Nga Edmond MALAJ
Memorie.al / Lef Nosi u përndoq gjatë gjithë gjysmës së parë të vitit 1945, deri më 7 gusht 1945, datë kur ai u arrestua. Sipas Stiliano Nosit, Lefi nga njëra anë, shpresonte që ndryshimi i gjendjes ndërkombëtare, do të ndryshonte situatën edhe në Shqipëri, prandaj fillimisht nuk donte që të largohej nga Shqipëria. Një arsye tjetër, pse Nosi nuk iku, ishte edhe se ai tashmë ishte 68 vjeç dhe vitet e fundit të jetës së tij, do të ishin shumë të rënda, nëse ai do t’i të kalonte në emigracion. Ai zgjodhi kështu rrugën e arratisjes nëpër male, brenda territorit shqiptar. Nosi fillimisht qëndroi në Shkodër dhe në malësinë e Dukagjinit, duke u fshehur së bashku me Patër Anton Harapin. Ai u detyrua dhe iku nga Malësitë e Shkodrës, për shkak se jeta atje ishte shumë e rëndë, duke pasur parasysh edhe moshën që kishte, dhe furnizimi me ushqime, ishte bërë gjithnjë e më i vështirë.
Pasi Lef Nosi kishte ndenjur për disa kohë në Shkodër, kohë për të cilën nuk kemi gjetur të dhëna të tjera, ai u kthye në Tiranë, në muajin shkurt të viti 1945. Megjithatë ai më vonë ndërroi mendje, në lidhje me opsionin e arratisjes. Kështu me shpresë se britanikët do ta ndihmonin, ai paraqitet tek Misioni Anglez, si shitës antikuarësh, dhe i kërkon këtij misioni ndihmë, për t’u larguar nga vendi, porse britanikë e zhgënjejnë, duke i thënë, se nuk kishin mundësi që ta nxirrnin jashtë. Nga Tirana, kishte marrë rrugën për në Elbasan, me Vasilin Nosin.
Fillimisht Lefi qëndroi në afërsi të Manastirit të Shën Gjonit dhe takimet gjatë kësaj kohe, i bënte me Vasilin, në disa vende të caktuara të fshehta. Më pas (qershor 1945), ai vazhdoi të qëndronte në rrethinat e Elbasanit, dhe pikërisht në fshatin Godolesh, dhe gjatë kësaj kohe, mbante lidhje me Vasilin dhe me Stiliano Nosin, të cilët për të takuar Lefin, shkonin aty si të maskuar. Megjithatë, fjala ishte përhapur tashmë, që Lefi ndodhej diku në rrethina. Si rrjedhojë, Komanda e Divizionit të Mbrojtjes së Popullit, dërgoi menjëherë njerëz në Godolesh, për të filluar kontrollet, pa treguar se bëhej fjalë për arrestimin e Lefit.
Gjatë kësaj kohe, Lefi banonte në shtëpinë e Adem Samurit e më pas ai ka qëndruar i fshehur edhe në fshatin Fikas, e pastaj në një pyll, ku ndenji pa ngrënë përreth dy a tre ditë dhe nga aty, është zhvendosur pastaj tek shtëpia e Ademit. Adem Samuri me Lef Nosin, kishte një miqësi të vjetër, pasi edhe gjyshi i Ademit, kishte qenë mik i Lef Nosit. Pastaj, ngaqë gjendja e ishte bërë e padurueshme, nga kontrollet e partizanëve, Lef Nosin e kishin shpënë në fabrikën e alkoolit, në dalje të Elbasanit, fabrikë kjo që ishte pronë e familjes Nosi.
Më pas aktiviteti i Ademit për fshehjen e Lef Nosit qe zbuluar dhe për këtë Ademi u arrestua dhe përfundoi në hetuesi, e pastaj në burg. Nosi më tej u dërgua në shtëpinë e Vasilit, dhe pastaj ka qëndruar i fshehur në lagjen “Kala” në shtëpitë e Kolë Gignasit e Ahmet Daklit dhe prej aty, qe transportuar për në Tiranë, ku qe fshehur fillimisht tek Mulliri i Xhemal Farkës, në hyrje të Tiranës. Inxhinieri hebre, Mark Menahem, i gjen strehim dhe e dërgon Lefin, tek shtëpia e një mësueseje shkodrane, që quhej Fahrije Haveriku, banuese në Tiranë, e cila kishte miqësi me Menahemin, që në vitin 1937, në Sarajevë, ku Fahrija kishte kryer shkollën e vajzave.
Fahrie Haveriku, njihej për urrejtjen e saj ndaj pushtetit komunist dhe kishte vepruar për t’i krijuar Lefit mundësi të tjera strehimi në Tiranë, pasi ishte e ndërgjegjshme, se Lef Nosi nuk ishte tradhtar, siç e paraqiste propaganda, por një patriot i këtij vendi dhe për këtë gjë, kishte refuzuar të merrte të holla për ta strehuar atë.
Shtëpinë e Fahrijes, Lefi detyrohet ta lejë sepse, kishte dyshime, se mos bëheshin kontrolle dhe për këtë arsye, atë e dërgojnë në shtëpinë e Xhelal N. (emrin e këtij personi, nuk kam mundur ta gjej të plotë).
Xhelal N., ishte rekrutuar nga Drejtoria e Divizionit të Mbrojtjes së Popullit, i cili në mënyrë të pabesë, e çoi Lef Nosin, në duart e forcave që e arrestuan. Lef Nosi u arrestua më 7 gusht 1945, në Tiranë. Me arrestimin e Lefit, janë marrë Siri Çarçani, Edip Çuçi dhe Manol Milo e, një person tjetër me inicialet Z. M.
Sekuestrimi i pasurisë së Lef Nosit
Në lidhje me sekuestrimin e pasurisë së Nosit, disponojmë një dokument nga Arkivi Qendror i Shtetit, i cili paraqet një listë të detajuar të asaj që u inventarizua në shtëpinë e Lef Nosit. Dokumentin për rëndësinë që ka po e sjellim të plotë:
Pasunia e t’arratisunit politik, Lef Nosi:
- Nji kopsht me pemë të ndryshme, në semtin e kullës e përbame prenj një pendë dhe kufijtë nga Lindja, Ibrahim Biçoku, në Perëndim, Xhemali Filja, në Veri, Demir Lulja e nga Juga, Shtëpia e engleskës.
Vërejtje: Ky kopsht administrohet prej vetë pronarit.
Gjendja familjare e politike e pronarit, përbahet prej nji personi, gjendja politike e tij para se të arratiset, ish- pjesëtarë i ‘Ballit Kombëtar’ dhe tash më banim të paditun.
Firmosës të këtij dokumenti, janë: Hajrullah Demeli, Kostandin Doku, Pavli Kavaja, Selim Shehu.
- Shtëpi në lagjen “Xhomi” Elbasan, tre kate.
Kati I-rë, tre dhoma si depo, njena bibliotekë.
Kati II-të, tre dhoma e nji banjë komplete, e një kuzhinë.
Kati III-të, dy dhoma e nji salon. Në kufi me Vasil Nosin.
Gjendja e shtëpisë
Shënim: “Në këtë shtëpi, banon komandanti i Qarkut, shoku Arif Konica, si dhe Matilde Nikoll Nosi (nëna e Frederik Nosit). Matilde deklaron se shtëpia. së bashku me të gjitha mobiliet që gjenden brenda, i kemi me Lef Nosin.
Gjendja politike; ish-organizues i “Ballit Kombëtar”.
Në faqen e dytë të dosjes, nga ku është marrë dokumenti i mësipërm, jepet urdhër, që pasuria të sekuestrohet, por në rast se janë të varfër, jo. “Megjithatë, në ato raste qi pasuria asht e madhe, ose punohet me bujq, komisioni i sekuestron dhe i administron, sikurse pasunit e t’arratisunve politikë e bejlerëve”.
Pra, nga ky dokument nuk del në dritë, se çfarë u mor në shtëpinë e Lef Nosit. Megjithatë ky dokument, është vetëm një inventor, por më vonë dënimi me vdekje i Lef Nosit, Patër Anton Harapit dhe Maliq Bushatit, kishte të përcaktuar edhe sekuestrimin e pasurisë së tundshme dhe të patundshme, sepse ata persona që dënoheshin nga gjyqet ushtarake me burgosje “që nga një, e gjer më 30 vjet, ose me burgim të përjetshëm, ose me vdekje dhe me konfiskimin e pasurisë së tyre, të tundshme dhe të patundshme dhe me humbje të përhershme, ose të përkohshme të të drejtave politike.”
Përveç kësaj, Lefi pati edhe një sërë studimesh që u ndalën në vitin 1944, e për fatin e keq nuk u botuan, por ngelën nëpër arkiva, nga ku një pjesë, me sa duket është vjedhur. Megjithatë në Arkivin Qendror të Shtetit, ka një fond të veçantë, në lidhje me Lef Nosin.
Humbja është shumë e madhe, pasi shtëpia e Lef Nosit, ishte një muze materialesh të ndryshme, që kishin vlera të mëdha, dhe librat e bibliotekës së tij, përfunduan në drejtime të ndryshme, dhe mesa duket një pjesë e tyre, gjendet edhe në Bibliotekën e qytetit të Elbasanit.Ai botoi më 28 nëntor të vitit 1937, dokumentin historik të Shpalljes së Pavarësisë, por sot ky dokument nuk gjendet.
Procesi gjyqësor ndaj atyre që e ndihmuan
Më 9 tetor 1945, Prokuroria, me akt-akuzën që e kishte nxjerrë nga proces-verbalet e hetimeve të para, i dërgon Gjykatës Ushtarake të Tiranës, aktet kundër të pandehurve Vasil Nosi, Stilian Nosi, Marko Menahem, Adem Samuri, Fahrie Haveriku dhe Xhemal Farka. Ata akuzoheshin se; “kishin strehuar kriminelin e luftës Lef Nosin, duke qenë dhe ndërlidhës”! Mbi këtë Prokuroria, kërkonte caktimin e ndëshkimit të tyre, në bazë të artikullit 1, të ligjit nr. 21, botuar në “Gazetën Zyrtare”, datë 23 dhjetor 1944, pra një ligji që u botua më vonë dhe hyri në fuqi më 15 dhjetor 1944. Këtë ligj po e citoj më poshtë:
“Artikulli 1. Të gjithë ata që sabotojnë luftën dhe pushtetin e popullit, ata që fshehin kriminelët e luftës dhe ata që ndiqen prej ligjit, ata që kanë dije mbi këta dhe nuk tregojnë, ata që vjedhin pasurinë e Shtetit dhe të popullit, ata që spekulojnë dhe falsifikojnë, ata që bëjnë kontrabandë, ata që fshehin sende të domosdoshme për ushqimin, strehimin e popullit dhe për ndërtimin e vendit, dënohen nga gjyqet ushtarake, me burgosje që nga një e, gjer më 30 vjet, ose me burgim të përjetshëm, ose me vdekje dhe me konfiskimin e pasurisë së tyre, të tundshme dhe të patundshme dhe me humbje të përhershme, ose të përkohshme të të drejtave politike”.
Më 21 tetor 1945, gjykata e formuar nga Irakli Bozo (kryetar), Q. Deçka, R. Kruja, në bashkëpunim me prokurorin, Skënder Kosova, i ka shpallur fajtorë të gjithë të pandehurit, në bazë të nenit 1, të ligjit të sipërpërmendur dhe i ka dënuar si vijon:
Vasil Nosi, u dënua me 6 vjet burgim dhe humbjen e të drejtave politike e civile për aq kohë, ai vdiq i burgosur, në Fabrikën e Alkoolit në Elbasan;
Mark Menahem, u dënua me 4 vjet burg dhe humbjen e të drejtave politike e civile, për aq kohë;
Stiliano Nosi, u dënua me 3 vjet burg dhe humbjen e të drejtave politike e civile, për aq kohë. Ai vdiq në vitin 1983;
Fahrie Haveriku, u dënua me 3 vjet burg dhe humbjen e të drejtave politike e civile, për aq kohë dhe më pas, së bashku me të vëllanë, u arratisën nga Shqipëria dhe shkuan në një shtet evropian;
Xhemal Farka, u dënua me 2 vjet burg dhe humbjen e të drejtave politike e civile, për aq kohë. Më pas u ri-dënua me pushkatim, për shërbime në misionin ushtarak anglo-amerikan;
Kurse Adem Samuri, u dënua me 6 vjet burg, nga të cilat vuajti 4 prej tyre. Ai vdiq në shtëpinë tij, si mik i familjes Nosi.
Pas procesit të tyre disa muaj më vonë, nisi një proces tjetër, ai i Lef Nosit dhe i dy personave të tjerë, këta ishin; Maliq Bushati dhe kleriku françeskan, Patër Anton Harapi OFM.
Gjyqi ndaj Lef Nosit
Lef Nosi qëndroi në hetuesi për 5 muaj, deri në fund të janarit të vitit 1946, kur ai u nxor në gjyq, më 31 janar 1946. Aty Prokuroria e Gjykatës Ushtarake të Tiranës, lëshon akt-akuzën kundër të tre të arrestuarve, duke i akuzuar ata, si; “kriminelë lufte dhe armiq të popullit”, dhe me shumë akuza të tjera, që sigurisht nuk ishin të vërteta. Proces-verbalin me akuzat ndaj tyre, po e japim në vijim:
“Republika P. e Shqipërisë
Gjykata Ushtarake e Tiranës
Nr. 24 i Librit Themeltar
Tiranë, më 31 janar 1946
Proces-verbal
Prokuroria e kësaj Gjykate, me akt-akuzën, datë 31 janar 1946, na referon për gjykim, bashkë me aktet, tre të pandehurit: Lef Nosi nga Elbasani, Patër Anton Harapi, nga Shkodra dhe Maliq Bushati, po nga Shkodra, të akuzuar pse; si kriminelë lufte dhe armiq të popullit: dy të parët në cilësinë e tyre, anëtarë të Regjencës në kohën e okupacionit nazist, kanë bashkëpunuar dhe i kanë shërbyer këtij okupatori, në dëm t’interesave të larta të Atdheut dhe janë përgjegjës për të gjitha krimet, shkatërrimet dhe dëmet materiale të kryera në vendin tonë dhe i treti ka përgatitur, n’ bashkëpunim me tradhtarë të tjerë, terrenin për okupimin e Shqipërisë nga Italia Fashiste, ka sabotuar rezistencën e popullit shqiptarë, në cilësinë e tij Kryeministër në kohën e okupacionit fashist, ka bashkëpunuar në mënyrën më të ngushtë me okupatorin në dëm të popullit shqiptar dhe ka mobilizuar e subvencionuar forca armate për kundra luftës Nc. Çl, etj, etj.
Aktet u regjistruan nën Nr. 24 të Librit themeltar të këtij vjeti dhe për ditë gjykimi të çështjes, u caktuan data 1 fruer 1946, ora 9, duke iu njoftuar të pandehurve që ndodhen të arrestuar”.
Pra më 1 shkurt 1946, një trup gjykues, pjesëtarë të të cilit ishin Irakli Bozo, Tonin Jakova dhe Gjon Banushi, në praninë e prokurorit Misto Treska, hapën gjyqin në kinemanë “Kosova” në Tiranë (sot Teatri Kombëtar). Gjykimi u mbajt, në tetë sesione, të pranishëm ishin edhe shumë anëtarë të partisë, që vazhdimisht e ndërpritnin procesin dhe me tallje e sharje.
I pari është marrë në pyetje Lef Nosi, i përfaqësuar nga avokat Zoi Xoxa. Ndër shumë akuza të tjera, Lef Nosi, nga prokurori u akuzua edhe si përgjegjës për vrasjen e 50 mijë vetëve, pavarësisht se e gjithë lufta, nuk kishte më shumë se 3 – 4 mijë të tillë. Të tre ndër të tjera, u mbajtën përgjegjës edhe për të gjitha humbjet që pati Shqipëria, gjatë Luftës.
Në përfundim të këtij procesi politik, ku nuk doli asnjë akuzë e drejtpërdrejtë, nga ato që mëtoheshin nga prokurori dhe vendimi i gjykatës, u dha dënimi me vdekje, për të tre të pandehurit. Pra, më 12 shkurt 1946, Gjykata Ushtarake e Tiranës, mori vendimin për dënim me vdekje, për Lef Nosin, Maliq Bushatin dhe Patër Anton Harapin. Dokumentin e Vendimit po e sjellim më poshtë:
Akt-Gjykim
Gjykata e Lartë Ushtarake, e formuar prej: N/Kolonel Gaqo Floqi Kryetar, Major, Frederik Nosit, Anëtar, Kapiten I-rë, Veledin Zejneli, anëtar.
Me ligj:
Vendimi i gjykatës së faktit, është i bazuar në dispozitat ligjore përkatëse, sasia e ndëshkimit caktuar me VDEKJE, për të dënuarit është i drejtë dhe në përpjesëtim me fajet dhe veprat e kryera prej tyre:
Prandaj:
Gjykata e Lartë duke pëlqyer edhe mendimin e Prokurorit në bazë të nenit 31 të Ligjit Nr. 41 datë 14 Janar 1945 mbi organizimin dhe funksionimin e Gjykatës së Lartë
Vendosi:
Aprovimin e akt-gjykimit Nr. 24, datë 12. II. 1946, të Gjykatës Ushtarake të Tiranës, me të cilën është vendosur ndëshkimi me VDEKJE, të pandehurve: Lef Nosi nga Elbasani, Patër Anton Harapi nga Shkodra dhe Maliq Bushati nga Shkodra, me të cilën humbin të gjitha të drejtat qytetare dhe politike, sekuestrimin e pasurisë së luajtshme dhe të paluajtshme”.
Lef Nosi, nuk pranoi të bënte kërkesë faljeje. Megjithatë organet e atëhershme bënë një dokument, që gjoja Lef Nosi, kishte kërkuar që t’i falej jeta. Dokumentin e përmendur do sjellim si më poshtë:
Vdekje Fashizmit liri e popullit
P. T. Asamblesë Kushtetuese, Tiranë
I nënshkruemi Lef Nosi, kam nderin me parashtrua sa më poshtë:
Gjykata Ushtarake e Tiranës, me vendimin e saj datë 12 të muajit vazhdues, më ka ndëshkue me vdekje.
Tue përsërit gjithçka kam thënë gjatë rrjedhimit të gjykimit, lutem të kini mirësinë, të më falet jeta.
Tiranë 12/2/1946
Me nderime Lef Nosi
(firma)
Një dokument me përmbajtje pak a shumë të ngjashme, gjeta edhe për Pater Anton Harapin, kurse “kërkesën për falje”, të Maliq Bushatit nuk munda ta gjej. Vendimi u la në fuqi edhe dy ditë më pas, nga Gjykata e Lartë Ushtarake, Lef Nosi u ekzekutua tek “Kodrat e Priftit”, në Tiranë, por ka edhe një version tjetër, ku thuhet se ai u pushkatua në Kodrën e Kryegjyshatës Bektashiane.
Sipas Katriot Dervishit, “Lef Nosi i ka ‘ftuar’ xhelatët e tij, t’i jepnin fund kësaj komedie, siç e kishin nisur, duke mos pasur as besimin më të vogël, në të ashtuquajturën ‘drejtësi të popullit’, që nuk ishte gjë tjetër veçse vegla e Partisë Komuniste, në ekzekutimin e planit famëkeq për zhdukjen e kundërshtarëve politikë dhe të njerëzve të ditur të këtij vendi”.
Adelina Kosturi, pak vite më parë, në moshën 92-vjeçare, në lidhje me ekzekutimin e Lef Nosit, kujton: “Fill pas pushkatimit, kunati im, Jorgaq Kosturi, që ka vdekur prej shumë vitesh, mori dy punëtorë, i mbuloi me dhé, se ishin varrosur shumë cekët dhe vendosi një kavanoz tek këmbët e Lefit, për ta identifikuar më vonë. Ky varr nuk është gjetur akoma.”
Personin që tradhtoi Lef Nosin, sipas Adelina Kosturit, “më pas e graduan nga kapiten në major dhe me sa di unë, bëri 10 vjet burg, u lirua pas viteve ’90-të dhe sot gëzon statusin e të përndjekurit politik, madje shkruan edhe kujtime”?! Memorie.al