke udhëtuar mbi kamiona dhe duke u kontrolluar imtësisht nga rojet, para se të mbërrinin në dhomën e takimit special. Quhej si turp…!
A kishte ndonjë mjet argëtimi atje, p.sh. televizor, libra, etj.?
Ishte biblioteka me librat që nuk hynin në punë. Ishte një orë me detyrim, për të lexuar veprat e Enverit dhe salla mbushej me roje, për të mbajtur zgjuar të burgosurit, se të gjithë e kishin orë gjumi dhe jo orë leximi. Sakaq, kishte vetëm një televizor, që në orën 20.00 të darkës, lejoheshe për të parë lajmet te TVSH. Por ato lajmet ishin të diktuara dhe nuk është se i interesonte kujt. Ndonjëherë lejohej të shihej edhe ndeshjet e futbollit shqiptar.
Sakaq ishte një stendë, ku vendosej gazeta e hapur dhe mbi të xhami. Ishte “Zëri i Popullit” dhe “Bashkimi”. Ato i lexonim, por “kokëposhtë”. Domethënë, merrnim kuptimin e kundër të atyre çfarë shkruante gazeta. Bënim diskutime dhe parashikime. Dhe në fakt, na dilte gjithnjë e kundërta e asaj çfarë shkruhej aty. Mund të kemi gabuar muajt, por jo vitet për të parashikuar nëse x apo y, do të binin nga Byroja, apo edhe vrasjet e persekutimet.
Për shembull, e parashikuat vetëvrasjen e Mehmet Shehut?
E para, ai është vrarë, jo vetëvrarë. Nuk e parashikuam vrasjen e tij, por arrestuam Kadri Hazbiun.
Si e arrestuat?
Ne po shikonim skenarin. Më kujtohet se fill pas vrasjes së Mehmet Shehut, pamë se në festën e Pezës, ishte Nexhmije Hoxha dhe Kadri Hazbiu, më 16 shtator. Në momentin që pamë Kadri Hazbiun duke lexuar një letër, thamë: Pas kësaj letre ai nuk jeton më. Sepse ishte një lloj fjalimi, si fjala e fundit. E detyruan që të flasë, për të mos ekzistuar më. Që të gjithë atë natë thamë që; ky do të arrestohet të nesërmen.
Si u përjetua në burg, vetëvrasja e Mehmet Shehut?
Vrasja, këmbëngul. Nuk është se na erdhi keq për vrasjen e Mehmet Shehut, se atë e goditi dhe e vrau, regjimi që ndërtoi vetë. Me duart e tij. Pas tij qe radha e Kadri Hazbiu e, me radhë. Për Kadriun madje, morëm vesh edhe diçka tjetër.
Që ishte?
Për të fundosur jetën e Kadri Hazbiut dhe Feçor Shehut, janë marrë dëshmitarë nga burgu i Spaçit. Njëri prej të cilëve ishte dhe Telat Agolli.
Nga e keni krijuar këtë ide?
Nuk është ide, por është informacion i sigurt. Edhe ai vetë e ka pranuar. Kur u kthye në kamp, ai e thoshte me krenari që kishte dalë dëshmitar i Kadri Hazbiut e Feçor Shehut. E ka pranuar vetë Telat Agolli. Ai e quante heroizëm. Pra, në rast se mësoje se si ta lexoje gazetën e partisë, i parashikoje ngjarjet e zhvillimet. Memorie.al