Nga Raimonda Moisiu
Pjesa e dytë
Memorie.al / Dr. Ilinden Spasse është djalë shkrimtari, që për të do të thotë shumë, se ka lindur bashkë me letërsinë, me artin e të shkruarit. Ai është i biri i Sterjo Spasses, një prej shkrimtarëve shqiptarë më në zë të shekullit XX-të, një prej urave lidhëse më të fuqishme mes dy kombësive shqiptare dhe asaj maqedonase, shkrimtari modern, i cili evokoi paqen dhe harmoninë mes kombeve. Të dy, atë dhe bir janë pionierë të letrave shqipe, që duken sikur dalin nga muzeu historik i letrave shqipe. Veç prirjes natyrale të Dr. Ilinden Spasses, shkak frymëzimi për të shkruar u bënë ëndrrat dhe përvojat e jetës, me zërin e tyre të brendshëm dhe individualitetin e tyre.
Është prozator që ka një fuqi të magjishme në defilimin e një numri të madh personazhesh, njerëz të thjeshtë e me pushtet, zbulon jo vetëm karakterin e tyre plot jetë në të kaluarën e në të ardhmen, por na rrëfen edhe lirinë e tyre me humor të hollë e të ndjeshëm, sarkazëm të goditur nga ana artistike, duke na dhënë kënaqësinë dhe duke e shndërruar shkrimtarin Ilinden Spasse, në një mjeshtër të rrëfimit, si baba i tij. Ka botuar në fushën e letërsisë romane e tregime, ku ndër to spikat në mënyrë të veçantë edhe vepra monografike “Im Atë, Sterjo”.
Në fushën e përkthimeve ka sjellë “100 personalitetet më të shquara në histori” të autorit Majkëll Hart. Në fund të muajit korrik, unë u takova me Dr. Ilinden Spassen dhe bashkëshorten e tij, një zonjë tejet sharmante, Marien, së bashku me shkrimtarin e poetin, Përparim Hysi, në Tiranë. Ishte një kafe shkrimtarësh, ku tema kryesore ishte letërsia dhe kritika letrare. Më dhuroi romanin e tij të fundit “Pavijoni i filozofëve”. Unë veçanërisht dëshiroja ta pyesja për krijimtarinë letrare të atit të tij dhe për krijimtarinë e tij të hershme letrare, kohën kur filloi të shkruante gjatë jetës së tij, por edhe aktualisht. Në këtë intervistë, shkrimtari i mirënjohur dhe i talentuar, Dr. Ilinden Spasse, flet për vete dhe atin e tij, shkrimtarin e shquar, eruditin, Sterjo Spasse.
3- Si shkrimtar, ai ka rrokur një gamë të gjerë problemesh sociale, me të gjithë korpusin e veprave të tij. Në romanet e tij gjejmë të zbërthyera, tërë reformat që u zhvilluan gjatë periudhës së monizmit, por edhe ciklin e romaneve “Rilindësit”, që është një vepër monumentale, ku ka përshkruar në mënyrë të plotë, si asnjë tjetër, tërë periudhën e Rilindjes tonë kombëtare, duke e parë në planin historik, social, politik, diplomatik, etnografik, ekonomik etj., dhe me një gamë të gjëra ngjarjesh, në të gjitha shtresat e shoqërisë shqiptare.
Këtë cikël e fillon me romanin “Zgjimi”, ku përshkruan zgjimin e ndërgjegjes kombëtare, hapjen e shkollave të para shqipe, e vazhdon deri në ngritjen e flamurit në Vlorë, më 28 nëntor 1912; përshkruan luftërat legjendare të viteve 1911-1912 në veri të Shqipërisë e në Kosovë, vepron me personazhe realë historikë e, të krijuar. I tërë korpusi i tij i “Rilindjes”, ka mbi 1000 personazhe, një punë jo e pakët kjo, një punë që atij i ka kushtuar shumë në aspektin shëndetësor. Pas përfundimit të çdo romani historik, atij i binte infarkt, etj. Shumë ngjarje në këtë cikël zhvillohen edhe në trevat e tjera të Ballkanit, si në Stamboll, Bukuresht, Sofje etj.
4. Si veprimtar shoqëror. Atë gjithnjë do ta gjeje në veprimtaritë letrare artistike që zhvilloheshin nga ana e Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë, do ta gjeje në veprimtaritë e tjera propagandistike që zhvilloheshin në lagjen ku banonte apo, në ato që organizonte Komiteti Ekzekutiv i atëhershëm. Do të ishte mjaft aktiv sidomos gjatë muajt të letërsisë, ku bashkë me shokët e tij, do të shkonin në shumë rrethe të Shqipërisë. Preferonte shumë, që shokët e tij, t’i shpinte në vendlindjen e tij, në zonën e Prespës për t’iu “mburrur” për mikpritjen e prespiotëve dhe për bukurinë e natyrës.
Si keni arritur ju në këtë monografi të harmonizoni aktualen mbizotëruese historike, sociale e politike, në kurriz të pavarësisë tuaj intelektuale?
Harmonizimi i aktuales me historiken, i anëve sociale me ato politike dhe i plot harmonizimeve të tjera kanë ardhur vetvetiu, nga vetë jeta intensive e shkrimtarit, jetë e mbarsur me një aktivitet të gjerë sa letrar, aq edhe në fushën e arsimit, jetë e mbarsur nga problemet e shumta të kohës, nga shpresa për një të ardhme sa më të mirë dhe nga zhgënjimet e retorikave të ndryshme.
Çfarë mendoni se ka mbetur konstante tek ju?
Konstante ka mbetur vetëm dëshira për të kontribuar sa më tepër, për të shkruar sa më tepër…!
Si mendoni ju, cilat janë elementët thelbësorë të një proze, në rastin tuaj, të romanit. Sfida që përballeni me ndërtimin e tij, duke e krijuar atë me idetë që keni në mendje për ecurinë e personazheve. Ju i paraqisni personazhet tuaja nga jeta reale në përshtatje me kohën e situatën, apo anasjelltas?
Duke i hedhur një sy krijimtarisë sime modeste, tani në një moshë pak të shtyrë, ve re, se pothuajse të gjitha temat qoftë të tregimeve, novelave apo gjinive të tjera më të gjata, që unë kam shkruar, janë nga jeta aktuale, personazhet janë të kohës, ku kulmin arrij me monografinë “Im at, Sterjo”, që shumë veta e quajnë roman.
Zhanrin e romanit “e bëtë ju që të vinte te ju”, apo është preferenca tuaj?
Zhanri i romanit, ka ardhur vetvetiu nga tema që kam zgjedhur. Nuk jam nisur kurrë që të shkruaj roman. Më mungon ajo “ambicie e mirë” do të thoja, për të shkruar një roman e me këtë roman t’ua kaloj të tjerëve. Kjo nuk ekziston tek unë. Po të ekzistonte kjo “ambicie” me siguri fruti i krijimtarisë time letrare do të ishte shumë më i bollshëm.
Diçka për vëllimin me tregime “Cuca e pavijonit”, 1970, dhe romanin “Përtëritje” 1976, janë fantazi, apo pasqyrë e brendshme e botës njerëzore?
Këto tituj që ju i përmendët, janë frymëzim i një kohe kur unë posa kisha dalë në jetë dhe i një vendi të thellë malor ku unë isha i punësuar si mësues i gjuhës e i letërsisë në një nga fshatrat më të thella të Matit. Vetë rinia ime, mbase dhe përgatitja psikologjike që kisha marrë në familje, ishin si të thuash ilaçi më i mirë për ta parë jetën me optimizëm, të punoja me dëshirë, të prekja plagët e kohës, natyrisht duke iu përmbajtur orientimeve të kohës.
Pra shpirtërisht isha shumë i motivuar për të qenë optimist, ndryshe nga shumë shokë të mij, që çdo gjë e shihnin të errët, të zezë. Në këto dy libra, nuk ka fantazi. Kështu ka qenë jeta, me të mirat e të këqijat e saj. Ajo ka qenë bota e brendshme shpirtërore, e personazheve të mi.
Ku qëndron forca e inspirimit tuaj si një shkrimtar që i përket dy epokave – realizmit socialist dhe periudhës postkomuniste?-Ku qëndron ndryshimi midis këtyre dy epokave. Çfarë ju tërheq më shumë nga realiteti e si mund ta konceptosh atë artistikisht?
Ndryshimi midis dy epokave në aspektin letrar mua më duket se nuk ekziston. Edhe në atë kohë mund të shkruaje, natyrisht brenda kornizave ideologjike. Po njeri nuk të detyronte të shkruaje me zor. Edhe tani shkruan, por më duket se shkruan më tepër broçkulla duke u mbështetur në “lirinë e fjalës”.
Kombinimi i së tashmes me të shkuarën, i letërsisë me publicistikën në fushën e letrave, përbën bazën e letërsisë së suksesshme, por edhe një teknikë e vështirë për ta pasqyruar në letër. Si ia arritët ju ta realizonit këtë në romanin “Pavijoni i filozofëve”, 2014?
Krejt natyrshëm: Disa episode të vogla në dukje më ngacmuan të gjeja fillin e një tregimi. Këto episode “të vogla”, mbase lidheshin edhe me karakterin tim, me edukatën time: “Një shok më tha: Filan ministër, ti e ke shok, e ke mik, pra thuaji atij të ma japë tenderin e objektit që ndërton ai. Do t’i jap sa të dojë, po edhe ti nuk do të mbetesh pa gjë”! Në atë situatë, kur ne kishim dalë nga një sistem diktatorial dhe ishim futur në demokraci, këto fjalë më bënë mjaft përshtypje.
Biles netë të tëra kam ndenjur pa gjumë. Si mund t’i kërkosh një shoku, e aq më tepër ky ministër, e të bësh pazarllëqe parash e tenderash?! Unë atëherë, kuptimin e fjalës tender, nuk e dija. E këtu lindi shkëndija e parë, për hartimin e këtij romani. Në një moment mendova se vetëm një i çmendur mund të bëjë një kërkesë të tillë. Pra gjeta edhe fundin e romanit. Midis fillimit e fundit u gatua ky roman, tepër aktual e tepër kritik…!
Z.Ilinden, jeni edhe përkthyes, dhe keni përkthyer “100 personalitetet më të shquara në histori” e autorit Majkëll Hart. Çfarë ju ka shtyrë t’i përktheni e t’i sillni këto personalitete në shqip? Cili është sekreti që fuqishëm ka influencuar në përkthimin e këtij libri?
Nuk ka ndonjë sekret të madh këtu. Rastësisht më ra në dorë ky libër përkthyer në gjuhën maqedonase. Unë e lexova edhe kuptova shumë gjëra por edhe shumë gjëra nuk i kuptova. Ndaj vendosa ta përktheja me fjalor në dorë, që ta kuptoja më mirë dhe bëra mirë se të dish jetën e figurave më në zë të botës është një shkollë më vete.
Ndaj iu futa përkthimit për vete, për të mësuar sa më shumë për shkencëtarë, shkrimtarët, filozofët, shpikësit që kanë ndryshuar rrjedhën e historisë njerëzore dhe kështu nga faqja në faqe unë arrita të përktheja librin dhe ta redaktoja e ta përshtatja në shqip. Kur e përfundova, pashë që kisha bërë një punë të mirë dhe e botova. Kaq.
Çfarë mendoni për statusin aktual të kritikës? A ka kritikë të mirëfilltë sot për sot? Cili ka qenë keqkuptimi më i ndjeshëm gjatë karrierës tuaj krijuese?
Për kritikën e sotme, më duket se kam folur shumë në romanin tim “Pavijoni i filozofëve”, të cilën do ta përkufizoja po me gjuhën e romanit: Ka para, ka kritikë, S’ka para, s’ka kritikë! Ka para ka kritikë superlative, s’ka para, ka heshtje. Që tani për tani institucioni që të merret direkt me vlerësimin dhe zhvlerësimin e shkrimtarëve tek ne mungon. Arsyet mund të jenë të shumta, por është një gjë, që shkrimtarët kanë shumë më tepër kulturë, se të ashtuquajturit kritikë të sotëm.
Në fushën e letërsisë, nuk kam pasur ndonjë keqkuptim me ndonjë redaksi. Kur më kanë kthyer ndonjë vepër, kam qeshur me vete, sepse argumentet që më kanë thënë redaktorët, nuk ma kanë mbushur mendjen. Por edhe të bëja fjalë, ishte e kotë. Dhe kështu e kaloja me të qeshur. Natyrisht, përbrenda zieja nga inati, ashtu siç zienin nga inati edhe im atë, edhe shokët e tij, kur ua kthenin veprat në shtëpinë botuese, gjë që e kam trajtuar në “Im at, Sterjo”.
Mendoni e shpresoni se gazeta “Drita”, do të rikthehet”?
Gazeta “Drita” është rikthyer, por nuk ka atë forcë të “Dritës” së mëparshme: Kjo vjen nga që ka rënë mjaft interesi i të lexuarit, jo vetëm për shkaqe ekonomike, apo për shkaqe se dalin mjaft botime ku trajtohen edhe probleme të letërsisë apo edhe pse është futur interneti, që të merr mjaft kohë, por kryesorja më duket mua është, se kësaj gazete, i “iku” institucioni që e nxirrte, i “iku” Lidhja e Shkrimtarëve dhe e Artistëve, që brezi ynë e ka patur si një “mbështetje”, për gjithçka që lidhej me kulturën, artin dhe kritikën letrare…!
Si jeni ndier përballë botës së frikshme të mediokritetit, klaneve, hipokritëve dhe inferioritetit? Çfarë kuptoni me shprehjet “vetë-gjymtim dhe vetëvrasje intelektuale’?
E thashë edhe më lart: përballë botës së frikshme, mediokritetit, klaneve dhe inferioritet, unë kam heshtur dhe kam qeshur me vete. Por ndeshja me redaksitë nga ana ime, ka qenë e kufizuar, se unë nuk shkruaja shumë, sa që të bëhesha i bezdisshëm për ta edhe për vete. Në kohën e monizmit ka ekzistuar një farë auto-censurë, se mjaft pena të forta, e kanë pësuar pikërisht për një fjalë, për një ide të thënë në kundërshtim me orientimet e kohës.
Si shkrimtar, cili është koncepti juaj për kombin, për pushtetin, për partitë politike dhe për demokracinë në vendin tonë?
Për konceptin për kombin, për pushtetin, për partitë politike, -nuk di ç’të them, sepse nuk e kam vrarë shumë mendjen, ndërsa për demokracinë, më qartë se ç’e kam shprehur në librin e fundit, nuk besoj se do ta shpreh këtu. Por di një gjë, që këto koncepte në ndërgjegjen e njerëzve dhe në këtë kohë të globalizimit, sikur janë zbehur. Por kur shikon ndeshjet ndërkombëtare ku luan Shqipëria, entuziazmi i tifozëve shqiptar arrin kulmin…!
Kur shprehemi “brezi i mëparshëm”, kë keni ndërmend sipas jush? Cilët janë autorët tuaj më të preferuar, shqiptarë e të huaj?
Në fakt, kur jam shprehur ndonjëherë për brezin e mëparshëm, gjithnjë kam pasur parasysh babanë dhe shokët e tij, jo vetëm moshatarë por edhe më të rinj, që janë krenaria e kombit tonë. Autorët që më kanë pëlqyer më shumë në kohën time, kanë qenë ata që u përkthyen në shqip, ata që zhvilloheshin në leksione e shkollës. Por dua të them që shkolla ruse me kolosët e saj, shkolla franceze me kolosët e saj dhe ajo angleze dhe amerikane, kanë qenë ata që na kanë brumosur ne me artin e të shkruarit dhe të shijuarit. Dhe gjithnjë kam harruar, se edhe brezi im tani, po plaket.
Projektet tuaja në të ardhmen? Çfarë ju ka mbetur peng?
Ai që merret me të shkruarit, gjithnjë në nënvetëdije ka projekte që nuk guxon t’ia thotë jo vetëm shokëve e miqve, por edhe vetes. Megjithatë, kam një projekt, për të botuar Bibliografinë e Sterjos, që kap mbi 2600 zëra, si dhe korrespodencën e tij, që mua më duket me mjaft interes. Të shohim, nëse do të arrij t’i botoj.
Mesazhi juaj për inteligjencën e shoqërinë shqiptare sot….!
Përgjigjja mund të jetë retorike. Vetë puna krijuese, dëshira për ta mbajtur atë gjithnjë të ndezur, është një mesazh për rininë. Memorie.al