Nga Maksim Rakipaj
Pjesa e katërmbëdhjetë
Memorie.al/ Maksim Rakipaj, me origjinë nga Përmeti, familja e të cilit kishte ndihmuar dhe përkrahur Luftën Antifashiste Nacionalçlirimtare, pasi u diplomua në Shkollën e Marinës në Vlorë, në vitin 1972 u emërua oficer në Flotën Detare Tregtare, ku shërbeu me përkushtim deri në vitin 1977, në vaporin “Durrësi”, u arrestua dhe u dënua me 15 vjet burg politik, në përbërje të një “grupi”, ku bënte pjesë edhe kolegu tij, Aladin Kapo, djali i vëllait të Hysni Kapos. Si shkak për dënimin e tij, ishte edhe biografia familjare. Pas mbarimit të Luftës, dy nga xhaxhallarët e tij, u dënuan me burg politik, gjyshi u shpall kulak dhe më 1976, i ati u përjashtua nga partia. Vuajtjen e dënimit, Maksi e filloi në kampin e Ballshit dhe në 1979-ën, u transferua në kampin e Spaçit dhe më pas në atë të Qafë Barit. U lirua më 12 shtator të vitit 1984, duke përfituar ulje dënimi, nga një amnisti. Pasi qëndroi shumë kohë pa punë, me shumë mundime, u sistemua si minator në minierën e Mëzezit, punoi deri në vitin 1991. Pas viteve ’91-të, ai filloi punë në administratën e Bashkisë së Durrësit, shërbeu deri në vitin 1997 dhe më pas, u rikthye përsëri në Marinën Tregtare (kapiteni i fundit i transoqeanikut “Vlora”), deri sa u largua nga Shqipëria për në Itali, (ilegalisht me gomone), ku jeton aktualisht prej shumë vitesh. Që pas viteve ’90-të, krahas punëve të ndryshme, Maksim Rakipaj i është kushtuar edhe shkrimeve, si; poezi, prozë, letërsi artistike apo dokumentare, përkthime etj., duke botuar disa libra, si: ‘Profeti – Khalil Gibran’, (përkthim nga anglishtja ‘Toena’ 2003), ’20 poezi dashurie dhe një këngë trishtimi’, (përkthim nga spanjishtja, ‘Toena’ 2003), ‘Gjallë pas mbytjes së anijes’, (botim i ISKK, 2014), ‘Bukowski – poezi’, (përkthim nga anglishtja, ‘ENEAS’, 2015), ‘Trilusa m’Tironë’, (përkthim nga italishtja, ‘UEGEN’, 2015), ‘Antologji e poezisë arabo-persiane’ (përkthime nga anglishtja, ‘UEGEN’, 2015), ‘Sonetet e plota të Shekspirit’, (përkthim nga anglishtja, ‘ADA’ 2016’), ‘I mbijetuar’ (roman autobiografik, ’2 Lindje, 2 Perëndim’ 2018), ‘Nobelistët – antologji poetike, (UEGEN 2019), ‘Hymni i lumturisë’ (‘JOZEF’ 2023), etj. Nga krijimtaria e z. Rakipaj, Memorie.al po publikon, librin “I mbijetuari”, (botuar në 2022 nga Shtëpia Botuese “JOZEF” në Durrës, e drejtuar nga z. Aurel Kaçulini), ku ai ka përshkruar në mënyrë kronologjike, jetën e tij, ku pjesa kryesore është ajo e vuajtjes së dënimit në kampe dhe burgje, si dhe personazhe të ndryshëm, bashkëvuajtës të tij që njohu në skëterrën komuniste, etj.
Një vetëvrasje
…Spaç, dhjetor ’79. Këtu dimri është i ashpër dhe jo vetëm dimri. Sot është e dielë, ditë pushimi. Ke kohë të takosh shokët, që janë me turne të ndryshme nga ty. Më pëlqen e diela sepse, kam më tepër kohë për miqtë, lexoj tregimet dhe poezitë e Zydi Moravës, poezitë e Visarit, diskutoj me Islam Spahiun, Hiqmet Myzyrin, pi kafe me të mençurin Ahmet Kolgjini, bëj hajgare, me kosovarin Hasan Kukali, që sado të lodhet, prapëseprapë, rri gjithë ditën duke qeshur e duke treguar qyfyre.
Një qetësi në kamp…! Sot në mëngjes, po pi një kafe me mikun tim të mirë, shkrimtarin Halil Laze, që më thotë: “Kam nja dy kile miell, në trajsen e ushqimeve, e ruaj për hallvë. Në se nuk ngordh lugati (e kishte fjalën për Enver Hoxhën), deri në qershor, do dal e ta shpërndaj miellin në erë, te tarraca…”!
…Kur u dëgjuan disa të bërtitura jashtë: – “Mos! F., mos i kalo telat”! …I burgosuri F., ishte mbyllur në vetvete. Nuk ia falte vetes, që kishte pranuar të bëhej spiun. Ftohtësia e njerëzve e mundonte. Kishte vendosur të vriste veten. Sot i afrohet zonës së ndaluar. Është një tabelë me shënimin “NDAL”, pastaj janë tre radhë telash me gjemba dhe prozhektorë. Pas gardhit të tretë me tela me gjemba, rreth 3 m. të lartë, janë karakollet e rojeve. me mitrolozë.
Kanë urdhër të vrasin këdo prej të burgosurve, që i afrohet tabelës “NDAL” dhe për vrasjen e kryer, dekorohen dhe marrin dy javë leje. Ushtarët, janë të tmerruar prej të burgosurve. Komisari u tregon përditë histori, me agjentë të rrezikshëm që ndodhen me qindra brenda telave dhe disa prej tyre, janë të aftë të kalojnë edhe që të tre gardhet me tela, vetëm me një kërcim, të çarmatosin dhe të këpusin kokën, vetëm me duar. Ushtarët i besojnë përrallat e komisarit; shumica janë nga fshatra të thella dhe injorantë.
Besojnë që ne jemi ata që duam të prishim “gëzimin” e “lumturinë” e popullit, që ndërton me “sukses” socializmin. Por ushtari që është sot në shërbim, nuk është robotizuar ende. Ai nuk po sheh një armik të rrezikshëm, që kërcënon jetën e tij dhe lumturinë e popullit trim, liridashës…! Ushtari sheh një njeri, që do thjesht të vdesë, t’u japë fund vuajtjeve të tij. Thërret: – “Ndal! Ndal, se do të qëlloj”!
I burgosuri F., kapërcen me mundim dhe duke u gjakosur gardhin e parë. Fillon të kacavirret te gardhi i dytë…! “Mos o njeri! Mos ma bëj këtë! Ndalo, se nuk dua të të vras…”! Toni i ushtarit, është lutës tani, jo urdhërues, si thirrja e parë. I burgosuri, kalon gardhin e dytë… edhe dy metra, e ndajnë nga rrethimi i fundit. Lutjeve të ushtarit për të ndaluar, iu përgjigjet pa fjalë; me një gjest tregon gjoksin, si për t’i thënë ushtarit: ja shënjestra jote…!
Ushtari qëllon në ajër. F., vazhdon përpara, kap telat e fundit me dorë. Ushtari qëllon, një breshëri të shkurtër. Jo në kokë, as në gjoks, si i porosiste përditë Partia, nëpërmjet zërit të komisarit. E qëllon në këmbë, poshtë gjunjëve. F., rrëzohet në dëborën e bardhë. Ushtari lëshon armën dhe zë kokën me duar: “Bo ç’bëra”! duke kujtuar se e vrau…!
Por F., ishte gjallë. Një plagë të lehtë në këmbë, kish marrë. Kur u rikthye në kamp nga spitali, as nuk çalonte…! Të gjithë e përqafuan kur u kthye në Spaç dhe e uruan me gjithë zemër: “Shyqyr që shpëtove, F…, të shkuara”!
– Ushtarit, nuk i dhanë dy javë lejë shpërblim. E qortuan rëndë, para repartit. I hoqën të drejtën të bënte shërbim me armë. Thanë që e transferuan. Dikush tha, që më pas e arrestuan…!
Pse deshi të vriste veten F.?! Eh, ç’rëndësi ka?! Edhe sot ka njerëz që vrasin veten, edhe sot ka njerëz, që nuk ta marrin jetën, për të fituar një shpërblim. Apo jo?!
Ije Farka denoncon Enver Hoxhën; spiun i pushtuesve?!
Mbasi e shtypën me terror, me 5 pushkatime dhe mijra vjet ridënime, revoltën e Spaçit, prapë nuk u ngop me aq, vampiri. Nuk i mjaftoi gjaku i 4 heronjve dhe i “Tartit”, qenit hero të revoltës së ’73-it. Dënime, ridënime dhe të burgosur të rinj vinin çdo javë. Në dhjetor ’82, kur më transferuan në Qaf-Bar, lashë mbi 1200 vetë në Spaç. Veç kësaj, banditët në pushtet, dënuan edhe kampin. Kampi u dënua 5 vjet pa lojëra, pa shah e volejboll, pa filma, pa TV, pa libra.
Mbi një vit pas revoltës punohej edhe të dielave, edhe ditët e festave, pa pushim. Më në fund mbaroi dënimi për kampin, filluan të lejohen: shahu, dominoja, më vonë edhe librat. Por gjithmonë nën syrin vigjilent të komandës, policëve dhe “legenëve” të Zyrës së Riedukimit. Sollën edhe një televizor “Iliria 24”, që e vendosën te salla e madhe e mbledhjeve. Bujari dhe Everesti, rregulluan antenën. U caktua edhe orari i lejuar për shikim televizori, deri në 21 e 30, a deri në ora 22 më duket. Qejf i madh. Kishte që nuk kishin parë kurrë televizor. Përpiheshin të gjitha programet: të fëmijëve, sportet, emisionet shkencore, përvjetorët e ndryshëm, lajmet, filmat…!
Po afrohej 29 nëntori, festa më e dashur e partisë, dita e “çlirimit”, dhe me atë rast, kishte gjithmonë dokumentarë, intervista për jetën e heronjve të luftës “çlirimtare”. Salla plot. Televizioni jepte kujtime për Vojo Kushin dhe dy të tjerë që u vranë nga fashistët italianë te “Kodra e Kuqe”. Në ekran, zonja e shtëpisë, ku u vranë tre heronjtë, Ije Farka. Atë ditë nëntori ’79, gazetari i TVSH-së, po intervistonte të vetmen të mbijetuar nga ndodhia e Kodrës së Kuqe:
– “Erdhën at ditje, tre çunat e nonës…! Vojo ishte mirë, dy tjert: nji i plagos, nji i smun, me toberkoloz…! U dhash me hongër, u rregullova venet me flejt…
‘Ije, – m’thot Vojo mu, – hap syt, se ka spijuna gjithanej, mos bish m’sy, qi ke njerz tjer, më shpit…! Ene nigjo: Kurrkujt! Kurrkujt, nuk duhet t’i thujsh, që unë vet i tret, jom ktu. A m’kuptove’?
– ‘Mos ke merak, t’u boft Ija ty, – i them…! Ene nejtën rahat çunat e nonës, nja dy net m’shpi teme…! Nuk hapa goj un, asnjonit nuk i thash gjo, as atyne të partis, se m’pat porosit Vojo mu…! Asnjonit Ije…!
Kur ditën e tret, masdreke, aty nga ora 4 m’gja, tak-tak dera…! Sa murën m’u mçef çunat, kur foli ai, i miri nonës, i bukri nonës, ishte vet Enver Hoxha…!
Nji t’hap derën priher una, ene e kapa n’qaf…! U çu ene Vojo, u kapën qaf ata dy. ‘Po ti, ktu qeke’?! pyti me merak Enveri Vojon. ‘Pse s’ke lajmru, që je ktu, ke Ija…?! T’vijshim me u taku, u dokan ene ilaçe’! I lash çunat tuj bo muhabet, ene dula un me u bo naj kafe. Nji t’pi kafen Enveri, biri nonës, ene m’thot: ‘Ije, ki kujdes shokët! Un po dal…’! – Mos kij merak, t’u boft Ija ty’! Ene dul Enver Hoxha… ene shyqyr thash, se pa u mush gjymës sahati, qi pat dalë, veç kur taljont e rrethun gjith lagjen…”!
Vazhdonte tregimin e mallëngjyer Ije Farka (në vitin 1942 s’qe aspak plakë!) dhe nuk harronte të përsëriste: “Shyqyr, shyqyr, boja me vete, që pshtoi e dul Enveri nonës…”!
…Hiqmet Myzyri, që rrinte gjithmonë ulur pranë meje, më thotë në vesh: – “Nuk paska vra vetëm Qemal Stafën, ky dylberi gjinokastrit…”!
Mbas ndonjë viti, arrestuan nipin më të dashur të Ije Farkës, që e kishte më shumë se djalë, ing. Ismail Farkën, për agjitacion e propagandë. Ija, figurë e përvitshme e Radio-Televizionit, nuk u pa më në ekranin e vogël…!
(Shënim: Ky dokumentar, ka qenë në arkivat e TVSH, nuk e di a ndodhet ende atje…?!)
INTERMEXO III
Kafshët në burgjet tona
“Keti”
Kafshët dhe të burgosurit…një roman i tërë mund të bëhet. Është mister i madh, lidhja e fuqishme që kafshët arrijnë të krijojnë me njerëzit, në përgjithësi. Por në burg, kjo lidhje, për arsye që merren lehtë me mend, 100 fishohet…! Cilido i burgosur, ka kujtimet e tij, për njerëzit që ka njohur në burg. Të bukura ose të hidhura, varet. Por kujtimet për kafshët, sado të dhimbshme, janë gjithmonë kujtime të bukura.
Cili prej atyre që ka qenë në Spaç, në vitet ’80-’82, nuk vë buzën në gaz, kur kujton qenin me emrin “Bol”, që e rriti i pari Xake Bregu, pastaj u bë mik i të gjithëve? Kush nuk përlotet, edhe pa e njohur, për “Tartin”, qenin hero, që u pushkatua bashkë me 4 heronjtë e Revoltës së Spaçit në ’73-in…?! Ka histori nga më të pabesueshmet me kafshët në burgje. Mace dhe maçokë, lejlekë, minj, mushka, qenër, zogj…!
Në ditët e para të arrestimit, në birucë, zura “miqësi” me një merimangë. Meri e quajta…! Kaluam rreth një muaj bashkë, pastaj e vranë, kur lyen birucën nr 26, të shqetësuar, pse unë i hidhja miza për ta ushqyer…!
Në kampin e përqendrimit në Ballsh, kishte shumë mace, sidomos maçokë: “Çarli”, “Qemali”, “Niku”, “Benzi”, dhe më i njohuri nga të gjithë: “Kuqo”. Ndërsa nga macet, ishte “Nusja” (motra e “Kuqos”), “Zenepja”, dhe ajo që dua t’ju tregoj tani, Keti…!
– “Ti nuk e ke njohur Ketin, Makso”, – më thoshte ato ditë një miku im, edhe ai adhurues i maceve. – “Keti e vockël, e vetmja që mbeti gjallë, e sapolindur, prej atij maskarait, Gaqo K., që kishte marrë urdhër t’i zhdukte, e mori dhe e rriti S., (nuk ia kujtoj dot emrin). Si një fëmijë e ka rritur…! I jepte qumësht, duke njomur gishtin e vogël, derisa sajoi një biçim biberoni, për të. Qumështin ku e gjente?! Ia përgatiste me qumësht pluhur, që ia sillte familja…! E rriti “Ketin”, si fëmijën e vet. Nuk i afrohej kujt “Keti”, vetëm atij. Kur S. shkonte në punë, “Keti”, fshihej te dysheku i tij, nuk e shihte kush.
Sapo S., kthehej nga puna dhe i thërriste “Keti”, vetëm atëherë dilte vrap dhe i hidhej në gjoks…! I bëri vitet e dënimit ky S. dhe i erdhi dita e lirimit. Bëri gati plaçkat e veta, mori dhe “Ketin” me vete, që ishte rritur goxha tashmë…! “Po këtë mace ku e shpie”?! iu hakërrye polic Aliu, më i keqi i kampit të Ballshit…! “Macja teme, bre, ‘Keti’. E njohin tërë, që është temja, e kam rritur vetë”! “Macen, s’ke për ta marrë, nuk lejohet”! “Po ce, bre, shef Aliu?! Macja nuk është e dënuar që…”?! “Do ta mbyllësh ti, apo si e ke hallin?! Foli atij G. K., more, të vijë e t’ia gjejë vendin kësaj maceje, ashtu si di ai…”!
Keti, sikur ta dinte ç’e priste, u zhduk rrufeshëm. Doli S. nga kampi, i përlotur…! Kur doli jashtë rrethimit, gjithë të burgosurit, që e kishin marrë vesh se ç’po ndodhte, dëgjuan thirrjen e thekshme të korçarit S.: – “Keeetiiiiii…”! Të gjithë, të përlotur, panë “Ketin”, që se nga doli dhe u turr jashtë telave me gjemba, drejt e në krahët e mikut të saj…!
…Në korrik 1980, kur kisha ditëlindjen, përveç të përhershmëve nënës dhe tim vëllai, Dashamirit, më erdhi edhe motra, Elsa me dy fëmijët e saj: Isidën dhe Erin, që pat lindur pas arrestimit tim dhe nuk më njihte. Isida (6 vjeçe) më shihte e frikësuar. Nuk ia merrte mendja që ky kokëqethur, me këto rroba doku vija vija, qenkësh daja i saj, por nuk fliste. Në mes të recitimit të vjershës së saj më të dashur: “Tanja jonë po qan shumë / i ra topi mu në lumë”, sapo tha fjalën – pllaçjet (rusisht) – “qan”, ia dha të qarit me dënesë duke u ngjeshur pas meje. I folëm të gjithë: “Mos të keqen, ja dhe pak dhe daja do vijë në shtëpi. Ç’ke ti, ja do ta shohësh.” Në një pauzë në mes të ngashërimave të Isidës, kur unë përpiqesha të fshija lotët e mi, u dëgjua zëri i Erit tre vjeçar: “Uuuu, macaaa”! Isida pushoi të qarët. “Kuqo” i Spaçit, hyri dhe u përshëndet me njerëzit e mi të dashur, mori pjesën e vet dhe u largua.
4 – Edhe qentë të burgosur…!
Nuk e gjeta “Çapin” kur mbërrita në kampin e përqendrimit në Ballsh, por gjeta shumë kujtime për të. Të burgosurit flisnin për “Çapin”, njësoj si të flisnin për një mik të tyre, por gjithnjë me dhimbje, a me një buzagaz të trishtë: “Ehhh, e pushkatuan ‘Çapin’ e shkretë, e pushkatuan”!
Nuk dihet se si përfundoi ai qen i vogël bojë kafe (si uniforma e të burgosurve), brenda kampit. Dikush thoshte se; e pat sjellë ndonjë prej të burgosurve, që punonte me brigadën e ndërtimit, andej nga Azotiku; dikush, duke qeshur, thoshte se; e pat dënuar gjykata e Fierit, për agjitacion e propaganda sepse pat pshurrur pranë një muri, ku qe portreti i udhëheqësit të lavdishëm…! Sido që të qe, “Çapi” u bë mik me të gjithë. Thoshin, madje, që i njihte të burgosurit me emër. “Qafsha t’gjith, Makso, t’i jepshe nji letër ‘Çapit’, e t’i thoshe: – ‘Hajde ‘Çapi’, çoja kte letër Selës!- S’kish derman, nuk ia jepte kërrkujt, vetëm atij! Po të mos e gjente Selën’ vinte ta kthente letrën mrapsh, si tuj qajt, sikur të thoshte nuk e gjeta…”!
Por njëherë, e pa polici më i keq i kampit, Aliu. E pa “Çapin” me një letër në gojë, e ndoqi, e kapi, por “Çapi” si të qe njeri, e gëlltiti letrën dhe nuk ia dorëzoi polic Aliut. Nga inati, polic Aliu, i ra me shkelm brinjëve. Që atë ditë, polic Aliu, nuk guxonte të hynte më në kamp se “Çapi” i vërsulej si i tërbuar, por miqtë e “Çapit”, arrinin gjithmonë të shmangnin një përleshje; “Çap” – Ali. E ndjente “Çapi” menjëherë, sapo Aliu ishte gati për të hyrë në kamp; kush qe pranë “Çapit” i fliste, e qortonte, i thoshte që ta përmbante inatin…: “Mos bëj kështu, o “Çap”, vetëm për një shkelm…! Ohu, sa shkelma kemi ngrënë ne”! Dhe “Çapi” bindej, pa dëshirë, por bindej zemër thyer, duke hungërritur me vete, sikur donte të thoshte: “Epo mirë, (iiu), ju (ugrrruuu) e dini më mirë, ia keni marrë dorën burgut (hum, hum)”! Por ndodhi ajo që pritej. Një mbrëmje u dëgjuan dy krisma pistolete, nga krahu i zyrave të komandës. E ndjenë që të gjithë të keqen: – “Mos! Na e vranë ‘Çapin’ e shkretë”! dhe kampin e mbuloi zia.
Kurse në Spaç dhe në të gjithë burgjet komuniste, ishte gjallë legjenda e qenit hero, “Tartit”, që edhe ai, njësoj si katër heronjtë e Revoltës së Spaçit, që nuk pranuan të shtrihen përtokë dhe të lidheshin si të gjithë të burgosurit, nuk u dorëzua, por luftoi deri në fund krah 4 heronjve, kundër kanibalëve të shtetit komunist. Në kujtimet e tij, një pjesëmarrës i revoltës, ka shkruar edhe një poezi-elegji, për “Tartin” hero. E lexova atë elegji, jo pa u përlotur, në një koment që bënte Neritani, djali i shokut tim, Ahmet Kolgjinit.
Pse të jetë kjo lidhje kaq e fuqishme e kafshëve, me të burgosurit?! E kam vrarë shpesh mendjen për këtë gjë. Mirë, me macet dhe qentë ka plot histori miqësie, edhe me jo të burgosur. Po lejleku i kripores së Vlorës, që shoqëronte të burgosurit në punë vajtje-ardhje? Të burgosurit e linin punën, sapo lejleku ngrihej në ajër; policët kontrollonin sahatët dhe, për çudi, kishte vajtur ora, për të lënë punën…!
Një herë, kur isha turni i dytë në Spaç, pashë që dikush kishte zënë shoqëri me një mi. Ndërsa Islam Spahiu po mbushte vagonin, Ahmet Kolgjini, shkoi pak më larg, për të pirë një cigare. U afrova edhe unë. Ishte kënaqësi të pije një cigare, në shoqërinë e tij. Ahmeti, sa më pa, ma bëri me shenjë të mos bëja zhurmë. U afrova pa u ndjerë dhe pashë që po i jepte ca thërrime buke, një miu të zi miniere: “Mos ki frikë, Maksi, është shoku im”! Dhe miu vazhdoi të hante, pa e prishur terezinë. Ahmeti më tha buzagaz: “Ka tre muaj, që vjen gjithmonë e, më takon”!
…Kjo lidhje vjen, ndoshta, sepse kafshët e ndjejnë, se një i burgosur, ka shumë dashuri për të dhënë. Njeriu, kur nuk merr dashuri, për çudi, është në gjendje të japë, shumë herë më tepër, se sa kur e merr atë. Kafsha e ndjen këtë, sepse ne me sa duket, rrezatojmë fuqishëm nevojën për dashuri, kur ajo na mohohet, na hiqet, na dhunohet. Në burg na japin “të hamë” urrejtje, me shumicë, ne e “hamë” pa u ndjerë dhe e kthejmë të gjithën në dashuri…!
… Një mëngjes, i burgosuri Riza Bregu, duke shkuar në mencë, pa tek shkallët një këlysh të vogël, që i doli para duke luajtur bishtin…! Hapi sytë, se nuk kuptoi se si mund të kishte mbërritur atje, ai këlysh i vogël! E mori me vete dhe i dha racionin e vet të qumështit. Dikush e pyeti: “Si e quajnë kte bolin e vogël, o Xake”!
“E ke gjet, e qujn ‘Bol’, u përgjigj Rizai, duke qeshur. Spaçianët e “birësuan” menjëherë “Bolin”, që dukej të ishte një shartim, i një qen stani, me ndonjë bastard, qime shkurtër, bardhosh, me njolla kafe. U rrit shpejt “Boli”, ajo vrima që i pat sajuar Xakja, te depoja e zarzavateve, nuk e nxinte më. Hante çdo gjë “Boli”, çfarë t’i jepje: ullinj, shalqin, mollë, byrek, pilaf, marmalatë…! Për të fjetur, futej te shtrati i Rako Kristos, që flinte, pa i hequr çizmet e minierës. Kur u bë rreth një vjeç, “Boli”, filloi të shkonte në minierë, me të burgosurit. I shpëtonte me shkathtësi syrit të policëve, që kontrollonin hyrje-daljet, për në minierë. Komandës së kampit, nuk i pëlqeu kjo gjë, dhe mendoi ta zhdukte “Bolin”.
Një ditë, e gjetëm “Bolin”, të shtrirë në sheshin para mencës, me sytë e shuar dhe lëshonte një si shkumë të bardhë, nga goja. E kishin helmuar! Në ambulance, nuk kishte antidot. Dikush prej të burgosurve, solli një litër vaj ulliri, nga ushqimet që i pat sjellë familja dhe ia hodhi të gjithë në fyt “Bolit”, që mezi regëtinte. Ishte qen i fuqishëm “Boli”, dhe ia hodhi atë radhë, por nuk afrohej më tek kuzhina e kampit, ku si duket, e patën helmuar. Komanda, nuk e la me kaq; një pasdreke “Boli”, hyri i gjakosur në kamp. I patën qëlluar me çifte. Mjekimet atë radhë, erdhën nga ambulanca e kampit, të burgosurit, ia nxorën të gjitha saçmet, që i kishin depërtuar në trup “Bolit”, që rrinte palëvizur gjatë operacionit. Për disa javë, “Boli”, ishte si i verbuar.
Të gjithë ishin të merakosur për shëndetin e tij, por u shërua edhe atë herë. Kur u lirua, Xake Bregu, kërkoi leje ta merrte me vete, por nuk ia dhanë. Me sa dukej, dënimi i “Bolit”, do të vazhdonte ende…! Në Qaf Bar, ku më transferuan, dikush më solli lajmin, se Bolin e patën pushkatuar. Një prej policëve, i pat shkrehur një karikator “Kallashnikovi”, “Bolit” të shkretë. Dhe me sa di unë, “Boli”, nuk qe dënuar me vdekje, nga asnjë gjyq…! Memorie.al
Vijon numrin e ardhshëm
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016